Në pranverën e vitit 1944, mes sfidave dhe lëvizjeve të mëdha të kohës, qyteti i Korçës u bë dëshmitar i një organizimi të jashtëzakonshëm fetar. Dokumentet arkivore të kohës, si: procesverbali i themelimit, raporti i aktivitetit vjetor dhe njoftimet zyrtare, zbulojnë historinë se si u themelua “Këshilli Kultural i Komunitetit Mysliman” në Korçë, dhe se si nën drejtimin e Kryemyftiut të zonës, H. Xhafer Aliu, ndërmori një nismë model për modernizimin, bamirësinë dhe zhvillimin fetaro-social të vendit.
Sipas një procesverbali të datës 16 Qershor 1944, në mbledhjen e përgjithshme të mbajtur më 30 Prill 1944, pranë Zyrës së Kryemyftinisë në Korçë, mbas diskutimeve dhe arsyetimeve të nevojshme, u formua Këshilli Kultural Mysliman i qytetit të Korçës. Ky këshill përbëhej nga Kryetari, N/kryetari, një sekretar-arkëtar dhe dhjetë anëtarë. Me propozimin e myftiut, zotni Reshad Merdani[1] u caktua sekretar-arkëtar, ndërsa zotni Fetëhi Selenica nënkryetar, pastaj u zgjodhën dhjetë anëtarë të tjerë nga elita dhe personalitetet e qytetit, si: Dr. Xhevid Beli, Rexhep Merdani, Ali Alizoti, Qamil Qyteza, Umer Fazlliu, Shefki Zëmlaku, Fadil Gore, Aqif Devini dhe Safet Shehu.[2] Mbledhja përcaktoi gjithashtu sistemin e ndihmave financiare (të ndara në ndihmë bamirësie dhe ndihmë të përmuajshme në katër kategori) për të përballuar nevojat e komunitetit dhe shtresave në nevojë.
Sipas procesverbalit, mbas shumë bisedimesh, mbledhja e përgjithshme caktoi këto detyra për këshillin kultural:
- Të kujdesenet me anë fjale e propagande pran elementit mysliman që ç’do besnik të mbajë lart dinjitetin e Fes Islame, dyke u përkujdesuar posaçërisht për nji vëllazrim gjithnjë ma të ngushtë padallim feje.
- Të kujdesenet që me anë konferencash për forcimin e moralit dhe parimeve të Fesë së nalt Islame ndaj besnikvet të Fesë.
- Me mjetet që do të disponojë me anë ndihmash të mbajë në kujdesje e të përmirsojë gjithë institutet fetare të qytetit.
- Këshili do të mbledhet dy herë në muaj.
Mbledhja e përgjithshme caktoi dy lloj ndihmash:
- Ndihma bamirësije.
- Ndihma të përmujshme.
- Ndihma e përmujshme ndahet në katër kategori:
- Ndihmë e pacaktuar.
- Ndihmë Fr. (10).
- Ndihmë Fr. (5).
- Ndihmë Fr. (3).
Procesverbali pasi u lexua u firmos nga të pranishmit më 30 prill 1944.
Në lajmërimin drejtuar besimtarëve në maj të vitit 1944, Këshilli theksoi se fokusi i tij nuk do të ishte vetëm fetar, por edhe qytetar e njerëzor, si forcimi i moralit dhe vëllazërisë në shoqëri, modernizimi i infrastrukturës fetare dhe përkujdesja sociale.
Lajmërimin që Këshilli Kultural i Korçës ua kishte dërguar pothuajse të gjithë besimtarëve të qytetit po e transkriptojmë tekstualisht.[3]
LAJMERIM
I ndershmë Zotni!
Kemi nderin t’Ju njoftojmë se Këshilli i ri kultural mysliman i Korçës, në mbledhjen e mbajtur në datën 7 të këtij muaji vendosi në gradë të parë të kryejë këto veprime:
- Blemjen e një auto-veture për përcjelljen e të vdekurit në banesën e fundit qoftë brenda qytetit ose jashtë.
- Çeljen e një porte të përshtatëshme të varrezavet nga ana e perëndimit, lartësimin e zbukurimin e murevet, hapja dhe rregullimi i rrugëvet të brëndëshme të vorrezavet dhe sistemimi i parcelave të varreve t’ardhshme në truallin ku nuk ndodhen varre në mënyrë moderne si mbas planit të një inxhineri të ngarkuem.
- Pregatitjen e petkavet fetare klerikve të qytetit, për t’i përdorur vetëm në ditët ceremroniale fetare dhe kombëtare.
Kemi nderin t’ ju theksojmë se me programin i këtij Këshilli i çfaqur dhe prej Anëtarvet në mbledhjen e mbajtur më 30-4-944 përmbledh dhe këto pika kryesore:
- Të shtojë vëllazërimin e solidarësinë njerëzore pa as një dallim feje, klase ose mendimi në të mirën e Kombit dhe të njerëzimit ashtu sikundër na urdhnon Feja e Lartër e jonë, ç’ do besimtar, ta mbajë lart dinjitetin e Fesë Islame dhe moralin social të njeriut, shkurt të ndjekë rrugën normale të qytetnimit shpirtëror bashkë me zhvillimin mendor.
- Të kujdesohet në përmirësimin e mbajtur mirë të të gjithë Instituteve Fetare Myslimane.
- Këshilli kur të jetë në gjëndje financiarisht t’ ju vijë në ndihmë bonjakvet dhe familjevet nevojtare.
Pra për t’i arirë qëllimit të tij, ky Këshill e ndjen për detyrë t’i bëjë apel, ndihmës morale dhe materiale që Zotnia e Juaj bujarisht dot’ këtë mirësinë të mos e kurseni, edhe më anë tjetër do të mundohet që të jetë i denjë i besimit q’i kini dhënë, dyke ju lajmëruar herë mbas herë mbi ç’ do aktivitet që dot’ ketë plotësuar.
Bekimi i ZOTIT qoftë mbi ju. Më 8/V)944
- Këshilli Kultural Mysliman
Kryemyftiu i Zonës: Hafiz Xhafer Aliu
(firma/vula)
Brenda një periudhe të shkurtër njëvjeçare, Këshilli Kultural dëshmoi një dinamikë të lartë pune, e cila pasqyrohet në raportin vjetor të vitit 1944-1945, aktivitete të cilat u shtrinë në disa drejtime, si:
Përmirësimi i Administratës: U riorganizua zyra e Kryemyftinisë, u zgjerua hapësira e saj dhe u krijua një bibliotekë me libra të dhuruar nga populli. Administrata u vendos mbi baza të rregullta me regjistra hyrjesh, daljesh, arkëtimesh mujore dhe listash bamirësie.
Transformimi i Varrezave të Reja: Ky ishte një nga projektet më madhore. Trualli i dhuruar nga Selim Mborja u shndërrua rrënjësisht, u hapën rrugë kryesore dhe lidhëse, u soll uji i Vithkuqit përmes dy çezmave moderne, u rindërtua salat-tashi (guri që vendoset xhenazeja për tiu falur namazi), u ngritën mure rrethuese dhe porta hyrëse, u sistemuan parcelat e reja dhe u krijua një mur i posaçëm për vendosjen e bashllekëve (gurët e vjetër të varreve) si dëshmi dokumentare e historisë së qytetit.
Inovacioni në Transportin Funerar: Në dokumentet e majit 1944 flitet për blerjen e një auto-veture, ndërsa raporti vjetor konfirmon se Bashkia e Elbasanit mundësoi sigurimin e një arabaje (makine) moderne funerale të ardhur nga Italia, duke modernizuar mënyrën e përcjelljes së të vdekurve në banesën e fundit.
Për realizimin e këtyre punëve të mëdha, deri në fund të periudhës, u shpenzuan gjithsej 46.108 Franga Shqiptare, ndërsa nga fushatat dhe ndihmat e qytetarëve u mblodhën 43.575 Franga Shqiptare, duke lënë një diferencë të vogël për t’u likuiduar prej afërsisht 2.534 Frangash. Raporti vjetor mbyllet me planet për të ardhmen, si: sjellja përfundimtare e arabasë funerale, ndërtimi i kopshteve në hyrje të varrezave dhe zgjerimi i fushatave ndërgjegjësuese për të gjithë qytetarët. Kjo dëshmi historike e Korçës së vitit 1944 mbetet një pasqyrë e qartë e bashkimit të forcave shpirtërore, morale dhe materiale në shërbim të komunitetit dhe qytetarisë, ashtu si Korça e ka dëshmuar historikisht.
Këshilli Kultural i Komunitetit Mysliman Korçë (Raport i vitit 1944-1945).[4]
Aktiviteti i Këshillit Kultural Mysliman gjatë një periudhe prej një viti ka qenë sa vijon:
- Punimet në Kryemyftinin e Korçës.
- Pergatitja në mënyrë të përshtatshme të zyrës Këshillit në Kryemyftini.
- Zmadhimi i Zyres së Kryesisë.
- Organizimi i Bibliotekës me libra të ndryshme të dhuruara prej popullit.
- Punimet e Zyrës.
- Mbajtja e një libri të vendimevet.
- Mbajtja e Arkës në një libër të veçantë.
- Blloke dëftesash HYRJE.
- Blloke dëftesash DALJE.
- Blloke dëftesash për inkasimin e MUJOREVET.
- Përpilimi i listavet që marrin pjesë në ndihmat bamirëse.
- Punimet në truallin e vorezavet.
- Çelja e rrugëvet kryesore si dhe të atyre ndërlidhese.
- Pregatitja dhe sjellja e ujit të Vithkuqit në dy çezme moderne.
- Rindertimi në mënyrë bashkohore të saljatashit (vendi ku falet xhenazeja) dhe pjesavet tij.
- Ndarja e parcelave të reja (pjesët te ndare).
- Ngritja e murit që përfshin truallin e vorezave të reja, të dhuruar nga Selim Mborja.
- Ripunimi në mënyrë moderne të avllis nga ana e rrugës Kolonjë.
- Ngreja e kollonavet të portavet, pregatitja e tri portavet madheshtore.
- Pregatitja e një vendi (muri te posaçme) për vënjen e bashllëkvet të vjetër dhe që janë dokumentar për qytetin tonë.
- Araba e varimit
Bashkija e Elbasanit na siguron shitjen e një arabaje moderne për transportimin e të vdekurvet. (Araba në fjalë ka ardhur prej Italisë).
- Për realizimin e punimevet të larttreguara janë shpenzuar deri më sot Fr.Shq. 46.108,15
- Janë mbledhur prej fushatavet, ndihmavet e të tjera Fr.Shq. 43.574,10
- Mbeten për të likuiduar këtë llogari akoma Fr.Shq. 2.534,05
- Për të mbaruar:
- Sjellja e Arabas funeber.
- Mbarimi i dy kopeshtvet në të dy anët e hyrjes të vorezavet.
- Fushata e gravet të zgjeronet.
- Fushata e dytë e buravet, që të marrin pjesë që të gjithë.
- Bashkimi i forcavet morale dhe materiale të besnikëvet dhe besnikvet Mysliman bën që sot të kemi vendin e prehjes në një mënyrë të përshtatshme, gjë që ka lidhje me qyteterimin e njerezimit.
Në përfundim, ky aktivitet dëshmon një angazhim të thellë të komunitetit mysliman në Korçë për të ndërthurur besimin shpirtëror me zhvillimin qytetar, arsimor dhe social të kohës, në këtë qytet por edhe më gjerë.
Përgatiti: Qendra për Hulumtime, Minber
[1] Lindi në Korçë, në vitin 1916. U diplomua në Montpelje të Francës për kontabilitet. Me vendim nr. 14, datë 28. 10. 1975 të Komisionit Qendror të Internim-Dëbimeve, u internua në Shtyllë të Vithkuqit. Vdiq në internim, më 1980. Shih: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist V (Tiranë: ISKK, 2016), 290
[2] A.Q.Sh, F. 482 (viti 1944), D. 38, f. 43.
[3] A.Q.Sh, F. 482 (viti 1944), D. 38, f. 45
[4] A.Q.Sh, F. 482 (viti 1944), D. 38, f. 46.