Dr. Sadik Mehmeti
NJË VEPËR PËRFAQËSUESE MBI KONTRIBUTIN E DIJETARËVE SHQIPTARË NË SHKENCAT KURANORE
(Ferid Piku, Kontributi i autorëve shqiptarë në fushën e shkencave kuranore gjatë periudhës osmane, botoi: “Minber”, Tiranë, 2026, f. 235)
Kohët e fundit, ndryshe nga vitet dhe dekadat e mëhershme, studimet që lidhen me periudhën osmane ndër shqiptarë dhe me rolin e shqiptarëve brenda kësaj periudhe po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje shkencore dhe institucionale. Ky interesim i shtuar është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm, për faktin se shqiptarët në kuadër të Perandorisë Osmane nuk ishin thjesht spektatorë apo pjesëmarrës pasivë, por u përfshinë në mënyrë aktive në dinamikat politike, kulturore, arsimore dhe shkencore të kohës, duke u dalluar shpeshherë në këto fusha në një nivel të lartë.
Një dëshmi e qartë e këtij kontributi është edhe monografia e studiuesit dr. Ferid Piku, me titull “Kontributi i autorëve shqiptarë në fushën e shkencave kuranore gjatë periudhës osmane”, e cila paraqet një vepër me rëndësi të veçantë për historiografinë kulturore dhe fetare islame shqiptare. Për nga përmbajtja, kjo vepër ka karakter historiografik, kulturologjik dhe fetar, duke përfaqësuar një risi dhe një kontribut domethënës në studimet shqiptare.
Monografia është rezultat i një pune disavjeçare kërkimore, e mbështetur në hulumtime të thelluara në fonde të ndryshme arkivore dhe bibliotekare, si në Turqi ashtu edhe në vendet tona. Edhe pse tema e kësaj vepre ka qenë më herët objekt i një teze doktorature, kjo monografi nuk mund të konsiderohet vetëm si botim i një disertacioni. Përkundrazi, ajo përfaqëson një sintezë të dijes së fituar gjatë niveleve të ndryshme të formimit akademik të autorit, por edhe të përvojës së akumuluar nga studimi sistematik i trashëgimisë islame shqiptare për shumë vite.
Kjo e bën veprën në fjalë një projekt jetësor shkencor, i cili ndriçon kontributin kulturor dhe fetar islam të shqiptarëve përgjatë periudhës osmane. Autori arrin të paraqesë një panoramë të gjerë dhe të argumentuar mbi kontributin e autorëve shqiptarë në shkencat kuranore në këtë periudhë.
Në pjesën hyrëse, autori jep një pasqyrë të përgjithshme mbi institucionet arsimore islame në Ballkan, ku linden dhe u formuan dijetarët shqiptarë që më pas u shquan në fushat kuranore në qendrat e ndryshme të Perandorisë Osmane dhe të Botës Islame në përgjithësi. Këtu trajtohen medresetë, hierarkia e tyre në sistemin osman, si dhe roli arsimor dhe shkencor i xhamive dhe teqeve, të cilat, përveç funksionit fetar, shërbyen edhe si qendra të rëndësishme të transmetimit të dijes.
Struktura dhe metodologjia e veprës
Nga pikëpamja strukturore, monografia është ndërtuar me kujdes dhe koherencë, duke përfshirë kapituj që trajtojnë institucionet arsimore (f. 17-46), autorët e periudhës klasike osmane dhe veprat e tyre (47-100) dhe autorët e periudhës moderne dhe veprat e tyre (101-173), përfundimet (175-179), shtojcat dokumentare (179-189), faksimilet arkivore (189-215), si dhe një literaturë dhe burime arkivore jashtëzakonisht të pasura (215-229) dhe indeksi i emrave (230-235). Veçanërisht me vlerë, përveç rezultateve dhe përfundimeve shkencore, janë dokumentet dhe faksimilet e përfshira me referenca të bibliotekave dhe arkivave ku ruhen, të cilat e rrisin ndjeshëm peshën shkencore të veprës.
Autori dr. Ferid Piku, sikurse u tha, ndan autorët shqiptarë që kanë dhënë kontributin e tyre shkrimor në shkencat kuranore në dy periudha kryesore: periudhën klasike dhe atë moderne. Ky klasifikim metodologjik na duket mjaft i qëlluar, sepse ndihmon në kuptimin e zhvillimeve tematike, gjuhësore dhe metodologjike të veprave të shkruara në fushën e shkencave kuranore. Veprat e periudhës klasike janë kryesisht të bazuara në traditën e transmetimit (rivajetit), me theks në burime autoritative dhe në analiza gjuhësore, teologjike dhe logjike, ndërsa veprat e periudhës moderne shfaqin një qasje më fleksibile, duke reflektuar edhe sfidat shoqërore, fetare dhe kombëtare të kohës.
Në kuadër të periudhës klasike, autori veçon një sërë figurash dhe veprash që përfaqësojnë këtë traditë të dijetarëve me punime në fushën e shkencave kuranore, tefsirit, texhvidit etj. Ndër ta përmenden: Sadriazami Lutfî Pashë Shkodra, Mevlana Fevri Durrësi, Ymer Fani efendi Dibra, Altiparmak Mehmed efendi Shkupi, Mustafa Zihni efendi Shkupi, Qyprili Numan Pasha, Qyprili Esat Pasha dhe Qyprili Abdullah Pasha nga familja e famshme e pashallarëve të Roshnikut të Beratit, Mahmud Sylejman efendi Prizreni, Haxhi Ibrahim Sidki efendi Shkodra, Tahir Efendi Gjakova dhe Ali Mustafë efendi Elbasani. Këta autorë, me veprat e tyre, dëshmojnë për një traditë të konsoliduar të studimeve kuranore në hapësirën shqiptare gjatë periudhës klasike, e cila, sikurse u tha, mbështetet fuqishëm në autoritetin e burimeve dhe në metodologjinë tradicionale të interpretimit.
Ndërsa në kuadër të periudhës moderne, autori paraqet një panoramë shumë më të gjerë dhe më të strukturuar të autorëve dhe veprave të tyre, duke reflektuar një zhvillim më dinamik dhe tematikisht më të larmishëm të studimeve kuranore. Në këtë periudhë përfshihen figura të shumta si: Abdurrahim Fedâi efendi Prizreni, Haxhi Iljaz efendi Prishtina, Haxhi Ymer Lutfi efendi Janina, Ali Murteza b. Hasan Efendi Elbasani, Abdulkerim efendi Dibra, Hafiz Refi efendi Janina, Abedin Pashë Dino Preveza, Hafiz Ferid efendi Shkupi, Vildan efendi (Dibra), Ymer Lutfi Paçarizi -Prizreni, Vehbi efendi Agolli-Dibra, Jusuf Faik Ismail efendi Shkodra, Sabit Numan efendi Arnauti (Ferizaj), Hafiz Ibrahim Dalliu (Tirana), Husrev Arnaut efendi Struga, Hafiz Ismet Dibra dhe Hafiz Ali Korça.
Veprimtaria e këtyre autorëve përfshin një gamë të gjerë shkrimesh, duke nisur nga komentet e pjesshme të sureve të caktuara, trajtesa mbi parimet e tefsirit (usûl et-tefsîr), punime në fushën e texhvidit (artit të leximit dhe këndimit të Kuranit), deri te reflektime mbi raportin ndërmjet Kuranit dhe shkencës, si dhe çështje të besimit dhe të reformës fetare. Veprat e kësaj periudhe dëshmojnë për një qasje më të shumanshme dhe shpeshherë më të pavarur metodologjikisht ndaj tekstit kuranor. Po ashtu, siç vëren autori i monografisë, kjo periudhë karakterizohet nga një hapje më e madhe ndaj sfidave intelektuale të kohës, ku autorët nuk kufizohen vetëm në transmetimin e traditës, por angazhohen edhe në interpretim, aktualizim dhe dialog me zhvillimet bashkëkohore, duke e bërë kështu studimin e shkencave kuranore më funksional në raport me realitetin shoqëror dhe kulturor të komunitetit.
Kontributi dhe gjeografia e autorëve shqiptarë
Një nga kontributet më të rëndësishme të kësaj monografie është fakti se ajo nxjerr në dritë autorë dhe vepra që deri më tani kanë qenë pak ose aspak të njohura për opinionin shkencor shqiptar. Autori dëshmon se shumica e komentuesve të Kuranit të marrë në shqyrtim në këtë vepër janë formuar brenda sistemit të medreseve tradicionale osmane qoftë në vendet e tyre të origjinës dhe qoftë në qendra të tjera të perandorisë, por njëkohësisht vëren se disa prej tyre kanë dalë edhe nga institucione të tjera arsimore, si shkollat Enderun (shkollat e pallatit sulltanor), duke pasuruar kështu mozaikun e formimit intelektual të dijetarëve shqiptarë.
Po ashtu, studimi tregon se qendrat urbane si Prizreni, Prishtina, Shkupi, Janina, Shkodra, Dibra, Manastiri, Elbasani, Gjakova, Tirana etj. kanë qenë vatra të rëndësishme të veprimtarisë shkencore islame. Kjo dëshmon për një shpërndarje gjeografike të pabarabartë, por intensive, të dijes dhe të prodhimit shkencor.
Një aspekt tjetër me rëndësi është analiza e gjuhës së veprave. Autori vëren se veprat e periudhës klasike janë kryesisht të shkruara në arabisht dhe osmanisht, ndërsa në periudhën moderne shfaqen edhe vepra në shqip, fillimisht me alfabet arabo-osman dhe më pas me alfabet latin. Këto zhvillime lidhen ngushtë me proceset e zgjimit kombëtar dhe me përpjekjet për ta bërë dijen fetare më të qasshme për masën e gjerë.
Me rëndësi të veçantë është edhe Shtojca me titull “Hoxhallarë me origjinë shqiptare që kanë marrë pjesë në kuvendet Huzȗr Dersleri”, të cilën autori i monografisë e ka përfshirë në fund të studimit. Në këtë shtojcë paraqitet një listë e dijetarëve shqiptarë (gjithsej 39 dijetarë), që kanë marrë pjesë në këto kuvende të njohura shkencore, duke mbajtur ligjërata në praninë e Sulltanit dhe divanit të tij. Përfshirja e tyre në këtë nivel të lartë të diskutimeve teologjike dëshmon për autoritetin e tyre shkencor dhe për integrimin e dijetarëve shqiptarë në elitën intelektuale perandorake dhe kontributin e tyre në debatet e rëndësishme teologjike të kohës.
Vlera referenciale dhe nxitja për kërkime të reja
Në përfundim, studimi “Kontributi i autorëve shqiptarë në fushën e shkencave kuranore gjatë periudhës osmane”, i dr. Ferid Pikut ofron një panoramë të gjerë dhe të argumentuar mbi kontributin e dijetarëve shqiptarë në fushën e shkencave kuranore në përgjithësi, të tefsirit e të texhvidit në veçanti. Edhe pse autori është i vetëdijshëm se një studim i tillë nuk mund të jetë përfundimtar dhe se shumë autorë ende presin trajtim të veçantë, vepra e tij përbën një bazë të fortë për studime të mëtejshme.
Në përgjithësi, kjo monografi është një kontribut i çmuar për historinë e shkencave kuranore – islame, si dhe për historinë e kulturës shqiptare në përgjithësi.
Me bazën e gjerë burimore, me qasjen metodologjike të qëndrueshme dhe me shtjellimin e qartë logjik, vepra e dr. Ferid Pikut mbetet një pikë referimi e domosdoshme për studiuesit e këtyre fushave dhe një nxitje e fuqishme për kërkime të reja shkencore.