Po vjen një muaj
- Për të gjithë njerëzit, për të gjithë ata që e dinë se ka një Krijues që është Zoti i tyre e ata, janë krijesat e Tij…po vjen një muaj.
- Për të gjithë ata që e dinë se brenda gjakut dhe zemrës së tyre qëndron pamohueshëm shpirti, sekreti i jetës së tyre…po vjen një muaj.
- Për të gjithë ata që i lodh monotonia vrasëse e kësaj jete, mania e saj për të robëruar njerëzit e lirë …po vjen një muaj.
- Për të gjithë ata që duan të fitojnë mbi vetët e tyre, mbi veset e tyre, por e kuptojnë se kjo gjë nuk është e lehtë…po vjen një muaj.
- Për të gjithë ata myslimanë që besojnë se të jesh mysliman nuk është vetëm një fjalë, por ka kushte, e një prej këtyre kushteve quhet “agjërim”…po vjen një muaj.
Në fundin e muajit Shaban dhe në prag të muajit Ramazan, profeti Muhamed (a.s) thoshte : “O njerëz ! Po ju afron një muaj i madh , një muaj i begatë. Në të ndodhet nata e Kadrit, më e mirë se një mijë muaj. Agjërimin e tij Zoti e bëri obligim dhe faljen e teravisë e bëri të pëlqyeshme. Ai që gjatë këtij muaji kryen një obligim fetar, shpërblehet sikur ka kryer 70 të tilla e ai që kryen një punë vullnetare, shpërblehet sikur ka kryer një detyrë fetare. Ai është muaji i durimit dhe durimi shpërblehet me parajsë”. Transmeton Ibn Huzejme.
Devotshmëria është domosdoshmëri
Jeta e njeriut është rruga për tek Zoti. Një rrugë me fillim të ditur e me fund të panjohur. Çdo rrugëtim ka nevojë për furnizim e furnizimi i këtij rrugëtimi quhet “devotshmëria”. Devotshmëri për Krijuesin tonë që krijoi në formën më të lartë edhe pse për këtë pak njerëz kujtohen kur shihen në pasqyrë, për Kujdestarin tonë që nuk fle e as kotet edhe kur ne si “të vdekur” biem në gjumë, për Furnizuesin tonë edhe pse na gënjehemi se jemi të zotët e vetes, për Zotin tonë tek i Cili çdo shpirt do të kthehet e ne më s’do kemi asgjë në dorë.
Për hir të kësaj devotshmërie erdhi njeriu, për hir të saj u krijua parajsa dhe zjarri, për hir të saj u obligua e mira dhe u ndalua e keqja…për hir të saj u urdhërua agjërimi: ” O ju që keni besuar dijeni se agjërimi është obligim për ju ashtu siç ishte edhe për ata para jush, …që të bëheni të devotshëm”. Kuran El-Bekare183
Sa keq!
- Sa keq do të ishte sikur të mendosh se agjërimi është privim dhe jo privilegj , është torturë dhe jo kënaqësi, është lodhje që duhet ta durosh dhe jo pushim që duhet ta shijosh.
- Sa keq do të ishte të ndalohesh me dëshirë nga “e lejuara” që është ndaluar vetëm për një muaj (ushqimi dhe pija) e të mos largohesh nga e ndaluara në çdo ditë, çdo natë e çdo muaj.
- Sa keq do të ishte që Ramazani të kthehet në festival ushqimesh e panair gatimesh, ndërsa qëllimi i tij ishte që të paktën këto ditë të kërkoje një tjetër menu, që nuk përbëhet nga “gjellët e tokës”, por ka brenda përulje, reflektim, pastërti e bamirësi.
- Sa keq do të ishte, që para iftarit të ulesh pranë sofrës duke pritur me padurim të thirret ezani e të harroje që me zemër e shpirt të thuash :”Zoti im, për Ty agjërova dhe me furnizimin Tënd po çel iftar. Etja iku, damarët u lagën dhe mbeti shpërblimi inshallah”.
- Sa keq do të ishte të biesh në grackën e provokatorit që si vetja do të të bëjë e të mos i thuash duke vënë buzën në gaz : “Unë jam agjërueshëm”.
- Sa keq do të ishte të braktisësh me dëshirën tënde ushqimin dhe pijen e të mos braktisësh gënjeshtrën dhe punën e ligë.
“Ai që nuk braktis gënjeshtrën dhe punën e ligë, duhet ta dijë se Zoti nuk ka nevojë që ai të braktisë ushqimin dhe pijen e tij”. (Buhari)
Është ndryshe
Është ndryshe të flasësh për dhimbjen e ndryshe ta përjetosh atë.
Është ndryshe të kritikosh padrejtësinë e ndryshe ta vuash atë.
Është ndryshe të bërtasësh për të drejtat e njeriut, për liri, vëllazëri e barazi e ndryshe t’i praktikosh vetë ata.
E pra, është krejt ndryshe të të vijë keq kur sheh duar, që shtrihen pas teje për bukën e gojës e krejt ndryshe të përjetosh vetë çdo të thotë “uri” . Është ndryshe të mjaftohesh duke thënë se ka me miliona që vdesin çdo vit për bukën e gojës e ndryshe të dëgjosh qoftë dhe për një ditë zërin e barkut , kur nga uria fillon të thërrasë.
Në këtë muaj nuk kanë shumë vlerë ligjërimet e filozofëve, ligjëruesve dhe analistëve, fjala e të cilëve nuk zbret poshtë gjuhës së tyre, por duhet medoemos të zbatosh praktikisht humanizëm, solidaritet dhe drejtësi.
E sikur të arrinim deri këtu, shumë gjëra do të ndryshonin, madje shumë shpejt…
Kjo është reforma e vërtetë
Të gjithë flasin për reformë e reforma është akoma larg. Shumë kanë dëshirë të ndryshojnë por ndryshimi nuk është i lehtë. Shumë të tjerë me inteligjencën e tyre e kuptojnë të mirën por nuk kanë forcë t’i shkojnë nga pas, e ndjejnë të keqen por nuk kanë forcë t’i largohen.
Duhet një provë, duhet një praktikë. Agjërimi është një eksperiencë e heshtur me të paktën tridhjetë ditë për ta parë veten më ndryshe, për të pranuar dhe zbatuar reformën më të vështirë, atë me veten. Ajo reformë është më e vështirë se lëvizja e maleve nga vendi i tyre, se ndryshimi i rrjedhës së lumenjve, se gjelbërimi i shkretëtirës…por nuk është e pamundur…Mjafton forca dhe vullneti e mbi të gjitha besimi dhe shpresa. Kjo është e nevojshme për individin, që nuk di se ç’duhet të bëjë, për familjen që frikshëm po humbet rolin e saj, për shoqërinë që mendon se mund të integrohet lehtë në kufij gjeografikë pa u integruar së pari në veten e saj…
Ky është muaji i reformës sepse të jep mundësinë të reflektosh me qenien më të afërt dhe njëkohësisht më të panjohur për ty…me veten tënde. Sepse je larg ushqimit që ka tejngopur barkun, larg epshit që ka pushtuar mendjen, e ti tani “me këmbë në tokë” ndihesh njeri më shumë se asnjëherë tjetër.
Ti e sheh ushqimin, por ai nuk të josh, epshi të ka zënë pusi, por ti nuk bie në të …
E njeh të mirën dhe përpiqesh ta zbatosh, e di vlerën e bamirësisë dhe mundohesh në çdo formë ta zbatosh.
Ti kupton se nuk paskësh qenë kaq e vështirë për të agjëruar…mjaftoka vetëm vendosmëria për t’i shkuar gjërave në fund, nuk paska qenë e pamundur të mbash nën kontroll gjuhën tënde, të përsosësh veten tënde.
Ja pra, njeriu ka shumë mundësi dhe forcë për të ndryshuar, për t’u bërë më i mirë, për të qenë më afër Zotit dhe vetes…Ramazani është një rast i rrallë, një muaj në vit, një mundësi që ndoshta nuk do ta arrish vitin tjetër…sepse edhe ne mund të mos jemi vitin tjetër…
Hape zemrën tënde dhe agjëroje për Zotin këtë muaj, duke qenë i sigurt se Ai nuk e quan të thjeshtë këtë punë.
“Çdo punë që bën njeriu e bën për veten e tij, përveç agjërimit, atë e bën për Mua dhe vetë Unë do t’ia shpërblej” Hadith kudsij
Dr. Ferid Piku