Hulumtime MINBER

Çfarë i thotë Tasavvufi (Misticizmi) Njerëzimit të Sotëm?

Home » Çfarë i thotë Tasavvufi (Misticizmi) Njerëzimit të Sotëm?

Feja është tërësia e së vërtetës hyjnore që i tregon njerëzimit rrugën e qetësisë dhe të lumturisë. Ndërsa tasavvufi (Misticizmi) është një lloj përkufizimi dhe interpretimi që sufijtë i bëjnë kësaj rrugë, e cila shpie drejt së vërtetës. Këta interpretues kanë ekzistuar që nga dita e parë. Pas Epokës së Lumturisë (Asru Saade)[1], gjatë periudhës së Emevitëve dhe Abasitëve, në Mekë, Medine, Kajro, Damask, Bagdad e Buharë, shumë mistikë, u bënë udhërrëfyes për udhëtarët. Një nga mjeshtrit më të mëdhenj të kësaj rruge, Muhjiddin Ibn Arabiu, lindi në Andaluzi dhe ndërroi jetë në Damask në vitin 1240. Një tjetër është Mevlana Xhelaleddin Rumiu, i cili jetoi në Konja gjatë periudhës së Selçukëve. Ai lindi në vitin 1207 në qytetin e Belhit, emigroi me familjen e tij drejt Anadollit dhe ndërroi jetë në vitin 1273 në kryeqytetin Konja. Kurse ylli i Anadollit është Junus Emre. I pari shkroi në arabisht, i dyti në persisht, kurse dervishi i tretë shkroi në turqisht.

Ata e morën këtë pishtar nga të mëdhenjtë që i paraprinë, me në krye Pejgamberin a.s.: nga Ebu Talibi i Mekës, Xhunejdi i Bagdadit, Attari i Horasanit, Muhakkiku i Tirmidhit, Shemsi i Tebrizit etj… Që prej tetë shekujsh, askush nga ata që i kanë lexuar, nuk është penduar. Ata që i kuptuan, sipas kapacitetit dhe aftësisë së tyre, u takuan me të Vërtetën dhe me realitetin hyjnor, u përballën me dashurinë dhe me përkushtimin shpirtëror. Me pak fjalë, u bënë të lumtur dhe ndien gëzimin e të jetuarit. Thirrën: “Sa e bukur është bota, sa i bukur është njeriu, sa e bukur është lutja, sa e bukur është sexhdeja, sa e bukur është jeta!”

Sot, në gjeografi të ndryshme të botës, pasuesit e tyre, që artikulojnë të njëjtën të vërtetë, vazhdojnë detyrën e tyre: në boshtin Kashgar-Kazan-Kordobë; në linjën Buharë-Bursë-Bosnjë; në itinerarin Isfahan-Aleksandri… Sepse ata janë dyert e mirësisë e të begatisë që Allahu ka hapur për ne. Ata do të ekzistojnë për aq kohë sa të ekzistojë bota.

“Mos thuaj se njerëzit e zemrës ikën të gjithë e qyteti i dashurisë mbeti i shkretë!

Bota është plot me Shemsa të Tebrizit, po ku është ndjekësi si Mevlana?”

Tani po shtrojmë sërish pyetjen:

Çfarë i thotë dhe çfarë mund t’i thotë kultura e tasavvufit njeriut bashkëkohor; çfarë horizonti mund të hapë dhe çfarë mundësish mund të ofrojë ajo për sa i përket problemeve shpirtërore të njeriut të sotëm? Le të mendojmë së bashku mbi këto pyetje dhe të përpiqemi të gjejmë përgjigje. Ose ndryshe thënë, cila është oferta e mësimeve të shtjelluara në Mesnevi-në prej 26.000 bejtesh apo në Futuhat-in prej dyzet vëllimesh për njeriun e sotëm?

Përgjigjen e këtyre pyetjeve, me lejen tuaj, dëshiroj ta paraqes nëpërmjet njëmbëdhjetë pikave. Përse njëmbëdhjetë? Sigurisht që mund të bëhen klasifikime të ndryshme. Në kulturën e tasavvufit ekzistojnë njëmbëdhjetë parime; duke u nisur nga ky numër, i përmblodha përgjigjet në njëmbëdhjetë pika:

  1. Gjej Mjeshtrin!

Le ta fillojmë me lutjen e parë të sures së parë: “Udhëzona në rrugën e drejtë!” (El-Fatiha, 1/6). Sipas renditjes në Kuranin Fisnik, kjo është lutja e parë që Allahu na mëson: “O Allah, na udhëzo në rrugën e drejtë; O Allah, na drejto kah rruga e përkryer.” Çfarë është kjo rrugë e drejtë? Rruga e drejtë, kjo udhë e vërtetë, e kujt është? Përgjigjja vijon menjëherë: “Në rrugën e atyre që i begatove me mirësi, o Allah”. Allahu i Lartësuar e shpjegon kësisoj rrugën e drejtë: ajo është rruga e atyre që u është dhënë mirësia e Tij. Cilët janë ata? Përgjigjja për këtë, jepet në një ajet tjetër: “Ata janë pejgamberët, të sinqertët/besnikët, dëshmorët ose dëshmitarët e së vërtetës dhe të mirët.” (En-Nisa, 4/69). Në një kuptim, këta përbëjnë katër shtyllat kryesore të Kuranit Fisnik. Këta janë njerëzit e begatuar nga Allahu; ata janë që tregojnë rrugën e drejtë, udhën që shpie drejt Allahut.

Pejgamberët, natyrisht, i përkasin një kategorie të jashtëzakonshme e të pakrahasueshme. Le të sqarojmë veçoritë e tri grupeve të tjera: të sinqertët, që janë besnikë e me përkushtim të kulluar; dëshmorët ose dëshmitarët e së vërtetës, që e vënë jetën e tyre në shërbim të së vërtetës; dhe, të mirët.

Të mirët përbëjnë një nga kategoritë njerëzore më të larta që na mëson Kurani Fisnik; më saktësisht, ky nocion përdoret për besimtarët që kanë arritur shkallët më të larta shpirtërore. Ky emërtim përmendet shpesh në Kuran: robërit e mirë të Allahut. Rruga e drejtë do të gjendet duke marrë shembull pikërisht këta. Detyra jonë e parë është të gjejmë dikë që do të na tregojë rrugën e drejtë, një nga robërit e Tij të mirë. Ne kemi nevojë për një udhërrëfyes, për një qenie njerëzore; për këtë arsye, kanë ardhur edhe pejgamberët. Pas pejgamberëve, vijnë trashëgimtarët e tyre, tri grupet e tjera: ata që ndjekin udhën e Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!). Ne duhet t’i gjejmë ata dhe të udhëhiqemi prej tyre. Është e domosdoshme të gjendet një mjeshtër, një njohës i diturisë, një mësues, një udhërrëfyes shpirtëror. Sepse kur lindim, ne nuk dimë asgjë; na nevojitet një mësues, një udhërrëfyes që të na tregojë atë rrugë e të na mësojë librin e saj. Prandaj, çështja jonë kryesore duhet të jetë kërkimi i trashëgimtarëve të pejgamberëve dhe përvetësimi i përvojës së tyre.

Qëllimi ynë nuk është thjesht të gjejmë dikë për të bërë biseda të rëndomta apo për të pirë një kafe; të gjesh dikë do të thotë të kërkosh rrugët për të përfituar nga përvoja e tij e madhërishme dhe e bekuar. Nëse nuk mund ta përvetësojmë atë përvojë, gjetja e tij nuk na sjell asnjë dobi. “Er-refiku thumme’t-tarik”: së pari bashkudhëtari me përvojë, pastaj rruga.

  1. Kushtoju vëmendje ushtrimeve shpirtërore (rijadet)!

Mësimi i parë që i jepet njeriut që hyn në udhën e tasavvufit, përmban këtë parim me tri kërkesa: Hani pak, flini pak, flisni pak!

Ky është mësimi i parë, hapi fillestar i kësaj shkolle; kjo përbën njëkohësisht abetaren e rijadetit (vetëpërmbajtjes dhe ushtrimit shpirtëror). Fjala rijadet, në kuptimin e saj rrënjësor, do të thotë edukim ose stërvitje. Në periudhën osmane, në shkolla ekzistonte një lëndë e quajtur rijadet-i bedenijje. Çfarë do të thotë kjo? Edukim fizik. Fjala rijadet, lidhet, si me edukimin e trupit, ashtu edhe me edukimin e shpirtit. Ajo që na intereson ne, është edukimi i shpirtit. Në shkallën e dytë fillon pikërisht ky edukim: rijadet-i ruhijje (edukimi shpirtëror).

Kur ua shpjegoj edukimin shpirtëror bashkëbiseduesve të mi, e trajtoj së bashku me edukimin fizik, dhe u tërheq vëmendjen te çështja e sportit. Edhe sporti është një lloj rijadeti (stërvitjeje); madje edhe fjala është e njëjtë. Edhe matematika, në gjuhën osmane quhej rijazijat, fjalë që rrjedh nga e njëjta rrënjë.

Mendoni një vrapues maratone, një kampion bote. Një person i vetëm në të gjithë botën, kampion botëror në maratonë; një në shtatë miliardë njerëz. Ai vrapon për pesë orë dhe shpallet kampion bote. Pyetja është kjo: Çfarë fshihet brenda këtyre pesë orëve? Çfarë ka vallë brenda atyre pesë orëve që ne shohim në ekran?

Aty ka të paktën pesë vjet punë. Çfarë ka tjetër? Së bashku me ato pesë vjet, ka djersë balli. Sidoqoftë, kjo nuk mjafton; përkrah djersës së ballit ka një vullnet shumë të fortë. Sërish nuk mjafton; ka edhe një durim të jashtëzakonshëm. Por edhe kjo nuk mjafton për t’u bërë kampion bote. Ka edhe diçka tjetër, pa të cilën nuk bëhet dot: ai është trajneri. A ka ndonjë kampion bote pa trajner? Nuk ekziston asnjë kampion bote pa trajner. Ndërsa ne nuk ngremë dot një peshë prej njëzet kilogramësh, një njeri tjetër në të njëjtën moshë e ngre një peshë prej dyqind kilogramësh pa asnjë sforcim. Si e arrin këtë? Duke i dhënë trupit të tij një fuqi të tillë përmes stërvitjes fizike, saqë shfaq një gjendje të jashtëzakonshme. Nëse një njeri mund të ngrejë dyqind kilogramë, këtu ka diçka të jashtëzakonshme. Edhe në përfundim të edukimit sufist shfaqet një gjendje e tillë e jashtëzakonshme. Përderisa trupi i njeriut e shfaq këtë mundësi, përse të mos e shfaqë edhe shpirti i tij?

Nëse trupi i njeriut, lënda e tij, qenia e tij e përbërë nga gjaku dhe eshtrat mund të arrijë një gjë të tillë të tillë të jashtëzakonshme, përse të mos e arrijë edhe shpirti ynë? Në fund të udhëtimeve shpirtërore të tasavvufit, ne e edukojmë shpirtin tonë dhe i japim atij cilësitë e përsosmërisë. Shkalla e dytë e këtij udhëtimi, rijadeti, do të thotë të jesh i gatshëm për një “udhëtim të gjatë e të imët”.

  1. Ndiq pastrimin e zemrës (tezkije)!

Në një pikë të këtij udhëtimi të gjatë, fillon mësimi i pastrimit të zemrës (tezkijet-ul kalb). Në Kuranin Fisnik përmenden shprehje të tilla si: ata që kanë sëmundje në zemrat e tyre (El-Bekare, 2/10), ata që u janë ndotur e ndryshkur zemrat (El-Mutaffifin, 83/14), ata që u janë ngurtësuar zemrat dhe ata që u janë bërë zemrat si gur (El-Bekare, 2/74). Shërimi i këtyre sëmundjeve quhet tezkije (pastrim). Tezkije do të thotë pastrim, purifikim; edhe fjala zekat rrjedh nga kjo rrënjë. Si ta pastrojmë zemrën tonë nga këto ndotje? Kjo është lufta e madhe (xhihadi i madh), ose me fjalë të tjera, përpjekja më e lartë shpirtërore. Cilat janë ato gjëra që e sëmurin, e ndotin, e gurëzojnë, dhe e bëjnë zemrën tonë më të ngurtë se guri? Kur kërkoni përgjigjen e kësaj pyetjeje, përballeni me shumë faktorë.

Mund të japim një apo dy shembuj: Për shembull, ekziston një sëmundje e quajtur mendjemadhësi (kibr), e cila e mbyt zemrën tonë. Çfarë është mendjemadhësia? Të shohësh të tjerët me përbuzje, t’i quash të rëndomtë apo të ulët; e ta shohësh veten lart. Përse në ato lartësi? Sipas mendjes së tij, ai i beson parasë së vet, i beson famës, prestigjit apo titullit të tij. Ai shikon shkronjat që qëndrojnë përpara emrit të tij. Të tjerët i duken krejt të vegjël, ndërsa vetja në lartësi; kjo është fatkeqësia e quajtur mendjemadhësi. Një sprovë që e lë zemrën tonë të pafuqishme për të lëvizur. Kjo kërkon shërim. Këtë nuk mund ta bëjnë kardiologët, sepse kjo nuk hyn në fushën e kardiologjisë. Duhet të ketë një “specialist të zemrës” shpirtërore, i cili do të na japë mësimin e thjeshtësisë (tevadhu); do të na e mësojë modestinë e thjeshtësinë me fjalët e tij, me mënyrën se si ulet e ngrihet, se si ha, pi e vishet.

Ekuivalenti i mendjemadhësisë është modestia/thjeshtësia (tevadhu). Modestia është një veçori e jashtëzakonshme, një pasuri e madhe, një thesar që çliron zemrat. E çfarë është ajo që çliron zemrat? Nuk ka nevojë të thellohemi; cila është ajo forcë që e çliroi këtë tokë? Forca që e çliroi këtë tokë është thjeshtësia e dervishëve, është modestia e tyre. Fuqitë e tjera materiale, si topat e armët, janë gjëra kalimtare. Ajo thjeshtësi duhet kapur; zemra jonë duhet pastruar nga ndotjet e mendjemadhësisë. Mendjemadhësia ka mijëra lloje; më e rrezikshmja prej tyre është sëmundja e nënçmimit të besimtarëve të tjerë, bazuar në adhurimet që kryejmë. Ky është një kurth i tmerrshëm. Përse është kurth i tmerrshëm? Sepse ne nuk kemi asnjë dokument që vërteton se adhurimet tona janë pranuar; ne lutemi “o Allah, na i prano!”, por nuk kemi asnjë dijeni nëse janë pranuar apo jo. Kur nuk e kemi këtë dijeni, si mund të mbështetemi tek to e të nënçmojmë një besimtar tjetër?

Mbjellja e urrejtjes dhe mbajtja e mërisë është një tjetër sëmundje; të mbash mëri e të jesh i mbushur me urrejtje është diçka që na gërryen e na shkatërron nga brenda. Ç’farë gërryen ajo? Gërryen pasuritë tona shpirtërore, vlerat tona dhe atë që kemi akumuluar. Urrejtja e konsumon thesarin e zemrës sonë; njeriu me mëri është si një njeri që humb gjak vazhdimisht. Mbajtja e mërisë është një sëmundje aq e rrezikshme, saqë Allahu i Lartësuar na mëson një lutje të veçantë kundër saj. Në Kuran nuk ka një lutje të veçantë për çdo sëmundje, por për këtë sëmundje ka. Ajo është një lutje e veçantë prej gjashtë fjalësh në ajetin e 10-të të sures El-Hashr, ku Allahu i Lartësuar na mëson të lutemi kështu: “O Allah, mos vendos në zemrat tona mëri kundër besimtarëve!” Këtë duhet ta përsërisim çdo ditë: O Allah, mos vendos në zemrat tona mëri kundër besimtarëve. Sepse kjo është një sëmundje mortore, sepse është një sëmundje që e asgjëson, e kërcënon dhe e rrënon begatinë e zemrës sonë. Me këto sëmundje duhet të luftojmë me vullnetin tonë, njëjtë si ai vrapuesi i maratonës; duhet të përballemi me to me durimin e me vullnetin tonë, duhet t’i mbizotërojmë ato me djersën e ballit tonë; sepse vetëm kështu realizohet pastrimi i zemrës.

Pastrimi i zemrës (tezkije) është një nga detyrat kryesore të pejgamberëve (El-Bekare, 2/129). Edhe lakmia e dorështrëngimi është një sëmundje e tillë; të gjithë e dinë se qefini nuk ka xhepa, por sërish nuk mund t’i shpenzojnë të mirat e fituara për dobinë e shoqërisë. Edhe syfaqësia (rija) është një sëmundje e tmerrshme; syfaqësia dhe dukja janë nga kurthet mortore të vetvetes (nefsit). Këto janë mësimet e së njëjtës shkollë, mësimet e shkollës së irfanit (dijes shpirtërore). Sido që ta quajmë, tezkijetu’l nefs (pastrim i nefsit) apo tasfijetu’l kalp (kullim i zemrës), të dyja shpien në të njëjtin përfundim. Këto janë ndër mësimet e domosdoshme që njeriu bashkëkohor duhet t’i studiojë me patjetër.

  1. Kushtoji vëmendje egos dhe vetvetes!

Ekziston çështja e egos, e cila është një nga idhujt e njeriut bashkëkohor. Fjala ego në turqisht është ben (unë), në persisht men, ndërsa në arabisht ene. Për çudi, të gjitha këto fjalë përbëhen nga tri shkronja. Duke u nisur nga kjo, mund të thuhet se edukimi sufist është një udhëtim nga tri shkronja, në tri shkronja: një udhëtim nga ego te dashuria hyjnore (ashk). Marrja e egos sonë nën kontroll është një çështje tepër e rëndësishme.

Etika e tasavvufit thotë kështu:

“Bëj punë të mëdha, por mos u shfaq në vitrinë! Sepse është e rrezikshme. Bëj punë të mëdha, por jeto në mënyrë të fshehtë; bëj punë të mëdha që t’i dijë vetëm Ai (i Lartësuari).”

Në momentin që shfaqeni në vitrinë, do të përballeni me fatkeqësinë e syfaqësisë (rija). Kjo është një çështje që lidhet me edukimin e egos dhe vetvetes. Për ta përballuar këtë, nevojitet një përgatitje e caktuar shpirtërore, e cila duhet përfituar. Edukimi në tasavvuf ka pikërisht detyrën t’u brumosë njerëzve këto cilësi. Dervishët e veçanërisht ata që ndjekin rrymën melamite kanë edhe një formulë tjetër për edukimin e egos: Mos fol për anët e tua pozitive, por përballu me të metat e tua. Mos bëj reklamë për arritjet e zemrës sate, por prano mangësitë e tua. Mos u shqetëso që njerëzit të mësojnë vlerat e tua, mos prit shpërblim dhe mos hyj në pritshmëri! Mjaftohu me faktin se ato i di Ai! Sepse nëse nuk mjaftohesh me këtë, egoja hyn sërish në veprim. Mënyra se si do të realizohet edukimi i egos për njeriun bashkëkohor përbën një çështje jashtëzakonisht serioze.

  1. Mos i adhuroni lëndën, paranë dhe jetën e kësaj bote!

Sot, një nga problemet tona më të mëdha janë paraja, fama, pozita e pushteti. Këto kanë ekzistuar edhe në të kaluarën, por sot janë shndërruar në një sëmundje që e përjeton secili prej nesh. Kjo na bën tepër të pafuqishëm e të ndjeshëm. Çështjet e parasë e të pasurisë na skllavërojnë deri në atë masë, saqë na hedhin shumë larg vendit ku duhet të ishim; na shtyjnë drejt bregdeteve të huaja e lagjeve të ndotura. Fillojmë të sorollatemi në lagje e në brigjet që nuk na përkasin. Kundrejt këtyre idhujve nuk arrijmë dot të fitojmë imunitet. Siç dihet, nëse sistemi imunitar i trupit tonë është i fuqishëm, mikrobet nuk na shkaktojnë asnjë pasojë negative; ato vijnë e ikin. Përndryshe, edhe një rrufë e thjeshtë mund ta çojë njeriun në botën tjetër. Po kështu është edhe me shpirtin apo zemrën tonë.

Ne duhet të fitojmë imunitet kundër kësaj murtaje të kohës. A duhet të kemi para e pasuri? Sigurisht që po. Mirëpo, nëse nuk kemi imunitet shpirtëror, ajo pasuri na flak në vende të tjera, na tërheq drejt hapësirave të huaja dhe na largon gjithnjë e më shumë nga “qendra”; pra nga vetvetja, nga zemra jonë. Për këtë arsye, këtë çështje e shtjelloj si tre idhujt e mëdhenj të kohës bashkëkohore. Ekzistojnë tre idhuj të mëdhenj bashkëkohorë që po e përmbysin të gjithë botën. Lati, Menati dhe Uza e ditëve tona janë: materializmi, kapitalizmi dhe laicizmi ose sekularizmi. I pari është adhurimi i lëndës, i dyti është adhurimi i parasë, kurse i treti është adhurimi i jetës së kësaj bote. Këta tre idhuj të mëdhenj kërcënojnë botën si një cunam; thuajse na shkëpusin këmbët nga toka dhe na shtyjnë drejt mendimeve, filozofive e pasioneve krejt të huaja. Si mund t’u kundërvihemi atyre? Vetëm ata që kanë krijuar imunitet shpirtëror ndaj këtyre tri sprovave, mund t’i kund;rvihen. Përndryshe, punët tona do të jenë mjaft të vështira.

  1. Mos harro, do të shikohet bota jonë e brendshme (siret) dhe jo ajo e jashtme (suret)!

Përmbajtja kryesore që mësohet në disiplinën e tasavvufit është përkushtimi ndaj shpirtit e jo ndaj formës së jashtme. Forma e jashtme ka vendin e saj, por thelbësore është shpirtërorja. Nuk do të shikohet pamja juaj e jashtme (suret), por e brendshmja (siret); ky është parimi bazë: do të merren për bazë synimet tona në zemër dhe veprat tona. Nuk do të shikohet palltoja apo manteli ynë. Thelbësore nuk është petku i jashtëm (hirka), por zjarri i brendshëm i zemrës (hurka). Njeriu bashkëkohor po merret me stolitë e jashtme, po ndjek “makjazhin”.

Përkundër kësaj, do të shikohet brendësia dhe zemra jonë; sepse devotshmëria (takva) ndodhet aty. Devotshmëria është në zemër dhe pikërisht zemra do të shikohet. Allahu i Lartësuar thotë: “Libasu’t-takva”/petku i devotshmërisë (El-A’raf, 7/26). Këtë petk devotshmërie duhet ta fitojmë e ta qepim; duhet ta kërkojmë këtë veshmbathje shpirtërore. Duhet kërkuar e gjetur rrobaqepësi që do ta qepë atë. Për këtë arsye, duhet të përfitojmë nga metodat e tasavvufit. Tasavvufi është një përvojë; një përvojë njëmijë apo njëmijë e pesëqindvjeçare. Të mos e shfrytëzosh këtë përvojë nuk është urtësi. Këtë përvojë të madhërishme duhet ta marrim, ta përdorim dhe ta shfrytëzojmë për shërimin e sëmundjeve tona shpirtërore.

  1. Ai është Latif (I Butë, Mëshirues), dhe Kahhar (I Plotfuqishëm, Mposhtës)!

Një nga çështjet që u mësohet njerëzve në tasavvuf, e cila duhet t’i mësohet edhe njeriut bashkëkohor, është ekzistenca e madhështisë (Xhelal) dhe bukurisë (Xhemal). Shfaqjet e bukurisë dhe të madhështisë janë të gërshetuara me njëra-tjetrën. Sipas sufijve, në gjithësi ekzistojnë dy lloje shfaqjesh (texheli) të Allahut: njëra lidhet me emrin e Tij El-Kahhar (I Plotfuqishëm, Mposhtës), kurse tjetra me emrin El-Latif (I Butë, Mirëbërës). Të dyja këto i përkasin Atij, janë prej Tij dhe përbëjnë shfaqjet e Tij. Prandaj, jeta rrjedh mes këtyre dy trajtave. Kur përballemi me një sprovë apo vështirësi të madhe; domethënë me një shfaqje të madhështisë (xhelali), ne besojmë se brenda saj gjendet edhe një shfaqje e bukurisë dhe e mirësisë (xhemali). Për këtë arsye, duke besuar se brenda sprovave të mëdha fshihet një mirësi e madhe, ne nuk biem në dëshpërim. Ndërsa kur përballemi me një mirësi e gëzim (xhemali), nuk mburremi e nuk shfrenohemi, duke menduar se pas saj mund të vijë një sprovë apo disiplinim (xhelali).

Me shprehjen e madhërishme treqind e tridhjetëvjeçare të Nijazi Misriut:

“Sa po të shfaqet e bukura, shpejt e kaplon madhështia,

Kudo që të çelë një trëndafil, pranë tij shfaqet një gjemb”

Jetës duhet vështruar kësisoj. Nëse në një vend ka trëndafil, do të shohësh edhe gjembin; nëse përqendrohesh vetëm te gjembi, nuk e sheh dot trëndafilin, e nëse përqendrohesh vetëm te trëndafili, nuk e sheh dot gjembin. Aty ku sheh trëndafilin, ki parasysh se gjembi është po aty; por edhe kur të shohësh gjembin, mos u dëshpëro, sepse po të përqendrohesh mirë, mund të ndjesh aromën e trëndafilit. Dervishët kërkojnë që jeta të vështrohet përmes kësaj optike.

Ata që e kalojnë këtë shkollë shpirtërore, mbërrijnë së bashku me Junus Emrenë në këtë nivel:

“Unë e kam marrë aromën e Së Vërtetës,

Ç’më duhen mua hyritë e xhenetit?”

  1. Shih të metat e tua, jo lëvdatat!

Ky është një tjetër mësim që u jepet njerëzve në këtë shkencë: shikoje lëvdatën dhe qortimin si të barabarta; arrij në një pikë të tillë, ku sa ndikohesh kur të lavdërojnë miqtë, po aq të ndikohesh edhe kur të qortojnë.

Mësuesi ynë thotë kështu:

“Kush nuk e di se ndëshkimi e mirësia janë një gjë e vetme, hoqi mundime.”

Të shohësh lëvdatën dhe qortimin si të barabarta është një gjendje e përsosmërisë shpirtërore. Miqtë edhe të lavdërojnë, edhe të qortojnë; miku thotë të vërtetën e hidhur, qorton e herë-herë edhe lavdëron. Për shkak se egoja jonë nuk është e edukuar, ne zakonisht nuk u vëmë veshin qortimeve. Me fjalë të gjithë jemi të hapur ndaj kritikës, por për ndonjë arsye, kritikat na hidhërojnë dhe kalojmë menjëherë në mbrojtje.

Ibn Ataullah el-Iskenderi ka një thënie të madhërishme në veprën e tij Urtësitë Ataije (Hikem el-Ata’ijje):

“Kur të të lavdërojnë miqtë, ti në atë çast mendo mbi gjynahet e tua!”

Miqtë të lavdërojnë, të bëjnë komplimente, e herë-herë përdorin fjalë që nuk i meriton. Mos u ndërhy atyre, por as mos u mashtro nga ato fjalë! Ata të ngrenë lart, por ti, duke i dëgjuar ata, të mendosh për të metat e tua. Ja, ky është kundërhelmi i kësaj sprove. Sepse miqtë e tu nuk i dinë të metat e tua; ata njohin vetëm anët e tua të mira. Ndërsa brenda teje enden me dhjetëra mendime e synime të fshehta që i di vetëm ti e asnjë tjetër.

  1. Mos u largo nga natyra!

Kjo është një temë mjaft e rëndësishme për njeriun bashkëkohor: leximi i librit të gjithësisë. Lexo librin e universit, pra, bëhu njësh me natyrën. Për njeriun e sotëm, një prej problemeve më të mëdha është pikërisht ky: u shkëputëm nga natyra, u shkëputëm nga yjet. A i vështroni yjet gjatë natës? A ka mes nesh që i vështrojnë yjet? Ju që jetoni në qytete të mëdha, a i shihni yjet? A keni kohë mjaftueshëm sa për t’i kthyer sytë nga yjet? Ku po e kaloni kohën tuaj duke vështruar? “Sa i bukur është adhurimi nën yje!” thoshte poeti. Ai e pat shkruar sepse e pat përjetuar vetë atë gjendje në një kohë më të pastër. Vargu i përket Faik Ali Ozansojit nga Dijarbakiri, dikur prefekt i Mudanjës dhe vëllai i Sulejman Nazifit.

Sprova e tij nis me vargun: “Sa e bukur është madhështia në qiejt e mbushur me yje!” dhe përfundon kështu:

“Sa i bukur është adhurimi nën yje!”

A ekzistojnë vërtet yjet në këtë botë, ata yje për të cilët Allahu u betua në Kuran? (En-Nexhm, 53/1). Kush na i mbuloi ata? Kush vendosi perde përpara tyre? Ndotja jonë… Ne e ndotëm natyrën, pra e ndotëm vetveten. Prandaj, largimi nga natyra dhe nga ajo që është natyrore, përbën një nga problemet më të mëdha të njeriut bashkëkohor. “Të largohesh nga natyra do të thotë të largohesh nga Allahu”, thotë poeti. Ne duhet të jemi në lidhje të ngushtë me natyrën, me tokën dhe me jetën natyrore.

A mund të jetohet në katin e njëzet e dytë? A jetohet në katin e pestë apo të dhjetë? A mundet që jeta e njeriut të lindë në beton, të vazhdojë në beton e të përfundojë po në beton? Po, në beton po lindim e në beton po vdesim. Nuk mjaftoi kjo, por edhe varret na u bënë prej betoni. Mirëpo, a është kjo jetë? Çfarë lloj jete është kjo? Fatkeqësisht, ne jemi në mes të kësaj jete. Çfarë do të bëjmë? Do të kërkojmë rrugëdaljen. Po aq sa kërkojmë mënyra për të blerë një banesë në katin e njëzet e dytë, duhet të kthehemi nga kjo fatkeqësi, nga ky gabim, nga kjo e rreme; duhet t’i kthehemi tokës. Burgosja e njerëzve në godina betoni njëzetkatëshe është një nga mashtrimet më të mëdha të botës bashkëkohore. E ne jemi banorët e vullnetshëm të një vendi të tillë; shkojmë atje me dëshirën tonë, pa na ndjekur kërkush. Por kjo nuk është rrugëdalje. Duhet të kthehemi nga ky gabim.

Akoma më e dhimbshme është ngritja e rrokaqiejve hijerëndë fare pranë Shtëpisë së Allahut! O Zot, na jep edukatë!

Ekzistojnë ato shtëpi të thjeshta e të improvizuara kundër të cilave flasin të gjithë. Në të vërtetë, sa mirë do të ishte sikur ato shtëpi të sistemoheshin e të përmirësoheshin; sepse ajo që është natyrore është pikërisht kjo. Të paktën në ato shtëpi këmba të prek në tokë. Detyra jonë nuk është ndërtimi i rrokaqiejve; kjo përbën një përgjegjësi e shkelje të madhe morale. Detyra jonë është përmirësimi i shtëpive të thjeshta dhe zhvillimi i kushteve të tyre. Kjo i ka hije njeriut, kjo i shkon përshtat atij. Shtëpia e njeriut duhet t’i përkasë vetë atij. Qoftë edhe me një dhomë e një sallon, qoftë edhe me një kopsht prej pesë metrash katrorë, ajo duhet të jetë e tij. Ajo duhet të jetë pronë e tij nga çatia e deri te dyshemeja. Ai duhet të jetojë aty me shpendët, me kafshët, me milingonat e me sipërfaqen e tokës; ajo që është natyrore është po ashtu njerëzore.

A do të nxjerrim mësim nga fatkeqësia e fundit e tërmetit?

A do të vazhdohet ende me falje ndërtimesh pa leje e me deklarata për rrokaqiej?

Njeriu bashkëkohor -domethënë ne- u largua shumë nga kjo e vërtetë. A është i pamundur kthimi nga kjo rrugë? Ku po shkojmë, ku do të na çojë kjo udhë? Nëse kjo nuk është natyrore dhe as njerëzore, për çfarë po luftojmë? Ekziston edhe një tjetër fatkeqësi e quajtur industrializim. Edhe aty u kapërcyen kufijtë dhe e shkatërruam natyrën. Çfarë bën industria? Industria duhet të bëjë diçka në dobi të njeriut, apo jo? Industria po e shkatërron tokën ku jetojmë; a mund të quhet kjo industri? E ashtuquajtura industri e rëndë po na shkatërron lumenjtë, ujin dhe ajrin tonë. A mund të quhet kjo industri? Industria po mbyt peshqit në lumenj; kush ka të drejtë ta bëjë këtë? Nga një mendësi që shqetësohej edhe për milingonën, ku arritëm sot; nga ku e ku u flakëm! E gënjejmë veten me emrin industri. Ku po shkojmë, ku po na shpie kjo e ecur, kjo shpejtësi? Me kënaqësinë që marrim nga shpejtësia po asgjësojmë me dhjetëra qenie të gjalla. A nuk do të kërkohet llogari për këtë? A nuk do të kërkohet llogari për ato ilaçe bujqësore që shkatërrojnë miliona qenie të gjalla, vetëm për të marrë dhjetë kilogramë domate më shumë?

  1. Kërko dimensionin e tretë!

Ekzistojnë fotografitë tredimensionale, nuk e di a i keni parë ndonjëherë? Mua më pëlqen t’i vështroj, më ngjallin kënaqësi. Vështroni një fotografi tredimensionale; është një imazh me ngjyra, por brenda tij gjenden tri shkallë. Mirëpo, shpërfaqja e këtyre tri shkallëve ka disa kushte.

Kushti i parë është ta vendosni atë fotografi në një vend të palëvizshëm; ajo duhet të jetë e qetë, pa lëkundje. Kushti i dytë është të filloni ta vështroni duke përqendruar të gjithë vëmendjen tuaj aty. Do të fokusoheni te ajo me të gjitha aftësitë tuaja shpirtërore e mendore. Ndërsa kushti i tretë është të mos merreni me asnjë gjë tjetër. Kur i zbatoni këto, përballë jush shfaqet një pamje krejt ndryshe nga ajo që shihnit në fillim, një imazh që nuk ekzistonte në sipërfaqen e parë: një lule apo një krijesë e gjallë. Nëse tregoni durim dhe arrini ta vështroni pa i shkëputur sytë për 1, 2 apo 3 minuta, do të shfaqet një fotografi e tretë, e cila nuk i ngjan fare të dytës. E tillë është fotografia tredimensionale.

Me këtë e krahasoj edhe përkushtimin fetar. A e dini se çfarë na thotë fotografia tredimensionale? Na thotë këtë: “Ulu vëlla, qetësohu! Përse i gjithë ky nxitim?” Dikush duhet t’i thotë njeriut bashkëkohor: ulu, ulu e vështro njëherë; vështro veten, vështro përreth! Vrapim i pandërprerë njëzet e katër orë, çfarë po ndodh? Me këtë nxitim nuk mund të arrijmë asgjë. Gjej një punë serioze, gjej qetësinë. Shiko, vështro këtë që ke përpara dhe do të të hapet një horizont i ri. Por jo; ekziston ajo që quhet shpejtësi, e shpejtësia është një nga idhujt e sotëm. “Udhëtojmë më shpejt, zotëri, po ecim më shpejt!”. Po ku po shkon më shpejt? Fjalia që dëgjojmë nga të gjithë është kjo: “Më parë atje shkohej për dhjetë orë, ndërsa tani shkohet për një orë.”

Këtu pyetja thelbësore që duhet të shtrojmë është kjo: Në atë vend ku shkohej për dhjetë orë, ti shkove për një orë, u kuptua, por çfarë bëre me ato nëntë orë që të mbetën? A mund të japësh llogari për to? Shpejtësia… edhe llogaria e kësaj shpejtësie do të jetë e rëndë. Gjaku që derdhim në trafik nga kënaqësia e rreme që na jep kjo shpejtësi, mund të na mbytë një ditë.

  1. Çështja është mbërritja në vijën e përfundimit!

Jemi në pikën e fundit, në pikën e njëmbëdhjetë. E nisëm me lutjen e parë të sures së parë; le ta përmbyllim me ajetin e fundit të sures së parë të shpallur: “V’esxhud ve’ktarib!”. Ky është synimi që na është caktuar. Kurani Fisnik na shfaq synime të qarta në mjaft ajete. Një nga këto synime të shfaqura është edhe ky: Bëj sexhde dhe afrohu! (El-Alek, 96/19).

Gjithë çështja është kjo; çështja nuk është te vetë emërtimi i tasavvufit apo i tarikatit. Të njohësh tasavvufin apo të hysh në një tarikat përbën vetëm hapat fillestarë. Ai nuk është synimi përfundimtar. Çështja është mbërritja në vijën e përfundimit. Kjo i ngjan krejtësisht kësaj: shqiptova dëshminë e besimit (shehadetin) dhe u bëra mysliman. Mirë, por çështja nuk mbaron me kaq, ai është vetëm pikënisja. Çështja është arritja e shkallës së devotshmërisë (takvasë) dhe ngritja në nivelin e “njeriut të përsosur” (insan kamil).

“Ve idha tutla alejhim ajatu’r-rahmani harr-rru suxh-xheden ve bukij-ja”: ja, ky është synimi! Pa e arritur këtë gjendje, emri i medhhebit apo i tarikatit nuk do të mjaftojë. Përkthimi i këtij ajeti është ky: “Kur u lexoheshin ajetet e Mëshiruesit, ata binin në sexhde duke qarë.” (Merjem, 19/58).

Cilët janë ata? Kur lexojmë ajete të këtilla, mendojmë se Allahu po përshkruan dikë tjetër. Mirëpo, ky është një synim i vizatuar jo për të tjerët, por për ne. Për ta kapur këtë synim duhet të vrapojmë e të derdhim djersë. Duhet të kërkojmë e të gjejmë forca mbështetëse shpirtërore. Mbërritja në këtë synim nuk është e lehtë, por nuk është as e pamundur. Ja, kjo është lufta më e madhe shpirtërore; drejt kësaj pike duhet të ecim me dashuri hyjnore, me zell e me shpresë.

Ekziston një rrëfenjë lidhur me Bahaeddin Nakshibendin. Këtë ngjarje që do t’ju tregoj na e përcjell Molla Xhamiu në veprën e tij të famshme Nefahat’ul-Uns. Molla Xhamiu, autori i kësaj vepre, ka lindur njëzet apo tridhjetë vjet pas Bahaeddin Nakshibendit. Ai është një sufist i madh, një dijetar e poet i shquar. Në trojet e Anatolisë, vepra Nefahat’ul-Uns, është lexuar për pesëqind vjet me radhë. Përse? Sepse këtë libër në gjuhën persiane e përktheu në turqisht Lami’i Çelebiu pesëqind vjet më parë. Kjo është një nga ato vepra që kanë brumosur urtësinë tonë shpirtërore. Aty, në pjesën që flet për Bahaeddin Nakshibendin, tregohet kjo ngjarje:

Në ditët e tij të fundit, në një kuvend ku ndodhej Bahaeddin Nakshibendi, po flitej për vdekjen. Aty u hap fjala për personalitetin e madh shpirtëror Ebu Said Ebul-Hajr. Ebu Said Ebul-Hajri kishte jetuar dyqind apo tridhjetë vjet përpara tij. Po flitej për kalimin e tij në amshim. Nxënësit e kishin pyetur Ebu Said Ebul-Hajrin: “Mësuesi ynë, cilin ajet të lexojmë gjatë ceremonisë suaj mortore?” Nga kjo pyetje, kuptohet se në atë rajon, paska qenë zakon leximi i ajeteve gjatë përcjelljes së xhenazes. Zotëria Ebu Said Ebul-Hajri u është përgjigjur: “Kërkoj falje nga Allahu, ajeti është diçka e madhërishme; në vend të ajetit, lexoni këtë bejte.” Dhe u ka thënë një bejte në persisht, një bejte që shprehte bashkimin e mikut me Mikun e Vërtetë…

Bahaeddin Nakshibendi ua tregoi këtë ngjarje miqve pranë tij dhe shtoi: “Edhe në xhenazen time lexoni këtë bejte persiane:

Me siguri edhe miqtë e tij e kanë lexuar këtë bejte gjatë përcjelljes së tij. Kuptimi i saj është ky:

“O Allah, po vijmë drejt teje, drejt pragut Tënd, si të falimentuar e të zbrazët;

O Allah, pashë bukurinë e Fytyrës Sate, na dhuro diçka nga thesaret e Tua të mëdha që të shpëtojmë nga kjo e zbrazëti!”

Ky bejt është përkthyer në vargje nga Lamii Çelebiu i Bursës në shekullin XV kështu:

“Sot jemi të falimentuar në pragun tënd, o Mbret,

Prej bukurisë sate shpresojmë diçka për hirën Tënde O Allah.”

Përkthimi im është si vijon:

“Të falimentuar krejtësisht po vijmë para Teje,

O Zot, me përulësi po të kërkojmë mëshirë!”

Përktheu: Qendra për Hulumtime, Minber

Nga: Prof. Dr. Mustafa Kara

Historian i Shkencës së Tasavvufit

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

[1] Termi “Asru saade”, që do të thotë “epoka e lumturisë, koha kur njerëzit ishin më të lumtur dhe më të begatë”, në përgjithësi i referohet periudhës kur Profeti Muhamed (a. s.) jetoi si profet dhe që shërben si shembull për brezat e ardhshëm. Sidoqoftë, ai ndonjëherë përdoret edhe në një kuptim më të gjerë që përfshin periudhën e Kalifëve të Drejtë (Hulefau Rashidin), si dhe epokat e Tabiinëve dhe Tebei Tabiinëve.

Artikuj të ngjashëm