Hulumtime MINBER

Hatem el Awni – Bidati

Home » Hatem el Awni – Bidati

 

Shaykh Al-Islām Ibn Tejmije formuloi dy kushte për të përcaktuar nëse një çështje e sapofutur në fe është një risi e ndaluar (bidat) apo një mjet i lejuar për një objektiv të vlefshëm (maṣlaḥah murselah).1 Qëllimi i tij në formulimin e këtyre kushteve ishte të dallonte bidatin nga maṣlaḥah murselah – dhe jo përkufizimi i bidatit në vetvete. Kjo ka krijuar konfuzion mbi kuptimin e fjalëve të tij, duke bërë që kuptimi i bidatit të anashkalohet.

  • Kushtet e Ibn Tejmijes •

Këto janë dy kushtet e Ibn Tejmijes. Një çështje e sapofutur në fe do të jetë bidat vetëm nëse:

  1. arsyeja e ekzistencës së saj ishte e pranishme gjatë kohës së Profetit a.s dhe
  2. veprimi sipas saj ishte i mundur gjatë kohës së Profetit a.s

Kjo do të thotë se një çështje e paraqitur rishtazi ose e sapofutur në fe do të jetë bidat – në vend të maṣlaḥah murselah – nëse plotësohen këto kushte dhe Profeti a.s, përsëri nuk e ka kryer aktin në fjalë. Nëse ai nuk e ka kryer veprën pavarësisht plotësimit të dy kushteve, kjo tregon se Profeti a.s qëllimisht e ka larguar atë nga ligji i shpallur. Pra, futja e një akti të tillë do të ishte në kundërshtim me qëllimin e ligjit.

Në të kundërt, sa vijon do të përkonte me maṣlaḥah murselah:

  • Çdo gjë që nuk ishte e nevojshme gjatë kohës së Profetit a.s (siç është ezani i parë i xhumasë, i cili u bë i nevojshëm vetëm kur Medineja u zgjerua gjatë kohës së Uthman bin Affān-it – Allahu qoftë i kënaqur me të).
  • Çdo gjë që ishte e nevojshme, por e pamundur për t’u zbatuar (si p.sh. përmbledhja e Kur’anit në një vëllim të vetëm, sepse shpallja vazhdoi derisa Profeti a.s ishte gjallë).

Ibn Tejmije siguroi një standard preciz për dallimin ndërmjet bidatit dhe maslahah mursalah. Megjithatë, shumë studiues modernë dhe pseudo-specialistë anashkalojnë faktin se nuk kemi të bëjmë me një përkufizim të bidatit, pasi përkufizimi I bidatit nuk mund të anashkalojë apo zëvendësojë çështjet e adhurimit.

Sipas këtij përkufizimi, që një vepër të konsiderohet bidat, një person duhet ta kryejë atë veprim si një formë adhurimi dhe përkushtimi fetar në vetvete.

  • Çfarë e bën një akt bidat?

Prandaj bidati është përshkruar si:2

  • Një metodë e shpikur në fe, imituese e metodës legjitime e cila ndiqet me qëllimin për të kërkuar atë që kërkohet përmes metodës legjitime;
  • Një metodë e shpikur në fe, imituese e metodës legjitime e cila ndiqet me qëllim teprimin në adhurimin e Allahut xh.sh.

Për të përmendur një shembull, ezani i parë për xhuma nuk është një formë bidati³ për njërën nga dy arsyet:

  1. Është veprim i një sahabi që në fakt e ka origjinën në një Sunet të Profetit a.s (meukūf lehu ḥukm al-raf`).
  2. Është një maṣlaḥah murselah

Megjithatë, ky ezan shtesë nuk do të ishte një maṣlaḥah murselah nëse do ta konsideronim atë një akt adhurimi – në vetvete – përmes të cilit do të mund t’i afroheshim Allahut, Më të Lartit. Nga ana tjetër, nëse qëllimi i veprimit është afrimi me Allahun duke e lehtësuar adhurimin dhe duke ndihmuar në realizimin e dobive të adhurimit, atëherë ai nuk është në thelb një akt adhurimi. Ai mbetet brenda kategorisë së maṣlaḥah murselah.

Një shembull tjetër i maṣlaḥah murselah është ngritja e një vakëfi makinash për të transportuar njerëzit në xhami, duke kërkuar afrimin me Allahun përmes dobisë që kjo dhuratë ndihmon për t’u aktualizuar – dhe jo përmes vetë mjeteve, sepse mjeti nuk është [në thelb] një veprim devotshmërie.

  • Keqkuptime moderne •

Disa njerëz në kohën tonë i anashkalojnë këto hollësi të qëndrimit të Shejh ul-Islamit për dallimin ndërmjet bidatit dhe maṣlaḥah murselah. Ajo që ne kemi përshkruar mund të cilësohet si një tentativë për të kuptuar pozicionin e tij, ose ndoshta përfaqëson thjesht qasjen e duhur ndaj çështjes. Në fund të fundit, fjalët e Shejhul-Islamit nuk janë provë në vetvete, as ato të ndonjë dijetari tjetër.

Kuptimi i duhur i kësaj teme është i pakapshëm për këta individë. Nëse një veprim ka qenë i dobishëm dhe i mundur gjatë kohës së shpalljes, [por nuk ka precedent të veçantë për të në Sunet], atëherë ata e konsiderojnë atë veprim “bidat”. Me fjalë të tjera, ata e konsiderojnë “bid’ah” çdo çështje të sapofutur që plotëson këto dy kualifikime. Ata e shpërfillin kushtin e bidatit që zbatohet për çështjet e adhurimit. Duke besuar se çështja e sapofutur, në vetvete është një formë e përkushtimit fetar që e afron njeriun më pranë Allahut, ata nuk arrijnë të bëjnë dallimin midis:

  • kërkimit të afrimit me Allahun xh.sh nëpërmjet mjeteve [të veçanta]( pra të konsideruarit e mjetit si ekskluzivist në afrimin me Allahun xh.sh)  [me të cilat njeriu arrin një dobi], çka është bidat;
  • dhe kërkimit tw afërsisë me Allahun xh.sh përmes avantazheve të ligjshme (pra të konsideruarit e mjetit thjesht si ndihmues në afërinë me Allahun xh.sh) [që njeriu e arrin me një mjet], që është maṣlaḥah murselah.

Megjithëse këta njerëz priren të miratojnë përkufizimin e bidatit të dhënë nga Al-Shāṭibīu3, prapëseprapë ky nuk është një tregues se shumica prej  tyre e kanë kuptuar temën siç duhet. Përkufizimi i Al-Shāṭibīut kërkon që të jetë i pranishëm qëllimi i adhurimit në mënyrë që diçka të jetë bidat. (Pra një akt i cili kryhet ekskluzivisht si adhurim në vetvete, shënimi ynë.) Por pavarësisht këtij përkufizimi të Imam Shatibiut, këta njerëz i konsiderojnë disa forma të maṣlaḥah murselah “bidah” edhe pse kushti i adhurimit të qëllimshëm nuk është përmbushur.

Për shembull, disa prej tyre kanë deklaruar se mihrabi (vendi ku falet imami), minaret, shkallët shtesë në minbere dhe vijat e rregullimit të rreshtave në qilimat e lutjes janë të gjitha forma bidati. Me fjalë të tjera, këto gjëra nuk janë forma të vlefshme të maṣlaḥah murselah. Motivi i tyre ishte i pranishëm në kohën e Profetit a.s dhe zbatimi i tyre ishte i mundur. Ata pohojnë: “Fakti që Profeti (a.s.) nuk i bëri këto gjëra, tregon se shmangia e tyre ishte e qëllimshme, sepse ato nuk ishin të ligjësuara [nga Allahu]. Ata e thonë këtë sepse të gjitha këto plotësojnë kushtet që përmendëm: nevoja për to ishte e pranishme dhe zbatimi i tyre nuk do të kishte qenë i vështirë, aq më pak i pamundur.”

Në këtë proces, këta njerëz e kanë injoruar kushtin për të konsideruar një akt bidat: që akti të synohet si një formë adhurimi. Kur qëllimi nuk është që diçka të bëhet një formë adhurimi, por më tepër një mjet për të lehtësuar adhurimin në një mënyrë që Sheriati nuk e ka ndaluar, atëherë ai bie nën maṣlaḥah murselah dhe nuk ka të bëjë fare me bidatin.

Mund të duket e çuditshme por ata kundërshtojnë vetveten duke anashkaluar disa çështje që sipas qasjes së tyre duhet të jenë bidat. Një shembull është ndarja e rreshtave të burrave dhe grave në xhami me perde të trasha – ose, në disa raste, edhe barriera të përhershme që i ndajnë plotësisht. Ndarja e rreshtave të burrave dhe grave ishte e mundur gjatë kohës së Profetit a.s. E njëjta arsye për ta bërë këtë ishte e pranishme gjatë asaj kohe: tërheqja natyrore midis dy gjinive. Përkundër kësaj, Profeti a.s nuk e bëri këtë.

Për të qenë konsistent, përkrahësit e kësaj qasjeje të gabuar do të duhet ta shpallin këtë praktikë gjithashtu një risi (bid’ah). Megjithatë, duket se syrit të tebdiut4 i mungon objektiviteti: ai e zgjedh atë që deklaron “bidat” bazuar në dëshirat e veta.

Mendimi Im është se vendosja e barrierave ndërmjet burrave dhe grave në xhami nuk është një formë bidati. Megjithatë, unë e dekurajoj vendsojen e tyre për arsye të tjera. Midis tyre:

Passhënim: Barrierat në Xhami

  • Ato shpesh pengojnë aftësinë e grave për të ndjekur imamin siç duhet në namaz.
  • Sheriati nuk ka për qëllim ndarjen absolute gjinore. Ekzagjerimi në ndarjen e dy gjinive ka pasur pasoja negative të padëshiruara për marrëdhëniet gjinore. Ne mund ta shohim këtë me sytë tanë në shoqëritë ku ekziston ky lloj segregacioni i ekzagjeruar. Nëse ky do të kishte qenë qëllimi i Ligjvënësit, atëherë Ai nuk do të përmbahej nga obligimi i tij. Megjithatë, Ai lejoi një lloj përzierjeje të kufizuar për të parandaluar disa dëme dhe për të aktualizuar përfitime të caktuara.

1 Maṣlaḥah do të thotë përfitim. Maṣlaḥah murselah është përdorur këtu për të treguar disa përfitime që, megjithëse përbëjnë një objektiv të vlefshëm sipas sheriatit, nuk mbështetet nga një tekst specifik ose një analogji me një vendim të veçantë.

2 Këto dy përkufizime u dhanë nga Imam al-Shāṭibī. Shih El-Itiṣām 1/47.

3 Më poshtë është përkufizimi I Imam Shatibiut për bidatin

[Fjala] bidat (el-bidah) pra, është një shprehje e:

“Një rrugë e ndjekur në fe

E cila është shpikur

Dhe i ngjan Sheriatit

Dhe me praktikën e së cilës synohet ekzagjerimi në adhurimin e Allahut të Lartësuar.”

4 Tebdi, fjalë e përdorur ironikisht nga Shejh el Awni e cila tregon një person të përkushtuar fetarisht, person I devotshëm.

Përktheu: Kevi Muçllari

 

Burimi: Hatem El Awni Webpage

 

Artikuj të ngjashëm

Doktrinë dhe Kontekst

Doktrinë dhe Kontekst Nga: Ovamir Anjum[1] Universiteti i Toledos Hyrje Besohet gjerësisht se selefitë janë kundërshtarët e modernitetit politik në përgjithësi dhe të demokracisë në…

Lexo më shumë »

Hatem el Awni – Bidati

  Shaykh Al-Islām Ibn Tejmije formuloi dy kushte për të përcaktuar nëse një çështje e sapofutur në fe është një risi e ndaluar (bidat) apo…

Lexo më shumë »