Shkrimi “Ç’vend zen Kurani në pikpamje Legjislasioni?”, me autor Sadik Begën, lindi si përgjigje ndaj një letre të “Z. R. B.”, i cili kërkonte të dinte se ç’vend zë Kurani në pikëpamjen e legjislacionit, dhe u botua në pesë numra në revistën “Kultura Islame” (shtator 1939 – mars 1940). Autori kërkon të provojë se jurisprudenca islame (fikh) mund të bashkëjetojë me qytetërimin modern, duke theksuar se parimet e saj janë të bazuara në “Tekstin Hyjnor” dhe nuk shkatërrohen nga ndryshimet e shekujve, ndryshe nga kanunet njerëzore si ato të Hamurabit, Justinianit apo Napoleonit. Ai e vendos legjislacionin islam (fikhun) brenda kornizës së kulturës islame, e cila përfshin letërsinë, gjuhën, teologjinë dhe shkencat, si: filozofia, mjekësia etj. Konteksti i shkrimit bazohet në parimin sociologjik se legjislacioni është shfaqje e jetës mendore, shoqërore, ekonomike dhe politike të një populli, parim të cilin e ka huazuar nga mendimtarët islamë të fillimshekullit XX. Shkrimi i Sadik Begës “Ç’vend zen Kurani në pikpamje Legjislasioni?” paraqitet si një përpjekje e rëndësishme e mendimit islam shqiptar të viteve 1930-1940 për të harmonizuar trashëgiminë klasike islame me metodologjitë moderne të historisë, sociologjisë dhe filozofisë të së drejtës. Nga këndvështrimi historiografik, artikulli i Sadik Begës përfaqëson një nga përpjekjet më serioze të mendimit islam shqiptar për të trajtuar historinë e legjislacionit islam me metoda moderne dhe vjen si një reagim ndaj ideve ateiste dhe antiislame që filluan të përhapeshin në Shqipëri ndërmjet dy luftërave botërore.
Vlera më e madhe e shkrimit është se autori nuk e trajton legjislacionin islam si një sistem të shkëputur nga historia, por si një fenomen që zhvillohet në ndërveprim me realitetin shoqëror, ekonomik dhe politik. Ai pohon se çdo legjislacion është produkt i jetës së një shoqërie, kësisoj, edhe legjislacioni islam duhet studiuar në këtë kontekst. Duhet të kemi parasysh se ky ishte një këndvështrim mjaft modern për mendimin islam shqiptar të asaj periudhe. Mënyra e shkrimit dhe e argumentimit e Sadik Begës reflekton qartë ndikimin e reformistëve të kohës së studimeve të tij në Egjipt, si: Muhamed Abduh, Rashid Rida, Emin el-Huli dhe sidomos nga Muhamed Husejn Hejkel, pjesë të veprave të të cilit i ka sjellë edhe në shqip. Koncepte, si: evolucioni i legjislacionit, dinamizmi i teksteve, rëndësia e ixhtihadit në kohët moderne, analiza historike e shoqërisë arabe para Islamit janë karakteristike të kësaj shkolle mendimi dhe largohen nga interpretimi tradicional i ngurtë. Autori propozon një periodizim historik të legjislacionit islam në tri faza kryesore, duke treguar një vetëdije të lartë historike.
Periudha e formimit: Nga fillimi i ftesës islame deri në shek. II hixhri, kohë kur dolën imamët e mëdhenj, si: Ebu Hanifeja, Malik ibn Enes etj.
Periudha e maturimit: Deri në shek. V hixhri, kur përfaqësuesi më i madh konsiderohet Gazaliu.
Periudha e dekadencës: Nga shek. VI e deri në kohët e vonshme, kur legjislacioni ndoqi një udhë prapambetjeje (anakronike).
Autori nuk e trajton legjislacionin islam si një fenomen të izoluar, por e krahason atë me sisteme ligjore të tjera, si ai romak, duke e konsideruar këtë të fundit si legjislacionin më gjerësisht të njohur. Ai vëren se, ndryshe nga ligji romak që bazohej në mbledhjen e zakoneve (konvencioneve), legjislacioni islam ka një “element qiellor” që synon t’u përshtatet nevojave njerëzore në të gjitha kohët. Ai përdor një qasje sociologjike, duke argumentuar se ligji në çdo popull është shfaqje e jetës mendore, shoqërore, ekonomike dhe politike. Ai pohon se legjislacioni islam ngjan me atë romak në gjerësinë dhe në trajtimin e të gjitha problematikave jetike e shoqërore, duke e veçuar se legjislatorët (fukahatë) myslimanë i tejkaluan ata romakë, pasi nuk u mjaftuan vetëm me realitetin, por krijuan edhe hipoteza të imagjinuara për të nxjerrë gjykime ligjore.
Sadik Bega, me anë të këtij shkrimi, bën një mbrojte të dinamizmit që ka ligji islam kundrejt ligjeve të tjera. Ai mundohet të vërtetojë se tekstet ligjore islame nuk janë “statike”, por “dinamike” në tërësinë e tyre. Gjithashtu, ai hedh poshtë akuzat se ky legjislacion është i shtangët apo i papërshtatshëm për kohën moderne. Autori synon të sqarojë se shtangësia që vërehet nuk vjen nga tekstet hyjnore, por është pasojë e “ngurtësisë së fukahave të shekujve të fundit”. Sadik Bega kërkon të provojë se, meqenëse evolucioni i ligjit u lejua dhe ndodhi në të kaluarën, ai duhet të lejohet dhe të zgjerohet edhe sot për t’iu përshtatur nevojave të shoqërisë moderne. Ai synon të tregojë se myslimanët ishin të parët që krijuan një shkencë mbi bazat e legjislacionit (usuli fikh), duke përdorur metoda deduktive për nxjerrjen e ligjeve të reja. Sadik Bega në këtë seri shkrimesh thekson se Islami nuk e krijoi një popull të ri nga asgjëja, por ndoqi ligjin e përparimit gradual, duke ruajtur disa zakone të dobishme paraislame dhe duke i skalitur dhe integruar më mirë ato, gjë që mund ta arrijë edhe me popujt modern.
Si përfundim, qëllimi i autorit është të tregojë se parimet islame nuk tronditen nga ndryshimet e shekujve sepse janë të bazuara në “Tekstin Hyjnor”, i cili, ndryshe nga kanunet njerëzore, ka aftësinë t’u përshtatet zakoneve të mira dhe të luftojë të këqijat në çdo kohë. Shkrimi i Sadik Begës është një dokument reformator që synon të zgjojë mendimin kritik te myslimanët shqiptarë, duke argumentuar se evoluimi i ligjit është i lejuar dhe i domosdoshëm. Si dokument i historisë së mendimit islam shqiptar, ky shkrim ka vlerë të veçantë, jo vetëm për përmbajtjen, por edhe sepse dëshmon depërtimin në Shqipëri të ideve reformatore islame dhe përpjekjen për t’i interpretuar ato në kontekstin intelektual shqiptar.
Ç’VEND ZEN KURANI NË PIKPAMJE LEGJISLASIONI?[1]
Është pyetja që na bëhet me anë të nji letrës të dërgueme prej Z. R. B. Mbasi pyetja është shumë delikate dhe e rëndësishme, do të ishte një gjë krejt e pa mjaftueshme, po t’i jepshim spjegime dhe shkoqitje me një artikull të vetëm Zotnis, si edhe kujtdo që mund të interesohet. Drejtori i revistës vendosi të shkruaj nji seri artikujsh të shkurtër përmbi të, për sa t’i premtojë vendi i revistës. Dhe ja këtu më poshtë po fillon përgjegjja.
Ç’ vend zen Kur’ani në pikpamje legjislasioni?
Për t’i dhënë nji përgjegjje të saktë dhe të mjaftueshme pyetjes së sipërmendur, duhet t’i hedhim nji vërrejtje të përgjithshme e të shkurtër Kulturës Islame.
Kultura islame përmbledh shumë anë: disa prej tyne flasin për Letërsinë dhe Gjuhën; të tjerat kanë lidhje të ngushtë me intelektin, mejtimin, gjykimin dhe arësyetimin. Me terma të tjera, ajo, në tansin e saj, kthehet në dy burime kryesore: I. Kuptimi; II. Kallëpi që merr ky kuptim. Me fjalë të tjera Kuptimi dhe të Shprehunit e kuptimit. Diturit që përbëjnë Kulturën Islame ase do të jenë asosh që kanë të bëjnë me gjuhën p. sh. Gramatika, Syntaksa, Jurisprudenca (Fikh) dhe Letërsia, ose do të jenë dituri që flasin mbi kuptime dhe idena.
Këto dituri, tue i konsiderue në të gjitha pikpamjet, ndahen në dy grupe të mbëdha: I. Ligjore (Sher-ijje); II. Jo Ligjore. Me terma të tjera, Fetare (Dijnijje) dhe Qytetnore (Medenijje).
Fetaret ose Ligjoret janë shumë llojesh: Theologjija (Ilmi Qelam), Bazat e Jurisprudencës (Usuli Fíkh) e Hadith; (Tradisioni). Për sa u përket diturive Qytetnore, këto bëjnë fjalë mbi diturit e ndryshme Fizike e Naturale si edhe mbi egzistencën, si Medicina, Fizika, Filozofia e tjera. Ne, sikur të pasojshim Kulturën Islame, do të konstatojshim me lehtësi se degët e ndryshme të kërkesës (Bahth) janë në nji bashkim dhe marrëdhënëje të ngushtë njëra me tjetrën. Pa as më të voglin dyshim, ky bashkim dhe kjo marrëdhënëje për sa i përket Kulturës Islame, shfaqen më qartas se në çdo Kulturë tjetër. Misteri i kësaj marrëdhënëje të ngushtë ndofta rrjedh nga se Kultura Islame, në tërësin e saj, ka një pikë fillimi të vetme, prej së cilës mandej u shpërndanë të gjitha mësimet e ndryshme fetare. Kjo pikë fillimi është: I. Kur’ani dhe Tradisioni, me terma tjera, Libri dhe Sunneti. Janë pra, këto të dy, prej të cilëvet burojnë të gjitha dhe çdo gjë atyne iu referohet gjer në nji pikë që edhe vetë myslimanët derdhën dhe po derdhin krejt mundin që çdo gjë t’ia mbështesin këtyre dy burimeve kryesore. Pra, mbassi Libri dhe Tradisioni janë dy qendra a gurra kryesore të pa shteruna Islame, prej këndej rezulton se nuk do të jetë një gjë e çuditëshme që këto mësime të jenë në marrëdhënëje të ngushtë njeri me tjetrin.
- Nji veprues (faktor) tjetër i randsishëm është edhe se diturit islame u formuen, afërsisht, në nji epokë dhe medium të vetëm. Kështu që po në kohën që u mblodh dhe u rregjistrue Interpretimi (Tesfiri) Kuranor, në të njëjtën kohë Myslimanët përpiqeshin gjithashtu edhe për vuemjen e Syntakses, të Gramatekës si edhe të kërkuarit me njohë diçka mbi Physikë dhe të tjera. Konkluzioni është ky: diturit që formohen në një medium të vetëm shifesh e domosdoshme që të effektoheshin njëra prej tjetrës.
III. Nji veprues i tretë, i cili ndihmon puqëjet dhe lidhjet e tyrë njëra me tjetrën, është edhe se këto mësime ju shtruen effektevet reciproke afërsisht.
Të gjitha këto na japin të kuptojmë që investigatori, në Kulturën Islame, po s’ pati njoftime të plota, për sa i përket të gjitha degëvet si edhe të gjitha anëvet të saj të ndryshme, përgjithësisht, është shumë një vështirësi e madhe për të që të zgjanohet në investigimin që ka parasyshë. Po të marrim parasyshë p. sh. një letrar, i cili, pak a shumë, është i larguar nga Jurisprudenca dhe nga rrënjët e saj, nga Physika dhe nga Qimia, gjindet i nevojitur, në më më të shumtën e herës, në rast të këndimit të ndonji tekti arab, për me pasë njoftime të mjaftueshme për sa i përket evolucionit të ideve, Phyzikës, Qimisë Jurisprudencës dhe rrënjëvet të Legjislasionit t’ Islamit. Po në të njëjtën mënyrë në qoftë se ndokush nga kërkuesit a investigatorët e Kulturës islame dëshëron të flasij me gojën e një Filozofi, ka për qëllim kryesuer studimin e idevet Filozofike, edhe këtë e gjejmë të nevojitur, përveç njoftimevet Filozofike edhe për njoftime Theologjike që kanë të bëjnë me besim, si edhe ato që i përkasin mësimevet të Jurisprudencës, që kanë lidhje me periodat e ndryshme të rranjëvet të Legjislasionit, dhe së fundi ay duhet të ketë edhe disa njoftime përmbi Historin e Mystikës “Tarijh e TTasawuf” dhe të jetës shpirtnore.
Ne nuk dëshirojmë me zënë vendin e një legjislatori dhe as për me uzgjanue në kërkesat e ndryshme të Jurisprudencës, por na, në nji mënyrë të veçantë, duhet që t’i bashkojmë të gjitha këto anë dhe degë të ndryshme me burimet kryesore të Kulturës Islame. Le të themi, po deshëm që t’i përgjegjemi pyetjes së sipërme, diçka prej Historisë të Legjislaturës dhe të evolucionit të ‘saj, tue u përpjekë me i lidhë këto çfaqëje me idet e ndryshme Filozofike. Është e ditur se Legjislasioni në çdo popull është një nga shfaqëjet e pa numurta të jetës mendore, shoqënore, ekonomike dhe politike të tij. Do të ishte një gjë e kotë që të kujtojmë se Legjislasioni Islam mbetet jashtë kësaj rregulle të përgjithëshme.
Eshtë e vërtetët se në këtë Legjislasjon gjejmë nji element qielluer, një faktor që nuk është njerëzuer. Por, duhet të dihet se elementi qielluer nuk është vënë, veçse për t’iu aplikue dhe për t’i u përshtatë nevojave njerzore. Kështu po të gjykohet natyra, rranja, fundi dhe qëllimi i tij, nuk është vuë për tjetër, veçse për të përmbushë dhe vërtetue kërkesat dhe nevojat njerzore. Me gjithë këtë, duhet të dihet edhe se, tekstet qiellore nuk janë vu në një mënyrë të shtangët dhe të palujtëshme, që të mos pranojnë diskutimin dhe që të mos jenë të përshtatshëm të ecin krah për krah me kohën, porse janë vënë me qëllim për të qënë të dobishme dhe të përshtatshme për të gjitha kohët dhe vendet.
Prej këndej kuptohet, vetëvetiut, se propozisioni që u vendos më lartë që, Legjislasioni në çdo popull s’është tjetër veçse nji shfaqëje e jetës mendore, shoqënore, politike dhe ekonomike është një thënëje që i aplikohet së vërtetës. Dhe se nuk mundemi, në as nji mënyrë, për t’a kuptue historinë e Legjislasionit në botën islame, veçse atëhere kur të kemi parasyve t’onë një të tillë propozision (Kadijje). Ndofta, gabimi që bënë disa që studjuanë Legjislasionin, do të konsiderohet prej gabimevet më të mbëdha. Ky rrjedhë nga se ata e patën harruarë këtë propozision ose bënë sikuer e harruanë, tue kujtue se Legjislastioni (Teshri) nuk është tjetër veçse disa tekste të cilët mund t’interpretohen dhe nuk do t’ishte aspak e mundur të dalit jashtë tyre tue dhanë gjykimin menduer dhe tue nxjerrë gjithmonë ligje të reja, për çdo kohë e vend. Ky veprim kësi soji mund të konsiderohet si krimi më i madh që i u bë ligjit, tue qëndrue, për sa i përket atij, mbrenda disa kufive absolute aq sa edhe vetë Legjislatori nuk pat dëshirue që të qëndrohet aq tepër mbrenda tyre.
Në po deshëm me e pranuë parimin e më sipërmë, do të jetë krejt një gjë e lehtë të bëjmë nji krahasim, qoftë edhe i shkurtër, në mes të Legjislasionit Islam dhe Legjislasionevet të tjera. Këto legjislasione në nji mënyrë të përgjithshme si edhe në tërësinë e tyre ndahen ne dy kategori të mbëdha: I. Qiellore dhe II. Toksore.
Qielloret nuk janë tjetër veçse ato që kanë ardhë së bashku me librat e shenjta: Judaizma, Krishterizma dhe Islami.
Tashti, po të marrim parasysh se Kur’ani, i cili është një Libër Qiellor, njashtu sikurse edhe librat e tjera Qiellore, Ay nuk i shfaqë Ligjët e veprimit në një mënyrë të gjërë por bën fjalë përmbi to në nji mënyrë të përmbledhëshme dhe të përgjithshme. Kështu, konstatojmë se versetet Ligjore në ’Të janë krejt të kufizueme dhe të pakta në proporsion me versetet e tjera, me të cilat mund të krahozohen. Ndofta, tue e krahazue me Teuratin dhe Ungjillin, Kur’ani në pikpamje të bërit fjalë mbi këto gjykime dhe ligjë nuk merret me shkoqitjet e tyre porse, si do qoftë, Legjislasioni Islam është Qiellor, njashtu si Legjislasionet e tjera Qiellore: Jahudizma dhe Krishterizma.
Tashti, le të hedhim nji sy kundrejt Legjislasionevet joqiellore. Këto janë Legjislasione të vume prej njerëzish: ose do të jenë vu prej individualve ose do të jenë vepër e tufave, e grupeve dhe e shoqërive. Shembëllat më të afërme për këto ligje, kemi ligjet Romake, dhe ato të Hamurabit, etj.
Kjo e ndame kështu, në realitet, nuk ashtë tjetër veçse formale, sepse duhet të kuptohet më së mirit që edhe Ligjet Qiellore, vetë ato, nuk mbeten për pa i u shtrue përshtypjeve toksore dhe mandej edhe rrethanave shoqnore dhe politike.
Tue u bazue në çka thamë më sipër, konkluzioni del vetvetiu: në mundemi m’e krahazue Legjislasionin Islam me çdo legjislasion tjetër, qoftë edhe jo qielluer; dhe për pa i marrë parasysh legjislacionet e tjerë, mjafton që t’a masim dhe t’a krahasojmë atë me legjislacionin më të vjetër e më të gjerë që është njohur gjer sot, d. m. th. me atë Romakun. Legjislacioni Romak s’asht tjetër veçse disa zakone dhe imitasione që Romakët, prej një kohe mjaft të lashtë, u bashkuanë në mendim për sa iu përket zakoneve dhe imitasioneve të tyre. Mandej, Imperatorët filluanë me i përkufizue, me i mbledhë dhe me i regjistrue. Konkluzioni s’ishte tjetër veçse bashkimi i atyre ligjeve që u-qujtën ligje Romake e që më vonë Justiniani i pat ndarë në kaptina, i pat reshtuarë, i pat mbledhur dhe regjistruarë, me një fjalë i pat rregulluarë.
Ligjet Romake dallohen me cilësitë që vijojnë:
- Konvensioni (urf) lujti një rol dhe la një influencë shumë të madhe.
- Gjërësia dhe përmbajtja e këtyre ligjeve për sa iu përket të gjitha problemave dhe nevojave të ndryshme njerzore si edhe të vumit e tyre për çdo ndonjë problem, zbërthimin që asaj i përket.
- Radhimi, të ndarit ndër kaptina të ndryshme dhe mbledhja e regjistrimi i tyre në mënyrë që të këthyerit ndër ‘to të jetë i lehtë, si edhe të mund të nxirren dhe të merren me lehtësi gjykimet e kërkueme prej tyre. Ndofta, ky është shkaku që ligjet Romake patën një fuqi e pushtet shumë të math, gjatë historisë së vjetër, së mesjetës dhe asaj së re.
Gjithashtu të mbledhurit e ligjeve romake nuk u plotsua përnjëherë, porse në perioda dhe epoka të ndryshme. Ishte, vetëm përshtypja e këtyre periodave dhe epokave që i shtyri këto ligje t’arrijnë gradën e soçme.
Tashti, po ta lemë më nj’anë legjislaturen romake dhe, të këthehemi legjislaturës Islame, e gjejmë këtë në tërësinë e saj, t’i përngjajë legjislatures Romake, gjithashtu edhe në pikpamje të gjërësisë së saj, në të prekurit e të gjitha problemave jetike dhe shoqnore. Shto edhe se legjislatorët Islamë, ndofta, i paten kapërxye legjislatorët Grekë e Romakë në këtë mes. Muslimanët nuk paten qëndrue vetëm mbrenda problemave, që kanë të bëjnë me botën reale, porse i paten kalue këto gjer sa arrijtën në më të shumten e herës me shpikë dhe me zbulue edhe hypotheza t’imagjinueme. Ata paten përfytyrue dhe u munduanë që t’ia mbështesin ligjet dhe gjykimet e ndryshme të tilla hypothezave. Nuk patën qënë bindur me Realitetin, por e paten kapërxye ketë, tue arrijë në çka duhet të jetë, tue u mbështet mbi probabilitete dhe hypotheza. Legjislasioni dhe sociologjia janë dy dituri më tepër reale se sa dituri hypothetike. Si do që të jetë na duhet të vendosim realin para çdo gjëje.
Ç’vend zen Kurani në pikpamje Legjislasioni? (Vazhdon prej Nr. 1)
Tashti, pranë kësaj gjanësie kaq të madhe të legjislasionit Islam, arrijmë me vendosë se këta legjislatorë nuk qëndruanë vetëm ndër shkoqitje dhe partikularitete, porse derdhën krejt mundin e tyne në të vumit e rregullavet dhe në të bamit fjalë mbi bazat e tij tue qitë në dritë dhe demonstruë të gjitha burimet prej të cilavet nxirren dhe merren si regullat ashtu dhe gjykimet. Ndofta, muslimanët ishin ma të parë legjislatorë që vepruanë në këtë mënyrë. Kjo asht një pikë që i dallon ata prej të tjerëvet. Me gjithëse Romakët, disa herë patën vu para syve të tyne disa parime të përgjithëshme, këta nuk patën formuë një diturië të plotë që të mundeshte me i përmbledhë të gjitha ato. Muslimanët pra, janë ma të parët që patën krijuë, formuë e trajtuë këtë diturië të cilën e emnuëmë Baza të Drejtësisë a ma mirë me e qujtë me emnin tjetër, i cili u përdoronte ma shumë prej tyne e që asht Dituria e bazave të Legjislaturës. Ligjëvusit muslimanë tue dëshëruë me kjaruë këtë diturië, me fjalë të tjera, me kjaruë parimet, mbi të cilat mbështet legjislasioni, qitën në dritë dhe përdorën methodën deduktive (Tarika-i-Kijasije) si edhe atë shpikësen (inventive-istinbat), ata banë fjalë edhe përmbi fjalët e shprehjet implicite dhe eksplicite[2] ($^1$) dhe përmbi mënyrën e të nxjerrunit e kuptimit të qartë prej tyne.
Pranë gjithëçka vendosëm gjer tashti, po t’i hedhim një vërejtje të mprehtë legjislasionit islam do të gjejmë se ky ashtu si ai romaku, ka kaluë nëpër shkallë, epoka dhe perioda të ndryshme, me gjithë këtë ne, kurdoherë, mundemi me dalluë ndryshimin essensial në mes të të dyvet.
- Në Legjislasionin Islam gjejmë një degësim të math opinionesh a mendimesh. Gjithashtu konstatojmë një zgjanim të math qarku, një fushë të gjanë e të madhe në mendimin e lirë aq sa nuk jemi familiarizuë a zakonuë me këtë në legjislasionin romak. Kështu, në gjindemi për ballë prisash (Eimme) si edhe ballë për ballë një shumice kryetarësh që kryesojnë doktrina të ndryshme që çdo njeni prej tyne na ep mendimin a verdiktin e tij të veçantë e legal. Këtë ndryshim mendimesh e konstatojmë shpesh herë edhe ke legjislatorët romakë por, për sa i përket bazës së këtij ligji si dhe rregullavet të tij të përgjithëshme, ata janë të njij mendimi mbi ‘to. Përkundrazi, n’ Islam, diskutimi dhe konflikti ka qenë i shumtë, të thuësh, edhe ndër disa baza si p. sh. në masën a deduksionin e juristëvet (Kijasi Fukaha) a asht ky një parim legjislasioni për t’ u pohuë e vendosë a po jo? Në këtë pikë, legjislatorët muslimanë janë në konflikt njani me tjetrin: disa vendosin po dhe të tjerë jo.
- Po kështu ligji romak dallohet prej ati Islamit në një pikpamje tjetër. Ky i fundit d.m.th. Ligji Islam nuk asht një vumje e kufizuëme ligjësh, nuk asht një tufë ligjësh e kufizuëme që t’ i shëmbëllejë asaj romakes. Dhe kjo e metë ishte që tërhoqi vërejtjen e disa përmirësuesvet a reformatorëvet muslimanë e të huëj, të cilët u përpoqën për me orientuë vërejtjet e muslimanëvet kundrejt kësaj pike, me gjithë që kjo ende nuk asht plotësuë. Muslimanët sikuër të kishin ecë në këtë drejtim dhe sikuër t’ecin mbi këtë, përfundimi do të jetë shumë i kënaqshëm për arësye se do të mundeshin me shdukë një shumicë konfliktesh në të cilat patën ra disa legjislatorë muslimanë për sa i përket veprimevet. Shpesh herë çështja mbërrin të bahet shumë delikate dhe serioze gjer sa arrihet me konstatuë që të gjykohet mbi një problemë të vetme, në të njajtën kohë, me dy propozizione të ndryshme, p. sh. gjykatësi i vendit X ka mendimin e opinionin e vet dhe gjykatsi i vendit Y ka edhe ky një opinion a mendim të kundërt prej të parit në të njajtën kohë, po mbi atë problemë.[3]
- Një dalluës i tretë dhe i fundit në mes të legjislasionit Islam dhe t’ ati romakut, në tanësinë e tyne, asht edhe ky: ai muslimani asht stabilizuë dhe vërtetuë me anë tekstesh ma tepër se ai romaku. Misteri i këtij dallimi i kthehet asaj pike që Islami asht qielluër, mbështetet mbi Librin dhe Tradisionin. Pra, asht një gja e domosdoshme për legjislatorin të zbërthyemit e Librit dhe të Tradisionit dhe këtë për me qartësuë përmbajtjen e tyne: tekste, qoftë kjo përmbajtje, ose mentime e idena.
Po të jetë se qëndrimi i Legjislasionit Islam kundrejt atij romakut asht ky, atëherë do t’ishte gja e kotë që legjislacioni islam t’akuzohet se gjoja qenka i shtangët dhe i pa shpirt ose i pa përshtatshëm a i pa ushtruëshëm për gjenerasionin e tashëm; me një fjalë, «statik», sepse në qoftë se kjo shtangësi gjindet a del në dukë në legjislacionin islam, kjo gja do t’i këtheheshte shtangësisë së legjislatorëvet të disa qindvjetorëvet të fundit e jo tekstevet ligjore, të cilat nuk mund t’akuzohen kurrësesi me një të tillë shprehje të pa vend. Me një fjalë, tekstet nuk janë «statikë» por «dinamikë», në të krejt tanësinë e tyre. Ne, për sa i përket kësaj pike, mund të marrim guximin me pohuë: po t’ishte që legjialatorët e bashkë kohshëm përpiqeshin me e shti këtë legjislasion në një formë të përshatëshme me qarkun, tue u mbështetë në të vërtetën që historija e legjislacionit ka evolusionuë dhe se legjislacioni islam nuk ka qendruë kurrë gjithënjë, në një gjendje të vetme e monotone ashtu edhe gjykimet dhe rregullat e tij s’kanë mbetë gjithëmonë në një lloj grade, dobija do t’ishte shumë e madhe. Tashti, mbërrijmë me ba këtë pyetje të drejtë: mbassi dje i u pat lejuë evolusioni pse të mos zgjanohet një e tillë fushë veprimi edhe sot? Në botën muslimane gjejmë shumë autoritete të bashkë kohshëm që e ndihmojnë dhe e përkrahin këtë mendim.
Tashti, le t’i hedhim një sy të shpejtë legjislacionit islam, tue u kujdesuë me nxjerrë në dritë marrëdhënëjen e tij me idet e ndryshme filozofike. Për këtë do të bajmë fjalë mbi legjislacionin islam:
Si dihet, legjislasioni asht një prej shfaqëjevet të jetës shoqënore, ai i shtrohet të gjitha ligjëve të shoqënisë si edhe konditavet në të cilat ajo jeton; po të jetë e vërtetë theza qi ligjët rregullojnë jetën e popullit, këto ligjë nuk mund të jetojnë veçse atëhere kuër të koherojnë dhe të bashkohen me naturën, aftësinë dhe zotësinë e popullit. Një ligjë që nxirret dhe merret prej ndonjë shoqënije çdo qoftë për t’i u aplikuë ndonjë shoqënije tjetër ashtu si asht d.m.th. pa i u përshtatun asaj, s’ka dyshim që të jetë dënuë për me marrë fund e mos me jetuë. Ndofta, misteri i shqetësimit që konstatohet për sa u përket institusioneve parlamentare të reja, i referohet, në të vërtetë, mos pasimit a mos ndjekjes së evolucionit të popullit në të gjitha anët jetike të tij. Do t’ishte një krim a ma mirë një mëkat përpjekja për me dhanë një gjykim të prerë për mbi të tilla institusione para se t’adaptohen me shpirtin, aftësinë dhe zotësinë e popullit.
N’asht se ne pretendojmë që legjislasioni asht një shfaqëje nga ato të popullit, atëherë, asht krejt e vetëdukëshme se sa kjo shfaqëje do t’i shëmbëllente letërsisë, diturisë ose çdo ane tjetër nga ato shoqënore. Mbassi, legjislasioni asht një shfaqëje prej jetës së popullit, atëherë, ai pason dhe ndjek popullin në çdo pikpamje, në pikpamje fuqije ose dobsije, ai ecën së bashku me te, në të gjitha hapat e tij. Asht krejt gabim me thanë që një popull, cilido qoftë, ka mbërrijtë në një shkallë legjislative për një herë ose pa u pregatitë për me mbërri aty. Një pretendim i tillë i përngjan atij të një personi që pretendon se ka mbërri me grumbulluë një sasië të madhe pasunije për një herë a ma mirë i shëmbëllen, si me thanë, një ekonomi në krahasim me një shitës a tregëtar, i cili fitoi në një veprim ekonomik për pa pregatitë shkaqet dhe mjetet e këtij veprimi. Po të jetë se legjislasioni asht një shfaqëje shoqënore, që del prej vetë popullit, atëherë edhe legjislasionin islam nuk mundemi me e njohë shumë hollë dhe në një mënyrë të mprehtë veçse kuër të vijë në njohuni me diçka prej jetës shoqënore të kohës pre-Islamike, a ma mirë, si e quajnë historianët islam, të kohës së injorancës. Asht krejtësisht një thezë e gabuëshme, ajo çka patën kuptuë disa nga historianët arabë se gjoja Thirja (Ftesa) e Islamit krijoi një popull a krijesë të re prej popullit të vjetër arabë, dhe se ky popull a kjo krijesë e re nuk do të kishte marrëdhënëje me kohën e vjetër në as një send. Kjo asht, në të vërtetë, një pandehme e kotë që nuk e forcon, as që e vërteton historija si edhe nuk i përshtatet a ma mirë nuk pajtohet me naturën e sendevet:
- Nuk e vërteton historija sepse Islami pohoi shumë prej gjanavet me të cilat arabët ishin mësuë në kohën pre-Islamike.
- Nuk pajtohet me naturën e sendevet sepse po t’ishte që Islami përpiqej me kundërshtuë evolucionin e shoqërisë do të kishte krijuë një anmik që nuk do të mundeshte me e përballuë. Shto edhe se Islami nuk pat mbërri në Fundin a Qëllimin e Tij veç atëherë kuër ndoq ligjin e përparimit dhe të naltësimit gradual.
Në të vërtetë, Islami çeli një luftë të rreptë kundra do gjanave me të cilat arabët ishin familiarizuë në kohën e injorancës, tue i mohuë dhe së fundi tue i shembë ato gjana. Kështu veproi Islami, nga nji anë, por, nga ana tjetër, ai rujti shumë sende të tjera. Ky asht parimi që ndjek përmirësuesi i cili kundërshton çdo send të vjetër, nga një anë, por, nga ana tjetër ndihmohet prej tij. Një thanëje e tillë asht krejt e vërtetë. Përmirësuesi ngren a çon krye tue sulmuë kuërdoherë çdo send të korruptuëm por, nga ana tjetër ai (përmirësuesi) ndihmohet nga çdo send i dobishëm edhe po qe se ky asht i vjetruëm. Përmirësuesi po të jet se nuk ngren krye kundra sendevet të korruptuëm nuk do të sjellte as një fryt, dhe po të mos kërkonte me u ndihmuë prej sendevet të vjetra, ai nuk do t’i merrte si bazë këto për Thirrjen dhe për përmirësimin e tij. Po të jet se popujt qendrojnë mbrenda kësaj rregulle të përgjithëshme, do të ishte një gja e dobishme, sa herë që të përpiqemi me biseduë ndo një fenomen a shfaqëje shoqënore, shkencore, letrare ose fetare t’Islamit, e sidomos në periodën e epokën e parë të këtij, me e krahasuë atë shfaqëje a ngjarje me ngjarje të tjera rreth saj: ditunore, mendore, etj, të botës arabe, të kohës pre-Islamike. Ky veprim nuk asht një gja e lehtë për me u ba sepse njohuni[4], për sa i përket jetës arabe të kohës së injorancës, ku rronte një popull i pa ditun[5] që nuk kishte njohuni as prej shkrimit as prej këndimit që janë mjet për të mprojtur idet, janë krejt të pakta. Ndofta, ky ishte shkaku që disa nga historianët egzagjeruës patën mohuë çdo send që i mbështetet kohës pre-Islamike. Pra, shkak kryesuër për këtë asht që ideja e rregjistrimit si edhe e mbledhjes së mendimevet dhe idëve të ndryshme nuk u plotësuë në Islamizmë veçse në ditët e mbretënisë së Emevivet.[6] Por edhe kjo në periodën e fundit, në të cilën qe pre marrëdhanëja në mes të tyne dhe të botës pre-Islamike; gjithashtu të mbledhurit e lajmevet arabe në këtë kohe a periodë i shtroheshte përshtypjeve të partive të ndryshme si edhe atyne fetare e politike që kështu njohunitë deformohen tue hy mbrendë tyne elemente të pa baza.
Gjer tashti i hodhëm një sy të shkurtër legjislasionit t’arabëvet, po të mundemi me e qujtë kështu, të kohës pre-islamike. Thamë edhe se ai asht një shfaqëje shoqënore, mbi të cilën bje përshtypja e konditave që e rrethojnë, përshtypje si ato ekonomike, politike dhe gjeografike. Mbassi, arabët e kohës së injorancës rrojshin një jetesë primitive e të thjeshtë, nuk mund të pritet me gjetë ndër ’ta ndonjë jetë legjislative të plotë. Shto edhe se kujtohet, të shumtën e herës, se çdo gja që u njoft prej tyne prej gjanavet që i përkasin legjislasionit, nuk asht tjetër veçse një lloj legjislasioni të cilin e gjejmë në jetën beduine a malësore si dhe në fise barbare e t’egra. Ai s’asht tjetër veçse një legjislasion që shtylla e tij asht konvensioni (Urf) dhe zakoni dhe baza e tij janë disa gjykatës e t’urtë që u mundojshin me zgjidhë konfliktet që ndodhëshin në mes të njerëzvet. Të drejtat, ke ata, ishin të drejta fisi dhe tufe ma tepër se sa me qenë të drejta t’individualit. Ndofta, zakoni i ahmarrjes (theër) dhe ai i mbrojtjes së fisit tregon qartazi lidhjen që kanë pasë këto të drejta me fisin dhe me shoqërit e atëhershme primitive. Dhe kuër ndonjë prej fisit Tài t’anmiqësonte ndonjë prej fisit Hashimi, çështja nuk qendronnte n’ahmarrëje që kryente Hashimiu kundrejt Galibiut por shpesh herë kjo ahmarre kalonte kufinin gjer sa përshinte krejt fisin. Prej gojëdhanavet dhe lajmeve t’ardhuna prej arabëvet mësojmë ato lufta të cilat u provokuën ndër raste partiale si ajo shëmbëlla e Muhelhel-it kuër i u vra i vëllaj Kulejbi, kjo asht një prej shëmbëllavet ma të përmendura që vërteton sa u tha ma naltë.
Përgjegjësia nuk ishte individuale sikuër asht ndër këto ditët t’ona «kushdo qi ban keq, përgjegjësia e kësaj keqmenije bie mbi te»; ky parim nuk egzistonte ndër arabët në kohën pre-Islamike, në kohën e injorancës, ashtu sikuër nuk ishte i njohun edhe ndër fiset barbare. Përkundrazi, përgjegjësia ishte e përgjithëshme, ajo binte mbi fisin dhe po deshte thuëj, së pari dhe në vet-vehte, përmbi kryetarin e fisit. Për këtë shkak, sharja nuk i drejtoheshte individualit (ferd) fajtor a gabuës që ishte pjesëtar i ndonjë fisi, por i drejtoheshte kryetarit të fisit sepse u supozonte se kryetari ishte përgjegjës për të gjithë ndjekësat a pasuesit e tij si edhe për familjen që ai kryesonte. Po kështu edhe për sa i përket methodave të gjyqit, nuk kishte ndonjë trup gjykues ose gjyqtarë që u zgjidhëshin ose që caktoheshin ashtu si u vepronte në Greqi të vjetër dhe në Romë. Shto edhe se nuk kishte ndonjë formë të veçantë gjykatoreje dhe mënyra e të gjykuemit të tyre i përngjan asaj të mbledhjeve që bajnë pleqët dhe pleqësit te na sot, nëpër katunde. Pra, me të ndodhun ndonjë konflikt në mes të ndonjë tjetre ose në mes të ndonjë individuali dhe të ndonjë tjetri, këta nuk këtheheshin për t’ u gjykuë ke ndonjë zyrë e veçantë me formën e një gjykatoreje, e cila të gëzonte të drejtën me kryesuë gjyqin dhe me zgjidhë konfliktin, a ma mirë, raste si këto, njerëzit të mundshin me u orientuë kundrejt tyne. Disa herë për çdo ngjarje u lindëshin gjykatës të veçantë, u lindshin ditën që kjo lindeshte dhe vdisnin ditën që kjo vdiste. Zoti e din, aty, ndër epoke të ndryshme, dollën në dritë individualë që përmenden për largpamje dhe pastërtinë e gjykimit të tyne. Asht për t’ u përmendë i qujtuni «Kiss ibn Saide» i cilli ishte një prej personaliteteve që arabët, prej gjykimit të tyne, u qetësojshin. Le të mos harrohet se edhe H. Muhammedi, (A. S.), para Thirrjes dhe Dërgesës u numuronte një prej këtyre gjykatësve, fort të gjykueshëm, te të cilët njerëzit gjejshin prehje tue u mbështetë dhe tue kërkuë të drejtën. Kështu u vepronte në raste nevoje. Asht një gja krejt e mjaftueshme me përmendë, me këtë rast konstruktimin e Qabes rishtazi si edhe konfliktin që ndodhi në mes të fisevet që se i cili pyeste se kush do t’ a vente gurin e zi përsëri në murin e Shtëpisë së Shënjtë; ky konflikt qe ba aq i ashpër sa që çdo një fis me prisin e vet para u pat betuë tue futë bilë edhe duart në një enë të mbushur plot me gjak, se nuk do t’ i a lëshonte shtegun ndonjë fisi tjetër. Këta fise mbassi u gjykuën dhe nuk mundën me i dhanë fund konfliktit, vendosën që t’a zbërthente këtë konflikt cilido që do të hynte në Qabe, herën e parë, prej derës së caktuëme prej tyne. Konflikti qe zgjidhë e zbërthye në një mënyrë shumë të çuditëshme prej H. Muhammedit!
Ç’vend zën Kur’ani në pikpamje Legjislasjoni? (Vazhdon prej Nr. 2)
Pra, gjykatësit e arabëvet, tek të cilët njerëzit gjykoheshin e ndajshin gjyqet e tyne, janë të njohun; për këtë, në një mënyrë të qartë, dëshmon edhe poezia e tyne. Edhe vetë historianët kanë biseduë dhe kanë dhanë mendimet e tyne për mbi këtë pikë. Porse duhet të dihet që këto forma gjykimesh, që të gjitha, kur t’analizohen mirë, nuk mundemi me gjetë ndër ‘to as një parim të ngulët, dhe as një rregull të njohun. Shpesh herë ndodhte dhe u shfaqte ndonjë prej problemave që u gjykonte mbi te; mandej, e njajta problemë u shfaqte në një ditë tjetër dhe u jepte mbi te një gjykim tjetër i ndryshëm prej të parit. Shumë herë, gjykimi ndryshonte simbas qarqevet dhe konditavet shoqënore si edhe simbas individualëvet të cilët u gjykojshin. U vepronte kështu sepse, sikur e përmend këtë edhe i ndjeri Her Von Rat, nuk kishte ndonjë parim të ngulun. Arabët nuk qenë përpjekë as pak për me shënuë ose me rregjistruë ndonjë parim te tillë që të mundeshte me u marrun si parim kryesuër. Ata as që patën vërtetue ndonjë prej parimevet për t’i konsideruë si baza. Shto edhe se aty nuk u njihte tjetër bazë veç konvensionit (Urf), një konvesion që hynte në punë për sa u përket adhurimeve dhe veprimeve të tyne. Ata kishin qysh atëhere një lloj adhurimi që asht të munduëmit me u afruë te Perëndia si p.sh. vizita që i bajshin Shtëpisë së Shënjtë[7] dhe Taksa[8]. Gjithashtu kishin përdorime të veçanta në tregëti, në shitje e blerje si edhe në të marrunit e në të fituëmit e ndonjë pjese prej fitimit që vinte prej punës që u kryesonte prej ndonjë njeriu të veçantë.
Tashti le të përfundojmë tue vendosë që Islami nuk erdhi për me pasuë jetën injorante të kohës pre-Islamike në të gjitha fazat e saj si edhe në gjendjen e saj të çalë. Me gjithë këtë Ai pohoi disa veprime të cilat pasoheshin prej tyne. Gjithashtu, shifet qiltazi që ligji islam përparoi dhe evolusionoi së bashku me këta njerëz. Ai, përsa i përket disa zakoneve dhe traditave të tyne, zuni vendin e një komshiu a ma mirë u shoqënue me ‘ta. Me këtë rast duhet përmendun randësia e abrogimit dhe e revokimit (Nes-h’). Nes-h d.m.th. abrogim i një ligji për me u zavendësuë me nje tjetër. Ja një shëmbëll për këtë: Profiti (A. S.) e pat ndaluë një herë vizitën që i u bahet vorrevet dhe mandej e pat lejuë përsëri. Ai, herën e parë, i u pat lëshuë njerëzvet frenat në disa problema dhe mandej e pat kufizuë këtë lloj lirije pak nga pak. Dhe këtë veprim e pat ba vetëm për t’i nxitë njerëzit që t’i adaptohen e t’i shtrohen përparimit gradual dhe për me i shtyë që të mësohen me traditat e reja. Ndofta ligji i përparimit gradual dhe preceptet e tij janë një shtyës a një shkak kryesuër që të trembëdhjetë vjetët që H. Muhamedi kaloi në Mekkë nuk ishin veçse vite këshillash, thirrjesh dhe ftesash ma tepër se t’ishin vite detyrimesh (obligation)[9], impozimesh dhe ngarkesash, me fjalë të tjera vite urdhënash dhe ndalesash. Dhe ja, në të vërtetë, muslimanët nuk ishin urdhënuë ende për me kryë të Lutunit (Salat) gjer para Hexhirës dy ose tre vjet. Gjithashtu këto obligime të cilat do të baheshin ma vonë shtyllat kryesore t’islamit nuk qenë ba që të gjitha, për një herë, detyra të domosdoshme për muslimanët. Përkundrazi, ata u detyruën me u falun ma parë dhe mbassi qenë familiarizuë e mësuë me te si edhe mbassi qenë qetësuë shpirtënat e tyne, u detyruën me një detyrë tjetër që asht taksa e domosdoshme (Zeqat), mandej me agjënim dhe ma në fund vizita e Shtëpisë së Shënjtë. Konstatohet se versetet e zbrituna në Mekkë kanë të bajnë me Besim (Akide), ndërsa ata që u zbritën në Medine janë në marrëdhanëje të ngushtë me legjislasionin si dhe me veprimet e detajet që mund të rrjedhin prej këtyne veprimevet. Ky përparim gradual vërehet gjithashtu edhe në ecëjen e vetë legjislasionit. P.sh. një detyrë ose një obligasion për të parën herë filloheshte me një formë të zvogëluëme, mandej zgjanoheshin ma tepër në te. H. Muhammedi erdhi dhe ishte dhe Ai një njeri si të tjerët që hanë dhe pinë dhe kanë përdorime në mes të njani tjetrit. Prandaj, nuk mund të shpëtoheshte për pa i marrë parasyshë dhe nxjerrë në dukë gjendjet dhe veprimet e tyne. Pra, për çdo gja që ishte e drejtë, jepte pëlqimin dhe çdo send të shtrembër e zavendësonte me atë të përshtatshmin. Ai eci Vetë mbi këto parime edhe para Islamit. Ai u merrte me tregëti, bashkëpunonte me të tjerë në punë të ndershme. Ai jetonte mbrendë qarkut dhe atmosferës së jetës arabe, ishte thelluë në të, ishte në marrëdhënëje të ngushtë me të gjitha shfaqëjet e ndryshme të saj, me ato shfaqëje që konsideroheshin të përshtatëshme dhe të ndershme. Asht për t’u përmendë se Ai nuk pat marrë kurrë pjesë ndër mbledhje korruptuëse. Ai gjithëmonë pat qenë shëmbëll i moralit të pastër; prandaj ishte e domosdoshme me ruëjtë diçka prej shënjavet dhe mbeturinave t’asaj jete në shpirtin e Tij të Math. Tue u mbështetë në këtë thezë, Islami nuk i këputi marrëdhënëjet e Tij me të gjitha gjanat që egzistojshin në kohën pre-islamike. Po, Ai i këputi, në një mënyrë absolute, të gjitha marrëdhënëjet e Tij me të gjitha besimet e korruptuëme, Ai jo vetëm që sulmoi por dhe shëmbi të gjitha ato gjana që shkaktojnë faje dhe mëkate.
Nga ana tjetër, Islami nuk i sulmoi as pak disa zakone dhe mësime të mira: detyra e vizitës që i bahet Shtëpisë së Shënjtë ishte një prej atyne zakoneve të jetës pre-islamike që ma vonë e pat pranuë edhë islami. Arabët e kryjshin vizitën kundrejt Shtëpisë së Shënjtë edhe përpara Islamit. Ky ishte një nga zakonet e tyne të mira. Islami nuk e ndryshoi essencën e këtij zakoni, Ai nuk veproi ndryshe veçse e rregulloi, e gdhendi dhe e skalisi ma mirë këtë zakon.
Ne mundemi për me e pasuë legjislasionin Islam në të gjitha anët e tij tue derdhë mundin me shfaqë, me provue e me demonstruë pjesën e re që na ep ai, nga një anë, nga ana tjetër, tue shfaqë pjesën që i përket jetës pre-islamike. Shumë studjoza u munduënë për me e shfaqë në një mënyrë të qartë këtë pikë, shkurt, me e qaruë. Islami nuk refuzoi absolutisht të gjitha traditat dhe zakonet që kishin të bajnë me veprimet e jetës së injorancës. Po si mund t’i refuzonte disa prej tyne në rast që ato qendrojshin mbi baza të qarta dhe mbi parime të shëndosha. Kur erdhi H. Muhammedi, i Cili asht Legjislator, Gjykatës, shfaqës zyrtar i ligjit fetar, Gjykuës i Urtë dhe egzekutës i hollë, shokët e Tij me ngulm shpejtuën te Ai tue kërkuë opinionin e Tij në çdo gja që iu ndodhte në raste të ndryshme. Dhe sa herë që t’a pyetshin përmbi ndonjë problemë ishte Ai vetë që u përgjegjte po t’a dinte. Ai e urrente egoismin dhe nuk shmangesh as pak për pa lypë edhe opinionin a mentimin dhe njohuni të tjera prej atyne që i zotnojshin këto. Po t’ishte se edhe këta njerëz, që i shëmbëllejnë një plebishiti të sotshëm të kohës moderne, nuk mundeshin me u përgjegjë, Ai, tue dëshëruë mos me vepruë kurrë shtrembët e vononte çeshtjen tue pritë Revelatën që i vinte prej anës së Zotit të Math. Të mbështetunit e H. Muhammedit mbi shokët e tij si edhe t’adoptuëmit e këtyne mentimin e Tij, asht një argument krejt i qartë që provon se Ai nuk kishte qëllim, me anë të legjislacionit, t’u imponojë a t’u ngarkojë njerëzve disa urdhëna që ata nuk do të kishin fuqi me i kryë. Përkundrazi, Ai u impononte ato urdhëna, me të cilat ishin familjarizuë dhe kishin një kohë të gjatë që po veprojshin tue u mbështetë mbi to. Me gjithë këtë ngjarjet që atyne i u shfaqeshin, sa do të shumta që t’ishin, prap se prap ishin të kufizuëme. Të kufizueme, për shkak se jeta arabe e atëhershme ishte e thjeshtë dhe as pak e komplikuëme, ajo nuk ishte një jetë shumë ngjyrash a e shumë llojëshme që t’i shëmbëllente kësaj t’onës moderne në të cilën ne jetojmë. Të gjitha ngjarjet dhe shfaqëjet e saj, me një fjalë ishin të kufizuëme. Gjithashtu, gjatë qëndrimit dhe jetës së Tij në Mekkë, për sa i përket legjislacionit, nuk patën ndodhë ngjarje që mund t’u jepeshte randësia e duhun. Por kjo jetë nuk vazhdoi shumë. Kur erdhi në Medine filloi lufta dhe shkelja (invasion) si dhe plaçkat e mbetura prej luftës[10] u shtuënë. Ishte e domosdoshme të ndamit e këtyne plaçkave, por edhe këjo, simbas një plani të vizuëm prej Revelatës a Zbulimit që Atij i zbuloheshte. Në rasë se nuk i zbriste një plan si ky, Ai vepronte dhe gjykonte me ndonjë opinion të veçante që i vinte ndër mend. Mandej fliste tradisionin që kishte lidhje me këtë çeshtje. Ky tradision u merrte si një argument përsa i përket këtij gjykimi të bamun e të dhanun. Por në rasë që Ai nuk mundeshte me dhanë mejtimin dhe opinionin e Tij, atëherë kërkonte mejtimin e shokëve të Tij. A nuk do t’i përngjante edhe ky veprim jetës s’onë moderne!? N’atë kohë nuk kishte veprime të komplikuëme si ata të sotshmit: pengu (rehen), huaja për një kohë të gjatë dhe huaja para afatit që kanë të bajnë me pikpamje të gjana të legjislacionit e që i gjejmë në jetën t’onë të bashkëkohëshme nuk ndodheshin atëhere një soj me formën që kanë marrë sot. Profiti kur çonte ndonjë dërguës me mission, ndonjë gjykatës ose ndonjë sunduës në ndonjë vend, e këshillonte me këshilla të domosdoshme për me e kryë këtë detyrë në një mënyrë të përsosun. Ai, gjithënjë përpiqeshte që t’a lente këtë gjykatës ose sunduës të lirë në veprimin dhe në mendimin e tij. Dhe ja një shëmbëll e mirë që vërteton këtë thanëje: Ai, kur e dërgoi Muadhin në Jemen e pyeti në këtë mënyrë: O Muadh! me çka do të gjykoni? Muadhi u përgjegj: me Librin e Zotit! Mandej? Muadhi, prap u përgjegj: me tradisionin (Hadithin) Profetik! Së fundi? Muadhi, përsëri: me mentimin dhe opinionin t’im. Profiti i Madh u kënaq shumë prej këtyne përgjegjeve, e bekoi Muadhin për këtë plan të mençëm dhe të kënaqshëm me të cilin do të vepronte.
Kështu, Profiti (A. S.), nuk mund të konsiderohet kurrë-sesi egoist në mentimin e Tij që shfaqëte kundrejt shokëvet dhe ndihmëtarëvet të Tij besnikë. Përkundrazi, Ai i lente edhe ata të lirë për me shfaqë mentimin e tyne, aq sa disa prej tyne kishin mejtime dhe opinione të veçanta që duhet t’i u jepet randësia e duhur përsa i u përket këtyne problemeve. Qysh prej asaj kohe, disa ndër ta janë të njohun për gjykime dhe ide të drejta që delshin prej tyne. Dhe ja një shëmbëll kryesore: H. Umeri (Kënaqësia e Zotit qoftë mbi Te) asht një prej atyne gjykatësve prej nature (Fitri). Gjithë çka thamë, në tanësinë e saj dhe veç e veç, për sa i përket mësimevet të LIBRIT, të Tradisionit, të gjykimit Profetik, t’opinionevet të shokëvet dhe të ndihmëtarëvet të Profitit, t’atyne që e rrethojshin dhe që ishin të bashkë kohshëm me Te, të gjitha këto duhet të konsiderohen si shtylla e legjislacionit Islam.
Por, duhet të dihet se arabët nuk qendruën mbrendë kufive të Siujdhezës së tyne, porse i kapërxuën këto tue mbërri në vende të tjera, tue ardhë në përpjekje me qytetni dhe përparime të ndryshme. Qëndrimi i tyne kundrejt këtyne qytetnive dhe përparimeve asht një qëndrim që i përngjan atij të një burri të thjeshtë e primitiv, i cili nuk kupton as gja prej sendeve që e rrethojshin. Këjo thjeshtësi primitive të cilën e gjejmë te beduinët nuk vazhdoi ma gjatë, por u këthye në një jetë të re. Këjo e treti jetën e re, la përshtypjen e saj mbi te dhe së fundi u përzi me të. Në ketë jetë të re, në të cilën hyni populli arab, gjenden problema të reja që u pa e domosdoshme për t’u zbërthye. Në këtë periodë konstatojmë që legjislasioni Islam po evolusionon shumë shpejt, evolusionizmë këjo që ndoshta nuk i shëmbëllen as pak ndonjë tjetër e legjislasioneve të tjera historike. Një evolusion si ky nuk asht as pak i çuditshëm sepse asht evolusion i ngadhënimit Islam, ngadhënim i cili eci me hapa aq të shpejta që nuk i përngjan këtij as një ngadhënim tjetër. Dominionet e tij shtriheshin tue filluë prej thellësinavet t’Afrikës, nga ana e Perëndimit, gjer në thellësinat e Azisë, nga ana e Lindjes; tue filluë prej malevet Pirenenj nga Veriu, gjer n’ Oqeanin e Hindit, nga Juga; ngadhënim që u plotësuë qysh prej vitit 8-9 të Hexhirës e gjer në vitin 70-72 të Hexhirës. Këtë ngadhënim të çuditshëm e pasoi një kompozim i math në mes t’arabëvet dhe të popujvet të vendevet të tjera. Ky la shënjat dhe mbeturinat e tij që nuk mund të mohohen. Arabët u gjendën ballë për ballë me qytetnina të ndryshme, ballë për ballë me një institusion (nizam) gjykuës dhe legjislatif të veçantë. Prandaj, ishte një gja që u shfaqëte e domosdoshme të marrunit e këtyne institusionevet në konsideratë. Ata u përpoqën për me formuë dhe trajtuë për vet vehte një legjislasion Islam të veçantë që i ka bazat e tij kryesore në LIBRIN E ZOTIT.
Ç’vend zen Kurani në pikpamje Legjislasioni? (Vazhdon prej Nr. 3)
Prej çka u tha gjer tashti, merret vesht se ke arabët e kohës së injorancës (kohës pre-islamike) gjindeshte nji farë legjislasioni si edhe nji methodë e veçantë për ‘ta, me anën e së cilës u zgjidhshin anmiqësitë në mes të njerëzve. Gjithashtu, ata kishin zakone dhe tradita me të cilat ndajshin gjyqet dhe anmiqësitë që ishin të vazhdueshme midis tyre. Këto zakone dhe tradita, mund të vërehen ma me lehtësi dhe në ma të shumtat e herës pranë fisevet beduine, me fjalë të tjera, pranë grumbujvet dhe grupevet barbare. Shihet se methoda e tyre, të cilën e përdorojshin për me nda dhe me sulmuë anmiqësitë, pat përparuë dhe evolusionuë pak nga pak dhe shkallë shkallë, ashtu si patën përparuë dhe evolusionuë shkallë shkallë shfaqëjet shoqënore nënë përshtypjen e nji tufë vepruesvet:
- Njeni ndër këta vepruës asht shtimi i madh i marrëdhënëjevet dhe i përpjekjevet të tyne me popujt kufizorë e t’afërt.
- Ndëpërtimi i disa popujvet dhe i disa grupevet p.sh. Judenj dhe të Krishtenë në mediumin e tyne.
- Dhe me të dalë në dritë Islami vuni para sysh me vizuë udhët e rojtjes në këtë botë si edhe ato, që na çojnë në botën tjetër. Qëllimi i tij ishte me shfaqë dhe me manifestuë shënjat e adhurimit dhe të veprimit, me vû bazat e besimit e të Ligjit. Por, me qenë se besimi asht pika qendrore dhe kushti i parë, i domosdoshëm për çdo njeri, për çdo vehtje, që i adresohemi me emnin musliman, u pa e domosdoshme që legjislatori t’i api kësaj pike randësinë preponderente. Dhe, me t’ u plotësuë kjo konditë a ky kusht, muslimani fiton njohuni të plota mbi të drejtat dhe detyrat krejt të nevojshme për jetesën e tij në lumni.
Tashti le të vendosim, në nji mënyrë të pa dyshimtë, se legjislatura islame s’asht tjetër veçse PJELLA E FTESËS ISLAME, ajo eci së bashku dhe kambë për kambë me këtë Ftesë në të gjitha epokat, në të gjitha periodat e ndryshme të saj, ajo e pasoi atë si në pikpamje fuqie ashtu edhe në pikpamje dobësie, me nji fjalë, ajo evolucionoi së bashku me evolucionimin e saj. Pra, për të mundun me dhanë nji mendim të qartë dhe të pa dyshimtë mbi te, me fjalë të tjera, për të qartësuë ma mirë këtë legjislasion, do të mos gabohesha sikur t’a ndajsha në tri pjesë dhe shkallë të ndryshme:
E para pjesë. Asht perioda fillestare dhe e formimit të tij. Këjo periodë fillon që prej Ftesës s’Islamit dhe mbaron me qindvjetshin e dytë të Hexhirës. Me fjalë të tjera, mbaron me atë qindvjetshë në të cilin dolën në dritë prisat e mbëdhenj si Ebi Hanifeja, Maliqi, Shafiiu dhe Ahmed ibni Hanbeli, burra që kanë dalë në shesh në qindvjetshin e dytë dhe në fillim të qindvjetshit të tretë të Hexhirës.
E dyta pjesë. Asht perioda e përsosmenisë dhe e maturitetit, në të cilën u shfaqën shumë fytyra të mbëdha që njihen si pasuës të prisavet të naltë përmendun, me fjalë të tjera, si dishepuj të tyne, dishepuj që derdhën mundin ma të madh për me nxjerrë në dritë degësimin e bazavet, degësimin e parimevet dhe për me folë fjalën e fundit për mbi ‘to. Ata u munduën për me dhanë nji vendim të premë për mbi parimet qi vunë Mësuësit e tyne të mbëdhenj. Kjo periodë, duhet dijtë, vazhdoi, të thuash, tre qindvjetorë me radhë. Fillon prej pjesës së fundit të qindvjetorit të dytë dhe mbaron në qindvjetshin e pestë të Hexhirës. Asht për t’u përmendun se ndoshta theologu, legjislatori, filozofi-moralist i madh, Gazaliu, asht përfaqësuësi dhe reprezentori ma i madh i kësaj tufe, i tufës së pasuësvet dhe të dishepujvet, të cilët mundën me thanë fjalën e fundit mbi çka do që shkruën prekursorët a parardhësit e tyne.
E treta pjesë. Gadi, të thuësh, sa po fillon i gjashti qindvjetshë i Hexhirës, shohim që legjislasioni Islam të ndjeki nji udhë dekadence, retrograde, zmrapjeje dhe dobësimi; po, kështu vazhdoi gjer tash afër. Kur qe! U kthyë përsëri zgjimi i parë sepse na gjejmë sot në botën Islame një tufë legjislatorësh botnorë: muslimanë dhe jo muslimanë që janë tue u përpjekun tash nga kohët e fundit për me e përtri, dhe tue derdhë të gjithë mundin për me e shti në nji formë të përshtatëshme me kohën dhe vendin, këta po konstatojnë që ai nuk asht në kundërshtim me kohën e re në të cilën jetojmë, përkundrazi, ai, ndihmon tepër vazhdimin e qytetnimit të sotshëm mbassi parimet e tij qëndrojnë mbi baza të forta, të konsoliduëme me anën e Tekstit Hyjnuër dhe me traditën Profetike.
Tashti, le të përfundojmë në thanëjen qi ma poshtë vazhdon: konstatohet se, ndofta, pjesa e parë a ma mirë perioda e parë asht ma e randësishmeja për të cilën duhet me u kujdesuë sepse kjo asht pjesa e asaj epoke, që u vunë parimet legjislative dhe asht shtylla e parë dhe kryesore, mbi të cilën qendron lëvizja juristike e Islamit. Kjo epokë e meriton mundin dhe përpjekjen për me dhanë mbi te nji mendim të qartë. Pra duhet zgjatë mbi te para me u transmetuë mandej gjer në periodën a epokën e dytë, së cilës duhet t’i jepet kujdesi i duhur jo vetëm nga pikpamja historike e legjislaturës por edhe nga pikpamja e marrëdhanëjes së lëvizjes juristike t’ Islamit me mendimin filozofik të tij.
Na duket, dhe ndofta asht e vërtetë, se kjo pikpamje e fundit asht ma e randësishmja, për shvillimin e së cilës do të përpiqemi ma shumë n’ artikujt t’ onë. Me këtë veprim, nuk dëshërojmë me shkuë gjer në fund t’ udhës legjislative, por e shohim të domosdoshme me shfaqë, me anën e tyne, lidhjet dhe marrëdhanëjet që mund të kenë këto kërkesa legjislative me mendimin filozofik, veçanërisht dhe me mësimet e Islamit, përgjithësisht. Këtu nuk duhet të dyshohet as pak që filozofia të mos ketë lanë përshtypjen e saj në legjislasion ashtu sikur asht një gja e pa dyshueshme që ajo pat lanë përshtypjen e saj ma të madhe edhe mbi se cilën shfaqëje të kërkesave religjioze islame. Dëshërojmë t’a dimë këtë përshtypje se gjer ku pat arrirë dhe gjer në çfarë kufi pat qendruë dhe pse? Kështu gjer sa të mbrrijmë në periodën e fundit. Si dihet ngjarjet e dobësimit, të kotësisë, të rrokullisjes dhe të venitjes me një fjalë të dekadencës, janë ngjarje shumë të randa, shtypëse të shpirtënave njerëzore sepse n’epokat e dobësimit asht shumë vështirë me gjetun gjana të reja që mund të na tërheqin vërrejtjen ose që mund të na tingëllojnë mirë në vesh. Dhe vetëm tue kërkuë me mbledhë shkaqet e kësaj dekadence si edhe tue njohë hollë e në nji mënyrë të mprehtë vepruësit qi na çuën gjer aty, do të ndihmoheshim me e mjekuë gjendjen. Me gjith këtë, të shkuëmit dhe t’udhëtuëmit drejt nji udhe të re zgjimi, ka qenë dhe asht nji prej shpresavet ma të mbëdha t’epokës si edhe nji prej Ftesavet, thirrjevet të shumta të legjislatorëvet të botës islame dhe t’atyre që merren me dituritë legjislative. Kujtojmë se nuk do të kalojë nji kohë e gjatë kur legjislatorët do të zgjohen dhe do të shihet legjislacioni islam i zotnuëm para së gjithavet prej parimevet dhe bazavet islame, të cilat nuk tronditen prej fenomenevet a ngjarjevet qi ndodhin mbrendë shekujvet, sepse janë të bazuëme në Tekstin Hyjnuer e nuk i përgjajnë as pak kanunevet të vuëme prej duërvet njerëzore, me nji fjalë, nuk do t’ i përngjajshin as pak atyre të vuëme prej Justinianit ose prej Napoleonit. Shumica besojnë se mbassi natura e shoqënisë e ndihmon këtë thënëje, nga qi legjislacioni s’ asht tjetër veçse nji prej shfaqëjevet të saj, ai duhet t’ i përshtatet asaj, duhet t’eci krah për krah me zakonet e saj: të përkrahij dhe të mproje zakonet e mira dhe të luftojë zakonet e dobëta e të këqija. Me nji fjalë, këjo s’ do t’ u merrte për nji problemë vetëm fetare, por do t’ ishte edhe nji problemë juridike shumë e madhe.
Tashti, le të kthehemi në pikën e fillimit: erdhi Profeti, paqi dhë shpëtimi i Zotit mbi Te, i ngarkuëm me kryë Ftesën e re d.m.th. Ftesën Islame. U pa e domosdoshme qi t’i shfaqij, në mënyrë evidente, shenjat e kësaj Ftese njerëzisë; Ftesë qi asht salvasioni a shpëtimi kryesuër dhe ma i madh që ka ndodhë gjer tash për njerëzinë, e cila, n’ate kohë, ishte zhytun në pellgun e vesevet t’idolatrisë. Ai e shfaqte dhe e demonsronte ate me anën e Fjalës, a ma mirë verbalisht, nga nji herë, dhe nga nji herë tjetër me punë. Pa dyshim, këjo shfaqëje asht nji prej bazavet t’ Islamit, qoftë verbalisht ose veprimisht. Ai, Profeti, nuk e shpalli këtë qysh në kohën e rinisë së Tij por, mbassi u plotësuë mosha e maturitetit të Tij dhe e ndjeu Vetvehten se ishte i zoti, i mjaftë dhe i aftë dhe kishte fuqi për me e kryë nji barrë kaq të randë dhe të randësishme për njerëzinë. I Dërguëmi i Zotit vazhdoi tre vjet tue e thirrë njerëzinë, në nji mënyrë sekrete, n’ Islam. Ai thirrte të gjithë ata që i besonte dhe për të cilët ishte i sigurt se kishin mbërrijtun moshën e zotësisë së tyre shpirtënore për me pranuë parimet e Islamit, qi Ai predikonte. Ai, së bashku me shokët e Tij, u mëshihshin prej Kurejshit kur kryjshin Lutjet, po kështu veprojshin edhe kur thirrnin e ftojshin njerëzinë në këtë Fe. Idhujtarët, sa herë që shikojshin muslimanët tue u falë i akuzojshin me pa dituni, qesheshin me ‘ta dhe me adhurimin e tyre. Por, kur muslimanët u shumuën dhe Kurejshi filloi me u frikësuë prej shtesës së tyne, Kurejshi filloi me pre çdo rugë, çdo udhë që të conte n’ Islam. Kështu, Kurejshi filloi të mundohet me rëzuë vleftën e muslimanëvet, me i poshtënuë, me u tallë dhe me i qeshë ata. Por qe! se në kryë të tre vjetëvet ndryshoi puna, nji jehonë e re filloi të ndihet!. I Dërguëmi i Zotit, mbas tre vjetvet filloi me e çuë zanin naltë, e deklaroì pra publikisht dhe haptazi Ftesën dhe as i vuni veshin e as i dha ndo nji randësi, qoftë edhe e imtë, ngacmimevet të kundërshtarëvet qesharakë dhe therës! (ridikulozë dhe sarkastikë). “Bane pra, të njihet ajo qi t’u dha dhe largoju prej idhujtarëvet, Jemi të mjaftë Ne për ridikulozët e sarkastikët”.[11] “Pra lajmo fisin t’and, ma t’afërtit e tu, dhe hapi fletët, krahët, e tu për besnikët që të pasojnë, por, në qoftë se të shpallin rebelizmë, thuëju (atyne) Unë jam i pafajshëm për (atë) çka ju bani”.[12]
I Dërguëmi i Zotit i njoftoi popullit missionin me të cilin ishte ngarkuë e urdhënuë prej anës s’ Edukuësit të Tij dhe, mandej, filloi me u mendue se mbi çka t’ i bisedojë Kurejshit. Për çka muër edhe mendimin e asaj tufe të pakët qi e kishin besuë dhe vërtetuë. I Dërguëmi thirri të birt e ABdu-l-Muttalibit në nji ftesë, në të cilën pat gatuë Ali Ibni Ebi Talibi. Ai muër fjalën dhe bisedën tue i u thanë: për Zotin, në të vërtetë, nuk di qi ndonji i ri tjetër prej Kurejshit t’i ketë pruë kombit të tij ndo nji gja ma të mirë prej asaj qi i u kam pruë unë, për Zotin ju kam pruë të mirën e kësaj dhe t’asaj bote! Mandej Ai thirri barqet e Kurejshit me u mbledhun mbi malin e Ssafas, pranë Mekkës. Tue u mbledhë rreth Tij i u tha: a s’shihni! Sikur t’ju lajmërojsha se nji tufë kalorës vjen prej asaj lugine për me ju goditë dhe me ju pushtuë, a do të më vërtetojshit? I thanë: po! Nuk ke dhanë prova rrene kurrë. Atëhere Ai tha: Unë po ju lajmëroj se jeni përballë nji mundimi të rreptë! Atëherë, Ebu Lehebi i a priti: a për këtë na mblodhe, u thafshë! Me nji herë, Perëndia, qoftë lavduë zbriti mbi Ebi Lehebin dhe gruën e tij këtë kaptin: u thafshin të dy duërt e Ebi Lehebit, dhe ai vetë u thaftë! pasunia e tij nuk do t’i shërbejë për kurgja as veprat e tij. Ai ka për t’u përcëlluë dhe djegë në nji zjarr pasunuës flake. Po kështu edhe gruëja e tij, mbartëse drushë. Në qafë të saj do të lidhet nji litar prej fije hurme”.[13]
Ç’vend zen Kurani në pikpamje Legjislasioni? (Vazhdon prej Nr. 5)
Si dihet, H. Muhammedi, A. S., e ka filluë ftesën në nji moshë dyzet vjetshare. Ai zuni me i shfaqë, me i qaruë njerëzisë idenë e re. Kjo ide s’asht tjetër veçse të gdhendunit e nji besimi, të cilën e kishin çformësuë dhe errësuë epokat e ndryshme të përparëshme e të kaluëshme. Pat ndodhun kështu gjersa kishte mbërri me u konsideruë si një përunjëje dhe bindje të tepruëme aqë sa as mendja e shëndoshë dhe as ndërgjegja e pastër nuk munden me e gjetë vetvehten të pregatitura me i pranuë, sepse si mendja e si ndërgjegja nuk mund t’ushqehen veçse me nji besim, i cili të jetë i pa tronditshëm e i pa kontestuëshëm.
I Dërguëmi i Zotit filloi me qaruë, çka ma tepër, me i dhanë randësinë ma të madhe idesë së Njitimit, aqë sa, pa dyshim, mund të thuhet se të trembëdhjet vjetët qi kaloi në Mekkë ishin të puquna, a ma mirë, kishin të bajnë krejtësisht me këtë ide. Kjo ide, po të gjykohet nga pikpamje e essencës së saj nuk mund të konsiderohet ndryshe veçse Ftesë për në Unitet. Kjo Ftesë për në unitet s’asht tjetër veçse të deklaruëmit a të shpallunit e nji subjekti, e nji missioni të randësishëm, qi i u ngarkuë nji të Dërguëmi të ri, I Cili dëshëron me i shfaqë dhe me i parashtruë njerëzisë shenjat e së Vërtetës dhe të Dërgesës. Tashti, duhet t’i epet randësija nji pike të vlefshme, pikë, qi duhet me tërheqë vërejtjen e çdo njeriu të mençëm. Kuptimi i asaj thanëje nuk duhet të mendohet se gjoja asht bosh dhe e zbrazët prej faktevet veprore, morale a ethike. Jo nuk asht ashtu. Kjo Ftesë nuk mund të jetë bosh dhe e zbrazët prej faktevet veprore, morale a ethike. Profiti, A. S., ishte udhëheqësi i atyne, qi e rrethojshin, i shokëvet të Tij. Herë pas herë, këtyne të fundit i u shfaqeshin problema të shumëta e të ndryshme mbi të gjitha bashkëveprimet, marrëdhanëjet e tyre njeni me tjetrin dhe me të huëjt. Pra, ishte krejtësisht e domosdoshme, me fjalë të tjera, Ai nuk mund t’i lente pa i rregulluë.
Kuptohet fare lehtë prej gjithë çka shkruëm ma naltë se jeta e H. Muhammedit, A. S., në Mekkë nuk ka qenë e zbrazët prej idevet legjislative (Teshrí). Me gjithë këtë dhe në mënyrë të pa dyshimtë legjislasioni i zhvilluëm në Mekkë asht i imtë dhe krejt i kufizuëm e qi ishte i mjaftë me i shërbyë vetëm qëllimit t’atëhershëm, me fjalë të tjera, vetëm qëllimit t’asaj epoke si edhe të ngjarjevet, qi u zhvilluën në të. Si dihet dhe si u përsërit shpeshherë në këta artikuj, pika kryesore dhe e parë, rreth kësaj periode, kishte lidhje të ngushtë ma tepër me Ftesën, me adhurimin, qi I bahet All-llahut, me frykësime, me provokim të dëshiravet se sa me anë të tjera legjislative. Kishte të bante ma tepër me ato veprime, me ato punë, që kanë lidhje me ditën e gjyqit dhe me Ringjalljen. Tashti, erdhi radha të përmendim se si e qysh u kryënte kjo Ftesë? Kjo u kryënte me anë historinash, novelash, me kujtimin dhe me fjalime, me citasionet e lajmetvet, ngjarjevet të popujvet të kaluëm. U vepronte kështu me qëllim këshille dhe tmeri, me terma të tjera, për me marrë këshilla prej ngjarjevet të mira dhe tmer prej ngjarjevet të këqija.
Hz. Muhammedi, A. S., herë herë i kujton, i parashtron e i paraqet këto me gjuhën e Librit të Madhënuëshëm, me gjuhën e Kur’anit të Shênjtë, me të Cilin u frymëzonte prej zbulimit, qi i baheshte prej së Nalti; dhe herë të tjera me shprehjet e Tij personale. Këtu duhet të ndalemi pak, ashtu si janë ndalë të gjithë kërkuesit e studjuësit. Që të gjithë tue kërkuë dhe studjuë e pyesin njeni tjetrin: në se, në këto shprehjet e Tij personale, mendimet janë të Tijat ose të ndonji Revelate qi i asht zbuluë? Të gjithë ata, qi e marrin versetin e naltë “We má jenTiku anil-hewá, in huwe il-lá waHjun júHá, allemehu shedijdul kuwa”, “Dhe (Ai) nuk flet prej epshit (nuk flet në erë), asht vetëm nji inspirasion, i cili i u inspiruë (d. m. th. Kur’ani asht nji libër i inspiruëm); Asht Nji i Fuqishëm në pikpamje force qi E ka mësuë (ka për qëllim Engjëllin Xhebrail, qi asht organi divin i zbulimit)”, duan të kuptojnë se edhe vetë fjalët e Tij të zakonëshme e marrin kuptimin e tyre prej Revelatës Hyjnore. Këta mund të kenë të drejtë gjer diku, porse e kanë tepruë këtë pretendim aqë sa çeshtja, ke disa nga konservatorët dhe këmbëngulësit, ka mbërri me u analyzuë a zbërthyë tue thanë se Ai s’ishte veçse nji trumpetë, qi shpërndante çdo gja, që i vinte. Me fjalë e me shprehje të tjera, kur t’i fryhesh kësaj trumbete vetëm atëhere ajo shpërndante zanin.
Kjo thanëje, edhe po u kërkuë me anë të saj me nderuë H. Muhammedin (A. S.), asht kryekëput nji egzagjerim. Kjo, përkundrazi, do t’ishte ma afër kritikës therëse se sa me qenë nji lavdërim a elozhë!. Kësaj pike do të mundeshim me iu përgjegjë si vazhdon, në rasë se ndokush nuk do të dinte me dalë prej kësaj pozite të kritikëshme ose në qoftë se ndokush do të lypte përgjigjen për të vetëmen arësye kërkesë ose studimi: Ai, të Cilit i zbulohet Revelata Hyjnore, mjafton që shpirti dhe personaliteti i Tij të jenë plotësuë si dhe mjafton që mendja e tij të jetë zhvilluë, gëdhendë e skalisë mirë. Gjithashtu do të mjaftonte që ndërgjegjja e Tij të jetë e pastër dhe e kulluët.
Sa për pretendimin se do të duheshte me i a mbështetë çdo send nji revelatë të përparëshme, ky pretendim nuk do t’ishte tjetër veçse nji zbritje e livelit dhe e gradës së Tij. Asht nji ngushtim i Idesë Islamike dhe nji degradim e rëzim i pozitës e i shkallës njerëzore, në mënyrë të përgjithëshme. H. Muhammedi A. S., ishte i plotësuëm si shpirtnisht si trupnisht për me pranuë dhe me duruë nji ngarkesë kaq të rëndë, atë të Idesë së Revelasionit. Por, kjo nuk don të thotë se Ai nuk ishte i pajisun edhe me personalitetin njerëzuër për me gjykuë, menduë dhe folë sikurse gjykojnë, mendojnë dhe flasin edhe njerëzit e tjerë. Si përfundim, Ai pasunonte dhe zotnonte nji personalitet, të plotësuar nga të gjitha pikpamjet.
Dhe tashti, duhet, kapërxyë në gjana, qi na interesojnë ma tepër dhe qi janë ma të randësishme në zhvillimin e në zbërthimin e subjektit t’onë. Ajo çka na intereson ma tepër asht, si që kuptohet fare lehtë prej historisë kritike t’ Islamit, se H. Muhammedi (A. S.) po e ndiqte dhe po e pasonte shoqëninë në të gjitha etapet e saj dhe kambë për kambë. Dhe kjo asht krejt e vërtetë si që kuptohet edhe prej bisedimevet që bante me shokët e Tij, gjatë gjithë qëndrimit të Tij në Mekkë, herë herë individualisht, d.m.th. nji nga nji dhe herë të tjera me të gjithë së bashku. Ai, gjithëmonë, fliste mbi problema, disa ndër të cilat silleshin rreth Ftesës te All-llahu, rreth provokimit e të nxitunit të dëshiravet për vepra të mira dhe, së fundi, rreth shtimit t’urrejtjes së gjanavet të pa pëlqyeshme e të pa përshtatëshme. Të gjitha këto kryheshin me disa tregesa për të marrë këshilla dhe tmer njerëzia.
Dhe në se legjislatura po observohet fare pak në këtë kohë, të mos thomi se ajo ka qenë e lanme krejtësisht mbas dore, me gjithë këtë, mund të vendosim se aty ka pasë nji lloj legjislature, e cila nuk pat mujtë me okupuë vendin kryesuer, me fjalë të tjera, nuk pat mujtë me mbërri shkallën ma të naltë sepse, n’atë kohë besnikët qenë orientuë ma tepër drejt Qëllimit kryesuër dhe nuk patën qenë vendosë, stabilizuë e qetësuë gjer n’atë gradë, që të mund t’u lejonte e t’u premitonte me bashkëpunuë dhe me ndërruë mirësinat e tyre njeni me tjetrin, me interkomunikuë dhe me mbajtë reciprocitetin ndaj njeni tjetrit. Ata, ende nuk patën arrirë në nji jetë qytetnore dhe ekonomike që i përshtatet legjislasionit sepse ata ishin, në fillim të veprës së tyre, nji minoritet i imtë.
Krejt sa thamë me gjithëse mund t’a quajmë legjislaturë nga nji pikpamje, porse, nga nji pikpamje tjetër, kanë të bëjnë dhe janë në përpjekje ma tepër me pjesën e adhurimevet tue na ftuë në Kur’an dhe mandej në Lutje, e cila asht nji nga shfaqëjet kryesore të legjislasionit trupor.
Tashti, mund të vendosim dhe të përfundojmë në thënëjen, që legjislatura islame sillet rreth tri degëvet ose tri pjesëvet: 1) Pjesa e parë, asht legjislasioni, që quhet trupor dhe personal. 2) Pjesa e dytë. Asht nji legjislasion (Teshrí) që i përket rregullimit të pasunisë personale. 3) E treta pjesë. Asht nji legjislasion, që ka të bajë me rregullimin e pasunisë në marrëdhënëje me detyrat që kemi kundrejt shoqënisë.
Së pari, çdo gja qi ka lidhje me punët e mira si P. Sh. Lutja dhe Agjënimi, këto hyjnë ose bajnë pjesë ne Legjislasion, me të vetmin ndryshim, që kanë të bajnë me nji legjislasion individual. T’emnuëmit e kësaj pjese me titullin Legjislasion (Teshrî) asht vetëm për me lehtësuë kuptimin. Sepse, si dihet, Legjislatura asht vûmje ligjësh, në të cilat kemi parasyshë shoqëninë. Me fjalë të tjera, në vûmjen e këtyne ligjëvet observojmë gjithënji shoqëninë! Porse, çdo gja qi ka marrëdhaneje me adhurimet trupore asht ma afër individualitetit se shoqërisë. Dhe, shpeshëherë, ndodh se me t’u drejtuë dhe përmiresuë individët, përfundohet në të drejtuëmit dhe përmirësuëmit e shoqërisë. Po të marrim p. sh. Lutjen a Faljen, disa herë kemi qëllim me të kuptimin shoqëror si p.sh. Lutja e së Premtes, e cila na shtyn me u njohë, me u zakonuë dhe me u mësuë me shoqënimin dhe me jetuë në shoqërië. Me gjithë këtë, të krejta këto janë aksidentale sepse, rranja e qëllimit t’ adhurimit asht individuale.
N’ anë tjetër gjejmë adhurime, të cilat qendrojnë në mes t’ individualitetit dhe të shoqërisë si p. sh. Taksa e detyrëshme (Zeqati) dhe Pilgrimazhi (Haxhxhi). Pa dyshim, konstatohet se agjënimi gdhend dhe skalis shpirtin, dhe se gdhendja e skalisja e shpirtit t’ individit, a ma mirë, gdhendja e skalisja e shpirtnavet t’individavet asht gdhendje e shpirtnavet të shoqërisë.
Sa për taksën e detyrëshme (Zeqatin) supozohet se nji kist i pasunisë së individit i shkon të gjithëvet d.m.th. shoqënisë. Me fjalë të tjera, në nji kist të pasurisë së individit, vërehet dobija që fiton shoqëria sepse, ai kist i shkon asaj. Pra, pa dyshim, rregullimi i kësaj pasunije ka të bajë ma tepër me Legjislasionin se sa rregullimi i drejtimit e i përmirësimit t’ individit dhe bindja e tij personale, sikurse konstatohet fare qartë në disa lutje, në të cilat afrohemi ke Zoti.
Po në këtë pjesë shoqërore ban pjesë edhe çka observohet përsa i përket adhurimit të Pelerinazhit, i cili asht nji adhurim që e pastron personin prej nevojavet dhe problemavet jetike tue e veçue atë vetëm për adhurim ndaj Zotit në nji kohë dhe në nji vend të caktuem. Kjo gja, pa dyshim, asht pastrim i shpirtit e sidomos kur ky të jetë ngarkuë me ndoca vështirësina dhe dhimbje. Kaq, përsa i përket pjesës individuale. Porse duhet dijtë se ky adhurim ka edhe nji effekt a përshtypje përsa i përket shoqërisë – ja se si e kanë shprehë disa këtë thanëje: “Pelerinazhi do të mund t’u konsideronte i pari hap për të parën lidhje Islame në botë”.
Njerëzit, nga të gjitha kombet e fiset besnike, mblidhen në vendin e Ftesës së parë, ata janë krejt të pastër dhe pastruës, të larguëm nga armiqësitë, partitë politike dhe nga ndryshimet e kundërshtimet e tyre fetare. Këta munden me u takuë n’atë Shtresë Fetare për me u njohë njeni me tjetrin dhe për me mejtuë për Islamin, së pari, dhe për çdo gja tjetër, së dyti.
Dhe po të transmetohemi prej këtij lloji te nji lloj tjetër legjislasioni, gjejmë se ky lloji i fundit asht ai, qi rregullon punët e faktet shoqënore, në nji formë të veçantë: pengje, qirana, huana, tregëtië, krime, anmiqësina e të tjera. Ky legjislasion merret me veprime të veçanta që përmirësojnë e rregullojnë jetën e njerëzvet, që rregullojnë familjen, të gjitha këto janë gjendje shoqënore, mbi të cilat aplikohet legjislatura. Për këtë arësye shohim se legjislatorët e dijetarët Islamë nuk patën përdorë Fjalën El-Teshri por fjalën Fikh. Porse, duhet vemendje se fjala Fikh, për herën e parë, ishte e kufizueme dhe përdorohej vetëm për kuptimin e Librit dhe të Sunnetit. Dhe ja Hadithi, qi e vërteton thanëjen e ma sipërme. “Men Juridil-Lahu bihi h’ajren jufekkih-hu fi-ddijni”.
Juristët e ndajnë Fikhun në dy pjesë: pjesa e adhurimevet (Ibadát) dhe e veprimevet (muamelát). Me anë t’adhurimevet kanë për qëllim Lutjen (Salat), Agjënimin (Soum). Taksën (Zeqat) dhe Pelerinazhin (Haxhxh).
Sa për veprimet (Muamelat), këto përshijnë të gjitha llojnate ligjit: E Drejta Civile (Fikhi Medeni ose Kanuni Medeni), që përshin çdo ligjë që rregullon shitjet, blerjet, kontratat e tjera si këto. Mandej, gjejmë kanunin familjar, qi ka të bajë me rregullimin e Familjes, së trashëgimisë, zgjidhjes së Martesës (Talak), me vetë martesën dhe me shpenzimet e nevojshme në të gjitha rastet. Ky kanun ka marrëdhënëje me familjen gjer në fund, ku observohet edhe pikpamja e rregullimit të pasunisë familjare. Islami, me të vërtetë, ka folë për matrimoninë dhe për martesën, për shpenzimet (nefekatet), për dëshmitarët, për të gjitha ato shfaqëje, që janë në lidhje të ngushtë me familjen, me marrëdhanëjen në mes të gruasë dhe të burrit, me shpenzimet, me qefaretin çdo gja qi ofrohet për me shpëtuë prej mëkatit, me nivelin shoqëror. Kjo e drejtë asht ajo, qi quhet E drejta Familjare a personale.
Mandej, vjen legjislatura qi ka të bajë me krimet, e cila flet mbi dënimet (ûkûbat) dhe mbi dënimet e caktuëme (hudud) dhe se si ndahen këto nëpër krime të ndryshme, të mbëdha ose të vogla qofshin. Kjo e drejtë quhet E Drejta Penale (El Kanuni Xhinai).
Mandej, del në shesh nji ligjë tjetër i domosdoshëm, i cili tregon rregullimin e marrëdhanëjevet në mes të sunduësit dhe popullit të tij, që rregullon autoritetin, që çdo nëpunës duhet të ushtrojë kundrejt individëvet të nji krahine si edhe sasinë e assimilimit të këtyne individëvet me urdhënat mbretnore. Në një mënyrë të përgjithëshme kjo u quënte prej muslimanëvet E Drejta Publike (Nidhamul Kadai Vel-Idare).
Dhe, së fundi, Legjislatori Islam shfaqëte shpesh herë marrëdhënjet në mes të kombevet si dhe atë në mes të disa tufavet muslimane. Ata folën mbi rregullimín e këtyne marrëdhënëjevet. Ata ia shtojshin këtë pjesë legjislative, shpesh herë, pjesës së të Drejtës Publike. Por, kjo pjesë do t’u quante ma mirë E Drejta Internasionale.
Sadik Bega
[1] Botimi origjinal: KULTURA ISLAME, Viti I, Nr. 1, Shtator 1939, f. 15: Nr. 2, Tetor 1939, f. 58: Nr. 3, Nvntor 1939, f. 87: Nr. 7, Janar (Kallnor) 1940, f. 167 dhe Nr. 6-7, Shkur-Mars 1940, f. 237. Artikulli është ribotuar këtu si një tekst i vetëm, duke ruajtur përmbajtjen origjinale dhe duke hequr vetëm ndarjet teknike të botimit periodik.
[2] Implicite – mefhum: të konsideruëmit anën e kuptimit të fjalës, shkurt: i kuptuëm. Explicite – mentuk: e folun.
[3] Jurisprudenca (Fikhu) e Doktrinës (Medhheb) Hanefite, urdhë-non Eminenca e Tij Dr. Behxhet Shapati, Kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar, nuk i ka përmbledhur dhe radhuar ligjët dhe prandaj quhet një e metë kjo që duhet të përmirësohet, këtë përmirësim mund t’ a kryëjë vetëm një akademië. Ajo Akademi mbassi të ketë studjuë që të katër dok-trinat dhe gjetë se cila asht ma e përshtatëshme për kohën, kështu formon një doktrinë të përgjithëshme. Një veprim si ky ka nevojë për një dekret të dalë prej kompetentëvet. Ky ishte mendimi i qartë që Eminenca e Tij pati mirësinë me më dhanë.
[4] njohuni: – data (Ing.): – Maëlumat (Arabisht).
[5] i pa ditun: – illetre (Frengj.): Ummi (Arabisht).
[6] Beni Umejje.
[7] Vizita në Shtëpinë e Shënjtë: Haxhxh.
[8] Taksa: Zeqat.
[9] Detyrë: Ferida ; Obligation : Vaxhib.
[10] Plaçkat e mbetura prej luftës: ganaim.
[11] Fassdaë bima tuëmer waêriD ani-l-mushriqijne, Inna qefejnaqe-l-Mustehziijne.
[12] We Endhir ashireteqe-l-akrebijne waHfiD xhenaHaqe limen-ittebe-aqe mine-l-muëminijne Fe in assawqe fe kul inni berij-un mimma taëmelune.
[13] Tebbet jeda Ebi Lehebin we tebb, ma agna anhu maluhu we ma qeseb, sejassla naren dhate leheb, we mrretuhu Hammaletal-l-hatabi, fi xhijdiha hablun min mesed.
Përgatiti: Qendra për Hulumtime, Minber