Cila është marrëdhënia midis fetarisë dhe moralit (virtytit)? A çon fetaria domosdoshmërisht në moral? Nëse një person shfaqet si fetar përmes besimit dhe adhurimit të tij, por shpërfill moralin në sjellje, si mund të shpjegohet kjo? Ne shpesh hasim pyetje të tilla kur diskutojmë marrëdhënien midis fesë dhe moralit.
Së pari, është e rëndësishme të theksohet kjo pikë: Në botën paramoderne, tradicionale, feja dhe morali ishin të pandashëm. Meqenëse, burimi si i fesë ashtu edhe i moralit është vullneti hyjnor (zbulesa), normat fetare në thelb janë morale. Me fjalë të tjera, morali, nga vetë origjina e tij, përbëhet nga reflektimi i kërkesave të Vullnetit Hyjnor në jetën e përditshme. Ngase në botën tradicionale, feja dhe fetaria nuk janë thjesht fenomene të manifestuara në një marrëdhënie me të shenjtën. Kur përmendet feja, ajo nxjerr në pah si besimet ashtu edhe praktikat apo virtytet morale që formësojnë botëkuptimin fetar – thënë ndryshe, reflektimet në këtë botë të marrëdhënies me të shenjtën. Kjo ndodh sepse çdo fe kërkon të edukojë pasuesit e saj sipas modelit të vet dhe, nga kjo, të krijojë strukturën shoqërore që synon të arrijë. Kjo dëshirë nuk mund të realizohet vetëm nëpërmjet besimit dhe adhurimit. Në thelb, besimi dhe adhurimi synojnë në fund të fundit të ruajnë vetëdijen për Zotin dhe të formësojnë modelin e njerëzimit dhe shoqërisë të përcaktuar nga feja. Për shembull, në Islam, ajeti “Vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat” (El-Ankabut, 29:45) është i rëndësishëm në këtë drejtim. Siç mund të kuptohet, fetë synojnë të krijojnë një botë të virtytshme nëpërmjet urdhërave dhe ndalimeve të tyre. Në këtë kontekst, fetë formësojnë marrëdhëniet e individëve me veten e tyre, me të tjerët në mjedisin e tyre të afërt dhe të largët, me natyrën dhe me qeniet në të cilat besojnë, bazuar në një themel moral. Megjithatë, me filozofinë e Iluminizmit, veçanërisht në botën shkencore perëndimore, feja dhe morali trajtoheshin si dy fenomene të ndara dhe në vend të një marrëdhënieje të drejtpërdrejtë mendohej se ato kanë marrdhënie të afërt. Kjo lidhet drejtpërdrejt me mendimin e Iluminizmit, të frymëzuar nga Filozofia Karteziane, që bëri një dallim të qartë midis mendjes dhe zemrës, fizikës dhe metafizikës, formës dhe esencës, materies dhe kuptimit, dhe në fund të fundit, fesë dhe moralit. Botëkuptimi i Iluminizmit u ndje në nivele të ndryshme, fillimisht në Perëndim, dhe më vonë edhe në gjeografi të tjera socio-kulturore, përfshirë botën islame.
Çdo fe i fton pasuesit e saj të jetojnë një jetë të moralshme, si individualisht ashtu edhe shoqërisht, bazuar në kriteret e saj. Megjithatë, në momentin që feja takohet me individin, ajo bëhet subjektive dhe shfaqet një gjendje e re, e quajtur fetari/religjiozitet. Në këtë kuptim, fetaria nuk është vetë feja, por më tepër pasqyrimi i fesë mbi individin dhe shoqërinë. Kjo do të thotë që, për të ndërtuar një individ dhe shoqëri ideale, botëkuptimi i asaj feje, i frymëzuar nga urdhëresat, ndalesat dhe sugjerimet e predikuara nga feja, bashkëvepron fillimisht me gjendjet shpirtërore të pasuesve të saj (interesat, nevojat, pritjet dhe frika e tyre), nivelin e tyre identifikues me besimin dhe identitetin e tyre fetar, situatën e tyre sociokulturore dhe ekonomike dhe së fundmi, me frymën e kohës në të cilën jetojnë. Në këtë proces, mënyra se si një individ i percepton dhe i interpreton kërkesat e fesë bëhet më e rëndësishme sesa ajo që thotë ose pret feja nga pasuesit e saj. Këtu, shfaqen manifestime të ndryshme të jetës fetare. Marrëdhënia e llojeve të ndryshme të fetarisë me sjelljen morale merr një strukturë dhe përmbajtje të ndryshme. Megjithatë, është thelbësore të theksohet pika e mëposhtme: Në fenomenin e fetarisë, besimi, adhurimi dhe morali formojnë një tërësi të pandashme. Mirëpo, fetaria është gjithashtu e ndryshme nga fetarizmi/religjioziteti. Edhe këtu mund të vërehen pasojat e përpjekjes së mendimit iluminist për të ndarë fenë dhe moralin. Fetarizmi shoqërohet me përjetimin e fesë përmes besimit dhe adhurimit, madje duke marrë një strukturë ritualiste dhe formale, ndërsa njëkohësisht e lë moralin dhe spiritualitetin në sfond. Debatet aktuale mbi drejtimin e marrëdhënieve dhe itensitetin midis fetarisë dhe moralit, është e mundur të analizohen brenda këtij kuadri.
Fetaria Dhe Vlerat Morale Nga Perspektiva Teorike
Çdo person, paralelisht me zhvillimin e tij kognitiv dhe psikosocial, përvetëson gradualisht besimet, vlerat dhe normat mbizotëruese në mjedisin e tij shoqëror e veçanërisht në familjen e tij. Kjo do të thotë që njerëzit nuk janë qenie pasive që thjesht thithin ngjarjet në botën e jashtme si një sfungjer. Përmes tipareve të tyre të personalitetit dhe strukturës mendore, ata perceptojnë dhe interpretojnë ndikimet/stimujt (informacionet) që arrijnë tek ata përmes kanaleve të ndryshme. Kësisoj, për të qenë në gjendje të vendosë nëse diçka është morale dhe të veprojë në përputhshmëri me moralin, personi duhet që më së pari të piqet në aspektin kognitiv/njohës, emocional dhe shoqëror. Ndërsa rritet ndërgjegjësimi kognitiv, teksa informacioni, njohuritë dhe stimujt nga bota e jashtme vlerësohen me vetëreflektim të ndërgjegjshëm, ndërsa zhvillohet të menduarit empatik dhe fleksibël, ndërsa emocionet negative, veçanërisht zemërimi, kontrollohen, ndërsa egoizmi zvogëlohet dhe altruizmi rritet, dhe ndërsa zhvillohen virtyte pozitive si dhembshuria, dashuria dhe falja, zhvillimi moral shkon drejt përsosmërisë.
Njeriu i lindur me mangësi dhe pamjaftueshmëri ka nevojë të vazhdueshme për zhvillim dhe maturim në mënyrë që të kapet pas jetës dhe ta vazhdojë atë. Prandaj, paralelisht me zhvillimin e tyre kognitiv/njohës dhe emocional, njerëzit përvetësojnë vlerat e shoqërisë në të cilën rriten përmes proceseve të “eksternalizimit/jashtëzimit”, “objektivizimit” dhe “përvetësimit”, duke u bërë, në një farë mënyre, një produkt i kulturës së tyre. Ata gjithashtu zhvillojnë një strukturë unike të personalitetit duke i përzier të gjitha këto me përbërjen e tyre psikologjike (Berger, 1993: 29-30). Përmes procesit të të mësuarit social, individi ndërton një botë shpirtërore dhe mendore për veten e tij, të bazuar në vlerat sociokulturore dhe fetare, por që pasqyron veçantinë e tij.
Bota që personi ndërton për veten e tij është si individuale ashtu edhe shoqërore. Pikërisht këtu hyn në lojë lidhja themelore midis shoqërisë dhe individit. Ashtu si individët kanë kërkesa ndaj shoqërisë, edhe shoqëria ka kërkesa ndaj individit. Në thelb, si individët ashtu edhe shoqëritë kanë nevojë për vlera morale për të ekzistuar dhe për të mbështetur ekzistencën e tyre. Vlerat morale, të cilat përbëjnë veprime të bazuara në logjikën e shëndoshë në shoqëri, janë si venat që ushqejnë zemrën. Ashtu sic ndonjë problem me venat çon në atak kardiak, problemet me vlerat morale shfaqen kur ka një problem me kulturën, identitetin dhe personalitetin (Yapıcı, 2007: 57). Sepse vlerat morale janë korniza referimi që na mundësojnë të kuptojmë sjelljen tonë dhe të të tjerëve, të vlerësojmë ngjarjet, të kuptojmë modelet e sjelljes së shoqërisë dhe kështu të përcaktojmë se ku dhe si duhet të veprojnë individët. Nëse kjo kornizë referimi humbet aftësinë e saj për të formësuar sjelljen e individit, atëherë shfaqet anomalia (çrregullim shoqëror). Kur ndodh anomalia, lidhja e individit me vlerat fetare dhe morale dobësohet ose edhe ndërpritet plotësisht.
Feja është thelbësore për formimin e vlerave morale. Sipas fjalëve të Clark (1998: 2-3), fetë, të cilat mund të përkufizohen si besime, mendime, vlera dhe veprime kolektive të përbashkëta, u ofrojnë besimtarëve rregulla morale që rregullojnë jetën e tyre individuale dhe shoqërore. Në këtë kuptim, fetë krijojnë korrelacion midis besimit dhe praktikës dhe sjelljeve pozitive dhe të dëshirueshme. Kjo rrjedh nga fakti se fetë kërkojnë të edukojnë dhe trajnojnë pasuesit sipas modelit të tyre, si përmes besimeve dhe praktikave që ofrojnë ashtu edhe përmes qëndrimeve dhe sjelljeve morale që kërkojnë. Në thelb, kjo qasje synon të sigurojë që njerëzit të cilët përjetojnë socializim pozitiv, të jenë në paqe si me veten ashtu edhe me mjedisin e tyre. Siç thekson Hökelekli (2005: 118-119), fetë, të cilat shërbejnë për të ruajtur vlerat morale brenda strukturës shoqërore, luajnë një rol vendimtar në sigurimin e harmonisë shoqërore të individëve. Megjithatë, do të ishte kuptimplotë të bëheshin dy pyetjet e mëposhtme: Së pari, megjithëse fetë synojnë të kultivojnë virtyte tek pasuesit e tyre dhe të krijojnë një shoqëri morale, a kultivojnë besimtarët fetarë qëndrime dhe sjellje në përputhje me botëkuptimin e fesë së tyre? Së dyti, cilat mund të jenë arsyet e dështimit të besimtarëve për t’iu përgjigjur kërkesave të feve? Ne mund të kërkojmë përgjigje për këto pyetje kryesisht përmes hulumtimeve në terren.
Çfarë Thonë Rezultatet E Hulumtimit?
Studimet e kryera kanë treguar se feja dhe besimi fetar luajnë role shumë të rëndësishme në mbrojtjen e vlerave morale, sigurimin e paqes sociale dhe zhvillimin e një dialogu të shëndetshëm midis individëve dhe shoqërisë në të cilën jetojnë. Në këtë kontekst, përgjithësisht është vërejtur se njerëzit fetarë kanë tendencë të jenë më të bindur dhe më në harmoni me rendin shoqëror (Argyle & Beit-Hallahmi, 1975; Kötehne, 1999). Në fakt, duhet konsideruar e natyrshme që feja të ketë një ndikim të tillë te besimtarët. Sepse, siç thuhet nga Clouzeau dhe Roy (2004: 65), “Besimtarët, besojnë se vlerat morale formohen në përputhje me dëshirën e vullnetit hyjnor.” Kjo do të thotë që njerëzit fetarë kanë tendencë t’i përqafojnë më shumë vlerat morale. Studimet e kryera në Evropë, SHBA, dhe në Turqi, kanë gjetur një marrëdhënie pozitive midis orientimit fetar dhe “traditës”, “sigurisë” dhe “konformitetit/bindjes”, dhe një marrëdhënie negative midis “vetëdrejtimit”, “stimulimit” dhe “hedonizmit” (Schëartz & Huismans, 1995; Mehmedoğlu, 2006). Në mënyrë të ngjashme, është evidentuar se njerëzit fetarë janë më të adaptueshëm dhe më të përgjegjshëm sesa njerëzit jofetarë, se midis aspekteve praktike të jetës fetare (namazi, agjërimi, përgjërimi dhe pendimi), shoqërueshmërisë dhe përgjegjësisë ka marrëdhënie pozitive domethënëse, se nxënësit që marrin arsim fetar kanë nivele më të larta të vetëkontrollit, bindjes dhe këmbënguljes dhe se marrëdhëniet midis disa dimensioneve të fetarisë dhe ndërgjegjes, sakrificës dhe altruizmit kanë arritur nivele koptimplota. Ndikimi i fesë në sjelljen morale dhe harmoninë shoqërore rrjedh kryesisht nga aftësia e saj për të krijuar një strukturë dhe mendësi konservatore, duke kërkuar bindje nga pasuesit e saj.
Tradita, mirësia, konformiteti dhe bindja mund të çojnë në menaxhimin e zemërimit dhe shmangien e sjelljes agresive. Në thelb, një nga treguesit më të rëndësishëm të vlerave morale është aftësia për të kontrolluar emocionet dhe sjelljet agresive. Hulumtimet kanë zbuluar se ndërsa niveli i fetarisë rritet, konflikti ndërpersonal dhe aktet e dhunshme ulen (Yapıcı, 2007). Ky zbulim sugjeron që feja mund të luajë një rol të rëndësishëm në rehabilitimin e krimeve. Individët fetarë kanë më tepër tendencë të angazhohen me sjelljet e konsideruara normale nga shoqëria, duke shmangur sjelljen antisociale. Kjo mund të shpjegohet me forcën shpirtërore dhe mbështetjen sociale që feja ofron për harmoninë individuale dhe shoqërore.
Aftësia për të kontrolluar emocionet dhe mendimet agresive është e lidhur ngushtë me uljen e sjelljeve kriminale. Hulumtimet në këtë kontekst kanë evidentuar se niveli i caktuar i fetarisë mund të jetë një faktor mbrojtës kundër krimit në një farë mase. (Yapıcı, 2007: 59-61). Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se fetaria nuk e parandalon krimin, por përkundrazi mbron prej tij. Kjo mbrojtje ndodh edhe drejtpërdrejt përmes ndikimit të besimeve dhe praktikave fetare, edhe tërthorazi përmes preferencave të shoqërimeve miqësore. Rezultatet nga studimet e kryera në Turqi janë domethënëse në këtë drejtim. Në këtë pikë, duhet të theksojmë elementin e mëposhtëm: Nëse pranohen vetëm parimet e besimit, pa kryerjen e detyrave fetare, individët nuk janë mjaftueshëm të mbrojtur nga sjelljet kriminale. Kjo ndodh sepse ndikimi i fesë në jetën individuale dhe shoqërore realizohet kryesisht përmes dimensionit të adhurimit (Güneş, 2003). Për më tepër, në disa raste, të qenit thjesht besimtar dhe individ fetar nuk është e mjaftueshme; por fetaria individuale dhe jetesa në një mjedis fetar ushqejnë njëra-tjetrën. Kjo situatë mund të shpjegohet përmes konceptit të ndikimit të normave shoqërore në jetën individuale. Këto rezultate mund të interpretohen si tregues se feja luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e tipareve pozitive të personalitetit. Sipas mendimit tonë, ndikimi i fesë në sjelljen morale dhe harmoninë shoqërore rrjedh kryesisht nga aftësia e saj për të krijuar një strukturë dhe mendësi konservatore, dhe nga kërkesa e saj për aderim nga pasuesit e saj.
Fetaria nuk krijon hendek negativ vetëm me kriminalitetin dhe sjelljet e shthurura. Ajo është gjithashtu e lidhur pozitivisht me sjelljet morale, veçanërisht bashkëpunimin dhe miqësinë, të cilat pasqyrojnë në thelb një tendencë për të qenë një njeri i mirë. Në shumë studime është konfirmuar se dendësia e lutjeve dhe adhurimit zvogëlon rrezikun e sjelljeve negative dhe rrit tendencën për të qenë person i mirë, me karakteristika të dëshiruara dhe të pritshme brenda strukturës sociokulturore (Yapıcı, 2007). Megjithatë, marrëdhënia midis fetarisë dhe sjelljes prosociale nuk është njëkahëshe ose njëdimensionale. Brenda këtij kuadri, niveli i integrimit të një individi me besimet e tij fetare dhe vlerat sociokulturore, si dhe cilësia e marrëdhënies së tij me mjedisin shoqëror, luan një rol të rëndësishëm në formësimin e sjelljes së tij. Për shembull, studimet kanë konfirmuar se ndërsa niveli i ndikimit të fesë rritet, rritet edhe tendenca e tij për të mbrojtur besimet dhe për të qenë i sinqertë dhe i ndershëm (Güleç, 2018), dhe se treguesit e fetarisë, siç është ndjenja e afërsisë me Zotin, përdorimi i urdhëresave fetare si referencë në zgjidhjen e problemeve sociale, kryerja e detyrave fetare si agjërimi dhe namazi, leximi i Kuranit dhe zotërimi i një niveli të lartë të njohurive fetare, forcojnë sjelljen morale (Ayten, 2009). Për më tepër, kur besimi në Zot, adhurimi i rregullt dhe ndjenja e ndikimit fetar kombinohen, qëndrimet dhe sjelljet morale mund të bëhen më të theksuara. Adhurimet që kryhen në vendet e adhurimit janë veçanërisht efektive si në zhvillimin ashtu edhe në ruajtjen e virtyteve të besimtarëve fetarë. Sepse ata që frekuentojnë vendet e adhurimit me qëllim adhurimi bëhen gjithashtu pjesë e një komuniteti. Prandaj, si përshtatja e tyre psikosociale ashtu edhe sjelljet si sinqeriteti, ndershmëria, bashkëpunimi, dhembshuria dhe falja forcohen. Nisur nga kjo, mund të argumentohet se niveli në të cilin fetaria nxit vlerat morale fetare forcohet nga kushtet e favorshme mjedisore. Për më tepër, është zbuluar se individët fetarë të motivuar nga brenda i përvetësojnë vlerat morale më shumë sesa ata të motivuar nga jashtë, dhe në këtë kontekst, nivelet e tyre të sinqeritetit, ndershmërisë, përgjegjësisë, faljes, tolerancës dhe përulësisë janë më të larta (Exline & Hill, 2012; Krause, 2015; Şentepe, 2016). Çështja nëse pjekuria fetare sjell me vete pjekuri morale është gjithashtu e rëndësishme. Hulumtimet tregojnë se, me rritjen e niveleve të besimit fetar të individëve, rritet edhe pjekuria e tyre emocionale dhe morale (Koçak & Kayıklık, 2022). Pjekuria morale është veçanërisht e lartë midis atyre që falin namazin rregullisht dhe besojnë se urdhëresat dhe ndalesat fetare nuk ua kufizojnë jetën (Aktaş & Kartopu, 2016). Përsëri, mund të argumentohet se individët fetarë me përvetësim të sinqertë shfaqin një qëndrim më të pjekur moralisht sesa individët me besim sipërfaqësor fetar.
Fetaria Dhe Dobësitë Morale
Në rrethana normale, një person i shëndetshëm dhe me personalitet pritet të ruajë integritetin midis besimeve dhe jetës së tij, fjalëve dhe veprimeve të tij. Për individë të tillë, virtyti nxit paqen dhe paqja nxit virtytin.
Siç thuhet në ajetin “…pse po e thoni atë që nuk e punoni?” (Saff, 61:2), ndonjëherë mund të shfaqet papajtueshmëri midis zemrës të një personi dhe veprimeve të tij. Sidomos tek ata me personalitete neurotike, mund të vërehet një kontradiktë midis dëshirave të shtypura dhe të pavetëdijshme dhe fjalëve e veprimeve të jashtme. Në këtë pikë, është e rëndësishme të theksohet se morali nuk është diskurs, por veprim dhe përfaqësim.
A na pengon fakti që e dimë se diçka është e gabuar ose e keqe, për ta bërë atë gabim ose të keqe? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është se nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis dijes dhe veprimit. Ajo që ka rëndësi këtu nuk është ajo që dimë, por kuptimi dhe vlera që i japim asaj që dimë.
Në Islam, nuk ka dallim midis formës dhe esencës, materies dhe kuptimit. Me fjalë të tjera, forma dhe esenca, materia dhe kuptimi janë si “H2O=UJË”, që do të thotë se elementët e ndryshëm bashkohen për të formuar një tërësi më të bukur dhe kuptimplotë. Nëse adhurimi mbetet formal dhe nuk thellohet në botën e brendshme të individit, nëse besimet mbeten në gjuhë dhe nuk depërtojnë në shpirt, atëherë forma dhe esenca fragmentohen, dhe për këtë arsye, tërësia kuptimplotë humbet. Këtu, hasim fenomenin e quajtur “fetarizëm”, jo “fetari” (me devotshmëri). Kjo situatë padyshim mund të nxitet nga shumë faktorë, duke përfshirë strukturën e personalitetit të individit, përvojat familjare, arsimimin dhe frymën e kohës.
Reduktimi i fesë në një dimension që ka lidhje vetëm me botën tjetër, duke shpërfillur përfshirjen e saj në jetën e kësaj bote dhe marrëdhëniet shoqërore, ka çuar në një lloj “njeriu të ri”. Ndërsa ky njeri ruan përkushtimin e tij ndaj fesë, ai shpërfill aspektin e saj moral. Si pasojë, dëgjohen shpesh përshkrime të tilla si “besimtar por egoist”, “fetar por jo i moralshëm” dhe “kryen adhurimet por është hedonist”. Problemi i vërtetë fillon në këtë pikë. Meqenëse besimtarët nuk mund ta përforcojnë botën fetare me vlera, shfaqet një kalim nga fetaria që prodhon vlera në fetarinë që konsumon vlerat. Është domethënëse që, sipas gjetjeve të hulumtimit të kryer, “ky njeri i ri” krahas fetarizmit përjeton një rritje të sjelljeve të tilla si hedonizmi, stimulimi, egoizmi, mashtrimi, shmangia e përgjegjësisë dhe kriminaliteti (Yapıcı, 2018). Pikërisht në këtë pikë, ata që duken të dobët moralisht, pavarësisht se janë besimtarë është e saktë të etiketohen si fetaristë e jo fetarë. Sepse fetaria është një fenomen që manifestohet përmes unitetit të pandashëm të trinitetit të besimit, adhurimit dhe moralit. Kur morali mungon në këtë trinitet, ajo që manifestohet është “fetarizmi”.
Nga Prof. Dr. Asım Yapıcı
Universiteti i Shkencave Sociale të Ankarasë
Referencat
Aktaş, H. & Kartopu, S. (2016). Üniversite Öğrencilerinin Dindarlık Eğilimlerine Göre Ahlaki Olgunluk Düzeylerinin İncelenmesi: Gümüşhane Üniversitesi Örneği. ASOS Journal: Akademik Sosyal Araştırmalar Dergisi, 4 (35), 34-42
Argyle, M. & Beit-Hallahmi, B. (1975). The Social Psychology of Religion. London & Boston: Routledge & Kegan Paul.
Ayten, A. (2009). Affedicilik ve Din: Affetme Eğilimi ve Dindarlıkla İlişkisi Üzerine Ampirik Bir Araştırma. M.Ü. İlahiyat Fakültesi Dergisi 37 (2), 111-128.
Berger, P. L. (1993). Dinin Sosyal Gerçekliği (Çev. A. Coşkun). İstanbul: İnsan Yayınları.
Clark, Ë. (1998). Pratique Religieuse, Mariage et Famille. Tendances Sociales Canadiennes, 50, 2-7.
Clouzeau, F. & Roy, F. (2004). Une Remise En Cause Des Principes Fondateurs de la Lutte Contre Le Sida. Transcriptates, 118 (10), 64-65.
Exline, J. J. ve Peter, C. Hill (2012). Humility: A Consistent and Robust Predictor of Generosity. The Journal of Positive Psychology, 7 (3), 208-218.
Güleç, Y. (2018). Üniversite Öğrencilerinin Dindarlık Düzeyleri ve Adil Davranış Gösterme Arasındaki İlişki, Çukurova Üniversitesi İlahiyat Fakültesi Dergisi, 18 (1), 329-359
Güneş, T. (2003). The Relationship Betëeen Religiosity and Crime: A Case Study on University Students in Turkey (Doktora Tezi), Ankara: Orta Doğu Teknik Üniversitesi Sosyal Bilimler Enstitüsü.
Hökelekli, H. (2005). Din Psikolojisi. Ankara: Türkiye Diyanet Vakfı Yayınları.
Koçak, A. & Kayıklık, H. (2022). Doğruyla Sevabın Yanlışla Günahın Kesiştiği Noktada Ahlâkî Olgunluk-Dindarlık İlişkisi. İnönü Üniversitesi Uluslararası Sosyal Bilimler Dergisi, 11 (1) , 95-114 .
Kötehne, G. (1999). Religious Oriantation and Personality (Yayımlanmamış Yüksek Lisans Tezi). Boğaziçi Üniversitesi Sosyal Bilimler Enstitüsü, İstanbul.
Krause, N. (2015). Assessing the Relationships Among Race, Religion, Humility, and Self-Forgiveness: A Longitudinal Investigation. Adevances in Life Course Research, 24, 66-74
Mehmedoğlu, A. U. (2006). İlâhiyat Fakültesi Öğrencilerinin Değer Yönelimleri ve Dindarlık-Değer İlişkisi: M.Ü. İlâhiyat Fakültesi Örneği. M.Ü. İlâhiyat Fakültesi Dergisi, 30 (1), 133-167.
Schëartz, S. H. & Huismans, S. (1995). Value Priorities and Religiosity in Four Ëestern Religions. Social Psychology Quarterly, 58 (2), 88-107.
Şentepe, A. (2016). Ruh Sağlığı Belirtilerinin Yordayıcısı Olarak Affetme ve Dindarlık İlişkisi. Yayınlanmamış Doktora Tezi. Sakarya Üniversitesi Sosyal Bilimler Enstitüsü, Sakarya.
Yapıcı, A. (2007). Ruh Sağlığı ve Din: Psikososyal Uyum ve Dindarlık. Adana: Karahan Yayınları.
Yapıcı, A. (2018). Değerler ve Dindarlık Algısında Değişim ve Süreklilik: Değerlerin Bireyselleşmesinden Bireysel Değerlere. M. Ergün, N. Karabacak, İ Korkmaz, M. Küçük (Ed). Öğretmenliğin Mesleki Değerleri ve Etik içinde (ss. 57-90). Ankara: Anı Yayıncılık.