Nga Prof. Dr. Asım Yapıcı
Brenda diskursit feminist, ndonëse theksohet kryesisht tema e gruas së shtypur, ka edhe zëra të cilët artikulojnë qartazi pasojat traumatike të sfidave me të cilat përballen si gratë ashtu edhe burrat. Në këtë kontekst, është bërë e zakonshme të flitet për një rënie të maskulinitetit, për të mos thënë zhdukje të tij. Madje, përdoren edhe metafora si “burrat me funde”. Ky krahasim nuk duhet shpërfillur, pasi ka vlerë si në kuptimin metaforik ashtu edhe në atë faktik. Teksa burrat, për shkak të maskulinitetit në zvogëlim dhe humbjes së autoritetit, duken se po feminizojnë sjelljen, gratë, nga ana tjetër, me feminitetin e tyre në zhdukje, po maskulinizohen.
Pozitivizmi, sekularizmi dhe feminizmi, të cilat përbëjnë themelet e modernitetit, kanë sjellë me vete ndërtimin e një bote të re. Me fillimin e Revolucionit Industrial, popullsia rurale filloi të binte, urbanizimi po rritej, ndërsa vlerat tradicionale fetare dhe morale po dobësoheshin , duke nisur kështu modernizimin e strukturës individuale dhe shoqërore. Një nga institucionet më të prekura nga ky proces është familja. Ajo pësoi një transformim të shpejtë, si në strukturë ashtu edhe në funksion, duke bërë që edhe rolet e prindërve të ndryshojnë në mënyrë rrënjësore.
Në procesin e modernizimit, problemet individuale të ndrydhura në pavetëdije dhe problemet e depozituara në ndërgjegjen kolektive dolën në pah, veçanërisht nën ndikimin e sekularizmit dhe industrializimit. Kjo solli rishikimin e këtyre problemeve, me një përpjekje të fortë, kryesisht në kontekstin e mbrojtjes dhe përmirësimit të të drejtave të gruas, për t’u përballur me gabimet historike dhe për të parandaluar përsëritjen e të njëjtave çështje. Kjo luftë, padyshim, mund të konsiderohet një qëndrim i drejtë dhe i arsyeshëm. Megjithatë, siç thotë shprehja popullore, “të nxjerrësh syrin duke dashur të rregullosh vetullën”. Pikërisht, kjo situatë u manifestua gjatë këtij procesi. Sigurisht, mbrojtja dhe zhvillimi i grave janë të nevojshme në shumë fusha, përfshirë arsimin, punësimin, sigurinë dhe shëndetësinë. Kjo nuk mund të kundërshtohet. Por, këtu mund të shtrojmë pyetjen: A do të hidhen hapa në favor të grave dhe burrave së bashku, apo do të jenë në kurriz të burrave? “Pa dyshim”, përgjigje kjo që na thotë se zhvillimi do të arrihet së bashku me burrat. Kjo është qasja e duhur. Megjithatë, kjo qasje, si në parim ashtu edhe në veprim, ka rezultuar përfundimisht në dobësimin e maskulinitetit dhe feminitetit.
Vetëbesimi i tepruar dhe vetëdija e lartë, shkaktojnë si rezultat çrregullime të ankthit dhe pakënaqësi. Ajo që quhet vetëbesim i tepruar është pikërisht një nga karakteristikat që përshkruan më së miri personalitetin narcist; një gjendje boshe, e shkëputur nga realiteti. Në këtë kontekst, duhet përmendur posaçërisht përpjekja e prindërve për të rritur fëmijë me mendimin “fëmija im të mos i përjetojë të këqijat që kam përjetuar unë”, duke përdorur një qëndrim herë indiferent, herë tepër mbrojtës dhe herë jokonsistent prindëror, gjë që nuk i ekspozon ata ndaj asnjë rreziku apo situate reale. Fëmijët e rritur në këtë mënyrë, të cilët nuk përjetojnë vështirësi, nuk marrin përgjegjësi, apo më saktë, që nuk e njohin jetën, përballen me një situatë që mund ta përkufizojmë si “rritje e parakohshme”. Për më tepër, vërehet se pakësimi i numrit të fëmijëve e ka bërë relativisht “simpatik” qëndrimin negativ prindëror, në radhë të parë atë tepër mbrojtës. Këtyre individëve, në mënyrë jo-realiste u është premtuar një jetë si princër dhe princesha gjatë fëmijërisë. Jean Tëenge e shpjegon këtë proces si më poshtë: “Është sikur t’i bësh shaka një rregulloreje. Ne rritemi duke shpresuar se do të jemi të rinj dhe të patrembur, ndërkohë paratë në xhepin tonë nuk na mjaftojnë as për të paguar qiranë e një apartamenti të keq”. Rezultati i këtij fenomeni është ky: Kudo shpërthejnë britma pakënaqësie si një uragan. Këto britma pakënaqësie rrezikojnë të sjellin lindjen e ndjenjave të paefektivitetit (pafrutshmërisë), zhgënjimit (mungesës së shijes) dhe pakuptimësisë në shumë fusha të jetës së përditshme, sidomos në institucionin e familjes.
Asnjë individ, asnjë i ri, nuk është i shkëputur nga kuptimi i jetës, si dhe nga ndikimet sociokulturore dhe sociopsikologjike të botës dhe shoqërisë në të cilën rritet. Në librat e psikologjisë zhvillimore përmendet koncepti i “Shpirtit të Kohës”. Ky nënkupton se çdo njeri është produkt i epokës dhe kulturës së tij. Shpirti i Kohës ndikon në karakterin e individit më shumë sesa mjedisi i tij shoqëror, përfshirë familjen. Duhet theksuar me ngulm se, veçanërisht, teknologjia ka sjellë me vete etikën e saj. Përfundimisht, bota, e cila po ndryshon, po na transformon dita-ditës, pa e kuptuar edhe vetë këtë gjë. Edhe feminiteti dhe maskuliniteti po marrin pjesën e tyre nga ky transformim. Tashmë, kërkimi për partner në vend të bashkëshortit është më i theksuar. Martesat kanë një strukturë dhe përmbajtje ku mungon sinqeriteti i thellë për “përgjithmonë”, ndërsa orientimi i bashkëshortëve kundrejt njëri-tjetrit është “indiferent”. Mendimi “Unë jam i rëndësishëm, ti jo, unë jam indiferent ndaj teje” po fiton gjithnjë e më shumë peshë. Sigurisht, ekzistojnë edhe lidhje të tjera, por individualizimi i tepruar, egoizmi dhe dëshira për lumturi hedonike, i shtyjnë njerëzit, qofshin gra apo burra, të largohen nga lidhjet tradicionale. Në këtë proces, edhe perceptimi i privatësisë po dobësohet dita-ditës.
Niveli i lartë i vetëdijes nxit tek të gjithë individët, burra dhe gra, pasione si “vetë-kapja”, “të qenit vetvetja” dhe “vetërealizimi/vetëaktualizimi”. Këto pasione i tjetërsojnë/largojnë burrat dhe gratë nga njëri-tjetri, të cilët përbëjnë themelin e familjes. Në këtë pikë, vihet re një rritje e numrit të martesave ku “bashkëshortët mbeten indiferentë ndaj njëri-tjetrit”. Po ashtu, ka një rritje evidente si në numrin e divorceve ashtu edhe në lidhjet jashtëmartesore. Këto rezultate negative mund të shprehen si “shpërthim i kënaqësive të shtypura”. Për më tepër, te njeriu i ri është jashtëzakonisht i fuqishëm pasioni për liri të pakufizuar dhe dëshira për të qenë sa më i fuqishëm. Këto janë ndër elementet kryesore që i tjetërsojnë (largojnë) burrat dhe gratë, duke i ftuar ata në një jetë konkurruese. Rritja e moshës së martesës dhe preferenca për të qëndruar beqar, shfaqen gjithashtu si shkaqe që ushqejnë tensionin mes grave dhe burrave. Teksa ndjenja e mosbesimit rrënjoset, burrat dhe gratë largohen gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri. Ky tjetërsim nuk duhet marrë lehtë, pasi çdo largim sjell thyerje (krizë) në rolet tradicionale të grave dhe burrave. Ndërsa gruaja fuqizohet në mënyrë të tepruar, burri fillon të vërë në pikëpyetje veten; ai futet në kërkime të ndryshme me dëshirën – të hapur apo të nënkuptuar – për të kërkuar, gjetur dhe jetuar maskulinitetin e humbur.
Duhet theksuar edhe ky aspekt: Babai ka një rëndësi jetësore si në mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijës, ashtu edhe në socializimin e tij të shëndetshëm. Për këtë arsye, roli i dobësuar i atësisë ndikon negativisht tek fëmijët. Të ngrënit së bashku të paktën një herë në ditë – nënë, baba dhe fëmijë, pra e gjithë familja – jo vetëm që shton dashurinë dhe respektin, por mund të jetë edhe faktor mbrojtës kundër çrregullimeve të padëshiruara të sjelljes, veçanërisht kundër varësisë nga substancat. Ndërkohë që ndikimi i maskulinitetit të dobësuar dhe atësisë së zbehur është duke rënë tek fëmijët, rritet rreziku i përfshirjes në krime.
Teoria e personalitetit autoritar, e zhvilluar nga Adorno dhe kolegët e tij në SHBA gjatë viteve 1950, përkufizonte çdo lloj autoriteti në mënyrë negative. Megjithatë, bazuar në rezultatet e hulumtimit të saj të viteve 1970, Çiğdem Kağıtçıbaşı pohonte se: “Tipi i personalitetit autoritar nuk është universal”. Ndërsa në familjet e SHBA-së dhe Evropës, qenia autoritare e prindërve perceptohej negativisht nga fëmijët dhe interpretohej si: “Prindi ynë (sidomos babai) nuk na do”, të rinjtë turq nuk mendonin në këtë mënyrë për prindërit e tyre. Edhe nëse babai zemërohej, fëmija nuk hiqte dorë nga dashuria për të. E njëjta gjendje vlen edhe për nënën. Megjithatë, në ditët që jetojmë (2024), mund të shtrojmë një pyetje thelbësore dhe domethënëse: “A ka depërtuar struktura e personalitetit autoritar edhe në shoqërinë turke?” Mund të mendohet se kjo pyetje bëhet e pakuptimtë kur maskuliniteti fillon të humbasë dhe feminiteti të dobësohet. Pikërisht këtu, duke pasur parasysh faktin që njeriu i ri nuk e pëlqen autoritetin, mund të thuhet se përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje vështirësohet gjithnjë e më shumë. Maskuliniteti i humbur ndikon negativisht edhe në edukimin e fëmijëve.
Kur suksesi fillon të matet me jetën në punë, karrierën dhe avancimin e vazhdueshëm, kuptimi i të qenit një nënë e mirë, rritja e fëmijëve të mirë dhe të qenit një bashkëshorte e mirë fillon të humbasë. Tani ka lindur një mendim se gruaja që qëndron në shtëpi, rrit fëmijët dhe përpiqet të sigurojë lumturinë e familjes, është e dënuar me një jetë të pakënaqur. Sigurisht, gratë duhet të marrin pjesë në jetën e punës dhe të avancojnë në shkallët e karrierës. Megjithatë, kur kjo situatë kthehet në një filozofi jetësore, ajo mund të shndërrohet në një faktor që ushqen ankthin dhe pakënaqësinë. Në këtë rast, edhe feminiteti (tiparet femërore) mund të dobësohet/zvogëlohet. Konkurrenca dhe dëshira për të qenë e fuqishme, veçanërisht në jetën e punës, shfaqen si faktorë që ushqejnë rënien e feminitetit.
Me erërat e humanizmit që frynë në SHBA dhe Evropë gjatë viteve 1960, fuqia e anëtarëve të familjes për të kontrolluar, drejtuar dhe formësuar njëri-tjetrin u dobësua. Fillimi i harresës së rolit të nënës nga gruaja dhe rolit të babait nga burri solli dy pasoja: burri dhe gruaja – pra nëna dhe babai – janë dy individë të ndryshëm. Po kështu edhe fëmijët janë brenda këtij kuadri. Rrjedhimisht, uniteti/tërësia e familjes është prishur. Kjo do të thotë se: Gruaja dhe burri që përbëjnë familjen janë si hidrogjeni dhe oksigjeni. Këta janë dy elemente të ndryshme, njëri ndizet dhe tjetri ndez (djeg). Nëse hidrogjeni dhe oksigjeni qëndrojnë pranë njëri-tjetrit me identitetet e tyre personale (me karakteristikat e tyre individuale), ato kanë potencialin për të dobësuar dhe shkatërruar njëri-tjetrin. Por, nëse këta dy elemente formojnë një tërësi kuptimplotë – pra një unitet– atëherë del në pah H2O = Ujë. Dy elemente, ndezës dhe djegës, shndërrohen në një burim që jep jetë. Nëse në mjedisin familjar rolet dhe funksionet e burrit dhe gruas dobësohen, struktura e krijuar me anë të kontratës së martesës nuk është familje, por një bashkëjetesë e dobët e krijuar për të kënaqur pasionet hedonike për një periudhë të caktuar. Duhet theksuar se e kam përdorur me qëllim fjalën bashkëjetesë. Kjo sepse bashkëjetesa nuk nënkupton unitet. Elementet që përbëjnë bashkëjetesën nuk kanë fuqinë për t’i dhënë jetë familjes. Mund të thuhet më qartë kështu: Në bashkëjetesë, ndërgjegjja e familjes nuk krijohet plotësisht. Në pamje të parë duket se ekziston një familje. Megjithatë, ajo familje fillon të shndërrohet në një shoqërim shtëpiak (bashkëjetesë), në të cilën përjetohen konflikte të egos, ku për shkak të dilemës “ti-unë” nuk lind kurrë ndërgjegjja e “ne”, dhe ku burri e dobëson gruan dhe gruaja e dobëson burrin si rol dhe status. Duhet bërë dallimi mes shoqërimit shtëpiak dhe shokut të jetës (bashkëshortit).
Në vend që gruaja dhe burri të shihen si alternativa ndaj njëri-tjetrit, ata duhet të vlerësohen si elemente që plotësojnë njëri-tjetrin. Në mjedisin familjar, bashkëshortët nuk duhet të perceptohen si dy mollë të ndryshme, por si dy gjysma të një molle të vetme.
Përktheu: Qendra e Hulumtimeve, Minber