Në vitin 854 hixhri/1450 e.r, shkencëtari gjerman Johannes Gutenberg (vd. 863 hixhri/1468 e.r.) i paraqiti njerëzimit shpikjen e tij të madhe, shtypshkronjën. Aq sa kjo arritje ishte një përparim teknik që ndryshoi pamjen e historisë kulturore të botës, ajo gjithashtu do të shënonte fillimin e fundit për sistemin që krijoi fenomenin më të madh kulturor që qytetërimi islam i kishte dhuruar njerëzimit, duke prodhuar trashëgiminë më të pasur shkencore të njohur për njerëzimin deri në epokën moderne. Fenomeni për të cilin jemi duke folur është “letërpunimi dhe letëpunuesit”, ose industria e botimit të librave në jetën shkencore islame.
Në këtë artikull, ne do të hyjmë në një botë që, për më shumë se 12 shekuj, ishte e gjallë dhe krijuese, plot polemika dhe zhurmë kulturore, e cila nuk ka qenë e zhveshur nga fakte befasuese dhe të rralla. Le të shohim se si funksiononte makineria e prodhimit të librave në botën islame, sesi dijetarë të mëdhenj, princa të famshëm dhe amvisa e profesionalizuan profesionin e kopjimit të librave në kërkim të të ardhurave që do të siguronin jetesën dhe se si kopjues (shkrues) nga fe të tjera kanë marrë pjesë në këtë industri dhe kanë kontribuar në përhapjen e veprave islame.
Umet i ‘Lexo!’
Kur erdhi Islami arabët dinin lexim dhe shkrim në një shkallë të vogël, dhe përkthimin nga gjuhë të tjera brenda kufijve më të ngushtë. Por feja e re – bazuar në atë lëvdatat që Kurani dhe tradita profetike i thur dijes dhe dijetarëve – që në momentin e parë shënoi lindjen e ‘Umetit të Lexo!’, i cili do ta mbushë tokën me dituri dhe do t’i pushtojë njerëzit me kulturë dhe letërsi.
Mbledhja dhe kodifikimi i Kuranit përfundoi gjatë kalifatit të Ebu Bekr el Siddik (vd. 13 hixhri/ 635 e.r.). Ky ishte një tregues i rëndësisë së kodifikimit shkencor në jetën e umetit. Por shekulli i parë hixhri në tërësi u karakterizuar me transmetimin gojor të teksteve të Islamit (Kuranit dhe Sunetit) dhe gjuhës së tij arabe. Kjo periudhë nuk dëshmoi ndonjë lëvizje kodifikimi të njohurive që buronin prej tyre, përveçse në raste të kufizuara.
Me fillimin e shek. II hixhri/shek. VIII e.r., i cili njihet si “Epoka e Kodifikimit”, burimet e shkencës shpërthyen dhe u përfundua cikli i prodhimit gojor. Ishte e nevojshme që krijoheshin korniza të forta që do ta transferonin dijen nga forma e të mësuarit përmendësh drejt hedhjes së tyre në letër, duke e mbrojtur nga humbja dhe duke e bërë të qarkullueshme mes njerëzve dhe trashëgimin përgjatë brezave.
Përhapja e Islamit çoi në përzierjen me qytetërime dhe sisteme kulturore që kishin fe të ndryshme në Irak, Persi, Levant dhe Egjipt. Kjo nxiti diskutime dialektike me natyrë kulturore dhe shkencore me njerëz të atyre vendeve. Kështu lindi nevoja për të përkthyer tekste nga gjuhët e atyre popujve, që të përdoreshin metodat e tyre të argumentimit, në një mënyrë që do t’i vinte në ndihmë në betejën kulturore. Tregu i përkthimit lulëzoi dhe u zgjerua derisa përfshiu në atë kohë më shumë se dhjetë gjuhë, kështu që u rrit edhe veprimtaria e kodifikimit dhe botimit.
Lulëzimi i shkrimit dhe i kodifikimit u përforcua nga dy faktorë të rëndësishëm: I pari është prestigji i lartë që qatipët e administratës (ministritë dhe departamentet e shtetit) patën që nga epoka e umajadëve dhe rëndësia e tyre u rrit gjatë periudhë së pasardhësve të tyre abasid; dhe së dyti, përdorimi i letrës për shkrimin e dokumenteve në fillimin e epokës abaside, një përdorim që u formësua me ndërtimin e fabrikës së parë të letrës në Bagdad në kohën e Harun El Rashid në vitet shtatëdhjetë të shekullit të dytë hixhri.
Kështu, njerëzit e njohën industrinë e prodhimit të librave me të dy pjesët e saj: ‘origjinalin’ e shkruar dhe ‘të importuarin’ e përkthyer. Më pas, industria e librit shpejt u bë një profesion i përhapur në qytetërimin islam të quajtur ‘letërpunim’. Në këtë profesion u specializua një grup i madh njerëzit të quajtur ‘letërpunues’, i cili përfshinte në anëtarësinë e tij të gjitha spektrat intelektuale dhe letrare të shoqërisë, si dhe grupet e saj fetare. Për këtë profesion u vendosën rregulla, iu caktuan vende e tregje. Në hapësirën e tij u zhvilluan degë e specializime, zotëruesit e të cilave patën përfitime të mëdha monetare.
Kryetari i letërpunuesve
Nga këndvështrimi historik, letërpunimi -në fillimet e tij si profesion- është lidhur me punën e kopjimit të Kuranit Fisnik për përfitime materiale. Ebu El Faraxh Muhamed Ibn Is’hak El Bagdadi, i njohur si El Nedim (vd. 384 hixhri/ 995 e.r.) – në librin e tij El Fihrist – ka përmendur se njerëzit “e shkruanin Kuranin kundrejt pagesës” dhe ka dokumentuar emrat e një numri të atyre që numëroheshin ndër shkruesit e Kuranit.
I pari që u bë i njohur për specializimin e tij në shkrimin e Kuranit ishte Amr Bin Nafe’ (vd. 60 hixhri/ 681 e.r.), shërbëtori i Omar Bin El Khatab (vd. 23 hixhri/ 645 e.r.), por El Nedim i referohet historianit Muhamed Bin Is’hak (vd. 151 hixhri/769 e.r.) se “i pari që shkroi Kuranin në periudhë e parë të Islamit- dhe përshkruhet për shkrimin e bukur- është Halid Bin Ebu El Haxhaxh (vd. 99 hixhri/ 719 e.r.). Mesa duket, ai ka qenë letërpunuesi i kalifit El Uelid Bin Abdulmelik (vd. 96 hixhri/716 e.r.).
Megjithatë, personi i parë që quajtur ‘letërpunues’ -që e ka merituar të quhet kryetar i letërpunuesve- është Ebu Raxha’ Matar Bin Tahman El Horasani El Basri (vd. 129 hixhri/748 e.r.), i cili njihej si Matar Letërpunuesi. Xhemaledin El Mizzi (vd. 742 hixhri/1341 e.r.) në veprën Tehdhib el Kemal ka përmendur se ai “banonte në Basra dhe shkruante Kuranin”, prandaj dhe quhej “Shkruesi i Kuranit, siç e gjejmë te El Hafidh Ibn Haxher El Askalani (vd. 852 hixhri/1449 e.r.) në Lisan El Mizan.
Gjithashtu, bashkëkohësi i tij, Musauir Bin Seuar Bin Abdulhamid El Kufi (vd. rreth 150 hixhri/768 e.r.) ishte i njohur si Musauir Letërpunuesi, Sipas biografisë së tij të përpipuar nga Imam Alaudin Mugaltai Bin Kalixh (vd. 76 hixhri/1361 e.r.) në Ikmal Tehdhib El Kemal. Ky i fundit e ka përshkruar atë si “një nga dijetarët e hadithit që ka transmetuar drejtpërsëdrejti nga tabi-inët, ëdhe prej tij kanë transmetuar personalitete të rëndësishme të shkencës së hadithit”.
Nga mesi i shek. II hixhri/ shek. VIII e.r., shkrimit të Kuranit iu bashkua mbledhja e haditheve të Profetit, dokumentimi i fetvave të sahabëve dhe tabi-inëve, si dhe kodifikimi i gjuhës e i poezisë arabe. Kështu u shfaqën ato që ne i njohim si ‘përmbledhje’ në shkenca të ndryshme. Ndër të parët prej këtyre përmbledhjeve – prej të cilëve na ka arritur tekst i dokumentuar – është El Muatta me autor Imam Malik Bin Enes (vd. 17 hixhri/795 e.r.), El Risale e Imam Shafi’iut (vd. 204 hixhri/ 819 e.r.), El Mebsut i Imam Muhamed Bin El Hasan El Shejbani (vd. 189 hixhri/805 e.r.), El Kitab në gramatikë i Sibeuejh El Farsi (vd. 179 hixhri/795e.r.), fjalori El Ain i Halil Bin Ahmed El Farahidi El Ezdi (vd. 175 hixhri/791 e.r.) dhe përzgjedhje nga poezitë arabe, si El Mufadilijat dhe Esma’ijat.
Numri i madh i nxënësve të dijes dhe preokupimi gjithnjë e më i madh i dijetarëve me shkrimin e dijeve, bëri që disa dijetarë të kishin letërpunuesin ose transkriptuesin e tyre të veçantë. Gjithashtu, çdo poet kishte një ‘rrëfyes’ të koleksionin e tij poetik. Për shembull, Habib Bin Ebu Habib El Medeni (vd. 218 hixhri/833 e.r.) ishte letërpunues i Imam Malikut, duke u bërë i njohur si i famshëm si Qatipi i Malikut dhe se ai “ ndonjëherë ai ua lexonte njerëzve e El Muatta e Malikut”, sipas Ajbek El Safedi (v. 764 hixhri/ 1362 e.r.) në El Uafi Bi El Uafijat. Muhamed Bin Sa’d (vd. 230 hixhri/ 845 e.r.) ishte i njohur si Qatipi i Historianit El Uakidi (vd. 207 hixhri/ 822 e.r.).
Më vonë, kjo traditë u përhap deri në masën që përfshiu të gjitha klasat e dijetarëve, shkrimtarëve, madje edhe kalifëve e princave. U bë e zakonshme që ata të mbështeteshin te një letërpunues, ashtu si autorët e mëdhenj të kohës sonë mbështeten te një botues i caktuar, për botimin e librave të tyre. Muhamed Ibn Ebu Hatim El Razi (vd. pas 256 hixhri/870 e.r.) ishte letërpunues i Imam El Buhariut (vd. 256 hixhri/870 e.r.), kështu që ai, sipas El Hafiz Ibn Haxherit në librin e tij Taklik El Ta’lik “ishte shoqërues i tij në udhëtim dhe kur ishte në vendin e tij, kështu që shkroi librat e tij”.
Ahmed Bin Muhamed El Nebaxhi (vd. pas 333 hixhri/ 945 e.r.) ishte letërpunues i dijetarit të hadithit Imam Jahja Bin Mu’in (vd. 233 hixhri/ 848 e.r.). Për shembull, prej tij transmeton El Kadi Ebu Bekr Ahmed Bin Meruan El Dinuari El Maliki (vd. 333 hixhri/ 945 e.r.), dhe thotë: “Ahmed Bin Muhamed El Nebaxhi, letërshkuesi i Jahja Bin Mu’in”. Xhelaledin El Sujuti (vd. 911 hixhri/ 1505 e.r.), në Tarih El Khulefa, ka përmendur se kalifi abasid El Mu’temid (vd. 279 hixhri/ 892 e.r.) “kishte një letërpunues që ia shkruante poezitë e tij me bojë të artë”.
Disa prej tyre mund të kenë pasur dy letërpunues, siç ishte rasti i historianin El Uakidi dhe Ebu Ubeid El Kasim Bin Selam (vd. 224 hixhri/839 e.r.), autor i librit El Amual, si dhe për Ebu Daudin (vd. 275 hixhri/89 e.r.), autori i El Sunen, i cili kishte dy letërpunues, një prej tyre banonte në Bagdad ndërsa tjetri në Basra.
Gjithashtu edhe El Xhahidh (vd. 255 hixhri/ 869 e.r.) kishte dy letëshkrues, njëri prej të cilëve duket të ketë qenë në Bagdad dhe ai quhej Ebu El Kasim Abdeluahab Ibn Isa Ibn Ebu Haja El Bagdadi (vd. 319 hixhri/ 931 e.r.), për të cilin Imam El Sema’ni (vd. 562 hixhri/ 1167 e.r.), në librin e tij El Ensab, thotë se ai ishte “letërpunues i El Xhahid, nga banorët e Bagdadit”. Ndërsa letëshkruesi i dytë ishte Ebu Jahja Zekeria Bin Jahja. Ebu Ali El Kali (vd. 356 hixhri/ 967 e.r.) e përmend atë – në El Emali – duke thënë rreth një poezie: “Kështu që e gjeta në dorëshkrimin e Ibn Zekarias, letërpunuesi i El Xhahidh”.
Shkëlqim dhe prosperitet
Nga fundi i shekullit të dytë hixhri, Industria e letrës – ashtu siç shprehet historiani Ibn Khaldun (vd. 808 hixhri/ 1406 e.r.) në El Mukadimeh– ishte përhapur gjerësisht dhe kishte ndjekur rrugën e saj drejt prosperitetit në shek. III hixhri/ IX e.r. Degët e saj – sipas Ibn Khaldun – përfshinin “kopjimin, korrigjimin, libërlidhjen dhe çështje të tjera”, të tilla si shitja e letrës dhe artikujve të tjerë që përdoreshin për shkrim.
Shumë shpejtë, për industrinë e letrës u hapën dyqane, si pjesë e tregjeve të letërpunuesve, me të cilët u shquan qytetet e mëdha të urbanizuara. Dhe disa prej letëbërësve kanë punuar në bibliotekat kryesore zyrtare në botën islame, të tilla si Shtëpia e Urtësisë e themeluar nga abasidët në Bagdad; Shtëpia e Shkencës* në Kajro gjatë periudhës së fatimidëve dhe Thesari i Shkencës në Kordobë, në Andaluzi gjatë periudhës së dinastisë Umajade.
Dhe katër shekuj para Ibn Haldunit, Ebu Hajan El Teuhidi (vd. pas vitit 400 hixhri/1010 e.r.) – në një letër drejtuar një prej miqve të tij, të përmendur në librin e tij El Imta’ Ue El Mueneseh– ka identifikuar disa nga mjetet e prodhimit të letrës dhe përmbajtjen e tyre në punën e mjeshtërave kodifikuesve. Ai përmendi mes tyre “bojën, letrën, lëkurën, leximin dhe korrigjimin”. Megjithatë, në epokat e rënies së cilësisë në industrinë e letrës, u bë e ditur se “shumica e atyre, dorëshkrimi i të cilëve është i mirë, nuk ishin të prekur nga padituria”, sipas Imam Bedredin El Ajnit (vd. 855 hixhri/ 1451 e.r.) në Umdet El Kari’ Sherh Sahih El Bukhari.
Mjafton të kujtojmë se El Xhahidh – siç transmetohet nga miku i tij, poeti Ebu Hafan El Abdi (vd. 257 hixhri/871 e.s) dhe citohet nga El Nedim në El Fihrist – “shëtiste nëpër dyqanet e letrës dhe kalonte kohë të gjatë nëpër ta”. Kronikani El Makdisi El Beshari (vd. 380 hixhri/ 991 e.r.), në Ahsen El Tekasim i përshkruar banorët e Andaluzisë si “njerëzit më të aftë në punimin e letrës”.
Prandaj, industria e saj lulëzoi në Andaluzi në një mënyrë shumë të çuditshme. Madje, gjykatësi dhe më pas ministri Ebu El Mutarrif Abdurahman Bin Muhamed Ibn Futais El Kurtubi (vd. 402 hixhri/ 1012 e.r.) “kishte gjashtë letërpunues që gjithmonë shkruanin në shërbim të tij. Dhe ai u kishte caktuar një rrogë të kënaqshme”, sipas Imam Ibn Bashkuel (vd. 578 hixhri/ 1182 e.r.) në El Silah Fi Tarih Eimet El Andalus.
Në këtë profesion punonin mijëra burra e gra, nga të gjitha shtresat e shoqërisë, nga studiues të lartë, shkrimtarë, bij të ish-mbretërve – madje edhe princër – deri te shërbëtorët dhe skllevërit. Ndër dijetarët e famshëm që kanë punuar si letërpunues kundrejt përfitimit është edhe Imam Ahmed Ibn Hanbel (vd. 241 hixhri/855 e.r.), i cili mund të ketë kopjuar libra me pagesë për të përballuar vështirësitë ekonomike gjatë periudhës së kërkimit të diturisë.
Lidhur me këtë çështje, Imam Ebu Naim El Asbahani (vd. 430 hixhri/1040 e.r.) – në Hiljet El Eulija – paraqet një histori të bukur, përmbledhja e së cilës është se një nga shokët e Imam Ahmedit donte ta ndihmonte atë me para kur pa se ai kishte nevojë urgjente për to, por Imam Ahmedi refuzoi t’i merrte paratë si dhurim ose hua. Shokut të tij nuk i mbeti gjë tjetër veçse t’i thoshte: “A do të më shkruash [një libër] me pagesë? Ai tha: Po! (…) Kështu i dhashë një dinar (= sot afërsisht 200 dollarë amerikanë)… I solla një letër dhe ai shkroi për mua. Dhe ky është shkrimi i tij”.
Në mesin e dijetarëve të njohur që kanë qenë letërpunues për qëllim përfitimi monetar, ka qenë edhe imami, gjuhëtari, gjykatësi mu’tezili Ebu Said El Sirafi (vd. 368 hixhri/ 977 e.r.), për të cilin El Sama’ni na thotë – në El Ensab – se “Ai ishte një asket që ushqehej vetëm nga fitimet vetjake dhe nuk shkonte në kuvendin e gjykimit (= gjykatë) dhe as në kuvendin mësimor çdo ditë, vetëm pasi të kopjonte dhjetë fletë. Nga kjo punë merrte dhjetë dërhemë (= sot afërsisht 12 dollarë), aq sa t’i mjaftonin për të jetuar, dhe më pas shkonte në kuvendin e tij”.
Imami i Hanbelinjve në kohën e tij, Ibn Meruan El Bagdadi (vd. 403 hixhri/1013 e.r.) ishte i njohur për zotërimin e profesionit të letërpunimit, derisa ajo ju bë epiteti i tij. El Khatib El Bagdadi (vd. 463 hixhri/1072 e.r.) i cili ka përgatitur biografinë e tij -në Tarih Bagdad– e përshkruan atë si ‘Letërpunuesi Hanbeli’ dhe shton se “ai ishte mësues i ndjekësve të Ahmedit dhe dijetari i tyre në shkencën e fikhut në kohën e tij… Dhe ka vepra të mëdha”. Dhe Imam El Dhehebi (vd. 748 Hixhri/1347 e.r.) na thotë në Sijer Alam El Nubela se “ai e siguronte jetesën duke kopjuar libra dhe duke shkuar shumë në haxh”.
Dhe Imam Ibn Kethir (vd. 774 hixhri/ 1372 e.r.) – në El Bidaje Ue El Nihaje – përmend se Imam Ebu Hamid El Gazali (vd. 505 hixhri/ 1111 e.r.) “doli jashtë kësaj bote plotësisht dhe ju drejtua adhurimit e veprave të botës së përtejme. Dhe ai e fitonte jetesën duke kopjuar libra”. Në mesin e princave që e profesionalizuan letërpunimin – ndërkohë që ishin në pushtet – Ishte edhe sulltani martir Nuredin Zengi (vd. 569 hixhri/ 1173 e.r.), për të cilin El Dhehebi – në Tarih El Islam– përmend se ai “ushqehej nga puna e duarve të tij. Nganjëherë kopjonte libra, nganjëherë tjetër përgatiste kopertinat e librave”.
Ndër pasardhësit e mbretërve andaluzianë, të cilët janë marrë me këtë profesion, ishte edhe Sheref El Deuleh Jahja Bin El Mu’temid Bin Abbad El Lakhmi (vd. pas vitit 500 hixhri/1106 e.r.), që punoi si shkrues dhe kopjues librash pas rënies së pushtetit të familjes së tij në Sevilje. Shihabedin El Mukri (vd. 1041 hixhri/ 1631 e.r.) – në Nefh El-Tajib – e përshkruan atë si “këmbëngulës në punën e kopjimit të divaneve të poezisë. Nga shkrimi i tij i këndshëm çelnin lulet me aromë të mirë”. Te ne kanë arritur disa pjesë të kopjes së El Muatta që ai e ka shkruar për sulltan e moravidëve Ali Bin Jusuf Bin Tashfin (vd. 537 hixhri/ 1142 e.r.). Më poshtë pasqyrohet edhe imazhi i kopertinës së saj:
Nëna letërpunuese
Gratë kanë punuar përkrah burrave në profesionin e letërpunimit si transkriptuese të teksteve ose ndihmëse në këtë punë. Në Andaluzi, historiani Abduluahid El Marakeshi (vd. 647 hixhri/ 1249 e.r.) – në El Mu’xheb Fi Telhis Akhar El Magrib– citon nga historiani andaluzian Ahmed Bin Said Ibn Ebu El Fajad (vd. 459 hixhri/ 1068 e.r.) se “në anën lindore të Kordobës kishte njëqind shtatëdhjetë gra, të cilat e shkruanin Kuranin me shkrimin Kufik.
Uarka Bint Jantan (vd. pas 540 hixhri/ 1145 e.r.) – një grua nga Fasi me origjinë andaluziane – përshkruhet si një nga transkriptueset e shquara të teksteve të ndryshme. Dijetari Ahmed Bin El Kadi El Miknesi (vd. 1025 hixhri/ 1616 e.r.) ka përmendur biografinë e saj në Xhidhuetu El Iktibas Fi Dhikri Men Hale Min El Alam Medinet Fas, dhe është shprehur se “ajo ishte një shkrimtare e mirë, poete, hafize e Kuranit dhe me aftësi të mëdha në kaligrafi”.
Në Irak në lindje, Ebu El Ala’ El-Me’arri (vd. 449 hixhri/1058 e.r.) ka përmendur – në Risalet El Gufran – shërbëtoren “Teufik El Sauda’, e cila shërbente në Shtëpinë e Dijes në Bagdad” gjatë gjatë periudhës së dinastisë Bujide, ku një nga detyrat e saj ishte të ndihmonte letërpunuesit duke u sjellë “libra për shkruesit”. Ndoshta edhe ajo vetë merrte pjesë në kopjimin e librave.
Në vitin 1347 hixhri/1928 të erës sonë, shkrimtari dhe autori irakian Abdulatif Çelebi (vd. 1365 hixhri/1945 e.r.) ka përmendur se ai ka parë në xhaminë Haider Khana në Bagdad një kopje të fjalorit El Sihah të Ebu Nasr El Xheuheri (vd. 393 hixhri/1004 e.r.) të transkriptuar nga një grua e quajtur Merjem Bint Abdulkadir ( ka jetuar në shek. VI hixhri/ XI e.r.). Në fund ajo ka shkruar një frazë prekëse, ku thotë: “I lutem atij që mund të gjejë ndonjë gabim, të më falë pakujdesinë. Sepse, teksa shkruaja me të djathtën, tundja djepin e djalit tim në dorën e majtë”.
Dhe historiani El Safedi ka transmetuar – në El Uafi Bi El Uafijat – se Ebu El Abbas Ibn El Hutaj’a El Fasi (vd. 560 hixhri/1165 e.r.) “ka transkriptuar shumë libra në këmbim të vlerave monetare [në Egjipt]… Dhe i mësoi gruas e vajzës së tij të shkruanin. Edhe ato shkruanin në të njëjtën mënyrë si ai. Kështu, nëse do të transkriptonin një libër, secili prej tyre merrte një pjesë dhe e shkruante atë. Përveç profesionistëve, askush nuk mund të bënte dallimin midis shkrimit të tyre”.
Qytetet e mëdha të Islamit përfshinin lloje të ndryshme tregjesh të shpërndara sipas mallrave ose shërbimeve që ofroheshin. Pjesë e këtyre tregjeve ishin edhe ‘tregu i letërpunuesve’ ose ‘shitësit e letrës’ ose ‘shitësit e kartave’, ku çdo rajon kishte një emërtim të caktuar për këtë profesion.
Gjeografi dhe historiani El Jakubi (vd. 284 hixhri/897 e.r.) ka përmendur – në librin e tij El Buldan – se një periferi të Bagdadit të quajtur Rabad Ueddah, pastaj ka thënë se atje ka tregje “dhe në këtë kohë (= shek. III hixhri/shek. IX e.r.) shumicën e dyqaneve e përbëjnë letërpunuesit dhe ata që merren me libra. Atje ka më shumë se njëqind dyqane të letërpunuesve”.
El Dhehebi na tregon -në El Iber Fi Haber Min El Gubar– se më 26 sheval të vitit 740 hixhri/ 1339 të erës sonë “Në Damask ra një zjarr i madh… [Ai u përhap] deri te tregu i librave dhe tregu i letërpunuesve u dogj”. Më sipër përmendet se në anën lindore të Kordobës kishte me dhjetëra gra letërpunuese, të cilat me shumë mundësi punonin edhe në dyqane të caktuara për punimin e letrës.
Hebrenj dhe të krishterë
Dyqanet e letërpunimit nuk kufizoheshin me transkriptimin e librave të kulturës islame. Atyre u ishin shtuar edhe librat e përkthyer. Madje, rrethi letërpunuesve ishte zgjeruar për të përfshirë letërpunues nga të gjitha fetë, jo vetëm që të specializoheshin në transkriptimin dhe botimin e besimeve dhe feve të tyre, por që të transkriptonin me duart e tyre dhe të shisnin edhe librat e fesë islame.
Këtë fakt përmend edhe ngjarja e përmendur nga Imam El Bejhaki (vd. 458 hixhri/1067 e.r.) –në Delail El Nubueh- e cila tregon se një hebre i kulturuar që kishte shkrim të bukur, ishte bërë mysliman dhe historinë sesi e kishte pranuar Islamin ia kishte treguar kalifit Abasid El Me’mun (vd. 218 hixhri/ 833 e.r.) dhe i kishte thënë: “Nisa punën me Kuranin, bëra tre kopje të tij dhe bëra disa ndryshime në të. I dërgova kopjet te letërpunuesit, të cilët i shfletuan ato. Kur gjetën se kopjeve u ishin bërë ndryshimeve, i lanë dhe nuk i blenë ato. Kështu mësova se ky libër është i ruajtur prej Zotit. Prandaj dhe e pranova Islamin”.
Ne nuk kemi ndonjë të dhënë nëse kalifi ose letërpunuesit myslimanët shprehën ndonjë pakënaqësi që hebreu kishte shkruar Kuranin, pavarësisht nga historia e tij e famshme, të cilët e kishte treguar në Pallatin e Kalifatit Islam gjatë kulmit të fuqisë së tij. Madje, një dijetar i shquar i hadithit si El Bejhaki e ka përmendur atë –duke mbështetur vërtetësinë e saj- në kontekstin e vërtetimit të ruajtjes së Kuranit Famëlartë nga ndryshimet dhe shtrembërimet, edhe nëse transkriptuesi i tij të ishte jomysliman.
El Nedim -në El Fihrist– ka cituar filozofin e krishterë Jahja Bin Adij El Mantiki (vd. 364 hixhri/975 e.r.) se ka thënë “kam transkriptuar me duart e mija dy kopje të Tefsir El Taberi dhe ua kam dërguar mbretërve të territoreve përreth. Kam transkriptuar gjithashtu libra të panumërt të dijetarëve të akaidit”.
Midis letërpunuesve ka pasur edhe prej atyre që specializoheshin në transkriptimin e librave të vegjël, që mund të merreshin me vete gjatë udhëtimeve, që në gjuhën moderne njihen si libra xhepi, të cilët njiheshin si libra të vegjël ose kopje për udhëtim. Të tillë ishin letërpunuesi Ebu El Fadl Abdulkerim Bin Ahmed Bin Xhelik El Tegalubi El Xheshmi (vd. 640 hixhri/1242 e.r.), për të cilin historiani Kemaledin Bin El Shiar El Mosuli (vd. 654 hixhri/1256 e.r.) –në Kalaid El Xhuman- përmend se e kishte parë atë në Halep “duke transkriptuar libra të vegjël dhe të mesëm kundrejt pagesës… Kjo ishte mënyra sesi ai e fitonte jetesën”.
Gjithashtu ishte e përhapur edhe transkriptimi i Kuranit në përmasa të vogla. Një prej atyre që ishte specializuar në këtë drejtim ishte Ebu Hari El Kufi (vd. Pas 227 hixhri/842 e.r.), për të cilin El Nedim –në El Fihrist- na tregon se “ai i transkriptonte Kuranin në përmasa të vogla gjatë periudhës së El Mu’tasimit”. Ibn El Haxher (vd. 852 hixhri/1448 e.r.) shprehet –në El Durar El Kemineh- se Ismail El Zumukhul (vd. 788 hixhri/1386 e.r.) “ka transkriptuar shumë kopje të Kuranit në përmasa të vogla, dhe se shkrimi i tij ishte shumë i bukur dhe i dëshirueshëm”.
Pavarësisht sfidave që të impononte lodhja e punës me dorë, si ngadalësia dhe pengesat e ndryshme logjistike, letërpunuesit u shquan për larminë e prodhimit dhe numrin e madh të ‘ribotimeve’, aq sa një libër i vetëm mund të qarkullonte në qindra kopje në të njëjtën kohë. Mjafton si shembull për këtë, që pavarësisht se libri El Fark Bejne El Nebi Ue El Mutenebi i El Xhahidh gjendej rrallë –në atë masë saqë bëheshin thirrje gjatë sezonit haxhit për ata që mund ta kishin-, Jakut El Hamaui (vd. 626 hixhri/ 1229 e.r.) rreth tij në librin Mu’xhem El Udeba thotë: “Unë kam parë rreth njëqind kopje ose më shumë të tij”. Gjithashtu, ka pasur prej dijetarëve që “në bibliotekat e tyre vetëm të Sahih El Buhari kishin njëmijë kopje”.
Konkurrencë tregtare
Letërpunuesit shkuan përtej sferës së prodhimit shkencor dhe letrar realist, duke prodhuar libra letrarë trill, qofshin ato për qëllime edukative që synonin fëmijët ose për sigurimin e materialeve argëtuese për të mbushur kohën e lirë. Prandaj kishte edhe shkrimtarë të profesionistë për krijimtarinë e tregimeve dhe romaneve, përveç përmbledhjeve poetike të përhapura në masë, si dhe të gjithë “librat letrarë të kërkuar”, sipas shprehjes së një prej letërpunuesve të mëdhenj, të cilën El Khatib El Bagdadi e ka cituar në Tarih El Bagdad.
El Nedim përmend –në El Fihrist- se “fabulat dhe historitë e trilluara ishin të parapëlqyera në periudhën e kalifëve të Dinastisë Abaside, veçanërisht në periudhën e El Muktedir (vd. 320/922 e.s). prandaj dhe letërpunuesit kanë shkruar trille të shumta. Një prej tyre ka qenë edhe një person që njihej me emrin Ibn Delan… Një tjetër njihej me emrin Ibn El Atar, i cili njerëz që i shkonin nga pas. Kemi përmendur më parë… ata që shkruanin histori të trilluara dhe fabula, personazhet e të cilave ishin kafshë etj”.
Në këtë veprimtari të tyre madhështore, transkriptuesit konkurronin njëri-tjetrin në shpejtësinë e shkrimit dhe aftësinë e kopjimit të kompozimeve të mëdha. Ibn Abdulmalik El Marakeshi (vd. 703 hixhri/1303 e.r.) na paraqet –në El Dhejl Ue El Tekmileh- vlerësimet e letërpunuesve lidhur me përmasat e librave. Ai thotë se libri me përmasë të vogël është në përmasat e Diuan El Mutenebi (rreth 5350 vargje), libri me përmasë të mesme është sa madhësia e Diuan Ebu Tamam (rreth 7300 vargje), ndërsa libri me përmasa të shumë të mëdha përfshin 15 mijë vargje ose më shumë. Ndoshta, ka pasur edhe një lloj libri me përmasa të mëdha midis librave me përmasa të mesme dhe atyre shumë të mëdha.
Gjithashtu, një ndër treguesit që pasqyrojnë konkurrencën midis letërpunuesve ishte krenaria që ata shprehnin për arritjet e tyre në këtë drejtim. Ebu El Fadl Muhamed Bin Tahir El Makdisi El Dhahiri (vd. 507 hixhri/1113 e.r.) thoshte: “E kam transkriptuar Sahih El Buhari, Muslim dhe Ibn Daud shtatë herë. Ndërsa Sunen Ibn Maxheh e kam transkriptuar dhjetë herë”. Kurse El Nedim ka përmendur se filozofi i krishterë që u përmend më sipër Ebu Zekeria Jahja Bin Adij “gjatë një ditë-nate mund të shkruante njëqind fletë”.
Ebu Ali Bin Shihab El Akburi (vd. 428 hixhri/1038 e.r.) mburrej përpara letërpunuesve që ndodheshin në kuvendin e tij se ai mund të transkriptonte “Diuan El Mutenebi për tre netë”, duke iu referuar të ardhurave të bollshme që ai merrte nga kjo punë, duke thënë: “Kam fituar prej transkriptimit njëzetë e pesë mijë dërhem (=30 mijë dollar amerikanë afërsisht)”, ashtu siç përmendet në Tarih El Bagdad me autor El Khatib El Bagdadin.
El Safedi ka transmetuar – në El Uafi Bi El Uafijat – nga El Hadith Ebu Bekr Muhamed Bin Ahmed (vd. 489 hixhri/1096 e.r.), i njohur si Ibn El Khadibeh El Uarak, se ka thënë që ai “ka shkruar Sahih Muslim në vitin 466 hixhri/1074 e.r. shtatë herë”.
Ibn Abdulmalik El Marakeshi –në El Dhejl Ue El Tekmileh- ka përpiluar biografinë e dijetarit të hadithi El Kadi El Uarak Ismail Bin Muhamed Bin Ismail Bin Ebu El Feuaris El Kurtubi (vd. 357/968 e.r.), duke thënë se ai “ai ka qenë kaligraf i afirmuar i Kuranit dhe përmend se ai e shkruante Kuranin për rreth dy javë”.
El Marakeshi na bën gjithashtu me dije se poeti Jusuf Bin Jahja Bin El Haxhaxh El Mehri, i njohur si Ibn El Xhinan (vd. Pas 686 hixhri/1287 e.r.) “ishte një nga njerëzit që mund të shkruante më shpjetë në vazhdimësi… Janë të paktë librat e njohur që të mos jenë transkriptuar prej tij”, se në rininë e tij “ai shkruante njëzetë fletë nga fletët e mëdha –numri i rreshtave të çdo flete ishte njëzetë e shtatë rreshta- çdo ditë”, dhe se ai ka transkriptuar “më shumë se njëqind vëllime në një kohë jo shumë të gjatë”.
Historiani Ibn Fadlullah El Muhibi El Hamaui (vd. 1111 hixhri/1699 e.r.) thotë – në Khulasat El Ether– se Burhanedin El Lakani El Maliki (vd. 1041 hixhri/1631 e.r.) “ka shkruar tekste të dobishme, të cilat i kanë nxitur njerëzit të donin t’i shkruanin dhe t’i lexonin ata”. Më pas shton se njëherë “ai u ul për të shpjeguar “poemën e tij mbi besimin që ai e ka quante Xheuherat El Teuhid… Prej saj u shkruan pesëqind kopje në një ditë të vetme”.
Libri mund të ndahej – veçanërisht nëse ishte shumë i madh – midis disa letërpunuese në mënyrë që të përshpejtohej përfundimi i tij, siç ndodhi kur Ibn Ebu Shejbe (vd. 235 hixhri/849 e.r.) punësoi dhjetë transkriptues për të kopjuar librin e tij madhështor El Musanef. Libri Tarih Dimeshk (ishte 80 vëllime) i El Hafidh Ibn Asakir (vd. 571 hixhri/1175 e.r.) iu shpërnda dhjetë transkriptuesve, të cilët e përfunduan transkriptimin e tij për dy vjet, kohë që konsiderohet si “e arsyeshme sipas standardeve të transkriptuesve”, siç pohon edhe orientalisti gjerman Franz Rosenthal (vd. 1424 hixhri/2003 e.r.). Është përmendur edhe më sipër se Ibn El Hutaj’a El Fasi e ndante punën e kopjimit të një libri të vetëm me gruan dhe vajzën e tij.
Forume kulturore
Është i njohur fakti se transkriptuesit kanë pasur ndryshime në cilësinë dhe formën e shkrimit. Shpesh transkriptuesit janë përshkruar si ‘me shkrim të mirë’, ‘me shkrim të keq’, ‘me shkrim të veçantë, të organizuar dhe të përsosur’, ose se ata shkruanin ‘me shkrim të rregullt’, domethënë me shkrim gjeometrikisht proporcional, rregullat e së cilës janë përcaktuar nga shejhu i kaligrafëve, Ibn El Beuab El Bagdadi (vd. 413 hixhri/1023 e.r.). Për shembull, Ibn Haxheri ka thënë se Ismail El Zumukhal, i përmendur edhe më lart, “shkrimi i tij është shumë i bukur dhe i dëshirueshëm”.
Gjatë punës së tyre të përpiktë, transkriptuesit – sidomos ata që nuk ishin dijetarë midis tyre – shpesh kanë bërë gabime të mëdha gjatë transkriptimit të teksteve, duke fshirë, shtuar, shtrembëruar, korrigjuar ose atribuuar librin një personi tjetër dhe jo autorit të tij të vërtetë, dhe gabime të tjera që transkriptuesit kanë bërë, prej të cilave kanë vuajtur studiuesit e sprovuar të librave të trashëgimisë në kohën tonë. Kjo është arsyeja pse dijetarët në të kaluarën kanë shkruar libra mbi historitë e transkriptuesve dhe shpjegimin e keqinterpretimeve dhe korrigjimeve të dorëshkrimeve, gjatë procesit të transkriptimit.
El Xhahidh ka shprehur pakënaqësinë e tij – në librin e tij El Hajauan – se libri “ka gabime për shkak se është përgatitur nga disa duar transkriptuesish… Ndoshta autori i librit ka dashur të rregullonte një korrigjim ose një fjalë të pa shkruar drejt. Por shkrimi i dhjetë fletëve me kuptim të plotë është më e lehtë sesa të rregullohet një mangësi e mundshme”.
Studiuesit kanë folur për seriozitetin e këtij fenomeni, për shtrembërimet që ai sjell në mjetet më të rëndësishme të dijes dhe për cenimin e integritetit shkencor. Taxhedin El Subki (vd. 771 hixhri/1369 e.r.) në librin e tij Mufid El Ni’am Ue Mubid El Nikam ka thënë: “Ndër transkriptuesit ka edhe prej atyre që nuk i frikësohen Zotit të Madhërishëm dhe shkruan me nxitim, duke fshirë gjatë shkrimit disa pjesë nga libri, me dëshirën për ta përfunduar atë, nëse është punësuar për ta transkriptuar atë tërësisht. Një njeri i tillë është tradhtar përpara Zotit të Lartësuar, për shkak të humbjes së diturisë”.
Dyqanet dhe tregjet e letërpunuesve nuk ishin vetëm një zonë për prodhimin dhe botimin e librave. Përkundrazi, ato u bënë shpejt forume, në të cilat takoheshin njerëzit e shkencës, kulturës dhe letërsisë. Atje organizoheshin kuvende për të parashtruar trajtesa intelektuale, duke u endur në shtigjet e dijes dhe duke u zhytur në artet e dijes, me shkëmbime idesh, diskutime, kritika etj.
El Xhahidh vë në dukje – në Kitab El Bigal nga koleksioni i tij të studimeve – popullaritetin e produkteve të shkruar, cilido qofshin ato, në tregjet e letërpunuesve. Madje, të gjithë ata që “kishin shkruar diçka së fundmi… më pas e kopjonin atë dhe e linin te letërpunuesit, në mënyrë që të kishte kishte mundësi të shpërndahej midis njerëzve. El Teuhidi na tregon – në El Imta’ Ue El Mueneseh – se sekti “Vëllazëria e Pastërtisë”, kur donin të shpërndanin mesazhet e filozofisë së tyre dhe t’ia parashtronin ato opinionit publik, “i shpërndanë ato mes letërpunuesve”.
Xhemaledin Bin Jusuf Ibn El Xheuzi (nipi i Imam Ibn El Xheuzit, vd. 656 hixhri/1258 e.r.) citon – në librin e tij Manakib Bagdad – imamin e hanbelinjve në kohën e tij, Ebu El Uefa Ibn Akil (vd. 513 hixhri/1119 e.r.) duke përshkruar lagjen e tij në Bagdad, e cila quhej Bab El Tak. Ai thotë se vetëm në lagjen e tij kishte “një treg të madh letërpunuesish, i cili gjithashtu ishte një vend kuvendimi për dijetarët dhe poetët”.
Dhe Jakut El Hamaui tregon – në Mu’xhem El Udeba – rreth e poetit të famshëm Ebu Bekr El Sanubri (vd. 334 hixhri/ 945 e.r.) se “në Ruha (= qyteti i Urfas, i vendosur sot në Turqinë jugore) gjendej në letërpunues që quhej Said. Dyqani i tij ishte kuvendi i çdo letrari… Dhe sapo ne e linim dyqanin e tij… dhe atje shkonin poetë të tjerë të vendeve të Levantit dhe Egjiptit”. El Makrizi (vd. 845 hixhri/1441 e.r.) – në El Meuaidh Ue El Ia’tibar – ka renditur një nga pikat historike të Kajros një treg librash të letërpunuesve. Dhe më pas ka thënë për të: “Dhe ky treg vazhdon që të jetë një vend tubimi për dijetarët që e frekuentojnë atë”.
Këto dyqane frekuentoheshin nga figura të mëdha – librat e historisë kanë përjetësuar ngjarje që tregojnë për vizitat e tyre në to – si: El Asma’i (vd. 216 hixhri/831 e.r.), Ebu Nuas (vd. 198 hixhri/814 e.r.), Ebu El Aina (vd. 283 hixhri/896 e.r.), Ebu Hafan dhe El Xhahidh, Ebu El Tajib El Mutenebi (vd. 354 hixhri/965 e.r.), Ebu El Feraxh El Isfahani (vd. 356 hixhri/ 965 e.r.), Ebu Said El Sirafi dhe El Nedim, autor i El Fahrist, El Teuhidi, Ibn Sina (vd. 428 hixhri/1037 e.r.), Ebu El Ala’ El-Me’arri, Jakut El Musili (vd. 618 hixhri/1221 e.r.), Jakut El Hamaui (vd. 626 hixhri/1229 e.r.) dhe Jakut El Musta’simi (vd. 698 hixhri/ 1299 e.r.), dhe ndër dijetarët e fikhut dhe hadithit, El Zerkeshi. (vd. 794 hixhri/1392 e.r.), Ibn Arafa El Uergami El Tunisi (vd. 803 hixhri/1400 e.r.) dhe El Hafidh Ibn Haxher El Askalani.
Pa dyshim, lista e figurave të shquara të letërpunuesve të përmendur në librat e historisë dhe biografive është e vështirë për t’u numëruar dhe ajo që historia ka lënë pa i përmendur është shumë më shumë se kaq. Disa prej tyre kanë punuar si letërpunues në një moment të caktuar të jetës së tyre, siç pamë El Sirafin, El Nedimin, El Teuhidin, dy Jakutët, El Hamaui dhe El Musili, si dhe El Musta’simi.
Letërpunimi dhe ligji
Në letërpunuesit merreshin me lloje të ndryshme librash, shkrimeve dhe dokumentesh, ku shumica e tyre nuk kujdeseshin për përmbajtjen e asaj që do të transkriptonin. Këtu, El Nadim ka regjistruar për ne titujt e rreth 110 librave dhe biografive që janë shkruar, duke përfshirë tregime që trajtonin dashurinë midis njerëzve dhe xhindeve. Prandaj, shpeshherë dijetarët e fikhut u bënin thirrje autoriteteve që t’i pengonin letërpunuesit që të qarkullonin dhe të botonin libra të caktuar midis njerëzve.
El Taberi (vd. 310 hixhri/ 922 e.r.) ka përmendur – në librin e tij të historisë ngjarjet e vitit 279 hixhri/ 892 e.r. gjatë periudhës së kalifit abasid El Mu’temid – se “sulltani kishte urdhëruar… [që] letërpunuesit të betoheshin që të mos shisnin libra rreth teologjisë islame, me natyrë polemike dhe filozofie”.
Taxhedin El Subki – në Mufid El Ni’am – ka përmbledhur detyrimet ligjore të letërpunuesit në angazhimin e tij për të “mos shkruar asnjë nga librat e të devijuarve, si pasojë e rënies prej të risive në çështjet fetare dhe ata që kanë rënë pre e dëshirave të tyre të kota, si dhe të mos shkruajë libra që nuk kanë dobi, si biografia e Antaras, dhe tema të tjera të ndryshme që janë humbje kohe pa sjellë ndonjë interes për çështjet e fesë, po ashtu edhe librat që nxisin shthurjen… Pra, transkriptuesi nuk duhet ta shesë fenë e tij për këtë botë”.
Dyqanet e letërpunuesve nuk kufizoheshin vetëm me transkriptimin e librave dhe dokumenteve. Përkundrazi, kuadri i tyre i veprimit u zgjerua për të përfshirë të gjitha shërbimet që lidheshin me librat, duke përfshirë industrinë e letrës, e cila numëronte 104 fabrika vetëm në Fas gjatë periudhës së Dinastisë Moravide, dhe i tejkaloi katërqind fabrikat gjatë sundimit të pasardhësve të tyre Mohad. Gjithashtu, edhe kaligrafia, libërlidhja (e quajtur ‘tesfir’ në Andaluzi dhe Marok) dhe dekorimi (prarim ose zbukurim), ishin arte që arritën një nivel mjeshtërie, duke u kthyer në disa nga artet më të bukura njerëzore.
El Nedim ka ruajtur për ne emrat e shtatë prej libralidhësve të hershëm të shquar. Sipas tij, më i njohuri midis tyre ka qenë “Ibn Ebu El Harish (vd. pas 218 hixhri/ 833 e.r.) [i cili] kryente procesin e lidhjes së librave në bibliotekën Depoja e Urtësisë të kalifit El Me’mun” në Bagdad.
Në mesin e atyre që praktikonin profesionin e letërpunuesit, libërlidhjen dhe ornamentimin ishte edhe imami i malikinjve në vendin e tij, kadiu i kadinjve, Ebu Bekr Ibn Asim El Garnati (vd. 829 hixhri/1426 e.r.). Ai ishte i njohur për “mjeshtërinë e tij në kaligrafi, përsosmërinë e vizatimit dhe zotërimin degëzimeve praktike [të letërpunimit] si libërlidhja, prarimi etj.”, sipas dijetarit Ahmed Baba El Tenbakti (vd. 1036 hixhri/ 1626 e.r.) në Nejl El Ibtihaxh Bi Tatriz El Dibazh.
Me lulëzimin e letërpunimit, u zhvillua edhe prodhimi i penave dhe bojës, si dhe proceset kimike lidhur me përgatitjen e bojërave me ngjyra të ndryshme. Ata e zotëruan këtë fushë në atë nivel sa arritën të prodhonin një bojë që mund të lexohej natën, por jo ditën. Madje, El Safedi na tregon se “disa marokenë i kishin shkruar mbretit El Kamil El Ejubidi (vd. 635 hixhri/ 1237 e.r.) diçka në një letër të bardhë, që nëse lexohej në dritën e llambës, dukej sikur ishte në ngjyrë argjendi, nëse lexohej nën dritën e diellit dukej sikur ishte e artë dhe nëse lexohej në hije dukej sikur ishte shkruar me bojë të zezë”.
Fillimi i fundit
Në nivel organizativ, ishte e nevojshme që profesioni i letërpunimit – si të gjitha zejet dhe industritë – të dokumentonte normat e tij rregullatore dhe të regjistronte përvojat e tij të grumbulluara me kohë. Kështu, për drejtimin e këtij profesioni do të themelohej një sindikatë profesionale e njohur si ‘Meshejkhat El Uarakin’. Një prej drejtuesve të këtij institucioni ishte Abdurrahman Bin Ahmed El Hamidi, i cili konsiderohej si Shejhu i Letërpunuesve të Egjiptit në fund të shek. X hixhri/shek. XVI e.r.
Penat e ekspertëve të hershëm të letërpunimit na kanë siguruar një sërë librash udhëzues mbi traditat e prodhimit të librave, të cilët janë korrigjuar duke u rishikuar, janë ruajtur nëpërmjet libërlidhjes dhe restaurimit dhe janë dekoruar me prarime dhe ornamente. Por shumë prej tyre nuk kanë arritur tek ne, përveç titullit të tyre, duke përfshirë: dy studime të El Xhahidh mbi lavdërimin dhe kritikën e letërpunuesve; Risalet El Uarakah i Ebu Zaid El Belkhi (vd. 322 hixhri/ 934 e.r.) dhe libri Tanuik El Nitaka Fi Ilm El Uirakah i Abdurrahman Bin Misk El Sekhaui (vd. 1025 hixhri/ 1616 e.r.).
Sa i përket librave, tekstet e të cilëve kemi marrë deri në ditët e sotme, ato janë të pakta, ku ndër më të njohurit e tyre janë: Kitabet El Tejsir Fi Sina’at El Tesfir i Ebu Amr Bekr Bin Ibrahim El Ishbili (vd. 629 hixhri/1232), dhe poema Tedbir El Sefir Fi Sina’at El Tesfer e Ibn Ebu Hamide (vd. pas 737 hixhri/ 1336 e.r.).
Dhe pas këtij rrugëtimi të begatë, ishte e nevojshme që karvani i letërpunuesve të vendoste për të ndaluar. Dhe nuk i takonte të gjente një kohë më të përshtatshme për të filluar numërimin mbrapsht deri në ndalimin e tij të detyruar nga “momenti i Gutenbergut”, në përgatitje për ndërprerjen përfundimtare të rrugëtimit të tij pas dy shekujsh e gjysmë nga ai moment.
Shtatë dekada pas shpikjes së shtypshkronjës, kjo e fundit trokiti në derën e gjuhës arabe, për të në botën e saj me librin e krishterë Salat El-Saua’i, i cili u bë libri i parë që u shtyp në gjuhën arabe në vitin 919 hixhri/1514 e.r.
Me përfundimin e mijëvjeçarit, sipas kalendarit hënor, në vitin 1000 hixhri/ 1592 e.r., u shfaqën librat e parë të trashëgimisë arabo-islame të shtypura së pari në Evropë: El Kefijeh i Ibn El Haxhib El Maliki (vd. 646 hixhri/ 1248 e.r.), El Exhumijeh i Ibn Exhrum El Sinhaxhi (vd. 723 hixhri/ 1323 e.r.) dhe Nuz-het El Mushtak i gjeografit El Idrisi (vd. 560 hixhri/ 1165 e.r.).
Më pas, libri i parë nga kjo trashëgimi arabe që u botua në botën islame ishte përkthimi në turqisht i El Sihah i Ebu Nasr El Xheuheri (vd. 393 hixhri/ 1004 e.r.), i cili u shtyp në vitin 1142 hixhri/ 1729 e.r. në Stamboll me shtypshkronjën e parë që kishte hyrë në vendet islame.
Autori: Muhamed Mukhtar Ould Ahmed
Burimi: El Xhazira, Trashëgimi