Hulumtime MINBER

Surre-i Humajun, ceremonia e dërgimit të dhuratave në Mekë dhe Medinë gjatë periudhës së Haxhit

Home » Surre-i Humajun, ceremonia e dërgimit të dhuratave në Mekë dhe Medinë gjatë periudhës së Haxhit

Në fjalor, fjala surre” ka kuptimin “qese ku vendosen sende të çmuara si ar dhe para”, ndërsa si term, ajo i referohet parave, arit dhe sendeve të tjera që dërgoheshin zakonisht para sezonit të haxhit për t’iu shpërndarë popullsisë së Mekës dhe Medinës. Ndonëse nuk dihet saktësisht se kur ka filluar tradita e dërgimit të surres për në Haremejn (dy vendet e shenjta), mendimi më i pranuar është se kjo praktikë ka lindur në kohën e Kalifit abasid Mehdi-Billah (775-785). Po ashtu, dihet se në të njëjtën periudhë janë ndërmarrë edhe masa për sigurinë e rrugëve të haxhit, mirëmbajtjen e puseve të ujit përgjatë itinerarit të haxhit, si dhe për plotësimin e nevojave të haxhilerëve, si strehimi dhe qëndrimi gjatë rrugës.[1] Kjo traditë e bukur vazhdoi deri në rënien e Perandorisë Osmane dhe njihej si Surre-i Humajun”, e cila përbëhej nga para dhe dhurata të dërguara çdo vit para sezonit të Haxhit për të përmbushur nevojat e banorëve të Mekës dhe Medinës, ndërsa ceremonia speciale që organizohej për këtë qëllim u quajt “Surre Allajë”. Kjo traditë ka luajtur një rol të rëndësishëm në bashkimin dhe solidaritetin e shoqërisë islame.[2] Në burimet osmane dhe në korrespondencën zyrtare të kohës, për Mekën dhe Medinen përdorej termi Haremejn”, shpesh me forma të shtuara, si: Haremejnu’sh-Sherifejn (Dy Vendet e Shenjta), Haremejn-i Muhteremejn (Dy Vendet e Nderuara), ose Haremejn-i Muharremejn (Dy Vendet e Shenjtëruara). Ndonjëherë ky term përfshinte edhe Kudsin (Jeruzalemin).

Dërgimi i rregullt vjetor i dhuratave për në vendet e shenjta filloi në periudhën e Kalifit abasid Muktedir-Billah. Në vitin 923, ai dërgoi një shumë mbi 315.426 monedha floriri. Edhe kalifi Vathik Billah kishte shpërndarë dhurata për të varfrit në Mekë dhe Medine disa dekada më herët, por jo në mënyrë të përvitshme.[3] Një element tjetër i rëndësishëm i kësaj tradite ishte mahmili”, një lloj karroce ose strukturë që ngarkohej mbi deve dhe që shërbente për të vendosur “surret” dhuratat. Mahmili u përdor për herë të parë gjatë periudhës së Abasidëve. Edhe Fatimidët, që luftonin për të vendosur ndikim dhe kontroll mbi Hixhazin përballë Abasidëve, si dhe Ejjubidët që i dhanë fund shtetit Fatimid, dërguan surre për në vendet e shenjta. Pas rënies së kalifatit Abbasid në vitin 1258, Mamlukët vijuan traditën e Abbasidëve për dërgimin e surres dhe mahmilit në Mekë dhe Medinë. Që nga ajo kohë, Mamlukët jo vetëm që dërgonin surre dhe mbulesën e Qabesë brenda mahmilit, por edhe i kushtonin rëndësi të madhe ceremonive të lidhura me këtë proces. Në këtë periudhë, karvane të haxhit organizoheshin jo vetëm nga Kajroja, por edhe nga qytete të mëdha si Bagdadi, Damasku dhe Halepi, dhe secili karvan kishte mahmilin dhe surren e vet.[4]

Nuk dihet me siguri se cili sulltan osman ka qenë i pari që ka dërguar dhurata për në vendet e shenjta. Sipas disa të dhënave, Sulltan Bajaziti I dhe djali i tij Mehmet Çelebi, filluan dërgimin e dhuratave për në vendet e shenjta. Shuma fillestare ishte 35.000 florinj dhe kjo shumë u vendos që të dërgohej çdo vit. Sulltan Murati II dërgoi 801 qese me flori. Sulltan Bajaziti II e bëri zakon dërgimin e 14.000 florinjve në surre çdo vit, gjysma për banorët e Mekës dhe gjysma për banorët e Medinës. Pas kësaj periudhe, shuma e surresë vazhdoi të rritej, derisa në vitin 1915, për herë të fundit u përfshi në buxhet dhe u dërgua me një shumë që arriti 3.640.272 kuruş.[5] Në kohën e Sulltan Muradit II, pati një rritje të dukshme si në numrin ashtu edhe në sasinë e surreve të dërguara për në Haremejn. Sipas kronikanit, Ashikpashazade, Muradi II dërgonte çdo vit “surre” për në Mekë, Medinë, Kuds dhe Halil (Hebron). Ai gjithashtu kishte caktuar të ardhurat e fshatrave të lidhur me Ballëkhisarin në Ankara për Mekën, dhe në testamentin e tij, ai kishte vakëfuar një të tretën e të ardhurave të pasurisë së tij në Manisa për Mekën dhe Medinën.[6]

Pas vitit 1517, kur Meka dhe Medina kaloi nën administrimin osman, sulltanët osmanë filluan të dërgojnë surre në mënyrë të rregullt çdo vit. Dihet se surreja e parë në këtë kuadër është dërguar në kohën kur Sulltan Selimi I, ndodhej ende në Kajro dhe mori titullin “Hadimu’l-Haramejn’ush-Sherifejn/ Shërbetori i Dy Haremeve”. Ai mori përsipër dërgimin e surres dhe të “zahires/grurë”, që më parë e dërgonin Memlukët. Përveç asaj, ai vetë dërgoi 200.000 florinj dhe 756.000 okë zahire (grurë dhe ushqime) si ndihmë për Mekën dhe Medinën. Në Hixhaz, kjo njihej si “Sadakat-u Rumijjee /Sadakaje e Rumëve”.[7] Ashtu siç rritej shuma e parave të surres edhe sasia e zahiresë u rrit gradualisht, dhe në kohën e Sulltan Mahmutit II, kjo sasi arriti në 1.836.000 okkë.[8] Gjatë sundimit osman, surreja dërgohej kryesisht nga Stambolli dhe Kajroja, por në disa raste ajo nisej edhe nga Jemeni dhe Halepi. Përveç Mekës dhe Medinës, surre dërgohej gjithashtu edhe në Kudus, Halil (Hebron) dhe rrallëherë edhe për në Damask. Osmanët, surren e vendeve të shenjta e paraprinin me “surreja për beduinët”, e cila përbëhej nga dhurata për t’u shpërndarë tek fiset beduine përgjatë rrugës tokësore nga Egjipti dhe Shami drejt Medinës, me qëllim sigurimin e rrugëve nga sulmet e mundshme.[9]

Duke u nisur nga fakti se mbulesat më të hershme të derës së Qabesë që i përkasin Perandorisë Osmane datojnë 1543, besohet se tradita e dërgimit të mbulesës së Qabes bashkë me surren ka filluar në kohën e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm. Mbulesa e re e Qabes zakonisht prodhohej në Kajro dhe dërgohej bashkë me karvanin e surres, ndërsa ajo e vjetra kthehej në Stamboll me karvanin në kthim. Tradita e dërgimit të surres për në vendet e shenjta vazhdoi pa ndërprerje deri në vitin 1915, me përjashtim të disa viteve në fillim të shekullit XIX, kur Meka dhe Medina ishin nën kontrollin e Saudëve. Surreja e vitit 1916 nuk arriti dot në Mekë për shkak të kryengritjes së Sherif Huseinit, dhe mbeti në Medinë. Ndërsa surret e viteve 1917 dhe 1918 arritën vetëm deri në Damask. Sulltani i fundit osman, Mehmeti VI, në vitin 1919 kishte dhënë urdhër për përgatitjen e surres, por nuk ka të dhëna të sigurta që ajo të jetë dërguar.[10]

Ceremonitë e lidhura me dërgimin e përvitshëm të surres dhe mahmilit për në Mekë dhe Medinë datojnë që nga periudha e Abbasidëve, por zhvillimin e plotë dhe të përpunuar ceremonial e arritën gjatë sundimit osman, paralelisht me rritjen e rëndësisë që iu kushtua ceremonialit dhe protokollit shtetëror. Çdo detaj i ceremonisë së surres që organizohej në sarayin osman ishte i përcaktuar qartë dhe regjistrohej në defterët e protokollit. Në periudhën para vitit 1864, kur surreja dërgohej me rrugë tokësore, ceremonia e surre allaj-it” zhvillohej zakonisht më 12 të muajit Rexheb ose në ditët pasuese. Ceremoninë në Stamboll e organizonte Darus-seade Agası”, i cili ishte përgjegjës edhe për administrimin e vakëfeve të Haremejnit. Përgatitjet fillonin me emërimin e një surre emini” (drejtues i karvanit), i cili ishte përgjegjës për sigurinë e karvanit gjatë udhëtimit dhe për shpërndarjen e surres në vendmbërritje. Gjatë ceremonive ku merrte pjesë edhe vetë sulltani, i dorëzohej surre eminit një letër mbretërore (name-i humajun), drejtuar emirit të Mekës, së bashku me qeset e surres dhe regjistrat përkatës. Pastaj karvani ceremonial, ku përfshihej edhe deveja që mbante mahmilin, nisej nga saraji.[11] Deri në mesin e shekullit XIX, këto ceremoni zhvilloheshin në Sarajin e Topkapisë dhe pas përfundimit, ceremonia e përcjelljes kalonte nga Sirkexhi në Uskudar. Në vitet kur sulltanët banonin në Dolmabahçe ose Ywldwz Saraj, ceremonia zhvillohej aty dhe karvani kalonte përmes skelës së Beshiktashit në Yskudar. Në Yskudar, në oborrin e selisë së mutasarrifit, si gjatë nisjes ashtu edhe në kthim, ceremonia e surres kthehej në një ngjarje madhështore fetare, ku merrnin pjesë masa të mëdha qytetarësh nga të dy brigjet e Bosforit, dhe që konsiderohej ndër më të rëndësishmet e vitit në jetën publike të Stambollit. Këto ceremoni ruajtën këtë karakter deri në rënien e Perandorisë Osmane.[12]

Të gjitha shtetet myslimane para-osmane kanë kontribuar për, sigurimin e nevojave të Mekës dhe Medines. Sigurinë e haxhilerëve gjatë udhëtimit dhe furnizimin e tyre me ushqim, veshje, deve, ujë. Nevojat për ujë në Mekë dhe Medinë. Furnizimin e mbulesave të Qabes, ndriçimin dhe zbukurimin e vendeve të shenjta. Shërbime arsimore, shëndetësore, ndihmë sociale, pastrimin dhe funksionimin e hamameve, mbështetja për të varfrit dhe elitat lokale, pagesa për funksionarët dhe ndihma për ata që kryenin haxhin në emër të të tjerëve, etj. Këto ndihma shpesh vinin nga njerëz të fuqishëm që e shihnin këtë si një detyrë të shenjtë. Edhe para vitit 1517, Perandoria Osmane kishte ofruar ndihma për Haremejn, por pas këtij viti ato u bënë të rregullta dhe të përhershme. Për të përmbushur këto qëllime, u krijuan vakëfe në gjithë territoret osmane, të njohura si Haremejn Eukafë” (Vakëfet e Haremejnit), dhe administroheshin nga një funksionar i lartë i pallatit.[13] Edhe në vendin tonë ka pasur vakëfe të dedikuara për vendet e shenjta, një i tillë ka funksionuar në Tiranë gjer në vitet tridhjetë dhe njihet si “Vakëfi i Meke-Medine”, përbëhej nga katër dyqane me të ardhura mujore 720 franga ari.[14]

Burimi më i rëndësishëm i të ardhurave për organizmin e “surreve” të dërguara në vendet e shenjta ishin vakëfet e Haremejnit (vendeve të shenjta). Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të vakëfeve të mëdha që u përkisnin anëtarëve të dinastisë dhe elitës shtetërore osmane brenda territoreve të Perandorisë ishte e dedikuar për Mekën dhe Medinën. Përveç këtyre, një mbështetje e ndjeshme financiare vinte edhe nga thesari shtetëror, nga Hazine-i Hassa (thesari i posaçëm i sulltanit) dhe nga donacione private. Vakëfet e Surres ishin një prej shumë vakfëve që përbënin Vakëfet e Haremenit. Pra, ato ishin pjesë përbërëse dhe nëntip i vakëfeve të Haremejnit, që është një term më i përgjithshëm. Kjo i jep vakëfeve të surres një kuptim të veçantë dhe special. Megjithatë, qëllimi i vakëfeve të surres dhe i eukafëve të Haremejnit ishte i njëjtë, kujdesi dhe përkujdesja për Mekën dhe Medinën. Nuk kishte asnjë dallim në synimin dhe funksionin e tyre, të dyja ishin themeluar për të mbështetur dy qytetet e shenjta.[15] Gjithashtu, anëtarë të familjes perandorake, zyrtarë të lartë të shtetit dhe qytetarë të ndryshëm mund të përgatisnin dhurata dhe para, të cilat vendoseshin në çanta lëkure, në të cilat nga njëra anë shkruhej emri i dërguesit dhe nga ana tjetër emri dhe adresa e marrësit. Këto çanta dorëzoheshin pranë Ministrisë së Vakëfeve dhe dërgoheshin drejt vendeve të shenjta. Në kthim, ato u ktheheshin pronarëve me dhurata të sjella nga Meka dhe Medina. Të gjitha këto transaksione dhe dërgesa regjistroheshin në regjistrat vjetorë të surres. Me përjashtim të regjistrave që janë humbur ose ende të pazbuluar, nga fundi i shekullit XVI deri në dekadën e parë të shekullit XX janë ruajtur rreth 5000 regjistra të surres. Në disa raste, të ardhurat vjetore të vakëfeve të sulltanëve në Egjipt llogariteshin si pjesë e surrës dhe zbriteshin nga shuma që do të nisej nga Stambolli, pastaj pjesa e mbetur dërgohej në Egjipt dhe surreja përfundimtare e plotësuar aty, dërgohej drejt vendeve të shenjta.[16] Vakëfet e Haramejnit dhe dhuratat e grumbulluara për “surre-i humajun”, gjeografikisht shtriheshin gjer në skajet më të largëta të Perandorisë, si vilajeti e Temeshvar (Timoshoara) në Rumaninë e sotme.[17]

Një dokument i viti 1600, me titull Defteri i shpenzimeve të Surre-i Humajun”, na krijon një panoramë të qartë për mënyrën sesi ndaheshin dhe cilat ishin kategoritë që përfitonin nga dhuratat që dërgoheshin. Defteri ndahet në dy pjesë kryesore. Pjesa e parë përmban emrat e banorëve të Medinës dhe shërbyesve të Haremejnit, si dhe shumat që do të përfitonin nga fondi i surres për shkak të shërbimeve të tyre. Pjesa e dytë liston ulema, sulaha (të devotçëm), të varfër, jetimë, vejusha, që jetonin në Medinë, dhe sa monedha floriri do t’u jepeshin atyre. Defteri jep detaje të hollësishme për këtë proces, si dhe për origjinën apo vendodhjen e vakëfeve nga vileshin këto të ardhura.[18]

Damasku ka qenë një qendër kryesore për “surre-i humajun”, pavarësisht nëse dërgohej nëpërmjet rrugës tokësore, detare apo hekurudhore. Që para periudhës osmane, Damasku ka qenë një pikë ndalese për haxhilerët që vinin nga krahina të ndryshme, dhe në kohën osmane, u shndërrua në qendër grumbullimi për haxhilerët nga Ballkani, Anadolli, Iraku, Irani, Halepi dhe madje edhe nga Azia Qendrore. Karvani i surres që nisej nga Stambolli pritej me ceremoni në Damask dhe aty bashkohej me grupet e tjera të haxhilerëve. Nisja dhe kthimi i “mahmil-i sherif” nga Damasku bëhej gjithashtu me ceremoni të posaçme, dhe segmenti Damask-Medinë përfaqësonte ngjarjen më të rëndësishme fetare, politike dhe tregtare të rajonit. Karvani i surres nisej nga Damasku ndërmjet datës 12 dhe 20 të muajit Shevval, me qëllim që të mbërrinte në Mekë para fundit të Dhilkades. Emiri i Haxhit, i cili mbante përgjegjësinë për karvanin, ishte shpesh vetë vali apo një figurë e fuqishme nga elita lokale.[19]

Siç e kemi theksuar edhe më lart, një element i pandashëm i surreve të dërguara nga Stambolli dhe Kajro ishin mahmilët. Mahmili i dërguar nga Stambolli quhej mahmil-i humajun”, ndërsa ai nga Kajro quhej mahmil-i Misr”. Mahmili ishte i mbuluar me atlas të zbukuruar me ar dhe argjend, perde mëndafshi, gdhendje, gurë të çmuar dhe zbukurime të tjera. Mahmilet e hershme nga Stambolli ishin me ngjyrë të zezë, ndërsa ato të shekullit të fundit me ngjyrë të gjelbër. Në Kajro, pas një ceremonie para pallatit të Hidivit, mahmili shëtitej nëpër rrugët e qytetit, ashtu si në ceremonitë e sarajeve të Stambollit. Surreja dhe mahmili nga Kajro dërgoheshin ose nëpërmjet rrugës tokësore, ose përmes detit në drejtim të Xhiddes, apo ndonjëherë nga Aleksandria në Haifa përmes detit dhe prej andej me hekurudhë për në Medinë, sipas kushteve dhe mundësive.[20] Surreja dhe mahmilet që vinin nga Egjipti dhe Damasku priteshin me ceremoni madhështore në Medinë dhe Mekë, dhe bashkoheshin përfundimisht në Arafat. Pas vitit 1918, nuk ka të dhëna për dërgimin e mahmileve nga Stambolli, ndërkohë që mahmili egjiptian vijoi të dërgohej pa ndërprerje deri në vitin 1926. Për shkak të kundërshtimeve nga qeveria saudite, ky zakon u ndërpre deri në vitin 1936, dhe mahmili i atij viti mundi të mbërrinte vetëm deri në Xhidde. Mahmili vijoi të jetë i pranishëm në ceremonitë e nisjes dhe kthimit të haxhilerëve në rrugët e Kajros deri në vitin 1952, kur kjo traditë u ndërpre pas grushtit ushtarak. Përveç kësaj, termi mahmil ose “mahmil-i şerif” përdorej gjithashtu për dhuratat e dërguara nga emiri i Mekës për të përshëndetur sulltanin në ceremoninë e hipjes në fron, ku përfshihej edhe mbulesa e vjetër e ndërruar e Qabes.[21]

Surret, përveçse ofronin mbështetje materiale për vendet e shenjta, kishin një rëndësi shumë të madhe fetare dhe politike, veçanërisht për fuqitë që mbanin hilafetin siç ishin Abasitët, Mamlukët dhe Osmanët. Me kalimin e kohës, ceremonia e dërgimit të surreve u shndërruan në një mjet të fuqishëm për të shprehur dhe përforcuar ndikimin mbi Hixhazin dhe u perceptuan si simbol i qartë i autoritetit fetar dhe politik të pushtetit që i dërgonte ato. Në qendrat kryesore si Bagdadi, Kajroja, Stambolli dhe Damasku, nisja e surreve shoqërohej me ceremoni madhështore, që përbënin kulmin e vitit nga aspekti fetar dhe politik. Këto ceremoniale, përveç rolit të tyre simbolik, përforconin identitetin fetar të shtetit përgjatë gjithë itinerarit të karvanit të surres. Fakti që sulltanët osmanë i dërgonin dhurata të veçanta jo vetëm sejjidëve dhe sherifëve të Haremejnit, por edhe dijetarëve, talebeve dhe kategorive të ndryshme sociale, është një tjetër shprehje e kësaj qasjeje politiko-fetare. Popullsia myslimane e shihte surren si një mundësi të veçantë për të dërguar personalisht dhuratat e saj në vendet e shenjta, çka i jepte kësaj praktike një domethënie të veçantë edhe në nivel shoqëror. Nga gjysma e dytë e shekullit XIX, hidivët e Egjiptit filluan të zhvillonin ceremoni gjithnjë e më madhështore për surren, me qëllim të rritjes së ndikimit të tyre fetar dhe politik në raport me Stambollin. Këto përfshinin tri ceremoni vjetore, dy para nisjes dhe një pas kthimit, si dhe shëtitjen publike nëpër rrugët e Kajros të mbulesës së Qabes, mbulesës së Makami Ibrahimit dhe mahmilit, për të nxitur pjesëmarrjen entuziaste të popullit. Këto ishin, në një farë mënyre, shfaqje të garës për legjitimitet fetar dhe autoritet ndaj Hixhazit, që hidivët e Egjiptit zhvillonin ndaj qendrës osmane të pushtetit. Po kështu, ndërprerja e traditës së surres dhe mahmilit nga ana e administratës saudite, duhet kuptuar si shprehje e vendosmërisë së tyre për të eliminuar këtë simbol të fuqishëm të ndikimit osman në vendet e shenjta, dhe për të konsoliduar autoritetin e tyre sovran dhe fetar në Haremejn.

 

Punoi: Qendra për Hulumtime, Minber

[1] Ş. Tufan Buzpınar, “Surre”, TDV İslam Ansiklopedisi, C. 37, İstanbul 2009, s. 567.

[2] Murat Akgündüz, “Surre-i Hümayun Geleneği ve İslam Toplumunu Kaynaştırmadaki Rolü”, Dokuz Eylül Üniversitesi İlahiyat Fakültesi Dergisi, S. 22, İzmir 2005, s. 107-114.

[3] Kemal Çığ, “Osmanlı Padişahlarının Medineye Gönderdikleri Hediyeler ve Surre-i Hümayun”, Tarih Dünyası, C. II, S. 16, İstanbul 1950, s. 671-673.

[4] Burak Gani Erol, “Memluklar Zamanında Mısır Mahmili”, Türkiyat Mecmuası, C. 29, S. 1, İstanbul, 2019, s. 45-80.

[5] Kemal Çığ, “Osmanlı Padişahlarının Medineye Gönderdikleri Hediyeler ve Surre-i Hümayun”, po aty, s. 671-673.

[6] Ş. Tufan Buzpınar, “Surre”, po aty, s. 567.

[7] A. Esat Bozyiğit, Sadaka-i Rumiyye veya Nam-ı Diğer Mahmil-i Hümayun, Türk Dünyası Tarih Dergisi, C. II, S. 21, İstanbul 1988, s. 49-52.

[8] Kemal Çığ, “Osmanlı Padişahlarının Medineye Gönderdikleri Hediyeler ve Surre-i Hümayun”, po aty, s. 671-673.

[9] Mustafa Karazeybek, XVII. Yüzyılın İkinci Yarısından XVIII. Yüzyılın İkinci Yarısından Hac Yolu Masrafları, Hizmetleri ve Urban Surreleri , Yeni Türkiye, C. XXIII, S. 98, Ankara 2017, s. 525-538.

[10] Ş. Tufan Buzpınar, “Surre”, po aty, s. 567.

[11] E. Uykucu, “Hac ve Sürre Alayı”, Hayat Tarih Mecmuası, C. I, S. 2, İstanbul 1969, s. 33-34.

[12] Ercüment Ekrem Talu, “Sürre Alayı”, Resimli Tarih Mecmuası, C. III, S. 29,  İstanbul 1952, s. 1480-1482.

[13] Kemal Gurulkan, “Halep’te Bulunan Haremeyn Evkâfı ve Surre”, Uluslararası Antep-Halep Vakıfları Sempozyum Bildirileri (2009 Gaziantep), s. 345-365.

[14] Kolana “Zani i Naltë”, V. I, Organ i KMSh, themeluar në tetor 1923, Tiranë 2015, f. 192.

[15] Münir Atalar, “Surre Vakıfları”, X. Türk Tarih Kongresi: Ankara 22-26 Eylül 1986 Kongreye Sunulan Bildiriler, C. IV, Ankara 1993, s. 1635-1640.

[16] Ş. Tufan Buzpınar, “Surre”, po aty, s. 567.

[17] Mihai Maxim, “Yeni Osmanlı Belgelerine Göre XVII. Yüzyılda Temeşvar Eyaletinde Mekke ve Medine’ye Gönderilen Surre Altını”,  XIV. Türk Tarih Kongresi: Ankara 9-13 Eylül 2002, C. II, Ankara 2005, s. 1049-1053.

[18] S. Lokmacı. M. Köse, 34 AE Tarih 936 Arşiv Numaralı Surre-i Hümayun Masraf Defterinin Değerlendirilmesi”, Erzincan Üniversitesi Sosyal Bilimler Enstitüsü Dergisi, C. X, S. 2, Erzincan 2017, s. 249-258.

[19] Alaattin Aköz, “İstanbul’dan Kutsal Topraklara Uzanan Sevgi Yolu: Surre Alayları ve 1680 Surresi”, Üç Kıta-Bir Tarihçi: Prof. Dr. İlhan Şahin Armağanı, Bursa 2021, s. 217-240.

[20] Burak Gani Erol, “Memluklar Zamanında Mısır Mahmili”, po aty, s. 45-80.

[21] Ş. Tufan Buzpınar, “Surre”, po aty, s. 567.

Artikuj të ngjashëm