Nga Prof. dr. Bayram Ali ÇETİNKAYA
Njeriu është qenia që përbën vetë subjektin e botës së vërtetë. Me gjithë pikëpyetjet dhe dyshimet e engjëjve, qenia e lartë së cilës Krijuesi i dha jetë është pikërisht njeriu i nderuar. Biri i Ademit (a.s.) është e vetmja qenie e pajisur me arsye, e cila u bë e pranishme në univers përmes vullnetit dhe zgjedhjes së saj në boshtin midis së mirës dhe së keqes, së dobishmes dhe së ligës. Përvojat metafizike që kaluan banorët e xhenetit: Ademi (a.s.) dhe bashkëshortja e tij, Hava (a.s.) kanë përcaktuar shkallët e përsosmërisë shpirtërore të njerëzimit.
Historiku i njerëzimit mban në gjirin e vet si shembujt më rrezatues, ashtu edhe ata më të errët të bashkëpunimit, bashkëndarjes dhe solidaritetit. Virtytet e profetëve janë shndërruar në modele reference për mbarë njerëzimin. Drejtësia e profetit Sulejman, shpirti i drejtë dhe parimor i profetit Jusuf, si dhe ndërgjegjja e mëshira e profetit Muhamed (a.s.) kanë qenë dhe mbeten monumentet më të larta të moralit për njerëzimin.
Vështrimi plot dashuri i profetit Isa, respekti dhe nderimi i profetit Zekeria u shndërruan në simbole të tolerancës dhe paqes. Ndërkaq, fryma e sakrificës dhe e vetëmohimit mund të lexohet qartë në sprovat dhe përvojat jetësore të profetit Nuh dhe profetit Musa.
Njeriu i mirë është mik, shok dhe dritë besnike udhëzuese. Altruizmi dhe bujaria janë tipare të qenies së dobishme dhe fisnike. Ai njeri që u qaset ngjarjeve dhe individëve me tolerancë e mirëkuptim, prek majat më të larta të mirësisë dhe të mbarësisë njerëzore.
Njeriu i mirë është mbrojtësi dhe kujdestari si i llojit të vet, ashtu edhe i mbarë botës së qenieve të gjalla e të pajeta. Njeriu me virtyt është mbrojtësi dhe ruajtësi i botës materiale, bimore dhe shtazore. Kjo ndodh sepse për të, për hir të Krijuesit, të gjitha qeniet e gjalla, e madje edhe ato të pajeta, janë të denja për dashuri dhe respekt. Larg përgojimit, i pozicionuar në stacionin e falënderimit e të mirënjohjes, njeriu i mirë dhe me virtyt është vetë mishërimi i ndërgjegjes dhe i durimit. Njeriu i mirë është kryefjala e veprimeve fisnike dhe plot respekt. Eleganca dhe mirësjellja, me të gjitha cilësitë e tyre, janë petku që vesh njeriun e mirë.
Njeriu i virtytshëm, që e shfaq praninë e tij përmes petkut të moralit, është njohës i madhështisë shpirtërore dhe i së vërtetës absolute; ai është i pastruar nga çdo ndotje materiale e shpirtërore dhe ka dritësuar shpirtin e tij. Ai është autor i veprimeve serioze dhe plot urtësi. Prej tij nuk mund të burojë as humbja e rrugës dhe as tradhtia. Ai i ikën humbjes që sjell gënjeshtra ashtu siç do t’u ikte kafshëve të egra; ndërsa pas së lejuarës dhe së pastrës (hallallit) shkon me magjepsje, njëjtë si fluturat e natës që hidhen drejt dritës.
Përmes vlerës së dinjitetit, ai e përmbush plotësisht dhe me meritë detyrën e tij në rregullin e jetës. Njeriu i mirë, i cili nuk e shpërdoron as kohën dhe as pasurinë, i shndërron vijat ndarëse midis së vërtetës e besimeve të kota, midis së ndaluarës dhe së lejuarës në një filozofi jetese. Për këtë arsye ai është i moralshëm; ashtu siç i qëndron larg mendjemadhësisë së djallit, ai i rri larg edhe epshit të egos e të kënaqësive kalimtare. Njeriu me virtyt, i cili ruhet nga fatkeqësia e egoizmit, e vlerëson Zotin, natyrën dhe universin si shenja të së vërtetës supreme dhe beson fort në to.
Të metat, mangësitë dhe dobësitë nuk gjejnë vend në regjistrin e njeriut të mirë. Libri i tij është libri i së Vërtetës Absolute, Fjala e Amshuar. Domethënë, ai është i vetmi libër i vërtetë i botës së ekzistencës. Njeriu me virtyt është mishërim i moralit; ai nuk bëhet mendjemadh dhe e di se e vetmja qenie më e lartë është Zoti i Madhërishëm, duke mos pranuar askënd tjetër si të adhuruar.
Duke e rrahur dhe thërrmuar veten në mullirin e hiçit, ai nuk mbetet i shtrënguar në derën e egoizmit. Ai e mediton qenien e tij dhe mbarë universin si krijesa të sjella në jetë nga asgjëja prej Krijuesit. Ai i mbulon të metat, i fsheh mangësitë, nuk i sheh dobësitë dhe nuk i shpërfaq gabimet e të tjerëve. Kjo, sepse qëllimi dhe synimi i tij i vetëm është ftimi i pëlqimit hyjnor. Arritja në stacionin e kënaqësisë së ndërsjellë, ku Zoti është i kënaqur me të dhe ai është i kënaqur me Zotin, është vetë busulla e këtij udhëtimi. Shkëlqimi dhe dritat mashtruese të rruzullit tokësor nuk kanë asnjë ndikim mbi të. Pëlqimi i Zotit qëndron para çdo dëshire dhe epshi të rremë e kalimtar.
Njeriu me virtyt është njeriu i arsyes dhe i logjikës. Ai është bashkëbiseduesi i drejtpërdrejtë i thirrjes hyjnore: “A nuk arsyetoni?” Urdhri i Krijuesit për të vënë në punë mendjen, për të besuar e për të kryer vepra të mira e të dobishme përmes këtij besimi përbën një dekret hyjnor për njeriun e urtë të kohëve moderne.
Besimi tek e padukshmja dhe e fshehta (gajbi) e udhëheq njeriun me virtyt drejt adhurimit dhe përkushtimit. Duke shpërndarë atë që i është dhënë, e madje edhe ato gjëra për të cilat ka vetë nevojë; përmes parimit të altruizmit, ai flijon dhe shpenzon për të mirën e të tjerëve gjithçka që egoja dhe kënaqësia materiale i mbajnë për të shenjta. Njeriu me virtyt, i cili ndan me të tjerët atë që i Vërteti Absolut i ka dhuruar, beson me një bindje të palëkundur te bota tjetër. Ky besim garanton mbrojtjen dhe mirëpërdorimin e gjithçkaje që i është besuar si amanet në këtë jetë.
Përmes kërkimit të ekuilibrit përballë tërbimit të shpërdorimit dhe lakmisë së koprracisë, njeriu me virtyt është kandidat i natyrshëm për t’u bërë banor i gjithësisë së arsyes dhe maturisë.
Përballë së keqes, mëkatit dhe padrejtësisë, njeriu me virtyt kërkon falje përmes mëshirës së Mëshirëplotit. Ai pret të falet në limanin e mëshirës së Falësit Absolut. Ai beson fort se shpëtimi absolut realizohet përmes dhuntisë së një besimi të pastruar nga çdo dyshim apo pikëpyetje. Për të arritur shpëtimin e plotë dhe paqen e brendshme, është e domosdoshme të përjetohet maja e përkushtimit shpirtëror nën flamurin e paqes.
Çdo veprim i pakuptimtë dhe i padobishëm përbën një akt prej të cilit njeriu me virtyt duhet patjetër të qëndrojë larg. Njeriu që dëgjon zërin e nevojtarit, duke shpërndarë e duke ndarë me të atë që ka, pret të pastrohet në oqeanin e dëlirësisë dhe të maturisë. Ai shpëlan çdo ndotje, pastrohet dhe nis lartësimin e tij përmes shpirtit.
Besimi i palëkundur tek të vërtetat e dukshme dhe të padukshme i hap njeriut portat e kësaj bote dhe të botës tjetër. Zoti, engjëjt dhe Dita e Gjykimit janë vetë dëshmitë e këtij besimi. Sakrifikimi i pasurisë për hir të Zotit bën që të konsolidohet dhe të marrë kuptim përkatësia e të mirave që zotërohen. Për njeriun me virtyt, të qenët i vërtetë në fjalë dhe, nga ana tjetër, zotërimi i një hapësire të gjerë besnikërie janë garancia e gjithçkaje që i lihet si amanet.
Falja e rregullt e namazit dhe dhënia e plotë e zekatit shërbejnë si matës të sedrës dhe të dëlirësisë për njeriun që lidhet tek e Vërteta. Ata që kryejnë vepra të dobishme me frymën e tolerancës, ndihmojnë në përhapjen e së mirës dhe në ndalimin e së keqes.
Përgojimi, thashethemet dhe shpifja nuk gjejnë kurrë vend si tema diskutimi në axhendën e njeriut me virtyt. Ai nuk vret askënd pa të drejtë, nuk dëmton dhe nuk ushtron dhunë apo padrejtësi. Ai e di mirë se “të vrasësh një njeri është si të kesh vrarë mbarë njerëzimin”. Po ashtu, atij i është bërë e qartë se “të shpëtosh në jetë një njeri është si të kesh shpëtuar mbarë njerëzimin”. Parimet hyjnore janë tabelat orientuese në udhëtimin e njeriut me virtyt. Ndërkaq, parimet fisnike profetike janë ato që do të bëjnë të mundur ndërtimin e një shoqërie të lumturisë dhe të harmonisë.
Njerëzit, siç ka thënë edhe Profeti i Fundit (a.s.), janë si mineralet. Nëse ata që në zanafillë mbartin në vete arin e mirësisë, mbeten përherë në atë gjendje fisnike. I krijuar nga brumi i tokës, biri i Ademit e di se të qenët “i përulur si toka” është një domosdoshmëri e cila buron nga vetë thelbi i tij. Në këtë mënyrë, ai arrin të njohë dhe të kuptojë vetveten, e përmes kësaj, njeh dhe kupton Zotin e tij. Njohja e të metave dhe e dobësive të veta, si dhe përpjekja për t’i përmirësuar ato shërbejnë si një mundësi që njeriu me virtyt të piqet në rrugën e përsosmërisë shpirtërore.
Bijtë e Ademit nuk ngurruan të pranonin amanetin, të cilin qiejt, toka dhe malet e refuzuan. Ky amanet është një përgjegjësi e rëndë; ai mbart me vete mirësitë, por njëkohësisht edhe rreziqet e padrejtësisë dhe të padijes. Shpëtimi dhe pastrimi i egos nga të ligat është i mundur vetëm përmes kërkimit dhe dëshirimit të së mirës e mbarësisë.
Nxitimi është një gjendje negative që ka pushtuar qenien njerëzore. Po ashtu, mosmirënjohja, e cila na bëhet e ditur edhe përmes Shpalljes së Shenjtë, është një nga cilësitë më të dëmshme për njeriun. Shndërrimi i kënaqësive kalimtare në idhuj dhe skllavërimi ndaj tyre bie tërësisht në kundërshtim me parimet e botës së të vërtetave absolute. Dëshpërimi, harresa, kryelartësia dhe mohimi janë tipare djallëzore, të cilat e çojnë njeriun drejt mohimit të vetvetes.
Njeriu, i cili u krijua në formën më të përsosur, nëse nuk ia di vlerën kësaj mirësie të lartë, pëson një rënie metafizike duke u rrokullisur në humnerat më të thella të degradimit, si pasojë e rebelimit ndaj natyrës së tij zanafillore. Përfshirja me nxitim nëpër debate dhe konflikte shndërrohet në një burim dobësie për qenien njerëzore. Përballë të metave dhe dështimeve janë pikërisht veprat e mira dhe me virtyt ato që e lartësojnë njeriun. Përkulja në shenjë respekti dhe bindjeje përpara Ademit (a.s.), në të vërtetë, tregon shpërfaqjen dhe jetësimin e veprimeve të përsosura njerëzore.
Përkundrejt djallit, i cili, duke shenjtëruar “zjarrin”, e lartësoi veten në humnerën e kryelartësisë, Ademi i krijuar nga toka u privua nga krahët e përulësisë sapo shijoi “frutin e pemës së ndaluar”, ashtu siç u ishte tërhequr vëmendja. Përgjigjja pohuese e dhënë ndaj thirrjes hyjnore të Mëshirëplotit: “A nuk jam Unë Zoti juaj?”, rrezon dhe shfuqizon çdo arsyetim apo pretekst të mëvonshëm.
Lartësimi i verbër i fesë së të parëve dhe harresa e premtimeve të dhëna nuk janë tipare të Njeriut Dinjitoz. Kalimi nga ndotja e idhujtarisë dhe e mohimit drejt të vërtetave të besimit do të thotë të kujtosh e të mos e harrosh asnjëherë besën e lidhur me Zotin.
Shndërrimi i “baltës së tharë e të papjekur dhe i llumit të zi e të formësuar” në qenie njerëzore është dëshmi e fuqisë absolute të së Vërtetës Supreme. Shpallja e Shenjtë e udhëzon njeriun drejt rrugës më të drejtë, më të qëndrueshme dhe më të sigurt, duke e orientuar drejt së vërtetës dhe mirësisë. Në të gjenden sihariqe të gëzueshme dhe shpërblime të mëdha e të pafundme për ata që besojnë dhe i përmbahen udhëzimit të saj.
Burimi i mohimit dhe i idhujtarisë duhet kërkuar te rebelimi i djallit ndaj urdhrit të Krijuesit. Pasi kërkoi afat dhe leje, djalli përdor çdo rrugë e mënyrë që njeriu me virtyt, të arrijë deri në mohimin e vetvetes. Kjo përpjekje midis besimit dhe mohimit do të mbetet deri në Ditën e Gjykimit si një varg shkallësh drejt së vërtetës për mbarë njerëzimin.
Përballë të vërtetave, njeriu shfaq prirje të natyrshme drejt konfliktit dhe debatit. Pëshpëritjet e egos, të djallit dhe të epshit shkrijnë kufijtë mes reales dhe iluzionit. E vërteta dhe e kota ngatërrohen me njëra-tjetrën, krizat e dyshimit rishfaqen me vrull, peshorja e drejtë prishet dhe ekuilibri humbet. Si rrjedhojë e kësaj, aftësia e gjykimit humbet tërësisht. Ajo që është e arsyeshme ngatërrohet me të paarsyeshmen. Në një mjedis të tillë, në fund të fundit, njeriu del i humbur, pëson dëm të madh dhe i bën padrejtësi vetvetes.
Kujtesa dhe meditimi i thellë shpirtëror mbyllin portat e mendjemadhësisë dhe të kryelartësisë ndaj Zotit. Mirënjohja për mirësitë, si dhe bujaria e dhuntitë e Krijuesit mund të ndihen vetëm përmes urtësisë së një zemre që mendon. Duke u çliruar nga gjendja e dëshpërimit dhe e pashpresës, demonstrohet sihariqi i madh i Kuranit fisnik dhe i Profetit të nderuar, për të cilin Zoti kishte lajmëruar që në Ungjill.
Natyra e pastër zanafillore (fitra) dhe karakteri të shpien drejt boshtit të të vërtetës absolute. Megjithatë, një arsye e privuar nga mesazhi hyjnor mbetet e pafuqishme dhe e brishtë për të qëlluar në shenjë realitetin e vërtetë. Vetëm mendja dhe zemra, të ndriçuara nga drita hyjnore e shpalljes, mund ta përcaktojnë saktë rrotën e palëkundur të orientimit jetësor.
Njeriu i gjallëruar me anë të së vërtetës, kur plotëson kalendarin e caktuar të ekzistencës së tij, përfiton nga dija e pafundme e Zotit. Arsyeja dhe zemra, të ndriçuara nga kandili i njohjes shpirtërore të Krijuesit, nuk do t’i zgjedhin kurrë shtigjet e humbura dhe të kota të devijimit. Kjo njohje e thellë është vetë mjeti për të mbërritur tek e Vërteta Absolute. Udhët e bashkuara përmes saj të shpien drejt rrugës së drejtë dhe të palëkundur. Profetët, dëshmorët e rënë për besimin, njerëzit e mirë dhe shoqëruesit besnikë të të sinqertëve, mbi të cilët janë derdhur mirësitë hyjnore, janë vetë njerëzit e së vërtetës.
Konflikti dhe debati burojnë nga injorimi dhe mosdëshira për të parë të vërtetat. Shpallja e Shenjtë ka shpjeguar dhe ka lartësuar stilin dhe qëndrimet e njeriut me virtyt. Megjithatë, qenia njerëzore është mjaft e dhënë pas konflikteve dhe debateve përballë së vërtetës absolute. Krijuesi i ka sjellë në jetë qiejt, tokën dhe mbarë botën e ekzistencës mbi bazën e një qëllimi, një urtësie dhe një ligji të caktuar. Ai e ka krijuar në formën më të përsosur botën dhe gjithësinë, ku e ka caktuar njeriun si mëkëmbës të Tij. Një botë më e bukur se kjo ekzistuese nuk është e mundur të konceptohet. Njeriu është vetë mëkëmbësi i këtij universi.
Prirja e njeriut për t’u nxituar është shprehje e natyrës së tij të paduruar dhe e lakmisë që e shoqëron. Krijuesi i ka sjellë atij shembuj nga më të ndryshmit, që të marrë mësim dhe të udhëzohet. Amaneti është një përgjegjësi e rëndë, por Allahu dëshiron t’ia lehtësojë barrën njeriut, sepse ai është krijuar i brishtë dhe i dobët. Megjithatë, kjo dobësi nuk duhet ta çojë kurrë njeriun në dëshpërim apo në humbjen e shpresës.
Dëshpërimi dhe humbja e shpresës bëhen shkak për shfaqjen e padrejtësisë dhe të padijes te njeriu. Shpresa do të thotë të mos e harrosh asnjëherë të Vërtetin Absolut. Do të thotë ta bësh Mëshirëplotin mbështetës e ndihmëtar dhe të jesh i kënaqur me Atë. Njeriu i nxitueshëm dhe lakmitar, i mashtruar nga gjërat që zotëron, mund të guxojë të pretendojë hyjninë. Njeriu duhet të jetë i mjaftueshëm dhe të dijë se ai vetë nuk është pronari i vërtetë i të mirave që ka në dorë. Ndarja me të tjerët dhe kursimi i matur vetëm sa e shton dhe e rrit pasurinë. Për këtë arsye, njeriu nuk duhet të harrojë kurrë të drejtën e të varfërve dhe të mos lejojë që të mbytet në rrethin vicioz të koprracisë.
Kënaqësia djallëzore që buron nga dyshimi dhe konflikti nuk duhet ta shtyjë asnjëherë njeriun drejt harresës. Në të kundërt, ai do të mbytet në të njëjtën vorbull gabimi ku ra Ademi (a.s.). Pëshpëritja e tundimit për “përjetësi”, të cilën djalli ia nguliti në mendje, bëhet shkak për harresën. Harresa e Ademit në xhenet nuk mund të shihet e ndarë nga xhelozia e birit të tij, Kabilit, e cila u përjetua më pas mbi tokë. Sepse, dhënia pas botës, pas kënaqësive kalimtare dhe pas egos e zhyt njeriun në kënetën e mendjemadhësisë; kësisoj, kryelartësia sjell me vete mashtrimin e vetvetes. Të qenët i mashtruar mund të bëhet shkak edhe për mashtrimin e të tjerëve. Megjithatë, nuk duhet harruar se mashtrimi është vetë helmi i ndjenjës së besimit; ai e bën njeriun shënjestër të zemërimit dhe të paralajmërimeve hyjnore. Sjelljet hipokrite dhe të paduruara nxjerrin në dritë situata dhe ndjenja pesimiste, duke u bërë në fund të fundit shkak për lindjen e cilësive dhe varësive obsesive.
Ata që shfaqin cilësi të devijuara, mbartin me vete edhe tiparet e egoizmit. Egoizmi nxit sjelljet e ashpra dhe arrogante. Në të njëjtën kohë, mllefi dhe urrejtja e orientojnë njeriun drejt hakmarrjes. Urrejtja shpërndan helm si një njollë e zezë në brendësinë e njeriut, ndërsa ndjenja e hakmarrjes e ushqen dhe e fuqizon atë. Kjo ndjenjë e bën njeriun agresiv dhe i rrënjos një qëndrim kokëfortë. Në një gjendje të tillë, pasionet e mbramta e marrin plotësisht nën kontroll qenien njerëzore. Nëse ky pasion shpërfaqet në një formë të ngurtë dhe kryeneçe, ai hap rrugën drejt lakmisë së pangopur, ku mendjemadhësia dhe frika i vijnë gjithashtu në ndihmë.
Në fund të fundit, prej këtej gjen shtrat një shëmbëlltyrë e tillë njeriu, saqë ky individ shndërrohet në autorin e sjelljeve me natyrë mashtruese, të pasjellshme dhe të ashpra. Kështu, njeriu mbetet vetëm me mohimin e vetvetes. Vlerat, besimi, e shenjta dhe transhendentja zbehen dhe avullojnë aty. Atëherë, bëhet e pashmangshme klima sterile pa reshje dhe me gjeografi të shkretë. Siç thonë edhe të urtët, vendet ku sundon e vërteta, njohja shpirtërore, rrugëtimi mistik dhe ligji hyjnor janë përherë të begata dhe pjellore.
Nga Prof. dr. Bayram Ali ÇETİNKAYA
Universiteti i Stambollit
Përktheu: Qendra për Hulumtime, Minber