Hulumtime MINBER

Ramazani, muaji i arratisë drejt Xhenetit

Home » Ramazani, muaji i arratisë drejt Xhenetit

Ramazani është muaji i arratisë nga kjo botë drejt Zotit dhe Xhenetit të Tij. Ai është mjedisi i pendimit dhe i veprave të drejta, si model për besimtarin që të vazhdojë gjatë gjithë vitit. Ramazani është muaji i mëshirës. Gjatë këtij muaji zbuten zemrat, shtohen adhurimet, besimtarët rrisin dashamirësinë ndaj njëri-tjetrit dhe nxisin për më tepër bindje ndaj urdhëresave të Zotit. Në të, besimtarët i drejtohen Zotit të tyre me lutje dhe lexojnë Kur’an për të mësuar udhëzimet e Tij. 

Kush agjëron gjatë ditëve të Ramazanit duke i dhënë kësaj vepre rëndësinë e merituar, dhe falet gjatë netëve të tij duke i respektuar të gjitha specifikat e këtij adhurimi, atij i falen jo vetëm gjynahet gjatë ditëve të këtij muaji, por ato të të gjithë vitit. Kështu, atij i falen të gjitha gjynahet ndërmjet dy Ramazanëve. Zotëria ynë, Omer Ibn Hatabi e mirëpriste Ramazanin, duke thënë: “Mirë se erdhe pastruesi ynë i gjynaheve”. Prandaj, duhej të zgjojmë shpirtrat dhe të ringjallnim zemrat, në mënyrë që të përfitojmë nga të mirat e këtij muaji të begatë. Për të pasur një planifikim dhe përgatitje sa më të plotë, besimtarëve muslimanë u duhet të qëndrojnë në stacionet e mëposhtme. 

Qëllimi: Kënaqësia e Zotit

Zoti i Plotfuqishëm na ka krijuar për ta adhuruar Atë. Ai na ka sjellë në këtë botë sprove që të shohë se cili prej nesh është më vepërmirë dhe qëllimdrejtë. Prej mëshirës së Tij, Ai na ka caktuar disa stinë bindjeje, gjatë së cilave ne grumbullojmë mëshirën e Tij dhe shlyejmë gjynahet tona. I fituar është ai që ekspozohet ndaj dhuntive të Tij dhe i shton lutjet për mëshirë, derisa të arrijë kënaqësinë e Zotit të Lartësuar.

Objektivi Strategjik: Xheneti

Ashtu siç ti po përgatitesh tani për Ramazanin edhe Xheneti po përgatitet për ty. Ashtu siç ti ke mall për Xhenetin, edhe Xheneti ndjen mall për ty. E ku e di ti se çfarë është Xheneti?! Ai është, pasha Zotin e Qabes, dritë e shndritshme, lule me aromë marramendëse, pallate të larta, lumenj të rrjedhshëm, fruta të shumëllojshme, veshje të shumta dhe bukuri pa fund. Atje gjenden gjëra që syri si ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe mendja e njeriut nuk i ka imagjinuar ndonjëherë. Atje një tullë është prej ari dhe një tullë prej argjendi. Balta e tij është prej misku, dheu i tij është prej shafrani dhe guralecat e tij janë perla e safirë. 

Kushdo që hyn në Xhenet do të jetë i bekuar, nuk do të ndjejë mërzi dhe nuk do të vdesë kurrë. Rrobat e tyre nuk do të vjetërsohen dhe nuk do t’u humbasë rinia. Ata do të qëndrojnë në mes të zambakëve të ujit pa gjemba dhe bananeve plot fruta, nën hije të gjera, pranë ujit rrjedhës, dhe mes frutave të llojllojshme, të cilat nuk mbarojnë, as nuk janë të ndaluara.

A nuk do të doje të ishe i përgatitur për të?! Vëllai im që tani je duke lexuar, po të ftoj të ulesh në një vend të qetë dhe të imagjinosh sikur ndodhesh në Xhenet. Cilën mirësi do të dëshiroje ta provoje dhe cilin person do të doje të takoje? Imagjino se je përpara Profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, ulur përballë tij dhe po e shikon atë! Ose më mirë, imagjino që po sheh fytyrën e Bujarit dhe Dhuntiplotit! Çfarë lumturie është më e madhe se kjo lumturi? Çfarë madhështie humbasim ne nëse e neglizhojmë Ramazanin dhe nuk përfitojmë nga mëshira dhe falja që e karakterizon atë?

 

Askush përveç Zotit nuk e meriton t’i drejtohen lutje dhe përgjërime. Nuk ka asgjë më afër teje se Zoti që e dëgjon përgjërimin dhe i përgjigjet lutjes tënde. Ai, i Lartësuari, e di atë që është më e dobishme për ty. T’i plotëson disa dëshira dhe e vonon plotësimin e disa dëshirave të tjera, nga dashuria dhe përkujdesja që ka për ty.

 

Qëllimi i përkohshëm: Devotshmëria

Talak Bin Habib ka thënë: “Devotshmëria është të veprosh në bindje ndaj Zotit, nën dritën e Zotit, duke shpresuar në shpërblimin e Zotit, dhe ta lësh mosbindjen ndaj Zotit, nën dritën e Zotit, duke iu frikësuar dënimit të Zotit. Devotshmëria është rruga që të çon në Xhenet, pasi ndërthur frikën dhe shpresën. Ajo është mburoja e njeriut nga zjarri. Devotshmëria është drejtues i zemrës dhe drita e saj. Është pikërisht ajo që vendos kontrollin e organeve të tjera të trupit drejt rrugës së drejtë”.

 

Aftësia: Rigjallërimi i zemrës

Që tani e tutje zbulo jetën e zemrës tënde. Hape zemrën tënde për veprat e mira dhe shiko se çfarë e vë atë në lëvizje e të bën të derdhësh lot. Sepse kështu mund ta rigjallërosh zemrën tënde. Zgjoje zemrën tënde nga përhumbja. Pastroje atë nga papastërtitë. Përgatite zemrën që të presë argumentet e Kur’anit me universalitetin e tyre; përmendjen e Zotit me persjatje; namazin me kënaqësi dhe lutjen me përulje.

 

Mjetet: Veprat e mira

Namazi: Ai është mjeti që të lidh ty me Zotin tënd. Nëpërmjet tij, ti mund t’i flasësh Zoti tënd dhe Ai të flet ty. Namazi është shpëtimi yt gjatë pyetjeve të varrit. Ai është vepra më e rëndë për hipokritët dhe më e lehta për besimtarët. Profeti Muhamed, paqja e Zotit qoftë mbi të, thoshte: “Na gëzo me të (namazin), o Bilal”. Nëse lidhesh pas tij dhe xhamisë tënde, do të jesh prej atyre që Zoti do t’u bëjë hije në Ditën e Kijametit. Pastaj, nuk duhet harruar që namazi është një nga dyert e Xhenetit.

Kur’ani: Nëse dëshiron një ndërmjetësues, atëherë drejtohu nga Kur’ani. Nëse dëshiron një gradë më të lartë tek Allahu, atëherë “Lexo, ngjitu dhe recito…” Kur’anin. Pikërisht në Ramazan u shpall Kur’ani si udhërrëfim për të devijuarit, përforcim për besimtarët, lumturi për të mjerët dhe shtim i besimit në zemrat e besimtarëve. Ndaj medito, ndërvepro dhe jeto sipas Kur’anit, me të cilin Zoti ka për të të rigjallëruar zemrën.

Bamirësia: Ajo është gjithashtu një nga dyert e Xhenetit që hapet në Ramazan. Nëse ti jep lëmoshë për hir të Zotit me sinqeritet, atëherë do të hysh në Xhenet nga dera e bamirësisë. Dhe nëse e fsheh atë nga sytë e njerëzve, e jep pa kërkuar mirënjohje dhe pa e cenuar nderin e njerëzve që marrin lëmoshë, do të jesh pjesë e një prej shtatë grupeve të njerëzve, të cilët Zoti do t’i mbulojë me hijen e Tij në ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes sëTij.

Përmendja e Zotit: Zoti yt thotë në hadithin kudsij: “Unë jam mik i atij që më përmend mua”. Sa i lumtur duhet të jesh ti që e përmend Zotin tënd, për shkak të shoqërisë së Tij, të vlerësimit dhe përmendjes që Ai të bën?! Përmendja e Zotit është një prej karakteristikave të besimtarëve. Ajo ndjell qetësinë e zemrës dhe konsiderohet si filiz i Xhenetit.

 

Lutja: Askush përveç Zotit nuk e meriton t’i drejtohen lutje dhe përgjërime. Nuk ka asgjë më afër teje se Zoti që e dëgjon përgjërimin dhe i përgjigjet lutjes tënde. Ai, i Lartësuari, e di atë që është më e dobishme për ty. Zoti t’i plotëson disa dëshira dhe e vonon plotësimin e disa dëshirave të tjera, nga dashuria dhe përkujdesja që ka për ty, në mënyrë që të vazhdosh të jesh i lidhur me të dhe të kërkosh prej Tij.

 

Ne thërrasim para Ramazanit: O Zot, bëj që ta arrijmë Ramazanin! Ndërsa ai na thërret në natën e parë të Ramazanit: O kërkues i së mirës, ​​kthehu! Kush është i preokupuar me Ramazanin, melekët e Ramazanit kanë për të qenë të preokupuar me të. E si të mos preokupohemi me të, ndërkohë që ai është udhëtimi i zemrës drejt Zotit, ai është mburoja e njeriut nga tundimet materiale, ai është mëshira e Zotit mbi besimtarët. Prandaj, o Zot, na bëj që ta arrijmë Ramazanin! 

 

Autori: Semih Hixhazi

Burimi: Al Xhezira

 

Artikuj të ngjashëm

Doktrinë dhe Kontekst

Doktrinë dhe Kontekst Nga: Ovamir Anjum[1] Universiteti i Toledos Hyrje Besohet gjerësisht se selefitë janë kundërshtarët e modernitetit politik në përgjithësi dhe të demokracisë në…

Lexo më shumë »

Hatem el Awni – Bidati

  Shaykh Al-Islām Ibn Tejmije formuloi dy kushte për të përcaktuar nëse një çështje e sapofutur në fe është një risi e ndaluar (bidat) apo…

Lexo më shumë »