Hulumtime MINBER

Familja është një nevojë dhe domosdoshmëri e pakontestueshme për njerëzimin. Ky realitet, ashtu siç është vërtetuar nga përvoja ndërshekullore, është konfirmuar edhe nga zbulesat hyjnore të Zotit të Plotfuqishëm. Krijimi i njerëzve të parë, Ademit a.s. dhe Havasë a.s., – në rolet mashkull dhe femër – dhe pajisja e tyre me aftësinë për të formuar familje, janë dëshmi për këtë. Institucioni i familjes ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë në pothuajse çdo shoqëri, nga e kaluara deri në të tashmen. Shkaku themelor i krizave psikologjike dhe sociologjike, që përjetohen sot, veçanërisht në botën moderne, është zbrazja e mendjeve, e shkaktuar nga preokupimi me axhenda artificiale dhe virtuale, dhe zëvendësimi me utopi virtuale të zbukuruara nga lojërat dixhitale, duke dobësuar institucionin e familjes dhe duke gërryer vlerat familjare. Riforcimi i institucionit të familjes, varet nga mbështetja dhe forcimi i individëve përmes një mendësie të qëndrueshme, në aspektin e besimit, veprimit dhe moralit, dhe krijimi i një mjedisi njerëzor të qëndrueshëm dhe të natyrshëm/natyror.

Rëndësia që Islami i kushton familjes, demonstrohet, herë drejtpërdrejt dhe herë tërthorazi, në jetën e profetëve, të cituar si modele në Kur’anin Fisnik dhe në ajetet që shprehin Njëshmërinë dhe Sovranitetin e Zotit. Fragmentet nga jeta familjare e profetëve, nga Profeti Adem te Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi ta), janë shembuj të rrëfimit të drejtpërdrejtë. Këto rrëfime, jo vetëm që shpjegojnë se si duhet të jetë institucioni i fortë familjar, por gjithashtu nxjerrin në pah problemet e mundshme brenda familjes dhe ofrojnë zgjidhje për to. Këto mund të vërehen lehtësisht kur lexohen historitë Kuranore. Për më tepër, Surja Nisa, krahas shpjegimeve të hollësishme që parashtron rreth detyrave, përgjegjësive dhe të drejtave të anëtarëve të familjes, gjithashtu, thekson rëndësinë e kujdesit, rritjes dhe edukimit të fëmijëve jetimë, të mbetur pa familje.

Rëndësia që u jepet fëmijëve të mbetur pa familje, në fakt, nxjerr në pah rëndësinë e vetë familjes. Mjedisi më I natyrshëm në të cilin mund të jetojë një fëmijë është familja. Rëndësia e ruajtjes së këtij mjedisi të natyrshëm, mund të kuptohet duke shqyrtuar problemet psikologjike dhe sociale që përjetojnë fëmijët e sotshëm, të ngelur pa baba ose nënë, ose të privuar nga të dy.

Nga një perspektivë tjetër, familja është mjedisi i parë në të cilin perceptohen, mësohen të drejtat dhe përgjegjësitë, dhe formohen personalitetet. Jeta familjare, sjell me vete të mësuarit, njohjen reciproke dhe ruajtjen e të drejtave dhe përgjegjësive. Prandaj, ngatërresa midis të drejtave dhe përgjegjësive në botën e sotme, dhe rritja e individëve që i shmangen përgjegjësisë, mund të shpjegohet me dobësinë e institucionit familjar. Si rezultat i kësaj dobësie, individualizmi ka zëvendësuar familjen, ekzistenca dhe suksesi janë ndërtuar rreth tij. Në botën moderne, spikasin ëndrrat për meritë pa përgjegjësi, për të fituar pa punuar dhe për t’u futur në botën e fantazive “sa hap e mbyll sytë”.

Në Suren Ihlas, ku sqarohet, Njëshmëria dhe Vetëmjaftueshmëria e Zotit të Plotfuqishëm, struktura dhe rëndësia e institucionit të familjes shpjegohet në mënyrë indirekte. Kjo Sure rendit elementët më të rëndësishëm të familjes – prindërit, fëmijët dhe bashkëshortin/en – dhe trajton ndërlidhjen dhe nevojat e tyre. Uniteti i Zotit, i shprehur në fillim të Sures, shpjegohet saktësisht bazuar mbi nevojën e ndërsjellë të këtyre elementëve dhe faktin se njerëzit nuk mund të jenë unikë. Më qartë, ndryshimi themelor midis Zotit dhe njerëzimit, është se njerëzit kanë nevojë për familje, ndërsa Zoti i Plotfuqishëm nuk ka një nevojë të tillë. Familja, përfaqëson gjithashtu fillimin dhe fundin e njeriut. Fëmija i lindur në një familje, shënon fillimin, ndërsa prindërit në plakje shënojnë fundin. Fakti që fëmija për mbijetesën e tij, ka nevojë për prindër, dhe që prindërit kur plaken kanë nevojë për fëmijë – dhe më e rëndësishmja, është e nevojshme vazhdimësia e brezit – tregon se njerëzimi është krijuar brenda një spiraleje nevojash.

Pikërisht në këtë sure, Zoti i Plotfuqishëm, duke përdorur shembullin e vetvetes, (këtë fjalinë këtu nuk e ke shumë të qartë)? përvojën më të afërt njerëzore, shpreh Njëshmërinë, Unitetin dhe Vetëmjaftueshmërinë e Tij. Pas një vëzhgimi të kujdesshëm, njeriu e kupton realitetin e vet, nevojshmërinë dhe domosdoshmërinë e familjes dhe, në fund të fundit, kupton ekzistencën e një Krijuesi dhe Sundimtari Suprem. Prandaj, të kuptuarit e familjes dhe njohja e nevojës për të, çon si në vetëdijen e të qenit rob, ashtu edhe në njohurinë e Ekzistencës dhe Njëshmërisë së Zotit të Plotfuqishëm. Shprehja popullore, “Vetmia i përket vetëm Allahut”, nuk është vetëm shprehje e përvojës historike, por edhe një përkthim i vargjeve të Sures Ihlas: “Allahu është Një, nuk ka nevojë për asgjë, nuk ka prindër ose fëmijë dhe nuk ka të barabartë”. Sepse njerëzit janë qenie që jetojnë në bashkësi, kanë nevojë për gjithçka, ekzistenca e tyre varet nga prindërit dhe vazhdimësia e tyre sigurohet përmes një partneri të gjinisë së kundërt. Prandaj, ata që e njohin realitetin e tyre, e kuptojnë jo vetëm Zotin, por edhe realitetin dhe rëndësinë e familjes.

Ndërprerjet në strukturën familjare ose papajtueshmëria midis elementëve që e përbëjnë atë, jo vetëm që dëmtojnë funksionimin e strukturës institucionale, por gjithashtu çojnë në një nivel që kërcënon ekzistencën njerëzore. Përmendja e shpeshtë e popullit të Lutit (a. s.) në Kur’an, në kontekste të ndryshme, ka për qëllim mbrojtjen e institucionit të familjes. Sot, në botën moderne, normalizimi dhe madje inkurajimi i qasjes së panatyrshme të popullit të Lutit, ka të ngjarë të dëmtojë institucionin e familjes dhe mbijetesën e vetë njerëzimit. Rënia e popullsisë në nivele të rrezikshme në botën moderne, që rezulton nga këto dhe zhvillime të ngjashme, është një tregues i qartë i kësaj. Planifikimi i popullsisë, dikur në modë, ka dalë jashtë përdorimi, duke u zëvendësuar nga masa të ndryshme dhe thirrje për rritjen e popullsisë.

Për të qenë më specifikë, problemi më i rëndësishëm me të cilin përballen njerëzit në vendin tonë, ashtu si dhe në të gjithë botën, është largimi i njerëzve nga natyra e tyre e pastër dhe degjenerimi i institucionit familjar, pjesë e të cilit janë. Prirja drejt së resë dhe të ndryshmes, brenda familjes, veçanërisht tek të rinjtë, është si shkaku ashtu edhe elementi nxitës për këtë degjenerim. Në fakt, tendenca drejt të resë dhe të ndryshmes është një tendencë natyrore, por nëse nuk kanalizohet drejt asaj që është pozitive dhe e dobishme, ajo në mënyrë të pashmangshme do të kanalizohet drejt asaj që është negative dhe e dëmshme.

Si përfundim, është e qartë se familja, e cila formon bazën për lindjen, jetën, zhvillimin dhe përfitimin e personalitetit të njeriut, është e domosdoshme. Ndërkohë, thënia e Zotit të Plotfuqishëm në fillim të Sures Nisa, “…I Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra” (En-Nisa 4:1), tregon se Ai, si pjesë e krijimit të Tij, i paracaktoi njerëzit të formojnë familje. Prandaj, familja është një realitet dhe domosdoshmëri biologjike, psikologjike dhe sociologjike për njerëzit. Meqenëse krijimi i Adamit dhe Havasë (a. s.) pa prindër, dhe i Isait (a. s.) pa baba, është një ngjarje mrekulli përtej ligjeve të Zotit, krijimi i zakonshëm ndodh nëpërmjet bashkimit të një burri dhe një gruaje. Edhe pse lindja e një fëmije pa formuar familje është e mundur biologjikisht, në këndvështrimin social, ajo është ende e papranueshme dhe konsiderohet e pamjaftueshme për përmbushjen e përgjegjësisë për rritjen e një fëmije. Kjo ndodh sepse, edhe në martesat e formuara vetëm për marrëdhënie intime, ekziston tendenca për të shmangur lindjen e fëmijëve. Arsyeja themelore se pse aborti, paraqitet dhe normalizohet si një e drejtë, është shmangia prej përgjegjësive. Në të vërtetë, ajo që e bën njeriun njeri, aq sa është kërkimi i komoditetit dhe arritja e asaj që meriton, gjithashtu, është edhe njohja e përgjegjësive dhe detyrave, si dhe durimi i vështirësive kur është e nevojshme.

Nga Prof. Dr. Cağfer Karadaş

Universiteti Uludağ i Bursës Fakulteti i Teologjisë

Punoi: Qendra e Hulumtimeve Minber

Artikuj të ngjashëm