Hulumtime MINBER

Njeriu është udhëtar në këtë jetë. Një rrugëtim që nis nga dheu dhe vazhdon te pikëza e jetës, vijon nga fëmijëria në rini, nga rinia në pjekuri, nga pjekuria në pleqëri e nga pleqëria sërish drejt kthimit në tokë (Mumin, 67). Mirëpo, udhëtimi nuk përfundon as aty. Ai vazhdon nga varri drejt ringjalljes (mahsherit), nga ringjallja drejt llogaridhënies e kështu me radhë… Në fund të fundit, njeriu vjen prej Allahut dhe sërish tek Ai do të kthehet (Bekare, 156).

Njeriu është në lëvizje të pandalshme gjatë gjithë jetës. Kjo gjendje vijon nga lindja deri në vdekje; ai zhvendoset vazhdimisht nga një vend në tjetrin. Megjithatë, kjo lëvizje fiton një domethënie të veçantë në personalitetin e profetëve. Tek ata, ecja dhe lëvizja bëhet me qëllim përmirësimin shpirtëror dhe ngritjen e tij drejt një pike më të lartë. Përndryshe, një ecje që nuk sjell ndryshim dhe zhvillim shpirtëror, është e pakuptimtë. Kësisoj, profetët dhe miqtë e Allahut nga njëra anë kanë kryer hixhretin (mërgimin fizik), ndërsa nga ana tjetër kanë vijuar rrugëtimin në botën e tyre të brendshme. Në këtë kontekst, profetët Jusuf, Musa dhe së fundi Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi ta), janë shembujt e parë që na vijnë ndër mend.

Edhe haxhi, në rrafshin e jashtëm, është një ecje dhe ndryshim vendi. Ashtu siç është një ndryshim hapësinor në kuptimin fizik, ai është edhe një hixhret/migrim që ndodh në botën tonë të brendshme. Është një shtegtim drejt Krijuesit tonë të Lartmadhëruar. Një marshim që vazhdon nga devijimet e shejtanit drejt orientimeve të Rrahmanit (Zotit Mëshirues); nga rëniet epshore drejt lartësimeve shpirtërore. Një udhëtim nga e kota drejt së vërtetës, nga e keqja drejt së mirës dhe nga e shëmtuara drejt së bukurës. Haxhiu është ai që thotë “Zoti im është Allahu” dhe ecën me vendosmëri në rrugën e Tij (Fusilet, 30).

Në të vërtetë, në rrafshin e jashtëm, haxhiu përshkon mijëra kilometra, duke u ndarë nga vendi e vatra e tij. Mirëpo, udhëtimin e vërtetë ai e kryen në botën e tij të brendshme. Kjo, sepse ai është në kërkim të dritës që do t’i ndriçojë mendjen dhe zemrën; është në përpjekje për t’i shtuar kuptime dhe bukuri të reja botës së vlerave. Kjo ngjan me shembullin e ensarëve, të cilët e bënë Medinën vatër të tyre dhe e rrënjosën besimin (imanin) thellë në zemrat e tyre (Hashr, 9).

Haxhiu nuk e ka pasur fatin të ulet përpara të Dërguarit të nderuar e as të dëgjojë fjalët që rridhnin nga gjuha e tij e bekuar. Megjithatë, shekuj më vonë, ai përpiqet të përfitojë nga trashëgimia shpirtërore që ai la pas. A nuk është edhe kjo një mirësi dhe fat i madh?

Njerëzit që vijnë nga të katër anët e botës për të vizituar vendet e shenjta, në të vërtetë janë në kërkim të vetvetes. Haxhi, në njëfarë kuptimi, është një mundësi për njeriun që ka harruar veten, për rizbulimin e saj. Haxhinjtë janë në gjurmim të rrugëve shpirtërore që do të hapen në botën e tyre të brendshme. Po ashtu, ata përpiqen të zbërthejnë kodet e programuara në jetën e tyre shpirtërore.

Një vëzhgues i jashtëm mund të mendojë se haxhinjtë janë në ndjekje të diçkaje tjetër. Por, në fakt, ata po ndjekin gjurmët e pishtarit të shpalljes (vahjit) në botën e tyre të brendshme. Me këtë gjendje ata kërkojnë vazhdimisht pëlqimin e Krijuesit të Lartë. E Ai, nën udhëheqjen e shpalljes, i shpie ata drejt shtigjeve të paqes dhe lumturisë (Maide, 16).

Haxhiu imagjinon banorët e hershëm të Medinës së ndritshme, ensarët e muhaxhirët dhe përpiqet t’i kuptojë ata. Po, ata njerëz të bekuar nuk jetonin në qytete vezulluese e plot shkëlqim si këto të sotmet. Megjithatë, pa dyshim, ata jetonin në një botë bukurish shpirtërore të ndriçuar nga shpallja (vahji). Ata nuk kishin mjete ndriçimi si këto të sotmet, që i shndërrojnë rrugët dhe shtëpitë në një festë dritash. Përkundrazi, ata jetonin në hapësira të errëta dhe modeste. Por, ishte e sigurt se ata ishin njerëz me botë të brendshme plot dritë. Pikërisht ashtu siç thuhet në ajetin kuranor: “Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë” (Bekare, 257).

Është e qartë se ensarët dhe muhaxhirët nuk jetonin në qytete të zhvilluara e të ndërtuara sipas standardeve të sotme. Megjithatë, është e padyshimtë se ata garonin me njëri-tjetrin për ta ndërtuar botën e tyre të brendshme dhe për ta zbukuruar atë me mirësi. Ata e donin besimin dhe e konsideronin si të bukur (Huxhurat, 7), ndërsa shpalljen (vahjin) e kishin pranuar si burimin absolut të së mirës dhe së vërtetës (Nahl, 30).

Sahabët, ndryshe nga besimtarët e kohës sonë, nuk fluturonin me avionë luksozë e të pajisur me teknologji moderne. Por, është e padiskutueshme se përmes mendimeve, ndjenjave dhe kuptimit e thellësisë që i dhanë jetës, ata rrihnin krahët në lartësi të paarritshme, duke zotëruar virtyte që të kujtojnë qeniet engjëllore. Si rrjedhojë e këtyre cilësive, Zoti i Madhëruar ishte i kënaqur prej tyre, ashtu siç edhe ata mbetën të kënaqur prej Tij (Teube, 100).

Ensarët dhe muhaxhirët ishin të privuar nga mundësitë e komunikimit dhe informimit që disponojmë ne. Megjithatë, ata e kuptonin shumë mirë “gjuhën e sjelljes” së njerëzve të shtypur e të dëmtuar; me plot sinqeritet, ata ushqenin me dëshirë të varfrit, jetimët dhe robërit (Insan, 8).

Kur haxhiu lexon Kuranin, në Mekë e në Medinë, ai e përjeton me domethënie të vërtetë se çfarë do të thotë shtimi dhe forcimi i besimit (Enfal, 2). Ajetet që lexohen ia pasurojnë botën e tij të brendshme dhe lënë gjurmë të pashlyeshme. Ai ndien se si atmosfera hyjnore e shpalljes e rrethon nga të gjitha anët. Përmes skenave të ringjalljes (mahsherit), ai rizbulon se sa tronditëse është dita që e pret njeriun (Mearixh, 11-17).

Ajetet e Kuranit fisnik, të cilat më parë qëndronin të heshtura në shpirtin dhe zemrën tonë, nisin të flasin në vendet e shenjta. Domethëniet që më parë nuk mund t’i dëgjonim apo t’i ndienim, tashmë marrin zë. Në këtë vend, njeriu ndien se si shpallja (vahji) e freskon zemrën e tij ashtu si një fllad freskues në një vapë përvëluese. Ajetet që lexohen gjejnë një pasqyrim të veçantë në shtresat e vetëdijes së njeriut. Aty përjetohet bukuria e leximit dhe e kuptimit të Kuranit në vendin ku ka zbritur, brenda kontekstit të vet. Ndjenja se falënderimi dhe lëvdata i takojnë vetëm Krijuesit të Lartë përjetohet edhe më thellësisht. Ja pra, marrja mësim nga çdo gjë që njeriu dëgjon e sheh këtu, shkurtimisht, mbushja me ndjenja shpirtërore nuk është gjë tjetër veçse dëshmi dhe shenjë e qartë e Allahut (Ali Imran, 96).

Haxhiu, duke veshur ihramin, ndien se zhvishet nga rangu dhe pozitat e kësaj bote, duke u barazuar me të gjithë njerëzit e tjerë. Po ashtu, përmes ihramit, ai vendos të pastrohet nga ndyrësitë dhe shëmtitë shpirtërore. Këto mendime të haxhiut rijetësohen edhe gjatë vizitës në xhaminë Kuba, sepse ata që e ndërtuan këtë xhami mbi parimin e devotshmërisë (takvasë), ishin njerëz që kishin zgjedhur pastërtinë dhe dritën si stil jete. Ata synonin pastrimin nga politeizmi (shirku), syfaqësia (riaja), urrejtja, koprracia; shkurtimisht, nga të gjitha ligësitë dhe fëlliqësitë (Teube, 108). Pastrimi nga mëkatet që e bëjnë njeriun të papëlqyeshëm dhe e largojnë atë nga njerëzorja, ishte vetë thelbi i filozofisë së tyre të jetës.

Gjatë haxhit, përmes shqiptimit të telbijes, ne shprehim dorëzimin tonë ndaj urdhrave hyjnorë. Teksa e shqiptojmë, në botën e brendshme përjetojmë një vetëkritikë të thellë: Vallë, a kemi mundur ne si myslimanë të dorëzohemi para Allahut në kuptimin e vërtetë të fjalës? Sa gjejnë zbatim në jetën tonë thirrjet e telbijes dhe të dorëzimit? A i përmbushim ne kërkesat e të qenit rob ndaj Zotit me vetëdijen e një përkushtimi të plotë? A po tregojmë përpjekjen e duhur që feja të jetësohet dhe të mbahet gjallë? Sa po u përmbahemi detyrimeve të vëllazërisë ndaj njëri-tjetrit? A po punojmë për bukuritë e amshuara të botës tjetër apo po zvarritemi pas asaj që është e përkohshme dhe kalimtare në këtë botë? A dukemi në rrafshin e jashtëm sikur jemi në ndjekje të së vërtetës e së drejtës, ndërkohë që në realitet po kënaqim vetëm dëshirat dhe epshet tona njerëzore? Apo, mos vallë, pasuria, fama dhe pasioni janë idhujt tanë të fshehtë? A jemi ne njerëz të mbetur larg frymës së ringjalljes, të cilët thirrjet qiellore nuk arrijnë t’i vënë në lëvizje? A mund të shfaqim pajtim me caktimin e Zotit të Madhëruar në çastet tona më të vështira dhe në kohë fatkeqësish?

Pikërisht këto lloj pyetjesh dhe përgjigjesh e bëjnë haxhiun të reflektojë thellësisht. Ato i kujtojnë atij domosdoshmërinë e përgatitjes për ditën e llogaridhënies. Kësisoj, përmes haxhit përjetohet një hapësirë kohore ku paralajmërimi hyjnor “Ku po shkoni?” (Tekvir, 26) e nxit njeriun drejt një vetëllogaridhënieje të përsëritur.

Haxhiu rrallëherë ka përjetuar në jetën e tij një kënaqësi dhe gëzim shpirtëror si ai që ndien gjatë tavafit. Kurrë nuk e ka ndier veten kaq pranë Allahut. Asnjëherë nuk i ka bërë lutjet e tij me këtë lloj sinqeriteti. Rukutë dhe sexhdet më domethënëse ai i kryen këtu, duke hapur horizonte të reja të vetëdijes në botën e tij të brendshme. Ndonëse tavafin mund ta kryejë për herë të parë në jetë, ai përjeton një shije shpirtërore sikur të kishte vite që rrotullohej rreth Shtëpisë së Allahut (Bejtullahut). Hijet dhe pengesat që ia kishin mbuluar mendjen largohen, ndërsa peshat e rënda mbi zemër zhduken. Haxhiu i përgjërohet Zotit të tij me përulësi, sikur ta kishte fare pranë; i lutet Atij në heshtje dhe nga thellësia e shpirtit. Sytë e tij të tharë mbushen me lot. Ai kujton me turp mëkatet dhe rebelimet e tij. Kështu, ai bëhet dëshmitar i ringritjes madhështore të besimit në qenien e vet.

Në orët e vona të natës, në Haremin e Shenjtë apo në Mesxhid-i Nebevi, haxhiu nga përgjumja e sheh të mjegulluar rrethinën e tij. Megjithatë, është e sigurt se ai i merr plotësisht dhe qartë shkëndijat dhe dritat hyjnore që shkëlqejnë në botën e tij të brendshme. Kështu, në errësirën e natës, ai përpiqet të kultivojë një klimë shpirtërore të ndritshme. Pavarësisht negativiteteve që po kalon bota islame dhe zhvillimeve që ta copëtojnë zemrën, ai është në kërkim të shpresës, dashurisë për jetën dhe krijimit të një atmosfere të ndritur. Duke përfituar nga kjo klimë begatie dhe mëshire, ai përpiqet të mbartë dritë dhe përjetim shpirtëror drejt vendit të tij.

Ashtu si çdo adhurim tjetër, edhe haxhi ka veçorinë e tij unike: kandidati për haxhi është gjithmonë në një gjendje të pandërprerë të ndryshimit të hapësirës fizike. Medina, Meka, tavafi, sa’ji, qëndrimet (vakfet) në Arafat dhe Muzdelife, Mina, gjuajtja e shejtanit me gurë e mandej sërish tavafi dhe sa’ji. Shkurtimisht, kemi të bëjmë me një lëvizje dhe zhvendosje të vazhdueshme të haxhiut.

Megjithatë, haxhi duhet të shndërrohet edhe në një shtegtim brenda botës sonë të brendshme. Përndryshe, këto ecje nuk do të kontribuonin shumë në përsosjen shpirtërore të njeriut. Në këtë kuptim, haxhiu është fillimisht një muhaxhir (mërgimtar) që kërkon pëlqimin e Allahut (xh.sh.) dhe që vihet në ndjekje të pëlqimit të Tij. Pikërisht ashtu siç shprehet Ibrahimi (a.s.): Unë po shkoj te Zoti im. Ai do të më udhëzojë” (Saf-fat, 99).

Për kandidatin për haxhi, ky udhëtim i shenjtë është pothuajse një proces i zbulimit të vetvetes. Ai ka gjetur këtu mundësinë e një përqendrimi shpirtëror, të cilën nuk kishte arritur ta kapte në jetën e tij të përditshme. Haxhiu ka hyrë tashmë në një proces të plotë rehabilitimi shpirtëror. Këtu ai ka përfituar nga rasti për t’u ballafaquar me mëkatet e tij dhe për të kuruar sëmundjet e tij shpirtërore.

Ai nuk qëndron më indiferent ndaj luftës mes së drejtës dhe së kotës (hak-batil) që zhvillohet në botën e tij të brendshme. Tashmë ai është i vetëdijshëm se lufta e vërtetë dhe më e madhja nuk ndodh jashtë tij, por brenda vetes, në nefsin e tij. Ai ka arritur shkallën e vetëdijes për të kuptuar kurthin e tundimeve shejtanore, të cilat deri më tani nuk kishte arritur t’i dallonte.

Tashmë ai i dallon një nga një idhujt e fshehur në botën e tij të brendshme, të cilët po i brenin botën shpirtërore. Ai ka filluar të kuptojë se si epshi, fama dhe pasuria i ishin servirur të zbukuruara e të tjetërsuara dhe se si për vite të tëra ishte zvarritur kot pas tyre. Sa shumë kohë kishte humbur për hir të kauzave të rreme dhe virtuale?! Sa shumë e kishin çuar drejt zhgënjimeve dhe mashtrimeve ato mirazhe që i kishte ndjekur duke i pandehur si oaz?!

Kandidati për haxhi mbërrin në Medinë. Përmes pranisë së atmosferës shpirtërore të Profetit të nderuar, ai ec bashkë me të nëpër rrugët e këtij qyteti të ndritshëm, duke forcuar kështu lidhjet emocionale me të. Ai shkel aty ku ka shkelur ai, mbase duke ndjekur gjurmët e tij derisa mbërrin në Mesxhid-i Nebevi. Aty reflekton mbi rrugët dhe metodat se si mund ta vazhdojë këtë atmosferë edhe në jetën e ahiretit.

Në fund, ai e kupton plotësisht se kjo mund të realizohet vetëm duke ndjekur gjurmët e tij edhe në jetën që po jeton. Njerëz të tillë, në botën tjetër, do të jenë së bashku me profetët, me njerëzit e drejtë e të vërtetë (sid-dikët), me dëshmorët dhe me të devotshmit. “Sa shokë të mirë janë këta!” (Nisa, 69).

Kandidati për haxhi viziton në Medinë varrezat e dëshmorëve të Uhudit dhe varrezat e Baki-t. Në këto vende, ai rizbulon madhështinë e sakrificës në rrugën e Allahut. Kur kujton Musab b. Umejrin, Hazreti Hamzain dhe dëshmorët e tjerë, i trazohet shpirti dhe nuk i përmban dot lotët. Vallë, cili ishte shkaku i vërtetë që i shtynte këta njerëz të bekuar drejt një sakrifice të tillë? Ja pra, haxhiu mediton mbi to dhe kupton se të qenët mysliman kërkon, njëkohësisht, gatishmërinë për të hequr dorë nga gjërat më të shtrenjta për hir të fesë dhe besimit.

Gjatë vizitës në xhaminë e Kubasë, haxhiu e kupton plotësisht se sa i rëndësishëm është pastrimi nga të gjitha ligësitë dhe shëmtitë. Kjo, sepse ajeti kuranor tërheq vëmendjen pikërisht te kjo veti themelore e atyre që zinin vend në rreshtat pas Profetit të nderuar. Ata ishin njerëz që ua kishin dedikuar zemrën pastrimit dhe dritës shpirtërore (Teube, 108). Për më tepër, a nuk e simbolizonte këtë edhe ihrami i bardhë që vishet për haxh?

Në jetë asgjë nuk është pa çmim. Nuk mund të ketë një thellim në botën shpirtërore pa një përqendrim intensiv në meditim dhe adhurim. Hapja e rrugëve që të çojnë nga bota jonë e brendshme drejt Zotit tonë nuk mund të realizohet në asnjë mënyrë tjetër. Në fakt, Kurani, duke përshkruar mysafirët e Shtëpisë së Allahut (Qabesë), përdor fjalën “akifin”, që mbart kuptimin “ata që i përkushtohen plotësisht adhurimit” ose “ata që mbyllen në adhurim”. Shenja e tyre dalluese është qëndrimi i vazhdueshëm në ruku dhe sexhde (Bekare, 125). Karakteristika e tyre themelore është vazhdimësia me durim në namaz, brenda një uniteti të plotë mes shpirtit dhe formës (Taha, 132).

Në jetën tonë ne kemi gjithmonë një qëllim dhe i shpenzojmë frymëmarrjet tona për hir të tij. Mjerisht, njeriu zakonisht zvarritet pas dëshirës për famë, lavdi, fitim, rritje dhe pasioneve të tjera të pangopura. Jeta jonë rrotullohet gjithmonë rreth këtyre gjërave; ne pothuajse “bëjmë tavaf” rreth tyre pareshtur.

Ja pra, kandidati për haxhi nga njëra anë beson se Shtëpia e Allahut (Bejtullahu) është një vend për të fituar sevape dhe bën tavaf rreth saj (Bekare, 125); nga ana tjetër, ai përforcon bindjen se jeta e tij, tash e tutje, duhet të rrotullohet rreth pëlqimit të Allahut. Ai beson se çdo mirësi dhe mundësi që zotëron, ka domosdoshmërisht një aspekt dhe një drejtim që shikon nga kënaqësia e Tij. Kështu, në këtë faltore të bukur të mbështjellë me velin e zi, ai largohet nga errësira dhe hapet drejt një bote të ndritshme.

Kandidati për haxhi kryen sa’jin mes Safasë dhe Merves dhe beson me vendosmëri në këtë: vetë jeta është një vend sa’ji, domethënë një vend përpjekjeje dhe mundi. Për më tepër, kur njeriu të dalë nesër para pranisë hyjnore, çfarë do t’i bëjë dobi tjetër përveç veprës së kryer me qëllim të pastër? (Nexhm, 39). Ja, haxhiu, nga njëra anë përmbush adhurimin e sa’jit e nga ana tjetër, beson me gjithë zemër se dëshira për botën tjetër përgjatë gjithë jetës dhe përpjekja (sa’ji) për të nuk do të mbeten pa shpërblim (Isra, 19).

Ashtu si Ibrahimi (a.s.) edhe ai (haxhiu) nga njëra anë i përgjërohet Zotit që fëmijët e tij të jenë besimtarë myslimanë me vetëdije të lartë adhurimi, e nga ana tjetër përpiqet të përmbushë kërkesat që sjell kjo përgjegjësi (Bekare, 128).

Çdo adhurim ka një bërthamë dhe një kulm. Kulmi i namazit është sexhdeja; sepse ky është çasti kur njeriu është më afër Zotit të tij (Alak, 19). Kulmi i agjërimit është çasti i iftarit; në ato momente, duart që ngrihen drejt Krijuesit nuk kthehen mbrapsht bosh. Ndërsa bërthama dhe kulmi i haxhit është Arafati. Sepse, Profeti i nderuar (a.s.) ka thënë: “Haxhi është Arafati” (Nesai, Menasikü’l-hac, 203).

Me një besim të tillë, kandidati për haxhi shkon në Arafat; përpara qëndrimit në praninë hyjnore, ai realizon qëndrimin (vakfen) e tij këtu. Pothuajse sikur bën provën e takimit të madh të Ditës së Llogarisë. Qëndrimi në Arafat është çasti kur personi ballafaqohet me veten dhe rrëfen mëkatet e tij. Kjo, sepse aty nuk ka asnjë dyshim se përgjërimet që dalin nga thellësia e shpirtit dhe lutjet e sinqerta do ta arrijnë qëllimin e tyre. Për më tepër, a nuk premton Zoti ynë se është afër robit të Vet, se i dëgjon lutjet dhe do t’i pranojë ato domosdoshmërisht? “E kush është më besnik në premtimin e Tij se Ai?” (Teube, 111).

Prof. dr. İbrahim Hilmi Karslı

Universiteti Yıldırım Beyazid i Ankarasë

 Përktheu: Qendra për Hulumtime, Minber

Artikuj të ngjashëm

Nacionalizmi si idhujtari

Pse duhet të zgjedhim mes glorifikimit të fesë ose glorifikimit të atdheut  William T. Cavanaugh  Kohëve të fundit, në politikën amerikane, është rritur shqetësimi lidhur…

Lexo më shumë »