Haxhi, si një nga shtyllat themelore të Islamit dhe si një adhurim me ndikim të thellë individual dhe shoqëror, në shoqërinë shqiptare është parë gjithmonë me respekt të veçantë. Haxhilerët, pra ata që e kryenin këtë detyrë fetare, konsideroheshin si njerëz që kishin realizuar “udhëtimin e jetës”. Shqiptarët organizonin ceremoni përcjelljeje për nisjen drejt haxhit dhe ceremoni pritjeje për kthimin e tyre, ndërsa familjarë, miq dhe të afërm i vizitonin për t’i uruar për këtë mirësi të madhe shpirtërore që kishin arritur.
Në vitet ’20 të shekullit XX, përveç vështirësive të mëdha politiko-ekonomike që përjetonte Komuniteti Mysliman Shqiptar, ai u përball edhe me akuza dhe dyshime nga një pjesë e pseudointelektualëve të kohës. Këta e paraqisnin Islamin si shkak të prapambetjes, si kundër vlerave shoqërore dhe demokratike, ndërsa haxhin e interpretonin si një praktikë të rrezikshme, madje edhe si burim përhapjeje sëmundjesh dhe epidemish.
Ndër zërat më të spikatur që iu kundërpërgjigjën këtyre qëndrimeve me argumente të forta, elokuencë dhe nivel të lartë intelektual e teologjik ishte Hafiz Ali Korça. Në një shkrim të botuar në revistën Zani i Naltë në qershor të vitit 1924, ai e paraqet haxhin si një hapësirë ku mishërohen vlerat më të larta të rendit shoqëror dhe të demokracisë në Islam. Sipas tij, haxhi është pasqyra më e plotë e demokracisë islame. Në Mekë dhe në Arafat mblidhen besimtarë nga të gjitha kombet, të barabartë në veshje dhe në qëndrim, të veshur me ihram dhe kokëzbuluar, duke lënë mënjanë çdo dallim shoqëror, i luten Zotit me një zë të përbashkët “lebbejke allahumme lebbejk”. Në këtë bashkim universal shfaqen qartë barazia, disiplina dhe vëllazëria, ku mbreti dhe i varfri qëndrojnë krah për krah në adhurim.
Autori e lidh këtë frymë me shembullin e Profetit Muhamed, i cili konsultohej me shokët dhe i trajtonte të gjithë në mënyrë të barabartë, si dhe me qëndrimin e Umer ibn Hattab, i cili pranonte korrigjimin edhe nga njerëzit më të thjeshtë. Në përfundim, ai thekson se Islami bazohet në tri parime themelore: drejtësinë, barazinë dhe vëllazërinë, dhe se problemet nuk burojnë nga feja në vetvete, por nga moszbatimi i këtyre parimeve nga vetë besimtarët.
Haxhxhi është m’e madheja pasqyrë për demokrasinë muslimane[1]
Si dihet prej së gjithësh që për të mbushur detyrën e haxhxhit, ç’do musliman i pasur nji herë në jetën e vetë shkon në Meqqe.
Për mot në Meqqe kohën e haxhxhit nga an’ e anës, nga ç’do komb mblidhen me qindra mijë njerës. Si mbretrit ashtu dhe të varfrit pa patur as pak ndryshim veshin vetëm nga një ihram (këmishë të veçantë) edhe karos e zbathët dalin n’Arefat krah më krah një mbret me një të varfër edhe kështu me një demokrasi të thjeshtë, me një ultësi të naltë, me një shpirt të qetë, me një zemër të pastër i luten Zotit dyke thirur në një zë të bashkët të gjithë “lebbejq”.
Çudi e madhe se dyk e ndodhur qindra mijë njerës në lloje lloje gjuhnash as njëri tjatrit s’i bëzon, as njeri tjatrin s’e nget, po me një disiplinë të mrekullishme, me një demokrasi të pashëmbëllshme i luten e i falen Zotit. Këtu në haxhxh shihet qartazi vëllazërija e plotë, dashurija e vërtetë muslimane, të cilën disiplinë e demokrasi të mrekullushme e pohojnë dhe më të mëdhenjtë botëshëtitësit europijanë. Kjo demokrasi muslimane, jo vetëm në haxh, po edhe në çdo falishtë shihet.
Si Pejgamberi (a.s.) ashtu edhe shokët e tij si në Arefat ashtu edhe në ç’do mbledhje pa vënë re as pak shkallën e njëri tjetrit m’i madhi rinte krah më krah me më të voglin, dhe bisedonin bashkë pa një diferencë.
Muhamed Mustafaj dyk e qënë m’i mënçmi i gjith botës, m’i mbarushmi i gjith profetëve edhe në punrat më të vogla bisedonte me shokët edhe shumë herë qëllonte që punonte pas fjalës të shokëve e cila i pëlqente më fort. Vallë a ka m’e madhe demokrasi?
Halifeja i dytë Umeri një ditë dyk e mbajtur fjalën në minber tha: “Kush që të shohë një shtrembësi ndaj mua le të m’a ndreqjë”. Ahere një prej xhemaatit i përgjegjet: “Në qoftë se shohim do një shtrembësi prej teje ahere ta ndreqim me shpatët”. Umeri mbi ketë fjal e sipër lavdëroj Zotin dyk e thënë: “Lavdi paç o Zot! Kur shoh se nga shokët paskam njerës që ma ndreqkan gabimin”. Vallë a ka m’e madhe demokrasi se kjo?
Muslimanizma bazohet në tri sende, 1 drejtësi, 2 njësi (musavat), 3 vëllazëri e njëjtë.
Të tjerët kujtojnë fajet i ka muslimanizma, po s’ëshť ashtu, faji është se nuk jemi muslimanë si duhet. Ebu Xhehli edhe shokët nga shkaku i demokrasisë të plotë nuk u futën ndënë flamurin të Muhamed Mustafajt (a.s.).
- ALİ.
Punoi: Qendra për Hulumtime, Minber
[1] Hafiz Ali Korça (H. Ali), “Haxhxhi është m’e madheja pasqyrë për demokrasinë muslimane”, Zani i Naltë, nr. 9, Qershor 1924, f. 283.