Një nga çështjet më pak të njohura në historinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar gjatë periudhës së konsolidimit institucional fetar, lidhet me përpjekjet për të kufizuar hyrjen në Shqipëri të hafizëve, hoxhallarëve dhe personave të tjerë fetarë nga Turqia, Egjipti, Hixhazi dhe vende të tjera islame. Dokumentacioni arkivor i viteve 1934 – 1935 dëshmon se kjo nismë nuk lindi si rezultat i një konflikti doktrinar, përplasje sektare apo një qëndrimi kundër autoriteteve fetare, por si pjesë e një politike të ndërthurur ndërmjet interesit ekonomik kombëtar dhe konsolidimit të administrimit të jetës fetare brenda shtetit shqiptar. Gjithashtu, nga dokumentacioni i konsultuar kuptohet se personat që vinin nuk kishin probleme komunikimi, pra nuk vihej në dukje se ata flisnin arabisht apo turqisht, gjë që vështirësonte komunikimin e tyre me popullin ku prezantonin. Kjo na jep të kuptojmë se shumica e këtyre hoxhallarëve dhe hafizave që vinin kryesisht nga Turqia por edhe nga vendet e tjera islame, më së shumti ishin individë me origjinë shqiptare, pasardhës të familjeve shqiptare që kishin jetuar dhe vepruar në ato vende gjate Perandorisë Osmane. Gjithashtu shënohen edhe raste të kryerjes së haxhit (bedel) nga persona që jetonin atje për shtetas shqiptar. Kjo korrespondencë zyrtare e viteve 34 – 35 ndërmjet Kryesisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme (ku shfaqet edhe emri i Ekrem Vlorës) përbën një dokument me interes të lartë historik, institucional dhe social për periudhën e Mbretërisë Shqiptare.
Dinamika e Korrespondencës sipas dokumenteve arkivore.[1]
- Më 17/10/1934, Kryetari i KMSH (B. Shapati) i kërkon Min. së Drejtësisë bllokimin e vizave për klerikët fetarë të huaj.
- Më 23/10/1934 e Drejtësisë, dërgon një letër koncept Min. Pun. të Jashtme duke i spjeguar kërkesën dhe kërkon të dërgojë qarkore nëpër konsullata.
- Më 11/2/1935 KMSH, ankohet pranë Min. së Drejtësisë se udhëzimi nuk po zbatohet dhe kërkon të bëhët përjashtim vetëm për Haxhi Ahmet Beqirin (nga Meka).
- Më 27/2/1935 Min. e Jashtme (E. Vlora) i dërgon shkresë Min. së Drejtësisë, ku ngre problemin praktiko-diplomatik (Konsullata e Aleksandrisë thotë se ata aplikojnë si tregtarë) dhe se nuk mund të bëjnë dallime.
- Më 04/3/1935 KMSH i shkruan Min. e Drejtësisë se “Shteti duhet t’i gjejë mekanizmat e kontrollit dhe jo ne”.
- Më 12/3/1935 Min. e Jashtme vë në dijeni Min. e Drejtësisë për procedurat dhe se refuzon edhe përjashtimin për Haxhi Ahmet Beqirin (zbatatimi i qarkores bëhet kategorik, ndërsa dokumentet t’i dërgojë me postë).
Sipas dinamikës së ngjarjes, më 17 tetor 1934, Kryesia e Komunitetit Mysliman iu drejtua Ministrisë së Drejtësisë me një kërkesë zyrtare, ku theksonte se çdo vit, sidomos gjatë muajit të Ramazanit, në Shqipëri vinin persona nga Turqia dhe vende të tjera islame me qëllim përfitimi ekonomik.
Kryesia e Komunitetit Mysliman / Tiranë më 17/X/34.[2]
Ministrisë së Drejtësisë Tiranë
Kemi nderin me njoftue atë P.T. Ministri se, për çdo vjetë, me qëllime fitimi, po vijnë nga Turkija e tjera vende, disa njerës si Hafiza etj. vetëm në muajin e Madhnueshëm të Ramazanit; dhe mbasi marrin një shumë të hollash, kthehen nëpër vendet e tyne. Tue marrë parasysh se vendi ynë nuk ka nevojë për të tillë njerës; dhe aq ma tepër në nji kohë qi populli vuan ekonomikisht, nuk na duket aspak e arsyshme qi për dam t’ekonomisë Kombëtare të mbushim xhepat e të huejve me djersën e popullit shqiptar, qi nëpër vendet e tyne nuk i rezervohet shqiptarit asnji e drejtë sa do e vogël jetese, lutemi me demarshue pranë P.T. Ministrisë së P.të Jashtme qi t’urdhnojë kjo të gjithë përfaqësitë e Mbretnisë përjashta, për mos me ju ba të tillë njerësve asnji vizë pasaporte për me ardhë në Shqipni.
Lutemi përfundimi të na njoftohet.
Kryetari i Komunitetit Mysliman: Bexhet Shapati (firma/vula)
Sipas argumentimit të Komunitetit Mysliman, këta hafizë dhe predikues qëndronin vetëm për një periudhë të shkurtër, mblidhnin të ardhura nga besimtarët shqiptarë dhe më pas largoheshin nga vendi. Sipas tyre, në kushtet e krizës ekonomike që po kalonte Shqipëria gjatë viteve tridhjetë, kjo praktikë konsiderohej e dëmshme për ekonominë kombëtare, pasi një pjesë e të ardhurave të besimtarëve transferohej jashtë vendit. Aspekt tjetër i refuzimit nga ana e Komunitetit Musliman ishte se në vendet nga ata vinin, shqiptarëve nuk iu rezervoheshin të drejtat e tyre. Edhe në kuadër të organizimit të kuadrove, Komuniteti Mysliman argumentonte se Shqipëria dispononte tashmë personel të mjaftueshëm fetar dhe se nuk ekzistonte ndonjë nevojë reale për angazhimin e hoxhallarvë dhe hafizlerëve të huaj. Për këtë arsye kërkohej që Ministria e Drejtësisë të ndërmjetësonte pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, në mënyrë që legatat dhe konsullatat shqiptare të mos lëshonin viza për persona që synonin të hynin në Shqipëri për të ushtruar veprimtari të tilla.
Ministria e Drejtësisë e pranoi kërkesën dhe menjëherë ia përcolli Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke i kërkuar kësaj të fundit të udhëzonte përfaqësitë diplomatike shqiptare jashtë vendit që të refuzonin vizimin e pasaportave për këta persona.
Letër Koncept Tiranë më 23/X/34.[3]
Mbretnija Shqiptare/ Ministria e Drejtësisë nr. 132/R
Landa : P. T. Ministrisë së P.të Jashtme / Këtu
Kemi nderin me ju paraqitë kopjen e shkresës Nr. 25 res., datë 17/X/1934 të Kryesisë së Komunitetit Mysliman me të cilën bahet fjalë se për ç’do vjetë, me qëllim fitimi, po vinë nga Turqija e vende tjera, disa persona si Hafiza etj., të cilët mbasi qëndrojnë ndër ne vetëm në muejin e Ramazanit, kthehen rishtas ndër vende të veta, me lutje që tue marrë parasyshë sa bahet fjalë në shkresën e Kryesisë së Komunitetit të keni mirësinë me porositë me shpejti të gjitha Konsullatat t’ona, që njerzve të tillë mos t’ju vizojnë pasaportat.
Përfundimi lutemi të na njoftohet. / Ministri (firma)
Megjithatë, disa muaj më vonë, Komuniteti Mysliman konstatoi se masa nuk po zbatohej në praktikë. Në shkresën e 11 shkurtit 1935 ai i rikujtoi Ministrisë së Drejtësisë se klerikë fetarë të huaj vazhdonin të hynin në Shqipëri, duke kërkuar përsëri ndërhyrjen e autoriteteve shtetërore. Në të njëjtën kohë, Komuniteti kërkoi një përjashtim të vetëm, lejimin e hyrjes së Haxhi Ahmet Beqirit nga Mekka, i cili ishte ngarkuar të sillte dokumentacionin që vërtetonte kryerjen e haxhit në emër të një besimtari nga Tirana.
Kryesia e Komunitetit Mysliman Tiranë më 11/2/35.[4]
Landa: P. T. Ministrisë së Drejtësisë, Tiranë
Me gjithë se me shkresën e këtushme Nr. 25 res., d. 17/X/1934 kemi pas propozue mos viztimin e pasaportave të fetarëve të viseve të huaja, prapë kemi pa se nuk asht marrë si duket asnji masë ndaluese për ta, pse po vijnë shpesh prej tyne e po sillen nëpër Shqipni. Lutemi prandaj që përsëri të demarshoni për ndalimin e viztimeve si ma sipër që t’evitohet kështu ardhja e tyne.
Shtojmë se në këtë rast duhet përjashtue nga urdhni që të jepet i quajtuni Haxhi Ahmet Beqiri nga qyteti i shenjtë Meqqe, mbasi ky duhet të vijë këtu në Shqipni për të paraqitë dokumentat justifikuese të kryemjes së detyrës së Haxhit, për të cilën asht ngarkue nga nji Mysliman prej katundeve të Tiranës, për çka kemi lëshue edhe nji dëshmi për këtë qëllim dhe ja kemi dhënë në dorë të përmendunit.
Lutemi përfundimi të na njoftohet.
Kryetari i Komunitetit (Firma/Vula)
Ndërkohë, korrespondenca ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Kryekonsullatës shqiptare në Aleksandri nxori në pah vështirësitë praktike të zbatimit të këtij vendimi. Konsullata raportonte se shumë prej personave që synonin të hynin në Shqipëri nuk deklaronin se do të merreshin me zëvendësime të haxhillëkut ose me veprimtari fetare, por paraqiteshin si tregtarë ose vizitorë të zakonshëm. Për këtë arsye, Ministria kërkonte udhëzime shtesë mbi kriteret sipas të cilave duhej të refuzohej dhënia e vizës.
Mretnija Shqiptare / Ministria e P. të Jashtme.[5]
Drejtoria Politike Tiranë më 27/II/1935
Kryekonsulata e jonë në Aleksandri të Misirit, duke na e njoftuar marrjen e qarkores t’one me të cilën e urdhërojmë për mos-vizim të pasaportave të haxhillarëve, thotë: “Kjo Kryekonsullatë ka dijeni që disa arabë, të cilët marrin vizën prej nesh, shkojnë në Shqipëri për të marrë zëvendësime për haxhillëk. Por këta persona nuk na e çfaqin kurrë qëllimin e udhëtimit të tyre, por përkundrazi na thonë se shkojnë në Shqipëri për pak kohë për të bërë tregti, ose më mirë për të marrë porosi ose të blejnë mall. Në ç’mënyrë pra duhet t’u refuzojmë vizën dhe ç’garancira duhet t’u kërkojmë për tregtinë e tyre?”
Lutemi të keni mirësinë me na dhënë një përgjigje që të mundemi me ia njoftue Kryekonsullatës në fjalë që të dijë me u rregullue në lëshimin e vizave.
Ministri i Punëve të Jashtme (firma/vula)
Përgjigjja e Komunitetit Mysliman është veçanërisht domethënëse për të kuptuar pozicionin institucional të tij. Në shkresën e 4 marsit 1935, Kryesia deklaronte se nuk ishte kompetencë e saj të përcaktonte mekanizmat administrativë të kontrollit kufitar. Ajo ritheksonte se nisma kishte vetëm një qëllim, mbrojtjen e ekonomisë së vendit, ndërsa mënyra e zbatimit të saj i takonte ekskluzivisht shtetit shqiptar. Ky qëndrim dëshmon një vetëdije të qartë për ndarjen e kompetencave ndërmjet institucionit fetar dhe administratës shtetërore.
Kryesia e Komunitetit Mysliman Tiranë më 4/3/35
Ministrisë së Drejtësisë Tiranë
Kjo Kryesi, në drejtimin e bamë për ndalimin e vizimit të pasaportave të fetarëve të viseve të huaja, nuk ka pas tjetër qëllim veçse me përkrahë sadopak ekonominë e vendit t’onë; e për këtë arsye pra, nuk na takon neve me mejtue se ç’masa duhen marrë për me ndalue nisjativat e tyne, mbasi për ma tepër, këto masa i din dhe i takojnë me i mejtue ma mirë Shteti.
Kryetari i Komunitetit Dr. B. Shapati (firma/vula)
Ministria e Punëve të Jashtme mbajti një qëndrim të prerë. Në mars të vitit 1935 ajo njoftoi se të gjitha legatat dhe konsullatat shqiptare kishin marrë urdhra kategorikë për të mos pajisur me vizë personat që synonin të vinin në Shqipëri për të marrë zëvendësime të haxhillëkut. Në të njëjtën kohë refuzoi edhe përjashtimin e kërkuar për Haxhi Ahmet Beqirin, duke argumentuar se dokumentet mund të dërgoheshin me postë dhe se nuk mund të krijohej asnjë precedent ndaj urdhrit të përgjithshëm.
Mretnija Shqiptare.
Ministria e P. të Jashtme. Tiranë më 12/III/35
Në gjegje të shkresës nr.132/I rez.ex 1934, datë 20-II-1935, kemi nderin t’Ju njoftojme se nuk kemi mungue te japim urdhnat e duhura Legatave dhe Konsulatave t’ona per jashte per mos-akordimin e vizës atyre të huajve që duan me ardhë në Shqipëri për të marre zevendesime haxhilleku.
Keto urdhra jane dhënë me anë qarkoresh në menyre kategorike. Perandaj nuk eshte e mundur qe te behet nje perjashtim për të quejturin Haxhi Ahmet Beqiri nga qyteti i shejntë i Mekkes, i cili, në kete rast, dokumentet justifikuese te kryerjes se detyres se haxhillekut per te cilen është ngarkuar nga nje mysliman i katundeve te Tiranes, mundet t’i dergoje me poste e ne letre te porositur mbi adresen e Kryesis se Komunitetit Mysliman ne Tirane.
Ministri i Punave te Jashtme (firma / vula)
Në tërësi, tërë kjo korrespondencë dëshmon një proces të rëndësishëm të konsolidimit institucional të Islamit shqiptar gjatë viteve 20-30 të shekullit të kaluar. Dokumentet nuk pasqyrojnë një politikë izolimi fetar apo një përplasje me autoritetet islame jashtë vendit, por një përpjekje për ta administruar jetën fetare brenda kufijve të shtetit kombëtar dhe për të kufizuar ndikimin ekonomik të personelit fetar të huaj. Mendoj se argumenti ekonomik shërbeu si bazë për legjitimimin e një politike më të gjerë të kontrollit shtetëror mbi qarkullimin ndërkombëtar të autoriteteve fetare dhe mbi organizimin e institucioneve islame në Shqipëri. Gjithashtu ky episod ilustron qartë mënyrën se si gjatë këtyre viteve, Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe administrata shtetërore vepruan në bashkërendim për të forcuar autonominë organizative të Islamit në Shqipëri, duke e orientuar atë drejt një modeli kombëtar administrimi, në përputhje me procesin më të gjerë të ndërtimit të shtetit shqiptar.
Punoi: Qendra për Hulumtime, Minber
[1] A.Q.Sh, F. 155 (Ministria e Drejtësisë), V. 1919-1944, D. VIII-305, f. 1-10.
[2] A.Q.Sh, F. 155 (Ministria e Drejtësisë), V. 1919-1944, D. VIII-305, f. 1.
[3] A.Q.Sh, F. 155 (Ministria e Drejtësisë), V. 1919-1944, D. VIII-305, f. 3.
[4] A.Q.Sh, F. 155 (Ministria e Drejtësisë), V. 1919-1944, D. VIII-305, f. 4.
[5] A.Q.Sh, F. 155 (Ministria e Drejtësisë), V. 1919-1944, D. VIII-305, f. 6.