Ismail Faruki
Natyra Tre-Dimensionale e Problemit
- Panoramë Historike
Problemi që paraqet Izraeli ndaj Botës Muslimane sot, nuk ka as precedent dhe as paralele në historinë islame. Bota Muslimane ka tendencën ta konsiderojë Izraelin si vazhdimësi të kolonializmit modern, ose në rastin më të mirë, si një riprodhim të Kryqëzatave. Dallimi nuk qëndron mbi faktin se Izraeli nuk është asnjëra prej këtyre; por se është të dyja njëkohësisht, madje shumë më tepër.
Fatkeqësisht, mbi këtë temë nuk ekziston literaturë islame. Kësisoj, nevoja për analizimin e problemit është po aq e madhe, sa edhe thirrja aktuale e botës myslimane dhe veçanërisht botws arabe, për ta pranuar Izraelin si një anëtar integral të një bote kombesh myslimane.
“Problemi i Izraelit” është një çështje tre-dimensionale, që përfshin Botën Muslimane, Krishterimin Perëndimor dhe Hebrenjtë. Dy të parët kanë qenë në “konflikt” që prej lindjes së shtetit Islamik në Medinë në vitin 622. Në fakt, edhe më herët. Interesi material i të krishterëve e kishte shtyrë Abisininë të ndërmerrte një sipërmarrje kolonialiste në Arabinë Jugore në vitin 560 të erës sonë dhe një përpjekje për të shkatërruar fuqinë e Mekës në “Vitin e Elefantit” ose vitin 570 të erës sonë, vitin e lindjes së Profetit Muhamed (salla Allahu ‘alejhi ue selem).
Qysh në atë kohë, Krishterimi Perëndimor e pa të arsyeshme të instrumentalizonte zellin fetar të të krishterëve lindorë për t’i shfrytëzuar si ata ashtu edhe arabët para-islamikë për përfitim tregtar. Në këtë periudhë, Arabia para-islamike gjendej në një vakuum fetar, dhe të krishterët e Perëndimit, të cilët zotëronin frerët e pushtetit, nuk ishin të interesuar në predikimin e besimit. Përkundrazi, në planin e brendshëm ata ishin të zhytur në luftëra politike dhe në planin e jashtëm në luftëra ekonomike dhe ushtarake. Arabia nuk përbënte asnjëlloj rëndësie për ta, përveçse si një rrugë tregtare.
Me ngritjen e shtetit të ri islamik – pas ngadhënjimit në Mekë dhe bashkimin e shumicës së fiseve të Arabisë Perëndimore dhe Jugore – Bizanti e pa të arsyeshme të mobilizonte ushtritë e tij në Palestinën Jugore dhe Jordani, veprim që shkaktoi përballjen e parë ushtarake midis Islamit dhe Krishterimit, Fushatën e Mu’tah (9 A.H./631 A.C.). Para kësaj, shpallja kuranore kishte ofruar mjaftueshëm të dhëna lidhur me doktrinën e krishterë, dhe nëpërmjet sjelljes personale të Profetit (SAAË), shteti islamik kishte përcaktuar se cili do të ishte raporti i saj me të krishterët. Delegacioni i krishterë i Najran-it, u prit mirë nga Profeti (SAAË), me nderim dhe mikpritje të plotë.
Delegacionit I’u prezantua Islami. Disa e pranuan atë dhe që prej atëherë u bënë anëtarë integralë të ummetit musliman. Të tjerë e refuzuan dhe vendimi i tyre u respektua. Duke pranuar Pax Islamica-n, ata u bënë një bashkësi autonome e pajisur me ligjin dhe institucionet e veta, destinin dhe dinamizmin e vet – një pjesë integrale e shtetit universal islamik. Por Krishterimi në veri nuk mund të toleronte një udji të tillë. Bash për këtë arsye, kur Profeti (SAAË) dërgoi dy shokë në Dhat al Talh për të predikuar Islamin, atyre iu pre koka dhe konfrontimi u bë i pashmangshëm.
Nga ky moment dhe më pas, marrëdhënia midis shtetit islamik dhe Krishterimit është karakterizuar nga konfrontimi. Sigurisht, ka pasur edhe periudha pasiviteti relativ në kufijtë e tyre të përbashkët. Por këto kanë qenë pauza të përkohshme, të shkaktuara nga lodhja e palëve. Më kot, Bota Muslimane i ofroi Krishterimit Pax Islamica-n e diktuar nga kushtetuta e shtetit islamik. Brenda linjave pasive, gjendej një Krishtërim i frustruar nga pamundësia e tij e përkohshme për të nënshtruar Botën Muslimane.
Sapo Krishtërimi rifitoi forcën, tërbimi dhe ekspansioni i tij u kanalizua në drejtim të Botës Muslimane: kundër shteteve të vogla muslimane në Spanjë, kalifatit osman në Evropën Lindore, muslimanëve në Afrikën Perëndimore, Oqeanin Indian dhe Pellgun Malajzian. Rezultati ishte kolonializmi. Bota Muslimane i përjetoi të gjitha llojet e tij: Tipin e kolonistëve evropianë – në Algjeri; ndërhyrjen e elementëve të huaj jomuslimanë në shoqëritë muslimane – në Malajzi, Indonezi, Qipro, Palestinë; shfrytëzimin ekonomik, imperializmin kulturor, misionarizmin kishtar, parandalimin e zgjimit, si dhe përhapjen e përçarjes dhe fitnes (subversionit) – kudo. Kur Bota Muslimane nisi rezistencën ndaj kësaj pranie të huaj dhe tjetërsuese, Krishterimi thjesht ndryshoi taktikat e tij dhe shumë shpejt i adoptoi mjetet me situatën e re. Pushtimi ushtarak dhe administratat koloniale u ndërprenë; megjithatë, kolonializmi vazhdoi në mënyrë disi më të butë, por gjithsesi shkatërruese.
Rënia e Perandorisë Osmane u prit me gëzim të madh në Perëndimin e krishterë, sepse shenjoi fundin e hegjemonisë myslimane në botë, madje edhe në vetë territorin e Islamit. Popujt e Islamit, nga tani e tutje, do t’i nënshtroheshin sundimit të krishterë perëndimor; identiteti, uniteti, kultura dhe feja e tyre, duheshin konfuzuar dhe shkatërruar. Vetëm kështu mund të shuhej pakënaqësia dhe urrejtja e përgjithshme e instaluar në zemrën e Perëndimit të krishterë.
- Interesat Perëndimore dhe Lindja e Afërt
Problemi i Izraelit është i lidhur pazgjidhshmërisht me këtë luftë katërmbëdhjetëshekullore midis Botës Myslimane dhe Krishtërimit. Kur Lordi Balfour bëri deklaratën e tij malinje në vitin 1918, ai thjesht po riprodhonte një traditë të vjetër që kërkonte të sundonte duke përçarë të sunduarit, dhe kësisoj të instalonte në zonë një trup të huaj, i destinuar për të qenë në luftë me pjesën tjetër – shkurt, të zbatonte parimin përça e sundo. Kur rruga për në Indi dhe Lindjen e Largët kalonte përreth Afrikës, kolonitë në Kepin e Shpresës së Mirë, në bregun lindor të Afrikës, në Aden, në bregdetin e Gadishullit Arabik, ishin të nevojshme për të mbrojtur atë rrugë. Hapja e Kanalit të Suezit e bëri të domosdoshme pushtimin e Egjiptit nga Britania, si dhe planifikimin për neutralizimin e Arabisë dhe rrëmbimin e bregut lindor të Mesdheut (Palestina, Jordania, Siria, Libani) nga kontrolli i myslimanëve (osman).
Këto territore ishin të vlefshme edhe per se. Lugina e Nilit prodhonte sheqer dhe oriz për tregjet botërore, si dhe pambukun më të mirë në botë për fabrikat angleze të tekstilit. Gruri dhe frutat e prodhuara në Tokat e Mesdheut Lindor, ishin aq afër sa mund të transportoheshin në Evropë para kohës së magazinimit. Planet për prodhimin e naftës irakiane dhe iraniane ishin krijuar para Luftës së Parë Botërore dhe u vunë në zbatim sapo përfundoi pushtimi i territoreve. Mbi të gjitha, vlera strategjiko-ushtarake e këtyre territoreve për perandoritë e Britanisë, Francës, Italisë dhe Holandës tejkalonte të gjitha konsideratat e mësipërme.
Dy arsye themelore diktuan marrjen përsipër nga Shtetet e Bashkuara të të gjithë barrës së kolonializmit evropian në rajon pas Luftës së Dytë Botërore: strategjia ushtarake anti-BRSS dhe nafta. Krijimi i shtetit të Izraelit, shërbeu në të njëjtën kohë për të gjitha qëllimet e mëposhtme:
Së pari, për të siguruar, në rast të një lufte tjetër botërore, një bazë miqësore, miqësia e së cilës me Perëndimin varet nga nevoja e saj akute për mbrojtje nga Perëndimi;
Së dyti, të krijojë një vend, që do të jetë në gjendje të shterojë të gjitha energjitë dhe burimet e zonave përreth, në mënyrë që të vonojë, nëse jo ta pamundësojë, çdo rindërtim kombëtar që do t’i bënte më të afta për t’i rezistuar dominimit të krishterë perëndimor;
Së treti, pas zbulimit të naftës në Gadishullin Arabik, të krijojë një Izrael të fortë, por të varur, mbi të cilin mund të mbështetemi për të garantuar sigurimin e këtij burimi të pamasë dhe jetësor;
Së katërti, të krijonte një kauzë/ose motiv që do të provokonte trazira të vazhdueshme, dhe kësisoj do t’i mundësonte sundimit perëndimor të përmbushte objektivat e tij kolonialiste në mënyrë më të lehtë dhe pa shumë kosto;
Së pesti, të siguronte një “aks” në dukje jo-perëndimor, i cili mund të manipulohet dhe të përdoret nga Perëndimi ndaj çdo shteti që kërkon të çlirojë zonën nga ndikimi i krishterë perëndimor;
Së gjashti, të ofronte njëlloj lehtësimi për ndërgjegjen e krishterë perëndimore, e ngarkuar me ndjenjën e fajit për krimet e Krishtërimit kundër hebrenjve gjatë dy mijëvjeçarëve, që kulmuan me holokaustin e Hitlerit;
Së shtati, të shkatërronte pushtetin botëror të Islamit, duke e çarë umetin (bashkësinë e tij botërore) në një gjysmë aziatike dhe një gjysmë afrikane, të ndarë nga një barrierë e pakapërcyeshme.
- Sionizmi dhe Objektivat Perëndimore
Të gjitha këto objektiva janë në përputhje me vullnetin e përgjithshëm të Perëndimit të krishterë, i cili e sheh dhe e konsideron veten, në një luftë për jetë a vdekje me Islamin. Nëse nuk do të kishte pasur kurrë një problem hebre në Perëndim, nëse nuk do të kishte pasur kurrë sionizëm, Perëndimi i krishterë do ta kishte krijuar një të tillë. Faktikisht, ata krijuan shumë “Izraela” të tjerë në Botën Muslimane.
Ata instaluan kinezët në Malaja dhe krijuan shtetin e Singaporit; instaluan grekët në Qipro, grekët dhe italianët në Aleksandri, armenët në Liban, dhe kësisoj, qëllimisht, krijuan shumë më tepër “Izraelë” potencialë. Tipologjia e veprimit e Perëndimit të krishterë kundrejt botës myslimane ka qenë gjithmonë e njëjtë. Kudo që kishin pushtetin, ata i riorganizuan kufijtë e territoreve myslimane në mënyrë të tillë që të përfshinin brenda secilit prej tyre një element të huaj, i cili premtonte të mbetej në kundërshtim me komunitetin mysliman dhe kësisoj të përbënte një pengesë të përhershme për çlirimin dhe progresin e tij.
Të gjitha këto dhe shumë më tepër i di çdo fëmijë mysliman. Kjo ese nuk ka për qëllim ripërsëritjen. Përkundrazi, ajo që dua të nënvizoj këtu është se konfrontimi midis të krishterëve dhe muslimanëve arriti nivel tjetër rreziku, mizorie dhe ashpërsie kur Perëndimi i krishterë zbuloi tek sionizmi një instrument të disponueshëm për armiqësinë e tij kundrejt botës myslimane.
Kjo është rëndësia e Deklaratës së Balfourit për marrëdhëniet midis të krishterëve, myslimanëve dhe hebrenjve. Amerika e zbuloi këtë gjë vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe i dha miratimin zyrtar kur Trumani i vuri Shtetet e Bashkuara në mbështetje të plotë të lëvizjes sioniste duke i kërkuar Britanisë të hapte Palestinën për imigracionin e pakufizuar hebre në vitin 1945.
* * *
Cila është natyra e sionizmit? Cila është historia e tij? Cila është forca e brendshme që e ka mbajtur gjallë? Cila është natyra e tërheqjes së tij për mendjen e hebrenjve perëndimorë? Dhe për të krishterët perëndimorë? Nëse judaizmi është i vjetër dhe sionizmi shumë i ri, si ndryshojnë ato dhe cila është lidhja e tyre me njëri-tjetrin? Pse sionizmi këmbënguli të kishte një shtet – Izraelin? Pse shteti i Izraelit ka vepruar në atë mënyrë me fqinjët e tij? A duhet të mbetet Izraeli gjithmonë një shtet sionist? Si duket krijimi i shtetit të Izraelit nga pikëpamja Islame? Si duhet trajtuar lufta ideologjike midis Izraelit dhe botës myslimane? Cili është sot verdikti i Islamit lidhur me Izraelin? A mund të njihet sipas kushteve të sheriatit? Çfarë ndryshimesh ose kushtesh duhet të vendosen që një njohje e tillë të jetë legjitime? A është shteti laik palestinez përgjigjja islame për problemin e Izraelit? Nëse supozojmë se i gjithë mekanizmi i Shtetit të Izraelit do të çmontohej, me çfarë do ta zëvendësonte Islami atë? Si do t’i rregullonte ligji kushtetues islamik, në këto rrethana, marrëdhëniet e ardhshme myslimano-hebraike? Këto dhe pyetje të tjera janë objekt i këtij punimi.
Përktheu: Qendra për Hulumtime, Minber