Evropa e njohu Islamin 800 vite para ardhjes së osmanëve, myslimanët “Ismailitët” popullonin Ballkanin dhe më gjerë shumë kohë para ardhjes së tyre
Përmbledhje
Osmanët nuk ishin myslimanët e parë që shkelën në Evropë dhe në Ballkan, ndërsa përparonin në hapësirat e saj gjatë shekujve XV-XVII, ata qenë paraprirë tetë shekuj më parë nga Musa bin Nusajri dhe Tarik ibn Zijadi, kur ata çliruan Andaluzinë dhe e vunë nën sundimin islam midis viteve 711–716.[1] Ushtritë e tyre arritën deri në Pirenej, malet mes Spanjës dhe Francës së sotme. Musa bin Nusajri e nënshtroi shumicën e vizigotëve nën pushtetin islam, përveç një pakice që u strehua në malet e thella të Galisisë, në skajin veriperëndimor të Andaluzisë, e cila me kalimin e kohës u bë një faktor rrënues për praninë islame në Andaluzi. Madje, patkonjtë e kuajve të Musa bin Nusajrit arritën deri në zemër të Francës, në Lion, nga aty ai donte të fillonte një fushatë me anë të së cilës shpresonte të merrte të gjithë Evropën nga perëndimi e deri në Kostandinopojë (Stamboll), pastaj në Azinë e Vogël e më në fund të arrinin në Damask, kryeqytetin e kalifatit islam, në mënyrë që ta bashkonte Islamin nga veriu, ashtu siç ishte bashkuar nga jugu. Ismailitët sunitë i përkisnin medh’hebit hanefi, banonin në Hungari dhe u takuan me Jakut al-Hameui. Deri në shek. IX, myslimanët kishin ndërprerë rrugët e komunikimit ndërmjet Francës dhe Italisë dhe kishin pushtuar të gjitha grykat e Alpeve, aq sa kalimi i njerëzve nëpër to varej nga leja e tyre. Në vitin 911, kryepeshkopi i Narbonës në Francë donte të shkonte në Romë për një çështje urgjente, por nuk mundi të nisej nga frika ndaj arabëve, të cilët nuk lejonin askënd të kalonte pa paguar një tarifë të caktuar.
Prezenca islame në Francë, Itali dhe Zvicër
Muhamed Abdullah Inan[2] zbulon se politika e tërheqjes që ndoqi Dinastia Umajade gjatë kalifatit të Uelid bin Abdul-Melikut në atë kohë, ishte ajo që preu shpresat e Musa bin Nusajrit dhe e detyroi të kthehej përfundimisht nga Andaluzia në Damask, pa u rikthyer më kurrë në Andaluzi. Por ëndrra për të nënshtruar Evropën nën sundimin e Islamit nuk u shua kurrë te udhëheqësit muslimanë të Andaluzisë në atë epokë. Më i famshmi mes tyre ishte Abdurrahman el-Gafiki, i cili e ribashkoi atë pas përçarjes dhe filloi një ofensivë kundër frankëve, Franca e sotme. Ai pushtoi Barcelonën, Narbonën, Lionin dhe Tuluzën, derisa forcat e tij arritën në Poitiers, në jug të Parisit, në qendër të Francës. Aty u përball me ushtritë e Evropës nën komandën e atij që burimet arabe e quajnë “Karl”, pra komandanti i famshëm frank Sharl Marteli. Në atë betejë, myslimanët u mposhtën, Abdurrahmani ra dëshmor dhe ushtritë islame u tërhoqën, ndonëse kishin arritur në pjesët jugore dhe qendrore të Francës, si dhe në rajonet e rëndësishme të veriut të Italisë dhe Zvicrës.[3] Këtë temë na e sjell Shakib Arslani i njohur si “Mjeshtri i elokuencës arabe” në librin e tij të njohur “Historia e sulmeve të arabëve në Francë, Zvicër dhe ishujt e Mesdheut”, duke u mbështetur në burime arabe dhe latine, si dhe në hulumtimet e orientalistëve francezë dhe gjermanë, të cilët kanë konfirmuar se myslimanët, të cilët perëndimorët i quanin “saraçenë” apo “sarakinë” ishin myslimanë dhe jo paganë, dhe se kjo fjalë do të shndërrohej më vonë në një emërtim për myslimanët në përgjithësi, madje edhe për ismailitët, por këta të fundit ishin ismailitë të ndryshëm nga shiitët e njohur sot.[4]
Orientalisti i njohur francez, J. T. Renaud, në librin e tij “Sulmet e saraçenëve mbi Francën”, pohon se prania e Islamit në Francë nuk ishte e kufizuar në disa fushata ushtarake kalimtare, por shumë nga territoret e Francës, Italisë dhe Zvicrës mbetën për një kohë të gjatë nën ndikimin dhe kontrollin arab, më shumë nga sa mendojmë sot. Ai identifikon saktë vendet ku ata u vendosën, si Savoja, Piemonti dhe Zvicra, dhe prej andej kontrollonin disa nga kështjellat më të pathyeshme në zemër të Evropës, që nga San Tropez deri në liqenin e Konstancës, dhe nga lumi Ron dhe malet Jura, deri në fushat e malit Frar dhe Lombardisë në Italinë e Veriut.[5] Nuk ka dyshim, siç thotë Shakib Arslani, se kujtesa e këtyre sulmeve arabe në këto treva nuk mbeti pa ndikim në fushatat kryqtare dhe në atë lëvizje të gjerë që e ngriti Evropën kundër Azisë dhe Afrikës dhe që vendosi ndjekësit e Ungjillit përballë ndjekësve të Kuranit për shumë shekuj me radhë.[6] Duhet të dimë se deri në shek. X, myslimanët kishin ndërprerë lidhjet rrugore mes Francës dhe Italisë dhe kishin pushtuar të gjitha grykat e Alpeve, aq sa kalimi i njerëzve varej nga leja e tyre. Në vitin 911, kryepeshkopi i Narbonës (në Francën Jugore) donte të udhëtonte për një çështje urgjente drejt Romës, por nuk mundi të nisej nga frika ndaj arabëve, të cilët nuk lejonin askënd të kalonte pa paguar një tarifë të caktuar.
Shakib Arslani, në librin e tij, citon burimet perëndimore për të përshkruar se arabët dhe myslimanët arritën deri në thellësi të territoreve evropiane në atë kohë, u stabilizuan në këto zona dhe kërcënonin sigurinë e shteteve dhe principatave italiane, franceze dhe zvicerane. Nëse myslimanët e sulmuan Italinë Veriore dhe Francën nga ana e Andaluzisë, qoftë gjatë epokës së umejadëve të Lindjes apo nën sundimin e umejadëve të Andaluzisë, Italia Jugore u njoh me sulmet myslimane nga ana e Mesdheut, të ardhur nga shteti i aglabidëve në Afrikën e Veriut. Kështu, kadiu Esed bin el-Furati, në dekadën e dytë të shek. III hixhri, ia bashkëngjiti Siçilinë shtetit të Aglabidëve, në varësi të Kalifatit Abbasid. Pas kësaj, forcat myslimane zbritën në Italinë Jugore dhe themeluan disa emirate arabe dhe islame, siç ishte Emirati i Barit.[7] Në shekullin XIII, pasi normanët morën kontrollin mbi Siçilinë dhe Italinë Jugore, mbretërit normanë përdorën myslimanët si aleatë në luftërat e tyre, duke dërguar një numër të madh prej tyre në një vendbanim afër Napolit, që quhej Vendbanimi i Lucerës. Pikërisht për këtë vendbanim historiani italian Pietro Egidi shkroi librin e tij “Vendbanimi islamik i Lucerës dhe rënia e tij (1220–1300)”, në të cilin dëshmoi praninë myslimane në këto pjesë të Italisë, përfshirë angazhimin e tyre në bujqësi, industri, shërbime ushtarake dhe furnizimin e qyteteve të afërta si Napoli me grurë cilësor.[8] Pa dyshim, kjo prani islame në Italinë Veriore dhe Jugore pati jehonë të madhe edhe në Evropën Qendrore.
Ismailitët sunitë
Ndërkohë, saktësisht në kohën e Kalifatit Abasid, rreth vitit 309/921, mbreti i sakalibëve dhe bullgarëve në Rusi, i njohur si Yaltuvar/Vladimir, dërgoi një letër te kalifi abasid El-Muktedir Bil-lah, duke i shprehur konvertimin e tij në Islam dhe duke i kërkuar ndihmë me ushqim, mjekë dhe dijetarë fetarë që ta mësonin popullin e tij me rregullat e Islamit, dhe ta ndihmonin për ndërtimin e një kështjelle mbrojtëse nga armiqtë e afërt. Kalifi i caktoi për këtë mision ambasadorin dhe fakihun Ahmad ibn Fadlan, i cili shkroi një raport të detajuar mbi gjithçka që pa në territoret e Rusisë, Bullgarisë dhe tek sakalibët e Ballkanit Verior.[9] Ai qëndroi për muaj të tërë mes tyre, duke thirrur në Islam, duke u mësuar fenë dhe ligjet islame. Jehona e kësaj thirrjeje islame duket se arriti edhe në rajone të tjera të brendshme të Evropës. Kjo, sepse evropianët i quajtën një kategori njerëzish që banonin mes tyre në Evropën Lindore me emrin ismaili,[10] që do të thotë bijtë e Ismailit, dmth: arabë, nga bijtë e Ismailit, të birit të Ibrahimit a.s., banues në veri të Gadishullit Arabik. Por ky term më pas filloi të përdorej për të gjithë myslimanët dhe nuk u referohej domosdoshmërisht ismailitëve shiitë, të cilët i atribuohen imam Ismailit, biri i imam Xhafer es-Sadikut.[11]
Këta “ismaili” evropianë ishin myslimanë sunitë hanefinj, që banonin në Hungari gjatë Mesjetës dhe vinin nga bullgarët, hungarezët dhe turqit. Por këto komunitete u zhdukën gradualisht, për shkak të asimilimit në popullsinë hungareze, si dhe për shkak të persekutimeve dhe shtypjes së vazhdueshme nga mbretërit kristianë të Hungarisë, të cilët i detyruan të ktheheshin në krishterim. Këto grupe të hershme myslimane jetonin në Hungari gjatë dinastisë mbretërore Arpad (896–1301) dhe këta janë stërgjyshërit e bashkirdëve të sotëm, që emigruan në Rusi më vonë dhe kanë sot një republikë federale me emrin Bashkirdistan.[12] Gjeografi Ebu el-Fida shkruan për ta se janë: “Turq që banonin pranë gjermanëve dhe janë myslimanë për shkak të një dijetari turkman që u mësoi fenë”,[13] ndërsa Kalkashendi shton: “Shumica e tyre janë të krishterë, por ka edhe myslimanë mes tyre dhe në Bashkird ka një kadi mysliman të njohur”.[14] Këta myslimanë në Hungari punonin për mbretin hungarez në profesione të ndryshme, shumë prej tyre ishin tregtarë, por edhe ushtarë, dhe disa prej tyre ruanin kështjellën e Pestit, njërën nga dy pjesët që përbëjnë sot kryeqytetin Budapest. Në një fushatë ushtarake që mbreti hungarez Geza II (1141–1161) ndërmori për të ndihmuar perandorin gjerman Frederik Barbarosa në vitin 1161, raportohet se numri i ushtarëve myslimanë ismaili hanefinj në këtë fushatë ishte mbi 500 vetë.[15] Por myslimanët e Hungarisë u përballën me presion dhe terrorizëm të madh nga mbretërit e krishterë, sidomos nën mbretërimin e Ladislavit I (1077–1095), i cili urdhëroi konvertimin e tyre në krishterim. Pavarësisht kësaj, shumica e tyre e fshehën fenë islame. Mbreti hungarez Koloman (1095–1114) u tremb nga shtimi i ismailive në vend dhe urdhëroi që në çdo fshat ku ata banonin në jug të vendit, të mos kalonin gjysmën e popullsisë, si dhe i detyroi që të martonin vajzat e tyre me të krishterë.[16]
Ajo që tërheq vëmendjen është se gjeografi i shquar Jakut al-Hamavi kishte takuar një grup nga këta myslimanë bashkirdë, të cilët i përshkruan si: “Shumë të bardhë në fytyrë dhe flokë” dhe që kishin ardhur në qytetin e Halepit në vitin 624/1226, për të mësuar fikhun hanefi, duke përballuar vështirësi të mëdha për këtë qëllim. Ai pyeti një prej tyre, te i cili pa mençuri dhe njohje të gjuhës arabe, për vendin dhe gjendjen e tyre dhe ai iu përgjigj: “Sa i përket vendit tonë, ai është përtej Kostandinopojës, në mbretërinë e një populli nga frankët (evropianët), të cilët quhen “el-Hungar” (dmth hungarezët). Ne jemi myslimanë, nënshtruar mbretit të tyre, dhe jetojmë në kufijtë e mbretërisë së tij, në rreth tridhjetë fshatra, dhe secili prej tyre është thuajse një qytezë e vogël. Por mbreti i hungarezëve nuk na lejon të ndërtojmë rreth tyre asnjë mur, nga frika se mos ngrihemi kundër tij. Ne jetojmë në mes të tokave të krishtera. Në veri janë tokat e sakalibëve (sllavëve), në jug tokat e Papës, i cili është udhëheqësi i frankëve, ai është për ta zënvendës i Krishtit, ashtu si Emiri i Besimtarëve për myslimanët, urdhri i tij zbatohet në të gjitha çështjet e fesë tek ata. Në perëndim është Andaluzia dhe në lindje janë tokat e bizantinëve, Kostandinopoja dhe rrethinat e saj. Gjuha jonë është gjuha e frankëve, veshja jonë është si e tyre, shërbejmë me ta si ushtarë dhe shkojmë me ta në fushatat ushtarake, sepse ata nuk luftojnë asnjë popull tjetër përveç atyre që janë kundërshtarë të Islamit”. Duke qenë se Jakut al-Hamavi, i cili ishte njohës i shkëlqyer i gjeografisë dhe historisë së popujve të kohës së tij, dhe sidomos i gjeografisë së botës islame, kuptoi që këta njerëz jetonin të rrethuar nga të krishterët nga çdo anë, e pyeti me habi: “Si ka mundësi që keni pranuar Islamin, ndonëse jetoni në mes të tokave të kufrit (mosbesimit)?”, dhe ai i u përgjigj: “Kam dëgjuar disa nga paraardhësit tanë që tregonin se shumë kohë më parë erdhën në vendin tonë shtatë burra myslimanë nga Bullgaria dhe u vendosën mes nesh, duke na e shpjeguar me mençuri e butësi gjendjen tonë në humbje dhe na drejtuan kah e vërteta e fesë islame. Allahu na udhëzoi, dhe falënderimi i qoftë Atij, të gjithë pranuam Islamin dhe Allahu na hapi zemrat për besim. Ne vijmë në këto vende për të mësuar jurisprudencën (fikhun) dhe kur kthehemi në vendin tonë, njerëzit na nderojnë dhe na ngarkojnë me çështjet fetare”. E pyeta gjithashtu: “Pse i rruani mjekrat, ashtu siç bëjnë frankët?” Ai u përgjigj: “Vetëm ata nga ne që janë në ushtri i rruajnë, sepse veshin uniformat ushtarake si frankët, sa për të tjerët, jo”. E pyeta: “Sa është largësia prej këtu dhe vendit tuaj?” Ai tha: “Nga këtu (Halepi) deri në Kostandinopojë është rreth dy muaj e gjysmë udhëtim dhe nga Kostandinopoja deri në vendin tonë, po aq”.[17]
Nëse e thellojmë analizën në këtë rrëfim që përcjell Hamevi, i cili konfirmon se islamizimi i këtyre hungarezëve ka ndodhur nëpërmjet bullgarëve shumë kohë përpara fillimit të shek. VII hixhri, kur ai u takua me ta në vitin 624/1227 në Halep, atëherë mund të supozojmë me shumë gjasë se thirrësit (misionarët) që erdhën nga Bullgaria drejt Hungarisë ishin ishin islamizuar që nga koha e Ibn Fadlanit, ose ndoshta nga pasuesit e tij, dijetarë dhe thirrës të tjerë myslimanë që arritën në Bullgari dhe tokat ruse. Pikërisht për këtë arsye, ata nisën të përhapnin Islamin mes popujve fqinj, derisa u arrit sukses edhe mes një grupi hungarezësh që përqafuan Islamin dhe që populli vendas i quajti ismailitë. Kështu që, Evropa kishte njohur Islamin qindra vjet përpara ardhjes së osmanëve, dhe merita për këtë thirrje u takon përpjekjeve të mëdha që ndërmorën myslimanët për përhapjen e Islamit në këto vise të largëta dhe të panjohura për ta, derisa arriti të përhapej në një ambient tërësisht të krishterë, kjo është diçka e çuditshme dhe tepër mbresëlënëse.
Punoi: Behar Kaçeli
[1] Mehmet Özdemir, “Endülüs”, TDV İslam Ansiklopedisi, C. 11, İstanbul 1995, s. 211-225.
[2] Muhamed Abdullah Inan (1898–1986) ishte një historian egjiptian i specializuar në historinë e Andaluzisë, autor i veprës madhore “Devletu’l-Islam fi’l-Endelus”. Ai realizoi kërkime të gjera në arkiva dhe biblioteka ndërkombëtare dhe bashkëpunoi me orientalistë të njohur evropianë. Gjatë jetës së tij evoluoi nga ideologjitë nacionaliste dhe socialiste drejt një qasjeje më shkencore dhe të moderuar në historiografi.
[3] Muhamed A. Inan, Deulet el-Islam fil-Andalus, V. I, Mektebet Hanxhi, Kairo 1997, f. 15-129.
[4] Shekib Arsalan, Tarih Gazavat el-arab fi Fransa ve Svisra ve Italja ve xhezair e Mutevasit, Hindavi, Kairo 2012, f. 23-150.
[5] Joseph Toussaint Reinaud, Invasions des Sarrazins en France et de France en Savoie, en Piémont et dans la Suisse pendant les VIIIe, IXe et Xe siècles de notre ère : d’après les auteurs chrétiens et mahométans, Librairie orientaliste Vve Dondey-Dupré, Paris 1836, p. 1-157.
[6] Shekib Arsalan, po aty, f. 28.
[7] Mahmut Şakiroğlu, “Bari”, TDV İslam Ansiklopedisi, C. 5, İstanbul 1992, s. 72-73.
[8] Pietro Egidi, La colonia saracena di Lucera e la sua distruzione, Napoli, Pierro 1912.
[9] Saleh M. Aliev, “Ibn Fadlan”, TDV İslam Ansiklopedisi, C. 19, İstanbul 1999, s. 477-479.
[10] John V.Tolan, Sons of Ishmael: Muslims through European Eyes in the Middle Ages (Gainesville, FL, 2008; online edn, Florida Scholarship Online, 14 Sept. 2011).
[11] Për më shumë: “Ismailitët”, Fjalori Enciklopedik Islam, Logos-A 2017, f. 409.
[12] Mehmet Saray, “Başkırt”, TDV İslam Ansiklopedisi, C. 5, İstanbul 1992, s. 130-131.
[13] Ebu’l-Fida, Takvimul-Buldan, V. 1, f. 232.
[14] Kalkashendi, Subh el-E’asha, V. 5, f. 397.
[15] Pal Engel, The Realm of St Stephen: A History of Medieval Hungary, 895–1526. I.B. Tauris Publishers.
[16] Gyula Kristó, Magyarország története, 895-1301 [The History of Hungary, 895-1301], Osiris 1998.
[17] Jakut el-Hamevi, Mu’xhem el-Buldan, V. 1, s. 323.