Hulumtime MINBER

Përse gjërat e këqija më ndodhin gjithmonë mua?

Home » Përse gjërat e këqija më ndodhin gjithmonë mua?

Pse gjërat e këqija më ndodhin gjithmonë mua? Shtrembërimi konjitiv: Filtrimi 

Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet tona me të njëjtën mënyrë të të menduarit me të cilën i kemi krijuar ato. -Albert Einstein 

Muadhi është një burrë 52-vjeçar i cili është shumë i respektuar në komunitetin e tij musliman. Parë nga jashtë, atij duket se po i shkojnë punët vaj: ka një punë prestigjioze në kompaninë Fortune 500, zotëron një shtëpi të mirë dhe një makinë të bukur sportive. Megjithatë, muret brenda shtëpisë së tij tregojnë një histori tjetër. Muadhi aktualisht është divorcuar nga gruaja e tij e tretë dhe fëmijët e tij kanë probleme me sjelljen, si në shtëpi, ashtu edhe në shkollë. Kur Muadhi u martua herën e tretë, ai mendoi se këtë herë do të ishte ndryshe, por vazhduan të njëjtat modele marrëdhëniesh si më parë: grindje të vazhdueshme, debate të mëdha për gjëra të parëndësishme dhe të ndjerit krejtësisht i vetëm. “Si mund të më ndodhë përsëri kjo?” dhe “Pse gjërat e këqija më ndodhin vetëm mua?” ishin pyetjet që Muadhi ia bënte shpesh vetes. Ai nuk mund të mos e merrte personalisht këtë divorc të fundit pasi vetë ai ishte emëruesi i përbashkët i të gjitha marrëdhënieve të tij të dështuara. Muadhi po e ndjente se vetëvlerësimi i tij ishte i ulët dhe e kishte të vështirë të shihte gjërat pozitive të jetës së tij, përpos marrëdhënieve të dështuara. Muadhi e dinte se ishte një njeri i mirë, por ishte i bindur se diçka nuk shkonte me të, sepse vazhdonte të përfshihej vazhdimisht në marrëdhënie të këqija. 

Çfarë po ndodh me mua? 

Të ndihesh vazhdimisht i bllokuar brenda kufijve të të njëjtit problem është diçka rraskapitëse dhe dërrmuese. Pavarësisht nëse çështja është konflikti i pafund me një anëtar të familjes, ndjenjat e përsëritura të humbjes ose diçka që ju pengon të jetoni jetën që keni parashikuar, është emocionalisht rraskapitëse të përballesh me të njëjtin problem çdo ditë, ndonjëherë vit pas viti. Një vështirësi që vazhdon të rishfaqet, ndonjëherë nën maska të ndryshme, mund t’ju bëjë të ndiheni sikur po ngjisni një gur të madh mbi kodër; ju shpenzoni kaq shumë energji duke u përpjekur të përparoni vetëm për t’u përballur me më shumë rezistencë. 

Me kalimin e kohës mund të mendoni: 

“Duhet të ketë diçka që nuk shkon me mua”. 

“Si mund t’i ndodhin kaq shumë gjëra të këqija një personi?” 

“Pse më ndodhin vazhdimisht gjëra të këqija?” 

Ose mund të merrni një qasje të ndryshme dhe të mendoni: 

“Si mund të jetë bota një vend kaq i keq?” 

“Ka kaq shumë njerëz të këqij në botë”. 

“Pse merren të gjithë me mua?”

Pavarësisht se si e interpretoni përvojën tuaj, kur je duke vuajtur, bëhet gjithnjë e më e vështirë për të parë të mirën brenda diçkaje apo dikujt. Sa më shumë gjëra negative të përjetoni, aq më negative duket bota. Sa më keq t’ju trajtojnë njerëzit, aq më keq ndiheni për veten tuaj. Dhe sa më të vështira të jenë sprovat tuaja, aq më e pamundur është të ndryshoni.

Të kuptuarit e mendimeve dhe emocioneve tuaja 

Fenomeni i Filtrimit

Kur gjëra të pafavorshme ndodhin njëra pas tjetrës ose në mënyrë të përsëritur, është e lehtë të dekurajoheni dhe të filloni ta shikoni botën përmes një lenteje ose filtri pesimist. Filtrimi është një shtrembërim konjitiv, ose mënyrë jo e shëndetshme e të menduarit, që transformon mënyrën sesi një person e sheh botën dhe bën që gjithçka të perceptohet nga një paragjykim negativ. Eksperiencat e jetës kalojnë nëpër një sitë që ruan të mirat dhe vetëm ajo që është e keqe del jashtë dhe tërheq vëmendjen. Shembujt e zakonshëm të përditshëm përfshijnë: 

Të zemërohesh me fëmijën tuaj kur ai ose ajo përgjithësisht merr nota të mira, por rrëshqet dhe merr një notë të dobët. 

Të mërzitesh me një mik, i cili në përgjithësi është i besueshëm dhe i sjellshëm, kur ai bën një gabim. 

Kur një person ka një të shkuar traumatike, një filtër i brendshëm mund të jetë edhe më i dhimbshëm se sa është për një person mesatar. Ngjarjet traumatike lënë mbresa më të mëdha në mendje dhe në trup dhe prehen në shpirt në një mënyrë më të thellë. Disa nga këta shembuj përfshijnë: 

Një person në përgjithësi mund të ketë marrëdhënie të mira, por pas një përdhunimi fillon të ketë frikë që shumica e njerëzve do ta lëndojnë, sepse rreziku duket se është i pranishëm kudo. 

Dikush që është sulmuar fizikisht për shkak të fesë së tij mund të fillojë të mendojë se të gjitha ndërveprimet negative me të tjerët kanë të bëjnë me besimin e tyre, megjithëse shumica e përvojave në jetën e tyre të përditshme janë neutrale ose pozitive. 

Paragjykimet konjitive

Me kalimin e kohës, mendimet e filtruara zhvillohen në korniza më të ndërlikuara, të cilat ndikojnë në mënyrën se si përjetohet mjedisi i përgjithshëm. Ekziston një filtër që bllokon stimujt pozitivë dhe lejon që vetëm ato negative të kalojnë. Ky filtër, së bashku me temperamentin, përvojat dhe rrethanat individuale të çdo personi çojnë në zhvillimin e paragjykimeve. Paragjykimet janë modele të të menduarit që formohen gjatë një periudhe kohore dhe ndikojnë në mënyrën se si shihet bota. Disa nga këto paragjykime përfshijnë: 

Dështimi është i pashmangshëm pavarësisht punës së palodhur ose përpjekjes—prandaj, nuk ka kuptim të provosh. 

Njerëzit janë egoistë dhe nuk duhet të humbisni asnjëherë vigjilencën sepse njerëzit do t’ju lëndojnë.

Njerëzit nuk janë të besueshëm, kështu që nuk mund të mbështetesh tek familja dhe miqtë për asgjë. 

Durimi është mjeti më i mirë, madje edhe nëse të tjerët ju lëndojnë ose abuzojnë me ju. 

Kur më shumë se një person ju lëndon, kjo ndodh sepse ka diçka që nuk shkon me ju dhe jo me ata.

Është më mirë të jesh me njerëz që të lëndojnë sesa të jesh vetëm. 

Me t’u vendosur filtrat dhe paragjykimet, është shumë e vështirë të çlirohesh nga ato modele mendimi. Këto paragjykime konjitive dhe emocionale janë si syze me ngjyra, të cilat mund të ndikojnë në mënyrën se si ne shohim gjithçka që shpaloset në jetën tonë, duke ndikuar përfundimisht në vendimmarrjet tona. Përpara se të shqyrtojmë se si paragjykimet ndikojnë në vendimmarrjen tonë, le të diskutojmë fillimisht pse ose si njerëzit formojnë filtra dhe paragjykime. 

Kontribuesit në zhvillimin e filtrave dhe paragjykimeve 

Pesimizmi i mësuar 

Zhgënjimi është i pakëndshëm dhe ndonjëherë shumë i dhimbshëm. Kur një person zhgënjehet shpesh, qoftë përmes ngjarjeve apo njerëzve në jetën e tij, gjëja e shëndetshme për të bërë është të ndryshohen pritshmëritë, të provohet diçka e re ose ta shihet situata ndryshe. Një opsion tjetër është të ndalosh së prituri që të ndodhin vetëm gjëra të mira – kjo parandalon zhgënjimin e ardhshëm pasi tashmë personi, kryeherazi, nuk shpreson se do të ndodhin njeriu nuk shpreson që gjërat e mira të ndodhin. Logjika është: Nëse nuk pres që të më ndodhin gjëra të mira, atëherë nuk do të jem i zhgënjyer kur nuk ia dal mbanë ose kur gjërat e mira nuk më ndodhin. Kjo mënyrë e pashëndetshme dhe e papërshtatshme e shikimit të botës është zhvilluar fillimisht për të mbrojtur veten; megjithatë, në plan afatgjatë ajo bën shumë më tepër dëm sesa dobi. Me kalimin e kohës, kjo mënyrë e të menduarit ndërton pesimizëm të rrënjosur thellë dhe një mënyrë shumë reaktive (në vend të një mënyre proaktive) për të adresuar shqetësimet. 

Invalidimi i fëmijërisë 

Prindërit, mësuesit dhe kujdestarët luajnë një rol të madh në mënyrën se si ne e shohim botën dhe ndërveprojmë me të. Kur bazoheni në modele pesimiste ose që kanë mënyra jo të shëndetshme për t’i parë gjërat, ne jemi të prirur të përvetësojmë të njëjtat mënyra të të menduarit. Le të marrim një shembull shumë të zakonshëm; atë të përpjekjes për nota të mira. Imagjinoni një fëmijë që ka punuar shumë gjatë gjithë tremujorit për të marrë nota të mira. Ky fëmijë bëri detyrat e shtëpisë, u përpoq më së miri në klasë dhe priste me padurim që raporti të vinte në shtëpi për t’ua treguar prindërve. Ky fëmijë rezultoi i suksesshëm duke ia dalë të bëhej pjesë e listës së nderit, me të gjitha notat 10-a dhe një 9. Ai është i emocionuar dhe i kënaqur me rezultatet e punës së tij të palodhur, por kur i tregon kartën e raportit prindit, gjëja e parë që prindi thotë është, “Përse ke marrë notën 9?” Ky reagim i papritur ul në çast krenarinë e fëmijës për punën e tij të palodhur gjatë javëve, brenda pa sekondave. Ky reagim jo vetëm që i mëson një fëmije të përqendrohet tek mangësitë dhe gjërat negative, por ai gjithashtu e shtyn fëmijën të besojë se përpjekjet, ndjenjat dhe mendimet e tij nuk kanë kurrfarë vlere. Kur një fëmijë mendon ose ndjen diçka (jo vetëm për shkollën, por për çdo përvojë jetësore), të cilën prindi e cilëson të gabuar, kjo krijon vetëbesim, ankth dhe mungesë sigurie.

Gjenetika 

Një studim i kryer nga Todd et al. në vitin 2013 sugjeron se prirja për pesimizëm mund të jetë pjesërisht e bazuar në kodin gjenetik. Studiuesit po eksplorojnë mbi hipotezën që thotë se përbërja gjenetike e një personi mund t’i bëjë ata më të ndjeshëm ndaj perceptimit të gotës si gjysmë bosh. Nëse është kështu, atëherë individët me këtë gen mund të duhet të përpiqen pak më shumë se të tjerët për të parë gjërat me një këndvështrim më optimist.

Ndërlikimet e të pasurit një filtri negativ 

Sipas teorisë konjitive të sjelljes, mendimet ndikojnë në ndjenjat tona, të cilat nga ana tjetër ndikojnë në mënyrën se si ne sillemi, duke pasur përfundimisht ndikim të madh në filtra dhe paragjykimet tona të mundshme. Nëse një person ka një mënyrë të shtrembër të të menduarit për botën, qoftë përmes një filtri apo paragjykimi të veçantë, është e pashmangshme që të ndryshojnë edhe ndjenjat dhe sjellja të në lidhje me të. Nëse që kryeherazi besojmë se nuk do t’ia dalim mbanë, vetvetiu do të ndihemi sikur tashmë kemi dështuar dhe nuk do të përpiqemi të ndërmarrim hapat e duhur për t’u bërë të sukseshëm. Si pasojë, nuk do të kemi sukses. Kjo quhet profecia vetëpërmbushëse. 

Ekzistojnë dy lloje profecish vetëpërmbushëse: të vetë-imponuara dhe ato të imponuara nga të tjerët (të njohura edhe si efekti Pygmalion). Profecitë e vetë-imponuara vijnë për së brendshmi dhe mund të jenë për veten tonë ose për njerëzit e tjerë. Nëse një burrë mendon se të gjitha gratë janë të paarsyeshme, ai do të sillet në mënyra që do ta vërtetojnë këtë mendim nëpërmjet ndërveprimeve të tij me gratë; ai do t’u flasë grave në një mënyrë përçmuese dhe fyese dhe do t’i interpretojë përgjigjet e tyre si të paarsyeshme kur ato të mërziten, duke vërtetuar përfundimisht perceptimin e tij fillestar. Në mënyrë të ngjashme, nëse një grua mendon keq për veten, ajo do të ndërveprojë me të tjerët në një mënyrë të tillë që do t’i bëjë ata ta shohin atë me të njëjtin sy, duke përforcuar edhe më shumë vetëvlerësimin e saj të ulët (p.sh., ajo do të tregohet tepër kritike ndaj vetes kur flet me të tjerët). 

Efekti Pygmalion ndodh kur një person sillet në mënyra që plotësojnë pritshmëritë e të tjerëve prej tij. Në studimin e famshëm Rosenthal dhe Jacobson (1966), studiuesit i përshkruan disa studentë si “gati për të lulëzuar” dhe për të treguar potencialin e tyre. Pa dijeninë e mësuesve të tyre, studentët u etiketuan kësisoj në mënyrë të rastësishme dhe jo bazuar në aftësitë e tyre intelektuale. Studentët, për të cilët mësuesit besonin se ishin në prag të suksesit akademik, performuan në përputhje me këto pritshmëri, siç shihet nga rritjet e konsiderueshme në IQ-në e tyre në fund të studimit. Studentët që nuk u etiketuan si “gati për të lulëzuar” nuk kishin rritje të ngjashme të IQ-së. Hulumtimet e mëtejshme kanë mbështetur përfundimin se pritshmëritë e mësuesve mund të kenë një efekt thelbësor në performancën akademike të studentëve, njësoj siç fëmijët përpiqen të përmbushin pritshmëritë e atyre që i rrethojnë- në thelb, një profeci vetëpërmbushëse.

Fillimi i ndryshimit të një filtri ose paragjykimi 

Pasi të keni identifikuar një filtër negativ dhe paragjykime jo të shëndetshme, është e rëndësishme të hulumtoni se çfarë përgjigjesh të mësuara keni zhvilluar si rezultat i njohjeve tuaja. Nëse vini re se ekziston një model problemesh ose konfliktesh ndërpersonale, që do të thotë se i njëjti problem vazhdon të shfaqet në mënyra të ndryshme, është e rëndësishme që jo vetëm të reflektoni mbi paragjykimet që kontribuojnë në mendimet tuaja, por edhe mbi sjelljen tuaj të mësuar. Pse disa njerëz përfundojnë vazhdimisht në të njëjtën situatë? Pse disa gra vazhdojnë ta gjejnë veten në marrëdhënie abuzive? Pse disa burra vazhdojnë të humbasin pa pushim vendet e tyre të punës? Pse disa familje janë në vështirësi financiare njëra pas tjetrës? Shumicën e herëve këto situata nuk ndodhin rastësisht, por për shkak të një filtri negativ dhe modeleve të mësuara keqpërshtatëse të sjelljes. Le të shohim disa teori se përse ne, në mënyrë të nënndërgjegjeshme (jo plotësisht vetëdijshmërisht) ose të pavetëdijshme (plotësisht pavetëdijshmërisht) e gjejmë veten në të njëjtat vështirësi pa pushim.

Perspektiva Konjitive

Teoria konjitive sugjeron se individët bëjnë vazhdimisht të njëjtat gabime, për arsye se këto gabime janë përgjigje të fituara. Teoricienët besojnë se në trurin tonë ekziston një rrugë nervore që përforcohet nga zakoni. Një mënyrë e mirë për ta vizualizuar këtë është të imagjinoni një rrugë me baltë. Sa më shumë të udhëtoni në këtë rrugë, aq më të ngjarë ka që të vazhdoni të merrni të njëjtën rrugë e aq më pak gjasa ka të kaloni në një rrugë të shtruar me bar. Është shumë më e lehtë të shkelësh një shteg të mirënjohur sesa në një shteg të mbuluar me gurë dhe degë. 

Ekziston gjithashtu një shpjegim fiziologjik mbi parimin islam që thotë se sa më shumë të praktikoni diçka, aq më e lehtë ju bëhet ajo. Sa më shumë vepra të mira ose të këqija të bëni, aq më të lehta ju bëhen ato. Sa më shpesh të ngrihesh për tehexhud, aq më i lehtë ju bëhet ai, ashtu siç sa më shumë të shohësh pornografi, aq më lehtë bini pre e saj. Kjo ndodh për shkak se rrugët nervore përkatëse forcohen sa herë që një sjellje e caktuar përsëritet. Teoria konjitive gjithashtu sugjeron që gjërat e këqija vazhdojnë t’ju ndodhin, sepse keni ngecur brenda ciklit të të bërit të njëjtat gabime pambarimisht. Kjo nuk do të thotë që nuk jeni njeri i zgjuar apo i mirë, por që nuk dini ende si ta ndërprisni këtë cikël. 

Nëse jeni të mbyllur në një dhomë dhe mendoni se e vetmja mënyrë për të dalë është përmes derës, do të kaloni gjithë kohën tuaj duke u përpjekur të hapni bravën, kur ndoshta e vetmja mënyrë për të dalë është përmes tubit të ventilimit në tavan. Është e mundur që zgjidhja të gjendet jashtë kornizave të asaj me të cilën mund të jeni të kënaqur ose të cilën mendoni se ekziston. 

Shembull: 

Një adoleshent i vetmuar ndihet i pashpresë dhe fillon të përfshihet në sjellje të këndshme vetë-shkatërruese (pirja, jeta e natës dhe seksi i rastësishëm). Filtri i tij negativ e bën të ndiejë se nuk ka asgjë të mirë në jetën e tij dhe paragjykimi e bën të mendojë se mund të bëjë gjithçka që dëshiron, qoftë ajo e mirë apo e keqe. Teksa përfshihet në sjellje të rrezikshme, ai ndihet përkohësisht më i lehtësuar, megjithëse më vonë ndihet në mënyrë eksponenciale më keq nga pasojat e veprimeve të tij. Ai përvetëson idenë se është më mirë të ndihesh mirë për periudha të shkurtra kohore të ndjekura nga ndjesia e keqe, në vend që të ndiheni keq gjatë gjithë kohës. Me kalimin e kohës, ai ngec brenda një cikli vicioz dhe nuk ia ka më idenë si të ndihet mirë pa u përfshirë në sjellje vetëshkatërruese. Teoria kognitive e sjelljes sugjeron që individët mund të mësojnë mënyra të papërshtatshme për të përballuar problemet e tyre dhe me kalimin e kohës këto sjellje mund të bëhen të zakonshme. Sa më shumë që dikush të thellohet në modelin e të bërit të njëjtin gabim pambarimisht, aq më i vështirë do të jetë ndryshimi i sjelljes. 

Perspektiva Psikodinamike 

Teoria psikodinamike ofron një perspektivë ndryshe mbi arsyen se përse ne biem pre e të njëjtave modele, veçanërisht sa i përket marrëdhënieve. Sipas një teorie, individët vazhdojnë të bëjnë të njëjtat gabime, duke u përpjekur të shërojnë nevojat e paplotësuara që nga zhvillimi i hershëm i fëmijërisë. Një person do të vazhdojë ta vendosë veten në të njëjtin telash sepse, në mënyrë të nënndërgjegjshme ose të pandërgjegjshme, ai dëshiron të përdorë situatën aktuale si një mundësi për të zgjidhur atë që ka ndodhur në të kaluarën. Fatkeqësisht, duke qenë se personi nuk ka mësuar mënyra më të mira për t’u përballur me situatën, ai vazhdon të marrë të njëjtat vendime, duke shtuar edhe më shumë sfidat e pazgjidhura. 

Kjo perspektivë është e dobishme për ata që priren të hyjnë në të njëjtat lloje të marrëdhënieve toksike, por nuk e kuptojnë arsyen përse. 

Shembull: 

Një vajzë rritet në një familje ku babai abuzon me nënën e saj, gjë që e bën atë të ndihet e pasigurt dhe e pambrojtur. Ajo zhvillon paragjykime të tilla si: bota është një vend i pasigurt dhe ajo duhet të mbrohet domosdoshmërisht nga të tjerët për t’ia dalë mbanë. Kur rritet, ajo tërhiqet nga burra shumë të fortë dhe të guximshëm, sepse në këtë mënyrë ajo ia del të ndihet e sigurt. Kjo fillimisht e bën të ndihet mirë, por me kalimin e kohës kupton se ndonjëherë këta burra mund të jenë tepër kontrollues dhe të dhunshëm me të. Ajo zbulon se ata në fakt i ngjajnë shumë babait të saj, edhe pse kjo ishte pikërisht ajo që vajza po përpiqej të shmangte. 

Në raste të tilla, shpesh herë ekzistojnë dy forca kryesore që kontribuojnë në vendimmarrjen e individit. 

  1. Njerëzit tërhiqen nga ajo me të cilën janë mësuar, sepse ajo është më e njohur dhe komode për ta. Një person që rritet në një familje abuzive mund ta urrejë atë, por, si i rritur, ai mund ta gjejë veten brenda një të tille, sepse kjo është dinamika dhe trajtimi me të cilin janë mësuar. 
  2. Njerëzit kanë një nevojë të lindur për të zgjidhur konfliktet dhe, kur nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, krijojnë konflikte të ngjashme në të ardhmen për të zgjidhur çështjet e mëparshme. Këto konflikte nuk krijohen me qëllim, por në mënyrë të nëndërgjegjshme, për të ndihmuar në shërimin e plagëve të së kaluarës. 

Ndryshoni mendjen, trupin dhe zemrën tuaj 

Nëse mendoni se jeni magnet për gjërat e këqija që ju ndodhin, ka të ngjarë që po luftoni me kombinimin midis një filtri negativ dhe mënyrave jo të shëndetshme të fituara për t’u përshtatur me stresin në mjedisin që ju rrethon. Mos u shqetësoni: filtrat dhe paragjykimet nuk janë të përhershme, përveçse nëse ju dëshironi që të jenë të tilla. Gjëja e mirë e të mësuarit teori të ndryshme psikologjike është se ju mund të fitoni mjetet e nevojshme për të ndryshuar mendimet, ndjenjat dhe sjelljet, përmes reflektimit dhe praktikës. 

Gjëja më logjike për të bërë nëse keni paragjykime është t’i ndryshoni ato; megjithatë, nëse jeni si shumica e njerëzve, ndoshta nuk jeni të sigurt se çfarë paragjykimesh keni në radhë të parë. Gjëja e ndërlikuar në lidhje me paragjykimet është se kur nuk shqyrtohen ato duken logjike, të shëndetshme dhe të njëjta me mendimet e tjera që mund të keni. Një filtër ose një paragjykim mund të ketë qenë i pranishëm për aq shumë kohë, sa ju mund të mos e mbani mend se si është të shohësh botën pa të. Për të ndihmuar në zbulimin e disa prej paragjykimeve tuaja, duhet të ktheheni pas në kohë e të rishqyrtoni ciklet e përsëritura të konflikteve në jetën tuaj. Merrni një moment për të reflektuar: 

  1. Çfarë më shkakton më shumë shqetësime në jetën time? Mos mendoni për stresorë apo individë specifikë, por për motivet e jetës suaj. A është shqetësimi im konfliktet që kam me të tjerët? Apo fakti që nuk ndihem mirë? Apo frika se çfarë mund të mendojnë të tjerët? Apo braktisja? Apo të ndjerit vazhdimisht i sulmuar?
  2. A kanë motiv emocionet tuaja? Jeni kronikisht i zemëruar, i trishtuar apo i shqetësuar? Cilët stresorë mjedisorë janë zakonisht të pranishëm kur përjetoni këto emocione? Pasi të keni përgjigjet për këto pyetje, mund të filloni të reflektoni nëse ka gabime në të menduarit tuaj që kontribuojnë në shqetësimin që keni. Le të shohim disa shembuj: 

Nëse vëreni ndonjë motiv në jetën tuaj që i bën të tjerët të ushqejnë dashakeqësi ndaj jush, atëherë nuk përjashtohet që pikëpamjet tuaja ndaj tyre të jenë të njëanshme. Le të themi se në mendje keni mendimet e mëposhtme: 

“Shefi më thirri në mbledhje vetëm e vetëm sepse e dinte që nuk e dija përgjigjen dhe donte të më vinte në siklet.” 

“Burri im erdhi vonë në shtëpi qëllimisht, sepse nuk donte të kalonte kohë me mua.” 

“Shoqja ime merr kohë për të më kthyer mesazhet, sepse thellë brenda saj ajo në fakt nuk më pëlqen.” 

A mund ta dalloni filtrin dhe paragjykimin? Një filtër negativ ju pengon të shihni gjëra të mira tek njerëzit e tjerë dhe të përqendroheni vetëm tek anët negative, ndërsa paragjykimi juaj ndikon në aftësinë tuaj për të parë dhe ndërvepruar në mënyrë objektive me të tjerët. Ky paragjykim mund të jetë diçka që e keni fituar me kalimin e kohës nga mjedisi përreth ose mund të jetë rezultat i një traume të mëparshme (për shembull, kur dikush ka tradhtuar besimin tuaj). 

Le të marrim një shembull tjetër. Pas reflektimit, mund të keni arritur të kuptoni se shqetësimi ju vjen më së shumti nga vetja juaj. Ju jeni kritiku juaj më i keq. Keni mënyra perfeksioniste të të menduarit dhe nuk mund të duroni kur i bëni gjërat në mënyrë të gabuar. Mund të ndodhë që të keni mendime të tilla si:

“Unë nuk jam i aftë të bëj asgjë siç duhet.” 

“Si dështova përsëri?” 

“O Zot, unë jam shumë budalla!” 

A mund ta shihni filtrin dhe paragjykimin këtu? Ju mund të jeni duke filtruar të gjitha anët e mira të vetes suaj dhe thjesht shikoni negativet. Paragjykimi juaj është se keni të meta dhe se ka diçka që nuk shkon me ju. Kjo mund të jetë diçka që ju e keni menduar vetë ose që jua kanë thënë të tjerët. Mund të jetë gjithashtu rezultat i traumës, siç është abuzimi emocional në fëmijëri. 

Pasi të keni identifikuar filtrat negativë që keni, mund të filloni të punoni me to duke përdorur mendimet e kundërta. Nëse filtri ju bën të mendoni që të tjerët duan t’ju kapin në gabim, praktikoni Sunetin e të pasurit husn ad-dhan (një mendim të mirë për të tjerët) dhe mundohuni t’i justifikoni sa më shumë njerëzit. Nëse keni një filtër që ju bën të mendoni se nuk keni vlera dhe nuk jeni të mirë në asgjë, kundërpërgjigiuni atyre mendimeve me cilësi pozitive për veten tuaj. Mundohuni të keni 1-3 kundërmendime për çdo mendim që rrjedh prej filtrit tuaj negativ. Në fillim, kjo praktikë mund t’ju duket e vështirë dhe jo e çiltër, por sa më shumë të praktikoni zëvendësimin e mendimeve negative, aq më fort do të rrënjosen në sistemin tuaj të besimit mendimet e reja. Vazhdoni të praktikoheni çdo ditë derisa të arrini rezultatet që dëshironi. Nëse për këtë ju duhen javë, mos u dekurajoni sepse u deshën vite dhe vite për të zhvilluar dhe ruajtur paragjykime të pashëndetshme, kështu që zhbërja e asaj pune nuk ka se si të ndodhë brenda natës. 

Gjithashtu vini re ç’ndjeni në trupin tuaj kur përjetoni mendime negative. Gjatë këtij ushtrimi mbyllni sytë, merrni frymë thellë dhe vini re se ku përqëndrohet tensioni (në ball, gjoks, stomak, shpatulla, etj.). Kur të jeni gati të kundërshtoni mendimin tuaj negativ, imagjinoni sikur ai shkëputët prej pjesës së tensionuar të trupit tuaj dhe fluturon larg, brenda një tullumbaceje që ngjitet drejt qiellit. Mos harroni të merrni frymë thellë gjatë gjithë kohës. Imagjinoni sikur e lëshoni tullumbacen dhe ajo del nga dera e shtëpisë suaj, pluskon mbi tokë dhe më pas lëviz tok me erën në horizont. Mos u mundoni të përshpetjtoni largimin e balonës; lëreni të marrë aq kohë sa ju nevojitet derisa të ndjeni se mendimi negativ është larguar prej jush. 

Kur jeni duke formuluar kundër-mendimin tuaj, imagjinoni sikur e vendosni butësisht në pjesën e trupit tuaj, e cila mbeti bosh prej largimit të mendimit negativ. Vazhdoni të merrni frymë thellë. Imagjinoni sikur vendosni diçka terapeutike dhe riparuese, si për shembull një fashë ose kompresë, për të shëruar atë zonë. Mbulojeni atë zonë butësisht derisa të filloni të ndjeni veten të shëruar. Ky ushtrim vizualizimi mund të tingëllojë qesharak, por ai shënjestron lidhjen mendje-trup, duke mundëson një ndryshim të shëndetshëm konjitiv dhe duke çliruar traumat e ruajtura në trup. Sipas rishikimeve sistematike të studimeve të shumta, përdorimi i vizualizimit mund të ketë efekte të fuqishme në procesin tuaj të shërimit. 

Më poshtë janë renditur disa ushtrime shtesë që mund t’i provoni nëse ndjeni se ju ndodhin vetëm gjëra të këqija.

  • Nëpërmjet syve të Profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të:

Ky ushtrim shënjestron filtrin tuaj negativ. Profeti Muhamed صلى الله عليه وسلم kaloi momente tepër të vështira në jetën e tij, ndër të cilat periudha kur nuk kishte ushqim, kur njerëzit përpiqeshin ta vrisnin dhe ai nuk kishte ndjenjën e sigurisë fizike. Njerëzit abuzuan me të dhe bënë përpjekje të mëdha për t’i prishur reputacionin dhe për të refuzuar fjalët e Allahut. Për më tepër, Profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, nuk kishte asnjë nga lukset moderne që kemi ne sot, si uji i rrjedhshëm në shtëpi, interneti, elektriciteti, etj. Nëse Profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, do të kishte një filtër negativ, do të kishte qenë shumë e lehtë për të që të mposhtej nga trauma, të binte në depresion dhe të ndalonte së shpërndari mesazhin e Islamit. Teksa reflektoni për jetën tuaj, cilat janë gjërat pozitive që ju i posedoni, të cilat Profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, nuk i ka pasur? Cilat janë disa prej cilësive të mira që keni? Cilat janë gjërat pozitive të jetës suaj ose gjërat që potencialisht i prisni të ndodhin? Imagjinoni sikur jeni duke biseduar me Profetin, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të. Shkruajini këto bekime në letra ngjitëse dhe vendosini në pasqyrën tuaj që t’i shihni shpesh. 

  • Ndiqni modelin: 

Ky ushtrim shërben për t’ju ndihmuar në eksplorimin e sjelljeve që vijnë si rezultat i filtrit dhe paragjykimeve tuaja. Në fushën e psikologjisë ekziston një term i quajtur transferim, i cili ndodh kur një person, në mënyrë të nënndërgjegjshme ose tërësisht të pavetëdijshme, ndërvepron me një person tjetër në një mënyrë të caktuar, sepse ky person i kujton dikë tjetër. Në një moment, edhe ju ndoshta e keni përjetuar këtë; p.sh., kur një kameriere në një restorant ka zë të ngjashëm me një mikeshë që keni pasur në shkollën fillore, ose kur toni i një personi ju kujton shefin me të cilin keni pasur mosmarrëveshje në punën tuaj të parë. Transferimi mund të bëhet pjesë e paragjykimeve të një personi. 

Nëse vëreni se jeni pjesë e të njëjtit lloj marrëdhëniesh jo të shëndetshme në mënyrë të përsëritur, përpiquni të gjeni një fije të përbashkët midis të gjithë atyre njerëzve dhe reflektoni nëse ju kujtojnë një traumë që keni përjetuar, ndoshta, në fëmijëri. Pyesni veten: A më kujtojnë këta individë një kujdestar ose dikë me të cilin kam pasur marrëdhënie të vështirë në të kaluarën? Kush pati ndikimin më të madh në emocionet e mia negative gjatë rritjes? Kush më ka bërë të ndihem i shqetësuar, i stresuar ose i dëshpëruar në zhvillimin tim të hershëm? Reflektoni për të kuptuar nëse njerëzit nga marrëdhëniet tuaja të fundit toksike kanë karakteristika të ngjashme me një person që mund t’ju ketë lënduar në të kaluarën.

Nëse tashmë e keni të qartë që ekziston një model i caktuar dhe ia dilni të gjeni burimin origjinal të dhimbjes, atëherë dijeni se për t’u shëruar, do t’ju duhet të punoni mbi atë marrëdhënie nga ku e ka zanafillën dhimbja që ndjeni. Për të arritur këtë, nuk keni përse, dhe, ndonjëherë, nuk duhet kurrsesi, të punoni drejtpërdrejt me personin; përkundrazi, kjo mund të bëhet brenda vetes. Një mënyrë efektive për të riparuar dëmet nga marrëdhëniet e mëparshme është t’i shkruani letra të sinqerta atij personi duke shfryrë të gjitha ndjenjat dhe zhgënjimet tuaja mbi ato që kanë ndodhur. Kjo është diçka shumë katarstike dhe sjell një ndjesi lehtësimi për shumë njerëz, e cila mund të jetë e dobishme për marrëdhëniet e ardhshme. Pasi të keni mbaruar së derdhuri të gjitha ndjenjat tuaja në letër, digjeni, copëtojeni ose flakeni atë. 

Hadithe dhe ajete frymëzuese për reflektim

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Kushdo që zgjohet në mëngjes duke pasur strehë, duke gëzuar shëndet dhe duke pasur ushqim deri në mbrëmje, është sikur t’i jetë dhënë e gjithë bota.” 

Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij. Allahu di mirë çdo gjë. (Kur’an, 64:11)

Ibn Kethiri ka thënë për këtë ajet: 

Kushdo që pësoi një fatkeqësi dhe e dinte se ajo ndodhi me Gjykimin dhe Dekretin e Allahut dhe ai qëndron i duruar në pritje të shpërblimit të Allahut, atëherë Allahu ia udhëzon zemrën dhe ia kompenson humbjen e tij në këtë jetë duke i dhënë udhëzim për zemrën e tij dhe siguri në besim. Allahu do t’ia zëvendësojë çdo gjë që ai ka humbur për hir të Tij me një tjetër gjë që vlen po aq, ose edhe më shumë. Ali ibn Ebi Talha transmeton nga Ibn Abbasi: “…dhe kushdo që beson në Allahun, Ai e udhëzon zemrën e tij.” Allahu do ta udhëzojë zemrën e tij drejt një sigurie të plotë, prandaj dhe ai do ta ketë të qartë që ajo që e godet, nuk kishte asnjë mundësi që të mos t’i ndodhte dhe ajo që nuk i ndodh, nuk kishte asnjë mundësi që të ishte caktuar për të.

Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi. Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!  (Kur’an, 2:155-157) 

Ushtrim praktik

  • Nëpërmjet syve të Profetit alejhi selam: 

Hapi 1: Imagjinoni sikur uleni pranë Profetit alejhi selam. Cilat janë gjërat pozitive (komoditetet, luksi, bekimet, etj.) që ai mund të thotë se ju i keni dhe ai nuk i ka pasur?

Hapi 2: Shkruajini ato bekime në letra ngjitëse dhe vendosini në pasqyrën tuaj, në mënyrë që t’i shihni shpesh. Shkruani minimalisht një gjë pozitive për çdo letër ngjitëse. Thuajini bekimet tuaja me zë të lartë një herë në ditë (duke i kushtuar vëmendje asaj që po thoni, duke mos u nxituar). Të thuash bekimet me zë të lartë ka një efekt më të fortë sesa thjesht t’i thuash ato me mendje.

  • Ndjekja e modelit 

Hapi 1: Shqyrtoni marrëdhëniet në jetën tuaj dhe shikoni nëse vini re ndonjë model te njerëzit me të cilët jeni në konflikt (karakteristika të caktuara, modele sjelljeje, modele zënkash). Shkruajini modelet që shihni më poshtë. 

Shembull: Mua më pushojnë vazhdimisht nga puna. Të gjithë shefat e mi janë të pasjellshëm, agresivë dhe të pavëmendshëm. Kur jam me ta ndihem luftarak dhe i pabindur. Ky model ka ndodhur me tre vendet e mia të fundit të punësimit. 

Hapi 2: Pasi të keni identifikuar modelet aktuale, kthehuni në fillimet e jetës suaj dhe shikoni nëse ka situata të vështira ose njerëz që ju kujtojnë konfliktin aktual që po kaloni. Nëse vini re një lidhje me dikë ose diçka traumatike në të kaluarën tuaj, shkruajeni më poshtë. 

Shembull: Shefi im më kujton shumë babanë tim. Babai im ishte shumë agresiv, autoritar dhe ndonjëherë i dhunshëm. Ai kurrë nuk më ka kuptuar. Ndihesha gjithnjë më pak i rëndësishëm se ai.

Hapi 3: Identifikoni se si mund të kontribuoni në zgjidhjen e problemit përmes transferimit (duke trajtuar dikë në një mënyrë të caktuar sepse ju kujton dikë në të kaluarën tuaj). Shkruani sjelljet tuaja specifike para, gjatë dhe pas problemit në fjalë dhe përshkruani se si të tjerët ndikohen nga veprimet tuaja. 

Shembull: Për shkak se shefat më kujtojnë babanë tim, ndoshta nuk jam i respektueshëm dhe sillem në mënyrën e gabuar. Kjo pikëpamje mund t’i bëjë punëdhënësit e mi të mos dëshirojnë të më mbajnë në punë për një kohë të gjatë. 

Hapi 4: Zbërtheni vizualisht problemin në mënyrë që të mund ta shihni modelin tuaj më qartë. Duke përdorur një tabelë me 3-5 hapa, zbuloni modelin e problemit tuaj. 

Shefi im më kërkon të bëj diçka që nuk dua ta bëj dhe kjo më kujton babanë tim. 

Unë sillem në mënyrë jo të përshtatshme. 

Shefi im fillon të tregohet i ashpër ndaj meje. 

E kam inat shefin tim për mënyrën sesi më trajton dhe filloj të bëhem kokëfortë dhe rebel. 

↓ 

Shefi më pushon nga puna. 

Hapi 5: Kthehuni tek burimi origjinal. Në një letër, shkruani të gjitha mendimet dhe ndjenjat tuaja ndaj personit me të cilin keni ndjenja të pazgjidhura nga e kaluara. Mos u përmbani. Tregojuni atyre se si veprimet e tyre ju kanë mërzitur dhe influencuar. Ky aktivitet mund të kryhet në më shumë se një seancë. Vazhdoni të shkruani derisa zemërimi dhe trishtimi juaj të lehtësohen. 

Hapi 6: Tani që e keni përballuar më mirë të kaluarën, ndryshoni besimet tuaja të pasakta për situatën tuaj aktuale. Identifikoni mendimet dhe paragjykimet e papërshtatshme që keni aktualisht si pasojë e së kaluarës suaj dhe ndryshojini ato. Shkruajini të gjitha bindjet tuaja të pashëndetshme dhe zëvendësojini ato me mendime më të përshtatshme. Pastaj filloni t’i zbatoni ato mendime në jetën e përditshme, veçanërisht kur ndiheni të shqetësuar. Me kalimin e kohës, mendimet tuaja të pashëndetshme do të zëvendësohen nga ato të reja më të shëndetshme.

Mendim i pashëndetshëm Mendim i shëndetshëm
Kur shefi im më kërkon të bëj diçka, ai e bën këtë sepse dëshiron të më poshtërojë dhe të më bëjë të ndihem sikur nuk kam kontroll (transferim nga babai im). Shefi im nuk është njësoj si babai im. Është detyra e tij që të sigurohet që kompania të funksionojë më së miri. Ai më kërkon të kryej detyrat e mia sepse të gjithë së bashku jemi një ekip dhe secili ka një rol të caktuar për të luajtur.
Shefi im mendon se është më i mirë se unë.  Si punëdhënësi im, shefi ai ka të drejtë të më udhëzojë për mënyrën se si ai dëshiron që detyrat të kryhen. Kjo nuk do të thotë se ai mendon se është më i mirë se unë.

Rast i Rishikuar

Muadhi nuk ishte në gjendje të kuptonte se përse vazhdonte të kishte të njëjtat marrëdhënie toksike në mënyrë të përsëritur. Ai provoi ushtrimin “Ndiqni Modelin” dhe vuri re se të gjitha gratë me të cilat ishte martuar ishin agresive dhe i kujtonin shumë nënën e tij. Kur ishte fëmijë, Muadhi nuk e ndjeu kurrë dashurinë e saj, megjithëse ai bëri gjithçka mundej për t’u afruar me të. Teksa Muadhi reflektonte gjithnjë e më shumë mbi lidhjen midis ish-gruas dhe nënës së tij, ai kuptoi se ndoshta po përpiqej të shëronte marrëdhënien me nënën e tij duke u martuar me njerëz të ngjashëm me të. Për më tepër, Muadhi e kuptoi se ai kishte paragjykime mjaft negative për gratë dhe se ky fakt ishte faktori kryesor në qendër të konflikteve me ish-gratë e tij. Duke qenë se Muadhi priste që gratë të ishin të ashpra, jo besnike dhe iracionale, ai, pandërgjegjshmërisht, vepronte në mënyra që e favorizonin këtë sjellje nga ana e tyre, duke shkaktuar kështu një profeci vetëpërmbushëse. 

Muadhi e kuptoi se duhej të kapërcente atë që kishte ndodhur me nënën e tij në mënyrë që të kishte marrëdhënie më të shëndetshme në të ardhmen. Ai i shkroi një letër nënës së tij për të gjitha ndjesitë që kishte përjetuar gjatë fëmijërisë. Letra ishte e pafiltruar dhe nuk linte asnjë ndjenjë apo mendim negativ pa adresuar. Me kalimin e ditëve, kur Muadhit i kujtohej diçka që kishte harruar ta përmendte, ai e shtonte atë në fund të letrës. Kur ndjeu se nuk kishte çfarë të shkruante më, dogji letrën dhe vendosi të falte nënën e tij për gjithçka. Dhe kjo, jo sepse besonte se nëna e tij kishte vepruar në mënyrën e duhur, por sepse nuk donte të mbante më ndjenja negative brenda vetes. 

Pasi i la mënjanë vështirësitë e fëmijërisë së tij, Muadhi ndjeu se tanimë mund ta shihte jetën e tij më qartazi. Ai e kuptoi se nuk po i ndodhnin më shumë gjëra të këqija se të tjerëve – në fakt, ai vetëm sa po filtronte gjërat e mira në jetën e tij. Muadhi vendosi të ndalonte së menduari për martesën për një vit dhe të zhvendoste fokusin e tij në aspekte të tjera të kësaj jete. Ai vendosi se ishte koha të punonte për mirëqenien e tij dhe të fëmijëve të tij. Bleu disa libra vetë-ndihmues dhe investoi shumë për të kaluar më shumë kohë cilësore me familjen. Si rezultat, fëmijët e tij filluan ta respektojnë më shumë dhe nisën të silleshin më mirë në shtëpi dhe në shkollë. Muadhi e kuptoi se nëse/kur të takonte personin tjetër me të cilën do të donte të martohej, këshillimi paramartesor do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për të parandaluar përsëritjen e të njëtave gabime të së shkuarës.

Autori: Najwa Awad

Artikuj të ngjashëm

Doktrinë dhe Kontekst

Doktrinë dhe Kontekst Nga: Ovamir Anjum[1] Universiteti i Toledos Hyrje Besohet gjerësisht se selefitë janë kundërshtarët e modernitetit politik në përgjithësi dhe të demokracisë në…

Lexo më shumë »

Hatem el Awni – Bidati

  Shaykh Al-Islām Ibn Tejmije formuloi dy kushte për të përcaktuar nëse një çështje e sapofutur në fe është një risi e ndaluar (bidat) apo…

Lexo më shumë »