Shprehja “njeriu që individualizohet” nënkupton se në një periudhë më të hershme qenia njerëzore nuk ishte ende një qenie individualiste. Vallë, çfarë synohet me këtë “individualizim” që përmendet në këtë shprehje? Fillimisht, duhet t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje, pasi njeriu, sa i përket vazhdimësisë së jetës së tij, është një qenie që i jep përparësi vetes, domethënë faktit të të qenit individ. Për shembull, dhimbja dhe kënaqësia janë gjithmonë ndjenja subjektive që përjetohen në mënyrë individuale; vuajtja dhe lumturia përjetohen nga “egoja”, pra nga “uni”. Megjithatë, ndryshe nga “uni”, “vetja” formohet gjatë procesit të ndërveprimit me botën e jashtme. Në këtë kuptim, vetja na shfaqet si një fenomen i ndërtuar nga vetë personi dhe rrethi i tij shoqëror, çka mund ta quajmë “dizajnimi i vetes” dhe/ose “vetja pasqyruese”. Përmes mënyrës se si personi e percepton dhe e interpreton veten, me anë të dizajnimit të vetes apo vetes pasqyruese, mund të ndryshojë edhe ndjesia e kënaqësisë ose e dhimbjes që ndjen “uni” i tij përballë ngjarjeve të përjetuara. Kjo ndodh sepse ngjarjet që perceptohen dhe ndihhen – pra ato që përjetohen – jetohen sipas përcaktimeve të të gjithë shoqërisë, duke filluar nga familja e deri te ligjet, shteti dhe feja. Po ashtu, fenomene të tilla, si: përgjegjësia, liria, kuptimi, e vërteta, feja dhe morali realizohen në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme përmes ndërveprimit që individi ndërton me botën e jashtme.
Nëse me nocionin “njeriu që individualizohet” kuptojmë individët që ndërgjegjësohen për të qenë “anëtarë brenda komunitetit” apo “individë brenda shoqërisë”, atëherë individualizimi vlerësohet si një ndryshim zhvillimor pozitiv. Çdo njeri që qëndron mbi këmbët e veta, që përshtatet me shoqërinë ku jeton, por që kur vjen puna te gabimet dhe parregullsitë që vëzhgon në botën e jashtme, lufton me to, brenda masave legjitime, kontribuon si në zhvillimin e tij personal, ashtu edhe në përparimin shoqëror. Në këtë kuptim, të qenët individ brenda komunitetit është një model sjelljeje dhe një mënyrë jetese e dëshirueshme. Nga ana tjetër, nëse bëhet fjalë për një shkrirje brenda shoqërisë, domethënë për një humbje të personalitetit, në një situatë të tillë nuk mund të flitet më për individin dhe, si rrjedhojë, në strukturën shoqërore shfaqet plogështia dhe mbyllja ndaj zhvillimit. Sepse, zhvillimi, qoftë individual apo shoqëror, nuk mund të sigurohet vetëm përmes ndjenjës së kënaqësisë; përkundrazi, pakënaqësia, shqetësimi e madje herë pas here edhe gjendja e zemërimit vënë në lëvizje kërkimet e reja. Aty ku mungon kërkimi, rehatia që sjell ekuilibri njohës dhe përshtatja sociale vetëm sa përforcon rehatinë mendore.
Nëse me nocionin e individualizimit nënkuptohet denigrimi i mendësisë komunitare dhe lartësimi i individualizmit të kulluar, atëherë në lojë hyjnë këndvështrimet ideologjike; disa e vlerësojnë këtë proces si të mirë dhe pozitiv, ndërsa të tjerë si të keq dhe negativ. Ata që e vlerësojnë pozitivisht pretendojnë se njeriu, i cili ishte zhveshur nga personaliteti prej fesë, historisë dhe traditës, fitoi një karakter përmes modernitetit. Qasja karteziane, ku lartësohet “uni që mendon”, e ka kthyer veprimtarinë mendore në kuptimin dhe qëllimin e ekzistencës individuale. Ndarja e arsyes nga zemra ka një rëndësi qendrore në aventurën e individualizimit të njeriut. Ndonëse thyerja e unitetit arsye-zemër dhe shenjtërimi i arsyes, nga njëra anë, përshpejtuan veprimtaritë shkencore dhe ndikuan pozitivisht në zhvillimet teknike, nga ana tjetër bënë që zemra – e cila i jep kriter dhe rregull arsyes – të fitonte një kuptim nostalgjik vetëm në librat e letërsisë, teologjisë dhe moralit.
Shkenca, e cila në thelb është një veprimtari konstruktive, fitoi një kuptim dhe përmbajtje të re në dizajnimin e vetes së njerëzve, nën ndikimin e filozofisë karteziane, racionalizmit dhe pozitivizmit. Teksa lartësohej “uni që percepton”, tradita, feja, ligji, morali dhe konceptimi mbi njeriun filluan të rindërtoheshin sipas këtij modeli të ri të vetes. Po ashtu, teksa njohuria e prodhuar përmes eksperimentit dhe vëzhgimit nën udhëheqjen e arsyes u hyjnizua, vlera e dhënë mendjes u rrit edhe më shumë; kjo situatë që forcoi veten, filloi ta impononte individualizimin si një fenomen që i shkon dinjitetit njerëzor. Megjithatë, kjo botë e re e ngritur mbi mendësinë e kulluar shkencore, teksa u impononte njerëzve individualizimin, solli edhe rritjen e rasteve të anomisë, vetmisë, depresionit dhe vetëvrasjeve. Zhvillimi i psikologjisë deri në vitet 1950, kryesisht si një shkencë që u jepte përparësi rasteve patologjike, mund të vlerësohet në këtë kuadër.
Pas viteve 1950, rrymat e psikologjisë ekzistencialiste, humaniste dhe pozitive dhe pas viteve 1980, qasjet si inteligjenca emocionale që theksojnë më shumë zemrën dhe vlerat, synuan të kompensonin dëmet e shkaktuara nga individualizimi i tepruar. Kjo, sepse fenomeni i individualizimit fiton një formë të re sipas kushteve që ndryshojnë. Në thelb, me ndryshimin e modeleve të vetes, ndryshojnë edhe ankthet, frikërat, shpresat, ëndrrat dhe dëshirat e njeriut. Siç kuptohet, perceptimi i vetes i imponuar nga bota që ndryshon, shkakton një individualizim më të madh të njeriut. Në këtë proces, duhet theksuar veçanërisht shpërthimi i vetërespektit (self-esteem). Përdorimi i vetërespektit si element ndryshues në studimet psikologjike nga viti 1960 deri në 2010 mbështet idenë se individualizimi në rrafshin fiktiv po evoluon drejt egoizmit.
Jo vetëm studimet shkencore, por pothuajse çdo mjedis, duke filluar nga familja, shkolla dhe media, e lartësuan aq shumë të qenët individ, saqë njerëzit të cilët nuk mundën të individualizoheshin, u perceptuan pothuajse si qenie të dobëta dhe të mjera që nuk e kanë përfunduar evolucionin e tyre mendor dhe emocional ose, thënë më butë, që nuk janë bërë ende vetvetja. Tensioni midis dizajnimit të vetes së njeriut të individualizuar dhe atyre që ende nuk janë individualizuar, natyrisht u zgjidh në favor të të parëve. Sidoqoftë, duhet nënvizuar se individualizimi, në kuptimin e të qenit individ brenda komunitetit, ka gjetur njëfarë miratimi veçanërisht midis individëve fetarë me mendim racional. Megjithatë, gjithmonë kanë ekzistuar edhe ata që i rezistojnë individualizimit duke i dhënë përparësi frymës kolektiviste. Edhe pse një pjesë e tyre e shprehin kundërshtimin në nivel diskursiv dhe një pjesë në nivel sjelljeje, mund të thuhet se edhe këta janë individualizuar sadopak. Kjo, pasi dizajnimi i vetes që ofron bota e jashtme herët a vonë gjen përgjigje në sistemin e egos/unit.
Qasja e cila thotë se njeriu që individualizohet preferon ta përkufizojë veten përmes personalitetit dhe perceptimit të vetvetes, dhe jo përmes përkatësive të tij sociale, duket të jetë më e qëlluar. Ndonëse përkatësitë i japin personit një ndjesi familjariteti dhe sigurie nga njëra anë, nga ana tjetër ato nxisin paragjykimin, diskriminimin dhe konfliktin ndaj “tjetrit”. Kjo ndodh sepse ata që kërkojnë superioritetin dhe shpëtimin absolut te përkatësitë e tyre sociale – siç ndodh në rastet e etnocentrizmit dhe partikularizmit – preferojnë të nxjerrin në pah identitetet e tyre në vend të personaliteteve. Kur identitetet fetare në shoqëritë tradicionale dhe ato kombëtare në shoqëritë moderne u shndërruan në faktorë dominues, theksimi i përkatësisë filloi të ndryshonte pak a shumë te njerëzit, në varësi të dizajnimt të ndryshueshëm të vetes.
Megjithatë, mund të thuhet se identitetet sociale që ushqehen nga ndërgjegjja e përkatësisë kanë pësuar një tronditje serioze, veçanërisht në periudhën postmoderne. Siç kuptohet, në procesin e evoluimit nga tradita drejt modernitetit dhe nga moderniteti drejt postmodernitetit, dizajnimet e vetes te njerëzit po ndryshojnë; po përjetojmë një shndërrim të shpejtë nga ndërgjegjja kolektiviste drejt individualizmit e prej andej drejt egoizmit. Duhet theksuar se gjykime të tilla mund të jenë mashtruese pasi përmbajnë përgjithësime të tepruara. Jo çdo njeri është egoist dhe narcisist. Megjithatë, ashtu siç individualizimi i njeriut modern është bërë i qartë, edhe egoizmi i njeriut postmodern duket se është shndërruar në një prirje të paktën të vëzhgueshme.
Fillimisht, duhet nënvizuar ky fakt: Njeriu, nga pikëpamja fiziologjike, nuk i është nënshtruar ndonjë ndryshimi apo transformimi. Në këtë kuptim, është e pamundur të flitet për një mutacion fiziologjik. Megjithatë, a mund të pretendohet se njeriu ka përjetuar ose është duke përjetuar ende një ndryshim dhe transformim në rrafshin emocional dhe mendor? Gjatë procesit të evoluimit nga tradicionaliteti drejt modernitetit dhe postmodernitetit, a kanë pësuar vallë një transformim botëkuptimi, konceptimi i tij mbi jetën dhe gjykimet e tij vlerore? Ndjekja e gjurmëve të këtyre pyetjeve është e një rëndësie jetike për të kuptuar njeriun që individualizohet, apo “njeriun e ri”.
Për të vlerësuar reflektimet individuale të ndryshimeve sociologjike përmes një lëvizjeje nga e përgjithshmja tek e veçanta, mund të jetë funksionale që fillimisht të nisemi nga koncepti “shpirti i kohës”.
Urie Bronfenbrenner, i cili zhvilloi Teorinë e Sistemeve Ekologjike nën ndikimin e Lev Vygotsky-t dhe Kurt Lewin-it, argumenton se individi formësohet përmes ndërveprimit të ndërsjellë brenda mjedisit fizik, shoqëror dhe kulturor. Sipas kësaj qasjeje, zhvillimi njerëzor përbëhet nga pesë shtresa të ndërthurura me njëra-tjetrën: “mikrosistemi”, “mezosistemi”, “ekzosistemi”, “makrosistemi” dhe “kronosistemi”.
Sipas kësaj teorie, zhvillimi i individit mund të ndikohet nga qëndrimet e prindërve, profesioni i familjes dhe njerëzit me të cilët familja komunikon, ashtu siç mund të ndikohet edhe nga besimet shoqërore, vlerat, traditat, ideologjitë, zhvillimet teknologjike dhe luftërat. Veçanërisht në një botë që është shndërruar në një fshat global, ku koha dhe distanca kanë filluar të humbasin kuptimin e tyre, kjo ka sjellë me vete një ndikim të njëanshëm nga kulturat dhe ideologjitë dominuese. Vargu i İsmet Özel-it, “Në këtë epokë, vdekja iu la luhatjeve të dollarit”, është mjaft domethënës në kontekstin e ekzosistemit.
Shpirti i kohës është shpesh i lidhur ngushtë me mënyrën e rritjes së fëmijëve dhe me qëndrimet prindërore. Në këtë kuptim, asnjë qenie njerëzore nuk është e izoluar nga konceptimi i jetës apo nga ndikimet sociokulturore dhe sociopsikologjike të botës dhe shoqërisë në të cilën rritet. Çdo njeri është produkt i epokës dhe i kulturës së tij. E thënë më troç, periudha në të cilën lindim ndikon mbi karakterin tonë më shumë sesa familja jonë. Madje, njeriu i ngjan epokës në të cilën jeton më shumë sesa u ngjan prindërve të vet.
Në fakt, shpirti i kohës e formëson familjen dhe prindërit deri në një masë të caktuar sipas kushteve të asaj dite dhe edukimi i fëmijëve brenda kësaj kornize fillon të ndryshojë pak a shumë nga brezi paraardhës. Kur fëmijët e së djeshmes bëhen prindërit e së sotmes, procesi i ndryshimit vazhdon të përjetohet sërish, duke u rritur në mënyrë eksponenciale në çdo brez. Gjatë këtij procesi, teknologjia shndërrohet në forcën lëvizëse të ndryshimit dhe transformimit. Në thelb, çdo teknologji sjell me vete moralin dhe botëkuptimin e saj, ndërkohë që çdo njeri, nga i riu deri tek i moshuari, ndikohet në një nivel të caktuar nga ky proces. Më qartë, bota që ndryshon e transformon njeriun çdo ditë e më shumë, por ai, në të shumtën e rasteve, nuk arrin ta perceptojë dot këtë ndryshim.
Ndryshimi konjitiv dhe emocional i njeriut është e mundur të përmblidhet përmes tri strukturave shoqërore dhe tre tipave njerëzorë që i shoqërojnë ato.
Forca lëvizëse e procesit të ndryshimit nga shoqëria tradicionale drejt asaj moderne dhe postmoderne janë zhvillimet teknologjike të lidhura me mekanizimin dhe digjitalizimin. Kjo situatë, e cila rriti migrimin nga fshati drejt qytetit, ushqeu fillimisht individualizimin/individualization e më pas individualitetin/individualism. Ky ndryshim, natyrisht, solli me vete fitimin e një strukture dhe funksioni të ri për familjen. “Feja”, “identiteti social/përkatësitë” dhe “familja”, të cilat përbënin kuptimin e jetës në botën tradicionale, u përballën me një tronditje serioze në modernitet dhe postmodernitet.
Tronditjen e parë e pësoi institucioni i fesë, domethënë Zoti dhe shpallja, që pranoheshin si kritere të së vërtetës në botën tradicionale. Edhe pse kjo tronditje u plotësua pjesërisht në periudhën moderne nga arsyeja (racionalizmi) dhe shkenca (pozitivizmi) të cilat u zëvendësuan me fenë, në periudhën postmoderne copëtimi i së vërtetës bëri që individi ta shihte veten si vetë të vërtetën. Procesi ka evoluar në atë pikë sa edhe ligji dhe morali, të pavarur nga feja, iu nënshtruan fillimisht arsyes dhe shkencës e së fundi prioritizimit të të drejtave dhe lirive individuale.
Teksa ndikimi i fesë tradicionale zbehet, ndjesia dhe perceptimi i mëkatit dobësohen, sakaq kërkimi për spiritualitet bëhet më i dukshëm. Spiritualiteti në fjalë, edhe pse pjesërisht mund të lidhet me fenë institucionale, në përgjithësi shfaqet si një shpirtshmëri fetare e pastër individuale kundër fesë institucionale dhe tradicionale. Madje, pavarësisht nga shkallët e ndryshme të përhapjes, në shumë pjesë të botës vërehet një rritje e ndjeshme e lëvizjeve të mësimeve spiritualiste kuazifetare, gjysmëfetare ose jashtëfetare. Kështu, përmes imazhit të një Zoti pa hyjni ose të një Zoti të dobësuar (Zoti humanist ose deist), njeriut i është hapur një fushë emocionale që përmban transhendencë. Ndërsa njerëzit e periudhës tradicionale përpiqeshin të arrinin “njeriun e përsosur” që kërkonte Zoti, me postmodernitetin filloi të përhapej imazhi i një Zoti që e lehtëson jetën, prioritizon kënaqësitë individuale dhe që është vazhdimisht i buzëqeshur e plot dashuri.
Për shembull, të krishterët deri në vitet 1950 thoshin se Jezu Krishti nuk ishte vetëm plot dashuri, por kishte edhe veti ndëshkuese, ndërsa sot ai perceptohet vetëm si një Zot që dashuron. Edhe midis myslimanëve po përhapet me shpejtësi koncepti i “Zotit që dashuron”. Diskutimi i viteve të fundit mbi prirjen e të rinjve drejt deizmit mund të vlerësohet në këtë kuadër. Sipas mendimit tonë, të rinjtë nuk janë deistë në kuptimin teknik; por ata dëshirojnë të besojnë në një Zot humanist që nuk vendos rregulla, nuk kufizon jetën dhe nuk pengon përjetimin e kënaqësive me ndalesa (harame) të vazhdueshme. Imazhi i Zotit këtu është shndërruar në një mik shumë të fuqishëm që ofron dashuri, mëshirë, mbrojtje dhe që është pranë krijesës së tij në çdo moment.
Kjo pikë është e rëndësishme: ndryshimi i imazhit të Zotit i hap rrugën dëshirës për të jetuar plotësisht kënaqësitë në këtë botë ku vijnë vetëm një herë. Në këtë kornizë, shohim se Philippe Ariés nxjerr në pah konceptin e “vdekjes së ndaluar” në një jetë të përqendruar te kënaqësia që nisi me modernitetin. Bauman, nga ana tjetër, thekson se midis njerëzve që shfaqin një imazh më postmodern, është krijuar mendimi dhe pasioni se kënaqësia duhet jetuar menjëherë, pasi kënaqësia e shtyrë konsiderohet si kënaqësi e pajetuar. Kërkimi i lirisë seksuale dhe mungesa e kufijve në seksualitet mund të vlerësohen në këtë kontekst. Sipas Bauman-it, i cili thotë se njeriu modern dhe postmodern nuk është absolutisht i lirë, njeriu është i lirë vetëm në kritikën ndaj fesë dhe në lirinë seksuale. Në thelb, pa u kritikuar feja, nuk është e mundur të jesh i lirë seksualisht. Rritja e bashkëjetesave pa martesë dhe e prirjeve seksuale patologjike, rënia e shkallës së martesave dhe numrit të fëmijëve, si dhe rritja e moshës së martesës dhe shkallës së divorcit janë tregues goditës në këtë drejtim. Zhvillimet teknologjike kanë një rol udhëheqës dhe parësor në këtë çështje.
Individualizimi i njeriut i mban vazhdimisht zgjuar krizat e identitetit dhe të vetes; shumë njerëz, nga mosha shtatë deri në shtatëdhjetë vjeç, përjetojnë kriza të bazuara në besimin, ideologjinë dhe seksualitetin. Shpërthimi i dëshirës, i cili mund të përmblidhet me fjalët: “Dua ta jetoj plotësisht këtë jetë ku kam ardhur vetëm një herë”, prish ekuilibrat konjitivë dhe emocionalë të njerëzve, duke sjellë me vete kërkimin e kuptimit të jetës te pasionet hedonike.
Shtimi i stilit të lidhjes shpërfillëse (ku vetëm unë jam i mirë dhe i vlefshëm) në marrëdhëniet ndërnjerëzore – qofshin ato ndaj gjinisë tjetër apo në miqësi – ushqen dëshirën për një jetë egocentrike dhe kjo dëshirë, nga ana tjetër, përforcon lidhjet shpërfillëse. Në thelb, këtë kërkon edhe individualizmi. Duhet shtuar gjithashtu se ndryshimi i përjetuar veçanërisht në fushën e lirisë tregon pikën ku ka arritur individualizimi.
Dallimi midis llojeve të lirisë mund të përmblidhet si vijon:
- Njeriu tradicional: Prioritizon të mosqenët skllav, të mosjetuarit i varur nga të tjerët dhe të qëndruarit mbi këmbët e veta.
- Njeriu modern: Vepron sipas parimit “Askush nuk mund të më detyrojë të bëj diçka që nuk dua”, duke e vënë theksin te sjellja individuale.
- Njeriu postmodern: Duke thënë “Bëj çfarë të dua, askush nuk mund të më detyrojë”, niset nga dizajnimi i vetes që i imponon shpirti i kohës dhe përparon drejt egoizmit, madje drejt narcisizmit.
Ndryshimi i kuptimit dhe qëllimit të jetës krahasuar me konceptimin e njeriut tradicional, si dhe fakti që gjërat që lumturonin prindërit nuk mjaftojnë më për të lumturuar brezat e rinj, po shkakton rritje të stresit, ankthit dhe depresionit, të shoqëruar nga një “britmë” e vërtetë pakënaqësie. Pikërisht në këtë pikë shohim se dalin në plan të parë kërkimet e “industrisë së lumturisë”. Dëshira për t’u dukur bukur fizikisht, operacionet estetike, etja për të jetuar i hapur ndaj përvojave të reja dhe pasioni për të ekspozuar stilin e jetesës (pasioni për të qenë i dukshëm) përforcojnë vazhdimisht botëkuptimin individualist.
Përdorimi i mediave sociale për të ndarë momente si bërja e një “selfie” gjatë tavafit në Qabe apo gjatë gjuajtjes së shejtanit me gurë mund të vlerësohet si “lehtësia e padurueshme” e të qenit i dukshëm, madje edhe në çastet e adhurimit. Natyrisht, dëshira për të qenë i dukshëm nuk kufizohet vetëm me vendet e adhurimit. Shumë aspekte, si përvojat e reja, marrëdhëniet e reja, tryezat joshëse, pamjet nga dhoma e gjumit apo fotografitë intime me të dashurin ose bashkëshortin marrin kuptim dhe vlerë vetëm pasi ndahen me të tjerët. Çdo “pëlqim” (like) nga ndjekësit vepron si një përforcim pozitiv; për rrjedhojë, postimet e ngjashme me ato, që marrin më shumë pëlqime, shtohen edhe më tepër.
Thënia “Mendoj, prandaj jam” sikur është tjetërsuar në formën “Dukem, prandaj jam”. Kësisoj, individi i digjitalizuar, nëse nuk është i dukshëm, duket sikur lufton me një ankth ekzistencial. Kjo ndodh sepse dizajni i vetes që ofron kjo epokë, ia imponon këtë mendim. Megjithatë, as të qenët i dukshëm nuk mjafton; shikueshmëria, ndjekja dhe miratimi i postimeve janë ato që forcojnë ndjenjën e ekzistencës individuale. Madje, dëshira për të qenë i dukshëm dhe i pëlqyer ushqen krijimin e medias individuale në vend të medias tradicionale, aq sa njerëzit, çdo ditë e më shumë, po shndërrohen në producentë, programues, krijues përmbajtjeje dhe prezantues të medias së tyre personale. Në platformat virtuale, ku ngatërrohet ajo që është njerëzisht e vlefshme me atë që është e rëndësishme, ata që kanë një numër të madh ndjekësish vëzhgohen me adhurim.
Kultura digjitale sjell me vete moralin e saj, duke krijuar modele të reja sjelljeje që shfaqen në mjedise familjare, shoqërore e profesionale, e madje edhe gjatë pritjes në semafor, ku njerëzit lundrojnë në mediat sociale përmes telefonave inteligjentë (duke bërë pëlqime, duke vëzhguar, duke postuar apo duke pritur pëlqime). Në këtë pikë, fenomene si bllokimi mes privatësisë dhe dukshmërisë, luhatja mes lirisë dhe sigurisë, rritja e kontrollit për shkak të perceptimit të rrezikut dhe vetmimi brenda lagjeve rezidenciale tejet të mbrojtura sjellin me vete shmangien e njeriut nga procesi i individualizimit drejt individualizmit të skajshëm.
Në këtë kuadër, rezultatet e “Hulumtimit të Vlerave Botërore”, sipas të cilave, për shembull, në shoqërinë turke vetëm një në dhjetë persona i beson tjetrit, janë mjaft domethënëse. Mungesa e besimit ndaj njerëzve të tjerë jo vetëm që dëmton lidhjet shoqërore, por edhe përforcon prirjen për t’i zhvilluar marrëdhëniet njerëzore me një orientim të udhëhequr nga egoja. Megjithatë, jo çdo njeri e përjeton këtë prirje me të njëjtin intensitet. Në fakt, shumë njerëz – me ose pa vetëdije – luhaten mes besimit dhe mosbesimit. Mjediset shoqërore të pasigurta, natyrisht, përforcojnë ndjenjën e pasigurisë dhe të të qenit i pambrojtur.
Në fillim të viteve 1900, Muhamet Ikbal thoshte: “Njeriu i Perëndimit humbi zemrën, ndërsa ai i Lindjes humbi arsyen.” Në vitet 2000, ne po udhëtojmë drejt një bote krejtësisht ndryshe. Sipas mendimit tim, sot njeriu vepron me instinktet e tij, përtej arsyes dhe zemrës; e dihet që instinktet nuk kanë as fe dhe as moral.
“Id”-i (uni i poshtëm), veçanërisht përmes seksualitetit dhe agresivitetit, ka një karakteristikë që e bashkon njeriun me qeniet e tjera të gjalla; domethënë, te çdo qenie ekziston “id”-i (uni shtazor) që kërkon kënaqësi të vazhdueshme dhe të pakufishme. Nga ana tjetër, “superegoja”, e cila mund të përkufizohet pjesërisht si ndërgjegjja që ndalon dëshirat e “id”-it, formohet përmes brendësimit të fesë, moralit, vlerave dhe kulturës.
Njeriu postmodern duket sikur e ka pezulluar superegon e tij. Në këtë gjendje, edhe pse njeriu e di se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar, ai e ka të vështirë ta shndërrojë këtë njohuri në sjellje. Teksa kjo vështirësi shtohet, skemat e së lejuarës (hallallit) dhe së ndaluarës (haramit) fillojnë të mjegullohen. Individi me superego të dobësuar fillon ta ndiejë më pak ndikimin e kulturës ku jeton dhe të fesë në të cilën beson.
Si rrjedhojë, me rritjen e egoizmit, fillon të përhapet në masë fenomeni i indiferencës ndaj besimeve, vlerave, mjedisit dhe natyrës. Dizajnimi i vetes nuk formësohet më përmes transmetimit të besimit dhe traditës, por përmes normalizimit të shpërthimit të instinkteve. Madje, ata që i nënshtrojnë instinktet e tyre nën një kontroll të rreptë, herë pas here cilësohen si “të sëmurë shpirtërorë”. Edhe imazhi i krijuar i një Zoti humanist sugjeron se mëkati nuk qëndron te jetësimi i instinkteve, por te shtypja e tyre.
Sjelljet që feja i pranon si mëkat dhe morali si të këqija – ndonëse nuk përbëjnë krim ligjor – legjitimohen me shprehje të tilla, si: “Allahu më krijoi kështu. Nëse përpiqem ta ndryshoj këtë natyrë, atëherë i dal kundër Allahut.”
Dëshirat dhe pritshmëritë hedonike vërehen pak a shumë edhe tek individët që përkufizohen si besimtarë tradicionalë, ndjekës të librit hyjnor. Gjetjet e sondazheve tregojnë se shoqëria turke renditet ndër shoqëritë më fetare në botë, sakaq njeriu turk përpiqet ta jetojë fenë jo për këtë botë, por për botën tjetër (ahiretin), kësisoj të dhënat janë mjaft goditëse: në këtë botë duhet jetuar me sa më pak rregulla e ndalesa, por duke kryer adhurimet, duhet fituar edhe lumturia e amshuar.
Njeriu që nuk heq dorë nga kënaqësitë e veta, përmes dizajnimit të vetes që i imponon shpirti i kohës, fillon të shenjtërojë një jetë të përqendruar vetëm te kjo botë dhe t’i kthejë dëshirat hedonike në kuptimin dhe qëllimin e jetës. Në këtë proces, besimet dhe praktikat fetare shpeshherë reduktohen vetëm në sferën e jetës së pasvdekjes. Një pjesë e njerëzve besimtarë, të cilët duke u individualizuar skajshëm janë egoizuar, përjetojnë një kontradiktë konjitive dhe emocionale midis besimit të tyre fetar dhe sjelljeve në këtë jetë.
Kjo kontradiktë zgjidhet ose duke ndryshuar besimet në favor të sjelljeve, ose duke i ndarë besimin dhe sjelljen nga njëri-tjetri për nga thelbi dhe funksioni. Mund të ndodhë edhe shndërrimi i sjelljeve në favor të besimit, mirëpo realizimi i kësaj është i mundur vetëm përmes refuzimit të dizajnimit të vetes që imponon shpirti i kohës. Siç kuptohet, për sa kohë që vazhdon integrimi në kapitalizmin neoliberal dhe në stilin anglosakson të jetesës, modeli amerikan i njeriut do të vazhdojë të mbetet në modë.
Pritshmëria e njeriut të ri në periudhën postmoderne për t’u lidhur pas një konceptimi humanist të Zotit, me bazë spirituale, po lehtëson kalimin nga llojet e fetarisë që prodhojnë vlera, drejt religjioziteteve psikologjike. Në këtë botë të re, ku mbijeton më i forti dhe ku prirja drejt egoizmit është forcuar, po përjetohet një orientim nga identiteti drejt vetes. Ky orientim nxit si individualizimin, ashtu edhe egoizmin. Duhet të nënvizojmë me rëndësi këtë pikë: Individualizimi shenjon dy tipa njerëzish që përjashtojnë njëri-tjetrin; kalimin nga të qenët “individ brenda komunitetit” në të qenët “individ përkundër komunitetit”. Nëse individualizimi do të thotë çlirimi i njeriut nga presionet sociokulturore që e formësojnë atë dhe nga malli për jetët e pajetuara që shkrihen brenda strukturës shoqërore, atëherë ky proces po përjetohet në një mënyrë pothuajse të pakthyeshme. Shprehjet që kemi filluar të dëgjojmë shpesh rreth nesh, si: “E gjeta/nuk e gjeta dot veten”, “Dua të realizoj veten” dhe “Jam i shqetësuar sepse nuk arrij dot të jem vetvetja”, nga njëra anë pasqyrojnë dhimbjen e të mosqenit dot individ dhe nga ana tjetër shprehin mundimin e procesit të të bërit individ.
Për ta përmbledhur, mungesa e plotë e individualizimit e shkrin personin brenda shoqërisë, ndërsa kthimi i tij në ekstrem kërcënon strukturën shoqërore dhe vazhdimësinë kulturore. Nga pikëpamja e shëndetit mendor, të dyja këto situata janë problematike.
Gjithashtu, është e nevojshme të bëhet një dallim i qartë midis individualizimit dhe egoizimit. Njeriu që individualizohet është i përqendruar te ndjenjat dhe mendimet e veta (autonomia), ndërsa njeriu që egoizohet është rob i instinkteve dhe dëshirave të tij. Kjo gjendje mund të sjellë pasoja negative si në dimensionin e brendshëm (virtytet), ashtu edhe në atë të jashtëm.
Individualizimi që nuk shndërrohet në egoizëm është një zhvillim i shëndetshëm, për aq kohë sa mbështet ndërgjegjen për të qenët individ brenda komunitetit në rrafshin konjitiv, emocional dhe të sjelljes.
Përktheu: Qendra për Hulumtime Minber
Prof. dr. Asım Yapıcı
Universiteti i Shkencave Sociale të Ankarasë