Hulumtime MINBER

Medreseja “Daru’l-Kurra”: Institucionet e larta për mësimin e Kuranit dhe prezenca e tyre në trojet shqiptare

Home » Medreseja “Daru’l-Kurra”: Institucionet e larta për mësimin e Kuranit dhe prezenca e tyre në trojet shqiptare

Termi daru’l-kurra” rrjedh nga fjala arabe dar”, që do të thotë “vend, hapësirë, shtëpi”, dhe nga kurr’rra”, që është shumësi i fjalës “lexues”. Ky term përdorej për të përshkruar institucionet ku mësohej Kur’ani, ku nxënësit pasi e mësonin përmendësh Kuranin, ushtroheshin dhe mësonin metodat e ndryshme të leximit (kiraat). Këto institucione njiheshin edhe me emrat daru’l-kur’an” dhe daru’l-huffaz”. Sipas një rrëfimi që përcjell Ibn Sa‘ad, Abdullah b. Ummu Mektum, një sahabi i njohur për leximin e bukur të Kur’anit, kur emigroi në Medine u vendos në daru’l-kurra” që ishte shtëpia e Mahreme b. Neufel.[1] Ky rrëfim tregon se termi daru’l-kurra” ka qenë në përdorim që në kohën e Profetit Muhamed a.s. për të përshkruar vendet jashtë xhamive ku mësohej Kur’ani famëlartë.

Gjatë dinastive islame medresetë “Daru’l-Kurra” u shtuan dhe u zhvilluan akoma më shumë. Në katër shekujt e parë të Islamit, mësimi i avancuar i Kur’anit zhvillohej vetëm në xhami, më vonë,  fëmijët filluan ta mësonin Kur’anin në vende të quajtura “kuttab” ose “mekteb” (te ne njihen si “mejtepe). Në mektebe, përveç shkrim-leximit, fëmijëve u mësoheshin edhe mësimet bazë të fesë dhe Kur’ani. Mësimi i shkrimit dhe i Kur’anit jepej nga mësues të ndryshëm, ata që jepnin mësime të Kur’anit quheshin “muallim” ose “mukrî”, ndërsa ata që jepnin mësime shkrimi quheshin mukettib”. Më vonë u themeluan medresetë Daru’l-Kurra” ose Daru’l-Huffaz” që ishin qendra për studime të avancuara të Kur’anit. Gjatë dinastisë Selçuke, termi daru’l-huffaz” përdorej shpesh për institucionet e mësimit të Kur’anit, ndërsa gjatë Perandorisë Osmane, u bë më i zakonshëm termi daru’l-kurra”.

Në periudhën osmane, shumë nga këto institucione u ndërtuan krah për krah me xhamitë e sulltanëve dhe vezirëve. Evliya Çelebi përmend se çdo xhami e madhe osmane kishte një “daru’l-kurra”, dhe vetëm në Stamboll kishte mbi 9000 hafizë, prej tyre 3000 ishin gra. Në shekullin e XVI, arkitekti Mimar Sinan ndërtoi disa “daru’l-kurra” që mbijetuan deri më sot, si: Sulejmanije Darul-Kurra, Sokollu Mehmet Pasha Darul-Kurra, Atik Valide Darul-Kurra, Edirne Selimije Darul-Kurra, etj. Këto institucione luajtën një rol kyç në ruajtjen e traditave të leximit të Kur’anit dhe në trajnimin e dijetarëve të kiraat-it deri në rënien e Perandorisë Osmane. Udhëtari i njohur Evliya Çelebi ka dhënë informacione shumë të vlefshme mbi veçoritë e “darul-kurra”-ve që ai ka vizituar gjatë udhëtimeve të tij. Në veprën e tij, ai përmend një numër të madh të këtyre institucioneve që ekzistonin gjatë shek. XVII. Gjithashtu, shumë prej “darul-kurra”-ve që ai përmend ndodheshin brenda xhamive të ndërtuara nga sulltanët, vezirët, fisnikëria dhe elita lokale, gjë që tregon se ato ishin pjesë e një sistemi më të gjerë të institucioneve fetare.[2]

Në këto medrese, studentët duhet të përfundonin memorizimin e Kuranit (hifzin) dhe të merrnin një trajnim shtesë për të zotëruar leximin e tij sipas mënyrave dhe metodave të ndryshme të recitimit (kiraet). Në këto medrese “shejhul-kurra”, i cili ishte një lloj kryemësuesi, nuk ishte përgjegjës vetëm për mësimin e kiraetit (mënyrave të leximit të Kur’anit), por gjithashtu kishte për detyrë të mësonte disa libra të caktuar. Në medresetë “daru’l-kurra”, gjatë periudhës klasike osmane, dy burimet më të përdorura si libra mësimorë ishin veprat mbi shkencën e kiraetit, të shkruara nga Shemseddin el-Xhezeri dhe Ebu Muhamed Shatibi. Në “daru’l-kurra, nxënësit ishin të detyruar të vinin në mësime të paktën katër herë në javë. Ata nuk mësonin vetëm kiraatin, por gjithashtu ndiqnin mësime nga libra të tjerë,  dhe studionin tema të ndryshme që lidhen me Kur’anin. Një ditë e javës për ta ishte pushim, ndërsa dy ditët e tjera kaloheshin në mësime dhe në praktikat e të lexuarit dhe të mësuarit të Kur’anit në xhami. Në veçanti, nxënësit e medreseve “daru’l-kurra luanin një rol të rëndësishëm në ndihmesën e popullsisë për të përmirësuar njohuritë e tyre për tecvidin (rregullat e leximit të saktë të Kur’anit). Gjithashtu, ata ndihmonin hoxhallarët e xhamive në korrigjimin e gabimeve të leximit të Kur’anit.

Sipas Evlija Çelibi në Ballkan dhe trojet shqiptare kishte shumë medrese “daru’l-kurra”. Në qytetin e Selanikut, sipas Çelebiut, gjenden disa Medrese Mufes-sirësh (medresetë e dijetarëve të tefsirit) por numri është i palexueshëm. Daru’l-kuratë e hafizëve, gjenden në (—) vende. [përsëri shifra është e palexueshme]. [3] Në qytetin e Ternovës, në Bullgarinë e sotme sipas tij kishte 3 medrese “Daru’l-kurra” ku mësoheshin edhe shkencat e texhvidit. Çelebiu thotë se në Xhaminë Darulkurra ka një numër të madh hafizllarësh të Kur’anit. Medresetë Daru’l-Kurra kanë qenë aq të përhapura në Ballkan saqë Çelebiu përmend se edhe në skajin më jugor të Moresë në qytetin e Motonit (Methoni) ndodheshin disa medrese Darul-Kurra, dijetarë tefsiri, si dhe hafëzllarë që u mësonin Kuranin nxënësve. Sipas tij aty gjenden edhe një numër i madh hafizllarësh të ardhur nga vendet Arabe.

Sa i përket qyteteve të ish Jugosllavisë Çelebiu thotë se në qytetin e Uzhicas, në Serbinë e Sotme, në të tria vendet ku ndodhen darulkuratë, Kur’ani i Shenjtë lexohet dhe mësohet me shkencën e texhvidit. Mirëpo, ndryshe nga hafizët e vendeve të tjera, këtu nuk lexohen kiraetet e tjera (Seb‘a), lexohet vetëm kiraeti i Hafsit.[4] Në qytetin e Foças, thotë se megjithëse nuk ka një daru’l-kurra të posaçme, të ndërtuar me kupolë, në Xhaminë e Bajazid Hanit ka kurra (lexues të specializuar të Kur’anit).[5] Më poshtë në qytetin e Nevesinjës ai thotë se janë dy medrese. Njëra është medreseja e mufes-sirëve, e vendosur përreth oborrit të Sulltan Bajazid II, tjetra është Medreseja e Xhamisë së Veli Agait. Përveç këtyre ka edhe një daru’l-kurra. Këto dy vepra të mëdha bamirësie ndodhen në anën e majtë të oborrit të Xhamisë së Sulltan Bajazid II, në fund të shkallëve. Ato janë ndërtuar si një darulkurra dhe darulhadith me një kupolë të madhe të mbuluar me plumb, si pjesë e veprave bamirëse të të ndjerit Ali Efendiut, vëllait të Ibrahim Efendiut. Një darulkurra dhe darulhadith i tillë i veçantë nuk gjendet askund tjetër në dheun e Hercegovinës (Hersek). Për qytetin e Mostarit ai përrmend që ka darulkura por numri është i palexueshëm.[6]

Evlija Çelebi përmend 13 qytete të Ballkanit që kishin medrese të tilla, ndër ta në Shkup 9 medrese dhe 1 xhami që shërbenin si “daru’l-kurra”, në Janinë medreseja Iljas Efendi, xhamia Arsllan Pasha dhe xhamia Hynqar që shërbenin si “daru’l-kurra”, në Bosnje, Bullgari, etj.[7] Medreseja “daru’l-kurra” ishte një institucion themelor në historinë islame, që siguroi transmetimin e saktë të Kur’anit nga brezi në brez. Pavarësisht ndryshimeve historike dhe gjeografike, këto medrese luajtën një rol të rëndësishëm në përhapjen dhe ruajtjen e dijes fetare, si në botën islame ashtu edhe në trojet shqiptare.

[1] Ibn Se’ad, “Ibn Umi Mektum”, Et-Tabekat, V. 4, f. 91.

[2] Nebi Bozkurt, “Darülkurra”, TDV İslam Ansiklopedisi, C. 8, İstanbul 1993, s. 543.

[3] Günümüz türkçesiyle Evliya Çelebi Seyahanamesi, Haz: S. A. Kahraman, Yapı Kredı Yayınları, V. 6/2, f. 155.

[4] Günümüz türkçesiyle Evliya Çelebi Seyahanamesi, V. 6/1, f. 537.

[5] Günümüz türkçesiyle Evliya Çelebi Seyahanamesi, V. 6/1, f. 560.

[6] Günümüz türkçesiyle Evliya Çelebi Seyahanamesi, V. 6/1, f. 631

[7] Nurettin Gemici, “Dârü’l-Kurrâ ve Evliya Çelebi’nin Seyahatnâmesi’nde Dârü’l-Kurrâlar”, Din ve Hayat: İstanbul Müftülüğü Dergisi, S. 31, 2017, s. 24-30.

 

Punoi: Qendra për Hulumtime, Minber

Artikuj të ngjashëm