Hafiz Haxhi Ismet Dibra, dijetar i shquar shqiptar dhe komentues i Kur’anit, në vitet ’30 botoi në revistën Zani i Naltë një varg shkrimesh nën titullin “A ka dyshim në qenëjen e Zotit?”[1], ku me argumente kur’anore dhe shkencore dëshmon ekzistencën e Allahut si Një i Vetëm. Komentimet e tij, të shkurtëra, por thelbësore, shquhen për elokuencë gramatikore, për popullarizim të ideve teologjike-filozofike dhe për lidhjen e shenjave hyjnore me zbulimet shkencore. Ai polemizoi me figura të të ndryshme të mendimit shqiptar në atë kohë, gjithnjë duke ruajtur etikën fetare e shkencore. Dibra ishte edhe përkthyes i Kur’anit, duke e bërë shqipen një gjuhë të denjë për ligjërimin islam. Stili i tij polemik, retorik dhe argumentues i dha teksteve vlerë të qëndrueshme, ndërsa krijimtaria e tij mbetet një udhërrëfyes i fuqishëm në kërkimin e së vërtetës dhe në lidhjen e fesë me shkencën.[2]
Në vazhdën e tij të replikave me idetë ateisto-komuniste që kishin filluar të shfaqeshin në atë kohë, botoi në Zani i Naltë një shkrim me titull “Ateizmi i intelektualëve”. Sipas tij, shumica e njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk gjejnë brenda vetes një arsye për të mohuar Zotin, mbeten besimtarë dhe ruajnë një sjellje të urtë. Në të kundërt, një pjesë e intelektualëve që janë marrë me studime, veçanërisht me shkencat natyrore, zhvillojnë një vetëkënaqësi dhe një arrogancë të tillë, saqë mendojnë se kanë përfshirë në rrethin e dijes së tyre gjithë sekretet e natyrës. Kjo bindje i çon shpesh në përfundime mohuese karshi ekzistencës së Zotit. Megjithatë, vëren Dibra, njohuritë e tyre nuk kapin thelbin e realitetit, por vetëm anën më sipërfaqësore të tij. Kjo arrogancë ua ka verbuar sytë dhe nuk i lë të lexojnë shenjat e qarta të gjithësisë, të cilat dëshmojnë për ekzistencën e Krijuesit. Ai thekson se, intelektualët që mohojnë Zotin bien nën nivelin e njerëzve të thjeshtë, të cilët, pavarësisht mungesës së diturisë, kanë respekt për idenë e Hyjnores.
Ata të cilët, duke u bërë viktima të mendjemadhësisë së tyre, përpiqen të na bindin se krijesat janë të pavarura nga një fuqi e mençur dhe një vullnet i urtë, paraqesin argumente që nuk kanë peshë dhe që në të vërtetë shkaktojnë të qeshura te njerëzit që mendojnë më thellë. Nëse pyeten se si është e mundur që universi, me gjithë bukurinë dhe përsosmërinë e tij, të jetë krijuar pa një Fuqi Krijuese, ata përgjigjen se kjo është rezultat i një procesi shumë të gjatë, i zhvilluar ngadalë përgjatë miliona vjetëve. Por, shton Dibra, nëse ngrihet pyetja se pse ky proces i gjatë ka prodhuar vetëm rend dhe harmoni, e jo kaos e shkatërrim, përgjigjja e tyre është se gjithçka është produkt i ligjeve natyrore të rregullta. Megjithatë, pikërisht këtu mbetet misteri, çfarë janë këto ligje dhe kush i ka vënë në harmoni të tillë? Hafiz Ismeti sjell argumente mbi pamjaftueshmërinë e shkencës për të shpjeguar universin. Shkencat natyrore, pohon autori, mund të na flasin për dukuritë e dukshme, por jo për fillimin dhe përfundimin e botës.
Hafiz Ismeti I jep forcë argumentit të tij duke përmendur figura të mëdha të shkencës dhe filozofisë europiane, si: Biot, Locke, Poincaré, Flammarion dhe Bacon. Të gjithë këta, në një mënyrë ose tjetër, kanë pranuar kufijtë e shkencës dhe kanë lënë të hapur derën për ekzistencën e një Fuqie Hyjnore. Në veçanti, thënia e Francis Bacon “Pak filozofi e prir mendjen e njeriut drejt ateizmit, por thellësia në filozofi ia kthen mendjen njeriut drejt fesë”, sintetizon idenë kryesore të shkrimit të tij. Më tej, ai shënjestron pozitivizmin e Auguste Comte-it, i cili mohon të merret me origjinën e gjërave, duke u kufizuar te faktet e perceptueshme. Kjo, sipas tij, nuk është argument, por pranim i pazotësisë. Shkencëtarët e vërtetë, shton ai, janë ata që me modesti pranojnë kufizimet e tyre, jo gjysmakët që mburren se kanë shpjeguar çdo gjë vetëm me materie dhe ligje natyrore.
Hafiz Ismet Dibra argumenton se marrëdhënia e intelektualëve me fenë nuk varet vetëm nga niveli i dijes së përgjithshme, por edhe nga thellësia e studimit dhe reflektimi i tyre kritik. Sipas tij, intelektualët e vërtetë, të cilët angazhohen në mënyrë serioze me dijen dhe hulumtimin, afrohen më shumë te Zoti, duke njohur kufijtë e dijeve njerëzore dhe duke vlerësuar shenjat hyjnore në krijim. Ndërkohë, intelektualët e paformuar ose ata që kanë një kuptim të pjesshëm të shkencës dhe filozofisë, shpesh bien në ateizëm, pasi arroganca dhe vetëkënaqësia i çojnë drejt mohimit të ekzistencës së Krijuesit. Në këtë kontekst, Dibra shtron një dallim të qartë midis intelektualëve të thelluar dhe atyre gjysmakë, duke lidhur nivelin e dijes dhe maturisë intelektuale me afërsinë ose largësinë ndaj hyjnores.
Më poshtë po sjellim të plotë tekstin e botuar tek Zani I Naltë nga Hafiz Haxhi Ismet Dibra.
Atheizmi i intelektualve[3]
Shumica e turmës së ulët të popullit, kah nuk shofin në vetvehte nji agjent habitës qi t’i shtyjë me përbuzë idén e Divinitetit, janë fetár dhe i mbahen politesës e urtësisë. Mirëpo, ata qi janë dhanë mbas studimit, sidomos mbas shkencave natyrale, mâ të shumtit trajtojnë në vehten e tyne nji vetpëlqim e nji arrogancë dhe vendosin me tê vetëm se krejt gjithësinë e kanë përfshí në qarkun e njohunís së tyne e kujtojnë se kanë dijeni mbi të gjitha sekretet e natyrës. Këjo dorë njerzish shum herë për sa i përket Divinitetit mbrijnë në nji përfundim mohuës. Sepse, pika ku mbrijnë ata nuk âsht realitet por diçka mâ poshtë se guaska e shtresës së parë të realitetit. Kjo arrogance e tyne i u ka verbue syt e nuk i lé ťi studjojnë fletoret e gjithësis qi dishmojnë “qenmenin e Ndertuësit të gjithësisë”. Me këtë mënyrë ata të mjerë kanë rá në shkallë shum mâ të ulët se turma e ulët popullore qi kanë nji respekt për idén e Divinitetit. Këta të gjorë tue u bâ viktima e arrogancës dhe e habís së vet kërkojnë me na e mbushë menden se krijesat janë të pamvaruna ndaj nji fuqije prudente e ndaj nji vullnetit të urtë, edhe për këtë qëllim na paraqesin fakte të çudiçme qi nuk vlejnë për tjetër gjâ veç se për t’i shpërthye në gaz njerzit qi mendojnë largë.
Sikur të pyeten këta njerëz se : “Pa qenë nji Fuqi Krijuëse e pajueme me dije të pakufishme, qysh âsht e mundun trajtimi i gjithësís qi âsht modeli i të gjithë arteve të bukura?” Kishin me na u përgjegjë se, perfeksioni i gjithësís në këtë formë kaq të bukur qi ka sod, nuk ka ndodhë për nji herë, por âsht akti i miljon vjetëve i kryem e i formuëm dalë-nga-dalë.
E, po të pyeten se “pjella e nji kohe të gjatë prej miljona vjetësh, përse të jet gjithësija e formueme kaqë bukur, e mos te jetë nji çregullim e shkatrim kaotik?” kishin me na thanë se formasionet e njimbasnjishme të gjithësisë janë produkte të ligjëve natyrale shum të regullta ; prandaj edhe këto formasione janë gjâna të regullta.
Në qoftë se j’u thohet qi, “ç’janë këta ligjë e si âsht rregullue harmonija e tyne në atë mënyrë qi kanë për rezultat vetëm krijime e çpikje?”, tue çmue rândësín e pyetjes, nuk kishin me na u përgjegjë aqë shpejt, por do të largoheshin nga pyetja tue umbajtë mbas parimit të natyralistëve e do të pergjigjeshin me fjalën e August Kontit: “ne nuk bisedojmë për principin e origjinën e sendeve, por dishmojmë faktet qi ndodhin në qarkun e shqisave t’ona”.
Nga pikpamja filosofike këjo âsht nji përgjigje e mirë, sepse tregon pazotsín e tyne. Mirëpo m’anë tjetër partizanët të August Kontit na flasin për fillimin e sendeve, na thonë se shkaku i të Qenmes âsht vetë materja e sundueme prej ligjeve të natyrës e veç materjes nuk pranojnë tjetër agjent; e bile nuk pranojnë as edhe ndonji princip menduër qi regullon e harmonizon objektet e natyrës. Të gjithë këta refuzime e prentendime të tyne s’ janë tjetër veç se rezultati i vetpölqimit e i arrogancës së tyne, sikurse thamë mâ sipër.
Shkencat natyrale mund të na flasin për gjanat e dukëshme; në qoftë se këto shkenca duën të na flasin edhe për fillimin e mbarimin e botës, atëhere e kanë kalue kufinin e kompetencën e tyne. Ata qi kërkojnë me zbërthye problemin e realitetit të botës me anë të shkencavet natyrale diftojnë se nuk janë në gjendje me e caktue e me e parapà se ku do të dalë kryet e rrugës qi ndjekin. Këjo kategori njerzish nuk mund t’a përfaqsojë të vërtetën e naltësís shkencore, as nuk mund t’prezantojë aftësín qi ka shkenca për të përparue. Këta njerëz nuk janë bijt fisnik të shkencës, nuk janë hyjt e autoritetshëm të Ditunisë. Përkundrazi janë asish qi tue shkërbye dijetarët e vërtetë kujtojnë se edhe vetë e kanë mbri atë gradë.
⁂
Dashuruesit e së Vertetës qi duën me kuptue se personalitetet e çquem për talentin e tyne të naltë ç’opinion kanë për divinitetin qi âsht dogma esenciale e fés; ata qi dëshirojnë me ditun se dijetarët e naltë të shekullit të soçëm ç’ thonë për gjithësinë, lypset të studjojnë veprat e dijetarëve kompetentë.
Si shembull po përmendim këtu Biot i cili nö veprën e tij “Antologji shkencore e Letrare” (?) thotë kështu “Unë kur veshtroj e mendoj hapsinën e pasosun e regullin e mrekullueshëm qi sundon në botë çuditem dhe nuk gjej në vehten t’ime nji fuqi qi të mund t’a spiegojë fillimin e kësaj çpikjeje. Unë guxoj me thanë – pse kështu e ndiej në vetëdijen time – se interpretimet e mêta e arsyetimet e gabueshme të letrarëve të kohës s’onë, vetëm si subjekte mund të kenë nji naltësí ideale, me gjithse këta letrarë mundohen të na e mbushin menden se këto interpretime e arsyetime të tyne janë ideë të nalta”.
Ata qi e ndiejnë edhe qi e dijnë bukurin e hijeshme të natyrës, kur ndigjojnë gojën e ulët të atyne qi pa të drejtë përbuzin këtë bukurí e hijeshí, shtrëngohen me i gjykue këto përbuzës për mohuës e për të pafé. Atyne qi thashë mâ naltë mund t’u shtoj edhe këtë : Gjith sa shofim né i përket vetëm skenës së dukun; mirëpo ata qi gjinden ndër këtë perde janë shum mâ të çuditëshme e mâ të mrekullueshme. Pash jetën t’ande ma thuej: Kush mundet me e spiegue sekretin e fluturimit të mizës e misterin e lojnave të fluturës? Kur inteligjenca e jonë të ketë mbritë me kuptue kapazitetet e jashtme të kompozicioneve trupore e të caktojë raportin e pjesëve përbâëse të atyne trupave, në këtë kohë me a çinteresue për fuqín e plotditun qi e regullon këtë harmoní të dukun e me u shtëmangë nga drita e gjithësís, pa dyshim âsht nji kundërshtim qi i bâhet vetëdijes. Nga këjo bukurí e natyrës dëshiroj të kuptoj diçka; për fat të keq më duhet t’a pohojë se asgjâ s’kam kuptue.
Loku (?) në veprën e i tij “Shkenca e Filosofija” thotë kështu “Njeriu po t’a studjojë shkencën nga pikpamja morale e shton besimin e tij edhe mâ tepër se Diturija mund të pajtojë edhe me filosofitë mâ të largta. Ne në emën të filosofís mund të mbrijmë vetëm deri në dukë e në sipërfaqe e jo mâ tepër. E vërteta edhe shkaku s’u janë zbulue Shkences e Filosofisë ata i janë rezervuë Filosofísë së Naltë, e cila âsht zonja me çmue e me spiegue se, të gjitha cilësít e fuqive, të pa analizuéshme e të paspiegueshme nga shkencat e ndryshme, burojnë nga nji Pushtet i Amshuëm qi âsht qendra e çdo lëvizjeje dhe e çdo pune. Pra, kur të studjohet gjithësija nga kjo pikpamje, del në shesh se gjith bota edhe të gjith fenomenet natyrore janë format e ndryshme të Providences.
⁂
Profesori i madh Henri Povankara, antar i Akademís frenge, në nji vepër të tij ka thanë këto: “Ata qi i veshtrojnë me nji sy të sipërfaqshëm vendimet shkencore pandehin, se këto janë të qendrueshëm e të padyshimshëm edhe se këjo logjikë shkencore âsht e pa prishëshme. Shkencëtarët, në qoftë se herë herë bâjnë gabime, kujtojnë se ky gabim ka rrjedhë për shkak se nuk i janë mbajtë regullave të logjikës. Mirëpo kur mejtojnë se këto njohuní janë bazue në supozime e kur shofin se as mathematika as eksperimentet tjera nuk mund të shpëtojnë nga supozimet, shtrengohen me pyetë shëshoqin në janë stabilizue bazat shkencore; edhe i u âsht mbushë mendja se krejt këto baza mund të shemben me nji frymë”.
⁂
Astronom’i çquem Kamel Flamarjoni në librin e tij “Fuqit natyrale të panjoftuna” shkruen: “Ne e shofim vehten se jemi tue mendue. Por ç’âsht mejtimi? Kësaj pyetjeje as kush s’i pergjigjet dot. Ne e shofim vehten kah ecim. Mirpo, ç’âsht këjo punë mendore, askush s’e din. Vullneti i em edhe gjith fakultetet e mija shpirtnore janë fuqí abstrakte: këtë gjâ po e shof mirë, e me gjith këtë prapë po e shof se, kur due me ngritë dorën, vullneti abstrakt e lëviz dorën t’eme konkrete! Si përftohet këjo gjendje? Cili âsht aj mjet qi fuqín intelektuale e përfundon me nji rezultat konkret? Askend në botë nuk e gjej kompetent me m’i u porgjegjë kësaj pyetjeje. Përsëri i këthehem vehtes dhe e pyes: “Nervat e të pamit qysh j’a përcjellin mendes fytyrat e sendeve? Ç’âsht mendja? Ku e ka banesën? Cili âsht karakteri pratik i trunit?” M’u prgjegjni Zotnija e Juajë ! Jo, jo. Sikur edhe dhjet vjet me i vazhdue pyetjet e mija rreth këtij problemi, askush s’kishte m’ u pörgjegjë!”.
⁂
Shembullave qi kemi prû deri këtu po i u napim fund tue këshillue rinín t’onë qi të studjojnë diskuret e shkencetarëve të vërtetë dhe të personaliteteve të çquem të Filosofís zyrtare. Këjo riní duhet të ketë kujdes qi të ruhet fort nga shkencetarët e dijetarët e ashtuqujtun qi për t’i dhanë vehtes stolinë e dijetaris shkojnë tue mbledhë thermikat e mbetuna nga tryezat e shkencës e të filosofís. Këta gjysmakë pretendojnë se i kanë kuptue të gjitha misteret e Qenëjes, kurse dijetarët e vërtetë me plotë gojën e me modestí e pohojnë inkompetencën e tyne për këta mistere. Duhet të ruhemi pra nga këta gjysmakë qi nuk duën me njoftë tjetër gjâ veç materjes e ligjeve të natyrës.
Sa bukur ka thanë Bakon-i: Ata qi thithin me buzët e veta vetëm nji hurp nga ditunija e natyrës mbeten larg Parëndis e ata qi pijnë deri sa ngihen I afrohen Perëndisë.
- ISMETI[4]
[1] Disa artikuj me këtë titull të botuara në “Zani i Naltë”, vitet 1934-1935.
[2] Për më shumë:100 personalitete shqiptare të kulturës Islame, botim i K.M.Sh, Tiranë 2012: 111.
[3] Zani i Naltë, Nr. 2, Shkurt 1937, f. 35.
[4] Hafiz Ismet Dibra, në shumicën e rasteve në shkrimet e tij përdor nënshkrimin “Hafiz Ismet” (H. Ismet).
Punoi: Qendra për Hulumtime MINBER