Hulumtime MINBER

Nga retorika në Ilmu’l-Bejan: Përpjekja e Hafiz Ali Korçës në formësimin e Nalt-Tregimit në Gjuhën Shqipe

Home » Nga retorika në Ilmu’l-Bejan: Përpjekja e Hafiz Ali Korçës në formësimin e Nalt-Tregimit në Gjuhën Shqipe

Në përpjekjet e tij për të rigjallëruar artin e të folurit publik në Shqipëri gjatë viteve ‘20 të shekullit të kaluar, Hafiz Ali Korça u mundua të bashkonte dijen tradicionale të retorikës (mjeshtërinë e gojëtarisë) me shkencën e “Ilmul-Bejan” të trashëguar nga medresetë klasike, duke i dhënë kësaj ndërthurjeje një përkufizim të ri dhe origjinal në gjuhën shqipe, të cilin e quajti “Nalt-Tregim”. Ky koncept synonte të përmblidhte aftësinë për të folur bukur e rrjedhshëm, për të bindur dhe ndikuar audiencën me fjalën, si dhe kuptimin e thellë të përbërjes së fjalës dhe strukturës së saj, duke krijuar kështu një formë të lartë ligjërimi që bashkonte thjeshtësinë, bukurinë dhe fuqinë e komunikimit. Ashtu siç edhe e ka përkufizuar vetë: “Nalt-tregimi është një lloj diturije që me anën e rregullavet të saja, në njerinë ngjallet një fuqi e qëndrushme që kur të dëshirojë mundet ta kallëzojë mendimin e vetë në mënyra të ndryshme të cilat nga pikëpamja e çelësisë kanë ndryshim njëra prej tjetrës”.

Nëse do t’i referohemi fjalorit të gjuhës shqipe (Tiranë, 1980) gjejmë këto përkufizime: RETORIKË  – dija që shtjellon rregullat e parimet për të folur bukur e në mënyrë bindëse dhe për të ndikuar te njerëzit me anë të fjalës. RETORIZËM – përdorimi në të shkruar a në të folur i një stili të fryrë me fjalë e shprehje të mëdha e të bukura, me figura të tepruara, por pa përmbajtje të thellë. GOJËTARI – arti i të folurit bukur e rrjedhshëm, i cili zotërohet duke përvetësuar një tërësi dijesh e rregullash.  Ndërkaq, në gjuhën arabe, “Ilmu’l-Bejan” është një disiplinë që merret me domosdoshmërinë e përputhjes së fjalës me gjendjen e dëgjuesit dhe rrethanat e të cilëve u drejtohet, si dhe me kuptimet që nxirren nga ndërtimi i fjalës, renditja dhe konteksti i saj, duke u mbështetur në Kuran dhe në gjuhën e pastër arabe. (Ilmu’l-Beyân, Dar en-Nahda, Bejrut 1986). Në këtë frymë, Hafiz Aliu në punimin e tij, përpiqet të unifikojë modelet më të mira të retorikës në traditën perëndimore (duke iu referuar sidomos asaj franceze) me konceptet e “Ilmu’l-Bejan” që kanë si objekt të përbashkët fuqinë e fjalës për të ndikuar te dëgjuesi. Të dy konceptet përfshijnë aspektin e bukurisë së të shprehurit, jo vetëm aspektin informues dhe që në të dyja rastet kemi të bëjmë me një dije që mësohet përmes rregullash dhe parimesh.

Hafiz Aliu me punimin e tij mundohet të shmangë rrezikun e shndërrimit të ligjërimit fetar në retorizëm, pra fjalë të bukura pa substancë. Ndërsa “Ilmu’l-Bejan” e shmang këtë, sepse e lidh bukurinë e të shprehurit me përshtatjen ndaj realitetit, dëgjuesit dhe kontekstit, duke e bërë më pak të cenueshëm ndaj zbrazëtisë gjuhësore. Për arsye se në disiplinën e “Ilmu’l-Bejan” burimi kryesor është Kurani dhe gjuha e pastër arabe, të cilat i japin fjalës një dimension hyjnor dhe normativ. Pikërisht për këtë arsye, Hafiz Ali Korça kërkonte të vendoste një standard në ligjërimin fetar shqiptar, ku forma e bukur dhe bindëse e të folurit të shoqërohej me konceptet e “Ilmu’l-Bejan”, që ligjëruesi shqiptar të krijojë një lidhje organike midis formës, përmbajtjes dhe rrethanës. Në këtë mënyrë, ligjërimi fetar bëhej jo vetëm i bukur dhe i pranueshëm, por edhe origjinal në standardin e të folurit shqip. Ai kërkonte që ligjëruesi fetar shqiptar të fokusohej tek arti i të shprehurit saktë, bukur dhe të përshtatur me realitetin dhe kuptimet, duke e bërë fjalën jo vetëm bindëse, por edhe të drejtë e me peshë. Në këtë traktat gjuhësor (do ta quaja unë), Hafiz Ali Korça trajton stilet e ligjërimit duke u  mbështetur në shkencën e “Ilmu’l-bejan” dhe duke e përshtatur dhe shpjeguar në gjuhën shqipe, më qëllimin siç e thotë edhe vetë ai, “që të bëhet i mundur përcjellja e kuptimeve të Hazreti Kuranit”. Me anë të këtij artikulli, edhe pse është i shkurtër, Hafiz Aliu arrin të përçojë kuptime shumë të gjera dhe të thella. Mund të themi me plot gojën se ai ka arritur ta aplikojë “Ilmu’l-Bejan” praktikisht në gjuhën shqipe, siç edhe e ka cekur vetë kur thotë: “Nâ, këtu do të shkruajmë aqë shkurtazi sa këndonjësit të mos mërzitën fare. D.m.th. detin po e futim në trajsët”.

Një nga vlerat më të mëdha të këtij artikulli, i cili mund të konsiderohet si i pari i këtij lloji, është sjellja dhe përshtatja në shqip e termave të shkencës së “Ilmu’l-Bejan”, një punë kolosale për nga vështirësia dhe origjinaliteti. Ai e nis me elementet themelore të “Ilmu’l-Bejan”, duke i shqipëruar, si: Vërtetësija (Hakikat), Kapërzenjësi (Mexhaz: Expression Figure – Metaphore) dhe Dykupëtimëshi (Metonymie – Qinaje). Në mënyrë të veçantë, Mexhazin (Kapërznjësi) siç e ka sjellë në shqip Hafiz Aliu, e shpjegon gjerësisht, duke sjellë përshtatjen në shqip dhe shpjegimin e 27 llojeve të tij, si: Relationi Mburim (Madh-Harijjet), Vendi a mijeti i çfaqjes (Masdarijjet), Fqinjësija (Muxhaveret), Pjesërija (Xhuzijjet), Tërësija (Qyl-Lijjet), Shkakësija (Sebebijjet), i Shkakëtumi (Mysebbebijjet), Sikishqënja (Qevn-i Sabik), Sikameqënja (Qevn-i Laik), Vëndi (Mehal-Lijjet), Vëndosësi (Hal-Lijjet), Vegëlsija (Alijjet), Lirimi a Xhveshësija (Itlak), Lidhësija (Takjid), Përgjithësimi (Umum), Përveçësija (Husus), Fuqija (Kuvvet, Istidad), Nevojësija ose e lipsmja (Lazimijjet), I Nevojshmi ose i Lipsuri (Melzumijjet), Pjellësija ose Mardhaja (Il-let), I Pjelli ose i Mardhosuri (Malulijjet), Përkatësi (Myteal-Likijjet), I Përkatshmi ose i Mvaruri (Myteal-Lakijjet), Kushtësija (Shartij-jet), I Kushtushmi (Meshrutij-jet), Kallezonjësi (Dal-Lij-jet), i Kallëzushmi (Medlulijjet).

Ky sistemim i hollësishëm, i sjellë për herë të parë në gjuhën shqipe, tregon qartazi përpjekjen e Hafiz Ali Korçës për të ngritur një standard të ri në ligjërimin fetar shqiptar, duke bashkuar traditën islame me gjuhën dhe kulturën kombëtare. Më poshtë paraqitet një ekstrakt nga artikulli i plotë, i botuar në revistën Zani i Naltë, i cili jepet pa ndërhyrje, në të njëjtën formë siç është botuar fillimisht. Duke ju uruar lexim të këndshëm, të mos e harrojmë Hafiz Aliun në duatë dhe lutjet tona.

Behar Kaçeli, shtator 2025

Nalt-tregimi (علم بيان) – (Rhétorique).[1]

Si në ç’do gjuhë ashtu edhe në shqipet për të folur e për të shkruar mirë duhet të dihet gramatika, syndaksa ordinere dhe syndaksa e naltë. Veç këtyre duhet të dihet edhe Nalt-tregimi, Nalt-zbukurimi e logjika në gjuhët shqipe. Përmbi gramatikën e syndaksën disa libra janë shkruar. Përmbi syndaksën e naltë dhe përmbi të tjerat gjer më sot nuk ka shkruar askush në gjuhët t’onë. Me gjith pa-zotësinë që kam unë këtu dua të shkruaj shkurtazi përmbi Nalt-tregimin (ilm-i bejan – rhétorique.) Ulemaja e myslimanëve letratyrën e ndajnë në tri pjesë 1) syndaksa e naltë (meani), 2) nalt-tregimi (bejan), 3) Nalt-zbukurimi (bedi-ë), dhe përmbi këto kanë shkruar me qindra volume që kësi soj kanë mundur të kupëtojnë hollësirat e H. Kuranit. Nâ, këtu do të shkruajmë aqë shkurtazi sa këndonjësit të mos mërzitën fare. D.m.th. detin po e futim në trajsët.

Nalt-tregim (retorikë) ç’do me thanë?

Nalt-tregimi është një lloj diturije që me anën e rregullavet të saja, në njerinë ngjallet një fuqi e qëndrushme që kur të deshirojë mundet ta kallëzojë mendimin e vetë në mënyra të ndryshme të cilat nga pikëpamja e çelësisë kanë ndryshim njera prej tjetrës, d. m. th: Kush është pak e kush m’e çelët. Për të treguar qëllimin ka tri rrugë; A) Vërtetësija, B) kapërzënjësi, C) dykuptimëshi.

  1. Vërtetësija (Hakikat.)

Vërtetësi, quhet një fjalë që përdoret në vend të vetë q’ajo fjalë po për atë vënd është krijuar. P.sh: njeri, bagëti, gur, dru e tj ..…

  1. Kapërzenjësi Mexhaz (Expression Figure-Metaphore)

Kapërzenjësi, është një fjalë që nuk përdoret në vënt të vetë që për te është krijuar, por e kapërzen vëndin e vetë dhe përdoret në vëdin e tjatrit. Por vendi i parë me të dytin duhet të këtë një relation (lidhje), lipcet të këtë dhe një shënjë ndaluse (karine-i mania) e ‘cila nuk e len atë fjalë që të përdoret në vendin e vetë. P.sh: për një diplomat themi erdhi Bismarku. Fjala Bismark është kapërzenjes (métafor.) Lidhja është përngjasimi në diplomasi, dhe shënja ndaluse është fjala ardhi që na ndalon të përdorim Bismarkun në vëndin e vetë por doemos do ta përdorim në vëndin e një ….. q’i shëmbëllon Bismarkut në fuqinë diplomatike. Pra në ç’do metoforë medoemos duhet t’i vërejmë këto dy pika : lidhja dhe shënjënndaluse. Për ndryshej do të hiqet mundimi kot më kot.

  1. Dykupëtimëshi (Metonymie-Qinaje).

Dykupëtimëshi, shënjë-ndaluse nuk ka e cila të mos e lerë fjalën me u përdoruar në vëndin e vetë, por mundet të përdoret si në vendin e saj ashtu edhe në vëndin e tjatrit. P.sh: kur theni port’e Hasanit ësht’e çelët. Prej ksaj fjale mundet të kuptojmë se porta e tij vërtet është lënë e çelët, mundët të kupëtojmë se Hasani është një njeri bujar miq-pritës e përsjellës dhe nga ky shkak porta e tij s’mbyllet. Në kupëtimin e dytë është dykupëtimesh (qinaje – métonymie). Thamë se për dykuptimshin nuk ka shënjë-ndalus. Vërtet në frazët që thamë (port e Hasanit është e çelët) nak ka donjë shënjë që të na ndalojë të mos e përdorim fjalën (e çelët) në vëndin e vetë. Relationi q’e përdorim në bujarí rjeth nga mendimet e gjykimet që bëmë sipër . . . . .

Kështu është kur themi: aksecili ka hî shumë në shtëpinë e vet. Mundet të themi se e mbleth për tregëti; por kur e dimë se nuk është nga ata njerës atëhere mentohemi kësi soj : për të patur hî shumë duhet të ‘ djekijë dru shumë, djekje e shumët shkakton pjekjen e shumët, pjekje e shumët duhet të jetë bujar që pret e përsjelł miq shumë. Pra fjala është dy kuptimesh.

Kapërzenjësi – Mexhazi.

Relationi që ndodhet midis dy visevet kurse nuk është përngjarim quhet kapërzenjesi i lëshuar (mexhaz-i myrsel) në qoftë përngjarim quhet (fjala e huajtur-istiare). Relation (lidhja) kur s’është përngjarim është shumë llojesh, porse më të njohturat e më të përdoshmet janë njëzet e shtatë.

Relationet të papërngjarë janë kta:

  • Relationi Mburim (Madh-Harijjet)

Kujtohet mburimi për ç’ del prej sij. 

Kur themi: më pëlqeu dora e tij, prej dores marim vesh dhënjen, mirësinë që mburon prej dorës së tij. Sepse fjala më pëlqeu është shënja-ndaluse (karine-i mania) e cila s’na len që ta përdorim fjalën dorë në vendin e vetë, se dora s’pëlqenet por pëlqenet ç’mburon e del prej saj nga mirësitë. Sa për relation është mburimi (dora) që ka të bëjë me dhanjen. Atëhere themi: kujtuam dorën patëm për qëllim dhenjën e mirësinë, d. m. th: kujtuam mburimin, patëm për qëllim ç’del.

  • Vendi a mijeti i çfaqjes (Masdarijjet)

Vëndi a mjeti i çfaqjes përdoret për sendin qi çfaqet. 

Kur themi: dor e Zotit është përmbi duart e botës, prej fjalës dorë kuptojmë fuqinë. Sepse fjala (e Zotit) q’i pshtetim dorës është shënja-ndaluse që nuk na len ta përdorim fjalën dorë në vëndin e vetë por doemos do ta përdorim në fuqit e cila del prej dorës. Relationi është çfaqja që kujtojmë dorën dhe kemi për qëllim fuqinë që del prej dorës.[2] 

  • Fqinjësija (Muxhaveret)

Përdoret perkatësi për fqinjën. 

Kur themi: piva prej kalit, kemi për qëllim piva ujë prej buklisë q’është fqinj e kalit. Shënja ndaluse është fjala piva e cila nuk na len ta përdorim në kalët se nuk pihet kali por pihet fqinja e tij q’është uji. Relationi është fqinjësija, se kujtuam kalin patëm për qëllim fqinjën. Këti i thuhet edhe përmbajtësiją d. m. th: kujtojmë përmbajtësin kemi për qëllim të përmbaturin.

  • Pjesërija (Xhuzijjet)

Përdoret pjesa për tërësinë.

Kur themi: s’i-a pashë synë, d. m. th: s’e pashë vehten e tij. Shënja ndaluse është s’e pashë, se kjo nuk na len ta përdorim fjalën sy në vëndin e vetë se njeriu kur vjen, vjen me gjith trup jo vetëm syri i tij. Atëhere shënja ndaluse (karine) është fj. s’e pashë edhe relationi është pjesërija. d.m.th: kujtuam pjesën kemi për qëllim tërësinë.

  • Tërësija (Qyl-Lijjet)

Përdoret i tëri për pjesën.

Kur themi: futi gishtin ne vesht, kemi për qëllim majen e gishtit. Sepse shënja-ndaluse është fjala futi kjo fjalë nuk na len që fjalën gisht ta përdorim në vëndin e vetë por në vendin e majës, së tij. Relationi është tërësija, d.m.th: kujtuam tërësinë kemi për qëllim pjesën.

  • Shkakësija (Sebebijjet)

Përdoret shkaku për të shkakëtumin.

Kur themi bagëtija kullosin shî, kemi për qëllim barin. Sepse shënja-ndaluse fjala kullosin nuk na len që ta përdorim fjalën shî në vëndin e vetë, se shiu s’kullotet, kullotet bari, por shiu është shkaku i mbirjes. Relationi është shkakësija d.m.th: kujtuam shkakun kemi për qëllim të shkakëtumin.

  • I Shkakëtumi (Mysebbebijjet.)

Përdoret i shkakëtumi për shkakun.

Kur themi gjith natën rodhi bar, kemi për qëllim rodhi shî, sepse shënja-ndaluse fjala rodhi nuk na len që ta përdorim fjalën bar në vëndin e vetë se bari s’rjeth por rjeth shiu. Relationi është i shkakëtumi d.m.th : kujtojmë të shkakëtumin kemi për qëllim shkakun.

  • Sikishqënja (Qevn-i Sabik.)

Përdoret si është-qënja për si kaqënjen.

Kur themi: piva lënk rrushi (për uthullën), kemi për qëllim uthullën, se shënja-ndaluse është kalimi i stinës e cila nuk na le që ta pördorim fjalën lënk në vëndin e vetë por me doemos do ta përdorim në vënt t’uthullës. Relationi është sikishqënja (e përdorim me emrin si ka qënë.) Kështu dhe njeriu kur bëhet burrë, po t’i themi prapë djalë.

  • Sikameqënja (Qevn-i Laik.)

Përdoret sikameqenja në vënt të sikishqënjes.

Kur themi : po shtryth pekmez, kemi për qëllim lëngun, se shënja-ndaluse fjala po shtryth nuk na len ta përdorim për pekmez, se pekmezi nuk bëhet po sa shrydhet por pastaj si vihet në zjar behet. Pra medoemos ajy që shtrydhet tani është lëngu. Relationi është sikameqënja, d.m.th. kujtojmë si ka me qënë (si do të bëhet) dhe kemi qëllim si është tani. Kështu është dhe një çuni kur i themi plak, dhe aguridhes rrush.

  • Vëndi (Mehal-Lijjet.)

Përdoret vëndi për vendossit a përmbajtsi për të përmbajturin.

Kur themi: ardhi fshati, kemi për qëllim ardhen fshatarët. Sepse shënja-ndaluse fjala ardhi nuk na len që ta përdorim fjalën fshat në vendin e vetë se fshati s’vjen por vinë populli. Relationi është vëndi, d.m.th: kujtojmë vëndin kemi për qëllim vëndosësit.

  • Vëndosësi (Hal-Lijjet.)

Përdoret vëndosësi për vëndin a i përmbajturi për enën.

Kur themi: u doq Kamberi, kemi për qëllim shtëpinë e tij. (se Kamberin e kemi parasysh.) Shenja ndaluse fjala u doq nuk na len ta përdorim për Kamberin por për vendin e tij (shtepinë.) Relationi është vendosësija, d.m.th: kujtojmë vëndosësin kemi për qëllim vëndin. Përmëndje: edhe ç’do enë që përmban e përfshtjell (zarf e mazruf) i shëmbëllen kësaj.

  • Vegëlsija (Alijjet)

Përdoret vegla për punën që del prej saj.

Kur themi: ka gjuhë të bukur, kemi për qëllim flet bukur. Se shënja-ndaluse fjala është e bukur nuk na len ta përdorim fjalën gjuhë në vëndin e vetë. Relationi është vegëlsija, d.m.th: kujtojmë veglën kemi për qëllim punën që punohet me anën e saj.

  • Lirimi a xhveshësija (Itlak)

Përdoret fjala e lirë për të lidhurën (a e xhveshura për të veshurën). 

Kur themi: kemba e ariut është e fortë kemi për qëllim putillën e tij. Sepse shënja-ndaluse fjala këmba nuk na len ta përdorim në vendin e vetë por për putillën. Relationi është lirimi e xhveshësija,[3] d.m.th kujtojmë këmbën (q’ësht’e përgjithshme) dhe kemi për qëllim putillën.

  • Lidhësija (Takjid)

Përdoret e veshura për të xhveshurën. 

Kur themi: putilla e tij ësht’e fortë kemi për qëllim këmbën. (Kështu edhe kur themi këthetrat e tij…) Sepse shënja-ndaluse fjala e tij q’i a pshtetim putillës nuk po na len që putillën ta përdorim në vëndin e vetë por për kembët. Relationi është lidhësija, d.m.th: kujtojmë putillën kemi për qëllim këmbën.

Përmëndje: Në qoftë se prej fjalës putillë kemi për qëllim donjë përngjasim atëhere s’bëhet mexhazi mursel por bëhet istiare. Kështu janë edhe të tjerat.

  • Përgjithësimi (Umum.)

I përgjithshmi përdoret në vëndin e të përveçmit.

Kur themi: përgatita kafshën, kemi për qëllim kalin. Sepse shënja-ndaluse (hingllimi që ndigjohet) na ndalon që ta përdorim fjalën kafshë në vëndin e vetë, por për kalin. Relationi është përgjithësimi, d.m.th: kujtojmë kafshën kemi për qëllim kalin (të përgjithshim për të përveçmin.)

  • Përveçësija (Husûs.)

I përveçmi përdoret në vëndin e të përgjithshmit.

Kur themi: ardhi kali, kemi për qëllim kafsha. Sepse shënja-ndaluse në vënt të mos hingëllimit, pallja a blegërimi a tjatrë zë nuk na len që ta përdorim fjalën kalë në vëndin e vetë por për kafshët. Relationi është përveçësija, d.m.th: kujtojmë kalin (fjalën e veçantë) kemi për qëllim kafshën (të përgjithshmen.)

  • Fuqija (Kuvvet, Istidad.)

Përdorim fuqinë për ç’qit ajo.

Kur themi: i derdha dehêset, kemi për qëllim alcoolin. Sepse, shënja-ndaluse fjala i derdha nuk na lenë fjalën dehêset ta përdorim në vëndin e saj, porse për alcoolin. Relationi është fuqija, d.m.th: kujtojmë fuqinë kena për qëllim pirjet (alcoolin.) Kështu është dhe kur themi për helmin bleu vdekjen e për afijonin gjumin.

  • Nevojësija (E Lipsmja-Lazimijjet.)

Përdorim atë send që lipcet në vënt t’ati qi i lipcet.

Kur themi: i dhashë edukatë, kemi për qëllim i dhashë shëpullë. Sepse, shënja-ndaluse fjala i dhashë edukatë nuk na len ta përdorim në vëndin e vetë se po të kishte edukatë nuk rrihej, d.m.th. shënja ndaluse është mos-edukata. Relationi është e lipsmja, d.m.thënë kujtuam lipsjen (nevojësinë) kemi për qëllim të nevojshmen (të lipsurën.)

  • I Nevojshmi (I Lipsuri) Melzumijjet.

Përdoret i lipcuri për atë q’i lipcet.

Kur themi: i dhashë shukreta, kemi për qëllim e rraha. Sepse, shënja-ndaluse mosrrahja na ndalon ta përdorim fjalën e rraha në vëndin e saj. Relationi është nevoja (lipsja) d.m.th: kujtojmë të lipsurin kemi për qëllim atë që lipcet.

  • Pjellësija (Mardhaja) Illet.

Përdoret mardhaja për të mardhosurin.

Kur’ themi: m’u bënë zjar duart (kur i fërkojmë në cohë a gjetkë) kemi për qëllim m’u ngrohën. Shënja-ndaluse është fjala m’u bënë e cila nuk na leņ që ta përdorim fjalën zjar në vëndin e vetë por për ngrohtësi. Relationi është mardhaja (shkaku) d.m.th: kujtojmë zjarin kemi për qëllim ngrohtësin q’ajo e pjell zjarin.

  • I Pjelli (I Mardhosuri – Malulijjet.)

Përdorim të mardhosurin për mardhanë.

Kur themi ndeza llambën me ngrohtësí, kemi për qëllim zjarin. Se shënja-ndaluse fjala e ndeza nuk na len ta përdorim fjalën ngrohtësí në vëndin e saj, por për zjar (se ngrohtësija s’e ndez por e ndez zjari.) Relationi është i pjelli (ajy që lind prej ngrohëtsisë) d.m.th: kujtojmë ngrohtësinë kemi për qëllim zjarin.

  • Përkatësi (Myteal-Likijjet).

Përkatësi përdoret për të përkaturin.

Kur themi: kumash Bagdadi, kemi për qëllim, kumashi që thuret e bëhet në Bagdad. Shënja-ndaluse është pshtetja e Bagdadit, sepse vetë qyteti Bagdad nuk e ka thurur por ata njerës q’i përkasin e i pshteten Bagdadit. Pra mos-qënja e drejtë e ngarkimit, quhet shënja-ndaluse. Relationi është përkatësi (mvârësi), d.m.th: kujtojmë Bagdadin kemi për qëllim ata q’i varën e i pshtetën Bagdadit.

Pëmëndje: Përkatësi quhet dhe ç’do infinitif (mastar) që përdoret në vëndin e parti- cipe presént a participe passé – (ismi fail, ismi meful). (?)

  • I Përkatshmi, I Mvaruri (Myteal-Lakijjet).

I përkaturi përdoret për pērkatësin.

Kur themi: gjutija e detit, kemi për qëllim pishqit që gjuajnë në det. Shënja-ndaluse është pshtetja e gjutisë së detit se dihet që deti vetë nuk gjuhet por sendet që ka deti. Relationi është i përkatshmi, d.m.th: kujtojmë të përkatshmin kemi për qëllim përkatësin.

Përmëndje: ç’do participe présent a passé qi përdoret në vendin e infinitifit quhet përkatshim, d.m.th: ka këtë relation. (?)

  • Kushtësija – Shartijjet.

Kushti përdoret për at që është lidhur kushti.

Kur themi: më shkoj kot besimi, kemi për qëllimi faljen. Se për me u falur duhet besimi i cili është shart. Shënja-ndaluse fjala më shkoj kot, s’na len që ta përdorim fjalën besim në vëndin e vetë, por në vëndin e nemazit (falje.) Relationi është kushtësija, d.m.th. kujtojmë kushtin kemi për qëllim të kushtushmin (meshrut.)

  • I Kushtushmi – Meshrutijjet

I kushtushmi përdoret në vëndin e kushtit.

Kur themi: s’falem, kemi për qëllim s’besoj. Shënja ndaluse është fjala s’falëm e cila nuk na len që fjalën falje ta përdorim në vëndin e vetë por për besim. Se po të besonte do të falej. Relationi është i kushtushmi q’është përdorun në vënt të kushtit. 

  • Kallezonjësi – Dal-Lijjet

Kallëzonjësi përdoret në vëndin e të kallëzushmit.

Kur themi: i kuptova fjalët, kemi për qëllim kuptimet e fjalëve. Shënja-ndaluse është fjala kuptova e cila s’na le ta përdorim fjalën (fjalët) në vëndin e vetë (se nuk kupëtohen fjálët por thelbi i tyre kupëtimet) po e përdorim për kuptim. Relationi është kallëzonjesija, d.m.th: kujtojmë kallëzonjësin kemi për qëllim të kallëzushmin. Përmëndje: disa shënja, vija për kufi e tjera kështu janë.

  • I Kallëzushmi – Medlulijjet

I kallezushmi perdoret për kallëzojësin. 

Kur themi: këndova thelbin, kemi për qëllim kuptova thelbin. Shënja-ndaluse është fjala këndova e cila nuk na len ta përdorim fjalën thelb në vëndin e saj por në vëndin e flalëve. Relationi është kallëzimi d.m.th: kujtojmë të kallëzushmin kemi për qëllim kallëzonjësin.

Shkurtim

Si thamë dhe më sipër, alakat (lidhjet-relationet) e kapëzenjësit të lëshuar (métonymie) janë fortë të shumta, më të përdoshmet i radhitëm sipër. Disa relatione i shëmbëllejnë njeri tjatrit. Si vëndi në të vendosuri ngjeitn enës me ç’përmban, e zarfit me ç’përmban. Pra kur themi piva një gastar, relationi si është vëndësija ashtu është dhe ena të cilat përdoren në vëndin e vendosësit dhe në të mbajturit etj …..

Kur themi u shit Kamberi, relationi si është fqinjësija është dhe pronësija. Se Kamberi si është fqinja pronit është dhe pronari i tij, por quhet dhe kapëzenjës shuar, se ka qënë: u shit gjëja e Kamberit, pra me qënë se fjala gjë u shua quhet kapërzenjësi i shuar (mexhaz-i hazfi.)

Kur themi çuditëm me Viktorin, duam të themi se me shkrimet e tija. Edhe ky është kapërzenjës i shuar. Kur përdorim kohën a vendin, lumën, fushën e tjera për njerëzinë relationi është vendosija ase quhet kapërzenjësi i shuar. Jah kësi soj një relation përdoret në vëndin e tjatrit. Përdoret dhe emri për mbiemrin dhe përkundrazi. Përdoret dhe shënja për shënimtarin e kuntrazi etj. Por në ç’do métonyme lipset t’i vemë veshin relationit (alakasë) dhe shënjës ndaluse (karine).

Shëmbëlla përgjithësisht : Më këputi ky thes. Ha djersën t’ime. Këndova Hafizi Shirazinë. Ajy është shpat e fortë. E thevi qafën. Ky vjet na nxivi jetën. Ky mal na këputi. Koha është e keqe (njerëzit.) Qyteti i mërzitur (vëndësit.) Këtë ve tre korona e bleva (pulën.) Këtë pulë e bleva gjysmë koroni (ve). E ngrita ambarin krejt (grurin). Blevi vdekjen. Hangri gjumë. Shtremboj vizorin (vijën). S’ka hipur shalë por veç samarë (për kalë e për gomarë). Moti i Filit (ngjarja e Ebrehesë?). (vijon edhe).

 

Burimi: H. Ali Korça, “Nalt-tregimi (ILMI BEJAN)-Rhetorique”, Zani i Naltë, Nr. 4, Prill 1929, f. 834.

Punoi: Qendra për Hulumtime MINBER

[1] H. Ali Korça, “Nalt-tregimi (ILMI BEJAN)-Rhetorique”, Zani i Naltë, Nr. 4, Prill 1929, f. 834.

[2] Sa për ata q’e besojnë Zotin se ka trup e duar e gjymtyra të tjera, kjo shëmbëll është vertëtësí, pēr nê është kapērzenjës.

[3] Se fjala kembe është e xhveshur dhe e leshuar, d. m. th: ç’do lloj këmbë. Por kur themi putillë meret vesh vetëm këmba e ariut, fj. putillë (këthetrë) hurtum quhen të lidhura.

 

Artikuj të ngjashëm