Hulumtime MINBER

FETARIA TEKNOLOGJIKE: Rikodimi i Botës Digjitale me Urtësi dhe Moral

Home » FETARIA TEKNOLOGJIKE: Rikodimi i Botës Digjitale me Urtësi dhe Moral

Nga Prof. Dr. Ramazan Altıntaş

Në ditët e sotme, ku digjitalizimi nuk është thjesht një mundësi, por është shndërruar në një terren ekzistencial, “fetaria teknologjike”, e vendos marrëdhënien mes fesë dhe teknologjisë tej përdorimit të thjeshtë, “mjet – pajisje”, duke e pozicionuar teknologjinë si një subjekt moral dhe juridik. Ky koncept, i cili mbron idenë se individi mysliman – në vend që të mbetet një përdorues pasiv në universin digjital – të shndërrohet në një agjenci aktive që ndërhyn në proceset e prodhimit, në strukturën e algoritmeve dhe në normat etike të teknologjisë, merr si bazë rikodimin e teknologjisë me vlerat fetare. Sipas kësaj perspektive, teknologjia nuk është vetëm një instrument që lehtëson kryerjen e adhurimeve, por një hapësirë e re fetarie ku drejtësia, ruajtja e privatësisë dhe dinjiteti njerëzor rindërtohen në rrafshin digjital, dhe ku qëndrimi islam jetësohet drejtpërdrejt në nivelin e projektimit dhe të programimit. Me qëllim që të mundësohet kuptimi më i mirë i këtij koncepti, në këtë shkrim do ta trajtojmë fetarinë teknologjike në tri dimensione kryesore:

Dimensioni Ontologjik: Leximi i Teknologjisë Si Ajet/Shenjë Hyjnore

Në konceptimin e fetarisë tradicionale, gjithësia shihet si një manifestim i emrave dhe cilësive të Allahut, domethënë si një tërësi “ajete keuni/shenjash kozmike” që presin të lexohen. Fetaria teknologjike, duke e bartur këtë vështrim të thellë ontologjik, nga bota fizike në botën digjitale dhe sintetike, e nxjerr teknologjinë nga të qenit thjesht një hapësirë laike e shkëputur nga e shenjta. Në këtë perspektivë, teknologjia nuk lexohet si një realitet i pavarur që njeriu e ka krijuar vetiu, por si projeksion i rendit hyjnor në rrafshin digjital dhe si një formë e re e shfaqjes së të “Vërtetës”.

E parë nga perspektiva e fetarisë, algoritmet e inteligjencës artificiale, ekuacionet e ndërlikuara të fizikës kuantike apo deshifrimi i kodeve gjenetike nuk janë thjesht “shpikje” të krijuara nga zeroja, por zbulim i ligjeve të fshehta që Allahu ka qëndisur në strukturën e gjithësisë. Fetaria teknologjike e sheh çdo programim të ri apo çdo arritje shkencore, si një shkak meditimi (Tefekkur) për Atributet Hyjnore të Krijuesit (El-Alîm” I Gjithëdijshmi dhe “Es-Sâni” Krijuesi me mjeshtëri i gjithçkaje). Në këtë kontekst, një programues që lëviz mes rreshtave të kodimit apo një fizikant që hulumton grimcat nënatomike, në të vërtetë konsiderohet se ka ndërmarrë një udhëtim të njohjes së Allahut (ma’rifetullah) duke deshifruar ligjet hyjnore të vendosura në univers. Në këtë rrafsh, teknologjia shndërrohet në një mjet modern të përpjekjes së njeriut për të depërtuar në sekretet e krijimit.

Një nga shtyllat kryesore të fetarisë teknologjike është edhe vetëdija se fuqia teknologjike nuk është një pronësi, por një “amanet” (besim dhe përgjegjësi hyjnore). Posedimi i teknologjisë nga ana e njeriut nuk i jep atij të drejtën e dominimit absolut; përkundrazi, e ngarkon me përgjegjësinë për ta udhëhequr këtë fuqi kolosale brenda kufijve moral dhe njerëzorë. Kjo pikëpamje e nxjerr teknologjinë nga të qenit një demonstrim force, i përdorur për të shtypur rivalët apo për të shfrytëzuar natyrën, duke e shndërruar në një “shkak adhurimi”, të përkushtuar për të mirën e gjithë njerëzimit. Rrjedhimisht, prodhimi teknologjik nuk është thjesht një arritje teknike, por një detyrim shpirtëror, i ndërmarrë për të vendosur drejtësinë, për të zbutur vuajtjet dhe për të zhvilluar e ndërtuar botën.

Dimensioni Praktik: Devotshmëria (Takuaja) Digjitale

Në konceptimin e fetarisë klasike, “takuaja” është mbrojtja e vetes nga e ndaluara (harami), ruajtja nga çdo qëndrim që bie ndesh me kënaqësinë hyjnore dhe veprimi me vetëdijen e përgjegjësisë. Fetaria teknologjike, nga ana tjetër, e bart këtë koncept klasik nga hapësira fizike në rrafshin digjital, duke ndërtuar kështu disiplinën e “takuasë digjitale”. Në këtë dimension, fetaria nuk konkretizohet vetëm mbi sexhade apo brenda xhamisë, por edhe mbi butonat e tastierës, në klasifikimin e grupeve të të dhënave ose në menaxhimin e rrjedhës së mediave sociale.

Në botën moderne, vendimet tashmë nuk merren vetëm nga njerëzit, por edhe përmes algoritmeve. Në këtë pikë, takuaja digjitale e sheh si adhurim, që kodi i shkruar nga një programues të jetë i drejtë, të mos e shtypë të dobëtin dhe të mos i thellojë padrejtësitë shoqërore. Pastrimi i grupeve të të dhënave nga paragjykimet dhe trajnimi i inteligjencës artificiale në mënyrë që të mos përjashtojë grupe të caktuara, për fetarinë teknologjike nuk përbëjnë një domosdoshmëri teknike, por një detyrim moral. Meqenëse një e drejtë e shkelur, e fshehur mes rreshtave të kodit do të thotë hyrje në të drejtën e mijëra njerëzve në botën digjitale, “drejtësia algoritmike” shndërrohet në një nga fushat më dinamike të zbatimit të fikhut/së drejtës moderne.

Parimet e “privatësisë, intimitetit ose konfidencialitetit” dhe të “së drejtës së tjetrit”, të cilat përbëjnë shtyllat më kryesore të fikhut klasik/jurisprudenca klasike islame, në perspektivën e fetarisë teknologjike barazohen me sigurinë e të dhënave. Qasja e paautorizuar në të dhënat e tjetrit, përdorimi i informacioneve personale për qëllime tregtare pa pëlqim, ose manipulimi i njerëzve duke ndjekur gjurmët e tyre digjitale, bartin të njëjtën peshë morale si hyrja pa leje në shtëpinë e tjetrit ose vjedhja, në kuptimin tradicional. Për një individ apo institucion që zotëron takva digjitale, të dhënat e përdoruesit janë në statusin e një “emaneti” që duhet mbrojtur. Në këtë kontekst, mbrojtja e konfidencialitetit të të dhënave nuk është thjesht një detyrim ligjor, por një luftë për ruajtjen e nderit të një personaliteti mysliman.

Mediat sociale dhe platformat digjitale, janë hapësirat ku njeriu modern sprovohet më së shumti me gjuhën dhe zemrën e tij. Fetaria teknologjike e bën kusht pastrimin shpirtëror dhe të gjuhës edhe në botën virtuale. Qëndrimi larg kulturës së linçimit, mospërhapja e informacionit të paverifikuar dhe moshumbja në sëmundje shpirtërore si përgojimi, shpifja apo gjurmimi i jetës private të të tjerëve në mjediset digjitale, përbëjnë bazën e takuasë digjitale. Sipas kësaj pikëpamjeje, platformat digjitale duhet të nxirren nga të qenit “dhoma përgojimi” ose “qendra fitneje/ngatërresash”; ato duhet të ritrajtohen si “mexhlise urtësie” moderne, ku shpërndahet dija, shtohet e mira dhe mbrohet e vërteta.

Dimensioni Strategjik: Fetaria Konstruktive

Fetaria teknologjike nuk është tërheqje në një “veçim digjital” duke u larguar nga bota moderne dhe nga ndërlikimet që ajo sjell; përkundrazi, është një “fetari aksioni”, që e rindërton dhe e udhëheq botën. Kjo qasje strategjike e ngre subjektin mysliman nga të qenit thjesht një përdorues apo kritikues i teknologjisë, në pozitën e themeluesit dhe arkitektit moral të saj. Fetaria këtu, nuk është një refleks sprapsjeje, por një vullnet për të shfaqur prani në zemër të universit digjital dhe për t’i dhënë atij orientim.

Në ditët e sotme, fetaria nuk mund të mbetet e kufizuar me konsumimin pasiv të përmbajtjeve digjitale të gatshme apo të modeleve teknologjike të prodhuara nga Perëndimi ose Lindja e Largët. Modeli i fetarisë teknologjike është një proces aktiv që bart vlerat e qytetërimit të vet, konceptin e vet mbi drejtësinë dhe perceptimin estetik në hapësirat e reja të realitetit, si: metaverse, inteligjenca artificiale dhe bota e lojërave. Kjo nuk është thjesht një arritje teknike, por, njëkohësisht, një përpjekje për të brumosur shpirtin e universit digjital me vlerat universale të Islamit. Individi mysliman, duke shfaqur prani në këto fusha, ka detyrimin t’ia tregojë botës rrëfimin e tij, me kodet dhe me vlerat e veta.

Stili i jetesës i fokusuar te shpejtësia dhe kënaqësia e çastit, të cilin teknologjia e sjell me vete, e përball shpirtin njerëzor me rrezikun e mekanizimit. Fetaria ndërtuese synon që, përballë këtij kurthi të “shpërqendrimit të vëmendjes” që ofrojnë mjediset digjitale, të ruajë thellësinë shpirtërore dhe aftësinë e meditimit edhe përpara ekranit. Në këtë perspektivë, koha e kaluar përpara ekranit nxirret nga të qenit konsumim i një “kohe të kotë”, duke u shndërruar në një “kohë cilësore” me orientim përcjelljen e së vërtetës dhe ndërgjegjësim. Fetaria teknologjike, duke ruajtur qetësinë brenda shpejtësisë dhe paqen e zemrës brenda turmës, e shndërron teknologjinë në një mjet të ngritjes shpirtërore.

Përfundim

“Fetaria teknologjike”, në fund të fundit, është një rrugë e tretë e hapur mes tradicionalizmit që e refuzon teknologjinë dhe një modernizmi që i dorëzohet asaj. Kjo rrugë e ngre subjektin mysliman nga të qenit objekt i epokës digjitale në pozitën e arkitektit të saj moral. Konceptimi i qytetërimit të së ardhmes e bën të domosdoshëm zhvillimin dhe ndërtimit me drejtësi, jo vetëm të gurit e të dheut, por edhe të të dhënave, algoritmit dhe universit virtual. Nëse teknologjia sot është “gjuha e re e përbashkët” e njerëzimit, rishprehja e kësaj gjuhe përmes gramatikës së “urtësisë” dhe “pastërtisë morale” është sprova më e madhe e fetarisë moderne. Për shoqëritë myslimane, fetaria teknologjike nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri ekzistenciale. Në një epokë ku inteligjenca artificiale merr vendimet tona dhe inxhinieria gjenetike vë në diskutim natyrën e pastër njerëzore, ata që nuk arrijnë të ndërtojnë një “ilmihal digjital” janë të destinuar të mbeten thjesht një “statistikë” në algoritmet e shkruara nga të tjerët. Rrjedhimisht, kjo formë e re e fetarisë, me përpjekjen për t’u veshur pikselëve moralin dhe për t’u fryrë shpirt kodeve të ftohta, është një kauzë për ta kthyer teknologjinë në detyrën e saj parësore, domethënë “në shërbim të njeriut dhe të së vërtetës”.

Përktheu: Qendra për Hulumtime, Minber

Prof. Dr. Ramazan Altıntaş

Universiteti Necmettin Erbakan, Konya

 

 

 

 

Artikuj të ngjashëm