Hulumtime MINBER

Aristoteli thotë: “Morali i njeriut formohet nga ato veprime që ai i përsërit gjatë gjithë jetës”. Pra, morali nuk formohet nga një veprim i vetëm i rastësishëm, por fitohet përmes përsëritjes dhe vazhdimësisë. Nëse një njeri kryen një veprim të caktuar vetëm një herë, nuk mund të quhet pjesë e zakonit apo e moralit të tij, por nëse ai e përsërit qëllimisht dhe me vetëdije, derisa të bëhet pjesë e karakterit të tij dhe të ndodhë automatikisht, atëherë mund të thuhet: “Ky është morali i tij”.

Ndërtimi i moralit është një proces i ndërlidhur në disa faza. Njeriu nuk bëhet i mirë thjesht nëpërmjet një veprimi të vetëm të drejtë, por ai fiton reputacionin e njeriut të mirë përmes veprimeve të mira të përsëritura, të cilat mbeten në zemrat dhe mendjet e të tjerëve. E njëjta gjë ndodh me të këqijtë: një njeri nuk njihet si i lig përveçse kur ai përsërit veprime të këqija, derisa ato të bëhen pjesë e identitetit të tij. Pra, veprimet e vazhdueshme ngjiten pas njeriut dhe me kalimin e kohës shndërrohen në moralin që e karakterizon atë. Prandaj, njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm dhe i kujdesshëm për gjithçka që bën, në mënyrë që të drejtojë moralin e tij dhe të kontrollojë rrugën që ai ndjek.

Faza e ndërtimit të moralit

Psikologët sugjerojnë se ndërtimi i moralit kalon në tri faza kryesore:

  1. Nxitësi (Cue): Ky është shkaku që shtyn trurin të kryejë një sjellje të caktuar. Për shembull, kur merr një njoftim në telefon që dikush ka pëlqyer një nga fotot e tua në Instagram, ky njoftim vepron si nxitës që të shtyn automatikisht ta hapësh llogarinë për të parë se kush ishte.
  2. Rutina (Routine): Ky është veprimi aktual që ndodh si përgjigje ndaj nxitësit. Kur sheh njoftimin, hap aplikacionin dhe kontrollon llogarinë. Me përsëritje, ky veprim bëhet zakon.
  3. Shpërblimi (Reward): Ky është rezultati pozitiv që përfiton nga veprimi. P.sh., kur zbulon kush e ka pëlqyer fotografinë ose kush ka lënë një koment, ndjesia e vlerësimit ose e vëmendjes forcon dëshirën për ta përsëritur atë sjellje. Kjo fazë ndihmon trurin të forcojë zakonet, qofshin ato pozitive apo negative.

Rritja e moralit, si rritja e bimëve

Dr. B. J. Fogg, ekspert në shkencën e sjelljes në Universitetin e Stanfordit, e krahason rritjen e moralit me rritjen e bimëve, e cila kërkon disa hapa thelbësorë:

– Fillimi me gjëra të vogla, si mbjellja e farave.
– Zgjedhja e mjedisit të përshtatshëm, siç zgjedhim vendin e duhur për të mbjellë një bimë.
– Ofrimi i përkujdesjes dhe e ushqimit të vazhdueshëm për të siguruar rritjen e rrënjëve.

Edhe morali nuk lind brenda një nate, por ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm dhe ushqim të vetëdijshëm, në mënyrë që të bëhet pjesë e pandashme e personalitetit të njeriut. Prandaj, individi duhet të punojë rregullisht për zhvillimin e moralit të tij dhe ta mbrojë atë nga ndikimet negative që mund ta dobësojnë ose ta dëmtojnë.

Arsimi: mjeti për formimin dhe zhvillimin e moralit

A je menduar ndonjëherë se cili është mjeti që të ndihmon të përmirësosh dhe të formësosh moralin tënd, për t’u bërë një person i ndritshëm dhe i dalluar? Përgjigjja qëndron tek arsimi, i cili është themeli mbi të cilin rriten dhe nguliten vlerat morale në personalitet. Qeveritë dhe autoritetet kanë përgjegjësinë për të ndërtuar strategji efektive për të formuar identitetin e individëve, përmes një sistemi arsimor të fuqishëm që ndërthur edukimin serioz me mësimin e dobishëm.

Nuk ka dyshim se arsimi është një domosdoshmëri jetësore. Të gjitha qytetërimet dhe fetë në histori e kanë theksuar rëndësinë e tij. Shkollat, universitetet dhe institucionet arsimore luajnë një rol themelor në forcimin e moralit, duke përfshirë aktivitete edukative dhe projekte bashkëkohore në programet e tyre mësimore, të cilat trajtojnë çështjet morale në një mënyrë shkencore dhe me ndikim.

Para se të përpiqesh të zhvillosh moralin tënd, duhet të fillosh duke kuptuar mirë vetveten… Është e nevojshme të analizosh sjelljet e tua dhe të vlerësosh veprimet e tua, për të përcaktuar se çfarë ka nevojë për përmirësim dhe zhvillim. Bëj një plan të qartë për ndryshimet që dëshiron të arrish dhe qëndro i përkushtuar ndaj tij, sikur të ishte një ligj për jetën tënde.

Vetëbesimi: themeli i ndërtimit të moralit

Vetëbesimi nuk është thjesht një ndjenjë kalimtare, por një shtyllë themelore në ndërtimin e moralit… Kur shikon arritjet e tua të mëparshme, do të vëresh se çdo sukses që ke arritur është ndërtuar mbi besimin në aftësitë e tua dhe këmbënguljen për të realizuar qëllimet që ke. Ky vetëbesim është ai që të shtyn për të vazhduar dhe të pëshpërit: “Je i fortë… Je i aftë… Mos u dorëzo!”

Kur mbjell brenda vetes idenë “Do të ndryshoj dhe do të zhvillohem” dhe angazhohesh me seriozitet për këtë qëllim, do të shijosh suksesin pas vështirësive dhe do të ndiesh gëzim pas hidhërimeve. Askush nuk përfiton më shumë nga ndryshimi pozitiv sesa vetë ti, sepse sukseset që arrin janë fryt i përpjekjeve të tua të vazhdueshme dhe e vendosmërisë sate që nuk thyhet.

Vetëbesimi nuk kufizohet vetëm te vetja, por përfshin edhe besimin te të tjerët në situata të ndryshme të jetës. Imagjino sikur viziton një fshat dhe dëshiron të lahesh në liqenin e tij, por një banor vendas të paralajmëron: “Mos iu afro, sepse ujërat janë të mbushura me krokodilë të rrezikshëm!” Në këtë rast, është më mirë të besosh fjalët e tij dhe ta dëgjosh, për të shpëtuar jetën tënde. Në të njëjtën mënyrë, ne u besojmë recetave mjekësore që na japin mjekët pa hezitim.

Forcimi i moralit përmes shpërblimeve pozitive

Kur praktikon një sjellje të mirë, mos harro të shpërblesh veten me një inkurajim pozitiv, qoftë nga brenda apo nga jashtë. Mund t’i thuash vetes: “Sot kam qenë i mrekullueshëm” apo: “E bëra një punë të mirë”. Nuk është e nevojshme që shpërblimet të jenë të mëdha, mjafton që të ekzistojnë, sepse njeriu ka nevojë për një motiv për të vazhduar përpjekjet e tij.

Fjala e mirë – sado e thjeshtë – ka një ndikim të madh në jetën e njeriut ambicioz dhe i jep atij forcë për të vazhduar rrugën drejt suksesit. Prandaj, duhet të besosh në talentin tënd dhe të kesh besim tek ai, sepse, kur ti e beson vetveten, edhe të tjerët do të fillojnë të besojnë tek ti dhe do të të gëzojë vlerësimi i tyre për përpjekjet e tua të vazhdueshme.

Në ditët e sotme ekzistojnë shumë mjete që mund t’i shfrytëzosh për të zhvilluar moralin dhe për të rinovuar vetveten, si p.sh. ligjëratat motivuese që të frymëzojnë dhe të shtyjnë për më mirë, librat me vlerë që të zgjerojnë horizontin intelektual dhe institucionet frymëzuese që ofrojnë një mjedis mbështetës për zhvillim dhe rritje.

Zgjidh të shoqërohesh me njerëz me moral të lartë, sepse ata janë pasqyra jote që reflekton imazhin tënd… Mos e fajëso veten për një rënie apo humbje të vetme, por respektoje veten edhe në ndryshimet më të vogla. Në fund, do të kthesh kokën pas dhe do të shohësh se sa shumë rrugë ke përshkuar dhe sa je larguar nga pika prej ku je nisur!

 

Autori: Muhamed Adil El-Xhefni

Burimi: Aljazeera.net

Artikuj të ngjashëm