Prof. Dr. Ahmet Dağ
Treguesi më domethënës i dimensionit biologjik dhe natyror të njeriut është gjinia, e ndarë në trajtën burrë-grua. Kjo dikotomi është po aq ekzistenciale sa raportet kohë-hapësirë, qiell-tokë, e mira-e keqja etj. Përfshirja e fëmijës në bashkimin burrë-grua formon familjen. Familja, si një rend ku përvetësohet fetaria, tradita dhe edukata, formëson individët e shëndetshëm e rrjedhimisht edhe shoqërinë. Struktura gërryese e kapitalizmit nuk po shpërbën vetëm familjen dhe shoqërinë, por njëkohësisht synon të tjetërsojë edhe gjinitë. Mjetet e komunikimit masiv (revistat, gazetat etj.), e në veçanti televizioni dhe interneti, mbartin një karakter provokues ndaj seksualitetit. Teknologjitë dhe hapësirat e informacionit (TV, interneti, muzika, serialet, kinemaja etj.), të cilat e radikalizojnë edhe më tej procesin seksual, operojnë në një rrafsh nxitës, joshës dhe propagandistik drejt transformimit të gjinisë dhe inkurajimit të marrëdhënieve devijante. Sikurse shprehet Baudrillard, njeriu i kredhur drejt skajeve radikale përmes “çlirimit seksual”, duke u përpjekur të shpëtojë nga seksualiteti burrë-grua, po e shndërron formën e marrëdhënies në tipe gjinore si: trans, lezbikë, gej, jobinë (non-binary) dhe queer, të cilat përbëjnë forma marrëdhëniesh devijante.
Veçanërisht në reklamat dhe përmbajtjet që bazohen mbi algoritmat e internetit, e më pas edhe në seriale e filma, është rritur preferenca seksuale e bazuar mbi partneritetin (grua-grua, burrë-burrë) dhe jo mbi formën e marrëdhënies burrë-grua. Privilegjet që u njihen lëvizjeve LGBTQ – të cilat veprojnë si organizata propagandistike të këtyre formave të marrëdhënieve – në organizimet ndërkombëtare, duke filluar nga futbolli, si dhe financimi i tyre prej korporatave globale, dëshmojnë se neutralizimi gjinor zotëron një dimension politiko-ekonomik. Në fakt, neutralizimi gjinor ose shpërbërja e familjes krijon një terren të favorshëm për konsum të pakufizuar, në vend të kursimit. Ndërkohë që në një familje është e mundur që përmes punësimit të një ose dy personave të sigurohet jetesa për 5-6 anëtarë, bashkimet e bazuara mbi marrëdhëniet e partneritetit (grua-grua, burrë-burrë) përbëjnë një lloj bashkëjetese ku të dy personat punojnë dhe mbajmë vetëm njëri-tjetrin.
Grupimet ose strukturat që mbështesin neutralizimin gjinor apo lëvizjet queer, pretendojnë se familja e cila siguron riprodhimin e brezave si dhe ruajtjen dhe bartjen e traditës dhe fesë, është e panevojshme, madje shkojnë deri aty sa ta konsiderojnë atë si të dëmshme për njerëzimin. Fillimisht, pretendohet se hapësira jetësore, ushqimi, uji dhe ajri, nuk janë më të mjaftueshme për njerëzit; rrjedhimisht, familja shihet si një faktor që rrit popullsinë njerëzore, duke e përkeqësuar kështu situatën aktuale. Advokuesit e neutralizimit gjinor apo të lëvizjeve LGBTQ, argumentojnë se feja dhe tradita, të cilat ata i konsiderojnë si “të vjetruara”, përbëjnë një pengesë për progresin, liritë dhe preferencat seksuale. Mbi këtë bazë, pretendohet se në vend të familjes, e cila cilësohet si “pengesë” ndaj progresit, janë më të drejta bashkimet e bazuara mbi partneritetin, të cilat gjoja sigurojnë frymën progresiste dhe lirinë.
Përveç teknologjisë së informacionit, ekzistojnë kërkime shkencore në fushat e bioteknologjisë, biologjisë molekulare dhe gjenetikës, të cilat mbështesin shpërbërjen e familjes dhe neutralizimin gjinor. Përpjekjet që synojnë prodhimin e organeve gjenitale, mitrës artificiale etj., e veçanërisht studimet mbi klonimin, përfshijnë brenda vetes synimin për t’u dhënë fund dallimeve gjinore. Synimi për t’i bartur drejt një procesi radikal – përmes teknologjisë – veçoritë e gjallesave me riprodhim seksual, përbën një kërkesë që, në emër të “çlirimit seksual”, nënkupton asgjësimin e realitetit burrë-grua. Ajo çka tentohet të realizohet me supozimin se do të jetë më e dobishme, sipas shprehjes së Baudrillard-it, “është ndërthurur aq fort me kundërefektet e saj devijante, saqë tashmë bëhet e pamundur të dilet nga kjo situatë”.
Veçanërisht në filma, seriale dhe grupe muzikore (K-pop), vërehet një “neutralizim gjinor i burrave” ose një “konsumim/reduktim i gjinisë mashkullore”. Në platformat në fjalë, burrat e moshës 14 deri në 25 vjeç, të cilët zotërojnë një trup “elegant, të hollë dhe me pamje të bukur”, prezantohen me një strukturë femërore. Si reflektim i politikave të neutralizimit gjinor, një nga motivet kryesore të përdorimit të serialeve, filmave dhe grupeve muzikore si mjete propagande, është nxitja e mëtejshme e imazhit, e populizmit dhe e konsumit.
Kërkesa për një gjini të vetme (unigjinore) është e barazvlefshme me kërkesën për një shoqëri të vetme apo një shtet të vetëm. Lëvizjet transgjinore, postgjinore dhe queer, të cilat mendojnë se “çlirimi” i njerëzimit nga gjinia do ta bëjë atë më të “lumtur” dhe më të “përparuar”, synojnë të tjetërsojnë gjendjen e të gjitha gjallesave, e në radhë të parë të njeriut. Kjo përpjekje përbën një degjenerim që do të dëmtojë dimensionin e natyrshëm (fitra), jetësor dhe shoqëror. Ky synim i parashikuar për “evolucionim” dhe “diferencim” është një gjendje e shpërbërjes së njerëzimit, e cila do të sjellë shkatërrimin e pasardhësve dhe të mënyrës së jetesës. Dikotomia burrë-grua, pra tjetërsia dhe ndryshueshmëria, përbën një pasuri dhe është plotësuese e njëra-tjetrës, ashtu si dualitetet e tjera që janë realitete të universit dhe jetës (tokë-qiell, kohë-hapësirë, kjo botë-ahireti etj.). Në fakt, realiteti burrë-grua është një dimension që pasuron çiftet në aspektin fizik, konjitiv (njohës) dhe psikik. Ne gjendemi përballë frymës së një epoke që përpiqet të transformojë çdo gjë. Kemi të bëjmë me një stad qytetërimi (!) që zotëron instinktin dhe ambicien për të tjetërsuar jo vetëm njeriun, por çdo gjë jashtë tij, duke filluar nga kafshët dhe bimët. Vetë dëshira për të shndërruar një gjini në një tjetër është një problem më vete. Këto ndërhyrje mund ta çojnë njerëzimin në një dimension prej të cilit nuk do të ketë më kthim prapa.
Dëshira për të transformuar kuptimin e ekzistencës, jetës dhe vdekjes, në emër të qytetërimit apo humanizmit, nuk konsiderohet më e mjaftueshme. Synimi aktual, duke shfrytëzuar fuqinë e teknologjive ekzistuese, është tjetërsimi i qenies njerëzore dhe asaj jonjerëzore (natyrës dhe mjedisit), si dhe shndërrimi i një gjinie në një tjetër. Në një rrafsh të tillë transformues, shumë vlera, si e mira dhe e keqja, virtyti dhe vesi, drejtësia dhe padrejtësia, do të humbasin natyrën e tyre themelore. Çmimi i përpjekjes për të “shkatërruar mbjelljet/ekosistemin” (Bekare, 2/205) duket se do të jetë tejet i rëndë. Gjatë këtij procesi, kur njeriu të humbë natyrën e tij origjinale, do të përballet me gjendjen e atij personi që humbet ose nuk mund ta shohë më reflektimin e tij në pasqyrë. Gjendja e qenies njerëzore që humbet imazhin e vetvetes është tragjike. Çështja këtu qëndron te objektifikimi i burrit apo i gruas, duke u diktuar atyre një gjini të ndryshme nga ajo që janë në të vërtetë; pra, objektifikimi i qenies. Përpjekjet për feminizimin e burrit dhe maskulinizimin e gruas përbëjnë një imponim mbi esencën njerëzore; një akt tiranie ontologjike. Në fakt, në filmin dokumentar “Ëhat is a Ëoman?” (Çfarë është një Grua?), trajtohen gjerësisht vuajtjet psikologjike të individëve që ndryshojnë gjininë dhe hyrja e tyre në një rrugë pa krye e të pakthyeshme.
Në këtë kuadër, lëvizjet për neutralizim gjinor dhe diskurset LGBTQ shënjestrojnë kryesisht moshën 14-25 vjeç. Kjo kategori e shoqërisë përzgjidhet për shkak të dëshirës së natyrshme të kësaj moshe për t’u dalluar dhe për të përmbushur vetërealizimin. Siç ka theksuar Aristoteli, individët në këtë fazë udhëhiqen nga emocionet dhe kërkimi i kënaqësisë, duke mos qenë në gjendje të peshojnë pasojat afatgjata të veprimeve të tyre. Seksualiteti është një realitet biologjik objektiv; rrjedhimisht, përpjekja për të krijuar një identitet të ri duke mohuar këtë realitet, nuk është gjë tjetër veçse një fantazmagori. Idealizimi i mosekzistencës së gjinisë në botën e brendshme të individit, krijon një bazë tejet problematike. Ky idealizim i shkëputur nga realiteti gjen një mjedis më të favorshëm te teknologjia e informacionit. Në një hapësirë, ku neutralizimi gjinor legjitimohet dhe imponohet përmes reklamave, serialeve dhe algoritmeve të inteligjencës artificiale, ne jemi të detyruar të ndërtojmë dinamika mbrojtëse dhe sllogane rezistence. Rreziku mbetet maksimal për brezat që janë përdoruesit më të dendur të këtij informacioni të diktuar teknologjikisht
Teoria “queer” dhe mbrojtësit e lëvizjeve LGBT, duke shndërruar në moto shprehjen e filozofisë ekzistencialiste “Njeriu përcakton esencën e vet”, pretendojnë se qenia njerëzore nuk zotëron një gjini biologjike të lindur, por mund ta përcaktojë gjininë e vet në mënyrë subjektive. Duke e cilësuar gjininë biologjike si një “imponim”, ata synojnë të shfrytëzojnë diskurset e “lirisë” dhe “vullnetit” te brezat e rinj, duke propozuar në vend të saj një pranim gjinor të bazuar mbi preferencën dhe lirinë individuale. Sidoqoftë, ndjekja e elementeve “margjinale” dhe “hedoniste” (kërkimi i kënaqësisë) në emër të lirisë, rezulton në shkrirjen e dallimeve seksuale; kjo do të thotë, në fakt, imponim i njeriut drejt një natyre artificiale.
Teza se mënyra mekanike e të menduarit përbën të vetmin realitet – pasojë e shkëputjes së njeriut nga mendimi metafizik – e ka shtyrë atë drejt një dogmatizmi të ri. Fillimisht mekanizimi, e më pas teknologjitë e reja dhe aplikimet kibernetike, mundësuan shfaqjen e një qasjeje antropologjike, të re dhe margjinale. Struktura e teknologjive kibernetike, nanoteknologjike dhe informatike, e cila mbart në vete pakufishmëri dhe papërcaktueshmëri, lindi pasigurinë gjinore, përkatësisht “androgjeninë” (paqartësinë mes të qenit burrë apo grua). Kjo androgjeni solli me vete pasiguri shoqërore dhe anomi (shthurje të normave dhe vlerave).
Tjetërsimi i shkaktuar nga virtualizimi, po zhvendoset në sfera më radikale të brendshme, përmes teknologjive të reja. Ndërsa kërkimi për krijesa humanoide (cyborg, android dhe humanoid) shpreh një pakënaqësi të huaj ndaj vetvetes, varja e shpresave te suksesi i inteligjencës artificiale përballë asaj njerëzore, dëshmon ndjenjën e pamjaftueshmërisë që njeriu ushqen ndaj arsyes së vet. Rrafshi ku njerëzimi konsideron inteligjencën e vet si të pamjaftueshme dhe propozon zëvendësimin e trupit organik me trupa protezë apo bionikë, është i njëvlershëm me rrafshin ku modeli i seksualitetit kërkohet të jetë neutralizimi gjinor. Në fakt, Baudrillard e konsideron këtë lloj modeli si një “transseksualizëm simbolik”, edhe nëse nuk manifestohet si një proces i pastër biologjik. Të kërkosh një fat artificial dhe dezinformativ, do të thotë që njeriu po vërtitet drejt një humnere ogurzezë të ekzistencës së tij.
Në këtë sferë ku njerëzimi është përfshirë nga kjo rrymë, ekziston një propagandë intensive e transgjenderizmit, post-gjenderizmit, neutralizimit gjinor dhe teorive queer, veçanërisht në mediat e shkruara dhe ato vizuale, si: interneti, serialet, filmat dhe muzika. Duhet të ndërgjegjësohemi se në këtë plan, ajo që reklamohet nuk është liria, preferenca apo vullneti, por synimi kryesor mbetet kërkimi i kënaqësisë (hedonizmi), konsumi dhe reduktimi i popullsisë njerëzore. Vetëdijesimi mbi këtë realitet mund ta shpëtojë njerëzimin nga vorbulla e asgjësimit gjinor. Diskurset mbi “çlirimin seksual” apo “preferencën individuale” gjejnë mjedisin e tyre më ideal në sferën digjitale. Kjo ndodh sepse struktura e mjedisit digjital është “virtuale”, e papërcaktuar, e pamatshme dhe e pakufishme, gjë që i mundëson neutralizimit gjinor të gjejë terren ekzistence. Si në planin imagjinar, ashtu edhe në atë digjital, ekziston një prirje ku feminizimi i burrit dhe shndërrimi i gjinive te njëra-tjetra, paraqiten si procese normale dhe të domosdoshme. Sot, platformat digjitale dhe interneti janë bërë mjedise të pashmangshme, ku narrativat e neutralizimit gjinor zënë vendin kryesor. Në këtë pikëprerje midis digjitalizimit dhe asgjësimit të dallimeve gjinore, detyra jonë është të reflektojmë mbi domosdoshmërinë e vazhdimësisë së gjinive natyrore dhe të formave autentike të jetës, si dhe të propozojmë strategji konkrete në këtë drejtim.
Nga: Prof. Dr. Ahmet Dağ
Fakulteti i Teologjisë
Universiteti Uludağ i Bursës
Përktheu: Qendra e Hulumtimeve, Minber