Hulumtime MINBER

Çfarë kuptojmë me “Sheriat”?

Home » Çfarë kuptojmë me “Sheriat”?

Nga ana gjuhësore, fjala “Sheriat” do të thotë: “Rrugë e drejtë, burim, ligj”. Në terminologjinë Islame përkufizohet si: “Tërësia e ligjeve të Allahut të Madhëruar që sistemojnë jetën fetare dhe civile të njerëzve në të gjitha dimensionet e saj, që synojnë realizimim e lumturisë së njerëzve në këtë botë dhe në Ahiret”.(2) Sheriati përmbledh ligjin e Allahut, qoftë me anë të Kuranit, Sunetit apo nga burimet e tjera bazë dhe plotësuese. Pesë shtyllat e Islamit janë sqaruar nga Sheriati Islam dhe askush nuk mund të shtojë apo të heqë ndonjërën prej tyre. Baza e marrëdhënieve në adhurime është zbatimi rigoroz i tyre dhe jo risitë.

Sheriati Islam ka në thelb të tij dy elementë të rëndësishëm:

  1. Mënjanimin dhe largimin e vështirësive: Allahu i Madhëruar thotë: “Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj”. [Haxh: 78]. Mënjanimi i vështirësive përfshin të gjitha fushat e Fikhut. Për këtë arsye, janë lejuar lehtësimet në adhurime, shitblerje, ndëshkimet penale etj.
  2. Obligimet e kufizuara numerikisht dhe të lehta: Dispozitat e Sheriati islam janë dispozita mesatare – pra të ekuilibruara dhe jo esktreme – dhe nuk janë komplekse. Pesë shtyllat e Islamit janë të kufizuara, shumë të thjeshta dhe praktike

 

Objektivat e Sheriatit (Mekasidush`Sheriah)

Shkenca e Fikhut ka lidhje të drejtpërdrejtë me objektivat e Sheriatit islam. Roli kryesor i kësaj shkence – bashkë me të gjitha dijet e tjera shpjeguese të Islamit – është se si t`i shërbejnë këtyre objektivave, që përbëjnë në vetvete ligjin e ekzistencës njerëzore dhe fanarin e ligjit hyjnor. Sheriati Islam është mëshirë për njerëzit, garantues i interesave të tyre dhe mënjanues i dëmit dhe së keqes. Objektivat e Sheriatit përbëjnë në vetvete interesat madhore humane, që synohen të realizohen nga të gjithë përbërësit e Sheriatit. Të gjitha këto interesa derdhen tek synimi final i Sheriatit: mirëqenia njerëzore në këtë botë dhe në botën tjetër.

Objektivat madhorë të Sheriatit

Sheriati, me të gjitha ligjet e tij, synon të realizojë dhe të garantojë këto objektiva madhore: fenë, jetën, mendjen, nderin, ruajtjen e vazhdimësisë së racës njerëzore dhe pasurinë e tyre. Njohja e objektivave të Sheriatit përbën kushtin themelor për leximin dhe kuptimin e duhur të teksteve të Sheriatit dhe produktin e saktë ideor të dijetarëve të Fikhut, si dhe qasjen dhe përgjigjen e drejtë e të duhur ndaj nevojave të ndryshme të jetës njerëzore, që synon të orientohet nëpërmejt Islamit. Njohja e objektivave të Sheriatit ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në ripërtëritjen e Fikhut dhe gjallërimin e tij.

E theksojmë, se studimi i objektivave të Sheriatit ndikon drejtpërsëdrejti në ndërgjegjësimin e muslimanëve dhe studiuesve të Islamit, për të qenë të suksesshëm në përballimin e sfidave të kohës dhe në qasjen e duhur ndaj tyre, sidomos në ato raste kur vështirësohet dallimi i interesave reale publike dhe individuale nga dëmet reale, pasi jo në pakt raste, dëmi dhe pasojat e tij promovohen si interesa për publikun dhe individin. Shatibiu thotë: “Objektivat (e Sheriatit) janë shpirti i veprave (të njeriut)”.(3)

Në kapitullin që flet për vlerat e Sheriatit, Ibn Kajimi thotë: “Ky kapitull është shumë i rëndësishëm dhe neglizhimi i tij ka sjellë deformime të rënda në kuptimin e drejtë të Sheriatit Islam. Këto deformime dhe keqinterpretime të Sheriatit, u kanë sjellë njerëzve vështirësi, pengesa dhe obligime, ndërsa Sheriati – i cili është në kulmin e realizimit dhe mbrojtjes së interesave reale të njerëzve – është i pastër dhe larg deformimeve të tilla.

Sheriati, me të gjithë përbërësit e tij, ngrihet mbi urtësitë dhe interesat reale të njerëzimit, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Sheriati është i gjithi drejtësi, mëshirë, interes real dhe urtësi. Çdo çështje që devijon nga drejtësia në padrejtësi, nga mëshira në dhunë, nga interesi real në dëmin real, nga urtësia në kaos, nuk është pjesë e Sheriatit Islam, edhe pse mund të jetë indoktrinuar nga dikush si pjesë e Sheriatit.

Sheriati është drejtësia e Allahut mes njerëzve, mëshira e Tij ndër krijesa, është hija e Tij në Tokë, është urtësia e Tij që fakton vërtetësinë e – madje nga faktet më bindës të – profetësisë së të Dërguarit të Tij (Paqja qoftë mbi të). Sheriati është drita e Allahut, me të cilën ndriçohen syçelët, është udhëzimi i Tij, me të cilin orientohen të udhëzuarit, është shërimi i Tij absolut që ka ilaçin për çdo të sëmurë, është rruga e Tij e drejtë që të çon për tek e vërteta. Ai është drita e syve, jeta e zemrave, kënaqësia e shpirtrave. Sheriati është jeta, ushqimi, ilaçi, drita, shërimi dhe mbrojtja e njeriut. Çdo e mirë që ekziston në gjithësi, përfitohet dhe realizohet vetëm nëpërmjet Sheriatit dhe çdo mangësi dhe ligësi që ndodh në gjithësi, vjen si pasojë e neglizhimit të Sheriatit. Sikur të mos kishte gjurmë të Sheriatit mbi tokë, do të shkatërrohej toka dhe jeta në të. Sheriati është mburoja e njerëzimit, themeli i botës dhe për këtë shkak Allahu i Madhëruar nuk i shkatërron qiejt dhe tokën. Kur Allahu i Madhëruar dëshiron të shkatërrojë tokën dhe jetën në të, e heq edhe atë pjesë të Sheriatit që zbatohet akoma.

Pra, Sheriati – me të cilin Allahu ka dërguar Muhamedin (Paqja qoftë mbi të) – është themeli i botës, boshti i shpëtimit dhe lumturia në këtë botë dhe në Ahiret”.(4)

 

 

2 – Formuluar nga konkluzionet e disa dijetarëve. Shiko “Ialamul Mueki`in (4/ 337, 338) dhe “Khasaisush`Sheriah”, (fq: 12).

3 – “El`Muafekat”, (3/44).

4 – “Ialamul Mueki`in”, (4/337).

 

Autor: Rushit Musallari

Shkëputur nga libri Fikhu Praktik.

Artikuj të ngjashëm

Ramazani dhe mirësia

Të gjitha civilizimet ndërtohen me koncepte të caktuara specifike. Kur duam ta kuptojmë, shpjegojmë dhe jetojmë Islamin si fe dhe civilizim, padyshim një nga konceptet…

Lexo më shumë »

Shpirti i agjërimit në Islam

  Në arabisht me agjërim kuptojmë të përmbajturit nga diçka. Sipas dijetarëve myslimanë, agjërimi është  të përmbajturit nga ushqimi pija dhe marrëdhëniet intime që nga…

Lexo më shumë »

Thelbi Shpirtëror i Ramazanit

Ramazani është muaji i agjërimit për myslimanët në mbarë botën. Gjatë këtij muaji, myslimanët heqin dorë nga ushqimi, pijet dhe marrëdhëniet intime nga agimi deri…

Lexo më shumë »