Hulumtime MINBER

Si u pajtuan sufinjtë me dijetarët e hadithit, u bënë nxënës të ibn Tejmijes, el Dhehebi veshi hërkan, dhe shejhu i hanbelinjve në Bagdad themeloi tarikatin më të madh sufist?

Home » Si u pajtuan sufinjtë me dijetarët e hadithit, u bënë nxënës të ibn Tejmijes, el Dhehebi veshi hërkan, dhe shejhu i hanbelinjve në Bagdad themeloi tarikatin më të madh sufist?

 Veshje e leshtë e përdorur nga sufinjtë, për të treguar përkatësinë e tyre ndaj një shejhu ose një tarikati të caktuar. (Shënim i përkthyesit)

Sufizmi në Islam nuk ka qenë një ide e importuar apo një mysafir i huaj i ardhur nga vende të largëta. Përkundrazi, ai ka qenë pjesë e thelbit të Islamit dhe një zgjatim i kuptimeve të asketizmit dhe devotshmërisë – në konceptin e tyre pozitiv fetar të veprimtarisë dhe ekuilibrit në shpirt dhe substancë – që Islami e ka dëshmuar që nga periudha mekase. Prandaj dijetarët e fikhut dhe hadithit nuk e kanë refuzuar atë, siç mund të pretendojnë disa, për shkak të disa kritikave të tyre ndaj disa thënieve dhe veprimeve të caktuara, të cilat ju atribuohen sufinjve. Sepse kjo kritikë nuk nënkupton largimin dhe përjashtimin e sufinjve.

E vërteta është se kritika e dijetarëve për orientimet e Sufizmit ka qenë pjesë e një procesi të gjatë reformimi që ka tentuar të rafinojë metodat sufiste dhe më pas t’i integrojë ato në rrugën e prirjes së përgjithshme, veçanërisht brenda Islamit Sunit. Ky proces reformash ka qenë shumë i gjatë dhe kompleks, për shkak se përgatitja e një skeme historike për të ndjekur vazhdimësinë e tij përbën një vështirësi të konsiderueshme për ata që studiojnë historinë e ideve, grupeve dhe fenomeneve kulturore shoqërore, veçanërisht nëse ky rrugëtim tenton të monitorojë reagimet e të tre grupeve ndaj këtij procesi reformimi (sufinjtë, dijetarët e fikhut dhe ata të hadithit) ndaj sfidave të këtij procesi dhe kontributit të tyre në të. 

Ideja që trajton ky artikull – duke u mbështetur në citime dhe fakte – është një përpjekje për të monitoruar sesi të tre drejtimet kanë mundur t’i shndërrojnë dallimet mes tyre në një koalicion të ngushtë, të mishëruar në imamët e mëdhenj që i kanë kombinuar ato në personalitetin dhe veprat e tyre. Kështu, ata kanë reformuar dhe korrigjuar pikëpamjet e secilit grup ndaj dy grupeve të tjera, duke u mbështetur në thëniet e imamëve të hadithit në rekomandimin e prirjes origjinale të Sufizmit. Gjithashtu ia kanë arritur të argumentojnë se nuk ka pasur ndonjë armiqësi midis grupeve – në vijën e moderuar midis të dyja – që nga fillimi i Islamit e deri më sot, dhe se ai bashkëpunim e proces i studimit të hadithit tezkijes dhe fikhut ka mbetur tipari dominues i të gjithëve.

Diskutimet shkencore midis tre palëve kanë qenë pjesë e një qasjeje të rrënjosur thellë në trashëgiminë islame dhe trashëgiminë civilizuese të umetit në menaxhimin e dallimeve intelektuale dhe të sjelljes, gjë që na shtyn sot të hulumtojmë mbi këta precedentë metodologjikë dhe historikë për të frymëzuar unifikimin e mospërputhjeve në arenën shkencore dhe reformiste sot. 

Rrugëtim kumulativ

Çdo nismë për të reformuar një ide të caktuar duhet të fillojë nga vështrimi i origjinës dhe rrugëtimit të saj, si dhe ri vizatimi i pranisë së saj në kujtesë. Si e kanë parë historikisht dijetarët e fikhut dhe hadithit kristalizimin e sufizmit në aspektin historik dhe si i kanë ndarë në mënyrë sistematike fazat dhe modelet e tij?

Imam Ibn Tejmije (vd. 728 hixhri/1328 e.r.) na ofron një tekst të vlefshëm që na ndihmon – megjithëse përafërsisht – në vizatimin e kurbës kohore për periodizimin e brezave sufi që nga fundi i shekullit të dytë hixhri/shekulli i tetë e.r.. Atë e gjejmë duke thënë në librin e tij Safidiah: “Shejhlerët e mëdhenj – të cilët i ka përmendur Ebu Abdurrahman El Sulemi (vd. 412 hixhri/1023 e.r.) në Tabakat El Sufijah dhe Ebu El Kasim El Kushejri (vd. 465 hixhri/1074 e.r.) në El Risale – ishin ndjekës të doktrinës Islamit sunit dhe asaj të dijetarëve të hadithit, si El Fadil Bin Ijad (vd. 187 hixhri/803 e.r.), El Xhunejd Bin Muhamed El Bagdadi (vd. 297 hixhri/910 e.r.), Sehl Bin Abdullah El Tustari (vd. 283 hixhri/896 e.r.), Amr Bin Osman El Meki (ndërroi jetë pas vitit 300 hixhri/912 e.r.) dhe Ebu Abdullah Muhamed Bin Hafif El Shirazi (vd. 371 hixhri/ 982 e.r.) dhe të tjerë, dhe fjalët e tyre gjenden në veprat e sunetit, mbi të cilin ata kanë bazuar veprat e tyre. 

Ibn Tejmije i shton një dimension tjetër metodës së tij të induksionit të dinamikës së Sufizmit në Islam. Ky dimension personifikohet në ndarjen metodologjike, së cilës iu nënshtrua sistemi i sufizmit, si qasjet e tjera njohëse dhe të sjelljes, ku Imami shpërndan personalitetet e sufizmit në grupime, të cilat dominohen nga metoda të caktuara shkencore sipas kontekstit të çdo epoke dhe çdo grupi, dhe sipas gjendjes së zhvillimit të këtyre metodave dhe mbizotërimit të tyre në arenën shkencore islame, duke përfshirë metodën e “sufizmit të Dijetarëve të hadithit” siç shprehet ai: “Por disa nga të mëvonshmit (sufinjtë) ishte ndjekës të dijetarëve të akaidit në disa çështje të besim. Asnjë prej tyre nuk ishte ndjekës i doktrinës së filozofëve. Ndjekja e filozofisë u shfaq te sufinjtë e mëvonshëm. Kështu, sufinjtë nganjëherë u kthyen në rrymë ndjekëse të dijetarëve të hadithit, të cilët ishte më të mirët dhe më të përgatiturit, ndonjëherë tjetër u bënë ndjekës të dijetarëve të akaidit. Ata vinin pas dijetarëve të hadithit. Ndërsa ndonjëherë tjetër ndiqnin besimin e filozofëve.”

Imam El Dhehebi (vd. 748 hixhri/1348 e.r.) bazohet në induksionin periodik të Ibn Tejmijes për të shpjeguar ndarjen e marrëdhënies së dytë midis dy kampeve të dijetarëve të fikhut dhe hadithit, mirëkuptimi i të cilave u lejoi atyre të përthithnin fenomenin sufi dhe ta integronin atë në teksturën e përgjithshme të “Ehli Sunetit dhe Xhematit”. Ne konstatojmë se El Dhehebi ka monitoruar dhe përshkruar më së miri gjendjen e arenës shkencore deri në fillim të shek. IV hixhri/X e.r.. Vlera e këtij përshkrimi fshihet në faktin se ai na pasqyron natyrën e terrenit mbi të cilin është formuar takimi i dijetarëve të umetit nga disiplina të ndryshme.

Në veprën e tij Sijer Alam El Nubela, ai përmend ​​një grup imamësh që kanë ndërthurur midis shkencave të fikhut dhe hadithin, dhe më pas shprehet: “Dijetarët e hadithit në atë kohë ishin imamë që njihnin edhe shkencën e fikhut. Nga ana tjetër, edhe dijetarët e fikhut e zotëronin shkencën e hadithit. Ndërsa sot (Bëhet fjalë për shek. VIII hixhri/XIV e.r.) studiuesi i hadithit mjaftohet me studimin e fushës së tij dhe nuk merret me studimin e fikhut. Po kështu edhe studiuesi i fikhut është i kapur pas shkencës së fikhut, nuk e njeh shkencës e hadithit dhe as e kupton atë.”   

Para Ibn Tejmijes dhe El Dhehebi, Imam El Hafidh Ebu Naim El Asbahani El Shafi’i (vd. 430 hixhri/ 1040 e.r.) na paraqet në Hiljet El Eulija një pasqyrë të rëndësishme që ndihmon në plotësimin e konceptimit të skemës historike të reformimit të Sufizmit dhe shtrimit të fillesave – në mënyrë retroaktive – deri te epoka e sahabëve të Ehli Suffe**, duke e bërë Sufizmin një doktrinë që ka pasur ndjekës në mënyrë të vazhdueshme nga sahabët deri tek ata që ai i quan “Të parët e brezave të hershme” dhe duke refuzuar personat e infiltruar brenda Sufizmit ose të që njihet si doktrina “e sufistëve të torollakë dhe injorantë”, siç thotë edhe ai.

Mbi këtë çështje ai shprehet: “Ne i kemi trajtuar ata që Shejh Ebu Abdurrahman El Sulemi i ka përmendur në Tabakat El Sufije dhe ia ka atribuuar ata Ehli Suffe. Ai është një prej atyre që e kemi takuar, dhe prej atyre që janë tejet të kujdesshëm në prezantimin dhe përsosjen e doktrinës së sufinjve, sipas metodës së shpjeguar prej figurave të brezave të hershme. [Ai] imiton motivet e tyre; i përmbahet rrugës së tyre; ndjek hapat e tyre; distancohen nga ato që kanë thënë torollakët dhe injorantët e kësaj doktrine dhe i mohon ata. Sepse, sipas tij, në të vërtet kjo doktrinë ka ndjekur atë që ka komunikuar, ka ligjëruar dhe ka përcaktuar Profeti (a.s.), dhe pas tij [njerëzit] model prej dijetarëve të sufinjve, transmetuesit e haditheve dhe dijetarëve eminentë të shkencës së fikhut. [Më pas kemi, kemi trajtuar] atë që ka përmendur Shkëlqesia e tij Ebu Said Ibn El Arabi El Basri (vd. 340 hixhri/ 951 e.r.), i cili ka qenë një nga transmetuesit sufi më të shquar të hadithit, me një sërë veprash të shquara mbi jetën dhe veprimtarinë e dijetarëve sufinj, ndërkohë që ka nisur të shkruajë Tabakat El Nusak.

Si përfundim këtu, një nga detyrat e reformës ishte të përcaktojë rrjedhën e mendimit sufi dhe marrëdhëniet e tij me sistemin ligjor të Islamit. kjo është ajo u përpoqën të bënin tre imamët e sipër përmendur; ku ata nuk e kanë parë sufizmin si një lëvizje të importuar, të huaj, por më tepër si pjesë të sistemit autentik islam, edhe nëse duket se ka pasur disi ndërhyrjen. Ata janë të mendimit se sufizmi ka të njëjtin burim me sistemin islam, edhe pse ai ka humbur qartësinë e tij, ashtu siç ka ndodhur edhe me shkencat dhe dijet e tjera fetare. 

 

Faktorë të ndryshëm

E vërteta është se sufizmi nuk ka mundur si pjesë e modelit të përgjithshëm të kristalizimit të sistemit juridik fetar në shekujt e parë. Këtu mund të theksojmë, ndonëse me njëfarë vlerësimi, se me dominimin e shkencës së transmetimit të hadithit që nga epoka e sahabëve deri në shek. III hixhri/IX të erës sonë, me shfaqjen e shkollave e jurisprudencës që nga fundi i shekullit të dytë hixhri, dhe më pas qëndrueshmëria që fituan këto shkolla – duke filluar nga shekulli i katërt hixhri – në formën e saj që vazhdoi edhe më pas; lëvizja e asketizmit dhe purifikimit, që janë edhe rrënjët e sufizmit, ka qenë në thelb të lëvizjes juridike fetare dhe e ndërlidhur me të, veçanërisht me shfaqjen e imamëve që ndërthurën misticizmin me transmetimin e hadithit dhe fikhut, siç janë ata i përmendi Ibn Tejmije. Madje, ishte bashkëpunimi dhe konvergjenca e tre grupeve që përgatiti kushtet e nevojshme për përfundimin e procesit të reformimit, thelbi i të cilit dhe është kthimi te përftimi i dijeve nga një burim i vetëm, ashtu siç ka qenë në fillimet e tij.

Në plotësim të strukturës së monitorimit historik, ne shohim se me ardhjen e shek. V hixhri/XI të erës sonë, në të cilin ndalon periodizimi i Ibn Tjemijes për brezat sufinj të “rekomanduar” sipas ndërhyrjeve të tij, shfaqet një grup prej atyre që mund të quheshin “sufinj prej dijetarëve të fikhut”,​​duke filluar nga El Kushejri dhe Shejhun e Islamit El Haraui (vd. 481 hixhri/1088 e.r.) dhe duke përfunduar me El Gazali (vd. 505 hixhri/ 1111 e.r.), të cilët kanë përpjekur të bashkojnë rrugëtimin e tyre me sufinjtë dhe të gjejnë një pikë të përbashkët. Ata u pasur nga një grup tjetër prej dijetarëve të hadithit që ndërthurën praktikën e edukimit sufi dhe predikimit me studimin e teksteve dhe zinxhirëve të transmetimit të hadithit, si dy imamët El Sulemi dhe El Kushejri.

Më pas, në shek. VI hixhri/XII e.r., u përforcua edhe fenomeni i “sufinjve prej dijetarëve të hadithit” me imamë si Shejh Abdulkadir El Xheili/ El Xhilani El Hanbali (vd. 561 hixhri/ 1166 e.r.) dhe Ebu Tahir El Silefi (vd. 576 hixhri/1180 e.r.). Ne gjejmë me dhjetëra figura prej të cilëve librat e biografisë dhe historisë i përshkruajnë fjalë për fjalë si “sufi dhe dijetar i hadithit” ose “dijetari i hadithit sufi”. Pikërisht prej tyre Imam Ibn Tejmije ka krijuar një grup që i e emërtuar “Sufinjtë prej dijetarëve të hadithit”. Më pas, në këtë emërtim ai u ndoq nga Ibn Rexheb El Hanbeli (vd. 795 hixhri/ 1393 e.r.) në Dhejlu Tabakati El Hanabile, kur ai i quajti ata “sufinjtë mes dijetarëve të hadithit”.

Në këtë shekull gjithashtu u shfaqën figura të njohura të asketizmit, të cilët e thelluan këtë rrugë duke shtuar një dimension të tretë, përveç njohjes së hadithit dhe sufizmit në konceptin e tij të disiplinuar të purifikimit, të personifikuar te dijet e fikhut. Disa prej figurave më të spikatura prej tyre janë dy imamët e medh-hebit Maliki, Ebu Bekr El Tartushi (vd. 520 hixhri/ 1126 e.r.) dhe Kadi Ibn El Arabi (vd. 543 hixhri/1148 e.r.), si dhe dy imamët e medh-hebit Hanbeli, Abdulkadir El-Xheili dhe Ibn El Xheuzi (vd. 597 hixhri/1200 e.r.). Këtu të tërheq vëmendjen fakti se bëhemi dëshmitarë – në këtë epokë – të fillimit të shfaqjes së sufizmit në radhët e hanbelive, të përfaqësuar nga Shejh Abdulkadir El Xheili, themeluesi i rendit sufi më të vjetër dhe më të madh në historinë islame.

Ky është një fenomen, shembujt e të cilit do të shumëfishohen duke filluar nga shek. VII hixhri/XIII të erës sonë me personalitete që ishin “tredimensionale” në aspektin shkencor, ku janë cilësuar si imamë në tre drejtimet (hadith, fikh dhe sufizëm në konceptin e tij të disiplinuar të purifikimit ). Në këtë drejtim mund të përmendet si shembull El Iz Ibn Abduselam (vd. 660 hixhri/ 1262 e.r.), En Neueui (vd. 676 hixhri/1277 e.r.) dhe El Kurtubi (vd. 671 hixhri/ 1272 e.r.). Më pas, figura të tilla dolën në pah edhe më tepër në shekullin e tetë hixhri, të përfaqësuara – në shkallë të ndryshme – me Ibn Tejmijen, El Dhehebi dhe Takiudin El Subki (vd. 756 hixhri/ 1355 e.r.) dhe djalin e tij Taxhudin El Subki (vd. 771 hixhri/1370 e.r.), si dhe Ibn El Kajjim (vd. 751 hixhri/ 1351 e.r.), për të vazhduar në shekullin e nëntë me imamë si Ibn Haxher El Askalani (vd. 852 hixhri/ 1448 e.r.), nxënësin e tij El Sekhaui (vd. 902 hixhri/ 1497 e.r.) dhe El Sujuti (vd. 911 hixhri/ 1506 e.r.) etj.

Në kuadër të trajtimit të këtij fenomeni që të tërheq vëmendjen, vlen të përmendet kontributi i madh i dhënë në këtë fushë nga “Shkollat e Hadithit” të themeluara -duke filluar nga shekulli i gjashtë – nga sulltanët zengidë dhe “Shkollat ​​e Fikhut” e “Kuvendet e Sufizmit” të themeluara nga pasardhësit e tyre ejubidë, në ndërthurje të tre drejtimeve dhe shkrirjes së dijeve të tyre, kjo falë asaj që dimë për sulltanët e të dy periudhave lidhur me përkujdesjen që i kanë kushtuar shkencave të hadithit, fikhut dhe sufizmit në të njëjtën kohë.

Mund të thuhet se ndikimi i këtyre shkollave, në integrimin e këtyre rrugëve shkencore te nxënësit e tyre dhe formulimi i balancuar i personaliteteve të tyre shkencore, është i barabartë me pajtimin e realizuar nga shkollat ​​e ministrit selxhuk Nizam El Mulk (vd. 485 hixhri/1092 e.r.) midis dijetarëve të fikhut (kryesisht shafi’injve dhe malikinjve) dhe dijetarëve esh’ari në shekullin e pestë hixhri, gjë që do të sillte themelimin e një rrymë shkencore gjithëpërfshirëse që dominoi arenën islame për një kohë të gjatë.

Kontribut i detajuar

Pas skicimit të rrjedhës historike të procesit të reformimit të sufizmit, i kthehemi mënyrës se si dijetarët e kanë kuptuar atë që pranohet fetarisht prej sufizmit, kanë renditur dhe kanë përjashtuar elementët e huaj prej tij. Këtu duhet veçanërisht të theksohet roli vendimtar i El Gazalit në hapjen e rrugës së takimit midis dijetarëve të fikhut dhe sufinjve, si dhe kontributin e detajuar homologut të Shejh El Xheili, i cili ka krijuar kushtet e nevojshme për komunikimin midis dijetarëve të hadithit dhe sufinjve.

Mbi bazën e këtyre dy arritjeve historike të pajtimit ndërmjet tri drejtimeve (fikhut, hadithit dhe sufizmit), u përgatit një terren i ri që bashkoi pjesën më të madhe të umetit dhe kristalizoi sistemin e tij ideologjik të përgjithshëm, homogjen dhe pajtues midis tre drejtimeve. Kjo do të thoshte zbutje e “ashpërsisë” së dijetarëve të fikhut, lehtësim i “mprehtësisë” së dijetarëve të hadithit dhe kontroll i “rebelimit” të sufinjve.

Duke folur për procesin reformues të sufizmit, mund të thuhet se El Gazali – pas konsolidimit të prirjes së tij mistike, duke filluar nga tërheqja e tij në vitin 488 hixhri/1095 i erës sonë deri kur ndërroi jetë- ai udhëhoqi përpjekjet për pajtim ndërmjet sufizmit dhe shkencave të sheriatit, edhe pse në fakt nuk ka qenë themeluesi i këtij pajtimi. Sepse shumë nga dijetarët e fikhut dhe hadithit para tij ishin sufinj, siç u përmend më parë dhe do të shpjegohet në vijim. Ata kanë pasur përpjekje të qarta në demaskimin e fanatikëve. Megjithatë, El Gazali e zgjeroi kritikën reformiste ndaj sufizmit dhe shkroi disa vepra në lidhje me këtë çështje.

Në kritikën e tij ndaj sufinjve që mbështesin idenë e shfuqizimit të detyrimeve fetare me pretekstin e arritjes së shkallës së dijes së plotë dhe zbulesës, El Gazali në veprën Ihja Ulum El Din thotë: “Sa i përket kuturisjeve, ne nënkuptojmë me to dy lloje të të folurit të shpikura nga disa sufinj: Njëri prej tyre është pretendimi i gjatë dhe i gjerë për dashurinë ndaj Zotit të Madhëruar dhe arritja e një grade, pas të cilës nuk ka nevojë për veprime të dukshme, derisa disa njerëz përfundojnë duke pretenduar bashkimin, heqjen e perdes, shikimin e drejtpërdrejtë të Allahut dhe komunikim verbal me të. Madje, thonë: Na u tha kështu dhe ne thamë ashtu. Kjo është një mënyrë të foluri që është shumë i dëmshme për njerëzit e thjeshtë. Sepse është tunduese nga natyra, pasi përfshin shfuqizimin e detyrimeve fetare, me pastrimin e ego-s pas arritjes së gradëve dhe gjendjeve të caktuara. Kështu që të përhumburit nuk janë të paaftë ta pretendojnë këtë për veten e tyre.”

El Gazali kritikon përmbajtën e jashtme pa thelb në mesin e shumë sufive, veçanërisht sufinjve të kohës së tij, në fund të shekullit të pestë dhe në fillim të shekullit të gjashtë hixhri: “Kategoria e tretë janë sufinjtë e kapluar nga kotësia. Të tillët në mesin e sufinjve janë të ndarë në shumë grupe: Një grup prej tyre – dhe ata janë sufi të kohës sonë, përveç atyre që i ka mbrojtur Zoti – janë mashtruar me veshjen, pamjen dhe logjikën, duke ndihmuar (= imituar) sufinjtë e sinqertë në veshjen dhe pamjen e tyre, fjalët e tyre, sjelljet dhe veprimet e tyre. Ky grup sufinjsh nuk u lodhen kurrë me përpjekje, veprimtari, edukim të ndjenjave, pastrim të brendshëm dhe të jashtëm nga mëkatet e fshehta dhe të dukshme. [Madje] ata vrapojnë pas veprave të ndaluara, të dyshimta dhe parave të pushtetarëve.”

Në përgjithësi, mund të thuhet se dijetarët e hadithit dhe fikhut ndoqën dy rrugë në reformimin e sufizmit: 

E para: Kritika ndaj ekzagjerimit dhe refuzimi i ekzagjerimeve.

E dyta: Mbrojtja e sufizmit të disiplinuar nga sheriati dhe shpallja e të vërtetave të tij larg ekzagjerimit, lajthitjeve, besëtytnive dhe sharlatanizmit, në përpjekje për të asimiluar sufinjtë me njohuritë e tyre të pastra fetare brenda komunitetit shkencor, në mënyrë që të plotësoheshin shtyllat e personalitetit të dëshiruar shkencor mysliman: Besimi, sheriati dhe etika.

 

Kritika të ndryshme

Në vijim do të përqendrohemi shkurtimisht mbi këto dy rrugë, rezultatet e frytshme të të cilave hapën rrugën për shfaqjen e një dukurie që mund të quhet “sufizëm shkencor”.  Kjo dukuri, e cila u shfaq në praninë e një segmenti të madh imamësh, që integroi në personalitetet e tij – në aspektin kulturor dhe praktik – kurrikulat formuese të këtyre tri rrymave, ose “dijetarët e hadithit”, “dijetarët e sufizmit” dhe “dijetarët e fikhut”, ashtu siç shprehet edhe Ibn Tejmijesnë “Mexhmuul-Fetaua”. Pra, ata ishin dijetarë të hadithi, fikhut dhe sufizmit në të njëjtën kohë. Grupet e kritikave më të rëndësishme të dijetarëve të fikhut dhe hadithit ndaj sufinjve, të cilët gjatë procesit të edukimit nuk i janë përmbajtur teksteve të sheriatit, qëllimeve dhe rregullave të tij, mund të përmblidhen në pikat e mëposhtme:

Mungesa e vëmendjes ndaj dijes: Një nga çështjet qendrore që dijetarët fikhut dhe hadithit i kanë kritikuar disa sufinj ka qenë mosnjohja e shkencave fetare rregullatore dhe indiferenca e tyre ndaj tyre. Këtë gjë e ka vërejtur Imam El Gazali – në Mizan El Amel – duke thënë se “sufinjtë nuk ishin të nxitur për të mësuar dhe studiuar shkencat, dhe për të mbledhur atë që dijetarët kanë shkruar rreth të vërtetave dhe çështjeve të ndryshme”.

Dhe nëse sufinjtë do të ishin në kërkim të synimit dhe qëllimit e ndoqën një mënyrë tjetër për t’i arritur ata përveç mënyrës së studimit të shkencave të sheriatit, El Gazali mendon se dijetarët eminentë të fikhut “nuk e mohuan ekzistencën e kësaj rruge dhe faktin se ajo të çon drejt destinacionit final… por [sufinjtë] devijuan nga kjo rrugë dhe pretenduan deri në atë masë sa thanë se prerja e marrëdhënieve në bazë të ixhtihadit është e njëjtë me mos ekzistencën e tyre, gjë që edhe nëse ndodh në ndonjë rast, konfirmimi i saj është më parësor. Më pas shton: “Shumë sufinj kanë mbetur peng e një çështje imagjinare për njëmbëdhjetë vjet, derisa kanë shpëtuar prej saj. Sikur të kishin përvetësuar më parë dijet, do të shpëtonin prej saj duke përdorur intuitën”.

Ai që hulumton mbi dy librat e El Gazalit El Munkidh Min Ed Dalal dhe Ihja Ulum El Din do të kuptojë se ai –dhe dijetarët e ngjashëm me të prej reformatorëve të sufizmit para dhe pas tij- arrin në përfundimin se e vetmja zgjidhje për përgjithësimin e sufizmit, në mënyrë që të jetë metoda e të gjithë umetit dhe të ketë vazhdimësi, është distancimi nga ndërhyrjet dhe tjetërsimet që mund të ketë pësuar sufizmi, si dhe përcaktimi i veçorive dhe aftësive të tij në mënyrë që të dalin në pah të mirat e tij. Ai gjithashtu konsideronte se mënyra për ta bërë këtë është shkrirja e sufizmit në shkencat e sheriatit, gjë që do të shërbente si element frenimi për njeriun, në rast lëkundjesh.

Duke ndjekur gjurmët e El Gazalit, i cili është dijetar i fikhut shafi’i esh’ari, në kritikën e tij për shmangien e sufizmit ndaj mësimeve të sheriatit, ka vazhduar Ibn el-Xheuzi, i cili i përket medh-hebit Hanbeli, por ka një besim të fortë esh’ari që e bëri Ibn Tejmijen të thotë – në Sherh El Akide El Isfahanije – se në propozimin e tij të ndërlikuar “gjendet diçka që i tejkalon edhe thëniet e Ahmed Ibn Hanbel (vd. 324 hixhri/936 e.r.) dhe dijetarëve që mbështesin qëndrimin e El Esh’ari (vd. 324 hixhri/936 e.r.), dhe gjejmë [Ibn El Xheuzin] duke i nxitur sufinjtë që të mësojnë shkencat e sheriatit dhe të mos kënaqen me gjendjet e shpirtit të krijuara në momentet e qetësisë dhe përmendjes së Zotit.

Ibn El Xheuzi thotë në veprën Sajd El Khatir: “Kam gjetur se shumica e sufinjve dhe asketëve kanë devijuar nga sheriati midis mosnjohjes së urdhëresave fetare dhe dhënies rëndësi mendimit personal. Duke mos ua ditur kuptimin, ata citojnë ajete dhe hadithe, të cilat kanë një shkak të caktuar”. Ibn El Xheuzi, në veprën Telbisu Iblis, shpjegon ashpërsinë e tij ndaj sufinjve me mungesën e interesit të tyre për shkencat fetare. Ai shprehet se “Kur u pakësuan njohuritë e sufinjve mbi sheriatin, ata shfaqën veprime dhe thënie që janë të palejuara siç përmendëm. Më pas, sufinjve u përngjasuan njerëz që nuk ishin prej tyre. Këta u thirren me emrin e tyre dhe vepruan ashtu siç përmendëm. Shumë rrallë kishte ndonjë person të drejtë prej tyre. Disa dijetarë –madje edhe shehlerët e tyre- i kanë qortuar dhe kritikuar ata. 

Gjithashtu gjejmë se edhe Imam El Neueui i ka qortuar sufnjtë fanatikë që nxjerrin fetva pa dije. Ai në veprën Sherh Muslim, pasi përmend hadithet lidhur me mjekimin, shprehet se “në to ka një përgjigje për fanatikët e sufizmit që mohuan mjekimin”. Ne gjejmë një jehonë të kësaj më vonë te Imam Ibn Haxheri në Fet-h El Bari, ku ai kritikon sufinjtë e paditur për një çështje të caktuar, duke thënë: “Disa sufinj fanatikë e kanë interpretuar hadithin pa dije”.

 

Pretendim dhe mashtrim

Kjo arsye është e njëjta që e bëri Imam El Sujutin – një nga dijetarët e vonë më të rëndësishëm që paraqiti përkatësinë trepalëshe të dijetarëve të hadithit, fikhut dhe sufinjve – të kritikonte disa nga sufintë e kohës së tij. Në studimin e tij, “Dallimi midis të drejtit dhe hajdutit”, ai justifikon dijetarët e fikhut që kanë kritikuar sufinjtë për mosnjohje të sheriatit, duke thënë: “Për këtë shkak dhe të ngjashëm me të, shumë dijetarë të fikhut i kritikojnë sufinjtë dhe i keqkuptojnë ata. Sepse sufinjtë shihen si të huaj… që pretendojnë se janë prej tyre, por që nuk kanë lidhje me ta. Ata kanë dije rreth hadithit, fikhut dhe bazat e tij. Pra, nuk kanë asnjë lidhje me sufizmin.”

Fabrikimi i haditheve: Nga ajo u përmend më sipër kuptojmë se shumë nga sufinjtë ishin dijetarë të hadithit, dhe shumë prej tyre ishin dijetarë të mëdhenj nga të gjitha shkollat ​​e fikhut. Këto ishin krahët shkencorë të grupit sufi në rrymën e tij origjinale dhe të disiplinuar. Por në brendësi të strukturës së sufizmit, ne gjejmë grupe që janë mjaftuar me asketizmin, devotshmërinë, pastrimin shpirtëror dhe dashurinë për Krijuesin, dhe duke lënë pas dore përkushtimin ndaj shkencës dhe sheriatit. Dhe këta, megjithëse ishin të dobët dhe të braktisur, por në shumicën dërrmuese të tyre nuk kishin për qëllim që të gënjejnë lidhur me çështjet e fesë. Domethënë, ata nuk u dhanë pas qëndrueshmërisë, aq sa u dhanë pas transmetimit të ngjarjeve me vërtetësi të dobët. 

Në këtë drejtim, El Neueui thotë, duke shpjeguar atë që ka thënë Imam Jahja Bin Said El Katan (vd. 198/814 e.r.): “Në mesin e të drejtëve, nuk kemi parë asnjë më shumë sesa ata, që të gënjejnë lidhur me hadithet. Kuptimi këtu është, sipas asaj që thotë edhe Imam Muslim El Nisaburi (vd. 261 hixhri/875 e.r.): “Gënjeshtra qarkullon në gjuhët e tyre pa dashje, sepse ata nuk e njohin këtë shkencë, ndaj thonë gjithçka që kanë dëgjuar, një pjesë e të cilët mund të jetë e gënjeshtërt. Kështu bëhen gënjeshtarë. Sepse gënjeshtra është të thuash për një gjë që është në kundërshtim me realitetit, qoftë e thënë pa dashje apo me dashje”.

Megjithatë, një grup i vogël sufinjsh kanë trilluar dhe gënjyer qëllimisht. Në lidhje me ta El Neueui thotë: “Dije se trillimi i qëllimshëm i hadithit është i ndaluar bazuar në konsensusin e myslimanëve, sipas kushteve të qarta të tij. Nga ky konsensus kanë dalë Keramitët –sekt i devijuar- të cilët e kanë lejuar shpikjen e haditheve për të nxitur njerëzit drejt veprave të mira dhe asketizmit e të përmbahen nga veprat e këqija. Të njëjtën rrugë kanë ndjekur edhe disa të paditur, që janë përpjekur të paraqiten si asketë, me qëllim që të nxisin drejt së mirës, në pretendimin e tyre të rremë. Kjo është një marrëzi e qartë dhe injorancë e plotë.”

Si përfundim, hadithologët nuk kanë refuzuar ndonjjë hadith nga një transmetues thjesht sepse ai ishte sufi, dhe nuk kanë pranuar nga ndonjë tjetër sepse ai nuk ishte sufi. Ky nuk është një nga kushtet për pranimin e transmetimit dhe refuzimin e tij, sipas dijetarëve të kësaj shkence. Përkundrazi, kriter ishte disponueshmëria e kushteve specifike për transmetuesin – çdo transmetues – siç janë ndershmëria, saktësia dhe besueshmëria. Sa i përket sufizmit, si një sjellje e disiplinuar nga sheriati, ai nuk i nënshtrohet pranimit apo refuzimit. Në vijim do të shohim se prej sufinjve ka pasur prej atyre që kanë arritur gradën e imamit në shkencën e transmetimit të hadithit.

 

Praktika të huaja

Mbështetja e besëtytnive: Nga natyra e metodologjisë së dijetarëve të hadithit, e cila ngrihet mbi vërtetimin e çdo transmetimi, dhe nuk pranon veçse një strukturë të fortë të transmetimeve, ata përgënjeshtruan transmetimet e sufinjve, të cilat trajtonin çështje irracionale që nuk ishte vërtetuar përmendja e tyre në sheriat. Për këtë, Ibn El Xheuzi thotë në Sajd El Khatir se “Shpesh ata thonë se disa njerëz kanë ecur mbi ujë. Ndërsa Ibrahim El Harbi (vd. 285 hixhri/898 e.r.) ka thënë se nuk është e vërtetë që dikush ka ecur ndonjëherë mbi ujë. Nëse e dëgjonin këtë, ata thonë: “A i mohoni dhuntitë e të shenjtëve dhe të drejtëve?” Ne themi: “Ne nuk jemi prej atyre që e mohojnë atë, por ne ndjekim atë që është e vërtetë. Kurse të drejtët janë ata që ndjekin sheriatin dhe nuk i kryejnë adhurimet sipas mendimeve të tyre”

El Dhehebi i hedh poshtë besëtytnitë e tilla. Ai në Tarih El Islam thotë: “Ndër këto gjendje djallëzore që mashtrojnë njerëzit e thjeshtë janë: ngrënia e gjarpërinjve, hyrja në zjarr, ecja në ajër, prej atyre që vuajnë nga mosbindja dhe kanë mangësi në kryerjen e detyrave të tyre fetare. Mund të vijë një i paditur dhe të thotë: Hesht, mos flit për evliatë e Zotit! Dhe ai nuk e kupton se pikërisht ai ka folur kundër evliave të Zotit dhe i ofenduar ata, duke futur midis tyre këta njerëz të ulët, të çmendur dhe ndjekës të djajve.”

Në biografinë e themeluesit të Tarikatit Rifai, Ahmed El Rifai (vd. 512 hixhri/1118 e.r.), El Dhehebi vëren në veprën e tij El I’ber momentin e ndryshimit negativ në praktikat e këtij tarikati. Ai e përshkruan El Rifain si “asket shembullor, që kishte arritur majën e përulësisë, bindjes dhe butësinë gjatë të të folurit… si dhe pastërtisë së brendshme”. Më pas ai shton: “Por shokët e tij (= muridët e tij) në mesin e tyre ka të mirë dhe të këqij. Në mesin e tyre janë shtuar mashtrimet dhe janë shfaqur disa fenomene djallëzore që kur tatarët pushtuan Irakun (në vitin 656 Hixhri/1258 e.r.), duke nisur nga hyrja në zjarr, hipja mbi luanë dhe loja me gjarpërinjtë. Veprime të tilla nuk kanë qenë të njohura për Shejhun dhe as ndjekësit e tij të drejtë. Prandaj kërkojmë mbrojtje te Allahu nga Shejtani!”

Mbështetja e panteizmit: Dijetarët e hadithit dhe fikhut i kanë sulmuar ashpër fanatikët e sufizmit, të cilët kanë mbështetur besimin e bashkimit dhe mishërimit. Duhet të kuptojmë se këto sulme ishin të një natyre shkencore dhe përfshihen nga diskutimet e pasura midis dijetarëve të umetit. Ato nuk ishin thjesht akuza të pabaza për mos mosbesim apo sjelljen e risive në çështjet fetare, siç disa mund të imagjinojnë. Prandaj, konstatojmë se dijetarët e hadithit kanë kërkuar justifikime për veprimet e këtij lloji sufinjsh, pavarësisht ashpërsisë së tyre në përgjigjet shkencore ndaj tyre.

Imam El Dhehebi ishte i ashpër ndaj atyre që mund të mbështesnin besimin e bashkimit dhe mishërimit, megjithatë ne vërejmë se ai ka qenë i përpiktë në përdorimin e shprehjeve kundër tyre dhe i vëmendshëm ndaj burimeve të interpretimeve të besueshme të fjalëve të tyre. Në biografinë që ai ka shkruar për Nexhmedin El Shejbani (vd. 677 hixhri/1278 e.r.), ai përmend këta vargje poetik:

Dhe ti nuk je veçse universi, madje ti je ai dora vetë

Këtë e kupton vetëm ai që këtë sekret e shijon

Pastaj ai i ka komentuar, duke thënë: “Nuk ka dyshim se, në pamje të parë, në poezinë e këtij njeriu gjenden shumë deklarata që e mbështesin besimin e bashkimit dhe mishërimit. Nëse me fjalët e tij ka dashur të shprehë atë që duket në pamje të parë në vargje, atëherë nuk ka dyshim për femohimin e tij. Por, nëse ka nënkuptuar diçka tjetër, e cila nuk shfaqet në plan të parë, duke nxitur interpretime të largëta për të arritur te thelbi i saj, atëherë ai ka gabuar, duke i atribuuar hyjnisë së Zotit diçka që nuk mund t’i atribuohet Atij.”

Vetë El Dhehebi e deklaron këtë dhe thotë në Mizan El Etidal: “Tejfur Bin Isa Ebu Jezid El Bistami (vd. 261 Hixhri/875 e.r.), një prej shejhlerëve të sufizmit, është një njeri i çuditshëm, por ka thënë një fjalë të bukur: Nëse shikoni një njeri të cilit i janë dhënë shumë dhunti,  derisa të mund ngjitet në qiell, mos u mashtroni prej tij derisa të shihni sjelljen e tij kur bëhet fjalë për zbatimin e urdhëresave dhe ndalesave dhe ruajtjen e kufijve të Sheriatit. Prej Ebu Jezidit kanë cituar disa fraza [problematike që u është vërtetuar] saktësia e tyre. Më pas ai ka cituar disa prej këtyre frazave problematike, duke i arsyetuar ato dhe duke ia besuar çështjen e tij Zotit: “[Sa i përket] Ebu Jezidit… ai ka sjelljen e një myslimani. Allahu i di më së miri të fshehtat. Ne distancohemi nga çdokush që me dashje shkel Kuranin dhe Sunetin.”

  

Mbrojtje dhe diskriminim

Kritika e dijetarëve të fikhut dhe hadithit ndaj disa sufinjve – në shumicën e tyre – nuk ishte kritikë nga jashtë, apo ndërmjet sekteve dhe rrymave të ndryshme e konkurruese, siç ishin mosmarrëveshjet midis mu’tezileve dhe hanbelinjve, apo esh’arinjve dhe shiitëve. Përkundrazi, ishte një punë reformuese nga brenda strukturës sufite, pasi shumë prej dijetarëve të hadithit dhe fikhut kanë qenë ndjekës të sufizmit, siç do të shohim, dhe shumë prej tyre – madje edhe shumë prej atyre që nuk ishin sufinj- ndiqnin një qasje të saktë shkencore në kritikën ndaj tyre, larg emocioneve dhe subjektivitetit. Por, ashtu siç dijetarët fikhut e hadithit kanë kritikuar ashpër – siç e pamë – sufizmin që i është shmangur rregullave dhe detyrimeve, ata kanë mbrojtur gjithashtu atë pjesë e tij që i është përmbajtur drejt rregullave të sheriatit.

Ibn El Xheuzi, për shembull, ka kaluar nëpër faza dhe transformime të thella psikologjike dhe shpirtërore që e kanë çuar atë drejt asaj bindjeje. Ne e shohim atë – në Sajd El Khatir– që pranon se ai arriti – kur ai vetë deshi të izolohej dhe të largohej nga predikimi, nga frika e hipokrizisë – në bindjen se “izolimi duhet të jetë nga e keqja, jo nga e mira… E sa i përket edukimit të nxënësve dhe udhëzimit të muridëve, ai është adhurim për dijetarin. Konsiderohet neglizhencë që disa dijetarë e kanë preferuar atë kundrejt kryerjes së namazeve suplementare, agjërimit, përpilimit të një libri ose mësimdhënies. Sepse veprime të tilla janë si pema që jep prodhim dhe dobia e saj shtrihet në kohë.” Pavarësisht ashpërsisë së tij ndaj sufinjve, Ibn El Xheuzin e gjejmë duke përmbledhur dy libra që konsiderohen prej burimeve kryesore të mësimeve të sufizmit, përkatësisht Hiljet El Eulija me autor El Asfahanin, të cilin e ka përmbledhur në librin e tij Safuet El Safueh dhe “Ringjallja e Shkencave Fetare” me autor El Gazalin, përmbledhjen e të cilit ia bashkëngjitur librit të tij Minhexh El Kasidin.

Më pas ka ardhur Ibn Tejmije dhe ka korrigjuar pikëpamjen ndaj sufizmit, kur e vendosi atë në kontekstin e tij natyror, si një nga rrymat e fesë, që mund të jetë në të drejtë ose në gabim, si çdo rrymë tjetër. Në Mexhmu’ El Fetaua ai shprehet se “për shkak të asaj që ka ndodhur me shumë prej tyre (= sufinjve) si pasojë e ixhtihadit*** të tyre  dhe mosmarrëveshjeve rreth tij, dijetarët kanë pasur kontradikta në lidhje me metodikën e tyre. Një grup i ka qortuar sufinjtë dhe sufizmin, si dhe kanë thënë se ata janë heretikë, të cilët kanë devijuar nga tradita profetike. Grupi tjetër e ka tepruar, duke pretenduar se ata janë njerëzit më të mirë dhe më të përsosur pas profetëve. Të dyja palët lënë vend për kritikë në lidhje me qëndrimin e tyre mbi këtë çështje. Qëndrimi më i saktë është se ata janë përpjekur në bindjen ndaj Allahut, ashtu siç janë përpjekur njerëz të tjerë në këtë drejtim. Kështu, në mesin e tyre e tyre ka prej atyre që i janë afruar të vërtetës, në varësi të ixhtihadit të tyre, ka prej atyre që kanë pasur për qëllim që ta arrijnë të vërtetën, pa e arritur atë, të cilët konsiderohen si njerëz të drejtë. Gjithashtu, në mesin e tyre gjendet edhe njerëz që i janë atribuuar sufinjve, të cilët i kanë bërë padrejtësi vetes dhe e kanë kundërshtuar Zotin e tyre. Këtyre njerëzve u atribuohen sekte heretikësh. Megjithatë, dijetarët eminentë sufinj, njerëz të tillë nuk janë pjesë e sufizmit.”

Lidhur me një pozitë (makam) prej pozitave të uni-t të drejtë që përkujdeset për hapësirën e vëllazërisë fetare dhe njerëzore, dijetarët e hadithit kanë dalluar midis mosmarrëveshjes së tyre shkencore me sufinjtë ekstremistë dhe kuptimit e tyre mbi pozitën e aspektit human të njeriut dhe shfaqjet e tij, peripecitë e uni-t dhe gjendjet e tij, si dhe stacionet e frymëzimet nëpër të cilat ai kalon, e kështu me radhë. Kështu ata i kanë mbrojtur sufinjtë, madje edhe disa nga ata që i shihnin si ekstremistë, dhe kanë urdhëruar që të përmirësohej imazhi i tyre dhe shprehjet e tyre të interpretoheshin në mënyrë të pranueshme, por në të njëjtën kohë ata kanë paralajmëruar kundër deklaratave dhe sjelljeve të tyre që nuk mbështeten nga tekstet e sheriatit.

Këto janë dy nivele të rëndësishme që duhen dalluar. Sepse El Dhehebi gjykon – në Mizan El I’tidal – për Ibn El Farid (vd. 632 hixhri/1234 e.r.) se ai “mbështet qartazi panteizmin në poezinë e tij dhe kjo është një fatkeqësi e madhe. Për këtë, dëgjoje poezinë e tij dhe mos u nxito. Megjithatë, mendo mirë në përgjithësi për shprehjet dhe veprimet e sufinjve.”

El Dhehebi i mbron dhuntitë e evlijave dhe i kundërshton ata që i mohojnë ato, edhe nëse kanë qenë nga imamët më të shquar të fikhut dhe hadithit. Ai thotë – në Sijer – duke folur për jetën e Imam Ebu Is’hak El Isfaraini El Shafi’i (vd. 418 hixhri/1028 e.r.) se ai është “një nga të dijetarët eminentë të kohën e tij, dhe një nga më të zellshmit në adhurim dhe devotshmëri. Ai ka qenë shumë i besuar në transmetimin e hadithit, por ai mohonte dhuntitë e të evlijave dhe nuk i lejonte ato, gjë që është një gabim i madh!”

 

Paanshmëri e artë

Ne i shikojmë biografitë e përgatitura nga El Dhehebi rreth një numri të madh sufinjsh të shquar dhe vërejmë paanshmërinë e tyre në lidhje me ta. Madje, ai lavdëron ata për sufizmin e tyre të disiplinuar sipas sheriatit dhe për njohuritë e tyre që nuk kanë lidhje me sufizmin. Këtu ai thotë në “Tarih El Islam” rreth asketit Idris El Kheulani (vd. 211 hixhri/826 e.r.) -duke përdorur pa siklet disa terma dialektikë të sufizmit,- se “thuhej: Ai ishte prej ebdalëve dhe ai u krahasohej me Bishr El Hafi (vd. 226 Hixhri/841 e.r.) për mirësinë dhe adhurimin e tij.

Ai e përshkruan Ebu El Beka El Taflisi El Sufi (vd. 631 hixhri/1234 e.r.) si “një sufi i lavdishëm, i nderuar, fisnik, me njohuri për fikhun dhe bazat e tij, arabishten, historinë, poezinë dhe moralin, si dhe njihej për përpjekjet në edukimin e uni-t”. Po kështu ai ka përpiluar biografinë e  Ebu El Mahamid El Zenxhani El Sufi El Shafi’i (vd. 674 hixhri /1275 e.r.) dhe në lidhje me të ka thënë se “ai ishte dijetar i fikhut në gradën e imami, një asket i drejtë, me rëndësi të madhe”.

El Dhehebi shpreh keqardhjen e tij për humbjen e mundësisë për t’u takuar me një nga shejhlerët sufinj më të shquar, Ebu El Fadl Ibn El Demiri El Lakhmi (vd. 695 hixhri/1296 e.r.), duke u shprehur për të: “Ai ishte shejh, Imam dhe Musnid. Ai e kishte veshur herrkan nga Shejh Shihabeddin El Suhraverdi (Ebu Hafs, vd. 632 hixhri/1235 e.r.), dhe ai ishte një nga Musnidët kryesorë. Më vjen keq që nuk munda të takohem dot me të, sepse është njeri i shquar për moralin e tij. Madje, vetë El Dhehebi praktikonte sufizmin dhe vishte hërkan e sufizmit. Ai në biografinë e Shejh Diaudin El Sibti El Sufi (vd. 696 hixhri/1297 e.r.) shprehet: “Ai e lexonte këndshëm hadithin. Ai më veshi herrkan dhe më përmendi se atij ia kishte veshur në Mekë Shejh Shihabeddin El Suhraverdi. Po kështu, Ai ishte modest, bujar dhe asket me veshjen e sufinjve dhe dijetarëve të fikhut.”

El Dhehebi pohon se njohësi i sheriatit duhet të jetë një sufi dhe edukator, edhe sufiu duhet të ketë njohuri të sakta të sheriatit. Ai -në Sijer– ka vendosur një rregull të përgjithshëm që përmbledh qasjen e dijetarëve të hadithit ndaj dy grupeve: “Nëse dijetari zhveshet nga sufizmi dhe hyjnorja, ai është bosh, ashtu si sufiu nëse zhveshet nga njohja e sunetit, largohet nga rruga e drejtë.”

Duket se El Dhehebi ka ndjekur të njëjtën rrugë si shejhu i tij Ibn Tejmije, i cili bën dallimin midis sufinjve të drejtë dhe të devijuar. El Dhehebi citon prej tij me zinxhirin e transmetimin nga Ebu Hafs El Suhraverdi, dhe në Tarih El Islam thotë: “Kam dëgjuar shejhun tonë Ibn Tejmije të thotë: Kam dëgjuar shejh Izzeddin Ahmed El Faruthi (vd. 694 hixhri/1295 e.r.) duke thënë: Kam dëgjuar Shejh tonë Shihabeddin El Suhraverdi të thotë: Vendosa të merrem me shkencën e kelamit dhe parimet e fesë, kështu që thashë me vete: Të konsultohem me Shejh Abdulkadir [El Xheili] për këtë çështje. Kështu që shkova tek ai. Para se unë të flisja, ai më tha: O Omer, kjo nuk është prej punëve që do të të shërbejnë në varr! Dhe tha: Kështu e lashë.”

Shejh Abdulkadir El Xheili ishte “Shejhu i Hanbelinjve” në kohën e tij. Ai ishte – në të njëjtën kohë – “Shehu i Shejhlerëve” të sufinjve, themeluesi i tarikatit më të madh dhe më të përhapur të sufizmit në botën islame. Në lidhje me të, El Dhehebi në “Tarih El Islam” thotë: “Ai është zotërues i dhuntive, pozitave dhe Shejhu i Hanbelinjve. Ai e ka studiuar hadithin. Ai ishte imami i kohës së tij dhe poli i dijes së epokës së tij, si dhe shehu i shejlerëve të kohës, pa ekzagjerime”.

El Xheili ishte një reformator sufi nga brenda sufizmit. Përpjekjet e tij për reformimin e strukturës së sufizmit dhe tentativat për ta përmirësuar atë nuk kanë qenë më të pakta se ato të El Gazalit. Madje, përpjekjet e El Xheilit ishin ndoshta më të rëndësishmet, pasi ai kishte një përkatësi hanbelite, në aspektin e fikhut dhe akaidit. Kështu që ai i afroi hanbelinjtë me Sufinjtë dhe zbuti zemrat e hanbelinjve fanatikë në Bagdad ndaj asketëve të sufizmit, si dhe zgjeroi horizontin ligjor të këtyre të fundit duke i përzier ata me të parët. Nga këtu u përforcua shkolla e “Sufizmit të Dijetarëve të Hadith”, siç e quan Ibn Tejmije.

 

Alternativë e disiplinuar

Një prej sufinjve të mëdhenj hanbelinj që kanë kontribuar në konsolidimin e sufizmit të dijetarëve të hadithit brenda shkollës hanbelite është edhe Shejhul-Islam Ebu Ismail El Ensari El Haraui El Hanbeli (vd. 481 hixhri/1088 e.r.). Kur Ibn Rexhebi shkroi biografinë e tij, ai kishte thënë se ai është “Dijetar i fikhut, tefsirit, memorizues, predikues mistik, Shejh i Islamit.” Ai gjithashtu kishte deklaruar se ai ishte shumë besnik ndaj medh-hebit Hanbeli, duke shtuar se “Shejhul Islami ishte gjerësisht i shquar për hanbelizmin e tij dhe për respektimin e traditës profetike”. Madje, ai u thoshte nxënësve të tij: “Medh-hebi i Ahmed [Hanbelit] është medh-hebi më i mirë.” Më pas ai e shkroi atë në dy vargje, të cilat i recitonte në minber në ditën e kuvendit të tij në Herat:

Unë hanbeli jam, sa të jem gjallë, dhe nëse vdes

Hanbelinj të bëhen, njerëzit do t’i mbështes!

Ibn Rexhebi citon dëshminë e Ibn Tejmijes mbi pozitën e El Harauit në sufizëm dhe hadith: “Shejhul Islam Ebu El Abas (= Ibn Tejmije) në librin El Exhuibe El Masrijeh ka thënë: Shejhul Islam (= El Haraui) është i njohur dhe popullor midis njerëzve. Ai është imam në hadith, sufizëm dhe tefsir. Në fikh ai ndjek medh-hebin e dijetarëve të hadithit. Ai i nderon [dy imamët] Shafi’iun (vd. 204 hixhri/820 e.r.) dhe Ahmedin.”

Dhe nëse vijmë te një tjetër dijetar i madh i hadithit, Imam Ibn Haxher El Askalani, do të zbulojmë se ai nuk ishte absolutisht një nga kundërshtarët e sufinjve, por, përkundrazi ka qenë një prej vlerësuesve të shquar të sufinjve të disiplinuar sipas sheriatit me ligj. Dhe këtë linjë, në fakt, e gjejmë të vazhdueshme që nga Imam El Shafi’i, i cili për vlerën e shoqërimit me ta thotë: “Unë jam shoqëruar sufinjtë dhe nuk kam përfituar prej tyre vetëm dy fjalë. I kam dëgjuar ata të thonë “Koha është si shpata, nëse nuk e pret atë, ka për të të prerë ajo ty” dhe “Nëse nuk e përdor uni-n për gjëra të drejta, ka për të të përdorur ai ty për gjëra të padrejta”. Ibn El Kajjim ka thënë – në librin e tij me natyre sufite Mederixh El Selikin- duke komentuar fjalën e Shafiut: “Unë thashë: Nuk ka fjalë më të dobishme, më kuptimplota  dhe më të goditura se këto dy fjalë. Me të vërtetë që ato dëshmojnë për lartësinë e vendosmërisë dhe zgjuarsisë së personit që i ka shprehur ato! Këtu mjafton lavdërimi i El Shafi’i për këtë grup për kaq pak fjalë”.

Në këtë qasje mbrojtëse ndaj sufizmit të disiplinuar përfshihen edhe një seri përmbledhjesh të përgatitura nga dijetarët e fikhut dhe hadithit, për të paraqitur një alternativë sufiste që përjashton komponentët e importuar në metodat e tij. Imam dhe muhadithi Ebu Naim El Asbahani El-Shafi’i ka shkruar librin e tij Hiljet El Eulija, ku ka përmbledhur biografitë personaliteteve të shquara sufiste dhe shejhlerët e tyre. Ndërsa imami dhe muhadithi Muhamed Bin Tahir El Kajserani El Dhahiri (vd. 113 hixhri/1113 e.r.) ka shkruar librin e tij Safuet ElTasauf. Më pas ka ardhur imami dhe muhadithi Ebu Bekr Ibn El Arabi El Maliki, që ka shkruar librin e tij Siraxh El Muridin, të cilin disa prej tyre e kanë titulluar Tasauf El-Muhadithin (Sufizmi i dijetarëve të hadithit), siç është përmendur në Kauaid El Tasauf me autor Imam Ahmed Zarruk El Fasi (vd. 899 hixhri/1494 e.r.).

Vlen të theksohet këtu se edhe gratë sufiste janë lavdëruar në mënyrë të konsiderueshme nga dijetarët e mëdhenj të hadithit, ashtu siç kanë lavdëruar burrat sufinj, e ndoshta edhe më shumë. Në biografinë e Sejide Bint Abdurrahim El Suhraverdi (vd. 640 hixhri/1242 e.r.), El Dhehebi në Tarih El Islam ka thënë: “Bashkëshortja e Shejh Shihabeddin El Suhraverdi… Ajo është marrë me shkencën e hadidhit dhe ka shpërndarë dëshmi… për një grup nxënësish. Në të kishte mirësi, begati dhe përkushtim.”

Ai në Sijer ka përpiluar biografinë Rabi’a El Adeuije El Basrije (vd. 180 hixhri/796 e.r.), duke e përshkruar atë si “askete të përulur dhe të përkushtuar ndaj adhurimit, Umm Amr Rabi’a Bint Ismail. Ai tregoi për të. Rreth saj ka folur Sufjan (El Theuri vd. 161 hixhri/778 e.r.) dhe Shu`be (Bin El Haxhaxh vd. 160 hixhri/777 e.r.), duke theksuar pavërtetësinë e gjërave që janë thënë rreth saj. El Dhehebi nxjerr në pah vlefshmërinë e besimit të Rabi’as dhe integritetin e biografisë së saj, bazuar në dëshminë e dijetarëve të mëdhenj të hadithit si Sufjani dhe Shu’be, të cilët kanë mësuar prej saj. El Dhehebi i ka mohuar me forcë akuzat ndaj saj për mbështetje të panteizmit dhe fanatizmit e mosdijes. 

Ai gjithashtu – në El I’ber – lavdëron karakterin dhe përkushtimin e shejhas mistike Fatima El Bagdadi (vd. 714 hixhri/ 1314 e.r.), duke përmendur se ai e ka vizituar atë dhe thotë thotë: “Dijetare e fikhut, askete, e devotshme, prijësja e grave në kohën e saj, predikuese… Një grup grash kanë përfituar prej saj dhe janë penduar. Ajo ishte e pasur me dituri… Gratë e Damaskut dhe më pas gratë e Egjipti u rregulluan për shkak të saj. Ajo kishte një pranim të gjerë dhe ndikim të madh te njerëzit… E kam vizituar atë njëherë”. Më pas shton në Sijer: “E vizitova dhe më pëlqeu karakteri i saj dhe përulësia e saj”.

Sufizëm shkencor

Pasi kemi paraqitur një vëzhgim historik dhe një përshkrim sistematik të përpjekjes së dyfishtë reformuese në kritikën dhe mbrojtjen e sufistëve, e cila ndihmon ndërtimin e një imazh dhe forme rreth sufizmit, duke kontribuar – në mënyrë të balancuar dhe pozitive – në formulimin dhe sjelljen e rrymës kryesore shprehëse të umetit islam, tani paraqesim disa shembuj të imamëve që janë pjesë e dukurisë së “sufizmit shkencor”, të cilët e përvetësuan atë formulim sintetik, duke ndërthurur shkencat e sheriatit (hadithin dhe fikhut) me sufizmin në sjelljet dhe edukatën e tyre.

  1. Sufinj mes dijetarëve të hadithit: Një prej dijetarëve të hershëm sufinj muhadithë janë: Selm Bin Meimun, El Zahid El Razi (vd. rreth vitit 220 hixhri/835 e.r.), i cili “ka transmetuar nga Malik (Bin Enes vd. 179 hixhri/ 795 e.r.) dhe Ibn Ujejneh (Sufjan vd. 198 hixhri/814 e.r.), dhe ai është një nga sufinjtë më të shquar”, sipas El Dhehebi në Mizan El I’tidal. El Hatib El Bagdadi (vd. 463 hixhri/1072 e.r.) ka përpiluar bografinë e Ebu Xhafer Ibn El Feraxh El Sufi (vd. pas vitit 270 hixhri/883 e.r.) dhe ka thënë se ai “ka trashëguar pasuri të madhe, të cilën e ka shpenzuar për kërkimin e diturisë, për të varfrit, vetmitarët dhe sufinjtë. Ai kishte dije rreth fikhut dhe hadithit. Ka shoqëruar Ali Ibn El Medini (Imam i muhadithëve vd. 234 hixhri/849 e.r.) dhe ka transmetuar shumë prej tij. Ai mësonte përmendësh hadithe dhe jepte ​​fetva… Ai ka shoqëruar [shejlerë] sufinj”.

Gjithashtu, prej tyre ka qenë edhe Imam Ebu Said Ibn El Arabi El Basri i përmendur më lart. El Dhehebi e ka përshkruar atë – në Sijer – si “Imam, muhadith, model, i ndershm, hafiz, shehu i Islamit… mysafiri i Mekës dhe shejhu i Haremit të Qabes… Ai ka udhëtuar nëpër shumë vende, ka mbledhur dhe përpiluar dije. Ka shoqëruar shejhlerët, ka qenë njeri i njohur për adhurimin e tij nga Zotit. Ka përmbledhur virtytet e sufizmit dhe ka mbajtur [librin] Sunen të Ebu Daud (vd. 275 hixhri/888 e.r.) .. Ai ishte një person shumë i famshëm që ruante zinxhirë të larta transmetimi të hadithit. Ai ka shoqëruar El Xhunejd [El-Bagdadi]… Ibn El Arabi ishte një prej dijetarëve sufinj. Kështu, e shihje që nuk pranonte asnjë prej përkufizimeve të tyre, pa pasur argument për të”.

Në mesin e sufinjve muhadithë është edhe Muhamed Ibn El Ferukhan El Duri (vd. në fund të 359 hixhri/ 970 e.r.), të cilin e ka përmendur El Khatib El Bagdadi, duke thënë se “ai shoqërohej me sufinjtë dhe dijetarët e hadithit,. Ai ka takuar disa prej dijetarëve sufinj si El Xhunejd…Dhe ai fliste për ta”. Në shekullin e pestë, rastisim prej ty El Hasan Bin Muhamed El Belkhi El Derbandi (vd. 456 hixhri/1065 e.r.), të cilin El Dhehebi – në Sijer – e ka quajtur si “Imam, shejh dhe hafiz… sufi dhe muhadith, një nga dijetarët më të sprovuar të hadithit”. Gjithashtu ai ka shkruar rreth jetës së Ebu Salih El Muedhin: Ahmed Bin Abdulmalik El Nejsaburi (vd. 470 hixhri/1077 e.r.), dhe ka thënë se ai është “Imami, hafizi, asketi, musnidi, dhe muhadithi sufi i Horasanit… [ishte] i veçantë në mësimin përmendësh të Kuranit dhe mbledhjen e haditheve”.

Në shek. VI, në mesin e tyre, gjendet Imam El Faraui (vd. 587 hixhri/1191 e.r.), i cili ishte një nga transmetuesit e Sahih Muslim. El Neueuiu për të – në Sherh Muslim – thotë se ishte një “dijetar i shquar në shkencën e fikhut, bazat e jurisprudencës etj. Ai kishte shumë transmetime me zinxhirë transmetimi autentike dhe të larta. Ai ka pasur shumë nxënës nga e gjithë bota që kanë shkuar për të mësuar prej tij… Ai njihej ndryshe si Dijetari i Fikhut në Xhaminë e Haremit për shkak të përhapjes së diturisë në Mekë prej tij… Ai u rrit në mesin e sufinjve”. El-Dhehebi thotë – në Sijer– se tek El Faraui  “u mblodh… zinxhiri i lartë i transmetimit të hadithit, dituria e bollshme, korrektësia e besimit dhe karakteri i mirë”.

Po kështu, është edhe muhadithi i kohës së tij, Ebu Tahir El Silafi, i mbiquajtur nga Imam Muhadith Salahudin El Ala’i El Shafi’i (vd. 761 hixhri/1360 e.r.) – në El Muselselet El Mukhtasirah – si “Sufiu Silafi”. El Silafi ka mësuar nga disa sufinj të mëdhenj. Në Lisan El Mizan të Ibn El Haxher përmendet se Ahmed Bin Ali El Turaithithi (vd. 497 hixhri/1104 e.r.) ishte “shejhu i El Silafi, i cili u përgojua në prani të tij. El Silafi tha: Ai ishte shejhu më i nderuar që kam takuar në Bagdad prej shejlerëve të sufinjve. Ai zotëronte zinxhir shumë të lartë transmetimi Atij nuk i lexohej asgjë veçse prej bazave (= librave me saktësi vërtetuar). Ndërsa dëgjimet e tij ishin të qarta si dielli”. 

Në mesin e sufinjve muhadithë është edhe Imam El Hafidh Ebu El Fitjan El Dihistani (vd. 503 hixhri/1109 e.r.). Ai ishte një nga imamët e dijetarëve të hadithit në kohën e tij aq sa Shejhu i tij El Khatib El Bagdadi ka transmetuar prej tij. El Dhehebi në Tedhketat El Hufadh thotë: “Ai ishte një imam i shquar në këtë fushë. Prej tij ka transmetuar edhe shejhu i tij Ebu Bekr El Khatib El Bagdadi. El Dhehebi e përshkruan atë si “Ai ka ndjekur hapat e selefëve”. Mirëpo, kur vizitoi Tusin, El Gazali e mirëpriti atë dhe i korrigjoi versionin e tij të Dy Sahihëve dhe transmetoi prej tij. Sufiu El Gazali ka mësuar prej nga selefiu El Dihistani pa u turpëruar. Kjo ka qenë mënyra e të kuptuarit të imamëve të mëdhenj të të dy grupeve.

 

Sufizm medh-hebist

Gjejmë Ibn El Xheuzin, muhadithin hanbeli –se pavarësisht ashpërsisë së tij ndaj sufizmit siç u përmend- ka cituar hadithe nga dijetari sufi Ebu El Uakt El-Sixhzi (vd. 552 hixhri/ 1157 e.r.) dhe thotë në El Muntadham: “Shejhu ynë ka qenë i drejtë bazuar në karakterin e selefëve, e përkujtonte shumë Zotin, bënte shumë adhurime, falej gjatë natë me lotë në sy”. El Dhehebi e përshkruan atë – në Sijer – si “Shejhu, imami, asketi, dashamirës, sufiu, ​​shejhu i islamit, musnidi i horizonteve”.

  1. Sufinj mes dijetarëve të fikhut: Ashtu siç në sufizëm ka pasur dijetarë të shquar të hadithit gjatë shekujve, kuvendet e edukimit të tyre gjithashtu kanë dëshmuar – gjatë shekujve – praninë e dijetarëve të fikhut, disa prej të cilëve ishin hanefi, disa maliki, disa shafi’i dhe disa prej tyre hanbeli. Madje, disa prej tyre ishin nga mbështetësit e medh-hebit Dhahiri, të njohur për ndjekjen strikte të teksteve. Këtu do të mjaftohemi me përmend e disa shembujve nga para shekullit të nëntë, duke u kufizuar – kryesisht – në biografitë e El Dhehebi, për saktësinë e pranuar në njohjen e jetës dhe veprimtarisë së dijetarëve, paanshmërinë e tij të pranuar, dhe për kombinimin e tij – në një masë të madhe – midis tri drejtimeve.

Ndër figurat e shquara të hanefinjve sufinj: Ebu Mansur Omer Bin Ahmed El Xhuri El Nisaburi El Hanefi (vd. 469 hixhri/1076 e.r.), të cilin El Dhehebi e përshkruan – në Sijer – si “dijetari, hafizi, i dobishmi, i besuari, Ebu Mensur… Hanefiu sufi, i devotshmi, nxënësi i shejh Ebu Abdurrahman El Sulemi… Dhe ai ishte një nga njerëzit më të afërt për El Sulemi, kështu që ai shkroi përmbledhjet e tij për të”.

Gjithashtu, është përmendur – në Tarih El Islam– biografia e Abdulaziz El Burhan El Khuteni (vd. 697 hixhri/1298 e.r.), duke e përshkruar atë si “Hanefi sufi… Imam, i virtytshëm, asket, njeri me vlera të mëdha, njeri besimtar, i bindur ndaj Zotit, që kënaqet me atë që zotëron”. Ai gjithashtu ka përmendur Mahmud El Kelebadhi (vd. 700 Hixhri/1300 e.r.) dhe ka thënë se ai ishte “Imami dhe dijetari i hadithit.. Hanefiu sufi… Ai ishte një njeri fetar, i pastër, i devotshëm dhe kërkues, i cili zotëronte shumë dije.. Njeri shumë i dobishëm… Ai njihej si besimtar i mirë. Ai ishte një nga sufinjtë e shquar të Xhamisë Khanahah në Bagdad”.

Ndër figurat e shquara të malikinjve sufinj: Ismail El Manfaluti (vd. 652 hixhri/ 1254 e.r.), të cilin El Sujuti e përshkruan – në Husn El Muhadarah – si “një nga ata që kanë ndërthurur midis sheriatin dhe të vërtetës, një dijetar i fikhut maliki, që kishte dhunti, zbulesa dhe njohuri sufite”. Mbi Shejh Ibn Ata Allah El Iskenderi (vd. 709 hixhri/ 1309 e.r.) ka thënë se “ai ishte një njeri tek i cili mblidheshin të gjitha llojet e dijeve, si tefsiri, hadithi, gramatika, bazat e jurisprudencës, fikhu sipas medh-hebit Maliki. Gjithashtu, në sofizëm ai ndodhi Shejh Ebu El Abas El Mursi (vd. 686 hixhri/1287 e.r.). Ai konsiderohet si mrekullia e kohës së tij. Prej tij kanë mësuar edhe El Taki El Subki”.

Një prej dijetarëve shquar shafi’i që ishin sufinj, dhe ndoshta një prej më të hershmit prej tyre: Muhamed Bin Ismail El Aleui (vd. 393 hixhri/1004 e.r.) – ai është një nga dijetarët sufinj që ndërthurin fikhun me hadithin – për të cilin El Khatib El Bagdadi thotë: “Ai u rrit në Bagdad dhe studioi fikhun sipas medh-hebit Shafi’i me Ebu Ali Bin Ebu Hurejre (Shejh Shafi’i vd. 345 hixhri/956 e.r.). Ai udhëtoi udhëtuar në Levant dhe u shoqërua me sufinjtë duke u bërë një personalitet i shquar në mesin e tyre… Ai e shkroi hadithin… Dhe e shpjegoi hadithin në Bagdad”.

Në mesin e tyre është Imam Ebu El Kasim El Kushejri, i cili është përshkruar nga El Dhehebi – në Sijer – si “imami asket, model, mësues, shafi’i dhe komentues i Kuranit”. Në lidhje me Ebu El Nexhib El Bekri El Suhraverdi (vd. 563 hixhri/ 1168 e.r.) ka thënë se ai është “Shafi’i, sufi, predikues, shejhu i Bagdadit… një nga imamët shafi’inj, si dhe një figurë e shquar në mesin e sufizmit”. imam dhe dijetar i sufizmit”. Ndërsa për Nexhmedin Muhamed Bin Muzafak El Hubushani (vd. 587 hixhri/ 1191 e.r.) ka thënë se ai është “dijetar i madh i fikhut dhe asket… shafi’i dhe sufi mistik shafi… Dhe e jetoi jetën pa marrë asnjë dërhem për mbretit apo vakëfeve”.

 

Hanbelinj dhe Dhahirinj

Në mesin e shafi’injve sufinj mund të përmendet Imam El Izz Bin Abduselam, i cili, sipas El Sujutit në Husn El Muhaderah, merrte pjesë në mësimet e shejhut të madh sufi Ebu El Hasan El Shadheli (vd. 656 hixhri/ 1258 e.r.), shejhu i Tarikatit Shadheli. El Dhehebi e citon atë -në El Sijer– duke thënë: “Nuk na janë transmetuar dhuntitë e askujt në mënyrë të sigurtë, përveç Shejh Abdulkadirit [ El Xheili]”. El Subki ka thënë në Tabakat El Shafi’ije: “Është përmendur se Shejh Izzedin kishte veshur një herkan e sufizmit nga Shejh Shihabeddin El Suhraverdi, mësoi prej tij dhe ka përmendur se ai lexonte në prani të tij El Risale El Kushejrijeh”. 

Ndër figurat e shquara të hanbelinjve sufinj, dhe ndoshta një nga më të hershme midis tyre: Omer Ibn Thabit Ebu El Kasim El Hanbali El Sufi, të cilin e ka përmendur El Bagdadi në Tarih El Bagdad. Mesa duket, ai ka jetuar midis shekujve të katërt dhe të pestë. Në mesin e tyre është edhe Ahmed Bin Abdulkerim El-Balabeki (vd. 777 hixhri/ 1376 e.r.), për të cilin Ibn El Haxher ka thënë – në Enbe’ El Gumr– se ai është “Sufi, hanbeli dhe musnid… Ai ka transmetuar shumë hadithe dhe ka pasur shumë njerëz që kanë udhëtuar drejt tij për të mësuar hadithe nga ai”. 

El Dhehebi ka përpiluar -në Tarih El Islam dhe të tjerët- biografitë e rreth dhjetë dijetarëve hanbelinj, duke e përshkruar secilin prej tyre si “Hanbeli sufi” ose “Sufi hanbeli”. Ata kanë ndërruar jetë midis vitit 634 hixhri/ 1236 e.r. dhe 719 hixhri/ 1319 e.r.. Ka të ngjarë që shfaqja e këtij grupi dijetarësh në mesin e hanbelinjve të ketë qenë rezultat i përpjekjeve sufiste të El Xheilit dhe predikimeve të Ibn El-Xheuzit, pavarësisht mospërputhjeve midis këtyre dy imamëve hanbelinj, të cilat El Dhehebi i cekur atë në biografinë e Ibn El Xheuzit, duke rrëfyer kalvarin e burgosjes së këtij të fundit për  pesë vite, si rezultat i kësaj mospërputhjeje.

Është me të vërtetë mbresëlënëse që në mesin e figurave sufite gjejmë përkrahës të Imam Ibn Tejmijes, të cilin shumë mendojnë se ai dhe nxënësit e tij e refuzojnë sufizmin dhe i shmangen gjithmonë sufinjve. Ibn Haxheri thotë – në Enbe’ El Gumr – se Ali Bin Garib El Burxhumi (vd. 777 hixhri/ 1376 e.r.) ishte “një nga shejhlerët besnikë (= sufinj). Ai ishte me uniformë ushtarake dhe ishte shumë fanatik në mbështetje të Ibn Tejmijes dhe pasuesve të tij” Në biografinë e Shemsedin El Debahi El Bagdadi (vd. 711 hixhri/ 1311 e.r.), El Dhehebi thotë – në El I’ber– se ai është “imami, shembulli, shejhu hanbeli dhe sufi… Ai njihej për fetarizmin, sinqeritetin dhe dijen e tij”. 

El Hafidh Ibn Rexheb shton, duke theksuar se El Debahi ka qenë nxënës i Ibn Tejmijes: “Ai shoqëroi mbetjet e sufinjve, gjurmoi gjurmët e tyre dhe mësoi shumë për prej tyre dhe shejhlerëve të tarikatit. Ai shpenzoi shumë para nga trashëgimia e tij për të varfrit (= sufinjtë). Në rininë e tij, ai e studioi fikhun sipas medh-hebit Hanbeli jurisprudencë në rininë e tij sipas doktrinës së Ahmedit. Kur u ndriçua nga drita e shejhut tonë (= Ibn Tejmije) dhe fitoi dyfish nga sa dëshironte, ai u udhëtoi në Damask me familjen e tij dhe u vendos atje.

Prania e sufinjve mes dijetarëve të fikhut nuk është kufizuar vetëm me katër medh-hebet, por ata kanë pasur një prani edhe në medh-hebin Dhahiri, i cili konsiderohet si i përafërt i Hanbelizmit në ndjekjen strikte të burimeve të sheriatit, edhe pse mund ta ketë lënë mbrapa atë në këtë drejtim. Midis dijetarëve të fikhut me prirje sufiste ka qenë Imam El Kajserani, i cili u përmend më sipër dhe Ruejm Bin Muhamed El Bagdadi (vd. 303 hixhri/915 e.r.), i cili ishte “një sheik sufi dhe një nga dijetarët dhahirinj të fikhut. Sipas El Dhehebi në Sijer ai e mësoi fikhun nga Daud El  Dhahiri El Asbahani, (vd. 270 hixhri/884 e.r.). Në mesin e tyre është edhe Muhamed Ibn Ibrahim El Shirazi El Kegadhi (vd. 474 hixhri/1082 e.r.). El Dhehebi ka thënë për të – në Mizan El I’atidal – se ai është “Ndjekës i Daud El Dhahiri dhe sufi… Ai kishte një dyqan në Bagdad që shiste libra”.

 

Autori: Muhamed El Sejad

Burimi: Al Xhezira

 

Artikuj të ngjashëm

Doktrinë dhe Kontekst

Doktrinë dhe Kontekst Nga: Ovamir Anjum[1] Universiteti i Toledos Hyrje Besohet gjerësisht se selefitë janë kundërshtarët e modernitetit politik në përgjithësi dhe të demokracisë në…

Lexo më shumë »

Hatem el Awni – Bidati

  Shaykh Al-Islām Ibn Tejmije formuloi dy kushte për të përcaktuar nëse një çështje e sapofutur në fe është një risi e ndaluar (bidat) apo…

Lexo më shumë »