Hulumtime MINBER

Gjenialiteti i Profetit Muhamed (a.s.), siç e rrëfen shkrimtari Abas Mahmud El-Akad

Home » Gjenialiteti i Profetit Muhamed (a.s.), siç e rrëfen shkrimtari Abas Mahmud El-Akad

Shfaqja e Profetit Muhamed (a.s.) erdhi në një kohë kur bota po jetonte një gjendje kaosi dhe humbjeje të busullës morale e ligjore. Bota kishte kaluar nga sundimi i një shteti që udhëhiqej nga ligjet hyjnore, që shpërndante qetësi, drejtësi dhe siguri, në një periudhë ku mbizotëronin materializmi dhe pasionet, duke e tronditur rendin shoqëror. Në këtë botë të rrëmujshme lindi i Dërguari i zgjedhur në Gadishullin Arabik, një vend ku nuk mbroheshin vlerat dhe drejtësia nuk kishte rëndësi; ku pushtetin dhe nderin e përcaktonin pasuria dhe prejardhja fisnore. Pikërisht në këtë kontekst, bota kishte nevojë për një mesazh universal, për një udhërrëfyes që do të rivendoste drejtësinë dhe rendin dhe Muhamedi (a.s.) ishte më i denji për të mbajtur këtë mesazh.

 

Muhamedi (a.s.), karakteri dhe familja e tij

Profeti Muhamed (a.s.) në karakterin e tij ishte njeri i dashur, i butë dhe i sjellshëm. Në të përmblidheshin virtytet më të larta të drejtësisë dhe të moralit. Ai ishte shumë i kujdesshëm për pastërtinë e trupit dhe për paraqitjen e tij, duke u shfaqur gjithmonë me pamje të rregullt e tërheqëse. Buzëqeshja e tij rrezatonte dashuri dhe miqësi, duke tërhequr zemrat e atyre që e shihnin dhe duke fituar dashurinë e tyre të plotë. Këto cilësi e afruan me të elitën e burrave të mëdhenj mbi të cilët u ngrit shteti islam: pranë tij ishin Ebu Bekri, Omeri, Khalid ibn Uelidi, Amr ibn el-Asi (Zoti qoftë i kënaqur prej tyre) dhe shumë të tjerë që u bashkuan nën flamurin e tij.

Sa i përket Muhamedit (a.s.) si bashkëshort, madhështia e tij shihet te roli që pati në ngritjen e pozitës së gruas. Në një botë ku gruaja trajtohej si skllave te romakët dhe konsiderohej si turp te arabët e xhahilijes, Muhamedi (a.s.) erdhi për ta nderuar atë, duke e çliruar nga zinxhirët e robërisë dhe duke i dhënë të drejtën e zgjedhjes dhe dinjitetin e saj si qenie njerëzore. Ai e trajtoi bashkëshorten me dashuri, butësi dhe mirësi, duke përdorur fjalë të ëmbla dhe duke respektuar gjendjen e saj emocionale. Historia nuk njeh rast që Profeti (a.s.) ka goditur apo ka fyer ndonjë nga gratë e tij. Madje, në momentin e sëmundjes së fundit, ai u kërkoi leje bashkëshorteve që ditët e tij të fundit t’i kalonte në shtëpinë e Aishes (r.a.), gjë që tregon kujdesin dhe drejtësinë e tij.

Sa i përket Muhamedit (a.s.) si baba, ai ishte shembull i butësisë, durimit dhe dashurisë. Ai zgjidhte me kujdes emrat e fëmijëve të tij dhe tregoi durim të madh kur humbi djemtë e vet. Njerëzillëku i Profetit shihet te lotët që derdhi pranë varrit të të birit, Ibrahimit, pa u penguar aspak nga madhështia e profecisë. Në marrëdhënien me vajzën e tij, Fatimen (r.a.), ai ishte modeli i përkryer i një babai të dashur. Sa herë që ajo hynte në dhomë, ai çohej për ta pritur, ia puthte dorën e kokën dhe e nderoi duke e martuar me një prej burrave më trima e më të devotshëm të Mekës, Ali ibn Ebi Talibin (r.a.). Madje, në çastet e fundit të jetës së tij, ai e gëzoi Fatimen (r.a.) duke i lajmëruar takimin e afërt në botën tjetër, duke e lumturuar edhe gjatë jetës, por edhe pas vdekjes së tij.

 

Muhamedi (a.s.), shtetar dhe udhëheqës

Nëse e shohim përvojën e Profetit të madh, Muhamedit (a.s.), si themelues të një shteti modern, shfaqet qartë aftësia e tij e jashtëzakonshme në artin e udhëheqjes. Ai zotëronte mjeshtërinë e strategjisë ushtarake, duke e praktikuar atë më me sukses se shumë prej komandantëve më të famshëm të historisë. Profeti (a.s.) drejtonte ushtrinë e tij në mënyrë të mençur, duke goditur forcat ushtarake të armikut pa sulmuar qytetet dhe popullsinë civile. Po ashtu, ai dinte si të ngrinte moralin e ushtarëve, duke u dhënë besim dhe motivim, veçanërisht kur përballeshin me ushtri më të mëdha. Kjo përbënte një nga arsyet kryesore pse ushtria islame, edhe pse numerikisht më e vogël, arrinte fitore të mëdha.

Një tjetër aspekt i gjeniut të tij ishte lufta ekonomike: ai dinte si t’i priste burimet financiare dhe tregtare të armikut, duke i detyruar kurejshët të vinte dhe të kërkonte paqe, duke arritur kështu fitore politike para se të vinte edhe fitorja ushtarake.

Aftësia e tij politike shihet qartë te Marrëveshja e Hudejbijes. Shumë nga kurejshët menduan se e kishin dobësuar ndikimin e Profetit (a.s.), por ngjarjet treguan të kundërtën. Në periudhën dhjetëvjeçare të paqes, shumë fise të mëdha arabe hynë në Islam. Ai e shfrytëzoi këtë periudhë për të forcuar shtetin, për të ngritur tregje, për të organizuar institucionet dhe për t’u dërguar letra sundimtarëve të botës, duke i ftuar në Islam. Përfundimisht, kjo çoi në çlirimin e Mekës, moment kur Profeti (a.s.), me gjithë fuqinë politike dhe ushtarake që kishte fituar, tregoi madhështinë e tij morale: nuk vrau, nuk ndëshkoi dhe nuk mori hak. Përkundrazi, ai fali dhe bashkoi dikur armiqtë e tij nën flamurin e Islamit.

 

Muhamedi (a.s.) në histori

Profeti Muhamed (a.s.) përfaqëson një figurë që ndryshoi rrjedhën e historisë njerëzore. Mesazhi i tij ishte një revolucion shpirtëror, moral dhe shoqëror, i cili ngriti vlerat e lirisë, drejtësisë dhe barazisë. Pas vdekjes së tij, mesazhi i Islamit u përhap përtej kufijve të Arabisë, duke hapur zemrat e njerëzve dhe duke u harmonizuar me natyrën e pastër njerëzore. Kjo ishte prova më e madhe e suksesit të tij si udhëheqës dhe si njeri që ndërtoi një sistem të qëndrueshëm, duke mbajtur të fortë shtetin dhe komunitetin e tij.

Nëse do ta krahasonim Muhamedin (a.s.) me figurat historike, pesha e tij do të ishte e pakrahasueshme: ai nuk ishte një mbret, por ndikimi i tij e tejkaloi çdo mbretëri. Ndryshe nga sundimtarët që kërkonin pushtet dhe lavdi, ai erdhi për të shembur tiraninë, për të ngritur shtetin e drejtësisë dhe për t’i bërë moralin dhe meritokracinë themelet e shoqërisë. Nëpërmjet metodës së tij, ai rriti personalitete të mëdha të cilët u bënë bartës të mesazhit dhe ndërtues të historisë.

Autor: Abas Mahmud El-Akad

Punoi: Qendra për Hulumtime MINBER

Artikuj të ngjashëm