Liaquat Zaman
Kur humbet besimi, dija dhe fuqia pushojnë së qeni bekime. Ato bëhen mjete shtypjeje. Islami I dha dijes një qëllim më të lartë, duke e lidhur me moralin dhe përgjegjësinë. Qytetërimi i vërtetë nuk lidhet vetëm me madhështinë apo arritjet. Pa udhëzimin hyjnor, ai është i zbrazët. Grekët i dhanë botës filozofinë, por atyre u mungonte një themel shpirtëror. Romakët ndërtuan një perandori ekstremisht të fuqishme, por ajo u kalb nga brenda sepse ata humbën busullën morale.
Islami solli atë që I’u mungonte. Ai unifikoi dijen, fuqinë dhe etikën hyjnore në një gjë të vetme. Kurani na kujton vazhdimisht se forca e vërtetë vjen përmes drejtësisë, dhembshurisë dhe vetëdijes se do të japim llogari para Allahut. Pa këtë, pushteti përfundon gjithmonë në duart e tiranëve. Islami erdhi për të krijuar një lloj komuniteti, I cili ndërtohet mbi mëshirën, drejtësinë dhe përulësinë.
Para Islamit, Arabia ishte në kaos, fise që luftonin me njëri-tjetrin, idhujtari e përhapur ngado dhe të pushtetshëm që shtypnin të dobëtit. Megjithatë, Allahu i përgatiti ata nëpërmjet Islamit për të përcjellë mesazhin e Tij të fundit. Një popull, të cilit askush nuk i kushtonte vëmendje, përfundoi duke udhëhequr botën për shkak të besimit të tyre.
Myslimanët e hershëm nuk po përpiqeshin të ndërtonin një perandori. Ata nuk ishin në kërkim të parave ose famës. Ata e shihnin veten si bartës të një besimi, një mision për të përhapur dritën e Zotit. Suksesi i tyre ishte rrjedhojë e sinqeritetit, sakrificës dhe vendosjes së Allahut para çdo gjëje tjetër.
Islami i mësoi ata të fokusoheshin te bota e përtejme, jo te kjo botë. Kjo i bëri ata udhëheqës të patrembur, të përulur dhe të besueshëm. Ata nuk ishin të lidhur pas pasurisë apo titujve. Zemrat e tyre ishin të lidhura me Allahun.
Profeti Muhamed ﷺ na edukoi me një mësim revolucionar. Pushteti nuk është privilegj, është përgjegjësi. Udhëheqja nuk konsiston tek komandimi i njerëzve. Është një amanet, një besim për të cilin d o të merremi në llogari. Në një botë të zhytyr në lakmi dhe tirani, ky mësim ndryshoi gjithçka.
Shoqëria islame nuk u ndërtua bazuar mbi gjakun, racën apo pasurinë. Ajo u ndërtua mbi vëllazërinë, vëllazëri nën një Zot të vetëm. Islami bashkoi njerëz që përndryshe do të kishin mbetur armiq. Ai krijoi një familje të vërtetë globale, Ummetin.
Drejtësia nuk ishte thjesht një slogan. Ishte një mënyrë jetese. Edhe jo-muslimanët që jetonin nën sundimin islamik ishin të mbrojtur dhe trajtoheshin në mënyrë të drejtë. Kjo ishte e padëgjuar në një epokë, kur në vende të tjera të dobëtit shtypeshin dhe I ndryshmi persekutohej.
Kurani e shndërroi kërkimin e dijes në një akt adhurimi. Kjo është arsyeja që vende si Bagdadi, Kordoba dhe Kajro u kthyen në zemrat pulsuese të shkencës dhe të dijes. Myslimanët nuk e shihnin besimin dhe arsyen si armiq. Ata i bashkuan ato në mënyrë të mrekullueshme.
Zgjimi që shkaktoi Islami nuk u izolua në Arabi. Ai riformësoi të gjithë botën. Kudo që përhapej Islami, shoqëritë gjenin forcë morale, drejtësi sociale dhe energji intelektuale. Bota myslimane u bë një far i qytetërimit, ndërkohë që pjesë të tjera të botës u zhytën në errësirë.
Dijetarët dhe shkencëtarët myslimanë luajtën një rol të madh në nxjerrjen e Evropës nga Epoka e Errët. Teksa Evropa ishte e zhytur në supersticion, tokat myslimane lulëzonin në shkencë, art, filozofi dhe etikë. Për myslimanët, dija nuk ishte vetëm për t’u mburrur. Ishte një mënyrë për t’i shërbyer Allahut dhe njerëzimit.
Për ata dija ishte thellësisht e lidhur me qëllimin dhe përulësinë. Për këtë arsye kontributet e tyre ishin një mëshirë për botën, jo një mallkim. Por kur besimi filloi të venitej nga zemrat e myslimanëve, filloi rënia. Suksesi material pa integritet shpirtëror i çoi ata në të njëjtën rrugë që kishin ecur të tjerët.
Historia përsëritet. Kur njerëzit braktisin udhëzimin e Allahut, ata bien moralisht, pavarësisht se sa të fuqishëm duken.
Perëndimi përvetësoi dijen myslimane, por e zhveshi nga shpirti i saj. Pa përgjegjësinë moralo-shpirtërore, teknologjia u bë një shpatë me dy tehe.
Islami na kujton se suksesi i vërtetë balancon fuqinë e kësaj bote me qëllimin hyjnor. Rilindja Evropiane I detyrohet në një masë të madhe Spanjës islamike dhe mendimtarëve myslimanë. Por pa besim, ajo dije nxiti kolonializmin dhe lakminë në vend të mëshirës dhe drejtësisë.
Islami mëson se progresi pa vetëdijen për Zotin është një minë me sahat. Korrupsioni dhe anarkia janë gjithmonë rezultate të pushtetit pa llogaridhënie. Vetëm nëpërmjet udhëzimit të Allahut mund të balancohet forca me drejtësinë.
Bota myslimane mori tatëpjetën kur filloi të ndiqte të tjerët dhe të imitonte verbërisht qytetërimet mondane. Në vend që të udhëhiqnin me besim, myslimanët filluan të ndiqnin luksin, politikën, dhe pushtetin e zbrazur. Dhe atyre u ndodhi e njëjta gjë që u ndodhi grekëve dhe romakëve. Rënia.
Ripërtëritja e vërtetë nuk do të vijë duke kopjuar materializmin e Perëndimit apo duke ndjekur trendet e ndryshme. Do të vijë kur myslimanët të rilidhen me misionin e tyre origjinal për t’i shërbyer Allahut dhe për të lartësuar njerëzimin.
Kurani dhe Suneti janë ende këtu, duke na thirrur drejt suksesit të vërtetë. Mesazhi i Islamit është i përjetshëm. Ai është ende e vetmja kurë për një botë e cila po mbytet nga padrejtësia, egoizmi dhe boshllëku shpirtëror. Myslimanët supozohet të jenë dëshmitarët e gjallë të së vërtetës në çdo brez.
Sot, bota është e pasur teknologjikisht, por e falimetuar shpirtërisht. Islami zotëron çelësin për shërimin e plagëve të njerëzimit, dhe ne, si myslimanë, duhet të ngrihemi në lartësinë e sfidës.
Ndjekja verbërisht e ideologjive perëndimore nuk ka për t’i zgjidhur problemet tona. Rindërtimi duhet nisur nga brenda, duke ringjallur lidershipin autentik, vlerat origjinare dhe besimin e vërtetë. Zhvillimi material duhet të ecë krah për krah me shpirtëroren dhe etikën.
Islami na mëson ekuilibrin, adhurimin personal dhe përgjegjësinë publike. Nuk mjafton të lutesh dhe të agjërosh. Një mysliman duhet të jetë në mbrojtje të drejtësisë, mëshirës dhe të mirës kudo që të jetë.
Kjo është mënyra islame. Besim dhe veprim, dorë për dore.
Pjesa e dytë
Qytetërimi perëndimor mund të ketë arritur shumë lart përsa I përket suksesit material, por ai ende nuk u ka ofruar njerëzve paqen e brendshme dhe kënaqësinë e vërtetë që dëshirojnë. Përparimi shpesh ka ardhur në kurriz të moralit, drejtësisë dhe mirëqenies shpirtërore. Nga ana tjetër, Islami ofron një rrugë që rikthen ekuilibrin midis trupit, mendjes dhe shpirtit.
Po jetojmë në një botë ku frika, pasiguria dhe dëshpërimi janë kudo. Edhe pse njerëzit materialisht zotërojnë shumë më tepër se në çdo periudhë tjetër, ekziston një boshllëk shpirtëror dhe mungon një orientim themelor. Islami ka fuqinë t’i shërojë këto plagë duke i rilidhur njerëzit me Krijuesin e tyre.
Kolonializmi nuk e zhveshi botën myslimane vetëm nga pushteti politik — ai sulmoi kulturën, identitetin dhe ndjenjën tonë të vetë-perceptimit. Ai la pas konfuzion, përçarje dhe një kompleks inferioriteti të rrënjosur thellë I cili na ndikon edhe sot. Nëse e dëshirojmë ripërtëritjen, duhet ta heqim qafe mendësinë koloniale dhe të rizbulojmë vetëbesimin përmes Islamit.
Islami nuk e ka refuzuar asnjëherë progresin, ai thjesht këmbëngul që progresi të jetë i rrënjosur në etikë. Sepse kur teknologjia dhe pushteti shkëputen nga morali, ato përfundojnë duke bërë më shumë dëm sesa dobi. Progresi ynë duhet të qëndrojë gjithmonë brenda kufijve të udhëzimit hyjnor.
Sot shohim se shumë ideologji perëndimore I kanë zëvendësuar vlerat hyjnore me egoizmin dhe materializmin. Rezultatet janë të qarta: konfuzion moral, padrejtësi globale dhe shfrytëzim i përhapur kudo. Islami ofron një sistem vlerash të përjetshëm, një sistem që mund të shmangë gjendjen kaotike të njerëzimit.
Kur eleminohet autoriteti hyjnor, pason paqëndrueshmëria. Pa një kornizë morale supreme, shoqëria zhytet në dëshira dhe kaos. Islami na mëson se rendi I drejtë dhe paqja vijnë nëpërmjet nënshtrimit ndaj Allahut.
Si myslimanë, nuk duhet të mahnitemi nga arritjet materiale të Perëndimit, ndërkohë që injorojmë falimentimin e tij shpirtëror. Suksesi i vërtetë nuk gjendet tek pasuria apo fama, por tek besimi, drejtësia dhe shërbimi ndaj të tjerëve. Islami na ofron një mënyrë jetese që u sjell dobi si individëve ashtu edhe komuniteteve të tëra.
Në të vërtetë shumë myslimanë sot e kanë injoruar këtë aspekt. Ne jemi zhytur në dynja, duke ndjekur qëllimet e kësaj bote dhe duke harruar misionin tonë të vërtetë. Ripërtëritja nuk do të vijë përmes rrugëve të shkurtra, ajo kërkon sinqeritet, dije dhe udhëheqje substancialisht morale.
Gjatë periudhës koloniale, sundimi islamik portretizohej shpesh si shtypës për të justifikuar dominimin e huaj. Por nëse historinë e shikojmë me ndershmëri, do të shohim se qeverisja islame solli drejtësi, paqe dhe mbrojtje si për myslimanët ashtu edhe për jomyslimanët. Ne duhet të rivendikojmë historinë e vërtetë dhe të sfidojmë narrativat e shtrembëruara.
Lartësimi jonë nuk do të vijë duke kopjuar të tjerët ose duke ndjekur sistemet e tyre. Ne duhet ta jetësojmë Islamin plotësisht, me krenari dhe pa kompromis. Bota ka nevojë të madhe për mëshirën dhe drejtësinë që vetëm Islami mund t’ia ofrojë, veçanërisht në këto kohë.
Rënia jonë filloi në momentin që nisëm të shkëmbejmë vlerat tona për dëshirat e kësaj bote. Nëse duam të rikthejmë lavdinë, duhet të fillojmë duke pastruar zemrat tona, duke forcuar besimin tonë dhe duke nisur nga brenda reformimin e shoqërive tona. Allahu tashmë u ka premtuar sukses atyre që kthehen sinqerisht tek Ai.
Kur shikojmë myslimanët e hershëm, ajo që bie më shumë në sy është integriteti dhe besimi i tyre në Allah. Ata nuk kryenin thjesht disa lëvizje, zemrat e tyre ishin plotësisht të pranishme. Pa reformë shpirtërore, ndryshimet e jashtme nuk zgjasin. Rigjallërimi I vërtetë fillon nga brenda nesh.
Ne duhet të shkojmë përtej ritualeve. Islami nuk është thjesht plotësimi I një manuali rregullash. Thelbi është të jetuarit e vlerave të tij, drejtësisë, ndershmërisë, dhembshurisë dhe përulësisë. Kjo është e vetmja mënyrë për të rimarrë rolin tonë si shembull për pjesën tjetër të njerëzimit.
Islami nuk është diçka që mund të praktikohet selektivisht ose me kohë të pjesshme. Është një mënyrë jetese gjithëpërfshirëse që kërkon përkushtim të plotë ndaj Allahut në gjithçka që bëjmë. Zgjedhja dhe rendja pas dëshirave çon vetëm në dështim, suksesi i vërtetë vjen nga të jetuarit e Islamit tërësisht dhe sinqerisht.
Sot, bota është në kërkim të kuptimit. Është lodhur nga slogane boshe dhe premtime sipërfaqësore. Islami mbart dritën që njerëzit po kërkojnë, por kjo dritë duhet të shkëlqejë përmes nesh.
Ne duhet të ringrihemi, me shpresë, me besim dhe me vendosmëri. Dëshpërimi dhe disfatizmi nuk kanë vend në fenë tonë. Allahu u ka premtuar fitoren atyre që janë të durueshëm, të sinqertë dhe të vendosur në besimin e tyre tek Ai.
Ndjekja verbërisht e Perëndimit nuk ka për të na sjellë nder. Dinjiteti i vërtetë vjen duke u kapur pas Islamit — me besim, krenari dhe pa kërkimfalje. Imitimi i të tjerëve do të na sjellë vetëm poshtërim. Por të qëndruarit me vendosmëri në besim çon në forcë dhe sukses.
Islami nuk është vetëm për ne, ai është mëshirë për të gjithë krijimin. Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) u dërgua si mëshirë për botët dhe ne na është dhënë përgjegjësia ta pasqyrojmë atë mëshirë. Në mënyrën se si flasim, veprojmë dhe sillemi, duhet t’u tregojmë njerëzve se çfarë do të thotë në të vërtetë Islam.
Kurani e fton këtë Ummet të jetë dëshmitar mbi njerëzimin. Kjo do të thotë që ne nuk preokupohemi me të vërtetën dhe drejtësinë vetëm duke folur; ne e jetojmë atë çdo ditë. Dhe nëse e injorojmë këtë detyrë, jo vetëm që humbasim ndikimin tonë, por do të mbajmë përgjegjësi para Allahut.
Ne duhet të zgjohemi. Duhet t’i kthehemi Allahut sinqerisht dhe me gjithë zemër. E ardhmja jonë varet nga kjo. Rigjallërimi i Ummetit varet nga besimi, karakteri dhe uniteti. Nëse i përkushtohemi kësaj rruge me sinqeritet dhe punë të palodhur, atëherë me lejen e Allahut, suksesi do të vijë.
Pjesa e tretë
Ne na është besuar nga Allahu udhëheqja e njerëzimit, jo thjesht mbijetesa si myslimanë. Roli ynë është të udhëheqim përmes shembullit, duke qenë të drejtë, të mëshirshëm dhe të sinqertë në gjithçka që bëjmë. Suksesi i vërtetë do të vijë vetëm kur të jemi besnikërisht të përkushtuar ndaj këtij misioni për hir të Zotit.
Lidershipi nuk është vetëm status apo pushtet, është një amanet.
Ata që kanë qenë para nesh kanë udhëhequr me përulësi dhe vetëdije të thellë për Allahun. Ky është lloji I lidershipit që Umeti duhet t’i rikthehet.
Profeti (paqja qoftë mbi të) dhe kalifët e drejtë nuk kishin qëllim që përmes udhëheqjes të përfitonin personalisht. Edhe gjatë presioneve të mëdha, ata qëndruan të vendosur në të vërtetën. Ne duhet ta ringjallim të njëjtën frymë etike dhe parimore të lidershipit.
Rënia jonë filloi atëherë kur pushteti u pa si qëllim në vend se të shihej si shërbim ndaj Allahut. Kur lidershipi u shndërrua në luks dhe krenari, ne humbën drejtimin. Për t’u rindërtuar, duhet të kthehemi tek modeli profetik.
Nacionalizmi, përçarja dhe sektarizmi kanë shkatërruar unitetin me të cilin kemi qenë të bekuar. Islami na fton të bashkohemi për të vërtetën, jo për racën apo kufijtë. Sa më të ndarë të jemi, aq më shumë zvogëlohet ndikimi ynë.
Lulëzimi I botës myslimane ishte pasojë e jetësimit të parimeve hyjnore. Drejtësia nuk ishte thjesht teori, ajo praktikohej dhe shpërfaqej në jetën e përditshme. Të gjithë këtë e kemi humbur, është koha ta rifitojmë.
Roli ynë nuk është ndjekja e pushtetit, por të shërbejmë, të përmirësohemi dhe t’I ftojmë njerëzit tek ajo që është e drejtë. Ne nuk jemi mandatuar për të dominuar, por për të përhapur mëshirën e Islamit nëpër botë. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse fillimisht e përmirësojmë veten shpirtërisht dhe moralisht.
Ne nuk na lejohet t’a humbasim shpresën. Ndihma e Allahut u vjen atyre që janë të durueshëm dhe të sinqertë dhe ndërkohë nuk e reshtin përpjekjen. Dëshpërimi nuk është prej fesë sonë, ripërtëritja është e mundur.
Cfarë kuptimi ka suksesi pa vlera?
Islami na ka mësuar se qytetërimi i vërtetë ndërtohet mbi karakterin, jo vetëm mbi rezultatin. Pa moral, gjithçka shembet. Historia e ka treguar vazhdimisht këtë gjë.
Kjo nuk ka të bëjë me numrat apo me resurset, por me lidhjen që ne kemi me Allahun. Myslimanët e hershëm ishin të pakët, ama të vendosur, bash për këtë arsye fituan. Fitorja nuk vjen nga dynjaja, por përmes bindjes.
Mund të ndërtosh perandori, por nëse shpirti është I zbrazët, ajo nuk ka për të zgjatur. Forca jonë si myslimanë ka buruar nga devotshmëria, jo nga teknologjia. Ne duhet të kthehemi te ai themel.
Detyra jonë nuk është vetëm përmirësimi i vetes, por edhe udhëzimi I të tjerëve. Ummeti islam nuk është lokal, është global, dhe misioni ynë është më i madh sesa ne. Nëse e injorojmë këtë rol, kemi dështuar me të vërtetë.
Ne nuk duhet të tronditemi nga dominimi perëndimor. Është vetëm një fazë dhe poashtu është një provë për ne. Duhet të qëndrojmë me vendosmëri pas udhëzimeve kuranore dhe të mos humbasim identitetin në sistemet e tyre.
Feja jonë na jep forcë. Ne nuk kemi nevojë të imitojmë askënd, sepse ne na është dhënë më e mira. Ajo që na dobëson ne është humbja e besimit në rrugën tonë.
Është e lehtë të impresionohesh nga Perëndimi, por le të shikojmë përtej lustrimit. Sistemet e tyre janë të zbrazëta dhe plot kontradikta. Islami është i vetmi model që ofron progres real dhe të ekuilibruar.
Drejtësia, liria dhe dinjiteti njerëzor, të gjitha këto I ka garantuar Islami para kujtdo tjetër. Këto nuk janë shpikje e perëndimit; janë dhurata hyjnore. Ne duhet t’i rigjallërojmë ato, por përmes Kuranit, jo nga sloganet.
Pa nënshtrim ndaj Allahut, liria shndërrohet në kaos. Islami na mëson se si t’i balancojmë të drejtat me përgjegjësitë. Vetëm ligji i Allahut mund të ruajë rendin e vërtetë dhe të mbrojë dinjitetin.
Pra, nuk ka të bëjë me sistemet e krijuara nga njeriu, por me udhëzimin e Allahut. Ligji i Tij sjell paqe, stabilitet dhe drejtësi, si asnjë tjetër. Duhet të punojmë mençur dhe me durim për rikthimin e tij.
Rendja pas suksesit material, nuk bën gjë tjetër vetëm se na shpërqëndron. Duhet të përqendrohemi tek vendosmëria në të vërtetën. Këtu e ka burimin nderimi I vërtetë, jo tek pasuria materiale apo prestigji.
Paraardhësit tanë ia dolën mbanë falë sinqeritetit dhe sakrificës. Ata nuk ishin në kërkim të famës, por në kërkim të kënaqësisë së Allahut. Kjo është mendësia që ne duhet t’a ripërtërijmë.
Islami nuk lidhet vetëm me namazin apo politikën, ai është gjithpërfshirës. Ai formëson gjithçka: zemrën, shtëpinë, shoqërinë, botën. Ne duhet ta jetësojmë plotësisht dhe ta prezantojmë me qartësi dhe me bindje.
Pjesa e katërt
Ngritja e Perëndimit solli progres shkencor, ama moralisht bota falimentoi. Perëndimi mësoi të fluturojë në qiëll dhe të notojë në det, por harroi si të ecte drejt në tokë. Feja u zëvendësua nga pushteti I pakufizuar dhe njerëzimi ra pre e lakmisë materialiste.
Teksa materializmi përhapej ngado, edhe Lindja ra në dashuri me shkëlqimin e tij. Ata ankoheshin vetëm ngaqë ishin të sunduar, jo se nga kush sundoheshin. Aktualisht ata “vdesin” për idealet perëndimore, vetëm se të prodhuara nga duart e Lindjes.
Më e keqja është se, myslimanët, dikur armiq të paganizmit, u bënë mbështetës të tij. Ne filluam të admironim udhëheqësit e valës materialiste, duke humbur besimin në vetvete. Sot, disa muslimanë e tejkalojnë edhe Perëndimin në dashurinë për dunjanë dhe neglizhimin e ahiretit.
Por, pavarësisht të gjithave, një rreze shprese gjendet vetëm tek Islami. Ne ende zotërojmë mesazhin autentik, jetën e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe reformatorët e sinqertë. Zemrat tona nuk janë krijuar për shirk dhe materializëm, përveç nëse do t’I c’rrënjosim.
Në botë nuk ekziston forcë tjetër në gjendje për të sfiduar paganizmin përveç Islamit.
Ne jemi rojtarët e projektit përfundimtar të Allahut, I cili është i përjetshëm dhe i vlefshëm për çdo epokë. Në momentin që ne do të zgjohemi, bota do ta ndiejë dridhjen dhe ka për të qenë një ditë llogaridhënieje.
Edhe Djalli i frikësohet një myslimani, zemra e të cilit ende mbart një shkëndijë të të vërtetës. Ai e di se forca jonë qëndron tek Kurani, abdesi i sabahut dhe tek zbatimi i Sunetit. Ai i frikësohet rivendosjes së Ligjit Profetik, fuqia e vetme që i jep fund çdo padrejtësie.
Besimi ynë, nëse rigjallërohet, ka për t’i shkatërruar iluzionet e kësaj epoke. Bota e sotme është nënshtruar ndaj zotave të rreme, ndërsa njeriu është i shtypur nga lakmia e tij. Vetëm Islami mund ta nxjerrë atë nga kjo birucë, e ngushtë dhe e errët dhe ta drejtojë kah e vërteta.
Njerëzit, në të gjithë botën, janë të lodhur nga jeta moderne, gënjeshtrat dhe presionet e saj. Ata janë sërish në kërkim të kuptimit, por nuk dinë se ku të drejtohen. Nëse myslimanët zgjohen, bota më në fund mund ta gjejë alternativën e shumëpritur.
Për të udhëhequr botën, nuk kemi nevojë për doktrina të reja, por për ripërtëritje të besimit. Forca jonë ka buruar gjithmonë nga elementet prezente në fe, por që thjesht i kemi harruar. Ne duhet ta ringjallërojmë dritën e brendshme ose rrezikojmë të përmbytemi njëjtë si të tjerët.
Përpjekja për të luftuar Perëndimin vetëm me mjetet dhe teknologjinë e tij, do të na cojë në humbje. Fitorja do të vijë vetëm duke u kthyer sinqerisht tek Allahu dhe duke pastruar veten. Nuk mund t’i udhëzojmë të tjerët pa rigjallëruar veten së pari.
Në të kaluarën, myslimanët e humbnin afeksionin dhe shkëputeshin nga forca e tyre e brendshme. Kur paraqiteshin sfidat, ata kërkonin forcën e tyre, por zbulonin se ajo i kishte braktisur. Ne nuk duhet ta lejojmë kurrë që ajo djerrinë shpirtërore të hedhë rrënjë.
Udhëheqësit tanë duhet të rizgjojnë zemrat e njerëzve. Ata duhet të bëjnë atë që bënë dijetarët e hershëm, por me mjetet e kësaj epoke. Ne ende kemi Kuranin dhe Sunetin, të mjaftueshëm për t’i dhënë jetë të re Umetit tonë.
Këto burime ende mund t’a gjallërojnë një shpirt, të lartësojnë një komb. Nën dritën e tyre, zemrat e besimtarëve do të rindizen sërish. Nga ato shtëpi do të dalin Bilalë, Ammarë dhe Mus’abë të rinj.
Tani për tani jemi në gjumë, të shpërqendruar dhe të vetëkënaqur. Zemrat tona nuk ziejnë nga meraku për të ndryshuar botën dhe vetet tona. Duhet të zgjohemi, për të mos shpërdoruar besimin që na është dhënë.
Pa një mendim të pjekur dhe me themele të forta, asnjë komb nuk mund të udhëheqë, pavarësisht burimeve të tij. Sot, myslimanët u besojnë së tepërmi armiqve dhe janë të verbër ndaj interesave të tyre. Po kafshohemi nga i njëjti gjarpër vazhdimisht.
Kombet perëndimore janë vigjilente, zëvendësojnë udhëheqësit e dështuar dhe mbrojnë të ardhmen e tyre. Populli ynë ndjek slogane boshe, mashtrohet nga demagogët dhe injoron shenjat paralajmëruese. Ne na duhet edukim, zgjim dhe mendim kritik, jo vetëm entuziazëm.
Islami gjithmonë I ka bërë thirrje vetëdijes së thellë, jo besimit të verbër. Sahabët, respektueshëm e kanë sfiduar edhe Profetin (paqja qoftë mbi të) kur ishin të hutuar. Ata mendonin me zemër dhe me arsye, të udhëhequr nga e vërteta dhe jo nga tribalizmi.
Një komandant u tha ushtarëve të tij të fillonin një betejë, të cilën ata e refuzuan me mençuri. Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) i lavdëroi sepse e kishin kuptuar Islamin, dhe nuk ishin thjesht ndjekës të tij. Forca jonë qëndron tek zemrat e edukuara nga shpallja dhe tek mendjet e mprehura nga besimi.
Edhe kalifi Umar është kundërshtuar nga besimtarët e zakonshëm dhe e ka mirëpritur një gjë të tillë. Kjo vetëdije e thellë e bëri të vështirë mbërritjen e tiranisë dhe mundësoi lulëzimin e sinqeritetit. Ajo e mbrojti Ummetin më shumë se çdo ligj tjetër.
Lëvizjet kanë nevojë për një bërthamë intelektuale, revolucionet kanë nevojë për mendje, jo vetëm për emocione. Revolucioni Francez pati sukses sepse njerëzit paraprakisht ishin afeksionuar nga idetë. Ne duhet ta rindërtojmë atë lloj vetëdije publike në botën myslimane.
Sot, njerëzit i ndjekin verbërisht udhëheqësit e korruptuar, madje edhe në vuajtje. Kjo tregon se mendimi ynë është mpirë dhe shpirtrat tanë janë topitur. Ne na nevojitet më shumë sesa zhurmë, ne kemi nevojë për vetëdijë të gjallëruar publike.
Islami nuk i ka mbështetur asnjëherë shoqëritë ku disa njerëz jetojnë në luks, ndërsa të tjerët vuajnë nga uria. Kjo nuk ishte mënyra e Profetit (paqja qoftë mbi të), por është mënyra e xhahilijetit. Ky model pabarazie nuk ka vend në të ardhmen islame.
Ne duhet t’i braktisim sistemet egocentrike, qoftë krenarinë tribale, qoftë kapitalizmin perëndimor. E ardhmja i përket drejtësisë dhe vetëm Islami ofron drejtësi reale për të gjithë. Nëse kapemi pas egos ose lakmisë, jemi të destinuar të kolapsojmë, njëjtë si të tjerët para nesh.
Nuk mund të lejojmë që të jemi të varur nga Perëndimi për armë, ushqim apo dituri. Vendet myslimane duhet të qëndrojnë në këmbë me forcat e tyre, përndryshe do të mbeten të dobëta dhe nën kontroll. Nëse nuk veprojmë tani, rrezikojmë të fundosim veten dhe të tjerët.
Sistemi ynë arsimor duhet të rindërtohet mbi themelet islame. Huazimi i teknologjisë është dicka normale, por nuk duhet të lejojmë assesi që të tjerët të na formësojnë mendësinë. Forca e vërtetë vjen atëherë kur mendimi, kultura dhe shkenca jonë burojnë nga vlerat tona.
Në të kaluarën, bota mësonte prej muslimanëve, përmes librave, ideve dhe shembullit tonë. Sot, ne jemi bërë imitues, totalisht të verbër ndaj pasurisë që disponon trashëgimia jonë. Është koha të udhëheqim sërish, me anë të dritës sonë intelektuale dhe shpirtërore.
Ne kemi nevojë për qendra, institute dhe mendimtarë islamikë për të rindërtuar botëkuptimin tonë. Ata duhet të unifikojnë zbulesën dhe kërkimin, zemrën dhe shkencën, Kuranin dhe laboratorin. Vetëm atëherë mund ta nxjerrim botën edhe një herë nga errësira.
Punoi: Qendra e Hulumtimeve, Minber