Dihet tashmë se gjatë periudhës osmane, nga trojet e Ballkanit ka dalë një numër shumë i madh personalitetesh që kanë shërbyer në fusha të ndryshme të jetës dhe të shoqërisë së asaj kohe. Ashtu siç ka ndodhur në shumë fusha të tjera, mes Ballkanit dhe pjesës tjetër të Perandorisë Osmane kanë ekzistuar lidhje të forta dhe qindravjeçare edhe në fushën e diturisë dhe të edukimit. Por, me rënien e kësaj perandorie, këto lidhje filluan të këputeshin njëra pas tjetrës dhe më pas, si rezultat i politikave që ndoqën sistemet të cilat erdhën në pushtet, personalitetet historike që shërbyen në Perandorinë Osmane dhe kontributi i tyre nuk u reklamuan dhe u lanë në harresë totale. Megjithatë, ajo që është akoma shpresëdhënëse në këtë tablo të zymtë, është fakti se në arkivat dhe bibliotekat e vjetra të Stambollit dhe të disa vendeve të Ballkanit, gjurmët dhe kontributet e lëna nga këto personalitete mbetën deri diku të ruajtura. Në mesin e këtyre personaliteteve të shumta, pa dyshim se ata me origjinë shqiptare gëzojnë një vend të veçantë. Duhet theksuar gjithashtu edhe fakti se viteve të fundit, falë rritjes së kontakteve dhe qasjes më të lehtë në burimet osmane, ka një rritje të interesit dhe një shtim të studimeve në këtë fushë. Megjithatë, këto studime mbeten akoma të pamjaftueshme dhe shpeshherë të kufizuara vetëm në disa ngjarje ose personalitete politike, duke lënë kështu të pambushur një boshllëk të madh në lidhje me dijetarët e hoxhallarët shqiptarë dhe kontributet që ata kanë lënë pas. Për të hulumtuar këta autorë me origjinë shqiptare, për të analizuar veprat e tyre dhe pastaj për t’i kthyer ato vepra në një studim, nuk ka qenë një mision i lehtë, pasi në shumicën e rasteve është nevojitur hulumtimi i shumë dorëshkrimeve dhe dokumenteve osmane përkatëse. Por, nga ana tjetër, besoj se hedhja dritë mbi këto figura dijetarësh dhe mbi veprat e tyre është një detyrim historik, që akoma është i pashlyer dhe prandaj punimet e kësaj fushe duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Duke marrë shkas nga sa më sipër dhe pas hulumtimit të materialeve të gjetura në biblioteka dhe arkiva të ndryshëm, e pashë të arsyeshme që këto materiale të ktheheshin në një punim doktorature, duke ofruar kështu një kontribut sado modest në këtë fushë. Po për të njëjtën arsye e pamë me vend botimin e kësaj teze doktorature, pasi ajo u mbrojt para komisionit shkencor 6 vite më parë, në Universitetin Fatih Sultan Mehmet në Stamboll. Që nga koha e mbrojtjes së kësaj teze e deri më sot, janë siguruar dhe mbledhur të dhëna të reja, si biografike ashtu edhe lidhur me veprat dhe janë identifikuar autorë të rinj që kanë shkruar në këto fusha. Megjithatë, duke qenë se ky dorëshkrim botohet ashtu siç është mbrojtur si tezë doktorature, materialet e reja parashihen të botohen në një libër të veçantë. Në këtë botim janë bërë vetëm saktësimet dhe ndërhyrjet e domosdoshme. Në vija të përgjithshme, qëllimi im kryesor gjatë këtij punimi ka qenë nxjerrja në pah e kontributit të dijetarëve shqiptarë në fushën e tefsirit gjatë periudhës osmane. Edhe pse hulumtimi ka pasur për qëllim të gjejë e të analizojë, brenda mundësive, të gjithë ata dijetarë të cilët i përfshin titulli i punimit, nuk mund të pretendoj aspak se punimi është shterues dhe përfundimtar. Ky punim nuk është veçse një fillim dhe një nxitje më tepër për të hulumtuar dhe gërmuar edhe më shumë në këtë fushë të rëndësishme akademike. Dëshira ime është që hulumtuesit e rinj të ndërtojnë mbi këtë kontribut dhe të thellohen më shumë, duke hedhur akoma më tepër dritë rreth kontributit të hoxhallarëve dhe dijetarëve shqiptarë të periudhës osmane, në fusha të ndryshme, qofshin ato fetare, letrare, shoqërore, politike etj. Duke i ofruar lexuesit shqiptar mundësinë e qasjes në materiale të tilla, e përsëris se ne po përpiqemi të shlyejmë deri diku edhe borxhin historik ndaj këtyre personaliteteve dhe kontributit të tyre, e po ashtu përpiqemi të vendosim ura më të drejtpërdrejta dhe lidhje më të natyrshme në fushën e historisë sonë të përbashkët. Në fund, por jo për nga rëndësia, e ndiej për detyrim të falënderoj përzemërsisht profesorët e mi, prof. dr. Ahmet Turan Arslan, i cili ka qenë njëkohësisht edhe drejtuesi i punimit tim; prof. dr. Muhammed Abay për ndihmën e tij të madhe e të pakursyer në përgatitjen e këtij punimi, si nga ana e përmbajtjes dhe e formës; prof. dr. Ismail Yiğit për vërejtjet e tij të vyera dhe të gjithë profesorët e tjerë për mbështetjen e tyre. Në të njëjtën kohë, nuk harroj të falënderoj familjen time për mbështetjen dhe durimin, të gjitha institucionet, kolegët dhe njerëzit që më qëndruan pranë me mundësitë e tyre.
Ferid Piku