Haxhi është udhëtimi që pritet gjatë gjithë jetës. Haxhi është emri i takimit me Kiblen tonë, Qaben, së cilës i drejtohemi pesë herë në ditë dhe që realizohet duke filluar një udhëtim drejt vetëzbulimit dhe duke arritur në vendin e monoteizmit. Haxhi është ndoshta periudha kohore më e vlefshme në jetën e një muslimani ku përfshihen edhe akte të tjera adhurimi. Haxhi është premtimi më i madh që robi i jep Allahut. Është besëlidhje e bërë me Allahun dhe betimi më i madh i dhënë Allahut. Çdo obligim, çdo shtyllë, çdo sjellje dhe veprim, çdo simbol, çdo ritual i Haxhit është një premtim shpirtëror, verbal, praktik dhe prej zemre, që i bëjmë Zotit tonë.
Haxhi është një ftesë për besimtarët nga Zoti i Botëve, duke përforcuar parime si besimi në Allah, në Profetë dhe në Jetën e Përtejme. Ai u ofron myslimanëve mundësinë për të fituar dhe përjetuar bukuritë morale të tilla si devotshmëria, durimi, dashuria, respekti, vëllazëria, sakrifica dhe bujaria.
Haxhi është Arafat
“Haxhi është Arafat”, ndërsa Arafati së pari është përvoja e njohjes dhe e gjetjes së vetvetes. Thënia: “Ai që njeh veten njeh edhe Zotin e tij”, mbi të gjitha nënkupton njohjen e vetvetes dhe pastaj njohjen e Zotit. Me fjalë të tjera, Haxhi do të thotë të dish, të njohësh, të kuptosh dhe të konceptosh të vërtetën. Haxhi është të bëhesh i urtë dhe të arrish “Marifatullah”/Njohjen e Allahut. Adhurimi i Haxhit, i përcaktuar në librin tonë fisnik si “një detyrë i të qenit rob ndaj Allahut.” (Ali Imran: 97), është gjithashtu një hartë simbolesh. Në çdo fazë Haxhi përfshin shumë simbole, ku si qëllim është marrja e një vendimi duke ditur kuptimet e këtyre simboleve dhe duke e shndërruar këtë vendim në veprim. Sipas kësaj në Haxh ka pesë udhëtime të ndërthurura;
- Udhëtimi i parë: Haxhi, është një udhëtim që personi bën drejt botës së tij të brendshme, drejt zemrës së tij. Kur e analizojmë nga kjo perspektivë, ky adhurim që kryejmë nga momenti që nisemi nga shtëpia deri në momentin që kthehemi në vendin tonë ka një dimension që lidhet me zemrën. Prandaj, ihrami, mikati, telbija, tavafi, sa’ji, makami i Ibrahimit, Arafati, vakfeja, muzdelifeja, Mina, xhemarati, gurëzimi i shejtanit, kanë një kuptim të ndryshëm dhe një situatë që lidhet me zemrën. Secila prej tyre ka një anë që na kujton veten tonë dhe na çon në botën tonë të brendshme, zemrën.
- Udhëtimi i dytë është udhëtimi që besimtari bën drejt botës së përtejme, drejt jetës së tij të përjetshme. Kur e shohim nga kjo perspektivë, në të njëjtën mënyrë, ihrami është si një qefin, mikati është si vendi i ndryshimit të botëve, Arafati është si dita e gjykimit dhe Haxhi është si një provë për ringjalljen dhe gjykimin. Çdo gjë që kemi njohur si kriter vlere deri në atë moment, siç është pasuria, pozitat, gradat, etj., shkrihet në ngjyrën e ihramit pa ngjyrë, të paqepur dhe pa shenja, duke e zhveshur personin nga çdo pushtet dhe mundësi e kësaj bote. Simbolikisht, veshim qefinin tonë, shkojmë në praninë e Allahut, prej andej ngjitemi në ditën e gjykimit dhe i nënshtrohemi marrjes në pyetje në ditën e gjykimit. Pastaj kthehemi në shtëpinë e Allahut dhe prej andej, sipas fjalëve të të Dërguarit të Allahut a.s, kthehemi në jetë sikur të kishim lindur nga nënat tona, të pastruar, të kulluar dhe të vetëdijshëm.
- Udhëtimi i tretë është migrimi dhe udhëtimi që bëjmë për tek vëllezërit tanë. Haxhi është një kongres universal ku miliona myslimanë mblidhen së bashku, takohen dhe njohin njëri-tjetrin, gjuhët, racat, ngjyrat dhe gjeografitë e të cilëve janë të ndryshme, por besimi, zemrat dhe problemet e tyre janë të njëjta; lutjet, dëshirat dhe përgjërimet e tyre të përzemërta janë të njëllojta. Është periudha vendore dhe kohore ku të gjithë veprojmë së bashku, shprehim fjalët “Leb-bejk Allahum-me leb-bejk!” “Të përgjigjem o Allah! Të përgjigjem! Unë jam në shërbimin tënd!”, dhe secili prej nesh bëhet një pikë në lumin e monoteizmit. Asnjë besimtar nuk mund ta posedoj këtë mundësi përmes ndonjë mjeti tjetër. Ndërsa kryejnë Tavafin, vëllezërit dhe motrat tona nga të gjithë kontinentet gjenden së bashku në të njëjtën kohë. Prandaj, zemrat dhe shpirtrat tanë takohen me ibadetin e Haxhit dhe ne emigrojmë tek vëllezërit tanë.
- Udhëtimi i katërt është udhëtimi ynë drejt historisë së përpjekjes për monoteizëm. Në haxh bëjmë një udhëtim madhështor drejt historisë së Islamit, historisë së monoteizmit, e cila filloi me Ademin a.s., parimet e të cilit u ripërtëritën me Ibrahimin dhe Ismailin a.s., dhe që fituan vazhdimësi me Profetin Muhammed a.s. Gjatë kësaj vizite përjetojmë historinë e gjallë të Islamit në tokat e shenjta ku lindi dhe u rrit i Dërguari i Allahut a.s, ku luftoi për monoteizëm, dhe bëjmë një udhëtim drejt biografisë dhe karakterit të tij, drejt gjurmëve të shokëve të nderuar, drejt Mekës, Medinës dhe qytetërimit.
- Udhëtimi i pestë është udhëtimi që bëjmë drejt Zotit tonë, Zotit të Shtëpisë. Haxhi, në një farë mënyre, është një orientim drejt dashurisë hyjnore. Është lëvizja e të dashuruarit drejt të Dashurit të tij. Në kulturën tonë, të gjitha atributet e përmendura në Kur’an dhe hadithet në lidhje me Qaben janë përdorur edhe për zemrën e njeriut. Zemra e njeriut është quajtur Shtëpia e Allahut/Bejtullah. Emri i Qabes është gjithashtu Shtëpia e Allahut/Bejtullah. Sepse vendi më i bukur ku Allahu mund të manifestohet është zemra e njeriut me devotshmëri të lartë.
Në të njëjtën kohë, Kurbani, i cili është një rregull dhe një pjesë e rëndësishme e ritualit të Haxhit, është një adhurim shumë i vlefshëm të cilit Islami i kushton shumë rëndësi ku dhe ka ekzistuar gjatë gjithë historisë. Adhurimi i Kurbanit kryhet në një kohë kur miliona myslimanë, të zhveshur nga pasuritë e kësaj bote, të mbështjellë sikur me qefin të bardhë, qëndrojnë para Zotit; hapin duart e tyre dhe kërkojnë mëshirë për të gjithë njerëzimin. Adhurimi i Kurbanit ka një dimension kaq shpirtëror. Kjo është një mundësi e veçantë për myslimanët që të shfrytëzojnë rastin e kësaj klime shpirtërore për të arritur një lartësim shpirtëror dhe të kërkojnë afërsi me Allahun. Në thelb, këto ditë janë ditë të veçanta ku nga Ibrahami a.s. deri te profeti i fundit Muhammedi a.s përcaktojnë masën dhe kriteret e afërsisë sonë me Zotin e Botëve. Myslimanët që veshin ihramin në Arafat, gjithë hsitorisë së njerëzimit, në fakt tani i kanë treguar vullnetin për të hequr dorë nga të dashurit e tyre, sikurse Ibrahimi a.s. përgatitej të sakrifikonte djalin e tij Ismailin për Zotin e tij, si shenjë për të njohur unitetit dhe treguar nënshtrimin ndaj Allahut. Që atëherë, ky mesazh na ka dhënë kritere, urtësi dhe shenja të panumërta në lidhje me mënyrën se si duhet të jetë marrëdhënia jonë me Zotin.
Kurbani si kërkim afrimiteti
Kurbani është kërkimi për të qenë afër Allahut dhe ndaj çdo gjëje sublime dhe hyjnore; ndaj të vërtetës, të mirës, të drejtës dhe të bukurës. Kurbani përfshin të gjithë punët që bëjmë për të qenë afër Allahut dhe vetë ai ekziston për të na afruar me Allahun. E gjithë puna që bëjmë për t’iu afruar Allahut konsiderohet Kurban për ne. Kurbani është simbol i dashurisë, besnikërisë, vetësakrificës dhe një bote të gjerë ku përzihen dashuria baba-bir e Ibrahimit dhe Ismailit a.s. dhe ndjenjat e përkushtimit ndaj të vërtetës.
Pa dyshim, kuptimi dhe urtësia që qëndron pas kurbanit që bëjmë na afron më shumë me Allahun; kjo afërsi thellon humanitetin tonë, aktivizon ndjenjat tona të dhembshurisë, na bën të vetëdijshëm për përgjegjësitë ndaj vetes dhe mjedisit, na ndihmon të rishqyrtojmë interesin dhe preferencat tona të jetës që janë kthyer të zakonshme dhe na ndihmon të kemi vazhdueshmëri në rrugën e drejtë.
Ndërsa në adhurimin e kurbanit për hir të Allahut vërehen shumë urtësi, edhe plotësimi i nevojave për ushqim të nevojtarëve zë vend në mesin e urtësive të tij. Përveç kësaj, kurbani zhvillon vetëdijen e shpenzimit të pasurisë për hir të Allahut dhe ndarjes së saj me të tjerët. Ai është një mjet që të pasurit t’u afrohen nevojtarëve. Nuk është e mundur të arrihet kjo afërsi duke neglizhuar nënat dhe baballarët tanë, duke injoruar fqinjin, duke harruar premtimin dhe duke u larguar nga drejtësia dhe e drejta ndaj njerëzve për të cilët jemi përgjegjës. Prandaj, kurbani i afron më shumë me njëri-tjetrin jo vetëm të afërmit, fqinjët dhe miqtë, por edhe të gjithë vëllezërit dhe motrat tona në tërë botën, qofshin afër apo larg.
Me këtë dimension, Kurbani është një dorë ndihme që ua shtrijmë vëllezërve dhe motrave tona që nuk i kemi parë ose njohur kurrë më parë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Si rezultat, Kurbani përhapet në territore ku përjetohen privime dhe sprova, duke kapërcyer distancat fizike në gjeografinë shpirtërore, duke u kujdesur për problemet e tyre dhe duke u përpjekur të jetë një dritë shprese për ta. Kështu, Kurbani mban gjallë frymën e vëllazërisë, bashkëpunimit dhe solidaritetit në shoqëri dhe kontribuon në realizimin e drejtësisë sociale duke ndarë gëzimin e festës me ata që nuk mund ta festojnë atë. Si myslimanë, kemi përgjegjësi të mëdha jo vetëm ndaj Allahut, por edhe ndaj njerëzimit dhe madje edhe ndaj të gjitha qenieve.
Gjatë kryerjes së aktit të bërjes kurban, nuk duhet të harrojmë parimin e Profetit a.s se, “Islami është dhembshuri, mëshirë dhe mirësi ndaj të gjitha krijesave” dhe duhet të shmangim çdo sjellje që do të na largojë nga Zoti dhe pëlqimi i Tij. Nuk duhet të hedhim hije mbi afërsinë që kemi krijuar ose po përpiqemi të krijojmë duke torturuar kafshët, duke injoruar pastërtinë, e cila konsiderohet gjysma e fesë, dhe duke kërcënuar shëndetin e njeriut dhe të mjedisit. Këtë akt duhet ta kryejmë duke qëndruar larg sjelljeve që do të reflektojnë tek njerëzit imazh negativ dhe do të shkaktojnë keqkuptime. Nga ana tjetër askush nuk duhet të përpiqet t’u mësojë myslimanëve dashurinë për kafshët dhe të drejtat e tyre duke e marrë kurbanin si shembull. Sepse ne jemi fëmijë të një qytetërimi që e dinë se edhe lëndimi i një milingone do të merret në pyetje në Ditën e Gjykimit.
Së fundmi, Kurban Bajrami, të cilin do ta përjetojmë të gjithë së bashku, është një ringjallje si për haxhinjtë ashtu edhe për të gjithë myslimanët. Kur mendojmë me këtë vetëdije, Bajramet janë ditë të veçanta plot mëshirë dhe bekime që ripërtërijnë vetëdijen tonë myslimane çdo vit, e mbajnë gjallë vullnetin tonë për të qenë në unitet dhe vëllazëri.
Prof. Dr. Mehmet Görmez