Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Palestina u vendos nën mandatin britanik, sipas vendimeve të Konferencës së San Remo (1920) dhe të Lidhjes së Kombeve (1922). Britania e Madhe mori përsipër administrimin e këtij territori me detyrimin për të siguruar stabilitetin dhe zhvillimin e tij, por në të njëjtën kohë ajo ishte e lidhur me Deklaratën e Balfour-it (1917), e cila premtonte krijimin e një “strehë kombëtare për popullin hebre” në Palestinë.[1]
Ky dyzim i mandatit britanik, garantimi i të drejtave të popullsisë arabe vendëse dhe mbështetja e kolonizimit hebre, krijoi një tension të vazhdueshëm. Në vitet ’20 dhe sidomos në vitet ’30, emigracioni hebre drejt Palestinës u shtua ndjeshëm, i nxitur nga përkrahja britanike dhe nga përkeqësimi i kushteve në Evropë për shkak të rritjes së antisemitizmit dhe fashizmit. Rritja e pranisë hebreje, blerja e tokave dhe organizimi i kolonive të reja shkaktoi pakënaqësi të thella tek popullsia arabe vendëse. Kjo u shpreh me grevën e përgjithshme të vitit 1936, që shënoi një nga momentet më të rëndësishme të Revoltes së Madhe Arabe. Arabët palestinezë e konsideronin politikën britanike si një padrejtësi historike, pasi u mohohej e drejta për vetëvendosje, ndërkohë që një popull i ardhur nga jashtë favorizohej në mënyrë të hapur.[2]
Zhvillimi i këtyre ngjarjeve gjeti një hapsirë të madhe pasqyrimi në shtypin ndërkombëtar dhe shqiptar. Ngjarjet në Palestinë ndiqeshin me vëmendje, shpesh duke u interpretuar si shembull i politikave koloniale britanike dhe i konfliktit midis kapitalit e forcës popullore. Në këtë mënyrë, vitet ’30 shënuan një kthesë të rëndësishme në historinë e Palestinës, ku u shfaq qartë se Mandati Britanik nuk ishte një administrim neutral, por një politikë e orientuar drejt mbështetjes së projektit sionist, duke i shtuar dimensione të reja konfliktit arabo-hebre.
Revizta Zani i Naltë, duke iu referuar një studimi në Gazetën Shqiptare në vitin 1936, sjellë një panoramë të situatës në Jeruzalem, objekteve të kultit, përplasjes së vazhdueshme, që siç i quan autori i këtij studimi, ndërmjet makinerisë së fortë ushtarake britanike dhe vullnetit të fortë arab.
Lëvizja e Palestinës
Palestina qysh me mbarim të luftës së përbotëshme ndodhet nën mandatë të Inglizit. Anglija në ketë vend lejon e përkrah instalimin e çifutëve për me përmnbledhë popullin e Israelit e për me formue mbratënin e Çifutëve. Këjo politikë ka zemrue tepër Arapët e Palestinës, të cilët qysh prej shumë kohë kanë shpallë nji grevë të përgjithëshme dhe po luftojnë dita ditës me Çifutët. Këjo gjakderdhje duket se do të vazhdojë shum kohë, mbassi Çifutët janë të fortë me kapital e Arabët janë të fortë në vullnet. Qi t’ a kuptojnë lexuesit t’onë të ndershëm ma hollë ketë çashtje po prodhojmë këtu nji studim të botuem në Gazetën Shqiptare Nr. 200 d. 28-8-936.[3]
Toka e shenjtë pa paqë e qetësi
(JERUSALEM Gusht).
Në të gjithë tokën e vjetër dhe të shejtë të Palestinës ka plasë kryengritja. Në rrugat e Jerusalemit, në lagjet e shtrembta të Gjiafës, në Jeriho, në Bethlem, në të gjitha qendrat nën mandat, kërsasin bajonetat e mitralozat, zbrazen bomba dhe atentatet vijnë tue u shtuem në mënyrë shqetsuëse. Anglija vazhdon tue dërgue trupa dhe nuk mund të fshihet se gjendja asht jashtzakonisht e keqe, mbassi Arabët janë të pathyeshem, të vendosun me vazhduem deri në fund luftën e fillueme për mbrojtjen e lirisë së tyre dhe interesat e tyre të kërcënueme prej vazhdimit të invazjonit Izraelit. Fushata dhe lufta nuk janë gja të reja: vetëm se sot elementi Mysliman ká zbritë haptazi në fushë; me nji frymë luftuese të mirë, jo vetëm kundra botës ebraike por kundra fuqisë mandatare, e cilla âsht mbrojtësja. Siç mbahet mend, tash shtatë vjet, më 1929, u panë të parat kundërshtime t’ Arabëvet. Nji mengjes, në afrinat e Murit të Lotëve, nja njiqind Arabë sulmuen nji grup Izraelitësh tue vramë dy ndër këta. Ky episod qe fillimi i nji serie konfliktesh të përgjakëshem e incidentesh të cillët me sisteme të rrepët u shuan prej trupave Inglize përkohësisht.
Jerusalemi pa pelegrinë
Ç’ prej dy muejsh afro, do me thanë që kur plasi kryengritja, asnji pelegrin nuk ka zbritë në Tokën e Shejtë: rreth vorrit të Shejtë nuk mbështillen ma besimtarët Katolikë, Orthodoksë, Armenë e koptë të ardhun prej gjithë anëve të botës dhe shitësit e ikonave, të fytyravet të shejta janë shdukë prej qarkullimit. Tash rrugat e pjacat e Jerusalemit, po thuej të shkreta, në çdo qoshe, në çdo kryqzim i kërcënon nji mitraloz. Rojet kalojnë pa pushim nëpër rruga, ndërsa autoblindat tue que pluhun shungullojnë bashkë me krismën e zhurmën e motorave që lëshojnë aeroplanat e bombardimit. Aty këtu ndoj krismë shënon përfytje ose përfundimin e ndoj pusije. Para Murit të Lotëve asnji Izrealit nuk qanë ma. Muri ruhet prej rojeve që nuk lanë me u afruem asnji Safardim nga frika e incidenteve që mund të ngjajnë.
Prej mbretnimit të Izraelit vetëm këta mure kan mbetë si dishmi dhe që vetëm Izraelitëve të shperdamë në botë u lejohej deri dje me qamë; vetëm këtu dhe jo mbi malin Moria, ku ngrehet tempulli i Salomonit i cili mbante mbrendë Arken e Artë të ruejtun prej Levitëve në mes të shandanit me shtatë duer dhe alltarit me parfum dhe nën rrenimet e të cillit (në të vërtetë, në të věrtetë po tham -u kish thanë apostujve Njeriu i Galilesë – prej këtij tempulli nuk do të mbetet asnji gure) Kalifi zaptues Omar ndertoi mâ vonë xhaminë e mrekullueshme që mban emnin e tij, për lavdi t’ Allahut dhe të Profitit të tij.
Mbas tri ditësh qëndrimi në Jerusalem, desha me shkue në Tel Aviv. Dojshem me shkue në qytetin Izraelit n’ automobil, por u këshillova prej Inglizve, të mos nisem: Me pasë guxim sot e me shetitë rrugëve të Palestinës don me thanë me e vuem në rrezik të sigurtë jetën. Kështu m’ u desht me udhtue me tren.
Metropoli I Izraelit
Ardhja në Gjafa. Edhe këtu nji heshje kërcënuese tela të thurun lufte nëpër rruga, patrolla, mirtaloza dhe autoblinda. Lagja e vjetër Arabe ishte nji grumbull rrënimesh të bâme prej kazmës britanike për të prishë çerdhen mâ të rrekzishme të kryengritjes.
Të nesërmen në mëngjes ishem në Tel-Aviv që n’ Arabishten don me thanë Kodrina e Prinverës metropoli i ri dhe modern që ngrihet pranë Gjafës, prej së cilës nuk âsht veç nji kilometër. U gjeta në nji gytet. krejt aksidental, nji metropolis âutentik me rrugë të gjana e të asfaltueme, të rrethueme në të dy anët prej pallatesh të mëdhaj, në nji stil krejt racionalis, i qeshun me rruga të vogla e kopshte të mbushuna me njerës që lëvizin pa pushim: nji qytet i tipit në mes të nji qyteti Amerikan e Gjerman, Magaze, ndërtesa, theatro, kinomatografe e tarabina kanë të gjithë shenjtat dhe shkrimet e gjetuna ebraishte dhe n’ ebraishte ishin reklamat e shumta të vendosura mbi mure e fasada. E gjithë kjo pesë minuta larg Gjafes, tokën e vjetër të Palestinës Oriente ishte zhdukun me njiherë. Rugat ishin plot me njerës, dhe kafetë e baret të ndritun: qytetarët të veshun mirë alla avropjane, nëpunës dinjitozë, fytyra njerzish të punës, vajza elegante të parfumueme që duken të gjalla si Amerikanet e veriut, zonja të veshuna simbas ligjës së Parisit. Në kryqëzime të rrugëve ndajnë dhe regullojnë trafikun policët. Tel-Aviv, pranëverë e çelur prej andërres sionike, lindur mbas luftës së madhe prej bashkpunimit të fortë të Lordit Balfour, të Sokoloff-it, të Rorschid-it dhe të Hirsch, rrëfen në çdo qoshe pamjet e saj më të gjalla.
Qyteti lindi si një lagje e largët e Gjafes fill mbas luftës dhe në pak vjet u zhvillua aq shpejt sa që sot ka nji popullësi prej 70.000 frymësh, që të gjithë ebraikë nga bota, sidomos nga Polonija e Amerika. Duhet shënuar se Gjafa me Tel-Aviv rrojnë shum afer njena me tjetrën, por nuk njihen njena me tjetrën: nji arab nuk shkon kurrë në Tel-Aviv nji ebre nuk hyn në Gjafa. Qyteti ka shum banka të cillat kanë veprime me randësi, gazeta, nji qendër propagande kalturale, nji theater kombötare që lot pjesa të ndryshme në gjuhën ebraike, fusha të gjana sportive dhe është pika e ujisjes n’ aktivitetin e Palestinës “Land developpement Company” e lindur në vjetin 1908, në vitët e para të imigrasjonit Çifut në Palestinë.
Le të flasim për kët imigrasjon. Ky filloj me njiherë në vitin 1918. Me shumicë Çifutët, të shtymë prej andrrës me ringjallë Sionin e ri, vijshin prej të gjitha anëve të botës. Miljonat e Rotschildit dhe të tjervet financiarë të ndërkombëtares ebraike, bënë punën tjetër, realizuen andrrën për t’ i dhanë nji atdhe, atdhenë e vjetër Israelit. Dhe kështu në nji kohë të shkurtë 18 vjetshe afro 100.000 Izraelitë vunë kambë në Palestinë, përballë 600.000 Myslimanëve e 700.000 Kristjanëve. Dhe imigrasjoni vazhdon, megjithse i kufizuem prej autoriteteve Inglisë. Per rreth Tel-Avivit dhe pothuaj në Gjiudën janë krijuem shoqni bujqësore, në tip të kooperativave Amerikane për shfrytsimin e tokave. Invadimi âsht i madh dhe i rezikëshëm. Këtë e kanë kuptuen Arabët. E dijnë se Palestina u rrëmbebet. A duhet që Muhameti t’i a lëshojë vendin Moisint? Hija e kalifit Omar, zaptuesit, dridhet dhe e ka nxjerrë njiherë pallën e tij të ndritun.
Të panjoftunat
Por fytyra e qetë e Tel-Aviv-it ishte vetëm nji dukje. Pak nga pak, mbas nji ore që e vizitova, qyteti filloj me e treguem shqetësimin e fshentë, terorin è vet. Në lagjet e largëta të Gjafës janë vënë tela me gjema dhe ushtarë Inglizë t’ramatosun me mitraloza e bombe dore ruajnë. Natën ishte mprapsur nji sulmim i treqind Arabëve që kishin dashur të hyjnë në qytet. Si do të marrë fund kjo çështje? Ja pikpyetja që kam dëgjuar nga personalitete britanikë e Izraelitë me të cilët kam patur bisedime. Këta më kanë thënë se lëvizja Arabe që në fillim lindi nga fryma antiçifute, pak nga pak e ka treguar qëllimin e vet: se âsht nji lëvizje me nji karakter krejt nasjonalist. E gjithë bota Arabe, ajo e Sirisë, e Transjordanisë, e Irakut âsht në pezmatim dhe e shikon me sympathi Palestinën. A kërkohet me u realizue ëndrra e indipendencës Arabe? Mjaften të lexohen gazetat Arabe të Kairos si edhe ajo e vetë Imamit Jahja në Sana. Kush ka kujdesë të mirë mund të sjell nder mend premtimin e bamë prej Londres gjatë luftës fjalët e Lhoyd Georgit për të cilat ishte bamë garant koloneli i famshem Lawrence kur Anglija kërkoj ndihmën e Arabeve kundra Turqisë dhe u premtoi këtyne vetqeverrimin: luftoni me ne dhe pas fitores Arabija do të bahet shtet i lirë.
Premtimi nuk âsht mbajtun. Ja pse aveniri âsht plot pikpyetje dhe i shqetëson kombin mandatar dhe Izraelitët e Pelestinës.
Burimi: Zani i Naltë, nr. 8-9, Gusht-Shtator 1936, f. 266-273.
Punoi: Qendra për Hulumtime MINBER
[1] Ömer Osman Umar, “İngiliz Mandası Döneminde Filistin’e Yahudi Göçleri”, Türk Dünyası Araştırmaları, S. 190, İstanbul 2010, s. 122.
[2] https://dijitalhafiza.com/kavramlar-sozlugu/buyuk-arap-ayaklanmasi
[3] Botim i KMSh, Zani i Naltë, nr. 8-9, Gusht-Shtator 1936, f. 266-271.