Hulumtime MINBER

Haxhi dhe kontrolli shtetëror në Shqipërinë komuniste: Rasti i Gani Hasan Çotës (1959)

Home » Haxhi dhe kontrolli shtetëror në Shqipërinë komuniste: Rasti i Gani Hasan Çotës (1959)

Ky artikull trajton marrëdhënien ndërmjet praktikës fetare islame dhe kontrollit shtetëror në Shqipërinë komuniste përmes analizës së një rasti konkret arkivor, që ka të bëjë me kërkesën e nënmyftiut të Librazhdit, Gani Hasan Çota, për të vizituar fëmijët e tij në Kajro si dhe për të kryer haxhin në vitin 1959. Duke u mbështetur në dokumente të Arkivit Qendror të Shtetit, mundohemi të nxjerrim në pah mënyrën se si një detyrim fetar transformohej në një proces të filtruar politikisht, ku paraqiteshin kërkesa të ndryshme dhe kërkoheshin vërtetime nga nivele të ndryshme të pushtetit, duke filluar që nga procesi i pajisjes me pasaportë e gjer te vërtetimet biografike. Rasti dëshmon për një fazë tranzitore, ku praktika fetare nuk ishte ende e ndaluar plotësisht, por ishte e kushtëzuar nga kriteret ideologjike të regjimit, si ideologjia politike, qëndrimet personale dhe familjare gjatë luftës etj.

Në sistemet komuniste, feja shpesh konsiderohej si një element i padëshirueshëm shoqëror dhe ideologjik. Në Shqipëri, kjo qasje mori forma gjithnjë e më të ashpra, duke kulmuar me ndalimin total të fesë pas “revolucioni kulturor” në Shqipëri. Megjithatë, periudha para këtij momenti paraqet një fazë më komplekse, ku praktikat fetare nuk ishin plotësisht të ndaluara, por kontrolloheshin rreptësisht. Në këtë kontekst, haxhi si një nga shtyllat themelore të Islamit, përbën një rast studimor të rëndësishëm për të kuptuar ndërveprimin midis Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe regjimit të kohës, si dhe tentativave individuale për të kryer këtë ritual të rëndësishëm të besimit islam.

Pyetja nëse shqiptarët kanë arritur të kryejnë haxhin gjatë periudhës së regjimit komunist ngjall interes të veçantë, pasi lidhet drejtpërdrejt me marrëdhënien midis praktikës fetare dhe kufizimeve shtetërore në një sistem ateist. Duhet theksuar se deri në vitin 1967, megjithëse feja në Shqipëri ishte objekt i një presioni të vazhdueshëm ideologjik, propagandistik dhe administrativ, ajo ende nuk ishte ndaluar formalisht. Në këtë kuadër, është e mundur që individë të caktuar të kenë arritur të kryejnë haxhin ose të kenë tentuar të pajisen me leje për këtë qëllim, edhe pse raste të tilla mbetën të rralla dhe të kushtëzuara fort nga kontrolli shtetëror. Pas vitit 1967, me shpalljen e Shqipërisë si shtet ateist dhe ndalimin total të praktikave fetare, mundësia për kryerjen e haxhit brenda vendit u eliminua plotësisht. Në këtë periudhë, të vetmit shqiptarë që kanë mundur të kryejnë haxhin kanë qenë ata që ndodheshin jashtë kufijve shtetërorë ose individë që kishin emigruar apo ishin arratisur nga regjimi komunist.

 

Konteksti historik dhe institucional dhe rasti i Gani Hasan Çotës

Pas vitit 1945, shteti shqiptar ndërmori një politikë të centralizimit dhe kontrollit të institucioneve fetare. Komuniteti Mysliman Shqiptar u vendos nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë, ndërsa lëvizja jashtë vendit u kufizua ndjeshëm. Udhëtimet drejt vendeve islame, si: Egjipti, Turqia apo Arabia Saudite, konsideroheshin veçanërisht të ndjeshme për shkak të: kontakteve me botën jashtë bllokut socialist, lidhjeve fetare ndërkombëtare, mundësisë së ndikimeve ideologjike etj. Në këtë kuadër, çdo kërkesë për udhëtim duhej të kalonte nëpër një proces verifikimi të shumëfishtë institucional dhe politik.

Rasti i Gani Hasan Çotës është domethënës për disa arsye. Së pari, ai ishte funksionar fetar (nënmyfti) i rrethit të Librazhdit. Së dyti, ai kishte lidhje familjare jashtë vendit, ngaqë të dy fëmijët e tij jetonin dhe punonin prej më se 20 vitesh në Egjipt, si dhe kërkonte të kombinonte vizitën te fëmijët e tij me kryerjen e haxhit. Në kërkesën e datës 10 shtator 1959, ai i drejtohet Kryesisë së Komunitetit Mysliman me një lutje për pajisje me pasaportë për në Egjipt dhe më pas në Hixhaz (Arabi Saudite).

Kryesia e Komunitetit Mysliman Shqiptar (Tiranë)

Lutje Gani Hasan Çotës, n/myfti i rrethit të Librazhdit. Kërkon ti jepet pasaporta për të shkuar ne Egjipt dhe në Hixhaz (Arabi Saudite) prej një muaji afat. Librazhd më 10/09/1959.[1]

I Nënshkruari Gani Hasan Çota, i lindur më 1901, lindur në Katundin Funares, banues në Librazhd Qendër, me profesion N/Myfti i rrethit Librazhd, kam nderin t’ju parashtroj lutjen si vijon: Në shtetin Egjipt në Qytetin Kairo kam djalin tim Seit Gani Çota, me gjithë nuse, i cili ka ikur prej vitit 1938 për studime dhe po atje është martuar. Gjithashtu kam po atje time bijë Hanife, e cila gjithashtu në vitin 1938 është martuar në Shqipëri me të quajturin Aqif Bahiti nga Katundi Kuturman i rrethit Librazhd, të cilët posa u martuan shkuan në shtetin Egjipt në qytetin Kairo, dhe prej asaj kohe e deri më sot nuk jemi parë me sy, vetëm se merremi vesh me letra, që nga viti i nalt përmendër prej 21 vjetësh. Në letrën e fundit më shkruajnë si djali Seit dhe vajza Hanife që të vete të çmallemi me ta, kështu unë si babë që më ka marrë malli dhe ma tepër se ata, do e mos ndiej një dhimbje në shpirtin tim, pse nuk po i shof me sy. Pra, në një anë dëshiroj të shof fëmijët e mi dhe në tjetër anë dua me shkuar edhe në Hixhaz për Haxhillëk në Arabinë Saudite, për të vizituar Qaben si mysliman e besimtar klerik gjithashtu.

Prandaj lutem të keni mirësinë që të urdhëroni që të demarshoni ku duhet me mu dhanë pasaporta me leje për me ndenjur një muaj si në Egjipt ashtu edhe në Arabinë Saudite, d.m.th: brenda një muaji të jemi kthyer në atdheun tim. Shpenzimet e udhëtimit për vajtje ajte biletën e të shkuemen do ta paguej vetë, kurse qëndrimin atje dhe të shkuemen në Arabi Saudite dhe të ardhmen në atdheun tim Shqipëri mi paguajnë fëmijët e mi atje, vetëm se lutem nga ana e juaj dhe Shtetit tonë të më akordoni këtë leje para kohës së nisjes për Hixhaz.

Me nderime e respekt: Abdylgani Hasan Çota.

(firma)

 

Filtrimi politik dhe institucional

Dokumenti shoqërohet me deklarata si nga Fronti Demokratik ashtu edhe nga Këshilli Popullor i rrethit që vërtetojnë qëndrimin “shumë të mirë moral, politik e shoqëror” të tij si dhe kontributin e dhënë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Këto elemente janë thelbësore, pasi tregojnë se leja për një akt fetar varej drejtpërdrejt nga biografia politike e individit.

Fronti Demokratik Shqiptar

Kryesia e Frontit Librazhd Qendër / Në Librazhd, 10/9/1959.[2]

Deklaratë

Neve Këshilli i Frontit Demokratik të Librazhdit Qendër, vërtetojmë nën përgjegjësinë tonë personale, se i quajturi Gani Hasan Çota nga ky katund, me profesion N/Myfti i rrethit Librazhd, si në kohën para çlirimit dhe mbas çlirimit e deri më sot, ka mbajtur dhe mban qëndrim të mirë moral, politik e shoqëror shumë të mirë, i cili në kohë të luftës N.Ç.L. (Nacional-Çlirimtare) qysh në vitin 1942 ka kontribuar pa rezerva si në strehim e ndihma të tjera të pa ndërprer në favor të luftës N.Çlirimtare.

Gani Hasan Çota në qytetin Kairo të Egjiptit ka djalin e tij Seit Gani Çotën i cili është i martuar në Egjipt, veç këtij ka edhe bijën e tij Hanife, e cila gjithashtu është e martuar me të quajturin Aqif Bahitin nga katundi Kuturman të këtij rrethi; që të dy si djali e vajza e Gani Hasan Çotës, bashkë me të shoqin e saj Hanifes kanë shkuar në Egjipt qysh në vitin 1938 edhe sot po atje qëndrojnë me punë. Seidi, djali i Ganit, është i pa ndarë nga i ati Gani Çota si në gjendje civile etj. domethënë është bashkë pjestarë familje, me të atin e tij Gani Çotën.

Për vërtetim lëshojmë këtë deklaratë, tue u vërtetuar nga ana e jonë rregullisht, për me e prezantue ku t’ia lypi nevoja.

Këshilli i Frontit Demokratik Librazhd Qendër

Kryetari: Daut Gjeta

(firma)

Republika Popullore e Shqipërisë

Këshilli Popullor Librazhd Qendër: Nr. 6454

Librazhd, më 7/9/1959[3]

Deklaratë

Neve Këshilli Popullor i Katundit Librazhd Qendër të Rrethit Librazhd, vërtetojmë se i quajturi Gani Hasan Çota nga katundi jonë, me profesion N/Myfti i Rrethit Librazhd, si në kohën para çlirimit dhe mbas çlirimit, deri sot, ka mbajtur sjellje morale, politike e shoqërore shumë të mira, i cili në kohë të luftës N.Ç.L. qysh në vitin 1942, ka kontribuar pa rezerva si në strehim e ndihma të tjera të pa ndërprera, në favor të luftës N.Çlirimtare.

Gani Hasan Çota në qytetin Kairo të Egjiptit ka djalin e tij Seit Gani Çotën, i cili është i martuar në Egjipt, veç këtij ka edhe bijën e tij Hanife, e cila gjithashtu është e martuar me të quajturin Aqif Bahitin nga Katundi Kuturman të këtij rrethi; që të dy si djali e vajza e Gani H. Çotës, bashkë me të shoqin e saj, kanë shkuar në Egjipt qysh në vitin 1938, edhe sot po atje qëndrojnë me punë. Seidi (djali i Ganiut) është i pa ndarë nga i ati Gani Çota, si në gjendje civile etj. domethënë është bashkë pjestarë familje me të atin.

Për vërtetim lëshojmë këtë deklaratë, për me e prezantue ku t’ia lypi nevoja.

Këshilli Popullor i Librazhdit Qendër

Kryetari: Maliq Mojkja.

(firma)

 

Një aspekt i rëndësishëm është gjuha e përdorur në kërkesë nga Gani Hasan Çota, ku kërkohet një afat i kufizuar (një muaj), garantohet gjithashtu kthimi në atdhe, si dhe theksohet vetëfinancimi i udhëtimit. Ky diskurs reflekton një vetëdisiplinim dhe nënshtrim të plotë të individit përballë shtetit, që është tipike për shoqëritë totalitare. Rasti i Gani Hasan Çotës dëshmon për një fazë ndërmjetëse në politikën fetare të regjimit komunist shqiptar, kur feja nuk ishte ende e ndaluar plotësisht, por ishte e nënshtruar ndaj kontrollit të rreptë ideologjik. Haxhi dhe rrugëtimi për në vendet e shenjta në këtë kontekst transformohet nga një detyrim shpirtëror në një proces administrativo-politik, ku shteti synonte jo vetëm të kufizonte praktikën fetare, por edhe ta riinterpretonte atë brenda logjikës së vet ideologjike.

Analiza e këtij rasti lejon të nxjerrim disa përfundime kryesore, si: praktika e haxhit në Shqipërinë komuniste ishte e mundur vetëm në mënyrë të kufizuar dhe të kontrolluar. Biografia politike e individit ishte faktor vendimtar për pajisjen e tij me leje udhëtimi dhe pasaportë dhe për lejimin e tij në udhëtime jashtë shtetit. Në këtë kuptim, rasti i Gani Hasan Çotës përbën një dëshmi të rëndësishme për të kuptuar marrëdhënien komplekse ndërmjet besimit dhe shtetit në Shqipërinë komuniste, si dhe duhet të zgjerohet më tej si temë studimi.

 

Punoi: Qendra për Hulumtime, Minber

 

[1] AQSH, F. 482 (Komuniteti Mysliman), V. 1959, D. I-66, f. 1-2.

[2] AQSH, F. 482 (Komuniteti Mysliman), V. 1959, D. I-66, f. 3-4.

[3] AQSH, F. 482 (Komuniteti Mysliman), V. 1959, D. I-66, f. 6-7.

Artikuj të ngjashëm