Hulumtime MINBER

Prezenca fetare dhe të drejtat e besimtarëve në një shtet laik: shumica myslimane dhe neutraliteti selektiv në Shqipëri

Home » Prezenca fetare dhe të drejtat e besimtarëve në një shtet laik: shumica myslimane dhe neutraliteti selektiv në Shqipëri

Nga: Jeni Myftari

Tiranë më 08.09.2026

Laiciteti, si parim normativ i shteteve moderne demokratike, synon të garantojë neutralitetin institucional ndaj të gjitha botëkuptimeve fetare dhe jofetare. Në thelb, ai është projekt për mbrojtjen e lirisë së fesë, për shmangien e imponimit ideologjik dhe për sigurimin e pluralizmit. Megjithatë, praktika politike tregon se laiciteti mund të interpretohet në mënyrë selektive, duke u shndërruar nga instrument i neutralitetit në instrument të kontrollit kulturor. Në kontekstin shqiptar, ky fenomen shfaqet kryesisht ndaj komunitetit mysliman – shumicë demografike, historikisht vendimtare në formësimin shtetëror dhe kulturor të vendit.

Në realitetin shqiptar ekziston një formë e “neutralitetit selektiv”, ku parimi kushtetues i laicitetit përdoret për të kufizuar apo stigmatizuar prezencën Islame në hapësirën publike.

Laiciteti ndërmjet neutralitetit dhe instrumentalizimit ideologjik

Tradita liberale e mendimit politik e koncepton laicitetin si neutralitet të shtetit ndaj doktrinave gjithëpërfshirëse. Rawls (1993) thekson se drejtësia politike kërkon që institucionet të mos favorizojnë apo diskriminojnë botëkuptime specifike; Kymlicka (2002) dhe Taylor (1998) nënvizojnë se pluralizmi është themeli i demokracisë moderne, jo pengesë e saj. Në këtë perspektivë, hapësira publike nuk është pronë e shtetit, por arenë ku subjektet shprehin identitetin e tyre.

Në tradita të tjera historike – si Franca jakobine apo Turqia kemaliste – laiciteti është shndërruar në instrument të imponimit kulturor. Në këto modele, shteti synon të “riformësojë” kulturën e shumicës, kryesisht duke kufizuar praktika fetare që, sipas tyre, konsiderohen anakronike apo të papajtueshme me projektin e modernizimit (Göle, 2011). Asad (2003) e përshkruan këtë si “projekt sekularist riedukimi”, ku shteti ndërhyn për të prodhuar identitete të dëshiruara nga ideologjia zyrtare. Ky model gjen jehonë edhe në debatet bashkëkohore shqiptare, ku fenë Islame, megjithëse shumicë, e gjejmë të reduktuar, të problematizuar ose të instrumentalizuar në diskursin publik.

Standardet juridike ndërkombëtare dhe kufijtë e shtetit laik

Dokumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut — Deklarata Universale (neni 18) dhe Konventa Evropiane (neni 9) — njohin gjerësisht të drejtën për të besuar, praktikuar dhe shprehur fenë publikisht. Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut thekson se çdo kufizim i shprehjes fetare duhet të jetë i domosdoshëm, proporcional dhe i justifikuar me arsye legjitime (Evans, 2001). Këto standarde unifikojnë një parim të qartë: shteti laik është garantues i hapësirës së barabartë për manifestim fetar, jo administrator i sasisë së fesë në shoqëri.

Kur kufizimet godasin kryesisht një komunitet të caktuar — si shpesh ndodh ndaj Islamit në Shqipëri — ato bien në kundërshtim me parimin e neutralitetit. Këtu neutraliteti shndërrohet nga status juridik në justifikim politik për ndërhyrje selektive. Ndalimi i simboleve dhe praktikave fetare, pengesat burokratike për objekte kulti, rregullat e paqarta për shfrytëzimin e hapësirës publike apo narrativat mediatike stigmatizuese përbëjnë devijime të qarta nga standardet ndërkombëtare dhe kushtetuese.

Laiciteti kushtetues shqiptar: midis normës dhe praktikës

Kushtetuta shqiptare, në nenin 10, përcakton qartë se shteti është neutral ndaj fesë, asnjë fe nuk është zyrtare dhe se garantohet ushtrimi i fesë në jetën publike.

Ky formulim e afron Shqipërinë me modelin pluralist anglo-sakson, ku shprehja fetare në hapësirën publike është komponent normal i jetës qytetare. Megjithatë, analizat empirike tregojnë devijime të rëndësishme në tri forma:

  1. Zbrazja e hapësirës publike

Kufizimet e shfrytëzimit të hapësirave publike, thirrjes së Ezanit, të përdorimit të simboleve fetare, pengesat në plotësimin e detyrimeve religjioze si mbajtja e mbulesës Islame, presionet joformale në institucione arsimore ose punësimi dhe interpretimet e gabuara të “neutralitetit të institucionit” shpesh pasqyrojnë preferenca individuale të drejtuesve të mbështetur institucionalisht dhe politikisht, duke shkelur parimin kushtetues dhe duke injoruar përgjegjësinë kushtetuese të shtetit “laik”.

2 Asimilimi simbolik

Simbolet islame përshkruhen shpesh në diskursin mediatik, të mbështetur ose nxitur prej politikës, si shenjë radikalizimi, “joevropianizimi” apo prapambetje kulturore. Kjo gjeneron revoltë komunitare, orientalizëm të brendshëm, nënvlerësim të kapitalit intelektual dhe kontributit mysliman në vend.

3 Burokracia me efekt të pabarabartë

Rregullat formalisht neutrale – sidomos për leje ndërtimi të objekteve të kultit, përdorim hapësirash apo organizim aktivitetesh – prodhojnë pengesa disproporcionale për komunitetin mysliman për shkak të nevojave rituale dhe dimensioneve demografike.

Funksionet shoqërore të fesë: argumentet sociologjike dhe psikologjike

Qasjet klasike sociologjike, si ajo e Durkheim (1912), theksojnë funksionin koheziv të fesë në prodhimin e solidaritetit dhe normave morale. Nënvlerësimi institucional i fesë shumicë dëmton kapitalin social, dobëson kohezionin komunitar dhe nxit fragmentimin. Putnam (2000) tregon se komunitetet fetare janë motorë të besimit social, vullnetarizmit dhe solidaritetit — elemente kyçe në demokracitë funksionale.

Nga perspektiva psikologjike, feja përbën komponent qendror të identitetit personal dhe kolektiv. Erikson (1968) thekson se identiteti ndërtohet përmes integrimit të vlerave me narrativat personale; kufizimet e shprehjes dhe praktikave fetare prodhojnë ankth identitar, stigmatizim të brendësuar dhe ndjesi përjashtimi. Literaturat mbi diskriminimin (Williams & Mohammed, 2009) tregojnë lidhje të forta midis kufizimit të lirive identitare dhe rritjes së agresivitetit, konflikteve dhe polarizimit.

Studimet mbi Islamin në Ballkan (Elbasani & Roy, 2015; Sulstarova. E) vërtetojnë se feja Islame shpesh politizohet gjeopolitikisht, duke u paraqitur si “e jashtme”, çka favorizon politikat e kontrollit simbolik.

Prezenca fetare në hapësirën publike si e drejtë demokratike

Laiciteti nuk kërkon zhdukjen e simboleve fetare nga hapësira publike, por mos-imponim nga ana e shtetit. Shprehja fetare publike është e drejtë qytetare, jo privilegj i toleruar. Në demokraci, shumica ka po aq të drejtë të shprehet sa edhe pakica, për sa kohë nuk cenon të drejtat e tjerëve. Kufizimet selektive të praktikave Islame — në emër të “mbrojtjes së laicitetit” apo “modernizmit” — janë konceptualisht të gabuara dhe juridikisht problematike.

Në këtë kontekst, pretendimi i shtetit shqiptar për traditë “tolerance fetare” bien në kundërshtim me praktikat që kufizojnë shprehjen e fesë shumicë. Toleranca historike fetare shqiptare është produkt i kulturës së bashkëjetesës, ku komuniteti mysliman shumicë ka luajtur rolin kryesor, dhe jo rezultat i politikave shtetërore laiciste apo sekulariste.

Laiciteti në Shqipëri shfaqet si parim kushtetues pluralist, por në praktikë shpesh zbatohet në mënyrë selektive, duke kufizuar shprehjen publike të Islamit si fe e shumicës. Ky interpretim devijues i laicitetit deformon standardet demokratike, minon besimin qytetar, prodhon stigmatizim kulturor, dëmton kohezionin social, shkakton çekuilibër social dhe rrit polarizimin dhe pasigurinë.

Një shtet vërtet laik nuk synon të zvogëlojë fenë e shumicës, por të garantojë hapësirë të barabartë për të gjitha komunitetet. Laiciteti, si parim demokratik, është mjet i lirisë dhe pluralizmit – jo mekanizëm i kontrollit kulturor apo identitar.

Referenca

Asad, T. (2003). Formations of the Secular: Christianity, Islam, Modernity.

Durkheim, É. (1912). Les formes élémentaires de la vie religieuse.

Elbasani, A., & Roy, O. (2015). The Revival of Islam in the Balkans.

Erikson, E. (1968). Identity: Youth and Crisis.

Evans, C. (2001). Freedom of Religion under the European Convention on Human Rights.

Göle, N. (2011). Islam in Public: Turkey, Europe and the Limits of Secularism.

Graham, J., & Haidt, J. (2010). Moral psychology and the roots of religious prosociality.

Kymlicka, W. (2002). Contemporary Political Philosophy.

Putnam, R. (2000). Bowling Alone: The Collapse and Revival of American Community.

Rawls, J. (1993). Political Liberalism.

Sulstarova, E. Studime mbi orientalistët shqiptarë dhe islamin publik.

Taylor, C. (1998). Modes of secularism.

Williams, D. R., & Mohammed, S. A. (2009). Discrimination and health research.

 

 

 

 

Artikuj të ngjashëm