Pse duhet të zgjedhim mes glorifikimit të fesë ose glorifikimit të atdheut
William T. Cavanaugh
Kohëve të fundit, në politikën amerikane, është rritur shqetësimi lidhur me përhapjen e nacionalizmit të krishterë, besimi se Shtetet e Bashkuara, që nga themelimi i tyre, kanë qenë një vend esencialisht i krishterë, dhe kësisoj kanë një rol providencial në histori. Nacionalistët e krishterë mbështesin ligje, financime, dhe simbole publike që promovojnë praktikën e krishterë dhe moralin kristian. Në SHBA-në e sotme, nacionalizmi i krishterë asociohet pothuajse ekskluzivisht me kauzat e krahut të djathtë, mes të cilave përfshihet kundërshtimi i emigrantëve dhe kundërshtimi i pakicave racore, fetare dhe seksuale. Nacionalizmi fetar nuk është ekskluzivitet i Krishtërimit apo Amerikës, përkundrazi, versioni jonë konsiderohet si shembull i një fenomeni më të gjerë: mund të gjejmë lehtësisht variacione të nacionalizmit fetar në Indi, Izrael, Turqi, Mianmar e kështu me radhë.1
Në shumicën e analizave mbi nacionalizmin fetar ose të krishterë, theksi vihet te “i krishterë” ose “fetar”: supozohet se ka diçka veçanërisht të rrezikshme në ndërthurjen e fesë me politikën. Megjithatë, këtu dua të përqendrohem te termi i dytë në këto shprehje: nacionalizmi. Problemi nuk është vetëm nacionalizmi i krishterë, por nacionalizmi në përgjithësi, i praktikuar si nga të krishterët ashtu edhe nga jo-të krishterët. Zgjidhja e problemit të nacionalizmit fetar nuk është nacionalizmi laik. Në fakt, nacionalizmi, qoftë fetar apo laik, është një formë idhujtarie, edhe pse një formë idhujtarie plot shkëlqim, e cila është e rrezikshme pikërisht sepse evokon virtytet autentike, si dashuria për të afërmit dhe gatishmëria për të sakrifikuar për ta. Kësisoj, pyetja e mundimshme është: si ta dimë kur një virtyt i tillë shndërrohet në ves.
Ideja se nacionalizmi është idhujtari, mund të tingëllojë si një pohim i fortë, por faktikisht, ai thjesht i atribuon një emër teologjik një realiteti që disa sociologë e kanë njohur për më shumë se një shekull. Shumë studiues të nacionalizmit, janë të bindur se nacionalizmi, në vetvete, është një fe, pavarësisht faktit nëse përfshihet apo jo ndonjë besim si Krishterimi apo Islami. Përdorimi i termit “fe” në këtë mënyrë, është i ndryshëm nga mënyra se si përdoret zakonisht – domethënë, për t’ju referuar adhurimit eksplicit të një zoti ose zotave. Ta përkufizosh nacionalizmin – madje edhe nacionalizmin laik – si fe, do të thotë të supozosh se feja është më e gjerë sesa thjesht adhurimi eksplicit i një zoti të emërtuar, dhe do të thotë të supozosh se ajo që është vendimtare nuk është ajo që njerëzit thonë se besojnë, por mënyra se si sillen në të vërtetë.
Nëse dikush pretendon se është i krishterë, por, sakaq, nuk shkon kurrë në kishë dhe e kalon të gjithë kohën duke menduar për tregun e aksioneve, atëherë ideja konvencionale se kapitalizmi është feja e tyre është më afër së vërtetës. Kjo është baza e idesë, e cila e sheh “idhujtarinë” si diçka më tepër sesa sakrifikimi i një dhie për Baalin. Kur Shën Pali thotë se lakmia është idhujtari (Kolosianëve 3:5), ai nuk nënkupton se njerëzit në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë përkulen dhe adhurojnë paratë, përkundrazi, ai nënkupton se sjellja e tyre shpërfaq një devocion të tepruar ndaj një realiteti të krijuar që nuk është Zoti. Nuk është nevoja të pohohet kategorikisht se vendi i tyre është zoti i tyre dhe nacionalizmi është feja e tyre, përsa kohë që sjellja dhe qëndrimet e tyre e demonstrojnë këtë.
Në sociologji, ky konceptim gjenerik i fesë asociohet veçanërisht me Émile Durkheimin, i cili rridhte nga një familje rabinësh dhe studio për t’u bërë i tillë. Pasi braktisi besimin në Zot, Durkheimi arriti në konkluzionin se feja kishte të bënte me dinamikën sociale dhe jo me ndonjë realitet hyjnor; kësisoj, feja është adhurimi i vetes nga ana e grupit. “Forca fetare është vetëm ndjenja e frymëzuar nga grupi tek anëtarët e tij, por e projektuar jashtë vetëdijes që i përjeton dhe e objektivizuar. Për t’u objektivizuar, ata i atribuojnë shenjtëri një objekti; por çdo objekt mund ta përmbushë këtë funksion.”2
Nuk ka rëndësi nëse adhurimi kolektiv i vetes projektohet mbi një zot apo një flamur. Përkufizimi që i bën fesë Durkheimi mund të na duket idiosinkretik, por ideja se njerëzit mund të adhurojnë gjithçka, nuk është gjë tjetër veçse një përsëritje e kritikës biblike mbi idhujtarinë, të cilën do të mund ta kishte përvetësuar në shkollën rabinike; i vetmi ndryshim është se traditat abrahamike besojnë se midis gjithë zotave të rremë ekziston një Zot i vërtetë. Durkheimi braktisi besimin në Zotin e Abrahamit dhe nuk shqetësohej aspak nga fakti se devocioni ndaj kombit të vet po zëvendësonte devocionin ndaj Zotit biblik në Perëndimin modern. Faktikisht, ai ishte një patriot i flaktë francez, megjithëse vdekja e djalit të tij në Luftën e Parë Botërore e bëri armiqësor ndaj kauzës nacionaliste.
Carlton Hayes, profesor i historisë në Universitetin e Kolumbias, duke marrë shkas nga fanatizmi dhe masakra e Luftës së Parë Botërore, nisi hetimet e tij mbi nacionalizmin, gjë që rezultoi në esenë e tij të vitit 1926 “Nacionalizmi si Fe” dhe librin e tij të vitit 1960 “Nacionalizmi: Një Fe”. Hayes, ashtu si Durkheimi, identifikoi një qëndrueshmëri të “ndjesisë fetare” tek njeriu, e cila në modernitet është zhvendosur nga kisha te kombi. Kombi është zoti i njeriut modern, nga i cili ai varet për mbrojtje dhe shpëtim.
Hayes ofron një elaborim të detajuar mbi mitet, ditët e festave dhe liturgjitë që rrethojnë flamurin, heronjtë kombëtarë dhe ngjarjet themelore në historinë e kombit. Nacionalizmi bazohet veçanërisht mbi teologjinë e sakrificës: “Ndoshta prova më e sigurt e karakterit fetar të nacionalizmit modern është zelli me të cilin të gjithë besimtarët e tij, kanë dhënë jetën e tyre në fushat e betejës gjatë njëqind viteve të fundit.”3
Kohët e fundit, Carolyn Marvin dhe David Ingle kanë shkruar: “Nacionalizmi është feja më e fuqishme në Shtetet e Bashkuara, dhe ndoshta edhe në shumë vende të tjera.”4 Nacionalizmi është kaq i fuqishëm sepse është adhurimi i “të gjithëve ne”, një lloj adhurimi kolektiv i vetes, i projektuar fillimisht nga elitat, por i pranuar dhe i riprodhuar nga njerëzit e thjeshtë.
Çfarë i detyron njerëzit ta konsiderojnë kaq fascinuese idenë e devocionit ndaj kombit? Ekziston një ndjenjë popullore se devocioni ndaj vendit tënd është një nga tiparet më të admirueshme dhe më të virtytshme që mund të gjenden tek një njeri. Çka do të thotë të jesh një njeri për të tjerët: të njohësh realitetin thellësisht njerëzor të ndërlidhjes sonë me njerëzit e tjerë, jo thjesht njerëzimin abstrakt, por njerëzit e tjerë të mishëruar në emra dhe fytyra. Do të thotë të dëshirosh atë që është më e mira për ata njerëz, do të thotë të dëshirosh të mirën e përbashkët, gjë që është ekzaktësisht ajo që kërkojnë traditat e mëdha të besimit. Përkushtimi ndaj kombit është një shkollë virtytesh, sepse instalon disiplinën morale, e cila prioritizon të tjerët para vetes.
Përtej një marrëdhënieje thjesht kontraktuale, në të cilën dikush bën një analizë të ftohtë kosto-përfitim të ndërveprimeve të dikujt me të tjerët, ata që e duan vendin e tyre janë të gatshëm t’u shërbejnë të tjerëve pa llogaritur koston, sepse ndihen pjesë e diçkaje më të madhe se vetja e tyre individuale. Devocioni ndaj kombit na bën thirrje të kapërcejmë narcizmin e interesit të ngushtë vetjak. Kjo ndjenjë përkatësie është veçanërisht e fortë në një komb emigrantësh si Shtetet e Bashkuara, ku gjenerata emigrantësh janë përpjekur të integrohen duke theksuar devocionin e tyre ndaj kombit.
Vetëflijimi është kulmi i këtij devocioni, siç mund të shihet në imazhet që e përngjasojnë vetëmohimin e ushtarit amerikan me vetëmohimin e Jezu Krishtit. Sipas një meme të mirënjohur, “Vetëm dy forca determinuese janë vetë-ofruar të vdesin për ju: Jezu Krishti dhe Ushtari Amerikan”. Megjithatë, duhet të theksojmë se ushtarët, ndryshe nga Jezusi, janë gjithashtu të destinuar të vrasin për ju; njerëzit respektojnë rreziqet, vështirësitë dhe disiplinën së cilës ushtari i nënshtrohet me dëshirë, në emër të diçkaje më të madhe se vetvetja.
Në masë dërrmuese, të krishterët, hebrenjtë, myslimanët dhe anëtarët e besimeve të tjera në vendet perëndimore e kanë asimiluar besimin e tyre me besimin në komb. Shumë të krishterë në Shtetet e Bashkuara e shohin nacionalizmin e tyre si rrjedhojë e besimit të krishterë dhe madje si të kërkuar prej tij. Nacionalistët e krishterë shpesh bëjnë një përzierje sinkretike të simboleve dhe gjuhës së krishterë me ato amerikane, si në Rruazaren Patriotike, në të cilën secila prej pesëdhjetë rruazave shoqërohet me një shtet të SHBA-së, dhe Misteret para çdo dekade përbëhen nga citate të personazheve si George Ëashington, John Adams dhe Robert E. Lee. Si rregull, të krishterët kanë qenë nacionalistë, por jo nacionalistë të krishterë.
Nacionalizmi amerikan dhe Krishterimi kanë operuar në shina paralele, njëra publike dhe tjetra private. Politikanët amerikanë, të cilët kanë qenë kryesisht të krishterë, në diskursin publik, nuk i referohen Krishtit apo Zotit Trinitar, por një “Zoti” të përgjithshëm që identifikohet me rolin eksepcional/shpëtimtar të Amerikës në historinë njerëzore. Robert Bellah, i cili e shihte nacionalizmin si “fenë civile” të Amerikës, nuk e konsideronte domosdoshmërisht konfliktual me Krishterimin, Islamin apo Judaizmin; njerëzit mund të kenë dy fe dhe të mos shohin asnjëlloj konflikti ndërmjet tyre sepse të dyja i drejtohen diçkaje që tejkalon këtë botë. Për shumicën e të krishterëve, Krishtërimi dhe feja civile – njëra për konsum privat, tjetra për përdorim publik – janë manifestime të një realiteti më të gjerë fetar, përfundimtar dhe universal.
Sakaq, disa mendimtarë janë më pak të sigurt për ekzistencën e njëkohshme të dy feve, dhe e shohin fenë civile amerikane në konkurrencë të drejtpërdrejtë me traditat fetare abrahamike. Hayes, i cili u konvertua në katolicizëm për shkak të mënyrës se si ai transhendon kufijtë kombëtarë, mendonte se nacionalizmi ishte idhujtari, “egoizëm tribal dhe kotësi”.5 Megjithëse ishte i bindur se “bastioni i fundit i njerëzimit kundër gabimeve dhe të këqijave të nacionalizmit është Kisha Katolike”, sidoqoftë, ai i kritikoi shumë prej bashkë-besimtarëve të tij, të së kaluarës dhe të tashmes, të cilët “e vendosin nacionalizmin mbi besimin tonë, dhe, kësisoj, ndihmojnë dhe ngushëllojnë armikun tonë më këmbëngulës dhe më tinëzar”.6
Duke qenë se feja civile huazon format e ritualeve, simboleve dhe miteve nga Krishtërimi, shumë njerëz mendojnë se ajo është derivat, thjesht një imitim i fesë “reale”. Në fakt, e kundërta është e vërtetë: feja civile amerikane është feja e vërtetë e shoqërisë amerikane sepse kontrollon dhe dirigjon dhunën. Adhurimi i autoritetit vrastar është qendror për këtë fe; zoti është ai që zotëron jetën dhe vdekjen. Sakaq, aderimi në një fe sektare është opsionale dhe amerikanët shumë rrallë kanë vrarë ose vdekur për Metodizmin, Katolicizmin, Judaizmin, Islamin ose Budizmin.
Megjithatë, praktikimi i fesë civile është një rregull normativ dhe shumica e amerikanëve e konsiderojnë të nevojshme dhe të lavdërueshme vrasjen dhe vdekjen për vendin e tyre. Siç shkruajnë Marvin dhe Ingle, “Edhe pse në Shtetet e Bashkuara lejohet ekzistenca e besimeve fetare, atyre nuk u lejohet të vrasin, sepse besimet e tyre nuk janë zyrtarisht të vërteta. Ajo që është thellësisht e vërtetë në çdo shoqëri është ajo për të cilën ia vlen të vritet dhe ajo për të cilën qytetarët mund të detyrohen të sakrifikojnë jetën e tyre.”7 Presidentët amerikanë në përgjithësi e shohin me dashamirësi frekuentimin e kishës, por konsiderojnë si “të vërtetë dhe të shenjtë” obligimin ndaj ushtrisë sonë.
Në Shtetet e Bashkuara ekziston një ndarje rolesh midis fesë publike civile dhe fesë private tradicionale, por, sidoqoftë, vetëm njëra prej tyre kontrollon mjetet e dhunës; shteti modern, sipas përkufizimit famoz të Max Weber-it, është agjencia që zotëron monopolin mbi përdorimin legjitim të dhunës. Sakaq, ky monopol varet nga besnikëria ekskluzive e besimtarëve të tij. Vetëm nacionalizmi mund të mobilizojë devocionin sakrifikues të qytetarëve. Nuk mund të ketë më shumë se një fe të vërtetë. Fetë që pretendojnë vërtetësi objektive dhe publike duhet të konkurrojnë mes tyre. Kësisoj, rritja e nacionalizmit dhe zbehja e Krishterimit në Perëndim, ishte produkt i transferimit të autoritetit vrasës nga kisha te shteti komb.8
Krishtërimi vazhdon të praktikohet nga miliona njerëz në Perëndim, por është opsional, privat, nuk është zyrtarisht i vërtetë dhe është i autorizuar të veprojë vetëm për aq sa nuk ndërhyn në adhurimin e zotit kombëtar. Kësodore, nacionalizmin e krishterë mund ta konsiderojmë si të pavërtetë përsa kohë që nuk zotëron fuqi shtrënguese. Kjo është arsyeja – besojnë nacionalistët e krishterë – se pse të krishterët duhet të rimarrin frerët e kontrollit në Shtetet e Bashkuara. Krishtërimi mund të jetë publikisht i vërtetë vetëm nëse i nënshtrohet fuqisë amerikane.
Në këtë kontekst, pyetja me të cilën përballemi, është kjo: A ekziston një Zot i vërtetë që nuk varet nga fuqia shtrënguese e kësaj bote? Në shkrimet e shenjta hebraike, një nga format e idhujtarisë së dënueshme, është mbështetja në fuqinë ushtarake: “Mjerë ata që zbresin në Egjipt për ndihmë dhe që mbështeten te kuajt, që besojnë te qerret sepse janë të shumta dhe te kalorësit sepse janë shumë të fortë, por nuk shikojnë te i Shenjti i Izraelit dhe nuk konsultohen me Zotin!” (Isaia 31:1). Në Ungjill, djalli i ofron Jezusit të gjitha mbretëritë e botës, nëse ai i përulet dhe e adhuron atë. Përgjigja e Jezusit, “Adhuro Zotin, Perëndinë tënd, dhe shërbeji vetëm atij” (Mateu 4:10), ishte një citat nga Deuteronomy 6:13, i pasuar nga “Mos ndiqni zota të tjerë, asnjë nga zotat e popujve përreth jush, sepse Zoti, Perëndia yt, që është prezent me ju, është një Zot xheloz” (6:14–15). Durkheimi nuk e mori në konsideratë mundësinë e një Zoti që nuk shenjon thjesht një emër tjetër për fuqinë njerëzore. Ne, nga ana tjetër, mund të konsiderojmë mundësinë, se zoti kombëtar, zyrtarisht i vërtetë, është një zot idhujtar, por sidoqoftë, ekziston një Zot tjetër në të cilin dhuna nuk e ka fjalën e fundit.
Për ata që besojnë në këtë Zot, shmangia e idhujtarisë është sa e domosdoshme aq edhe e vështirë. Ajo, nuk limitohet thjesht në deklarimin e besimit ekskluziv në Zotin e Abrahamit, sepse idhujtaria është më së pari një çështje sjelljeje, jo thjesht besimi. Idhujtaria nuk është vetëm një gabim metafizik, por një çështje pabesie/mosmirënjohje, duke i dedikuar devocion eksesiv diçkaje tjetër përveç Zotit. Kjo nuk do të thotë që besimet janë të parëndësishme, porse ajo që njerëzit në të vërtetë besojnë pasqyrohet më saktë nga ajo që bëjnë sesa nga ajo që pretendojnë se besojnë. Për të njëjtën arsye, idhujtaria është pak a shumë vazhdimësi e idesë së mësipërme.
Në cilën pikë, mbështetja te fuqia ushtarake ose te llogaria e pensionit bëhet eksesive? Në çfarë pike dashuria për vendin tim prevalon mbi detyrimin tim ndaj fëmijëve të Zotit që jetojnë përtej kufijve tanë? Në rastin e nacionalizmit, këto pyetje janë veçanërisht të vështira, sepse devocioni ndaj vendit tënd mishëron virtyte reale, të tilla si dashuria për fqinjët, përkushtimi ndaj diçkaje më të madhe se vetja individuale dhe gatishmëria për të sakrifikuar për të tjerët. Libri i Urtësisë ofron një perspektivë dashamirëse ndaj njerëzve idhujtarë, të cilët bien në dashuri me krijimin, sepse Zoti e bëri perfekt: “Megjithatë, këta njerëz janë pak për t’u fajësuar, sepse ndoshta ata humbasin rrugën duke kërkuar Zotin dhe duke dëshiruar ta gjejnë Atë. Sepse, teksa jetojnë midis veprave të Tij, ata vazhdojnë të kërkojnë dhe i besojnë asaj që shohin, sepse gjërat që shihen janë të bukura” (Urtësia 13:6-7). Është e vështirë për krijesat materiale që të adhurojnë një Zot të padukshëm, veçanërisht kur ky Zot na ka rrethuar me njerëz dhe tokë kaq të mrekullueshme.
Shumë besimtarë u përgjigjen këtyre pyetjeve të vështira duke bërë dallim midis nacionalizmit dhe patriotizmit. Edhe pse disa njerëz e përdorin me krenari etiketën nacionaliste, të tjerë, si Akademia Papnore e Shkencave Sociale, e përdorin termin “nacionalizëm” në mënyrë pezhorative për të nënkuptuar “një perversion të patriotizmit”, i cili “përcaktohet si dashuri [për] atdheun dhe gatishmëria, që rrjedh nga kjo dashuri, për të kontribuar në zhvillimin e tij dhe për ta mbrojtur atë”.9 Patriotizmi është fisnik dhe gjithëpërfshirës; nacionalizmi është imperialist dhe përjashtues.
Sigurisht që lipset të bëhet një dallim midis shqetësimit të sinqertë për fqinjët dhe një përjashtimi agresiv të atyre që nuk janë ende fqinjët tanë. Megjithatë, ky dallim, ashtu si idhujtaria, është on a continnum, dhe kategoritë “patriot” (i mirë) dhe “nacionalist” (i keq) e bëjnë dallimin të duket më i mprehtë nga ç’është në të vërtetë. Dallimi ndërmjet patriotizmit dhe nacionalizmit, mund të jetë gjithashtu një përpjekje për t’u marrë me një problem real në nivel verbal, më tepër sesa në terma të sjelljes sonë. Idhujtaria, siç u përmend më parë, është më shumë çështje sjelljeje sesa besimi. Shumë shpesh, zëvendësimi i gjuhës nacionaliste me gjuhën e patriotizmit, është hiç më shumë se një ushtrim për ripërtëritjen e imazhit. Më konkretisht, dallimi midis patriotizmit dhe nacionalizmit, shumë shpesh, nuk është gjë tjetër veçse dallimi midis asaj që bëjmë ne dhe asaj që bëni ju. Kur turqit organizojnë një paradë ushtarake, është nacionalizëm; kur organizojnë SHBA-të, është patriotizëm.
Të jesh njeri nënkupton të kesh të gjitha llojet e asociacioneve të natyrshme – si, për shembull, familja – që mund, ndonëse jo domosdoshmërisht, të na shkëpusin nga adhurimi i Zotit. Është e pamundur që t’i braktisim të gjitha asociacionet tokësore për të adhuruar Zotin; bërja e kësaj do të ishte çnjerëzore. Pra, ne pretendojmë një patriotizëm të virtytshëm në vend të një nacionalizmi të lig, duke e mbajtur nën kontroll devocionin tonë ndaj kombit nëpërmjet devocionit tonë ndaj Zotit. Problemi me një vizion kaq tërheqës dhe të ekuilibruar është se ai bazohet në një dispozicion interior, thjesht për të eleminuar dinamika më të gjera shoqërore.
Devocioni ndaj kombit, nuk është më pak fe, thjesht sepse dikush dëshiron që të jetë kështu. Këtu, implikohet shumë më tepër sesa thjesht zgjedhja e individit për të qenë patriot në vend se të jetë nacionalist ose vendosja e Zotit mbi kombin. Në diskutim është “imagjinata shoqërore”, mënyra se si historitë, ritualet, simbolet shoqërore dhe politike kontribuojnë për modelimin e njerëzve – shpirtin dhe trupin – dhe botën në të cilën ata jetojnë. Me fjalë të tjera, në diskutim nuk janë thjesht zotat e zgjedhur, por ata që na janë dhënë. Sa i përket idhujtarisë, e rëndësishme është ajo që është e vërtetë publikisht.
Nuk ekziston një formulë sempliste për të përcaktuar se kur dashuria për atdheun është shndërruar në idhujtari, një lloj narcizmi kolektiv. Megjithatë, unë sugjeroj dy kritere që duhen peshuar me kujdes. I pari është dhuna. A është hyjnorja e lidhur me atë për të cilën jemi të gatshëm të vrasim, në mënyrë të tillë që gatishmëria për të vrarë të shihet si kulmi i virtytit? A kërkon zoti që ne pretendojmë se adhurojmë qasje në fuqitë shtrënguese të shtetit? Kriteri i dytë është përjashtimi. A përfundon shqetësimi për të mirën e përbashkët në kufijtë e kushtëzuar historikisht të shtetit-komb në të cilin jetojmë? A varet dashuria jonë për të afërmin nga identifikimi dhe shpifja kundrejt armiqve, qoftë të brendshëm apo të jashtëm, të cilët kërcënojnë puritanizmin e kombit? Nëse përgjigjet e këtyre pyetjeve janë pohuese, atëherë idhujtaria është një rrezik i qartë dhe i pranishëm.
Nacionalizmi është një ideologji fleksibile. Ai mund të derivohet si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, poashtu, ai mund të jetë laik ose i identifikuar qartësisht me një traditë fetare. Unë kam sugjeruar se problemet që lidhen me nacionalizmin nuk shpërbëhen kur nacionalizmi fetar ia lë vendin nacionalizmit laik, pikërisht sepse vetë nacionalizmi është një lloj feje që na ofron një zot të ri për ta adhuruar, një zot të ri për të na shpëtuar, një zot që shumë shpesh nuk është gjë tjetër veçse një pasqyrim i narcizmit dhe frikës sonë.
Ne duhet të adhurojmë një Zot që na nxit njëkohësisht të duam të afërmin tonë dhe, poashtu, të amplifikojmë definicionin për atë që konsiderojmë si të afërmin tonë. Jezusi na ofron shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë në përgjigje të pyetjes “Kush është i afërmi im?”. Përgjigja e tij tregon se i afërmi është si dikush, individi i plagosur që gjendet para jush, këtu dhe tani, ashtu edhe kushdo, i gjithë njerëzimi, i cili tejkalon kufijtë kombëtarë. Ne duhet të jemi njëkohësisht shumë lokalë dhe shumë universalë, të investohemi konkretisht në komunitetet tona lokale dhe gjithashtu të jemi bujarisht të hapur ndaj të gjithë fëmijëve të Zotit përtej kufijve tanë. Kjo është mënyra për ta adhuruar Zotin e paqes në realitet dhe jo vetëm me fjalë.
Përktheu: Qendra për Hulumtime, Minber
Bibliografia
- 1See, for example, Katherine Steëart, Poëer Ëorshippers: Inside the Dangerous Rise of Religious Nationalism (Neë York: Bloomsbury, 2022); and Mark Juergensmeyer, The Neë Cold Ëar? Religious Nationalism Confronts the Secular State (Berkeley: University of California Press, 1993).
- 2Émile Durkheim, The Elementary Forms of the Religious Life, trans. Joseph Ëard Sëain (Neë York: Free Press, 1965), 261.
- 3Carlton J. H. Hayes, “Nationalism as a Religion,” in Essays on Nationalism (Neë York: Macmillan, 1928), §6, https://ëëë.panarchy.org/hayes/nationalism.html.
- 4Carolyn Marvin and David Ë. Ingle, “Blood Sacrifice and the Nation: Revisiting Civil Religion,” Journal of the American Academy of Religion 64, no. 4 (Ëinter 1996): 767.
- 5Hayes, “Nationalism as a Religion,” §8.
- 6Both quotes are from the closing paragraph of Carlton J. H. Hayes, “The Church and Nationalism: A Plea for Further Study of a Major Issue,” Catholic Historical Revieë 28, no. 1 (April 1942): 12.
- 7Carolyn Marvin and David Ë. Ingle, Blood Sacrifice and the Nation: Totem Rituals and the American Flag (Cambridge: Cambridge University Press, 1999), 9.
- 8Marvin and Ingle, 25.
- 9Pontifical Academy of Social Sciences, “Final Statement on Nation, State, and Nation-State,” May 3, 2019, https://ëëë.pass.va/en/events/2019/nation_state/statement.html.