Hulumtime MINBER

Imam Tom Facchine

Hyrje

A e keni shtruar ndonjëherë pyetjen se pse aktivizmi ynë duket sikur ka ngecur në vend?

Aktualisht, studentët myslimanë janë ndër brezat më aktivë dhe më të ndërgjegjshëm shoqërisht. Ne mobilizohemi kundër islamofobisë, organizojmë fushata donacioni për Gazën dhe marshojmë për drejtësi racore. Megjithatë, pavarësisht pasionit tonë, përballemi me një pyetje torturuese: Si ka mundësi që ndikimi ynë nuk korrespondon me aspiratat tona?

Ne kritikojmë sistemet, protestojmë kundër shtypjes dhe e shpërndajmë zemërimin tonë në formën e hashtagut. Por, ku është ndryshimi sizmik që dëshirojmë? Pse fushatat tona dështojnë? Pse nuk pajtohemi për taktikat, udhëheqësit apo ideologjitë? A mos po na mungon diçka themelore – një plan hyjnor i strehuar në traditën tonë?

Kurani nuk është thjesht një udhërrëfyes shpirtëror, por edhe një manual për veprim politik. Brenda faqeve të tij gjenden histori profetësh, mbretërish dhe komunitetesh margjinale që kanë transformuar shoqëritë përmes besimit të palëkundur dhe veprimit strategjik. Këto narrativa – shpesh të reduktuara në histori që tregohen para gjumit – përmbajnë mësime të fuqishme për aktivistët e sotëm.

Po sikur ngecja jonë të vijë nga injorimi i këtyre modeleve hyjnore?!

Po sikur mençuria politike e Kuranit të jetë çelësi për të zhbllokuar potencialin tonë?!

Le t’i çmontojmë mitet që na pengojnë dhe le të rivendikojmë trashëgiminë revolucionare të Kuranit.

 

  1. Taluti (Sauli): Miti i “Udhëheqësit të Përsosur”

 Shpesh njerëzit pohojnë “Sikur të kishim Salahudinin! Ku është kalifi ynë?”, si justifikim për t’u çliruar nga përgjegjësia kolektive për ndryshim.

Bijtë e Izraelit kërkuan një mbret që t’i udhëhiqte në betejë, duke premtuar përkushtim të palëkundur. Megjithatë, kur Allahu caktoi Talutin – një njeri me dije dhe forcë, por jo i pasur – ata ngurruan. “Si mund të mbretërojë ai mbi ne kur ne jemi më meritorë?” (Kurani 2:247).

Profeti i tyre tha: “Allahu ka dërguar Talutin si mbretin tuaj.” Ata thanë: “Si mund të bëhet ai mbreti ynë, kur ne kemi më tepër merita se ai për të sunduar?! Përveç kësaj, ai nuk ka ndonjë pasuri të madhe.” Ai u përgjigj: “Allahu e ka zgjedhur atë për mbretin tuaj dhe e ka pajisur me dijeni të gjerë dhe me fuqi trupore. Allahu ia jep pushtetin e Vet kujt të dojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.”

Surja el Bekare, Ajeti 247

Mësimi

Hipokrizia e mosveprimit: Ne i idealizojmë “njerëzit e mëdhenj” të historisë, ndërkohë që justifikojmë pasivitetin tonë. “Sikur të kishim udhëheqës më të mirë…” bëhet një mantër për t’iu shmangur përgjegjësisë. Kurani e paraqet këtë si frikacakëri: “A po ngurroni tani të luftoni kur kjo është urdhëruar për ju?” (2:246).

Substanca mbi statusin: Kritikët e Talutit u përqendruan te fakti që ai nuk ishte i pasur, duke injoruar kompetencën e tij. Sot, ne i refuzojmë udhëheqësit potencialë vetëm sepse u mungojnë diplomat, karizma apo ndikimi në mediat sociale – parametra sipërfaqësorë të shkëputur nga ndikimi në botën reale.

Thirrje për veprim: Lidershipi fillon me ne. Mos prisni heronj! Organizohuni, hartoni strategji dhe besojini planit të Allahut!

Case Study

Në vitin 2023, studentët në një universitet të Londrës anashkaluan sindikatat burokratike studentore dhe vetorganizuan një fushatë kundër politikave islamofobike të kampusit. Në mungesë të një “udhëheqësi”, ata përdorën grupe të decentralizuara në WhatsApp për të koordinuar protestat, peticionet dhe komunikimin me median, duke e detyruar administratën të anulonte vendimet e saj.

Pyetje për studentët:

A po e përdorni “mungesën e lidershipit” si justifikim për të shmangur punën e vështirë?

 

  1. Sulejmani (Solomoni): Dinjiteti mbi simbolizmin/tokenizmin

 Disa mund të tentojnë të shmangin përballjen me udhëheqësit kundërshtarë duke thënë: “Ne kemi nevojë për një vend në tryezë!”

Kur mbretëresha e Sebës i dërgoi dhurata Sulejmanit për ta qetësuar, ai i refuzoi duke iu përgjigjur ashpër: “Ajo që më ka dhënë Allahu është më e mirë se ajo që ju ka dhënë juve!” (Kurani 27:36).

Mësimi

 Diplomacia Biryani* nuk funksionon: Komunitetet myslimane shpesh tregtojnë dinjitetin për një foto me politikanët. Ne celebrojmë thërrmijat e përfaqësimit, ndërsa të pushtetshmit shfrytëzojnë dëshpërimin tonë për të qenë të pranuar. “Ju kënaqeni me dhurata”, – qortoi Sulejmani – një akuzë e përjetshme e urisë sonë për të qenë të pranuar, edhe pse të zbrazët.

Negocioni nga pozitat e forcës: Sulejmani (a.s.) nuk kishte nevojë për dhurata; ai vepronte në bazë të bindjes hyjnore. Ndikimi i vërtetë vjen kur ne refuzojmë të kooptohemi, duke kërkuar drejtësi, pa kërkuar falje.

Kurthi i politikës së identitetit: Një fytyrë “myslimane” në pushtet nuk nënkupton asgjë nëse braktisen vlerat tona. Sa herë është prezantuar një figurë e re politike myslimane në politikën perëndimore? Ne duket se kënaqemi me idenë e një myslimani të ri në një pozicion autoriteti (dhe gjithë mundësitë që ai sjell), pavarësisht se ai nuk trupëzon asnjë lloj substance islame. Në vitin 2021, një deputet mysliman në Mbretërinë e Bashkuar votoi pro idesë së kriminalizimit të protestave pro-Palestinë. Parimet, jo prejardhja, duhet t’i udhëheqin aleancat tona.

 

*Diplomacia Biriyani = E sajuar nga Imami Tom Facchine, “Diplomacia Biriyani” kritikon mënyrën se si disa komunitete myslimane i japin përparësi angazhimit simbolik politik mbi llogaridhënien substanciale. Ajo përshkruan gatishmërinë për të akomoduar politikanët – duke ofruar platforma, duke festuar gjeste simbolike ose duke organizuar vakte – duke neglizhuar avokimin parimor. Kjo qasje shkëmben dinjitetin për njohje të përkohshme, duke rrezikuar kooptimin politik në vend të ndryshimit sistemik. Termi i Facchine bën thirrje për një ndryshim nga paqëtimi performativ në një angazhim transformues të drejtuar nga vlerat.

Pyetje për studentët:

A po kërkoni fitore simbolike apo po ndërtoni pushtet solid?

 

  1. Dhulkarnejni: Pragmatizmi dhe besimi hyjnor

 Disa njerëz mund të thonë: “Ne jemi vetëm 1%. Çfarë mund të bëjmë?”

Duke u përballur me kaosin e shkaktuar nga jexhuxh-mexhuxhët, Dhulkarnejni nuk u dëshpërua nga kufizimet e tij. Ai sajoi një zgjidhje pragmatike (një pengesë) dhe sakaq deklaroi: “Kjo është mëshirë nga Zoti im.” (Kurani 18:98)

Mësimi                         

 Numra të paktë, ndikim i madh: Arabia Saudite filloi ngritjen e saj me 40 burra. Rezistenca palestineze vazhdon të lulëzojë pavarësisht nga asimetria. Matematika e Allahut e sfidon materializmin: “Sa herë ka ndodhur që një grup i vogël ka mposhtur një grup të madh me lejen e Allahut!” (Kurani 2:249).

Ekuilibri, mjete dhe besim: Gërmoni hendekun tuaj (planifikoni me kujdes), ama besojini rezultatit të Allahut. Aktivizmi nuk është një sport spektatorësh – çdo student ka një rol.

Analogji moderne

Bojkotimi i autobusëve në Montgomeri (1955-56) u mbështet nga njerëzit me ngjyrë që shkonin në kishë me makinat e tyre, duke ecur për kilometra të tërë dhe duke mbledhur fonde – ishin bash këto akte të vogla që sollën përmbysjen e segregacionit. Në mënyrë të ngjashme, studentët myslimanë në Toronto organizuan së fundmi një “Fast-a-Thon”, duke ftuar bashkëmoshatarët jomyslimanë të përjetonin eksperiencën e Ramazanit. Përmes këtij eventi u mblodhën 20 mijë dollarë për Gazën dhe ndryshuan narrativat e kampusit mbi Islamin.

 Pyetje për studentët:

A jeni të paralizuar nga “realiteti” apo të gatshëm të sfidoni rrethanat?

 

  1. Beteja e Uhudit: Perceptimi është fuqi

Disa mund të thonë: “Ata janë shumë të fortë. Ne nuk mund të fitojmë.”

Pas një humbjeje shkatërrimtare, Profeti (a.s.) grumbulloi trupat e tij për t’u vënë në ndjekje të armikut. Kurejshët, duke u frikësuar nga forca e perceptuar, u tërhoqën. Perceptimi e ndryshoi realitetin.

Mësimi

 Qëndrueshmëria si rezistencë: Shtypësit lulëzojnë përmes dëshpërimit tonë. Projektoni vendosmëri të pathyeshme, edhe në disfatë. Në vitin 2022, studentët në një universitet amerikan u përballën me reagime negative për organizimin e një eventi solidariteti me Palestinën. Në vend që të kërkonin falje, ata dyfishuan përpjekjet me seminare dhe instalacione arti – duke e shndërruar kritikën në një dialog në nivel kampusi.

Lufta për narrativën: Kontrolloni narrativën. Administratat e kampusit dhe politikanët kanë shumë më tepër frikë nga zërat e organizuar dhe me vetëbesim të myslimanëve sesa nga numrat tanë.

Pyetje për studentët:

A po e pranoni humbjen para se të nisë beteja?

 

  1. Beteja e Hendekut: Unitet në strategji

 Disa mund të mendojnë: “Kemi nevojë për ndihmën e të gjithëve!”, nëse duam realizimin e një ndryshimi të vërtetë, por sakaq ne ende nuk kemi arritur unitetin.

Në përballjen me 10.000 armiq, myslimanët hapën një hendek – një taktikë e pazakontë e propozuar nga Selman Persiani. Uniteti nuk kishte të bënte me konsensusin, por me konvergimin e aftësive të ndryshme për një objektiv të përbashkët.

Mësimi

 Strategjia para sentimentit: Lëvizjet e suksesshme u japin përparësi taktikave inteligjente dhe jo unitetit që thjesht na bën të ndihemi mirë. Bojkotet, protestat dhe lobimi janë mjete, jo rituale. Përdorini me mençuri!

Inovacioni gjithëpërfshirës: Ideja e Selmanit e shpëtoi Medinën. Jini të hapur ndaj perspektivave të ndryshme; zgjidhjet më të mira vijnë andej nga s’ta pret mendja.

Studentët në plan të parë:

Në Universitetin e Oksfordit, Shoqata Islamike ka bashkëpunuar me aktivistët e klimës për të organizuar një javë të përbashkët dedikuar temës “Besim dhe qëndrueshmëri”. Inxhinierët projektuan qilima ekologjikë lutjesh, mjekët organizuan seminare mbi Health Justice dhe poetët organizuan netë poetike përmes recitimeve të tyre. Bashkëpunimi i përforcoi të dyja kauzat dhe regjistroi një pjesëmarrje të paprecedentë.

Pyetje për studentët:

 A jeni të bllokuar nga taktikat skematike apo po sillni një risi si Selmani?

Përfundim: Kryengritja studentore për të cilën kemi nevojë

Aktivistët e Kuranit nuk ishin ëndërrimtarë – ata ishin revolucionarë. Ata sfiduan tiranët, refuzuan tokenizmin / simbolizmin dhe transformuan shoqëritë përmes besimit të paepur dhe strategjive inteligjente.

Për studentin mysliman

 Udhëhiq pa leje: Mos prit për tituj. Fillo një fushatë, harto një politikë, mobilizo kolegët.

Zëvendësoni shfajësimin me guximin: Nuk ke nevojë ta përligjësh thirrjen për drejtësi. Kurani është manifesti yt.

Përvetëso sakrificën: Ndryshimi i vërtetë përbën rrezik për rehatinë, reputacionin dhe sigurinë. Por, mos harro, Xheneti favorizon guximtarët.

Allahu premton në Kuran: “Vërtet, Allahu nuk do ta ndryshojë gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë veten e tyre.” (13:11)

Sfida finale

Këtë semestër, përzgjidhni një mësim nga Kurani dhe zbatojeni atë. Organizoni një halaqa mbi perlat e aktivizmit që përmban surja “El-Bekare”. Bojkotoni një korporatë bashkëpunëtore dhe shpjegoni arsyen në op-ed. Krijoni aleanca me grupe studentësh sikë, hebrenj ose zezakë. Dokumentoni rrugëtimin tuaj; ndajeni atë me Yaqeen.

Ndryshimi fillon në kampusin tuaj.

Përktheu: Qendra e Hulumtimeve, Minber

Artikuj të ngjashëm

Kundër pamundshmërisë

Ovamir Anjum   Bindja se sheriati është delegjitimuar nga moderniteti mund të lexohet si ripërtëritje e debatit klasik mbi stanjimin e sheriatit. Megjithatë, këtu kemi…

Lexo më shumë »

Kriza e aktivizmit mysliman

Imam Tom Facchine Hyrje A e keni shtruar ndonjëherë pyetjen se pse aktivizmi ynë duket sikur ka ngecur në vend? Aktualisht, studentët myslimanë janë ndër…

Lexo më shumë »