Hulumtime MINBER

Koncepti i familjes dhe modelet e jetës familjare në Kuranin famëlartë

Home » Koncepti i familjes dhe modelet e jetës familjare në Kuranin famëlartë

Prof. dr. Abdullah Çolak

Familja është institucioni i parë i njerëzimit, i  me vullnet hyjnor. Menjëherë pas mashkullit të parë u krijua femra e parë, Hz. Hava, dhe këta dy ngritën vatrën e parë familjare.

Aktmartesa (nikahu) është etapa më e rëndësishme për ngritjen e familjes. Ndonëse martesa është një veprim civil, ajo përbën një akt juridik që bart edhe dimension adhurimi (Ibn Ashur, Filozofia e së drejtës islame, Stamboll, 1988, f. 245). Po për këtë arsye, Ibn Abidini, në veprën e tij Red-du’l-Muhtar, e nis kapitullin “Kitabu’n-nikah” (Libri i martesës) duke thënë: “Që nga Hz. Ademi e deri në ditët tona, ekzistojnë dy adhurime që janë shëndërruar në ligjshmëri dhe që do të vazhdojnë edhe në xhenet: njëri është besimi (imani) dhe tjetri është martesa (nikahu).” (Ibn Abidin, Stamboll, p.v., III, 3)

Përgjatë historisë njerëzore, familja është pranuar si institucioni më bazik i strukturës shoqërore. Ndërkaq, në mendimin islam, familja nuk është thjesht një bashkim biologjik dhe sociologjik, por një strukturë shumë shtresore me dimensione morale, fetare dhe juridike. Kurani fisnik e trajton familjen në kontekstin e qëllimit të krijimit të njeriut, vazhdimësisë së rendit shoqëror, si dhe transmetimit të vlerave morale tek individi. Sepse, familja është një mekanizëm i rëndësishëm si për qetësinë e individit në jetën e kësaj bote, ashtu edhe për lumturinë e tij në ahiret (botën tjetër). Në periudhën moderne, transformimi i institucionit të familjes dhe proceset si individualizimi e sekularizimi e kanë bërë të nevojshëm rivlerësimin e kuptimit që Islami i ngarkon familjes.

Për të shprehur fjalën familje, e cila në Kuran ndërtohet mbi konceptet e dashurisë (meveddet), dhembshurisë (rahmet) dhe qetësisë (sukun) përdoren terma të tillë si “ehl” (Tahrim, 66/6), “al” (Ali Imran, 3/33) dhe “zeuxh” (Rum, 30/21). Secili prej këtyre koncepteve tregon rëndësinë e familjes nga këndvështrime të ndryshme. Me fjalën “ehl” theksohet se pjesëtarët e familjes ndajnë të njëjtën jetë në një hapësirë të përbashkët. Fjala “al” na tregon se familja nuk duhet kuptuar brenda një kornize të ngushtë, por se përbën një strukturë më të gjerë shoqërore të lidhur përmes gjakut dhe martesës. Ndërkaq, me fjalën “zeuxh” shprehet se bashkëshortët janë individë që plotësojnë njëri-tjetrin, se janë partnerë si në dobi ashtu edhe në dëm dhe se lumturia e njërit varet nga tjetri.

Kurani famëlartë është fjalë hyjnore e cila udhëzon njeriun në fusha bazike, si: besimi, adhurimi, morali dhe e drejta, për t’i siguruar atij lumturinë e kësaj bote dhe të ahiretit. Procesi i shpalljes prej rreth njëzet e tri vitesh ka krijuar një bazament që edukon njeriun dhe shoqërinë në çdo aspekt. Pa dyshim, një nga qendrat më jetike të procesit edukativ është familja. Kurani e ndërton familjen herë drejtpërdrejt përmes ajeteve të normave juridike (ahkam), e herë përmes “tregimeve” (kisas) që ofrojnë fragmente nga jetët e pejgamberëve të kaluar. Në këto fragmente nga jetëshkrimet e pejgamberëve, të cilat shërbejnë si shembull për myslimanët, përfshihen dy lloje modelesh familjare: njëri është modeli i familjes që përmendet me lëvdatë, ndërsa tjetri është ai që qortohet.

Modelet e lavdëruara të familjes

Nëse u hedhim një sy disa prej modeleve të familjeve ideale që përmenden me lëvdatë në Kuran, do të shohim se karakteristika bazë e tyre është ngritja mbi vlera si: besimi në njësimin e Zotit (tevhid), konsultimi (istishare), drejtësia dhe ruajtja e nderit (iffet).

  1. Historia e Ademit (a.s.)

Ndonëse emri i bashkëshortes së Ademit (a.s.) nuk përmendet drejtpërdrejt në tekstin kuranor, gjithsesi, flitet për krijimin e saj si bashkëshorte e Ademit (a.s.), për vazhdimësinë e racës njerëzore, vendosjen e tyre së bashku në xhenet dhe zbritjen e tyre në tokë si pasojë e një gabimi. (Bekare, 2/35-38; Araf, 7/19-25; Taha, 20/117-123). Familja e parë në historinë e njerëzimit u sprovua nga cytjet e shejtanit. (Bekare, 2/35) Si rezultat i ngrënies së frutit të ndaluar nga dëshira për amshueshmëri, atyre iu zbuluan pjesët intime. (Taha, 20/120-121) Kjo ngjarje na tregon se, nëse të dy bashkëshortët kanë pjesë në bërjen e një gabimi, në vend që të fajësojnë njëri-tjetrin, ka rëndësi jetike të veprojnë së bashku për ta korrigjuar atë.

  1. Historia e Ibrahimit (a.s.)

Familja e Ibrahimit (a.s.) – një nga profetët me vendosmëri të lartë për të cilët flitet më së shumti në Kuranin e nderuar – përshkruhet në Kuran si maja e besnikërisë dhe e dorëzimit. Në këtë model, pjesëtarët e familjes (Ibrahimi (a.s.), Hz. Haxherja dhe Ismaili (a.s.) veprojnë me një vetëdije të përbashkët përballë urdhrit hyjnor. Shihet se marrëdhënia mes fëmijës dhe prindit bazohet te një respekt i thellë, dorëzim dhe konsultim. (Saffat, 37/102)

Fakti që prindërit mund të jenë idhujtarë nuk përbën pengesë për qenë respektues ndaj tyre. (Buhariu: Edeb, 7-8) Mungesa e kushtëzimeve në ajetet Kuranore, sa i përket mirësisë dhe respektit ndaj prindërve – me përjashtim të rastit kur ata kërkojnë t’i bëhet shok Allahut – tregon se ata e meritojnë këtë vëmendje thjesht për faktin se janë prindër, pa marrë parasysh nëse janë myslimanë, jomyslimanë, me virtyt apo gjynahqarë. Kësisoj, në Kuranin fisnik, shihet qartazi dashamirësia e fjalëve të Ibrahimit (a.s.) ndaj babait të tij, Azerit – i cili shquhej për sjelljet e tij idhujtare, tejet të ashpra dhe kërcënuese – “O babai im!”. Stili i tij i ngrohtë dhe përpjekja për ta bindur për ta shpëtuar nga idhujtaria, e në fund edhe lutja që bëri ndaj Allahut për të, tregojnë qartazi dhembshuri. (Merjem, 19/42-48) Madje, siç kuptohet edhe nga ajeti rreth prindërve idhujtarë: “…Sillu mirë me ta në këtë botë…” (Merjem, 19/42-48), shihet hapur se shfaqja e një sjelljeje të ngrohtë, të mirë dhe me respekt është bërë e detyrueshme.

Mësimi tjetër që mund të nxirret nga këto ajete e të tjera të ngjashme është ky: prindërit duhet të veprojnë me drejtësi mes fëmijëve të tyre dhe të mos bëjnë padrejtësi. Nëse ata bëjnë një padrejtësi, kjo gjendje nuk u jep fëmijëve të drejtën të mos përmbushin detyrën e tyre si fëmijë apo t’i dënojnë ata, përveç rikujtimit me një stil të përshtatshëm.

Lutja e vazhdueshme e Ibrahimit (a.s.) që pasardhësit e tij të jenë prej atyre që falin namazin dhe prej të mirëve, ka treguar se vazhdimësia shpirtërore e familjes duhet të mbështetet me lutje.

  1. Historia e Jakubit (a.s.) dhe Jusufit (a.s.)

Surja Jusuf është plot me mësime mbi xhelozinë brenda familjes dhe menaxhimin e krizave. Kur Jusufi (a.s.) i tregon babait të tij, Jakubit (a.s.), ëndrrën që kishte parë, këshilla e babait që ai të mos u tregonte vëllezërve për këtë – edhe pse ëndrra ishte e vërtetë – vë në pah faktin se jo çdo e vërtetë mund të thuhet kudo dhe se mjedisi ku do të thuhet fjala duhet të zgjidhet mirë. Përveç kësaj, shohim se myslimani duhet të zotërojë edhe virtytin e ruajtjes së sekretit.

Nisur nga informacionet që i dha për ato që i ndodhën birit të tij, Jusufit (a.s.), edhe pse Jakubi (a.s.) dyshonte te të bijtë, ai nuk i shkëputi marrëdhëniet me ta dhe nuk mbajti një qëndrim armiqësor, por veproi me gjakftohtësi dhe mbështetje te Zoti; këto duhet të shihen si qëndrime model që duhen marrë shembull në marrëdhëniet familjare.

  1. Historia e Musait (a.s.) dhe Shuajbit (a.s.)

Historia e Musait (a.s.) dhe Shuajbit (a.s.), e shpjeguar në ajetet 22-28 të sures Kasas, nuk është thjesht një rrëfenjë historike, por një tekst që përmban parime bazë për të drejtën familjare islame.

Takimi i Musait (a.s.) tek uji i Medjenit me dy vajzat e reja të cilat nuk po u jepnin dot ujë kafshëve të tyre, është shembull i kontaktit të parë shoqëror që zhvillohet brenda kornizës së burrërisë dhe edukatës. Musai (a.s.), pasi u ndihmoi zonjave, u tërhoq në hije, pa pritur asnjë shpërblim. Me këtë qëndrim ai përcaktoi kufijtë e komunikimit me të panjohurit. Thirrja e Musait (a.s.) nga njëra prej vajzave të reja duke ecur “turpshëm (me drojë)” drejt babait të saj, thekson rëndësinë qendrore të ndjenjës së turpit në takimet para martesës. Ndërkaq, në takimin mes Shuajbit (a.s.) dhe Musait (a.s.), Musai (a.s.) tregoi ato që kishte kaluar, kurse Shuajbi (a.s.) i ofroi siguri dhe mbrojtje duke i thënë: “Mos u tremb, shpëtove nga populli zullumqar”, e pas një kohe të caktuar i dha njërën nga vajzat e tij për bashkëshorte.

  1. Historia e familjes së Imranit (Ali Imran)

Kjo familje, e cila i jep emrin një prej sureve të Kuranit, është simbol i “ruajtjes së nderit” dhe “përkushtimit absolut”. Bashkëshortja e Imranit, fëmijën që do të lindte (Merjemen), e kishte përkushtuar në rrugën e Allahut dhe në shërbim të tempullit ende pa ardhur në jetë. Ky model mëson se familja nuk ka thjesht synim mirëqenien në këtë botë, por duhet të bartë misionin e mbrojtjes së brezit dhe të shërbimit ndaj idealeve sublime.

Nga ana tjetër, marrëdhënia midis gruas dhe burrit – ku secili prej tyre zotëron një natyrë me vlerë të barabartë në rrafshin e krijimit – për shkak të dallimeve ontologjike dhe biologjike, argumentohet më tepër përmes konceptit të “barasvlefshmërisë” sesa përmes një barazie absolute. E vërteta e shprehur në Kuranin fisnik përmes lindjes së Merjemes: “O Zoti im, unë linda femër! E mashkulli nuk është si femra…” (Ali Imran, 3/36), nxjerr në pah faktin se dallimi strukturor dhe funksional midis gjinive është një realitet i natyrshëm (fitri).

Sipas këtij këndvështrimi, ndërsa ideja e barazisë që imponon bota moderne i koncepton palët si qenie identike të cilat mund të zëvendësojnë vendin e njëra-tjetrës, parimi i barasvlefshmërisë shpreh vlerën që secila gjini ka në sytë e tjetrës, duke ruajtur peshën anatomike, fiziologjike dhe shoqërore që i përket vetëm asaj. (Safet Kose, Konceptet me gjenetikë të tjetërsuar dhe fundi i qytetërimit familjar, Konja: Fondacioni Mehir, Botimi i 3-të, f. 137-138)

Modelet e qortuara të familjes

Sado të fuqishme që të duken, Islami i refuzon ato struktura familjare që në themelin e tyre kanë mosbesimin, zullumin dhe degjenerimin moral; si një mësim për të gjithë njerëzimin, Kurani përfshin shembuj nga këto modele familjare. Historitë e Nuhut (a.s.) dhe Lutit (a.s.) janë ndër ato histori që përmbajnë këta shembuj.

Në ajetet 10 dhe 11 të sures Tahrim përshkruhet gjendja e bashkëshortëve të Nuhut (a.s.) dhe Lutit (a.s.), si dhe e Asijes, bashkëshortes së Faraonit. Në njërën anë flitet për çuarjen dëm përmes tradhtisë dhe pabesisë (dekonspirimit të sekreteve, bashkëpunimit me mohuesit) të nderit të të qenit bashkëshorte e një profeti dhe të mirësisë së afërsisë me burimin e mesazhit universal (shpalljes hyjnore); ndërsa në anën tjetër flitet për një bashkëshorte që ka ruajtur besimin në ekzistencën dhe njëshmërinë e Zotit, me gjithë të jetuarit nën autoritetin shtypës të Faraonit, i cili është simboli i mosbesimit dhe zullumit. Teksa njoftohet se bashkëshortet e këtyre dy profetëve, të cilat nuk arritën ta dinin vlerën e këtyre mirësive të mëdha dhe u bënë nga mohueset për shkak të mosmirënjohjes, janë nga banorët e xhehenemit, ndërkaq bashkëshortja e Faraonit është bërë e denjë për lëvdatën hyjnore.

Nga: Prof. dr. Abdullah Çolak

Universiteti Hitit, Turqi

Përktheu: Qendra për Hulumtime, Minber

 

 

 

 

Artikuj të ngjashëm