Hatem Al Haj
Xhihadi është lufta kundër të gjitha formave të së keqes dhe padrejtësisë, si brenda vetes (nefsit) ashtu edhe kundër të tjerëve. Kështu, xhihadi nuk është i kufizuar vetëm te përdorimi i forcës ushtarake – paçka se lufta e armatosur është një formë e saj – andaj, në këtë kuptim, xhihadi është praktikuar dhe sanksionuar nga të gjitha kombet që në krye të herës. Në fund të fundit, në epokën tonë nuk ekziston asnjë komb pa ushtri dhe tek të gjitha kombet martirizimi shihet si sakrifica përfundimtare.
Lufta mund të jetë e mirë ose e keqe, varësisht nga motivet e pjesëmarrësve dhe sjellja e tyre gjatë dhe pas konfliktit. Ne besojmë se lufta e armatosur në Islam është urdhëruar jo vetëm për të mbrojtur myslimanët, por edhe jomyslimanët që vuajnë nga shtypja, si dhe për të mbështetur kauzën e drejtësisë së Zotit në Tokë. Ajo synon gjithashtu mbrojtjen e së drejtës për të adhuruar Zotin – Krijuesin tonë – në siguri të plotë; kësisoj, është e natyrshme që Ai të dëshironte garantimin e kësaj të drejte për shërbëtorët e Tij.
Megjithatë, ekzistojnë disa ajete kuranore që mund të nxirren jashtë kontekstit dhe mund të interpretohen gabimisht si një deklaratë lufte permanente kundër jobesimtarëve. Për shembull, Allahu thotë:
قَاتِلُوا الْمُشْرِكِينَ كَافَّةً كَمَا يُقَاتِلُونَكُمْ كَافَّةً
“…Luftoni të gjithë kundër idhujtarëve, ashtu sikurse ata luftojnë të gjithë kundër jush…” (Et-Teube 9:36)
Dhe:
“فَإِذَا انسَلَخَ الْأَشْهُرُ الْحُرُمُ فَاقْتُلُوا الْمُشْرِكِينَ حَيْثُ وَجَدتُّمُوهُمْ”
“Kur të kalojnë muajt e shenjtë, atëherë vritini idhujtarët kudo që t’i ndeshni…” (Et-Teube 9:5)
Ndonëse shumica dërrmuese e myslimanëve nuk mendojnë se duhet të luftojmë vazhdimisht kundër pjesës tjetër të njerëzimit, një pakicë e vogël, kryesisht të rinj, të irrituar nga padrejtësitë, qofshin të vërteta apo të perceptuara, të kryera kundër popujve myslimanë, i përdorin këto dhe të tjera ajete për të deklaruar xhihad kundër të gjithë kundërshtarëve të tyre, si myslimanë ashtu edhe jomyslimanë. Në mungesë të mjeteve të nevojshme për të zhvilluar luftëra konvencionale, ata i drejtohen terrorizmit për të realizuar objektivat e tyre ose për t’u hakmarrë kundër armiqve që i luftojnë. Kjo është dilema me të cilën përballen myslimanët në ditët e sotme dhe e cila e ka diskredituar emrin e xhihadit.
Është e vërtetë se ajetet e cituara janë fjalët e Allahut, të Plotfuqishmit. Megjithatë, Ai ka thënë gjithashtu:
“قَاتِلُوا الَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَلَا بِالْيَوْمِ الْآخِرِ وَلَا يُحَرِّمُونَ مَا حَرَّمَ اللَّهُ وَرَسُولُهُ وَلَا يَدِينُونَ دِينَ الْحَقِّ مِنَ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ حَتَّىٰ يُعْطُوا الْجِزْيَةَ عَن يَدٍ وَهُمْ صَاغِرُونَ”
“Luftojini ata që nuk besojnë në Allahun e as në Ditën e Kiametit, të cilët nuk e marrin për të ndaluar atë që e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe ata, midis atyre që u është dhënë Libri, që nuk e pranojnë fenë e vërtetë, derisa të japin xhizjen (taksën) me dorën e tyre, duke qenë të përulur.” (Et-Teube 9:29)
Gjithashtu Ai ka thënë:
“وَقَاتِلُوهُمْ حَتَّىٰ لَا تَكُونَ فِتْنَةٌ وَيَكُونَ الدِّينُ لِلَّهِ ۖ فَإِنِ انتَهَوْا فَلَا عُدْوَانَ إِلَّا عَلَى الظَّالِمِينَ”
“Luftojini ata derisa të zhduket mosbesimi dhe derisa të mbretërojë besimi vetëm për Allahun! Por, në qoftë se ata heqin dorë nga lufta kundër jush, atëherë s’ka armiqësi, përveçse kundër keqbërësve.” (El-Bekare 2:193)
Ndërsa Profeti (a.s.) ka thënë:
“أُمِرْتُ أَنْ أُقَاتِلَ النَّاسَ حَتَّى يَشْهَدُوا أَنْ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ وَأَنَّ مُحَمَّدًا رَسُولُ اللَّهِ، وَيُقِيمُوا الصَّلَاةَ، وَيُؤْتُوا الزَّكَاةَ، فَإِذَا فَعَلُوا ذَلِكَ، عَصَمُوا مِنِّي دِمَاءَهُمْ وَأَمْوَالَهُمْ، إِلَّا بِحَقِّ الْإِسْلَامِ، وَحِسَابُهُمْ عَلَى اللَّهِ تَعَالَى”
“Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit, derisa të dëshmojnë se nuk meriton të adhurohet askush tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, të falin namazin dhe të japin zekatin. Nëse e bëjnë këtë, unë ua mbroj gjakun dhe pasurinë e tyre, sipas së drejtës së Islamit, ndërkaq llogaria e tyre është tek Allahu.”
Jo vetëm kaq, por në shkrimet e mëparshme, përkatësisht në Bibël, Zotit i atribuohet shumë më tepër, duke përfshirë vrasjen e foshnjave dhe fëmijëve, siç raportohet në librat e Ligjit të Përtërirë.[1] Sigurisht, ne nuk besojmë se të tilla pohime janë nga Zoti, sepse do të ishte shumë e vështirë të ofrohej kontekst që mund t’i shpjegonte ato. Megjithatë, në Islam ekziston një kontekst shpjegues për të gjitha këto versete. Së pari, është e rëndësishme të theksohet se Allahu gjithashtu thotë:
“وَإِن جَنَحُوا لِلسَّلْمِ فَاجْنَحْ لَهَا وَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ ۚ إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ”
“E nëse ata anojnë nga paqja, edhe ti ano nga ajo dhe mbështetu tek Allahu! Vërtet, Ai është që dëgjon dhe di.” (El-Enfal 8:61)
“فَإِنِ اعْتَزَلُوكُمْ فَلَمْ يُقَاتِلُوكُمْ وَأَلْقَوْا إِلَيْكُمُ السَّلَمَ فَمَا جَعَلَ اللَّهُ لَكُمْ عَلَيْهِمْ سَبِيلًا”
“Prandaj, nëse ata do të mënjanohen nga ju dhe nuk do të luftojnë me ju dhe do t’ju japin mesazhin e paqes, atëherë Allahu nuk ju ka dhënë asnjë justifikim kundër tyre.” (En-Nisa 4:90)
I Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë:
“يَا أَيُّهَا النَّاسُ لاَ تَتَمَنَّوْا لِقَاءَ الْعَدُوِّ وَاسْأَلُوا اللَّهَ الْعَافِيَةَ فَإِذَا لَقِيتُمُوهُمْ فَاصْبِرُوا وَاعْلَمُوا أَنَّ الْجَنَّةَ تَحْتَ ظِلاَلِ السُّيُوفِ”
“O njerëz, mos e dëshironi përballjen me armikun dhe kërkoni falje nga Allahu. Por nëse përballeni, bëni durim dhe dijeni se xheneti është nën hijen e shpatave.”
Në këtë kontekst shtrohet pyetja: Kush e ka tagrin t’i ndërlidhë pikat e mësipërme dhe të pajtojë ndërmjet transmetimeve në dukje kontradiktore? Dijetarët e rrënjosur fort te tradita. Njëri prej tyre, përkatësisht Imam Ibn Tejmija, ka shkruar një traktat mbi Qitâl al-Kuffâr wa Muhâdanatuhum [Lufta dhe paqja me jobesimtarët], në të cilin ai argumenton në mënyrë bindëse se ‘illah (shkaku efektiv) për t’i luftuar ata është agresioni i tyre, jo mosbesimi i tyre.
Ibn Tejmija nënvizoi se tekstet që përfshijnë një luftë të hapur kundër tyre nuk mund të përdoren kurrë si provë për të luftuar njerëzit në përgjithësi, sepse ato duket se bien ndesh me prova të tjera (disa prej të cilave u përmendën më sipër), konsensusin dhe madje edhe me vetë jetën e të Dërguarit (a.s.). Disa prej tyre duket se sugjerojnë një luftë të përgjithshme derisa në Tokë të mos ketë fe tjetër përveç Islamit – megjithatë kjo është në kundërshtim me konsensusin e përgjithshëm. A nuk e shihni se i Dërguari i Allahut (a.s.) bëri paqe dhe armëpushim me jomyslimanët? Në fakt, ai ka thënë:
“دَعُوا الْحَبَشَةَ مَا وَدَعُوكُمْ وَاتْرُكُوا التُّرْكَ مَا تَرَكُوكُمْ”
“Lërini abisinasit të qetë për sa kohë që ata ju lënë (të qetë) dhe lërini turqit (të qetë) për sa kohë që ata ju lënë të qetë.” (Ebu Daud, i konsideruar hasen nga El-Albani në Sahih el-Xhami)
Kjo tregon qartësisht se urdhri për të luftuar nuk është i vlefshëm ndaj të gjithë njerëzve. Përkundrazi, Ibn el-Kajimi (Allahu e mëshiroftë) në Hidâyat el-Hajârâ [Udhëzimi i të hutuarve] ka thënë:
Kur Allahu dërgoi të Dërguarin e Tij (a.s.), shumica e feve iu nënshtruan me dëshirë, atij dhe kalifëve pas tij. Ai nuk ia imponoi fenë askujt dhe luftonte vetëm ata që e luftonin dhe nxitnin agresion kundër tij. Sa u përket atyre që bënë paqe me të, ai nuk i luftoi dhe as nuk i detyroi të përqafonin fenë e tij, për shkak të urdhrit të Zotit, i Cili thotë:
“لَا إِكْرَاهَ فِي الدِّينِ ۖ قَد تَّبَيَّنَ الرُّشْدُ مِنَ الْغَيِّ”
“Nuk ka dhunë në fe, sepse tashmë është sqaruar e vërteta nga e pavërteta.” (El-Bekare 2:256)
Versetet dhe hadithet e mësipërme, të cilat duket se urdhërojnë luftën kundrejt të gjithë njerëzve, u referoheshin popujve të caktuar gjatë kohës së Profetit ose luftimit në rrethana specifike si, për shembull, mbrojtja e të shtypurve, në përputhje me fjalët e të Plotfuqishmit:
“وَمَا لَكُمْ لَا تُقَاتِلُونَ فِي سَبِيلِ اللَّهِ وَالْمُسْتَضْعَفِينَ مِنَ الرِّجَالِ وَالنِّسَاءِ وَالْوِلْدَانِ”
“Si është puna me ju që nuk luftoni në rrugë të Allahut dhe për shpëtimin e të shtypurve: për meshkujt e pafuqishëm, gratë dhe fëmijët…” (En Nisa 4:75)
Ose për të parandaluar tiranët që detyrojnë ata që e kanë përqafuar Islamin të braktisin adhurimin e Allahut, të Vetmit, siç thuhet në fjalët e të Plotfuqishmit: “Dhe luftoni kundër tyre derisa të mos ketë më fitne…” (El-Bekare 2:193), ose si masa parandaluese kundër agresionit armik (real, jo imagjinar), siç bënë myslimanët kur persët dërguan trupa për të arrestuar të Dërguarin e Allahut (a.s.), ose kur romakët i nxitën aleatët e tyre, të krishterët e Shamit, kundër myslimanëve. Të krishterët bllokuan rrugët e myslimanëve dhe rrethuan karvanët e tyre tregtarë; ndërsa aleati i romakëve, Shurahbeel ibn Amr el-Ghassani, vrau El-Harith ibn Amr el-Azdin, i cili ishte i dërguari i Profetit te sundimtari i Busrës.
Në të shkuarën, studiuesit janë rrekur të trajtojnë pyetjen e mëposhtme: Në marrëdhëniet ndërkombëtare, është dominuese paqja apo lufta? Shumica pretendonin se ishte paqja, ndërsa të tjerët mendonin se ishte lufta, ndonëse disa prej këtyre të fundit i referoheshin situatës në kohën e tyre, kur nuk ekzistonin kufij të qëndrueshëm dhe as shtetësi ashtu siç e njohim ne sot. Perandoritë ishin në luftë të vazhdueshme për zgjerim territoresh (siç mund të shihet në çdo infografikë që tregon ndryshimet në hartën e Evropës gjatë një mijë viteve të fundit). Nëse do t’u bënim sërish të njëjtën pyetje, duke përdorur një formulim ndryshe dhe duke pyetur: “A preferoni paqen apo luftën?”, ndoshta të gjithë do të përgjigjeshin në favor të paqes. A nuk ka thënë i Dërguari i Allahut (a.s.), pavarësisht nga gjithë sa u përbend më lart:
“Vërtet, Allahu është i butë dhe e do butësinë, dhe Ai jep për shkak të butësisë atë që nuk e jep për shkak të ashpërsisë, as atë që e jep për shkak të ndonjë gjëje tjetër.”
Nëse një komb që sundon me drejtësi bën paqe me ne, u jep siguri myslimanëve brenda kufijve të tij dhe nuk na persekuton, atëherë pse duhet t’i luftojmë ata? Nëse objektivi ynë është që askush të mos privohet nga e drejta për të adhuruar Zotin e tij në paqe, që asnjë tiran të mos nënshtrojë asnjë prej krijesave të Allahut dhe që askush të mos kërcënojë interesat e umetit tonë dhe nëse të gjitha këto mund t’i arrijmë në mënyrë paqësore, a mund të përligjet lufta? A do të mishëronte zgjedhja e luftës në këto rrethana butësinë që Allahu kërkon prej nesh në të gjitha çështjet?
Pavarësisht nga gjithë ky diskutim, ne ende nuk e kemi shqyrtuar thelbin e çështjes në fjalë: luftën. A ishte lufta një mijë vjet më parë e njëjta gjë me luftën e sotme? Kjo nuk është assesi një pyetje e parëndësishme, sepse zbatimi i saktë i rregullave legjislative varet nga kuptimi i realitetit aktual në vendin ku duhet të zbatohen këto rregulla specifike. Në epokën tonë, struktura e kombeve është konsoliduar dhe kufijtë e tyre janë të mirëpërkufizuar, në kontrast me epokat e mëparshme kur kombet nuk gëzonin vetëvendosje. Në vend të kësaj, ato sundoheshin nga dinasti dhe fraksione, sovraniteti i të cilave zgjerohej dhe më pas tkurrej, derisa pushtoheshin nga një tjetër.
Në të shkuarën, fraksionet sunduese luftonin në fushën e betejës, por këto luftime rrallë dëmtonin njerëzit e zakonshëm, fermerët, gratë ose të dobëtit. Për më tepër, masat gëzoheshin kur një komb i drejtë zëvendësonte tiraninë nën të cilën kishin jetuar për dekada ose shekuj të tërë. Kjo gjë i gëzonte tej mase, ashtu siç u gëzuan të krishterët e Shamit kur myslimanët i çliruan nga Roma dhe aleatët e saj. Megjithatë, në ditët e sotme çmimi i luftës është përhapja e kaosit, korrupsionit dhe tragjedive indiskriminuese që nuk bëjnë dallim mes ushtarëve dhe civilëve – sepse bombat dhe raketat nuk janë e njëjta gjë si shigjetat dhe shtizat. Nëse Imam Ibn Tejmija kishte mendimin se katapulta nuk mund të përdoret përveçse për xhihadin e nevojshëm (për të sprapsur armikun),[2] çfarë do të thoshte ai për armët moderne?
Në të kaluarën, xhihadi ndonjëherë nevojitej për të garantuar përhapjen e thirrjes tek i gjithë njerëzimi, sepse ai largonte pengesat – tiranët dhe regjimet e tyre shtypëse – që e pengonin atë. Në kohët tona, përhapja e thirrjes është e mundur nëpërmjet xhihadit të artikulimit dhe gjuhës, nëpërmjet transmetimeve, kanaleve satelitore dhe veçanërisht internetit, i cili mund të transmetojë mesazhe të shkruara, audio dhe video. Për më tepër, thirrësit mund të udhëtojnë në vende të largëta, të përzihen me njerëzit e tyre dhe t’i ftojnë ata, e gjitha kjo në siguri të plotë.
Për ta përmbyllur këtë pikë, duhet thënë se ne nuk mund ta mohojmë kurrë virtytin e xhihadit dhe martirizimit në Islam si dhe rolin që këto vlera luajnë në frymëzimin e popullit të tij. Guximi, dinjiteti, nderi dhe sakrifica vazhdojnë të mbeten vlera themelore. Megjithatë, duhet të jemi gjithashtu të sigurt se Islami preferon vendosmërisht paqen mbi luftën.
Parimi bazë që rregullon marrëdhëniet mes shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara është ai i paqes. Të gjitha shtetet myslimane që e kanë nënshkruar kartën e kësaj organizate janë zotuar për paqe me pjesën tjetër të shteteve nënshkruese. Një besëlidhje e tillë është e pranueshme në Islam, dhe si përkufizim, e bën të gjithë botën një vend të muwâda’ah (paqes). Fukahatë hanefinj kanë deklaruar se al-muwâda’at al-mutlaqah (një traktat paqeje pa një kusht të dakordësuar) është një prej llojeve të vlefshme të traktateve. [Shih Al-Kâsâni, Bada’i‘ as-Sana’i‘, 6:77.] Sidoqoftë, mbi këtë temë ekziston një ndryshim mendimesh midis shkollave shafi dhe hanbeli, por Ibn el-Kajimi (vdiq më 751 hixhri/1350 të erës sonë), juristi i famshëm hanbeli dhe dishepulli i Ibn Tejmijes (vdiq më 728 hixhri/1328 të erës sonë), ka parashtruar një argument të fortë për vlefshmërinë e traktateve të tilla. [Shih Ibn el-Kajimi, Aḥkam Ahl adh-Dhimmah (Bejrut: Dâr al-Kutub al-‘Ilmiyah, 2002), 1:336-344.] Imam Muhamed ibn Idris esh-Shafiu (vdiq më 204 hixhri/820 të erës sonë) ka deklaruar shprehimisht se një traktat i tillë është i vlefshëm nëse palëve u jepet mundësia ta përfundojnë traktatin sipas dëshirës. [Shih Muhammed ibn Idris ash-Shâfi‘i, al-Umm (Kajro: Dâr al-Fikr, 1961), 4:110.] … Uthmân ibn Affâni nënshkroi një traktat me nubianët ku deklaronte:
Ne (myslimanët) nuk do të bëjmë luftë kundër jush, nuk do të përgatitemi për luftë kundër jush, as nuk do t’ju sulmojmë, për sa kohë që ju i zbatoni kushtet e traktatit… Por, sakaq, ne nuk jemi të detyruar të zmbrapsim armiqtë që mund t’ju rrethojnë ose t’i pengojmë që të vijnë drejt jush midis kufijve që përfshijnë territorin Ulwah dhe Aswan. [Shih Muhammed Hamidullah (1987), Sjellja e Shtetit të Myslimanëve, f. 293.]
Ekziston edhe një aspekt tjetër relevant që lipset diskutuar, lufta që konsiderohet e justifikueshme sipas Islamit, është një luftë etike që duhet të jetë në përputhje me sheriatin. Bëhet fjalë për një luftë ku civilët ose, për të qenë më të saktë, joluftëtarët nuk mund të preken. Ebu Daudi transmeton nga Enesi se kur përgatiteshin për luftë, Profeti (a.s.) i udhëzonte të mos vrisnin “burra të moshuar, fëmijë ose gra” dhe u drejtohej duke thënë: “Bëni drejtësi dhe tregoni mirësi, sepse Allahu i do ata që janë të mirë.” Ibn Mâjah ka shtuar se Profeti (a.s.) e ka ndaluar vrasjen e asifëve, një term që mund të përkthehet si një lidhje joluftëtare me ushtrinë.
Dashtë Allahu të kemi paqe, drejtësi dhe siguri për të pikëlluarit dhe vuajtjet e njerëzimit!
Përktheu: Qendra për Hulumtime, Minber
Bibliografia
[1] For example, in the First book of Samuel 15: 1-3, Samuel said to Saul:
I am the one the LORD sent to anoint you king over his people Israel; so listen now to the message from the LORD. 2 This is what the LORD Almighty says: `I will punish the Amalekites for what they did to Israel when they waylaid them as they came up from Egypt. 3 Now go, attack the Amalekites and totally destroy [a] everything that belongs to them. Do not spare them; put to death men and women, children and infants, cattle and sheep, camels and donkeys.
According to Deuteronomy 20:10-18, God said:
10 When you march up to attack a city, make its people an offer of peace. 11 If they accept and open their gates, all the people in it shall be subject to forced labor and shall work for you. 12 If they refuse to make peace and they engage you in battle, lay siege to that city. 13 When the LORD your God delivers it into your hand, put to the sword all the men in it. 14 As for the women, the children, the livestock and everything else in the city, you may take these as plunder for yourselves. And you may use the plunder the LORD your God gives you from your enemies. 15 This is how you are to treat all the cities that are at a distance from you and do not belong to the nations nearby. 16 However, in the cities of the nations the LORD your God is giving you as an inheritance, do not leave alive anything that breathes. 17 Completely destroy [a] them—the Hittites, Amorites, Canaanites, Perizzites, Hivites and Jebusites—as the LORD your God has commanded you. 18 Otherwise, they will teach you to follow all the detestable things they do in worshiping their gods, and you will sin against the LORD your God.
In Numbers 31:17-18, Moosâ said, “17 Now kill all the boys. And kill every woman who has slept with a man, 18 but save for yourselves every girl who has never slept with a man.”
And in Joshua 6: 21, “They devoted the city to the LORD and destroyed with the sword every living thing in it-men and women, young and old, cattle, sheep and donkeys.”
[2] Majmoo‘ al-Fatâwâ, 24/69.