Është e vërtetë se digjitalizimi ka prodhuar një lloj të ri qytetërimi. Në këtë qytetërim të ri, si rezultat i marrëdhënies që njeriu ka vendosur me teknologjinë, është shfaqur tipi i “njeriut të ri”. Njeriu i ri ka fituar zakone të reja. Radikalizimi i shprehive ka filluar të shprehet me një koncept të ri dhe shumë shtresor, siç është “varësia digjitale”. Varësia digjitale, më shumë se sa një zakon individual, është një gjendje që prek në mënyrë kolektive ekzistencën mendore, shoqërore dhe shpirtërore të njerëzimit. Varësia e krijuar nga teknologjitë e komunikimit nuk lidhet vetëm me dobësinë e individit, por edhe me dizajnet e ndërtuara me vetëdije të sistemeve digjitale. Kompanitë e teknologjisë, të cilat i njohin mirë pikat e dobëta të psikologjisë njerëzore, paragjykimet njohëse dhe kërkimet e kënaqësisë, i bëjnë përdoruesit të varur. Ato i orientojnë individët, pa e kuptuar, përmes “nxitjeve teknologjike”. Inteligjenca artificiale në zhvillim dhe teknologjitë e të dhënave të mëdha (big data) e thellojnë edhe më shumë këtë orientim. Sjelljet e individëve analizohen, parashikohen dhe manipulohen. Teknologjitë e reja, të cilat e largojnë njeriun nga qenia subjekt, e reduktojnë atë në një objekt prodhues të dhënash. Sistemet që funksionojnë me fokus kapitalizmin dhe konsumin, duke nxitur dëshirën, kënaqësinë dhe ngutjen, e shndërrojnë njeriun mendimtar në një “njeri konsumues”. Njeriu, i cili jo vetëm që konsumon, por bëhet edhe vetë pjesë e sistemit të konsumit, shtyhet drejt pozicionit të “njeriut-objekt”.
“Varësia digjitale” është një dukuri që prek si individin ashtu edhe shoqërinë. Në procesin ku komunikimi ballë për ballë dobësohet, marrëdhëniet njerëzore i lënë vendin ndërveprimeve sipërfaqësore. Në këtë proces të shpërbërjes së lidhjeve shoqërore, dita-ditës po shfaqet një shkëputje mes individëve. Mendja e njeriut, e cila i nënshtrohet një rrjedhe të vazhdueshme të dhënash dhe konsumit të shpejtë të përmbajtjeve, shndërrohet në një arenë ku garojnë “reels”-et dhe “shorts”-et. Mediat sociale dhe lojërat në internet janë elemente që transformojnë jetën e përditshme. Edhe pamjet, edhe përvojat e njerëzve ngjajnë me ata që duken në këtë arenë dhe me jetët e tyre. Kjo strukturë, ku të menduarit e thellë dhe ndërtimi i kuptimit bëhen të vështira, normalizon sipërfaqësinë. Njeriu, vështrimi dhe mendimi i të cilit copëtohet, shndërrohet në një formë që ushqehet nga ngacmues të rrjedhshëm, të copëtuar dhe të përkohshëm.
Teknologjia, si lajmëse e premtimit për lidhje dhe komunikim të vazhdueshëm, e largon njeriun nga thelbi i tij dhe e shtyn drejt varësisë digjitale, drejt një vetmie edhe më të thellë. Ndërveprimet virtuale, të cilat e shtyjnë njeriun drejt një “vetmie” paradoksale, sado që të ofrojnë intensitet “marrëdhënieje” dhe “komunikimi”, e kanë shumë të vështirë të zënë vendin e marrëdhënieve të vërteta. Njeriu, integriteti shpirtëror i të cilit tronditet në këtë botë simulative, tëhuajësohet nga çdo gjë, përfshirë edhe vetveten. Njeriu, i cili shtyhet drejt një pozicioni të distancuar, si ndaj të tjerëve ashtu edhe ndaj qenies së tij, përjeton një shkëputje si epistemike ashtu edhe ontologjike.
Ndikimi më tronditës i procesit të virtualizimit shfaqet në fushën shpirtërore. Kjo për arsye se bota digjitale, e cila është vazhdimisht kërkuese dhe në lëvizje të pandërprerë, rrënon strukturën shpirtërore të njeriut. Në një botë të tillë, digjitale-virtuale, është shumë e vështirë të gjesh shpirtëroren dhe meditimin. Njeriu, i cili kërkon “kuptim” në rrafshin virtual, jo vetëm që largohet nga bota e tij shpirtërore, por humbet edhe thellësinë e tij ekzistenciale. Bota virtuale është një botë që transformon si sjelljet e njeriut ashtu edhe botën e tij vlerore. Në këtë botë, njeriu, duke pushuar së qenuri një qenie me shpirt dhe kuptim, shndërrohet në një qenie “të dhënash” dhe “performance”.
Varësia digjitale nuk duhet kuptuar thjesht si një zakon i përdorimit të teknologjisë ose si një dobësi individuale. Varësia digjitale është një gjendje psikologjike që transformon strukturën qenësore të subjektit modern. Motoja kryesore e botës digjitale apo virtuale është retorika se e bën njeriun “të lirë”. Kompanitë e bazuara në digjitalizim dhe gurutë e botës virtuale që përdorin këtë retorikë, ndërtojnë hapësirat e tyre të posaçme të dominimit. Platformat digjitale, duke e thelluar dominimin e ndërtuar nga moderniteti, ndërtojnë rende të reja ontologjike. Jemi në një rend të ri ku panoptikoni prej betoni i Bentham-it i ka lënë vendin panoptikonit digjital. Shoqëria disiplinore, për të cilën Foucault pretendonte se themelohej nga struktura të tilla si burgu, spitali psikiatrik dhe shkolla, tani administrohet përmes bazave virtuale. Shoqëritë klasike disiplinore drejtohen nga detyrimi i jashtëm që mbështetet te urdhri “duhet ta bësh”. Turmat virtuale, nga ana tjetër, drejtohen me sugjerimin “mund ta bësh”. Në botën virtuale, ballafaqohemi me forma të reja të marrëdhënieve ku shtypja nuk është zhdukur por bota e brendshme e njeriut shtypet e pëson transformim. Në këtë rend të ri ku shtypja është zhvendosur brenda vetë subjektit, individët mendojnë se janë zotër të vetvetes, me bindjen se në botën virtuale, janë “të lirë” aq sa duan. Individët, të cilët janë bërë “skllevër vullnetarë” të një bote virtuale dhe të një rendi algoritmik, janë shndërruar në të burgosur të një rendi dominimi shumë më të butë.
Jemi dëshmitarë të një epoke të ndryshme ku mekanizmat disiplinorë dhe totalitarë u kanë lënë vendin platformave digjitale-virtuale. Individët nuk konsumojnë më kohën dhe veten e tyre për hir të autoriteteve apo administratave të jashtme, por në mjediset virtuale në emër të një “performance” maksimale. Individët, të cilët në mënyrë të pashmangshme përjetojnë rraskapitje shpirtërore, depresion dhe boshllëk ekzistencial, ndodhen në një gjendje ku as nuk e dinë se në çfarë cikli apo vorbulle janë përfshirë. Kjo gjendje e re tregon se pushteti ka ndryshuar trajtë duke u shndërruar në një strukturë më të padukshme dhe imanente. Për të kuptuar këtë gjendje të re dhe strukturën e thellë të varësisë digjitale, një rol qendror luan koncepti i “infokracisë” i Byung-Chul Han. Kjo ndodh sepse në këtë formë të re pushteti nuk shfrytëzohet vetëm trupi. Përmes të dhënave algoritmike përcaktohet jo vetëm pamja e personit, por edhe bota e tij e brendshme. Bota juaj algoritmike, është një botë, kontrolli i së cilës funksionon më shumë përmes orientimit psikopolitik sesa atij fizik. Me anë të seteve të të dhënave nxirren në pah dëshirat e individit për të cilat ai nuk është i vetëdijshëm, duke prodhuar tek ai një lloj nënvetëdije digjitale. Kjo dëshirë shuhet përmes elementeve të tilla si dhuna, pornografia, luajtja e lojërave etj.
Personi që zvogëlon marrëdhënien me njeriun dhe bujarisht i ofron botës virtuale të dhënat e veta, njihet më mirë nga algoritmet sesa nga familja e tij ose shoqëria. Në bazat e të dhënave, të cilat janë shndërruar në mekanizma të pushtetit të padukshëm që formësojnë paraprakisht pëlqimet dhe preferencat e tij, vullneti i lirë i lë vendin preferencave të orientuara pa u diktuar. Me ngarkimin e pandërprerë të të dhënave-përmbajtjeve dhe rrjedhës së komunikimit, individi burgoset në një cikël ku detyrohet të prodhojë dhe të konsumojë vazhdimisht. Në këtë cikël njeriu reduktohet në një objekt që prodhon dhe konsumon vetë të dhënat e veta.
Sipas Byung-Chul Han, i cili e përkufizon këtë proces përmes konceptit të transparencës, kemi të bëjmë me një mekanizëm kontrolli ideologjik. Han shpreh përmes konceptit të transparencës – i cili duket se lidhet me vlerat pozitive si besimi dhe hapja – pasigurinë dhe pamaturinë e botës digjitale. Në këtë botë transparence dhe pamaturie, privatësia shihet si një pengesë për subjektin digjital dhe hiqet vullnetarisht. Individi mendon se ekspozimi i vazhdueshëm i vetvetes është liri. Ky ekspozim, duke zhdukur thellësinë e ekzistencës njerëzore, e shndërron njeriun në një objekt dukshmërie sipërfaqësore. Në rendin simulativ ku misteri, distanca dhe thellësia e brendshme janë zhdukur, njeriu burgoset në një rrafsh ku vlerë merr vetëm ajo që mund të shfaqet. Si shpirti ashtu edhe syri i njeriut, të dënuar ndaj një transparence të ekspozimit imoral, e humbasin thellësinë e tyre. Në një botë të tillë, tashmë nuk është e rëndëshme se çfarë është njeriu në të vërtetë, pra realiteti i tij, por se si duket ai.
Në rendin e ri ku bëjnë pjesë fëmijët dhe të rinjtë, mjetet si tabletët dhe telefonat inteligjentë, përtej të qenurit thjesht mjete komunikimi, shërbejnë si një “objekt i shenjtë” ku mishërohet marrëdhënia që subjekti digjital vendos me vetveten. Këto mjete janë shndërruar në një lloj tespihu digjital – sipas shprehjes së Byung-Chul Han – ku të rinjtë kalojnë fazën e tyre të bërjes së dhikrit (përsiatjes, kujtimit dhe qartësimit). Individët, të cilët nuk jetojnë dot pa këto mjete, duke i kontrolluar, mbikëqyrur dhe ekspozuar vazhdimisht vetveten përmes tyre, i shndërrojnë ato në një ndërfaqe. Ashtu si personat që ndjekin gjendjen e tyre shëndetësore duke matur vazhdimisht rrahjet e zemrës apo tensionin, ose ashtu si një besimtar që numëron mëkatet e tij, edhe ata që përdorin median digjitale-virtuale e matin vazhdimisht ekzistencën e tyre përmes “njoftimeve, pëlqimeve dhe shpërndarjeve”. Ata që mendojnë se arrijnë dukshmërinë, ekzistencën dhe lirinë përmes njoftimeve, pëlqimeve dhe shpërndarjeve, nuk janë aspak të vetëdijshëm se ndodhen brenda një iluzioni të madh. Butoni “pëlqe” nuk është vetëm simbol i ndërveprimit, por edhe i një bindjeje të bazuar në pëlqim, i një nënshtrimi vullnetar dhe i thënies “jam edhe unë këtu”. Çdo pëlqim i bërë në botën virtuale shndërrohet në një kontribut të vogël por të vazhdueshëm për riprodhimin e sistemit të ngarkimit të përmbajtjeve.
Në këtë rend ku kufiri mes realitetit dhe virtuales bëhet i paqartë, marrëdhënia e njeriut me të vërtetën dobësohet dhe perceptimi i realitetit copëtohet. Në botën virtuale, ku ndarja mes reales dhe trillimit, mes kuptimit dhe simulimit është zbehur, njerëzimi po ballafaqohet me një krizë të papërjetuar më parë. Një krizë të tillë nuk mund ta kalojë duke e hedhur poshtë teknologjinë rrënjësisht. Ne duhet të jemi në kërkim të një “balance tekno-njerëzore” duke e riorganizuar marrëdhënien që vendosim me teknologjinë. Duhet të përpiqemi që teknologjia të jetë një mjet mbështetës i njeriut, në vend që ta zëvendësojë atë. Me një qasje që e vë njeriun në qendër, teknologjia mund t’i sigurojë individit mirëqenie shpirtërore dhe shoqërore. Ajo mund të dizajnohet në mënyrë që të ketë parime të tilla si “transparenca, siguria e të dhënave dhe të drejtat e përdoruesit” përmes rregullimeve etike. Teknologjitë e reja nuk mund të administrohen vetëm me masa “teknike” dhe “juridike”.
Është e vërtetë se me digjitalizimin dhe internetin, njeriu jo vetëm që ka qasje te informacioni, por njëkohësisht, duke u socializuar, e transformon jetën e tij rrënjësisht. Ky transformim, përmes shndërrimit të teknologjisë, e cila nuk është thjesht një mjet në një qëllim më vete, ka lindur krizën e “varësisë digjitale”. Krizat e epokës digjitale, duke qenë njëkohësisht kriza të “kuptimit” dhe “vlerave”, ndikojnë në botën e brendshme të njeriut. Nëse nuk e rimendojmë marrëdhënien që vendosim me teknologjinë dhe nuk e transformojmë atë në mënyrë që t’i shërbejë qëllimit të saj ekzistencial, digjitalizimi, në vend që ta çlirojë njeriun, mund ta kthejë atë në një pjesë të varur të sistemeve që ka prodhuar vetë. Varësia digjitale, e cila nuk përbëhet vetëm nga përdorimi i tepruar i teknologjisë, mund ta tjetërsojë njeriun nga vetvetja, nga shoqëria dhe nga kuptimi i ekzistencës. Për të mos u tjetërsuar, zhvillimet teknologjike duhet të balancohen me vlerat njerëzore dhe shpirtërore. Nëse arrihet kjo balancë, njeriu mund të mbetet subjekt në epokën digjitale duke vazhduar ekzistencën e tij brenda një tërësie kuptimplotë.
Pastrimi i Realitetit dhe Cikli i Varësisë
Me ndryshimin e natyrës së marrëdhënies së vendosur me teknologjinë, fazat e “informimit, bindjes, marrjes së vendimeve, zbatimit dhe miratimit” kanë ndryshuar gjithashtu. Çështja nuk është thjesht një çështje e “pranimit” të teknologjisë, por e mëvtësimit të saj në nivel “varësie”. Duhet të bëjmë dallimin mes pranimit dhe varësisë. Përdorimi ose pranimi i bazave digjitale nuk është e saktë të shprehet si “varësi”. Për këtë arsye, nuk është një qëndrim i saktë që fëmijët dhe të rinjtë që janë përdorues t’i etiketojmë me nofkën “të varur”. Nëse kohëzgjatja e përdorimit digjital kalon përtej një shprehie të thjeshtë dhe zhvendoset në një bosht që përcakton botën mendore të individit dhe jetën që ai bën, aty bie alarmi se diçka nuk shkon. Kjo ndodh sepse kohëzgjatja e përdorimit që kalon pragje të caktuar, duke e bërë individin një objekt pasiv të ciklit të prodhimit dhe konsumit, e shtyn atë drejt një gjendjeje të “skllavërisë makinike”.
Varësia digjitale nuk është thjesht një çështje teknologjike, por një çështje psikologjike, sociologjike dhe filozofike. Ashtu siç bota virtuale dhe simulimi i saj kanë rrënjë filozofike, ato kanë edhe ndikime të rënda psikologjike dhe sociologjike. Mjediset digjitale, të cilat shkëpusin lidhjen e njeriut me njerëzit e tjerë, e tërheqin atë drejt turmave simulative, ndërkohë që e lënë të vetmuar në botën e realitetit. Personat që i largohen problemeve të botës reale, strehohen në mjediset digjitale për t’i ikur realitetit dhe për të shpërqendruar vëmendjen e tyre. Ata mendojnë se lehtësojnë ngarkesën e mendjes së tyre duke u ballafaquar me përmbajtje pa kuptim. Si një lloj “mekanizmi arratisjeje”, fëmijët dhe adoleshentët në mjediset digjitale largohen nga ambienti real. Duke vepruar kështu, ata neglizhojnë mendjen dhe personalitetin e tyre. Kjo neglizhencë i përfshin ata në një cikël pa dalje, në një labirint, duke i bërë të varur. Një varësi e tillë, duke shkatërruar aftësitë e fëmijëve dhe të rinjve për “autonomi, kompetencë dhe ndërveprim”, i shkëput ata nga bota reale. Zëvendësimi i mjediseve reale nga mjediset digjitale dhe eliminimi i këtyre të fundit bën që të zhduket konteksi i jetës ku do të maturohej personaliteti. Bota e mediave sociale dhe e lojërave këmbehet me botën e realitetit, ku jeta online zë vendin e jetës së vërtetë.
Mjedisi digjital ka një strukturë që i jep njeriut ndjesinë se nuk është i vetëm. Individi, i cili mendon se përjeton vetmi në jetën reale, e lë veten në rrjedhën e terrenit digjital ku “ndërveprimi” është i bollshëm. Në këtë rrjedhë, njeriu largohet nga marrëdhëniet e vërteta shoqërore dhe zhytet në një vetmi të thellë. Madje, ai nuk është i vetëdijshëm për këtë zhytje. Individët që parapëlqejnë të ndodhen brenda turmës virtuale në vend që të jenë me familjen e tyre, i perceptojnë familjet e tyre si barrë që duhet shmangur. Mjedisi familjar, i cili ofron komunikim të hapur, mbështetje emocionale dhe model të shëndetshëm, zëvendësohet nga dhomat e jehonës ku gjenden “lloj-lloj njerëzish”. Për personat, marrëdhëniet familjare të të cilëve dobësohen, nuk është aspak e vështirë të bëhen të varur në pikëpamje digjitale.
Digjitalizimi nuk sjell vetëm ndërveprim, por prodhon një formë të re kulture. Bashkë me kulturën e re, ajo prodhon edhe lloje të reja shqetësimesh psikologjike dhe fobish. Fëmijët dhe të rinjtë nuk rriten më me “edukatën familjare”, por me “edukatën e algoritmit”. Ajo që i frikëson më shumë nuk është të mbeturit pa miq, por të mbeturit pa internet (netlessfobia). Nëse nuk janë online, ata përfshihen nga ndjesia se janë jashtë loje dhe përjetojnë një gjendje patologjike. Atyre u duket më e frikshme dhe më e ftohtë të qëndruarit larg prindërve sesa larg telefonit inteligjent (nomofobia). Në vend të bisedës, të përqafimit dhe të gjërave më të vlefshme se fjala, vjen hapja e videove. Kjo praktikë e lëvizjes së pandërprerë të ekranit e shtyn individin drejt varësisë nga media sociale. Të kapluar nga cikli i “kënaqësisë së përkohshme” që ushqehet nga konsumi i vazhdueshëm i përmbajtjeve pozitive ose negative, individët me integritet psikologjik të dëmtuar dhe me ankthe të thelluara pësojnë një gërryerje të lidhjeve të tyre me të vërtetën, duke u shndërruar në raste patologjike.
Varësia digjitale, e cila nuk ka vetëm efekte psikologjike, ndikon te individët edhe në rrafshin fizik dhe biologjik. Këtë mund ta kuptoni që në shikim të parë tek fëmijët, thjesht duke parë sytë dhe trupin e tyre. Fëmijët që përdorin ekranin për një kohë të gjatë kanë sy të privuar nga gjumi dhe pa shkëlqim, si dhe trupa mbipeshë. Fëmijët, të cilët përjetojnë probleme si pagjumësia kronike, shpërqendrimi i vëmendjes dhe rënia e performancës njohëse, shfaqin një energji jete të ulët. Fëmijët, të cilët përjetojnë depresion, stres dhe probleme sjelljeje si pasojë e mediave sociale, e kanë të lëkundur botën e tyre të dijes, të qenies dhe të vlerave. Këto probleme nuk duket se mund të zgjidhen me përpjekje individuale. Ato kërkohen të zgjidhen përmes një qasjeje holistike dhe ndërdisiplinore. Nëse mendohet se problemi është psikologjik dhe psikiatrik, drejtimi te autoritetet përkatëse dhe marrja e trajtimit nuk duhet t’i vijë kujt turp. Marrja e ndihmës mjekësore, nëse është e nevojshme, për të vënë nën kontroll zakonet e përdorimit digjital të fëmijës, nuk duhet të shihet si problem. Kundër varësisë digjitale, jo vetëm fëmija, por edhe prindi duhet të marrë mbështetje pedagogjike dhe psikologjike. Kjo mbështetje, nga njëra anë ul stresin dhe ankthin brenda familjes, kurse nga ana tjetër bën që fëmijët ta pozicionojnë veten e tyre më shëndetshëm përballë botës digjitale-virtuale.
Nëse mund të jemi të vetëdijshëm për botën digjitale-virtuale, mund t’i kuptojmë fëmijët dhe të rinjtë tanë. Duhet të pranojmë se si të rriturit, ashtu edhe fëmijët dhe të rinjtë kanë nevojë për “agjërim digjital” dhe “higjienë digjitale”. Për pastrimin apo higjienën brenda botës digjitale ose virtuale, është e nevojshme të mbështeten edhe nga institucionet publike. Nëse qytetarët përfitojnë nga interneti si një shërbim publik, atëherë duhet t’i konsiderojnë të arsyeshme ndalimet ose kufizimet e vendosura nga shteti ose institucionet publike. Duhet të jemi të vetëdijshëm se interneti, bota digjitale ose virtuale nuk është e ndarë nga jeta e vërtetë publike apo shoqërore. Siç ka rregulla në jetën e vërtetë publike, ashtu duhet të ketë rregulla edhe në botën virtuale. Madje, rregullave të botës virtuale duhet t’u bindemi më shumë sesa atyre të jetës reale. Kjo për arsye se në një botë ku nuk ka të parë, nuk ka as ndjenjë turpi.
Teknologjitë digjitale, të cilat pretendohet se kanë dalë në skenë për të lehtësuar jetën e njeriut, nëse përdoren pa kontroll, jo vetëm që i lënë individët të vetmuar, por njëkohësisht i shmangin nga shoqëria. Përmbasa kohore e digjitalizimit e thellon edhe më shumë këtë rënie ontologjike. Koha, duke humbur vazhdimësinë dhe integritetin e saj rrëfimor, copëtohet; çdo çast shndërrohet në një “tani” të përkohshëm dhe sipërfaqësor, të shkëputur nga ai i mëparshmi. Kjo strukturë diskronike e bën të pamundur që njeriu të mendojë thellësisht për diçka, pra të merret gjatë me të. Ndërkohë, mendimi kërkon durim dhe vazhdimësi; në një botë ku mbretëron shpejtësia, dija, përvoja dhe kuptimi i lënë vendin informacionit sipërfaqësor. Njeriu tërhiqet zvarrë drejt një forme ekzistence ku nuk mund të plotësojë asgjë, ku nis vazhdimisht diçka por nuk arrin kurrë të thellohet. Mjetet digjitale, të cilat janë shndërruar në qëllim më vete për të kaluar kohën, duke e avulluar kohën, mund ta bëjnë përdoruesin e tyre të varur. Kjo shpërbërje ontologjike shfaqet edhe në rrafshin shoqëror. Flluskat e filtrit të krijuara nga algoritmet e burgosin individin në një univers të mbyllur ku jehojnë mendimet e tij. Me zhdukjen e mundësisë së ballafaqimit me “tjetrin”, dialogu i lë vendin monologut. Shoqëria, duke humbur bazamentin e kuptimit të përbashkët, ndahet në ishuj identitetesh, të mbyllura ndaj njëri-tjetrit. Rritja e komunikimit, në mënyrë paradoksale, shkatërron marrëdhënien e vërtetë; individi mbetet i vetmuar mes turmave dhe reduktohet në një grumbull të dhënash.
Mjetet digjitale, të cilat janë shndërruar në një strukturë që e shtyn njeriun drejt një krize psikologjike, duke ndikuar negativisht te vetë individi dhe te jeta e tij, mund ta bëjnë atë problematike. Rruga për të dalë nga kjo krizë nuk është ndalimi apo kufizimi i teknologjisë. Ajo që duhet të bëjmë është t’u përcjellim fëmijëve dhe të rinjve dijeni se si të përdorin teknologjinë në vendin dhe kohën e duhur. Fëmijët mund të mbrohen nga rreziqet e botës virtuale vetëm përmes mjediseve të ngrohta dhe të sinqerta familjare, fqinjësore dhe shoqërore. Në një proces ku lidhjet familjare dhe shoqërore të individëve nuk forcohen dhe ku nuk vendoset një marrëdhënie e vetëdijshme me kulturën digjitale, është e pamundur të eliminohen problemet, rreziqet dhe kërcënimet që sjell bota digjitale.
Përfundim
Varësia digjitale është shfaqja më e dukshme e “burgut të mençur” brenda të cilit jeton njeriu modern. Si njerëzim, ne po ballafaqohemi me një realitet burgu që nuk është i rrethuar nga mure në kuptimin klasik. Në këtë burg të thurur me premtimin e “kënaqësisë, rehatisë dhe lirisë”, njeriu që e pandeh veten të lirë, udhëhiqet, menaxhohet dhe formësohet nga algoritmi. Pushteti disiplinor dhe totalitar, i cili vepronte përmes shtypjes, është zëvendësuar nga pushteti digjitale, ku sundojnë shpejtësia, rrjedha, joshja dhe përmbajtjet nxitëse. Në epokën digjitale, njeriu ka pushuar së qenuri subjekt i lirisë së vet dhe është shndërruar në një makinë performance që konsumon vetë qenien e tij. Ky transformim sjell jo vetëm një krizë psikologjike, por edhe një rënie të thellë ontologjike. Kuptimi i natyrës së një pushteti të tillë dhe rezistenca ndaj tij duken njësoj të vështira.
Prof. Dr. Ahmet Dağ
Universiteti Uludağ i Burës, Turqi
Përktheu: Qendra për Hulumtime, Minber
Referenca
- Antonysamy, S., & Paramesëari, J. (2026). Nomophobia and psychological ëell-being: Chain mediating role of social netëork sites addiction and doomscrolling. Addicta: The Turkish Journal on Addictions, 13(1), 117–127.
- Han, B.-C. (2020). Psikopolitika: Neoliberalizm ve yeni iktidar teknikleri (H. Barışcan, Çev.). Metis Yayınları.
- Han, B.-C. (2022). Enfokrasi: Dijitalleşme ve demokrasinin krizi (M. Özdemir, Çev.). Ketebe Yayınları.
- Choudhary, Y., & Kaur, S. (2025). Digital addiction, technology netëork loneliness, and the need for strong families: A comprehensive revieë. Innovations: The Journal of Management, 5(2), 56–67.
- Gao, F., & Du, X. (2025). A meta-analysis of rumination and digital addiction. Personality and Individual Differences, 238, 113074.
- Güney, B. (2017). Dijital bağımlılığın dijital kültüre dönüşmesi: Netlessfobi. e-Journal of Neë Media / Yeni Medya Elektronik Dergi, 1(2), 207–213.
- Subasi, M., Gürkan, E., Karaman, H., Bulut, S., & Osin, E. N. (2026). The nexus of video gaming experiences: The associations among basic needs in games, real-life basic needs, ëell-being indicators, and problematic online gaming. Addicta: The Turkish Journal on Addictions, 13(1), 108–116.
- Yengin, D. (2019). Teknoloji bağımlılığı olarak dijital bağımlılık. The Turkish Online Journal of Design, Art and Communication (TOJDAC), 9(2), 130–144.
- Dağ, A. (2025). Dijital Uçurum, İstanbul: Hayy Kitap.