“Le të takohemi në mesditë, në mëngjes ose në mbrëmje”. Përdorimi i këtyre termave për përcaktimin e kohës dhe datave është ende i përhapur edhe në ditët e sotme. Ndoshta disa mund të mos e dinë se ato kanë mbetur nga koha e qytetërimit të hershëm islam. Madje ato datojnë që nga periudha e lashtë e arabëve. Dhe nëse këto përcaktime kohore që përdoren rëndom nënkuptojnë shmangien e dhënies së një orari të caktuar dhe mungesë saktësie, në të kaluarën ato i referoheshin përcaktimeve kohore specifike dhe lidheshin me segment kohor të njohur.
Arabët e njihnin kohën dhe e përcaktonin duke e ndarë në segmente të qarta. Islami bëri që lidhja e tyre me kohën të forcohej, pasi e përdornin atë për të përcaktuar adhurimet dhe marrëdhëniet e tyre ndër njerëzore. Gjithashtu edhe historianët e qytetërimit islam i kanë regjistruar ngjarjet historike me orë dhe minuta. Kjo ka ndodhur vetëm sepse koha ka pasur një vend të rëndësishëm në trashëgiminë arabe dhe islame. Në shenjë nderimi për vlerën e kohës, Profeti Muhamed (a.s.) thotë në një hadith autentik: “Mos e shpërdoroni kohën, se Zoti është koha” (Transmetuar nga Muslimi dhe përmendur në Sahih El Buhari me një formulim të ngjashëm), edhe pse identifikimi i Zotit me kohën është në mënyrë figurative.
Koha për arabët ishte shumë e rëndësishme edhe para Islamit. Emir El San’ani (vd. 1182 hixhri/ 1768 e.r.) kur shpjegon hadithin e mësipërm në librin e tij El Tenuir Sherh El Xhemi’ El Sagir ka përmendur: “Kur ndonjërit prej arabëve i ndodhte diçka e keqe, ai bënte përgjegjëse kohën dhe besonte se ajo ishte shkaktarja e asaj që i kishte ndodhur. Kjo ishte si një lloj mallkimi për shkaktarin, edhe pse nuk ka shkaktar tjetër përveç Zotit”.
Kjo është në përputhje me atë që ka përmendur Kurani Famëlartë se arabët thoshin: “Ne vdesim dhe jetojmë dhe asgjë tjetër përveç kohës nuk na shkatërron” (Surja El Xhathije: 24). Nëse Islami erdhi për të korrigjuar besimin e arabëve lidhur me shkaktarin e ngjarjeve (Zotin), ai ka bërë që ata ta nderonin dhe respektonin edhe më tepër kohën. Kjo është arsyeja pse Islami ka përcaktuar në mësimet e tij që gjëja e parë për të cilën një musliman do të pyetet në jetën e përtejme është: “Si e kaloi jetën e tij?” (Hadith autentik i transmetuar nga Tirmidhi etj.).
Meqenëse koha kishte një status të tillë në kulturën e arabëve para dhe pas Islamit, është e natyrshme që ata të kishin një shkallë përsosmërie në trajtimin e saj, duke pasur përparësi në mënyrat e ndarjes dhe matjes së saj, si dhe shprehjen e rrjedhës dhe luhatjeve të saj. Por a e matnin ata kohën e tyre si ne tani? Ata e ndanin ditën dhe natën në njëzet e katër orë? A i premtonte një njeri dikujt tjetër që të takoheshin në orën pesë apo gjashtë, për shembull? Dhe nëse e kanë bërë, si e kanë matur atë? Dhe cila është mënyra e tyre për ta thënë atë? Kjo është ajo që diskuton artikulli ynë, duke shqyrtuar dëshmi teorike dhe historike.
Njëzet e katër orë
Arabët e ndanin ditën në njëzet e katër orë, siç bëjnë edhe njerëzit tani. Por ato nuk ishin orë të barabarta si orët e përdoruara në ditët e sotme. Dita për ta ishte dymbëdhjetë orë, kurse nata dymbëdhjetë orë gjithashtu, pavarësisht se njëra prej tyre mund të ishte e gjatë ose e shkurtër. Bazuar në këtë, në verë, orët e ditës zgjateshin – së bashku me gjatësinë e ditës – derisa arrinin më shumë se shtatëdhjetë minuta, sipas mënyrës së matjes së orës në ditët e sotme. Nga ana tjetër, orët e natës shkurtoheshin në më pak se pesëdhjetë minuta. Ndërsa në dimër ndodhte e kundërta, orët e natës zgjateshin dhe orët e ditës shkurtoheshin.
Ndoshta teksti më i vjetër arab i dokumentuar që përmend orën është hidithi që është transmetuar nga dy imamët El Buhari (vd. 256 hixhri/ 870 e.r.) dhe Muslim (vd. 261 hixhri/ 875 e.r.) dhe të tjerë nga Ebu Hurejre (vd. 59 hixhri/680 e.r.): “Kush bën banjë ditën e xhuma, si gusuli pas marrëdhënieve intime, e pastaj shkon (në xhami) në orën e parë, është si ai që bën kurban një deve (për të arritur kënaqësinë e Allahut); kushdo që shkon në orën e dytë është si ai që bën kurban një lopë, kushdo që shkon në orën e tretë është si ai që bën kurban një dash me brirë, kushdo që shkon në orën e katërt është si ai që bën kurban një pulë, kushdo që shkon në orën e pestë është si ai që bën kurban një vezë. Kur imami ngjitet (në minber), engjëjt vijnë për të dëgjuar dhikrin.”
Dijetarët e fikhut kanë pasur mendime të ndryshme lidhur me kuptimin e orës në këtë hadith: E nënkupton orët e ditës – për të cilat po flasim – apo nënkupton orën në kuptimin e një pjese të pacaktuar të kohës? Ata kanë pasur diskutime, gjatë të cilave askush nuk ka pretenduar se ora nuk ishte e njohur në kohën e Profetit (a.s.). Madje, ata kanë pasur një qëndrim unanim për ekzistencën dhe përdorimin e saj në atë kohë. Megjithatë, kanë pasur mendime të ndryshme mbi qëllimin e përdorimin të orës nga ana e Profetit (a.s.).
Më pas, ka pasur mendime të ndryshme midis atyre që mendonin se Profeti (a.s.) kishte për qëllim orët e njohura të ditës. Imam Neueui (vd. 676 hixhri /1277 e.r.) ka thënë në shpjegimin e tij për ‘Sahih Muslim’ duke komentuar këtë hadith: “Dijetarët kanë pasur mendime të ndryshme nëse është caktimi i orëve nga agimi apo nga lindja e dielli? Po kështu, ka thënë: “Dihet se Profeti (a.s.) dilte në namazin e xhumasë menjëherë pas drekës, që është pas orës së gjashtë.
Dymbëdhjetë orë të ditës ose të natës përmenden në hadithe të tjera, por shembulli më i famshëm dhe më i saktë ishte shembulli i mësipërm, që ka qenë edhe boshti i diskutimeve të dijetarëve të fikhut, përmes të cilave mund të arrihet në ndarjen që ata i kanë bërë kohës. Diskutimi që është bërë rreth këtij hadithi dhe të tjerëve tregon se ata e kanë përdorur këtë formë të matjes së kohës që në kohët e hershme, duke thënë: ora e parë, e dytë dhe e tretë…e kështu me radhë.
Ky fakt mbështetet nga ajo që ka përmendur historiani El Uakidi (vd. 207 hixhri/ 822 e.r.) – në librin e tij Futuh El Sham – duke specifikuar me orë fillimin dhe fundin e udhëtimit të sahabiut Abdullah Bin Kurt El Ezdi. (vd. 56 hixhri/ 677 e.r.) drejt Medinës, kur ai paraqiti një letër nga komandanti i ushtrive të Levantit Ebu Ubejdeh Ibn El Xherrah (vd. 18 hixhri/ 640 e.r.) duke kërkuar mbështetje nga Prijësi i Besimtarëve, Omar Ibn El Hatab (vd. 23 hixhri/ 645 e.r.) përpara Betejës së Jermukit (u zhvillua në vitin 15 hixhri/637 e.r.).
Ibn Kurt El Ezdi thotë: “Jam nisur nga Jermuku të premten në orën dhjetë të pasdites. Kishin kaluar dymbëdhjetë ditë nga muaji Dhul-Hixhe dhe hëna ishte plot dritë. Kështu arrita të premten në orën e pestë dhe xhamia ishte plot me njerëz.”
Emëtimet arabe për orët
Secila prej njëzet e katër orëve tek arabët kishte një emër dhe këta emra janë transmetuar nga Ebu Mensur El The’alibi (vd. 429 hixhri/1039 e.r.) në librin e tij Fikh al-Lughah. Orët e ditës ishin: El Shuruk (Lindja e diellit), El Bukūr (mëngjesi i hershëm), El Gudu’ (mëngjesi), El Duha (zamra), El Hexhir (paraditja), El Dhahirah (drekë), El Rauah (pas drekës), El Asr (pasdite), El Asīl (para mbrëmjes), El Ashij (mbrëmje), El Gurub (perëndimi). Ndërsa orës e natës ishin: El Shefak (muzgu), El Gasek (errësirë), El A’tmeh (errësirë), El Sudfeh (errësirë e thellë), El Fahmeh (skëterrë), El Zuleh (rrëshqitje), El Zulfeh (pjesa e parë e natës), El Buhrah (mesi), El Seharah (Koha e vonë e natës para dritës së ditës), El Fexhr (Shfaqja e parë e dritës në mëngjes), El Sabah (mëngjesi).
El The’alibi ka thënë: “Emrat e tjerë të kohëve vijnë duke përsëritur fjalë, kuptimet e të cilave janë të ngjashme.” Kjo është ajo që ky i fundit ka përmendur rreth arabëve të hershëm. E vërteta është se disa nga emrat e orëve që ai përmend nuk i kam parë në fjalorë apo libra letrarë e poetik në gjuhën arabe.
Kështu, banorët e Gadishullit Arabik i numëronin orët e ditës duke filluar nga lindja e diellit dhe orët e natës pas perëndimit të diellit. Nëse një arab thoshte: Unë do të takohem me ty në orën dy të ditës, atëherë ai do të takohej me ty rreth orës shtatë të mëngjesit sipas sistemit të sotëm për matjen e orës. Dhe nëse ai thoshte: Unë do të të takoj në orën një të natës, do të thotë pak pas perëndimit të diellit.
Metoda e tyre e llogaritjes dhe numërimit të orëve ishte shumë e saktë, duke gjurmuar hijen gjatë ditës, perëndimin e diellit, muzgun dhe shkallëzimin e errësirës gjatë natës. Një nga shpjegimet e tyre në lidhje me llogaritjen e saktë të orëve është edhe ai i Imam Ibn Batal El Kurtubi (vd. 449 hixhri/1058 e.r.) në shpjegimin e tij për Sahih El Buhari: “Studiuesit e çështjes së përllogaritjes së kohës bien dakord se dielli perëndon vetëm në fillim të orës së shtatë dhe namazi bëhet nëse hija ka arritur gjatësinë e një krahu, dhe kjo është në orën e tetë pasi ka kaluar një e pesta e saj në verë dhe pasi ka kaluar gjysma e saj në kohën e dimrit.”
Domethënia e fjalëve të tij është se nëse hija arrin gjatësinë e një krahu në verë, atëherë ka kaluar e pesta e orës tetë. Dhe nëse hija arrin gjatësinë e një krahu në dimër, atëherë ka kaluar gjysma e orës tetë, sepse orët e ditës janë më të gjata në verë dhe më të shkurtra në dimër. Ibn Batal ka diskutuar një mendim të Imam Abdulmalik Bin Habib El Maliki (vd. 238 hixhri/ 852 e.r.) në të cilën ai besonte se dielli perëndon në orën e gjashtë të ditës. E gjithë kjo tregon saktësinë e tyre në llogaritjen e orëve me një të pestën, me gjysmë dhe një të katërtën që nga kohërat e hershme.
Ka shumë të ngjarë që arabët e kanë marrë këtë ndarje të orëve nga grekët dhe egjiptianët, për shkak të ngjashmërisë së madhe me metodën e tyre. Peter Boardman ka përmendur në një punim që ka botuar me titull: “Matja e kohës: Një histori e shkurtër e njëzet e katër orëve”m se grekët e lashtë e ndanin kohën në njëzet e katër orë, gjysma e tyre përfshinte ditën dhe gjysma tjetër natën “sipas përshkrimit që korrespondon me atë që bënin arabët, dhe merita u shkon atyre në për rinumërimin e orëve nga mesdita dhe më pas mesnata në shekullin e trembëdhjetë, sepse ata e shihnin numërimin si më të lehtë duke nisur nga mesdita sepse ora ishte e qartë në mesditë, kur dielli ishte në nivelin e tij më të lartë në qiell, sipas tij. Kjo është ajo që arabët e shprehnin me faktin se dielli në atë kohë do të ishte “në mes të qiellit”.
Mendimin se arabët e morën këtë ndarje nga grekët dhe egjiptianët e mbështet edhe fakti që gjeografët e hershëm arabë, si Ibn El Haik El Hamdani (vd. 334 hixhri/ 945 e.r.) në librin e tij “Sifatu Xhezirat El Arab” (Karakteristika e Gadishullit Arabik), ia ka atribuuar ndarjen e kohës Hermes El Hakim, i cili ishte egjiptian sipas shumicës së mendimeve të studiuesve dhe Ptolemeut (vd. 170 e.r.), një greko-egjiptian.
Shprehja e kohës
Për arabët, nata i paraprin ditës. Sipas Ibn Muflih El Hanbelit (vd. 884 hixhri/ 1479 e.r.), “ tek arabët gjatë historisë, netët i kanë mbizotëruar ditët. Dita njëzetë e katër orëshe sipas arabëve fillon me perëndim të diellit, jo në mesnatë. Arabët nuk ngatërrohen si të tjerët që mund të thonë “festa u bë në natën ndërmjet të hënës dhe të martës së shkuar, por thonëë “natën e së martës”, domethënë pas perëndimit të diellit të ditës së hënë.
Kjo është arsyeja pse muslimanët falin teravitë para se të agjërojnë ditën e parë të Ramazanit. Natën e parë të muajit Sheval e quajnë “nata e Bajramit” para se të lindë dielli. Dhe nisja nga agimi – jo nga lindja e diellit – është në përputhje me atë që i atribuohet edhe grekëve, siç e ka përmendur Peter Boardman në studimin e tij.
Mësuam se arabët e emërtonin çdo orë me një emër të veçantë për të, el fexhr (Shfaqja e parë e dritës në mëngjes), el duha (zamra), el dhahirah (drekë), el gasek (errësirë), el shefak (muzgu), el A’tmeh (errësirë) etj., por si i shprehnin ato orë? A përdornin emra apo numra? Si e ndanin orën?
Arabët shpesh përdornin e orëve për të shprehur kohën dhe rrallë përmendnin numra. Ata thoshin: Unë do të vij te ty në kohën el hexhir (paradites), pra në orën e pestë arabe të ditës, domethënë: para mesditës. Në hadithin e Abdullah Bin Omerit (vd. 73 hixhri/ 693 e.r.) rreth haxhit përmendet: “Edhe sikur të ishte në namazin e drekës, i Dërguari i Zotit (a.s.) shkoi në kohën e el hexhirit. kështu që ai i bashkoi namazet e drekës dhe pasdites” (Sunen Ebu Daud).
Në përgjithësi arabët përdornin emrat dhe jo numrat për përcaktimin e orëve. Por ata përdornin edhe numrat në poezitë dhe veprat letrare, në komunikimin e përditshëm dhe në marrëdhëniet e tyre zyrtare. Një rast tipik i përdorimit të numrave në poezi janë edhe vargjet e Beshat Bin Burdit (vd. 169 hixhri/785 e.r.), i cili i numëron orët, gjë e cila bëhet vepër për një njësi që mund të numërohet:
Sikur ta takoja të mos dëshiroja
Në thirrjen e atij që në Xhenet të fton
Orët numëroj sikur në to
Të shoh fytyrën e pasqyrimin e saj
Ndër përcaktimet hershme të tyre për kohën me orë të caktuara është raportuar nga El Hafiz Ibn Abdulberr El Kurtubi (vd. 463 hixhri/1071 e.r.) – në librin e tij Al-Tamheed – se kalifi Omar Bin Abdulaziz (vd. 101 hixhri/ 720 e.r.) e “ndiqte kohën duke njohur cilësi të caktuara të orëve” për të përcaktuar kohët e namazit. Gjithashtu, Ibn Abdulberr transmeton me zinxhirin e tij të transmetimit nga Imam El Euza’i (vd. 157 hixhri / 775 e.r.) se ky kalif umajad e “falte namazin e drekës në orën tetë dhe atë të pasdites në orën dhjetë”.
Ngjarje historike në orë
Kjo hipotezë mbështetet nga një sërë burimesh historike të raportuara nga shumë historianë që në një kohë shumë të hershme për datat e lindjes së dijetarëve, kalifëve, princërve dhe udhëheqësve, vdekjet e tyre dhe ngjarjet publike dhe private, ku janë përmendur dita, data, ora dhe ndonjëherë pjesë të caktuara të orës.
Ndoshta një nga shembujt më të vjetër të kësaj është ai që El Makrizi ka përmendur në librin e tij Ita’adh El Hunefa, se kalifi fatimid El Mu’izz li-Dinilah (vd. 365 hixhri/977 e.r.) ishte lindur “katër orë e katër të pestat e një ore nga e hëna e njëmbëdhjetë e Ramazanit të vitit treqind e nëntëmbëdhjetë”. Ky është një përcaktim i saktë që mbështet te ora dhe pjesët e saj.
Në këtë kontekst është edhe ajo që ka përmendur Muhjidin El Kurashi (vd. 775 hixhri/1373 e.r.) në El Xheuahir El Mudie’ Fi Tabakat El-Hanefije, se Sulltani i Madhërishëm Ejubid Ibn El Adil “ndërroi jetë në ditën e fundit të muajit dhul-kadeh në orën e tretë të xhumasë në vitin gjashtëqind e njëzet e katër në Damask”.
Dhe historiani Ibn Taghri Bardi (vd. 874 hixhri/1469 e.r.) në El Manhal El Safi citon se Sulltani memluk El Dhahir Xhakmak (vd. 857 hixhri/1453 e.r.) “u largua nga pushteti në orën e dytë të së enjtes, më njëzet e një Muharrem të vitit tetëqind e pesëdhjetë e shtatë”.
Lidhur me datat e lindjes dhe vdekjes sëdijetarëve, El Nuaimi El Dimashki (vd. 927 hixhri / 1521 e.r.) në librin e tij El Derisu Fi Tarihi El Mederis na tregon se gjykatësi më i lartë në Damask Sherefudin Ibn Kadi El Xhebel El Hanbeli. (vd. 767 hixhri/1365 e.r.) “u lind në orën e parë të së hënës, më nëntë Shaban të vitit gjashtëqind e nëntëdhjetë e tre”.
Gjithashtu, Taxhudin El Subki (vd. 771 hixhri/1369 e.r.) në Mu’xham El Shujukh se dijetarja Emine Bint Ibrahim El Uasiti “ndërroi jetë të në fund të ditës së gjatë të Dhul-Hixhes në vitin shtatëqind e dyzet në Damask. Ndërsa namazi i xhenazes iu fal në orën e katër të së dielës në Xhaminë El Muzafferi”.
Lidhur me përdorimin e orës për përcaktimin e ngjarjeve historike, historiani abasid El Safedi (vd. 717 hixhri/ 1317e.r.) në librin e tij Nuz’hat El Malik Ue El Memluk na informon se qyteti egjiptian Belbeis u rrethua nga shirat e rrëmbyeshëm në vitin 716 hixhri/ 1316 e.r., derisa “ u mbyll rruga për Belbeis nga Bab Misr deri në Bab El Sham. E gjithë kjo ndodhi në një orë e gjysmë “orë rëre” të asaj dite”.
Historiani El Makrizi (vd. 845 hixhri/1441 e.r.) në librin e tij El Suluk shprehet se ditën e hënë, më 18 të xhumade el ekhirah në vitin 787 hixhri / 1385 e.r., “Kajro u lëkund nga një tërmet i lehtë në orën katër”. Udhëtari andaluzian Ibn Xhubejr El Kinani (vd. 614 hixhri/1217 e.r.) na tregon datën e saktë të mbërritjes së tij në Mekë në vitin 579 hixhri/ 1183 e.r., duke thënë: “Kemi hyrë në Mekë, që e ruajtë Zoti, në orën e parë të ditës së enjte, më trembëdhjetë Rabia’, që përkon me datën katër gusht” në vitin 1183 të erës sonë.
Një nga gjërat më të befasuese që ka përmendur El Makrizi në El Meuaidh Ue El I’tibar është përdorimi zyrtar i orës nga fatimidët. Ai përmend se në ngjarjet e vitit 395 hixhri/1006 e.r. në Egjipt “është lexuar një vendim që ezani për namazin e drekës të thirret në fillim të orës shtatë dhe ezani për namazin e pasdites të thirret në fillim të orës nëntë”.
Ky mund të konsiderohet si dokumentim i përdorimit të orëve në ceremonitë zyrtare. Gjithashtu, vendimi i tyre është i ngjashëm me atë që bëjnë sot ministritë e vakëfeve në caktimin e kohëve të faljes dhe shtypjen e kalendareve të Ramazanit, për t’i ndihmuar njerëzit që të përcaktojnë kohët e adhurimeve të tyre.
Fatimidët prireshin të ishin të disiplinuar në këtë drejtim, pasi mbështeteshin te llogaritjet astronomike për të përllogaritur muajt hënorë dhe jo te vëzhgimi i hënës. Dhe një nga ekzagjerimet e tyre lidhur me këtë e ka cituar El Dhehebi (vd. 748 hixhri/ 1347 e.r.) në Sijer Alam El Nubela se ata kanë ekzekutuar në vitin 335 hixhri/ 946 e.r. “Imamin, dëshmorin dhe gjykatësin e qytetit Barka, Muhamed Ibn El Habili”, se ai kishte refuzuar të jepte urdhër që njerëzit të ndërpresin agjërimin gjatë Ramazanit pa e parë gjysmëhënën e Bajramit me sy të lirë. Më pas El Dhehebi ka komentuar: “Kjo ndodhi për shkak të mendimit të fatimidëve. Ata e ndërpresin agjërimin bazuar në llogaritje astronomike dhe nuk e konsiderojnë shikimin e hënës.”
Takime me orare të detajuara
Kur arabët përmendnin orët me numra, thoshin: Kur të kalojë ora e parë e ditës, kur të kalojë ora e dytë e natës, kur të kalojnë tre ose katër orë të ditës ose të natës, etj. Ata nuk e përdorën fare termin “një orë”, por përkundrazi thoshin: “ora e parë”. Gjithashtu nuk i ndanin orët në minuta dhe sekonda, siç bëjmë ne sot, por thoshin, për shembull: tre të katërtat e një ore, katër të pestat e saj, një e shtata e një ore dhe një gjysmë të shtatës së një ore… e kështu me radhë.
Ibn Kutejbe El Dinori (vd. 276 hixhri/889 e.r.) ka thënë në librin e tij El Anua, duke folur për gjysmëhënën dhe qëndrimin e saj në qiell nisur nga fillimi i muajit: “Dihet se ajo [gjysmëhëna] qëndron në qiell gjatë të shtatat e një ore që nga fillimi i saj dhe më pas fshehet. Çdo natë e tejkalon qëndrimin e tij krahasur me natën e kaluar m gjashtë të shtatat e një ore”.
Disa nga këto përdorime janë ende të pranishme në kulturën e përditshme arabe. Prandaj themi: Më takoni në mesditë, në mëngjes dhe në mbrëmje, duke përdorur emrtimet e orëve të lashta ndër arabët. Dhe ne themi: Në katër e gjysmë, në pesë e një çerek, në gjashtë e njëzetë, dhe nuk shkojmë përtej kësaj në një të pestën e orës, të gjashtën dhe të shtatën, siç bënin disa nga të parët tanë, por përdorim minutat.
Minutat dhe sekondat përmenden në trashëgiminë tonë letrare të hershme, si libri Sifatu Xhezirati El Arab me autor Ibn El Haik El Hamdani, por ai i përmend ato si njësi matëse astronomike, të cilat shumë shpejt u zëvendësuan nga njësitë matëse të kohës, sepse ishin të lidhura me njëra-tjetrën. Në vazhdim do të flasim më gjerësisht lidhur me këtë çështje.
Ata përdornin një njësi matëse të kohës si “shkalla”, që përdoret edhe sot në disa vende të Magrebit, si në Tunizi. Përdorimi i shkallës në shprehjen e pjesëve të kohës është shumë i vjetër tek arabët, dhe është shumë më i vjetër se minutat, dhe e kanë huazuar nga shkallët e yjeve me të cilat, siç dihet, ata matnin kohën.
Prandaj e gjejmë poetin El Farazdak (vd. 110 hixhri/729 e.r.) duke thënë:
Të mundurit i them, kockat a t’u shkrinë
Si shkallët e yjeve që në qiell lundrojnë
El Farazdak i ka përdorur “shkallët e yjeve” (= lëvizjet e tyre) si njësi kohore, siç e përdornin studiuesit e astronomisë dhe aritmetikës në atë kohë.
El Marzuki El Isfahani (vd. 421 hixhri/1031 e.r.) ka thënë në librin e tij El Ezmine Ue El Emkine se “me lundrimin e yjeve kuptohet kohazgjatja për një udhëtim të caktuar, me fjalë të tjera në shkallë (= kohëzgjatja e një udhëtimi). Nëse udhëtimi mbaronte dhe niste një tjetër, atëherë ai quhej shkalla e dytë. Nëse udhëtimi do të ishte i vazhdueshëm, atëherë ai do të krahasohej me shkallët e yjeve”.
Me kalimin e kohës shkalla filluan të përmenden si sinonim i orës, siç është përmendur në poezinë e Ibn El Afif El Talmisani (vd. 688 hixhri/1289 e.r.):
Predikova dhe ju përshëndeta
Në kuvendin e dëshirave
Dhe u ngjita mbi shkallë e orë
Është përmendur në disa libra studime se shkalla me kalimin e kohës u kthye në një njësi matëse të veçantë që mund të kishte nën ndarje të tjera. Arabët përmendnin gjysmën e shkallës, një të katërtën dhe një të pestën e saj, siç i ka dokumentuar Ibn Taghri Bardi ngjarjet në librin e tij El Nexhm El Zahirah.
Si një shembull i mirë për të lustruar sa u tha më sipër, ai përmend se Mudhafer Sulltan Ebu El Saadat El Sherkezi (vd. 833 hixhri/ 1430 e.r.) e mori pushtetin “pasi kishte kaluar një e pesta e shkallës nga mesdita e së hënës, nëntë Muharrem në vitin tetëqind e njëzet katër”.
Përdorime të trashëguara
Nuk e kam gjetur përmendjen e “shkallës” si një njësi kohore nga autorët e fjalorëve të njohur, veçanërisht të atyre relativisht të vonë si Lisan El Arab dhe Taxh El Arus. Përkundrazi, rastësisht e kam gjetur atë në librat e historisë dhe letërsisë. Por këta fjalorë përfshijnë “shkallën” në përkufizimet që lidhen me llogaritjet astronomike. Ibn Mandhuri (vd. 711 hixhri/ 1311 e.r.) ka thënë në Lisan El Arab, se “secila nga yjësitë e qiellit ka tridhjetë shkallë”.
Filozofi dhe astronomi Ebu El Rajhan El Biruni (vd. 440 hixhri/1049 e.r.) në librin e tij Tahkik Me Lilhind Min Makuletin Makbuletin Fi El Akli Ue Merdhuletin, shprehet se “Bashkimi i yjësive formon muajt, ndërsa shkallët formojnë ditët”.
Para El Birunit, astronomi Ibn Xhabir El Battani El Harani (vd. 317 hixhri/ 929 e.r.) në librin e tij El Zexh El Sabi’ na jep një përcaktim të shkallës astronomike. Ai thotë: “Ajo është e ndarë në gjashtëdhjetë pjesë të quajtura minuta. Çdo minutë e saj ndahet në gjashtëdhjetë pjesë që quhen sekonda. Çdo sekondë ndahet në gjashtëdhjetë pjesë. Dhe kështu me radhë ndarja vazhdon në të dhjetat dhe përtej”.
Arabët sot ndryshojnë shumë në shprehjen e orës, veçanërisht midis Lindjes Arabe dhe Magrebit. Në Tunizi, për shembull, nëse nuk je vendas dhe pyet dikë për kohën, ai të përgjigjet: Pesë e shtatë! Ndoshta do të habitesh nga përgjigja e tij dhe do të thuash: Për t’u habitur sesi këta njerëz janë kaq të saktë në përcaktimin e kohës! Ti mendon se të ka thënë që ora është: 05:07. Më pas kur të mësosh mënyrën e tyre të të shprehurit, do ta kuptosh se ai donte të thoshte: 05:35. Kjo sepse ata i ndajnë çdo pesë minuta në një shkallë. Pra ai ka dashur të thotë: Ora është pesë dhe shtatë shkallë. Sa për njerëzit e Lindjes Arabe, ata thonë: Pesë e gjysmë e pesë.
Unë nuk mendoj se shkalla e përdorur nga banorët e Magrebit, e barabartë me pesë minuta, është e njëjtë në gjatësinë e saj me shkallën e përmendur në fjalëve e dijetarëve të hershëm. Pesë minutat janë larg copëzimit, pavarësisht se ata e ndanin shkallën në pjesë, siç e gjejmë te Ibn Taghri Bardi në thënien e tij se “Gjykatësi El Shafi’ nxitoi në hutbe dhe në namaz, sipas urdhërit të sulltanit [sepse ai ishte i sëmurë]. Kështu, hutbeja dhe namazi zgjatën rreth tri shkallë rëre dhe disa minuta”, gjë që tregon se “shkalla” përfaqëson një njësi kohe shumë të shkurtër.
Rrallë gjen që banorët e Tunizisë – dhe ndoshta në të gjitha vendet e Magrebit – që të thonë: “Takomë në orën dymbëdhjetë”, përkundrazi, ata thonë: “Do të takohemi në mes të ditës” ose “në gjysmën e natës”, duke ia shtuar gjysmën, çerekun dhe shkallën. Kështu, ata thonë: Gjysma e ditës e një çerek, gjysma e natës dhe gjysma, dhe gjysma e natës dhe dy shkallë. Është e rrallë që ata të thonë gjithashtu: Ora është një, ose ora është dy, siç bëjnë arabët e lindjes. Përkundrazi, ata thonë: Ka kaluar një orë, kanë kaluar dy orë e kështu me radhë. Ndoshta mënyra e për përdorur nga banorët e Magrebit për të shprehur kohën është më elokuente dhe më afër gjuhës letrare arabe, të përdorur nga arabët e hershëm.
Orët ekuatoriale
Megjithëse tek arabët ka mbizotëruar përdorimi i njëzetë e katër orëve të ditës dhe natës, me gjatësi të ndryshme midis verës dhe dimrit, për ndarjen e kohës, historia e tyre përmend shembuj të atyre që e llogaritnin kohën e tyre në njëzet e katër orë të barabarta (gjashtëdhjetë minuta secila) saktësisht si orët e ditës, por kjo ishte pothuajse e kufizuar me përdorimin e astronomëve dhe gjeografëve. Ata i quajtën këto orë “orë ekuatoriale” ose “orët e sheshta” ose “ora e ekuinoksit”, për t’i dalluar nga mënyra përdorimi i përgjithshëm, i cila zgjatej dhe shkurtohej sipas katër stinëve.
Ibn El Haik El Hamdani thotë në librin e tij El Mutekadim se qyteti irakian i Basrës “dielli lind mbi të pas ngjitjes së tij në pozicionin ekuatorial për dy orë të sheshta pa një të tretën e së pestës së një ore”. Vërejmë këtu se ai ka përmendur Ekuatorin, të cilin ndonjëherë ai e ka dalluar duke thënë “vija e Ekuatorit për së gjati”, duke e shpjeguar atë si “rrethi gjysmëditor” astronomik.
Ajo që nënkuptohet me këtë vijë është ajo që sot njihet si Meridiani e Grinuiçit, i cili e ndan globin në pjesën lindore dhe atë perëndimore. Është pikërisht ky meridian që është miratuar ndërkombtarisht për përcaktimin e diferencave kohore midis zonave kohore që prej vitit 1301 hixhri/1884 e.r. kur u mor vendimi në Konferencën Ndërkombëtare të Gjatësisë Gjeografike që u zhvillua në kryeqytetin amerikan, Uashington.
Ibn El Haik e ka shpjeguar hollësisht orën ekuatoriale. Ai i përmend minutat dhe sekondat si njësi astronomike (dhe kohore). Së bashku me to ai përmend edhe një njësi tjetër që nuk përmendet më dhe nuk është shndërruar në njësi kohore në kohën tonë, siç është rasti me minutat dhe sekondat.
Kjo njësi quhej “El Isba’” (gishti), e cila ndahej në minuta dhe sekonda. Ajo është përmendur nga Ibn El Haik kur ka përmendur rreth diellit se “sasia e hijes së tij në solsticin e verës është tre gishta, tetëmbëdhjetë minuta dhe tridhjetë e tetë sekonda. Dhe hija e solsticit të dimrit nga koka e Bricjapit ka shtatë gishta, tetëdhjetë e katër minuta dhe dyzet e tetë sekonda”.
Shumë bashkëkohës pretendojnë se Ali Bin Ibrahim El Ensari, i njohur si Ibn El Shatir (vd. 777 hixhri/ 1375 e.r.), ishte i pari që bëri një pajisje që mat orët ekuatoriale (mw gjashtëdhjetë minuta). Megjithatë, ne gjejmë në trashëgiminë tonë letrare dëshmi se arabët ishin në gjendje të masin orët ekuatoriale shumë shekuj përpara Ibn El Shatir.
Një shembull tjetër është ajo që mjeku dhe filozofi i famshëm, Ebu Bekr El Razi (vd. 311 hixhri/ 923 e.r.) ka përmendur në librin e tij El Haui fi El Tibb, se diagnozat mjekësore dhe recetat e trajtimit mbështeten te kjo mënyrë e matjes së kohës. Ai shprehet se në diagnostikimin e simptomave të një lloji të caktuar ethesh te disa njerëz zgjasin “dy orë orë ekuatoriale”. Kjo tregon aftësinë e tij – si dhe të atyre që do ta lexonin librin nga bashkëkohësit e tij – për të llogaritur orët ekuatoriale lehtësisht. El-Battani gjithashtu e ka shtjelluar hollësisht mënyrën e llogaritjes së orëve dhe të përcaktimit të kohëve, siç u citua mësipër.
Ndoshta arritja më e rëndësishme e Ibn El Shatir qëndron në saktësinë dhe qëndrueshmërinë e instrumentit të tij. Për këtë dëshmon Ibn Ajbek El Safedi (vd. 764 hixhri/ 1363 e.r.) në librin e tij El Uafi Ue El Uafijet, i cili përmend se ka parë “astrolabin” e Ibn El Shatirit (astrolabi është një pajisje e lashtë astronomike që zbulon lëvizjen e trupave qiellorë dhe përcakton kohën dhe drejtimet) dhe e admiroi atë aq shumë sa kompozoi poezi për atë, duke e bërë instrumentin e Ibn El Shatir një shembull funksionimit të tij të rregullt:
Planetet e mallit tim që kur u zhduke
Silleshin rreth poleve në mendjen time
Ato nuk u kalonte kohë pa u rrotulluar
Sikur të ishin astrolabi i Ibn El Shater
Kjo ishte historia e paraardhësve tanë me kohën dhe përdorimin e njësisë së saj më të famshme, “orës”. Sa i përket historisë së tyre me orën -e cila është mjeti që përdoret në llogaritjen dhe matjen e kohës- dhe llojet e shpikjeve të tyre në këtë drejtim, ndoshta ajo ka një histori tjetër më të madhe dhe më befasuese.