Hulumtime MINBER

Miraxhi i Profetit a.s.

Home » Miraxhi i Profetit a.s.

Miraxhi është lartësimi i njeriut fizik drejt njeriut esencial, i fizikës drejt metafizikës, i trupit drejt shpirtit dhe i shpirtit drejt atij që e ndjen se ka shpirt. Miraxhi është një meditim që e tejkalon materialen, një ngritje që nuk e pranon të poshtmen dhe poshtërsinë.

Miraxhi është ftesë që ti lëmë mënjanë dhimbjen, brengosjen, paaftësinë e pesimizmin, për t’ja nisur edhe njëherë nga e para, për tu pastruar e për tu qetësuar.

Miraxhi është rrugëtimi i njeriut nëpër të vërtetat universale dhe mbërritja e tij në destinacionin e takimit me Zotin.

Miraxhi është një shkollë që lidhjet mes xhamisë së Qabes dhe xhamisë Aksa edhe më shumë i shtrëngon, që botën shpirtërore të myslimanëve e forcon, që besnikërinë dhe besimin e tyre e përforcon, që ndjenjat e vëllazërisë i jetëson, që besimtarët  me vlera të veçanta i edukon. Mësimi më i madh që na jep Miraxhi, është të treguarit e rrugës që do të na cojë nga niveli më i poshtëruar (Esfel-i Safilin) drejt krijesës më të përkryer (Ahsen-i Takvim). 

Profeti ynë i dashur u kthye nga Miraxhi drejt nesh me 3 dhurata të mëdha:

E para: Namazi, që është miraxhi i besimtarit dhe mundësia për t’u takuar 5 herë cdo ditë me Zotin. Nëpërmjet adhurimit të namazit, besimtari përkulet vetëm para prezencës hyjnore, vetëm Atij i nënshtrohet, vetëm Atë e adhuron dhe vetëm prej Tij ndihmë kërkon. Nëpërmjet namazit, besimtari njihet me personalitetin dhe me identitetin real të tij. 

Në sajë të namazit, besimtari nuk realizon thjesht bashkimin e trupit me shpirtin, por njëkohësisht realizon edhe bashkimin e mendjes me zemrën, të mendimit me dëshirën…, duke e bërë kështu të prekshëm Teuhidin dhe Njësimin. 

E dyta: Ajetet e fundit të sures Bekare, në të cilat Zoti na përkujton në të njëjtën kohë përgjegjësitë dhe dobësitë tona. Cdo përgjegjësi është një amanet dhe që njeriu të mbajë amanetin mbi supet e tij, duhet të qëndrojë larg çdo urrejtjeje dhe zemërimi, çdo smire dhe inati, çdo vetkënaqësie dhe mendjemadhësie. Ashtu siç kërkohet të jetë i mëshirshëm, i thjeshtë dhe modest ndaj të gjithë njerëzve, madje ndaj të gjithë krijesave. Sepse siç tregon vetë fjala e Profetit tonë a.s., modestia të lartëson, mendjemadhësia të poshtëron, vetkënaqësia të mashtron dhe smira të shkatërron. Dobësitë vrasëse të nefsit tonë janë shkaku kryesor që na pengojnë neve nga çdo Miraxh, çdo ngritje dhe lartësim.

E treta: Sihariqi dhe myzhdeja se çdo person që ka përqafuar besimin njësues të Teuhidit do të mbërrijë në shpëtimin e përjetshëm. Teuhidi është themeli bazë i Islamit, shpirti i Kur’anit dhe Sunnetit, qëllimi kryesor i dërgimit të të gjithë profetëve. Nga parimi i Teuhidit dalin tre koncepte bazë: paqja, siguria dhe uniteti. Pa u ndërtuar drejt lidhja në mes Islamit dhe paqes, Imanit dhe sigurisë, Teuhidit dhe unitetit, asnjëherë nuk mund të bëhet fjalë për një shoqëri që quhet shoqëri myslimane.

Ajo që na takon neve si besimtarë sot, është që Miraxhin të mos e lexojmë thjesht si një ngjarje historike dhe thjesht si një kujtim të Profetit tonë të dashur. Qëllimi më kryesor i Islamit është ta nxjerrë njeriun nga gradat më të ulëta (Esfel-I Safilijn) drejt niveleve më të larta të tij. Të mos harrojmë në asnjë moment se si popull, si bashkësi myslimane dhe krejt si shoqëri njerëzore jemi më të nevojshëm se asnjëherë tjetër për vlerat e Miraxhit të cilat parësisht nderojnë dhe lartësojnë njeriun.

Rruga që na çon në bashkim, në prosperitet, në vëllazëri dhe në qetësi, rruga që na mundëson dallimin e mikut nga armiku, kalon nga kuptimi i vlerave të Miraxhit dhe reflektimit të tyre në përditshmërinë tonë. 

Të jemi gjithmonë optimistë në këto stacione të jetës sonë, e cila kalon e shkon shpejt. 

Të freskojmë besimin ndaj Zotit tonë, përkatësinë ndaj Profetit tonë dhe dashurinë ndaj namazit tonë.

Me vetëdijen se jemi krijesat më të lartësuara (Eshref-i Mahlukat), të lutemi duke dërguar duatë tona drejt miraxhit qiellor për të patur një vështrim më intuitiv, një zemër më të mëshirshme, një gjuhë më etike, një moral më të mirë, një botë më të qetë.

Besimi i sinqertë, punët e mira dhe moralet e larta, qofshin Buraku ynë (kafsha me të cilën Profeti a.s bëri udhëtimin e Miraxhit) dhe flatrat e lartësimit tonë.

Në këtë Natë të veçantë, Zotit tonë i lutemi, që zemrat e hidhëruara me njëra tjetrën t’i pajtojë dhe t’i afrojë, të metat dhe gabimet tona t’i falë dhe t’i mëshirojë.

 O Allah!

Na mëshiro të gjithëve.

Na ruaj nga çdokush i cili dëshiron që ne të merremi me njëri-tjetrin, që dëshiron të copëtojë forcën tonë, të dobësojë shpitin e solidaritetit tonë, të shkatërrojë folenë tonë, të mbjellë fitne dhe fesad në mesin tonë.

Na ruaj o Zot, nga cdo dhunë, hipokrizi, përçarje dhe nga cdo shejtan që dëshiron të errësojë dashurinë tonë, unitetin tonë, vëllazërinë dhe prosperitetin tonë!

Autori: Prof. Dr Mehmet Görmez

Artikuj të ngjashëm