Abstrakt
Qëllimi i kësaj eseje është të shpalosë perspektivën islame në lidhje me teorinë e evolucionit. Ndërsa diskutojmë këtë teori të veçantë, ne gjithashtu synojmë të nxjerrim në pah çështje më të gjera që lidhen me Islamin dhe shkencën. Në të vërtetë, ne do të vëmë në dukje parime të rëndësishme përmes interpretimit kur’anor, do të theksojmë nevojën për zëvendësimin e besimit të verbër me besimin e bazuar në fakte dhe do të inkurajojmë lexuesin që të bëjë dallimin midis fakteve dhe interpretimeve të fakteve, të tilla si filozofia materialiste/natyraliste, e cila shpesh qëndron në themel të interpretimeve shkencore. Në njëfarë mënyre, teoria e evolucionit është një shkallare që na ndihmon për t’i ftuar muslimanët (dhe ata që janë të hapur ndaj perspektivës së besimit) të reflektojnë më thellë rreth qëllimit të jetës, universit dhe kuptimit të udhëzimit të Zotit dhe rëndësisë që ai ka për jetën tonë. Kur’ani nuk paracakton përfundimet e studimit shkencor, por kërkon analizë të sinqertë dhe serioze të të dhënave, në vend të spekulimeve dogmatike. Fakti që një analizë e tillë faktike bazohet në “shkencën evolucioniste”, nuk do të thotë që ajo nuk mund të ketë asnjë censurë nga këndvështrimi kuranor. Nga ana tjetër, për aq kohë sa teoria e evolucionit këmbëngul në pretendime të pabaza, dogmatike, si p.sh. jeta është rezultat i faktorëve të paqëllimshëm dhe gjërave që veprojnë thjesht në sajë të impulseve egoiste, ajo do të bierë ndesh gjithnjë me këndvështrimin Kur’anor. Natyrisht, pretendime të tilla të pabaza dhe dogmatike për shfaqjen e jetës nga procese të verbra fizike dhe rastësore mbeten empirikisht të paargumentuara dhe jokoherente, pavarësisht pranimit të tyre të gjerë nga masat dhe promovimit të politizuar.
Parime kryesore
Për të analizuar teorinë e evolucionit nga perspektiva islame, le të parashtrojmë së pari disa parime thelbësore që janë të rëndësishme për të krijuar baza të shëndosha. Përndryshe, një kuadër teorik problematik në mënyrë të pashmangshme do të shtrembëronte edhe të dhënat më të mira.
Besimi nuk është i verbër
Ndryshe nga disa mendime popullore, besimi i vërtetë në Zot nuk mund të jetë i verbër. Përkundrazi, sipas Kur’anit, besimi i vërtetë kërkon dëshmi (shehadet) që bazohet në prova të qarta që kënaqin zemrën dhe mendjen.
Interpretimi i Kur’anit
Për të interpretuar Kur’anin, së pari duhet ta përkufizojmë atë. Të thuash thjesht, “Unë besoj se është fjala e Zotit” nuk është mjafton as për të përkufizuar Kur’anin, e as për ta interpretuar atë. Siç thekson interpretuesi dhe teologu kuranor Bediuzzaman Said Nursi (v. 1960), përkufizimi i Kuranit është thelbësor në interpretimin e tij. Kur jemi të vetëdijshëm se kush po flet, për çfarë qëllimi po flet dhe kujt i drejtohet, ne jemi në gjendje ta interpretojmë tekstin shumë më saktë dhe më me mprehtësi.
Qëllimi i Kur’anit nuk është të na japë informacion teknik për botën, sepse, për të bërë këtë, Zoti na ka dhënë shqisat dhe intelektin. Një lexim i mirë i Kur’anit është i mundur vetëm duke pasur njëkohësisht parasysh qëllimin e tij gjithëpërfshirës për të na udhëhequr. Brenda këtij qëllimi, ne mund të specifikojmë më tej qëllimet e Kur’anit. Në të vërtetë, një numër i madh dijetarësh klasikë të Islamit kanë folur për qëllimet e tij (meqasid al-Qur’an). Ndonëse janë ndërtuar disa lista specifike deri diku të ndryshme nga njëra tjetra, në përgjithësi, është rënë dakord se thelbi i Kur’anit qëndron në besimin në një Zot të Vetëm dhe të vepruarit në përputhje me udhëzimet e Zotit, i cili njihet për atributet e Tij të shumta, ndër të cilat mëshira, fuqia dhe urtësia.
Said Nursi, një interpretues i rëndësishëm i Kur’anit, nga veprat e të cilit kemi përfituar jashtëzakonisht shumë, thekson se vetë qëllimi i Kur’anit është të na udhëheqë drejt përgjigjeve të pyetjeve thelbësore njerëzore rreth kuptimit të ekzistencës dhe të zgjidhë “gjëegjëzën” e universit. Më konkretisht, qëllimi i Kur’anit është të vërë në dukje, duke i theksuar, katër objektiva kryesore: (1) teuhidin, ose njëshmërinë e Zotit – domethënë Njëshmëria e Burimit të gjithë fuqisë, bukurisë dhe përsosmërisë që pasqyrohet në botë – dhe ‘ubudijja, adhurimi i të Vetmit; (2) profecinë (el-risālah); (3) ringjalljen (hashr); dhe (4) drejtësinë (‘adāla).
Kështu, ne duhet të kemi parasysh veçoritë themelore të Kur’anit në mënyrë që ta interpretojmë atë në mënyrën e duhur. Kur’ani është një ligjërim nga i Përjetshmi drejtuar qenieve njerëzore dhe ai na zbulon kuptimin dhe qëllimin e ekzistencës sonë brenda këtij kozmosi. Kur’ani ofron çelësat për të kuptuar realitetin, pa të cilat as mendjet dhe zemrat më të ndritura nuk do të mund ta kuptonin. Pa udhëheqjen hyjnore, qeniet njerëzore janë si të verbërit që prekin një elefant – ne mund të ndiejmë disa gjëra, por nuk mund ta kuptojmë realitetin e ekzistencës. Përmes Kur’anit, qeniet njerëzore mund të kuptojnë realitetin e ekzistencës. Kur’ani lidhet me realitetin në një mënyrë kaq të mahnitshme saqë tregohet qartë, se vetëm Krijuesi i qiejve dhe i tokës mund ta kishte dërguar këtë Libër.
Asnjë nga pohimet e mësipërme në lidhje me Kur’anin nuk duhet të besohet verbërisht. Përkundrazi, të gjitha ato duhet të vërtetohen nga arsyeja, zemra dhe përvoja. Të dëshmosh vërtetësinë e Kur’anit është si të provosh një çelës. Pa çelësin e duhur, ne nuk mund të hapim një derë të mbyllur. Dhe, me çelësin e duhur (d.m.th., me mesazhin e Kur’anit), ne arrijmë ta hapim atë derë (d.m.th., zbulojmë të vërtetën e universit) dhe në këtë mënyrë ia dalim të konfirmojmë se me të vërtetë ky çelës është i duhuri.
Tani, nëse ndonjëherë na duket se Kur’ani bie ndesh me logjikën ose faktet, ekzistojnë vetëm dy mundësi: (1) ose ajo që ne menduam se ishte logjike dhe faktike nuk është në të vërtetë kështu; ose (2) ne nuk po e interpretojmë saktë Kur’anin.
Sipas një parimi klasik të interpretimit kuranor, “Nëse Kur’ani dhe arsyeja duket se kundërshtojnë njëra-tjetrën, njeriut i duhet të riinterpretojë Kur’anin në bazë të arsyes. Por arsyeja me të cilën ne interpretojmë Kur’anin duhet të jetë një arsye e shëndoshë.” Ky parim vlen në mënyrë të drejtpërndrejtë edhe për raportin ndërmjet Kur’anit dhe shkencës moderne. Nuk ka se si të ketë kontradiktë ndërmjet një fakti shkencor dhe Kur’anit, për aq kohë sa ne jemi të vetëdijshëm për qëllimet e Kur’anit si dhe për paqartësitë e diskursit shkencor.
Çfarë është ‘Shkenca’?
Shumë njerëz mendojnë se shkenca ka të bëjë me faktet ‘atje jashtë’. Në realitet, shkenca është një praktikë që përfshin një pjesë të madhe të interpretimit përveçse vëzhgimit. Edhe në zemër të shkencave “më të vështira”, si fizika, shkencëtarët po postulojnë gjithmonë modele dhe korniza interpretuese për të paraqitur dhe për të vënë në përdorim faktet që ata vëzhgojnë dhe masin. Për të dhënë një shembull të thjeshtë, teoria se masat tërheqin njëra-tjetrën është një mënyrë për të pasqyruar faktin se gjërat lëvizin drejt njëra-tjetrës. Në rastin e tokës, ky pasqyrim na ndihmon të shpjegojmë mënyrën se si gjërat bien në tokë. “Është graviteti ai që i tërheq gjërat poshtë”, themi ne. Tani, për sa kohë që kjo mënyrë interpretimi na mundëson të masim dhe parashikojmë gjërat (si për shembull, se sa shpejt dhe me çfarë shpejtësie gjërat do të bien në tokë), mund të thuhet se ky është një model i dobishëm. Megjithatë, nuk duhet të ngatërrojmë modelin me deklaratën e vërtetë. “Ligji i gravitetit” është një koncept që fizikanët e shpikën në mënyrë që të pasqyrojnë rezultatet empirike në formula. Në fakt nuk ka asnjë entitet të vëzhgueshëm të quajtur “ligji i gravitetit” që ekziston në mënyrë të pavarur nga objektet që bien dhe i bën ato të bien.
Në të vërtetë, vetë koncepti i “ligjeve të natyrës” bazohet në parime metafizike (p.sh., uniformiteti i natyrës) që janë presupozime të nënkuptuara të shkencës. Edhe pse këto presupozime metafizike ndikojnë thellësisht në praktikën shkencore dhe interpretimin e të dhënave, ato rrallë vlerësohen në mënyrë kritike sepse mbeten të fshehura ose të injoruara. Shkencëtarët mund të ngurrojnë për t’u përballur me këto supozime metafizike apo për t’i vënë ato në dyshim, sepse ata shpesh besojnë dhe pohojnë se njohuritë shkencore nuk kanë vend për metafizikë. Me fjalë të tjera, supozimet metafizike shpesh mbeten të pazbuluara edhe pse ato qëndrojnë në thelbin e shkencës. Shkurtimisht, njohuritë shkencore përfshijnë parime metafizike për botën që janë të paprovueshme dhe të pavarura nga provat shkencore; dhe megjithëse shumë shkencëtarë mund ta shohin metafizikën si një kërcënim për “përsosmërinë” shkencore, shkenca i pranon (megjithëse në mënyrë implicite) parime të tilla pa qenë nevoja për prova, pavarësisht pretendimeve për të kundërtën.
Nëse edhe teoria më e thjeshtë dhe e pakontestueshme si “ligji i gravitetit” do të kishte vend për interpretim, atëherë merreni me mend se sa teori biologjike do të kishin nevojë për akoma më shumë diskutim. Me “biologji”, nuk nënkuptojmë vetëm masat dhe lëvizjen nga pikëpamja fizike, por edhe jetën dhe format e jetës. Jeta është shumë herë më ndërlikuar se grimcat dhe masat pasi përfshin diversitet të jashtëzakonshëm, ndryshime, histori, motivime, instinkte, etj.
Për më tepër, kur flasim për historinë e jetës në tokë, shumica dërrmuese e ngjarjeve që kanë ndodhur në histori janë të paprekshme nga ne. Veç kësaj, ne nuk kemi asnjë mënyrë për t’i përsëritur ato në laborator, si të ishin eksperimente. Duhet të kemi parasysh se vetëm ky fakt mjafton për ta bërë subjektin e historisë së jetës shumë të ndryshëm nga fizika apo kimia, ku, për shembull, në ditët e sotme, jemi të aftë të vëzhgojmë rënien e objekteve në laborator ose të ripërsërisim një eksperiment të caktuar kimik.
Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis pikëpamjeve personale të një shkencëtari dhe gjetjeve shkencore të tij. Vetëm për shkak se dikush është ekspert në një çështje të caktuar teknike nuk do të thotë se ai është ekspert në të kuptuarit e natyrës së saj, e aq më pak më në të kuptuarit e realitetit në tërësi. (Për shembull, fizikanët mund të flasin për kohën ose energjinë me terma teknikë, por kjo nuk do të thotë se ata i kuptojnë ato – aq më tepër ekzistencën tonë – plotësisht.)
Kur’ani na fton të vëzhgojmë dhe reflektojmë
Siç e kemi theksuar në fillim, qëllimi i Kur’anit është të na zbulojë kuptimin e ekzistencës. Kur’ani i referohet në mënyrë të përsëritur universit, duke përfshirë natyrën njerëzore, në mënyrë që të na tregojë se si ai na drejton tek Zoti, Krijuesi që domosdoshmërisht tejkalon krijimin e Tij. Zoti i Kur’anit është një Qenie e Përhershme, i Cili krijon dhe mbështet krijimin e Tij në mënyrë të vazhdueshme. Universi është si një libër dinamik, që vazhdimisht zbulon cilësitë e Krijuesit dhe Ruajtësit të tij; dmth Zotit. Këto cilësi të shpallura në Kur’an quhen al-asma al-husna dhe përgjithësisht përkthehen si “emra të bukur”. Prandaj, Zoti përshkruhet si pafundësisht i ditur, i fuqishëm, i mëshirshëm, i urtë, i bukur, e kështu me radhë. Universi, duke përfshirë të gjitha format e jetës, pasqyron njohurinë, fuqinë, dhembshurinë, urtësinë dhe bukurinë e pafundme dhe në këtë mënyrë dëshmojnë emrat e bukur të Zotit.
Kur’ani na mëson se si ta lexojmë këtë libër dinamik dhe si të vëzhgojmë, dëshmojmë dhe konfirmojmë se çdo gjë që ekziston shpalos atributet e Krijuesit të saj. Ai na fton vazhdimisht të vëzhgojmë botën dhe na jep sinjale se si të reflektojmë mbi të. Na mëson se universi ka një Krijues të urtë, të fuqishëm dhe të kujdesshëm dhe se gjërat nuk ndodhin vetvetiu ose rastësisht. Përkundrazi, Ai që krijon një gjë, duhet të jetë, pashmangshmërisht, Krijuesi i gjithçkaje.
Për shembull, Kur’ani na bën thirrje të reflektojmë qoftë edhe mbi një mizë të vogël (Kur’an 22:73). Ne e kuptojmë se miza nuk mund të jetë rezultat i proceseve të rastësishme, pa fuqi krijuese dhe njohuri gjithëpërfshirëse. Sepse një mizë vjen në jetë në harmoni të përsosur brenda vetes dhe në raport me pjesën tjetër të universit. Një mizë merr frymë, ha dhe fluturon brenda kontekstit të të gjitha ngjarjeve fizike dhe kimike në botë që ndjekin modele të përpikta (ose, siç i quajmë në shkencë, “ligje”), që nga cikli i oksigjenit në rrezet e diellit, tek rritja e bimëve, në një model të pabesueshëm të riprodhimit gjenetik që përkon me atë të qenieve të tjera të gjalla. Kushdo që planifikoi dhe i dha jetën një mize, duhet të jetë i vetëdijshëm për gjithë pjesën tjetër të botës ku ekziston miza. Ai duhet të ketë aftësinë për të sjellë në jetë një mizë të gjallë nga e gjithë kjo rrjetë kozmike. Në të vërtetë, kushdo që ka aftësinë të bëjë diçka të fluturojë, duhet të jetë krijuesi i gjithë jetës në planet dhe i planetit brenda sistemit të tij më të madh kozmik. Sigurisht, nuk është e mundur të shpjegojmë me detaje udhëzimin kuranor që ka të bëjë me këtë arsyetim. Këtu, ne ofrojmë vetëm një pasqyrim të shkurtër në mënyrë që të theksojmë nevojën për të reflektuar mbi natyrën dhe për të marrë seriozisht shenjat Kur’anore.
Kur’ani na fton të reflektojmë rreth aktualitetit
Për ta përsëritur, Kur’ani na bën thirrje të vëzhgojmë më me vëmendje dhe të reflektojmë me kujdes për të njohur të vërtetën e ekzistencës. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i thirrjes kuranore është se ajo vazhdimisht na fton t’u kushtojmë rëndësi gjërave që ndodhin përara syve tanë. Me fjalë të tjera, nga këndvështrimi kuranor, ne nuk na kërkohet thjesht të besojmë në një Krijues që i krijoi gjërat nga hiçi, përgatiti terrenin dhe i la gjërat që të zhvillohen vetvetiu. Përkundrazi, neve na kërkohet të besojmë në Krijuesin dhe Ruajtësin e gjithçkaje në çdo kohë, duke përfshirë edhe gjërat e këtushme dhe tanishme. Kur’ani na fton të shohim gjërat që ndodhin para syve tanë: jeta që lulëzon në kopshte, foshnjat që formohen në mitër, anijet që lundrojnë në det, e kështu me radhë. Kur’ani na ndihmon të kuptojmë se në mënyrë që të ndodhin të gjitha këto ngjarje që ne dëshmojmë, nevojitet dije, fuqi dhe kujdes i pamasë. Ato nuk mund të krijohen nga shkaqe natyrore të panjohura, të pavetëdijshme dhe pandjeshme, d.m.th., të paqëllimshme, (ose, e thënë në fjalorin Kur’anor, “të verbra” dhe “të shurdhëra”, si në Kur’an 7:195). Bota e fundme, në rendin dhe diversitetin e saj, shpalos cilësitë e qëndrueshme të të Pafundmit, Zotit, mu në këtë kohë dhe vend. Prandaj, për të besuar në Zot në kuptimin kur’anor, nuk është e nevojshme të kthehemi në zanafillën e jetës në tokë. Në vend të kësaj, mjafton të marrim parasysh çdo jetë që lulëzon dhe zhvillohet përpara syve tanë në këtë moment dhe të reflektojmë me kujdes përmes shenjave me të cilat na pajis Kur’ani. Nëse bëjmë këto, ne do të arrijmë të shohim qartë realitetin: kjo qenie e gjallë është një dëshmi e ekzistencës së Krijuesit të Urtë, të Fuqishëm, të Ditur dhe të Kujdesshëm.
Një qasje dhe arsyetim i tillë i diskursit kuranor nënkupton se, nuk është e domosdoshme të varemi nga spekulimet dhe teoritë për atë që mund të ketë ndodhur miliona vjet më parë, në mënyrë që të njohim të vërtetën (për të qenë të sigurtë, studimi shkencor, nëse është zhvilluar me ndershmëri dhe mprehtësi, mund të jetë i dobishëm për të kuptuar dhe vlerësuar më mirë Krijuesin). Në mënyrë të ngjashme, Kur’ani nuk mund të ketë asnjë përplasje me të dhënat e vërteta empirike dhe interpretimet e tyre të arsyeshme. Për ta rithënë, për aq kohë sa shkenca përpunon të dhëna dhe analiza të ndershme dhe serioze, në vend të spekulimeve, Kur’ani i jep asaj liri të mjaftueshme për të zbuluar, postuluar, testuar dhe përllogaritur. Ai nuk paracakton rezultatet e studimit shkencor pasi as nuk kërcënohet e as nuk varet prej tyre. Teoria e evolucionit nuk bën përjashtim. Për aq kohë sa bazohet në një hetim të ndershëm dhe mendjehapur, ajo nuk mund të ketë asnjë censurë nga këndvështrimi kuranor. Megjithatë, nëse insiston në pretendime të pajustifikueshme dhe të pabaza, të tilla si ‘jeta është rezultat i faktorëve të rastësishëm’ (d.m.th., të paqëllimshëm dhe të shkujdesur) apo si ‘jeta ekziston vetëm në sajë të disa impulseve egoiste’, atëherë, pashmangshmërisht do të ketë përplasje. Natyrisht, pretendimet e tilla që bien ndesh me Kur’anin nuk janë as asnjanëse dhe as shkencore, edhe nëse deklarohen në emër të shkencës. Është thelbësore që të bëjmë dallimin midis shkencës dhe interpretimeve materialiste të maskuara si shkencore. Pasi kemi parashtruar një tablo të përgjithshme, le t’i drejtohemi tani teorisë së evolucionit.
Teoria e Evolucionit dhe Kur’ani
Për të kuptuar se si lidhet Kur’ani me teorinë e evolucionit, na duhet ta kuptojmë këtë teori pak më qartë. Së pari, le të hedhim poshtë një mit popullor:
Teoria e evolucionit nuk është ‘thjesht një teori’, ai është një fakt i provuar. Është njësoj si teoria e gravitetit në fizikë.
Kjo është thjesht e pasaktë. Teoria e evolucionit qëndron shumë larg vërtetimit qoftë si fakt, ashtu edhe si teori. Si kështu? Le ta shpjegojmë.
Si fillim, theksojmë se teoria e evolucionit, në fakt, e ka një bazë faktike. Teoria e evolucionit përdor prova faktike si:
✓ Speciet, që tani janë zhdukur, kanë ekzistuar shumë kohë më parë; p.sh., dinosaurët.
✓ Toka ka lundruar në gjithësi për miliarda vite .
✓ Përveç diversitetit të jashtëzakonshëm në format e jetës, ekziston edhe një ngjashmëri e jashtëzakonshme midis specieve.
✓ Herë pas here ndodhin gabime në procesin e ‘kopjimit’ gjenetik. Shumica e këtyre gabimeve korrigjohen nga njësitë e rikorigjimit qelizor, të cilat zbulojnë dhe shkatërrojnë pjesët e kopjuara në mënyrë të gabuar dhe i zëvendësojnë ato me pjesë të kopjuara saktësisht.
Gabimet gjenetike që i shpëtojnë këtij procesi rikorrigjimi quhen mutacione (këto mutacione zakonisht janë ose të heshtura, domethënë nuk përbëjnë asnjë ndryshim në jetën e organizmit, ose janë të dëmshme).
Këto janë disa vëzhgime që mund të pranohen si fakte (të paktën me aq sa dimë deri në këtë moment kohor). Megjithatë, teoria e evolucionit, si të gjitha teoritë, përfshin jo vetëm fakte, por edhe interpretime të tyre. Prandaj, është e pasaktë të thuhet se teoria e evolucionit është një fakt përtej dyshimit të arsyeshëm që ajo zgjon.
Për shembull, më poshtë janë renditur disa interpretime të diskutueshme të përfshira në teori:
- Ngjashmëria midis specieve vjen si pasojë e faktit që të gjitha format e jetës evoluojnë nga një paraardhës i vetëm. [Vini re përmasat e këtij pretendimi, nuk është çudi që këtë spekulim kaq të madh, nuk ka arritur ta vërtetojë asnjë studim shkencor.)
- Gjatë miliona viteve, duhet të ketë ndodhur patjetër një transformim i qëndrueshëm i krijesave njëqelizore në shumëqelizore, nga bakteret te qeniet njerëzore. [Përsëri, nuk ka asnjë studim që mund ta vërtetojë këtë pretendim.]
- Të gjitha speciet duhet të jenë shfaqur rastësisht dhe pa ndonjë shkak të qëllimshëm. Gabimet në kodin gjenetik (d.m.th., mutacionet) dhe faktorët mjedisorë, si nxehtësia ose presioni, krijuan specie të ndryshme. Organizmat me mutacione që përshtaten më mirë me mjedisin mbijetojnë: “mbijetesa e më të fortit”. [Kjo është pjesa më e dobët e teorisë, siç do të diskutohet në seksionin vijues. Për më tepër, të dhënat e grumbulluara nga fosilet, si dhe fakte të tjera, e kundërshtojnë një pretendim të tillë, siç do të theksohet në pjesën e fundit.]
- Jeta është një luftë egoiste. Ekziston një luftë e vazhdueshme midis formave të jetës, si dhe brenda çdo specieje. Edhe kujdesi i një prindi për foshnjën e tij vjen nga dëshira e tij egoiste për të siguruar mbijetesën e ADN-së së vet.
Nga faktet e vëzhguara nuk mund të konkludohet në asnjë nga pretendimet e mësipërme. Ato janë të gjitha interpretime dhe hamendje për të cilat ka vend për pikëpyetje dhe keqkuptime. Për më tepër, ka shumë fakte që kundërshtojnë interpretime të tilla të teorisë së evolucionit, disa prej të cilave i përmendim në pjesën e fundit të kësaj eseje. Tani për tani, do t’i drejtohemi aspektit më të dobët të teorisë së evolucionit që ndodh gjithashtu të jetë dhe thelbi i saj.
Pika më e dobët e teorisë së evolucionit
Pretendimi më themelor i teorisë së evolucionit është gjithashtu edhe më i dobëti. Bëhet fjalë për pretendimin se shfaqja e specieve në tokë ka ndodhur pa ndonjë shkak të qëllimshëm. E thënë thjesht, teoria pretendon se nëse kombinoni një çorbë të rrëmujshme kimikatesh kozmike me ndryshimin e kushteve klimatike dhe prisni për një kohë shumë të gjatë, si përfundim mund të përftoni specie të krijuara në mënyrë të mahnitshme dhe të qëllimshme, secila e mirëpërshtatur me mjedisin që e rrethon! Për ta thënë butë, ky pretendim bie ndesh si me arsyen, ashtu edhe me të dhënat empirike.
Kjo këmbëngulje për t’ia lënë gjithçka në dorë rastësisë dhe mungesës së pikësynimit ka qenë kryeherazi një element kyç i teorisë së evolucionit. Kur kjo teori u postulua për herë të parë, nuk kishte asnjë referencë për mutacionet gjenetike pasi gjenet ende nuk ishin të njohura nga shkenca. Megjithëkëtë, në ditët e sotme pretendohet se mutacionet gjenetike janë faktori kryesor në shfaqjen dhe ruajtjen e të gjitha formave të jetës. Kjo do të thotë, se teoria supozon se në fillim ka ekzistuar një qelizë mëmë, me ADN-në e saj (!) dhe më pas pretendon se gabimet e rastësishme (d.m.th., të paqëllimta) në kodin e saj gjenetik dhe kushtet mjedisore (të tilla si presionet selektive) janë përgjegjëse për organizimin e përsosur dhe për proceset e koordinuara të jetës së të gjitha qelizave, organizmave dhe specieve. Ky nuk është aspak një pretendim i arsyeshëm. Si mundet paqëllimshmëria dhe rastësia e verbër të jenë përgjegjëse për forma jete të mirëorganizuara, të mirëstrukturuara dhe të ndërlikuara që ekzistojnë në harmoni me pjesën tjetër të universit? Një pretendim i tillë qëndron larg nga të qenit shkencor dhe është i papranueshëm në baza empirike, logjike dhe matematikore.
Në të vërtetë, sa më shumë të zbulohet mbi strukturën biologjike të qenieve të gjalla, aq më shumë bëhet e qartë se është e palogjikshme të arrihet në përfundimin se të gjitha këto struktura funksionale janë rezultat i fatit të pastër dhe rastësisë së verbër. Vetëm për një sekondë mendoni për enët e gjakut, nervat, sistemin tretës dhe traktin urinar të një qenieje njerëzore. Merrni gjithashtu në konsideratë organet e një qenieje në dukje “më të thjeshtë” si syri i një insekti, gjuha e bletës ose aparati inteligjent i një virusi për të pushtuar një qelizë njerëzore. Në secilin prej këtyre rasteve dhe në gjithçka tjetër që na rrethon, shikojmë se urtësia, planifikimi, fuqia dhe dituria e pabesueshme përfshihen me doemos në mënyrën se si gjërat ekzistojnë dhe mbijetojnë.
Jo vetëm që gjërat rregullohen qëllimisht, por ato gjithashtu janë në bashkëveprim dhe harmoni të madhe dinamike me pjesën tjetër të trupit dhe me speciet e tjera. Një rregullim i tillë është i mundur vetëm përmes një urtësie dhe fuqie gjithëpërfshirëse. Nuk mund të jetë rezultat i qenieve të paditura që veprojnë në mënyrë të papërcaktuar, edhe nëse do të pranonim që një qelizë ose një qenie e gjallë mbart në një farë mënyre një dëshirë të fortë për të mbijetuar (natyrisht, nuk kemi nevojë ta përmendim këtë, sepse edhe vetë prania e një dëshire të dobishme nuk mund të jetë verbërisht e rastësishme).
Përveç mutacioneve gjenetike rastësore, edhe “mjedisi” përdoret gjithashtu si një shpjegim. E megjithatë kushtet mjedisore nuk funksionojnë as në bazë të qëllimit e as në bazë të dijes. E atëherë, si munden ato të jenë përgjegjës për krahun e bletës, radarin zanor të një lakuriq nate, mëlçinë e një qenieje njerëzore, e kështu me radhë? Duke lënë mënjanë shembuj të panumërt e të rëndësishëm, le të marrim një shembull të vogël të thjeshtë; le të shqyrtojmë një rast që përfshin një ndryshim të lehtë mjedisor dhe një ndryshim të lehtë në një organizëm. Qelizat tona të gjakut rriten në numër kur ngjitemi në lartësi. Në lartësi më të mëdha, ka më pak oksigjen dhe për këtë arsye ne kemi nevojë për më shumë ajër të transportuar nga qelizat tona të gjakut. Rritja e rruazave të kuqe të gjakut është pra një veprim i qëllimshëm dhe i kujdesshëm, që kërkon urtësi. Për më tepër, kushdo/çfarëdo që njeh nevojën tonë, është gjithashtu i vetëdijshëm për përbërjen e ajrit dhe mënyrën e përdorimit të tij nga ana e organizmit. Kush është përgjegjës për këtë veprim të kujdesshëm, të qëllimshëm dhe të urtë? A janë të vetëdijshme qelizat e gjakut për nevojat që kemi ne? A dinë ato të dallojnë ndryshimin e kushteve klimatike dhe të përshtaten me ato ndryshime në mënyrë që të përmbushin nevojat tona? A është truri ynë ai që kupton dhe planifikon? A munden ata vërtet të kuptojnë dhe të kujdesen për mirëqenien tonë? A është fare e mundur që të zhvillohet vetvetiu akti i shtimit të qelizave të gjakut, i cili kërkon dije, kujdes, aftësi dhe fuqi gjithëpërfshirëse? Dhe pastaj të transkriptohen rastësisht në përbërjen tonë gjenetike? Si mundet që kjo harmoni midis mjedisit dhe qelizave tona t’i atribuohet mutacioneve të rastësishme apo mjedisit? [Për të mos përmendur pastaj pretendimin se qelizat dhe enët e gjakut (dhe organet e lidhura me to si zemra dhe truri) janë formuar dhe kanë funksionuar si rezultat i rastësisë!] Nëse edhe një ndryshim kaq i vogël nuk mund të llogaritet nga teoria, si mund të shpjegohen organet dhe strukturat kryesore?
Pse ithtarët e teorisë nuk i shohin kontradiktat e saj?
Kur vërejmë thelbin thellësisht të paarsyeshëm të teorisë, disa mund të tronditen dhe të pyesin: A pretendon vërtet teoria se gjërat ndodhin pa ndonjë shkak të qëllimshëm? Përgjigjja është e thjeshtë; po, dhe ne inkurajojmë lexuesin ta verifikojë vetë. Pyetja që pason zakonisht është: duke qenë se rastësia është në qendër të teorisë, pse kaq shumë shkencëtarë e marrin seriozisht teorinë e evolucionit dhe madje e mbrojnë atë? Përgjigja qëndron te qëllimshmëria. Synimi i tyre nuk është vetëm të vëzhgojnë në mënyrë neutrale natyrën dhe të përpiqen ta kuptojnë atë. Qëllimi i tyre është që gjithashtu të gjejnë një alternativë ndaj fesë, diçka tjetër përpos një qenieje të qëllimshme që tejkalon të natyrshmen.
Nëse qëllimi do të ishte thjesht gjetja e shpjegimit më të mirë për të dhënat që kemi, teoria e evolucionit nuk do të kishte mbijetuar. Por qëllimi është i ndryshëm. Synimi është të gjendet një shpjegim me kushtin që të mos lejohet asnjë referencë ndaj ndonjë qenieje inteligjente, të qëllimshme të mbinatyrshme. Me t’u bërë një supozim i tillë, teoria e evolucionit bëhet “opsioni më i mirë”. Është si të vendosësh të shpjegosh një vakt të mrekullueshëm në tryezën e darkës pa i dhënë meritat kuzhinierit që e ka gatuar. Me një paragjykim të tillë, diçka që është e paarsyeshme fillon të shfaqet si mundësia e vetme. Pastaj, për shembull, era që fryn nga dritarja mund të bëhet «shpjegimi më i mirë». Dikush mund të fillojë të spekulojë: “Ndoshta era i ka përzier përbërësit në masa të sakta, ka hapur furrën dhe e ka vendosur në temperaturën e duhur, etj. Ne nuk e dimë saktësisht se si dhe ende po punojmë për detajet…” Në mënyrë të ngjashme, pasi që në krye të herës hidhet poshtë mundësia e një qenieje me njohuri, urtësi, fuqi të pafundme, teoria e evolucionit perceptohet si “e vetmja pikëpamje shkencore/ logjike/ e arsyeshme”. Një spekulim i tillë konsiderohet i arsyeshëm thjesht për shkak të këtij synimi për të mohuar opsionin e një qenieje transhendente.
Megjithatë, nëse shkenca ka të bëjë me të qenit mendjehapur, pse do të supozonim që në fillim se edhe kur gjërat duken qartë se janë bërë me qëllim, ne duhet ta shpërfillim këtë aktualitet dhe t’i rezistojmë me çdo kusht atij? Pas të gjitha paragjykimeve dhe frikërave mund të fshihen përfitime ose arsye personale, por kjo nuk do të thotë se një paragjykim i tillë justifikohet. Shtimi i zhargonit shkencor nuk i bën të arsyeshme pikëpamjet e pajustifikuara. Pra, këshilla jonë për lexuesit është që të jenë kritikë dhe të mendojnë vetë dhe të mos dekurajohen apo frikësohen nga zhargoni shkencor. Nuk nevojitet domosdoshmërisht që të jeni biolog për të vënë në dyshim pretendimin e tij më të dobët.
Shënim mbi natyralizmin metodologjik
Paragjykimi i shkencës moderne kundrejt çdo qenieje të jashtëzakonshme pranohet gjerësisht nga filozofët e shkencës. Termi teknik që i është dhënë këtij supozimi është “natyralizëm metodologjik”. Parë nga disa këndvështrime, ky qëndrim mund të ketë disa përfitime praktike; për shembull, mund të na inkurajojë të shikojmë më nga afër rendin natyror në vend që t’i drejtohemi pikëpamjes së ‘Zotit të boshllëqeve’. Në të vërtetë, mund të jetë e pranueshme që metoda shkencore të kufizohet në shkaqe natyrore. Megjithatë, problemi me shkencën moderne është se ajo përjashton pa dallim jonatyroren/ metafiziken, veçanërisht sa i përket rezultateve: çfarë ndodh kur shkaqet natyrore tregojnë diçka përtej sferës fizike? Këmbëngulja e shkencës moderne për të shmangur çdo referencë për një qenie të qëllimshme përtej natyrës çon në shtrembërim të të dhënave. Teoria e evolucionit është një shembull i përsosur i një shtrembërimi të tillë. Siç e përmbledh një filozof i shkencës, “Nëse ka një zgjedhje midis natyralizmit dhe së vërtetës, [një pikëpamje e tillë] e detyron shkencën të zgjedhë të parën.”
Me t’u kufizuar në lloje të caktuara entitetesh, shkenca nuk mund t’i ndjekë të dhënat kudo që ato të çojnë. Në vend të kësaj, shkenca detyrohet t’i mposhtë të dhënat derisa ato të dalin në një përfundim natyralist.” Kështu, shkenca përfundon duke lënë mënjanë sinjale të rëndësishme për dimensionet “transcendente” të natyrës. Edhe nëse shkenca kufizohet në studimin e shkaqeve natyrore, ajo duhet të mbetet e hapur ndaj mundësisë që rezultati mund të shkojë përtej tyre. Në fund të fundit, nëse ekziston një Krijues, si mundet Ai të mos ketë asnjë ndikim në krijimin e Tij (d.m.th., botën natyrore dhe ‘ligjet’ e saj)? Si justifikohet lënia në hije e Zotit (d.m.th., Krijuesit) kur flitet për botën? Si mund të quhet kjo diçka “objektive”?
Le të kemi parasysh gjithashtu se kur një shkencëtare bën një eksperiment, ajo në të vërtetë po kërkon përgjigje për pyetje të veçanta dhe kryen matjet e saj me përpikmëri. Kjo nuk do të thotë se ato pyetje dhe përgjigje vlejnë për të gjithë ‘realitetin’, pasi ajo që dihet për botën varet nga paradigma e shkencëtares; d.m.th., çfarë ajo percepton dhe çfarë ajo zgjedh të kërkojë, që përcakton mënyrën e veçantë të ekzekutimit të eksperimentit. Kjo është arsyeja pse teoritë e reja shkencore nuk dalin vetëm si produkt i akumulimit të fakteve dhe të dhënave, por edhe si produkt i mënyrave të reja të hulumtimit dhe të perceptimit të botës, siç vuri në dukje teoricieni i shkencës Thomas Kuhn.
Shënim mbi Politikat
Filozofët e shkencës vënë në dukje se një teori shkencore mund të zhvillohet, ndryshohet dhe, si përfundim, edhe mund të braktiset. Kjo vlen edhe për teorinë e evolucionit. Por për arsyet e përmendura më sipër, për fat të keq, në realitet, në dyshimin e teorisë së evolucionit përfshihen shumë faktorë politikë. Në të vërtetë, në përcaktimin, shpjegimin dhe vënien në dyshim të teorisë ndodhin shumë manovrime politike. Teoritë alternative ndaj evolucionit janë censuruar fuqishëm në akademinë perëndimore. Nëse dikush ka ndonjë kritikë ndaj kësaj teorie, është praktikisht e pamundur që ato të publikohen në revista akademike, pavarësisht se sa të forta mund të jenë të dhënat empirike ose se sa e mundshme është hipoteza alternative. Ky është një tregues që kjo teori shkon përtej sferës së ‘shkencores’. Teoria e evolucionit është një dogmë, pasi ajo konsiderohet e pakundërshtueshme dhe mbështetet për arsye ideologjike. Disa shkencëtarë, si ata të Lëvizjes së Krijimit Inteligjent në SHBA, janë përpjekur ta thyejnë një censurë të tillë; megjithatë, duket se kanë rrugë për të bërë.
Përfundim
Problemi kryesor logjik i teorisë së evolucionit është pretendimi i rastësisë dhe i mungesës së synimit: pretendimi se gjërat kanë evoluar nga një çorbë e lashtë kozmike në mënyrë rastësore, dhe nga faktorë si mutacioni dhe kushtet klimatike. Përveç kësaj, zbulimi i miliarda viteve të historisë së tokës është jashtëzakonisht i ndërlikuar. Gjithashtu, kjo detyrë është e destinuar të ngelet e lënë në tentativë dhe e paplotë, duke pasur parasysh sasinë e madhe të të dhënave empirike të humbura dhe hapësirën e madhe kohore. Kurani i lë hapësirë të bollshme kërkimeve shkencore, pasi qëllimi i tij nuk është të na mësojë informacionin teknik, por më tepër të japë mësime thelbësore për të kuptuar botën dhe jetët tona. Na fton t’i kushtojmë vëmendje qëllimit dhe qëllimshmërisë së jetës. Duke pasur në mendje këtë udhëzim, i cili duhet ndjekur jo verbërisht, por me arsyetim dhe reflektim të shëndoshë mbi atë që vëzhgojmë dhe përjetojmë në botë, duhet të jemi kritikë ndaj të gjitha llojeve të interpretimeve subjektive dogmatike të pranishme në diskursin shkencor modern. Vetëm se diçka gjendet në një libër shkollor nuk do të thotë se është domosdoshmërisht shkencore. Muslimanët duhet të jenë të gatshëm t’i përgjigjen një pyetjeje dhe rikonceptimi të tillë të teorisë. Së fundi, sfida për besimtarët në ditët e sotme nuk ka të bëjë me teorinë e evolucionit; përkundrazi, ka të bëjë me zhvillimin e një shkence që është e ndershme, e hapur, frytdhënëse dhe e dobishme. Ne kemi nevojë për një shkencë që na lejon të zbulojmë dhe kremtojmë urtësinë, diversitetin, kreativitetin dhe bukurinë që reflektohet vazhdimisht në krijim. Pra, ne kemi nevojë për një ndryshim paradigmatik në qasjen tonë për të kuptuar jetën, botën dhe vendin që na takon në të. Do të donim ta përmbyllnim esenë tonë me këtë shënim, duke shtuar më poshtë edhe një seksion për të dhënë një shembull se si mund të duket një ndryshim i tillë.
Shtojcë: Reflektime nga një biolog i trajnuar në qasjen kur’anore nga Dr. Ilhan Akan
Në mbyllje, dëshirojmë të ndajmë disa reflektime mbi faktet biologjike nga një këndvështrim Kur’anor. Dr. Ilhan Akan është një biolog me studime doktorale në biologjinë molekulare dhe qasja ndaj punës së tij shkencore e të cilit është transformuar përmes studimit kuranor. Po e përfshijmë reflektimin e tij të shkurtër thjesht si një shembull për mënyrën si një biolog mund të vërë në dyshim pretendimet e pabaza të teorisë së evolucionit. Më e rëndësishmja, ne do të donim të jepnim një ide se si, të frymëzuar nga një kuptim i thellë Kur’anor, mund të fillojmë të lexojmë librin e universit, duke parë se si ai tregon për Krijuesin. Duke përfshirë këtë seksion, ne duam të tregojmë që, të dhënat që po keqinterpretohen ose injorohen në perspektivën aktuale të biologjisë evolucionare, është e mundur të interpretohen në mënyrë tjetër (dhe shumë më të arsyeshme). Në vijim paraqiten reflektimet e Dr. Akan:
Teoria në biologji dhe teoria në fizikë janë dy gjëra të ndryshme dhe, qartësisht, teoria evolucionare nuk ka të njëjtin status si një teoremë fizike. Teoria e evolucionit ende kërkon një studim të konsiderueshëm; asgjë nuk është provuar apo hedhur poshtë. Një problem i madh në ditët e sotme përbën fakti se nuk ka asnjë pikëpamje kundërshtuese të lejuar në shkencën biologjike në akademinë perëndimore. Askush nuk mund të publikojë asgjë kundër evolucionit. Do të refuzohej nga çdo revistë shkencore. Kjo është arsyeja se përse duket se çdo studim shkencor i botuar mbështet evolucionin.
Ekziston nevoja për një ndryshim paradigme në biologji. Ndërkohë, ekzistojnë disa shembuj që më bëjnë të vë në dyshim teorinë e evolucionit dhe që unë, si biolog, do të doja t’i ndaja me lexuesin.
- Mbijetesa e më të fortit
Po t’i përmbahemi konceptit të “mbijetesës së më të fortit”, i cili është një aspekt thelbësor i teorisë së evolucionit, atëherë duhet të ekzistojnë një pafundësi fosilesh të organizmave me mutacione të pasuksesshme. Megjithatë, nuk i kemi gjetur! Çuditërisht, të gjitha fosilet që gjejmë janë ato të organizmave të suksesshëm. Ky fakt vë në dyshim teorinë.
Është interesante se si ajo që mendohet të jetë një luftë e armatosur midis specieve është në fakt një bashkëveprim ku çdo organizëm i gjallë ndihmon tjetrin, dhe ku të gjithë janë krijuar për të qenë të varur nga njëri-tjetri. Rezultatet e studimeve gjenetike të popullsisë konfirmojnë faktin se çdo specie është e varur nga të tjerat. E thënë ndryshe, është e pamundur që një ekosistem që përbëhet nga vetëm një lloj organizmi të mund të ekzistojë. Bimët kanë nevojë për kafshë, kafshët kanë nevojë për kafshë të tjera, kafshët kanë nevojë për bimë, të gjitha kanë nevojë për baktere dhe kërpudha, etj. Megjithatë, evolucionistët pohojnë se ndërvarësitë në një ekosistem vijnë si pasojë e vështirësive evolucionare. Megjithatë, kurrë nuk është vënë në dyshim natyra e këtyre peripecive, origjina e këtyre kufizimeve e as arsyeja se përse evolucioni nuk mundi t’i kapërcejë ato. Nëse dikush do të studionte detajet e një të ashtuquajturi “ekosistem”, do të zbulonte se ekosistemi përbëhet nga shuma e organizmave brenda tij. Kush i rregullon këto forca? Nëse çdo organizëm në ekosistem është pjesë e ekosistemit, cila është forca shtytëse që qëndron pas këtij sistemi të suksesshëm? Për të shpjeguar këto fakte të fuqishme, një evolucionist shpesh i referohet ekosistemit në këtë mënyrë: “gjithçka brenda një sistemi biologjik vepron brenda kufijve të ekosistemit”. Pyetja e madhe këtu është, pse ndodh gjithë kjo harmoni: si mund të dinë këta organizma të thjeshtë çfarë të bëjnë dhe çfarë jo?
Në teorinë e evolucionit, argumenti i ekosistemit supozon se në çdo organizëm kanë ndodhur mutacione rastësore dhe disa janë përshtatur me mjedisin më shumë se disa të tjerë. Sipas tyre, kjo është arsyeja që shpjegon diversitetin e organizmave. Megjithatë, sipas kohës evolucionare, ky probabilitet është i pamundur. Duke iu referuar çdo ngjarjeje me “u deshën miliona vjet për ta bërë këtë”, një evolucionist pret që ne të besojmë (!) se të gjithë organizmat e pasuksesshëm janë eliminuar gjatë miliona viteve. Edhe miliarda vjet nuk janë të mjaftueshme për të shpjeguar diversitetin në format e jetës. Për shembull, nuk ka asnjë shpjegim për rritjen e numrit të specieve gjatë “shpërthimit parakambrian”.
Këtu mund të zbatohet një ndryshim paradigme. Duke i shqyrtuar të gjitha këto ngjarje, mund mund të arrijmë lehtësisht në përfundimin se duhet patjetër të ketë një Krijues dhe Ruajtës të Gjithëditur, që kontrollon çdo aspekt të jetës. Ky besim nuk ka pse të na ndalojë që të studiojmë më shumë mbi jetën dhe natyrën; përkundrazi, ai e bën njeriun të dëshirojë të mësojë gjithnjë e më shumë mbi detajet e të gjitha marrëdhënieve të ndërlikuara midis organizmave. Kjo merr kuptim vetëm nëse besojmë se të gjitha ndryshimet që rrethojnë jetën udhëhiqen nga Ai që krijon dhe kujdeset për gjithçka. I ashtuquajturi “proces i evolucionit” është, në fakt, një proces që ndodh falë një Rregulluesi të Urtë, të Ditur dhe të Fuqishëm. Për një Krijues të tillë, ndryshimi i një gjëje në një tjetër është thjesht transformim i grimcave nga një formë në tjetrën. Kjo është edhe arsyeja pse organizmat e gjallë kanë ngjashmëri. Ne të gjithë kemi ADN, të gjithë kemi qeliza, të gjithë kemi nevojë për oksigjen, ujë etj sepse të gjithë jemi krijuar nga i njëjti Krijues dhe të gjithë mbajmë “vulën” e Tij.
- Pse më Rreh Zemra? “Paktet” dhe “Rregullat” Ironike të Evolucionit
Sipas teorisë, evolucioni “kërkon” që organizmat më të lartë dhe më të ndërlikuar të zhvillojnë mekanizma që janë të favorshme për mbijetesën e tyre. Le të marrim, për shembull, zemrën. Qelizat e zemrës nuk kërkojnë ndërhyrje të jashtme për të punuar; ato thjesht punojnë! Zemra gjithashtu mund të ndalojë papritur. Nëse evolucioni do t’i shtynte gjërat të përmirësoheshin, ne duhet të kishim fituar kontroll të vullnetshëm mbi proceset autonome si rrahja e zemrës, por nuk kemi arritur ta bëjmë këtë. Në lidhje me këtë fakt, një evolucionist mund të thotë se “Evolucioni nuk na lejon të ngatërrohemi me rrahjet e zemrës”, ose “Evolucioni ka kompromiset e veta”. A është kjo deklaratë vërtet shkencore? Çfarë nënkuptohet këtu me fjalën evolucion? Një evolucionist shpesh flet për evolucionin sikur të ishte një qenie e vetëdijshme që ka fuqi dhe mençuri, megjithëse teoria, në fakt, mohon ekzistencën e një qenieje të tillë. Deklarata të tilla kontradiktore dhe ironike nuk janë të rralla mes përkrahësve të diskursit evolucionar.
- Kush e tret ushqimin tim? Sfida e vetëflijimit dhe ndërvarësisë
Ne fillojmë të përtypim ushqimin tonë dhe më pas nuk kemi më kontroll mbi pjesën tjetër të tretjes së tij. Sistemi ynë tretës duket sikur vepron i pavarur dhe prodhon acid që rezulton në vdekjen e mijëra qelizave që rreshtohen në traktin tretës. Kush është përgjegjës për këtë veprim që ndihmon trupin e njeriut? Nëse çdo qenie e gjallë punon për vete, pse këto qeliza do të vrisnin veten për të mundësuar prodhimin e energjisë së nevojshme për organizmin tonë? Ky fakt mund të kishte kuptim vetëm nëse qelizat e aparatit tretës punojnë nën komandën e një qenieje që i krijon dhe që i përdor për hir të nevojave njerëzore. Në të kundërt, nëse evolucioni do të ishte mekanizmi i nevojshëm për të mbijetuar, siç pretendon këndvështrimi evolucionist, përse gjatë procesit përmes të cilit përftojmë energji nga lëndët ushqyese vdesin kaq shumë qeliza? Pse çdo qelizë në një organizëm shumëqelizor vepron në dobi të organizmit në tërësi dhe jo në dobi të vetvetes? Teoria e evolucionit dështon qartazi në shpjegimin që i bën veprimeve të qëllimshme që sjellin përfitime për “të mirën më të madhe”.
Le të vazhdojmë me shembullin e tretjes. Asnjë kafshë me aparat tretës (d.m.th., me zorrë) nuk mund të mbijetojë pa praninë e baktereve në zorrët e tyre. Kjo aktualisht njihet si mikrobiomë. Për shembull, nëse kjo popullatë bakteresh shkatërrohet si pasojë e ndonjë sëmundjeje apo e përdorimit të antibiotikëve, do të kemi shfaqje të diarresë, e cila mund të jetë vdekjeprurëse nëse këto baktere nuk zëvendësohen brenda një periudhe kohore të caktuar. Flora bakteriale e zorrëve është gjithashtu e nevojshme për zhvillim. Është i çuditshëm fakti që jemi të varur nga organizma, të cilat janë shumë prapa nesh në evolucion. Përse jemi të varur nga këto organizma? Një shembull specifik që më vjen në mendje për të metat e teorisë është rasti i Vitaminës B12, e cila prodhohet nga bakteret e zorrës sonë. Mungesa e B12 ndikon në funksionin e trurit dhe sistemit tonë nervor. Nga ana evolucionare, ky ndërveprim do të cilësohej thjesht “bashkëjetesë simbiotike” dhe do të anashkalohej. Megjithatë, nëse reflektoni mbi të nga një këndvështrim evolucionar, nuk ka logjikë që një organizëm shumëqelizor si njeriu të jetë i varur nga bakteret për të krijuar një molekulë kaq të rëndësishme.
- Viruset: Një problem i madh për evolucionin
Viruset përbëjnë gjithashtu një problem të madh për evolucionin. Nëse ato janë një formë e lashtë e jetës, përse shumimi viral varet nga bartësit e tyre, njerëzit? Për më tepër, përse ne ende nuk kemi krijuar rezistencë ndaj viruseve përgjatë rrjedhës së evolucionit tonë dhe presioneve të jashtëzakonshme të përzgjedhjes në favor të tij? Evolucionistët shpesh përgjigjen: “Evolucioni nuk është i përsosur, ti fiton diçka, por duhet të humbasësh diçka tjetër”. Ky shpjegim është një tjetër mospërputhje e teorisë; si mundet një organizëm të dijë se çfarë do t’i duhet në të ardhmen dhe të përgatitet për të duke bërë pakte të tilla?
- Nënat Sfidojnë Teorinë
Në teorinë evolucioniste nuk ekziston asnjë argument që shpjegon përkujdesjen e një nëne për foshnjat e saj. Evolucionistët pretendojnë se kafshët kujdesen për të vegjlit e tyre në mënyrë që të sigurojnë mbijetesën e species. Ky është një shpjegim i çuditshëm, për ta thënë butë. Për ç’arsye një kafshë mëmë do të sakrifikonte veten për një kafshë të re dhe të pambrojtur? Nëse këndvështrimi evolucionist është i vërtetë, atëherë një nënë nuk ka përse të sakrifikojë veten për foshnjat e saj, pasi ajo ka mundësinë për të bërë edhe fëmijë të tjerë. Siç mund të kuptohet, teoria e evolucionit nuk arrin të japë shpjegime për aktet e dhembshurisë që shohim me sytë tanë.
- Gjethet e Bukura: Format dhe Bukuria si problem për evolucionin
Në pranverë, ne shohim pemë të ndryshme që kanë gjethe nga më të shumëllojshmet. Nëse qëllimi i evolucionit të gjetheve është vetëm kryerja e fotosintezës, përse ekzistojnë kaq shumë forma të larmishme gjethesh? Kështu, pra, teoria e evolucionit nuk arrin dot t’i japë shpjegim diversitetit përmes argumentit të saj të thjeshtësuar të funksionalitetit. Me sa shihet, ajo nuk ia del të shpjegojë bukurinë e krijimit. Unë do ta interpretoja diversitetin në botë dhe bukurinë e tij si shenja të qarta të Atij që qëndron në prapaskenë dhe që përmes Veprës së Tij të Artit, na zbulon bukurinë, artin dhe dashurinë e Tij.
- Mollët: Një shembull tjetër i ndërvarësisë dhe bashkëveprimit në natyrë
Duke ju kursyer të gjitha detajet specifike të punëve në laboratorin tim, mund t’ju them se nga të dhënat që kam pikasur në vitet e mia të studimit shkencor, personalisht kam dalë në përfundimin se asgjë në univers nuk është e rastësishme. Si mund të pranoj një teori evolucioni të bazuar në rastësi kur gjatë gjithë kohës shoh të kundërtën e saj? Për të dhënë një shembull tjetër, siç e dimë të gjithë, një pemë molle prodhon mollë, brenda të cilave ka fara. Para së gjithash, pema duhet të dijë se kur të fillojë të lulëzojë, domethënë duhet të dallojë periudhën e pranverës, verës dhe vjeshtës ose dimrit. Përpos kësaj, kjo do të thotë gjithashtu se pema e di paraprakisht se insektet, si p.sh. bletët, do të vijnë për të pirë nektarin nga lulet e saj, dhe në këtë mënyrë, poleni i saj mund të fekondohet. Pema e mollës duhet të vendosë që të bëjë nektar. Pas kësaj, pema e mollës duhet të dijë se ka nevojë për kafshë, si zogjtë, për të shpërndarë farat e saj. Duhet të mbulojë farat me një mollë të shijshme për të joshur këto kafshë. Për t’i bërë të gjitha këto të ndodhin, pema e mollës duhet të dijë se çfarë të marrë nga toka, ta dërgojë te gjethet e saj, në të cilat të prodhojë sheqerna, që më pas t’i depozitojë brenda mollëve. Kjo nuk është diçka aspak e vogël dhe kërkon njohuri gjithëpërfshirëse dhe urtësi mbresëlënëse; nuk mund të jetë thjesht rezultat i proceseve të rastësishme. Vetëm një vështrim i thjeshtë mbi një pemë molle tregon se sa i pamundur është me të vërtetë pretendimi i evolucionit mbi rastësinë. Ka shumë më tepër kuptim t’ia atribuojmë pemën e mollës, tokën, ujin, diellin, zogjtë etj., Një Krijuesi që i krijon të gjitha, i njeh të gjitha dhe i vendos në shërbim të njëra-tjetrës. Thënë kjo, dielli është nën shërbimin e pemës së mollës, dheu e furnizon atë, vetë pema e mollës u shërben zogjve, zogjtë shpërndajnë farat e saj, etj.
- ADN-ja
Një ndër argumentet më madhore që u përdor nga evolucionistët ishte se pjesa më e madhe e ADN-së sonë është mbeturinë dhe përbëhet veçse nga grumbuj ADN-sh të lashta virale. Megjithatë, sot po mësojmë se shumica e këtij rajoni përmban molekula që kontrollojnë shprehjen e gjeneve ose marrin pjesë në funksionet arkitekturore të kromozomit. Në fakt, rregullimi i shprehjes së gjenit është i organizuar në mënyrë kaq të ndërlikuar sa po bëhet gjithnjë e më e pamundur të besohet në ekzistencën rastësore të të gjithë këtij sistemi. ADN-ja shërben si model për ARN-në, e cila më pas përdoret për të gjeneruar proteina. ARN-ja dhe proteinat kthehen sërish pas për të rregulluar ADN-në. Pra ekzistojnë shumë hallka në zinxhirin e rregullimit dhe kontrollimit të AND-së. Të gjitha këto zbulime të reja hapën shtegun për fusha të reja kërkimore, si epigjenetika, mikroARN-të, izoluesit e gjenomës, etj. Ndryshe nga argumentet evolucioniste, sa më shumë të mësojmë për biologjinë aq më shumë është e pamundur të mohohet një Krijues i qëllimshëm dhe i ditur.
- Ne jemi të destinuar të vdesim
Në fakt, vetë AND-ja jonë bie ndesh me evolucioni. Pjesët përfundimtare të kromozomeve quhen telomere. Ato janë sekuenca të përsëritura të ADN-së. Këto sekuenca janë më të gjata kur lindim dhe shkurtohen pas çdo ndarjeje qelizore. Për shembull, ne e nisim jetën me 100 përsëritje telomerësh dhe ndërsa rritemi numri i përsëritjeve bie në 60, 50, 40 dhe përfundimisht shkon në zero me kalimin e moshës. Me fjalë të tjera, me të lindur, ne nisim procesin e plakjes. Parandalimi i shkurtimit të telomereve është shenjë dalluese e qelizave kancerogjene. Pra, është e qartë se ne jemi të destinuar të vdesim. Megjithatë, nëse evolucioni është mënyra për t’u përmirësuar, përse ADN-ja jonë duhet të ketë një program të tillë që planifikon vdekjen? Nëse ADN-ja ka evoluar për mbijetesë më të mirë, përse nuk mund të jetojmë për qindra vjet si bimët dhe përse plakemi? Për mua, ky fakt ka kuptim vetëm nëse hedhim poshtë hipotezën e rastësisë dhe konfirmojmë pikëpamjen Kur’anore, e cila thotë që ne jemi krijuar nga Një Krijues, i cili na ka krijuar në një mënyrë që të mos qëndrojmë në këtë botë përgjithmonë.
- Kromozomi Y
Kromozomi Y është i pranishëm vetëm te meshkujt. Njerëzit kanë 46 kromozome dhe 2 prej tyre janë kromozome seksuale. Nëse çifti i kromozomeve seksuale është XX, atëherë është vajzë, nëse është XY, atëherë është djalë. Midis kromozomeve të çiftëzuara ekziston një ngjarje e quajtur kryqëzim. Nëpërmjet këtij procesi, disa nga tiparet tona i ngjasojnë atyre të nënës dhe të tjera atyre të babait. Për shembull, në rastin tonë, nëse vajza ka 2 kromozome X, një vjen nga nëna e saj dhe një nga babai i saj. Këto dy kromozome X do të shkëmbejnë mes njëri-tjetrit disa gjene. Në fund, kromozomi X është një përzierje e materialit kromozomik nga nëna dhe babai i saj. Nga ana tjetër, kromozomi Y nuk është çift, kështu që përbërja e tij nuk ndryshon. Në këtë mënyrë, ai mund të përdoret për të gjurmuar pemët biologjike të popullatave njerëzore. Analiza e kromozomit Y sugjeron se i gjithë njerëzimi erdhi nga një njeri i vetëm.
Besimi aktual është se të gjithë njerëzit kanë ardhur nga një paraardhës i vetëm i njeriut, i cili ka emigruar nga Afrika. (Kam dëgjuar madje një biolog evolucionist të spekulojë se ka shumë të ngjarë që një burrë ka udhëtuar nëpër botë dhe ka pasur fëmijë me gra të ndryshme anembanë botës!) A nuk është shumë më e lehtë të pranosh që i gjithë njerëzimi erdhi nga Ademi? Pse është kaq e vështirë të besohet se një Krijues që krijon dhe përkujdeset për gjithçka që ne shohim, krijoi gjithashtu Ademin?
Përmbledhje:
Me sa kuptoj unë, si një shkencëtar i trajnuar në biologjinë moderne, vetë teoria e evolucionit bazohet totalisht në një rastësi, ku nuk pranohet asnjë agjent i qëllimshëm. Zoti është i përfshirë në çdo moment të jetës sonë. Ai krijon, mbron dhe ndryshon të gjitha qeniet në çdo kohë. Nuk mund të thuhet “Unë e pranoj evolucionin, por besoj gjithashtu se në disa prej hallkave të tij është i përfshirë edhe Zoti.” Meqenëse teoria e evolucionit insiston se nuk ekziston kurrfarë përfshirjeje hyjnore ose e qëllimshme, përpjekja për ta bërë Zotin pjesë të teorisë është e pakuptimtë. Ai që beson si në Zot, ashtu edhe në teorinë e evolucionit, beson gjithashtu se Zoti luajti rol vetëm në fillesat e krijimit (rreth 5 miliardë vite më parë) dhe më pas, “forcat evolucionare” të paqëllimshme i dhanë drejtim jetës deri në format, në të cilat ajo ekziston në ditët e sotme. Argumente të tilla keqkuptojnë teorinë e evolucionit dhe keqinterpretojnë arsyeshmërinë e pikëpamjes kuranore.
Mund të arrihet lehtësisht në përfundimin se jeta është shumë më e ndërlikuar dhe nuk mund të thjeshtëzohet në “forca evolucionare” të rastësishme dhe të paqëllimshme. Kur’ani na mëson se asgjë nuk mund të ndodhë pa vullnetin e Zotit. Sa më shumë të mësojmë për jetën, aq më e lehtë është të vërtetohet shprehja La ilahe illlah: Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Zotit.
Autori: Dr. Yamina Bouguenaya dhe Dr. Isra Yazicioglu