Hulumtime MINBER

Medresetë e hadithit, “Daru’l-Hadith”, dhe prania e tyre në trojet shqiptare

Home » Medresetë e hadithit, “Daru’l-Hadith”, dhe prania e tyre në trojet shqiptare

Fjala Daru’l-Hadith përbëhet nga termat “dar” (vend, shtëpi, hapësirë) dhe “hadith” (tradita profetike), duke marrë kuptimin “shtëpia/vendi ku mësohet hadithi”. Në burimet historike tradicionale, këto institucione njihen edhe me emërtime, si: Daru’s-Sunne, Daru’s-Sunneti’n-Nebevijje apo Daru’s-Sunneti’l-Muhammedijje, duke theksuar lidhjen e drejtpërdrejtë me traditën profetike.[1] Praktika e mësimit të hadithit në vende të posaçme daton që nga koha e Profetit Muhamed (a.s). Thuhet se shtëpia e Erkam b. Ebi’l-Erkamit, ku Profeti dha mësimet e para në Mekë, vijoi të funksiononte si vend mësimi edhe më vonë. Gjithashtu, shtëpia e Mahreme b. Nevfelit, afër xhamisë së Profetit (a.s.) në Medinë mori emrin Daru’l-Kurra”, si tregues i një vatre dije.[2] Sipas dijetarit Ebu’l-Hasan el-Huzai, pikërisht këto shtëpi dhe qendra private të dijes çuan më pas në lindjen e medreseve formale si institucione arsimore islame.[3] Emri Dar el-Hadith” filloi të përdorej për institucionet e posaçme të dedikuara për mësimin e haditheve në shek. IV hixhri dhe në vazhdim. Para kësaj periudhe hadithet mësoheshin vetëm përmes udhëtimeve të dijes, të quajtura “taleb el-ilm”, ose në mexhliset e dijetarëve të hadithit nëpër xhami, dhe jo në institucione të dedikuara shkencës së hadithit.[4]

Siç dihet tashmë, në periudhën para themelimit të medreseve, xhamitë shërbyen si vendet më të rëndësishme për mësim. Xhamia e Profetit ishte qendra më e rëndësishme e dijes, ku Profeti (a.s.) mësonte meshkuj e femra. Në Ehlu’s-Suffa”, sipas disa të dhënave, afërsisht 400 persona qëndronin si nxënës të përhershëm, duke i dhënë xhamisë autoritetin e një medreseje.[5] Me kalimin e kohës, xhamitë morën përsipër funksione shumë të rëndësishme, veçanërisht në mësimdhënien e hadithit profetik. Për shkak të mbledhjes së nxënësve përreth mësuesit, që nga koha e Profetit (a.s.), këto mbledhje janë quajtur edhe “hallka” (rrethe ose mexhlise të dijes). Sa më i njohur të ishte mësuesi, aq më shumë rritej numri i pjesëmarrësve në mexhlis, kësisoj, për ta bërë sa më të qartë dëgjimin e mësimit dhe për të siguruar saktësinë në shkrim, caktoheshin ndihmës që përsëritnin dhe shkruanin fjalët e mësuesit, të cilët quheshin “mustemli” (diktues, ndihmës).[6] Në fakt, nëpër xhamitë dhe medresetë e mëdha, çdo lektori (myderrizi) i caktoheshin dy ndihmës (mu’id), detyra e të cilëve konsistonte në leximin e leksionit nga fillimi deri në fund.[7] Kështu, xhamitë shërbyen edhe si qendra arsimore ku dijetarët lokalë ligjëronin mësime të hadithit. Në të njëjtën kohë, këto hapësira u vinin në ndihmë edhe muhadithëve të njohur që vinin për vizita në qytet në udhëtimet për kërkimin e dijes. Kur Imam Buhariu shkoi në Basra në fillim të shekullit IX, ai mbajti ligjërata mbi hadithin në xhami përpara mijëra studentëve.[8]Kajro, një nxënës i imam Shafiut jepte mësime të hadithit në xhaminë e Ibn Tulunit. Më vonë, me themelimin e institucioneve të njohura si daru’l-ilm” ose medrese”, studimet e hadithit filluan të tërhiqeshin gradualisht nga xhamitë dhe shtëpitë private, duke u zhvendosur drejt shkollave të organizuara.[9]

Për shkak të shtimit të “hallkave”, mexhliseve të mësimit dhe studentëve që i ndiqnin ato, u bë i nevojshëm themelimi i institucioneve të reja përtej xhamive. Duket se qyteti i Nishapurit ishte ndër të parët që udhëhoqi ngritjen e këtyre medreseve, të njohura fillimisht si Daru’s-Sunneh”. Myftiu dhe muhadithi Ebu Bekr Ahmed b. Is’hak es-Sibgi (vd. 954) la me vasijet që nxënësi i tij, Hakim en-Nishapuri, të kujdesej për administrimin e këtij institucioni dhe për menaxhimin e vakëfeve të tij. Kjo tregon se Daru’s-Sunneh” ishte themeluar që në gjysmën e parë të shek. X dhe ishte një institucion i madh dhe i mirorganizuar. Numri i nxënësve në këtë medrese ishte aq i madh, saqë përmendet se në çdo mexhlis dijeje, duheshin një mijë kuti boje.[10] Edhe pse nuk ndryshonte nga “Daru’s-Sunneh” të themeluara më parë në Nishapur, për herë të parë në Damask (Sham) u ngrit një institucion arsimor i pavarur me emrin Daru’l-Hadith”. Kjo medrese e njohur si Daru’l-Hadith al-Nurijje” u themelua nga Nuredin Mahmud Zengi, në nder të dijetarit të madh të hadithit dhe historianit të kohës Ibn Asakir rreth vitit 1170. Nuredin Zengi themeloi vakëfe të mëdha për medresenë e hadithit dhe për dijetarët që jepnin mësim në të, si dhe e pasuroi shumë si institucion. Ibn el-Esiri thotë se Nurudin Mahmudi ndërtoi “Dar el-Hadith” në Damask dhe se ai është i pari që ndërtoi një godinë të tillë për mësimin e hadithit. Disa thonë se atë e shndërroi në vakëf Ismeh, bashkëshortja e Salahudin Ejubit, por kjo është në kundërshtim me faktet historike.[11]

Pas afro 60 vitesh nga ndërtimi i “Daru’l-Hadith” në Damask, edhe në Egjipt u ndërtua një “Daru’l-Hadith” nga El-Melik el-Kamil Nasirudin i Dinastisë Ejubide dhe u bë e njohur me emrin “Dar el-Hadith el-Kamilijje”, duke iu atribuar themeluesit të saj. Kjo konsiderohej si e para nga institucionet e tilla të ndërtuara në Kajro dhe e dyta në botën islame në përgjithësi. Mësuesi i parë (myderrizi) në këtë institucion ishte Ebu’l-Hatab Ibn Dihje.[12] Gjatë periudhës së ejubidëve dhe mamlukëve, në Damask u themeluan disa medrese hadithi. Një nga më të rëndësishmet është medreseja Fadilije e themeluar nga veziri dhe kadiu i Salahudin Ejubit, Abdurrahim el-Bejsani i njohur si Kadi el-Fadil, rreth vitit 1196, i cili u bë i njohur jo vetëm për diturinë e tij, por edhe për reformat rrënjësore që solli në administratën e Salahudin Ejubit.[13] Më 1220 u ndërtua medreseja Urvije, e cila ishte pjesë e kompleksit të xhamisë Emevije, në Damask. Dar el-Hadith el-‘Urvije” ndodhej te mekami i Ibn Urvasë, në anën lindore të oborrit të xhamisë Umavije në Damask, pranë anës jugore që njihet si Halebija. Më parë ky vend njihej si mekami i Aliut (r.a.). Ibn Kethiri thotë se Ibn Urva është Sherafudin Muhamed ibn Urva el-Mausili dhe mekami i njohur si Makam Ibn Urva në xhaminë Umavije i është atribuar atij, sepse ishte i pari që e hapi atë vend. Ai ndërtoi aty një berkë (rezervuar uji) dhe vendosi vakfe për mësimdhënie hadithi. Gjithashtu, aty vendosi edhe bibliotekën e tij. Ndërsa Salah es-Safadi, në librin e tij “El-Vafi bi’l-Nefajat”, thotë se kjo medrese i është atribuar atij sepse në këtë vend ai ruante vegla e pajisje që kishin lidhje me xhaminë. Ai pastroi vendin, e rregulloi, ndërtoi mihrabin dhe dy dhoma për bibliotekë, i pajisi me libra dhe e ktheu atë në Dar el-Hadith”. Në këtë medrese kanë dhënë mësim dhe janë formuar shumë dijetarë të njohur të hadithit.[14] Pa kaluar shumë kohë, në qytetin e Damaskut u ndërtua një kompleks tjetër medresesh hadithi që njihen si medresetë “Eshrafije el-Xhevanije” dhe “Eshrafije el-Berranije” të themeluara nga El-Melik el-Eshraf Musa bin Adili. Medreseja “El-Xhevanije” u hap në vitin 1233. Në këtë institucion dhanë mësim muhadithë të njohur, si: Ibn es-Salah (v. 1245) dhe Muhjiddin en-Nevevi (v. 1277).[15] Katër vite më vonë, Sulltani Musa ibn el-Adil, ndërtoi edhe medresenë tjetër të njohur si El-Eshrefijjen el-Berranije” për dijetarin e njohur Al-Hafidh Abdullah ibn Takijudin Abdul-Gani el-Makdisi.[16]

Në vitin 1242 në Bagdad u ndërtua një kompleks arsimor që përbëhej nga një medrese hadithi, një hamam dhe një shkollë mjekësore. Ndërtuesi i saj ishte halifi abasid El-Mustansir bil-lah. Kjo medrese njihet si “Daru’l-Hadith el-Mustansirije” dhe rezulton të jetë nga të parat e këtij lloji në Bagdad.[17] Më pas, me kalimin e kohës dhe në mënyrë të njëpasnjëshme në Sham, Egjipt, Mosul, Bagdad, u ndërtuan shumë medrese hadithi, si nga autoritetet shtetërore ashtu edhe nga bamirës e dijetarë të ndryshëm. E kësaj tradite është edhe medreseja Hankah Shejhunijje”, e themeluar në Kajro në vitin 1356 nga Emiri Sejfedin Shejhti el-Umeri, e cila funksionoi gjithashtu si një Daru’l-Ḥadith” dhe zuri një vend të rëndësishëm në zhvillimin e shkencave të hadithit, e cila kishte edhe një konvikt. Mësuesi i saj i parë ishte Xhemaludin Abdullah ez-Zejdi, ndërsa ndër dijetarët më të shquar që ligjëruan aty, përmenden Ibn Haxher el-Askalani, Xhelaludin es-Sujuti, Nexhmudin el-Gajti etj. Këta dijetarë jo vetëm që kontribuan në transmetimin dhe interpretimin e hadithit, por gjithashtu ndikuan fuqishëm në zhvillimin e historiografisë dhe shkencave të tjera islame.[18]

Më vonë u ndërtuan medreseja Kurusije (1243), themeluar nga Xhemaludin b. Kurus, zyrtar i bejtul-malit të Damaskut, medreseja Nasirije (1256), themeluar nga El-Malik el-Nasir II Salahuddin, medreseja Shukajshakije (1259), themeluar nga Ibn Shukajshika, medreseja Sukarije (1275), e rinovuar nga Sulltan Bajbarsi, medreseja Nafisije dhe Samarrije (1297), përkatësisht të themeluara nga Nafi Ismail el-Harrani dhe Sejfedin es-Samerri dhe medreseja Devadarije (1299), themeluar nga Alemudin Senxher.[19] Këto medrese dëshmojnë për përhapjen dhe zhvillimin institucional të studimit të hadithit në Damask gjatë kësaj periudhe. Në fund të shek. XIV, në Kajro ndodheshin gjithsej 73 medrese, prej të cilave dy ishin medrese hadithi. Edhe në Kudus ekzistonte një medrese hadithi.[20] Është e sigurt se numri i këtyre institucioneve u rrit në shekujt vijues. Sipas Evlija Çelebiut, në Egjipt kishte 860 institucione të këtij lloji, ndërsa, vetëm përreth xhamisë Ez’her ai përmend dyzet medrese hadithi. Edhe pse ky numër mund të duket i ekzagjeruar, është e mundshme që në të, të jenë përfshirë edhe mexhliset e hadithit që zhvilloheshin në xhami. Kështu, kur Evlija Çelebiu përshkruan Stambollin, ai thekson se te të gjitha xhamitë e ndërtuara nga sulltanët, jepeshin mësime nga veprat e Buhariut, Muslimit dhe “Meshariḳu’l-envâr en-Nebevije”. Ai gjithashtu përmend tri darulhadithe me emër, duke sqaruar se këto ndodheshin jashtë strukturës së medreseve.[21]

Medresetë e hadithit funksiononin ose si institucione të pavarura, ose në në të njëjtën strukturë me medresetë e tjera. Një shembull i tillë është medreseja e dijetarit Abdullatif el-Bagdadi, i cili themeloi një darulhadith në katin përdhes të medresesë Ibn Muhaxhir në Mosul.[22] Po ashtu, Medreseja e njohur Mustansirije në Bagdad, e themeluar në periudhën abaside, kishte një seksion të veçantë të projektuar si “Daru’l-hadith”. Ndër katër profesorët (myderrizët) që ishin caktuar në këtë medrese, njëri mbante titullin “shejhul-hadith”.[23] Dokumentet e vakëfeve që kanë mbijetuar deri më sot, na japin një ide të përgjithshme për mënyrën e administrimit të darulhaditheve (medresetë e hadithit). Në “Daru’l-hadisi’l-Eshrefijjeh el-Xhevvanijje”, në krye të administratës ndodhej një funksionar i quajtur “Nazir”, siç përmendet në dokumentin e vakëfit që e transmeton Imam Subki. Detyrat e tij përfshinin drejtimin e medresesë, mbledhjen e të ardhurave nga vakëfet dhe shpërndarjen e tyre për nevojat përkatëse, mbikëqyrjen e mësimdhënies, shpërndarjen e pagave, mirëmbajtjen, pastrimin dhe ndriçimin e ndërtesës, si dhe kujdesin për jetesën e punonjësve të vakëfit. Në krye të mësimdhënësve qëndronte një dijetar me përgatitje të lartë në shkencën e hadithit, i cili paguhej me 90 dërhemë në muaj, më shumë se çdo mësues tjetër. Për faljen e namazit në xhaminë e medresesë së hadithit dhe për mësimin e leximit të Kuranit me shtatë mënyra (kırâat-i seb‘a), emërohej një imam ose, në disa raste, një mësues leximi i quajtur “mukri”, i cili paguhej 60 dërhemë në muaj. Po ashtu, kishte një myezin që merrte 20 dërhemë në muaj dhe një recitues të haditheve që paguhej me 24 dërhemë në muaj. Shujuhët (dijetarët) që vinin nga jashtë rajonit të Sirisë për të marrë “isnadin e lartë” (zinxhir transmetimi me autoritet të lartë) strehoheshin në medresenë e hadhithit dhe paguheshin 2 dërhemë në ditë, si dhe 30 dinarë pasi e përfundonin marrjen e haditheve. Nxënësit e hadithit merrnin një bursë mujore prej 8 dërhemësh, që mund të rritej në varësi të përpjekjes së tyre. Ata që mësonin përmendësh libra hadithi shpërbleheshin nga naziri. Edhe ata që thjesht dëgjonin hadith merrnin 3-4 dërhemë në muaj dhe në raste të veçanta deri në 8 dërhemë. Ndërkohë, numri i nxënësve të “kiraat-i seb‘a” kufizohej në dhjetë dhe secili merrte 10 dërhemë në muaj. Përgjegjësi i bibliotekës (hazin), që kishte për detyrë ruajtjen e librave, shërbimin ndaj lexuesve dhe informimin e nazirit për nevojat e reja, paguhej me 18 dërhemë. Gjithashtu, kishte edhe funksionarë të tjerë si murettip dhe nakib me paga 18 dërhemë, ndërsa portieri dhe dy punonjës të tjerë merrnin nga 15 dërhemë në muaj. Në medresetë e hadithit të Damaskut, përveç librave të njohur të hadithit, si: Sahihët (të Buhariut dhe Muslimit), Sunen e Ebu Davudit, Tirmidhiut dhe Nesaiut, si dhe Musnedi i Ahmed b. Hanbelit, jepeshin mësime edhe për fikhun (jurisprudencën islame), tefsirin (shpjegimin e Kuranit) dhe shtatë mënyrat e leximit të Kuranit (kiraat-i seb‘a). Për të qenë pjesë e këtyre studimeve, nxënësit duhej të kishin arritur një nivel të caktuar në medresetë e arsimit të përgjithshëm.[24]

Medresetë e hadithit në Anadoll filluan të përhapeshin me shpejtësi gjatë sulltanatit Selxhuk, sidomos gjatë sundimit të dy sulltanëve të njohur, Alaedin Kejkubad dhe Gijasedin Kejhusrev. Gjatë sundimit të tyre, në Anadoll u ndërtuan shumë medrese. E kësaj periudhe është medreseja e hadithit në Konja e njohur si “Inxheminare Darulhadisi”,[25] ndërsa rreth 35 vite më parë ishte ndërtuar Darulhadith i Çankirisë”, që është institucioni më i vjetër i këtij lloji i periudhës selxhuke në Anadoll.[26] Kjo medrese haset në dokumentet osmane si Medreseja e Xhemaledinit ose Medreseja e Çankërës. Ajo mban edhe një mbishkrim origjinal në gur mermeri me shkrim kaligrafi thuluth, ku shënohet qartë ndërtuesi dhe viti i ndërtimit. Rreth 30 vite pas ndërtimit të darulhadithit në Çankërë, një tjetër medrese hadithi u ndërtua në Sivas. Në këtë qytet, nga periudha e selxhukëve të Anadollit, ekzistojnë katër medrese të mëdha, Shifaije, Buruxhije, Çifte Minareli dhe Sahibije.[27] Nga përmbajtja e dekorimeve dhe mbishkrimeve të saj, Çifte Minareli ka më shumë karakteristika të një medreseje me fokus në fikh (jurisprudencë islame). Ndërkohë, Gokmedrese (Sahibije) ka të gjitha elementet e një “darulhadithi”, ajo mban mbishkrime me ajete, hadithe dhe thënie të Aliut r.a, si dhe ka pjesë të dedikuara për darulkurra” (institucion për mësimin e leximit të Kuranit) dhe një xhami të brendshme. Kjo e përforcon idenë se ajo ishte ndërtuar posaçërisht si medrese hadithi.[28] Rreth dyzet vjet pas asaj të Konjas, në Erzurum, nën sundimin e ilhanidëve, u ndërtua një tjetër medrese hadithi. Kjo ndërtesë njihet si medreseja Ahmedije dhe ka një mbishkrim të datës 714 H. / 1314, e cila ka mbërritur deri në ditët e sotme. Në një nga mbishkrimet e saj, përmendet një hadith mbi vlerën e të mësuarit përmendësh të dyzet haditheve, gjë që tregon qartë se kjo ndërtesë ka funksionuar si një medrese hadithi.[29]

Në periudhën osmane, medreseja e parë e hadithit u ndërtua në kohën e sulltan Muratit I nga Çandarli Hajredin Pasha,Iznik, megjithëse sot nuk ka mbetur asnjë gjurmë prej saj. Gjithashtu, burimet përmendin një darulhadith pranë Jerkapë në Bursa, gjë që tregon për ekzistencën e një institucioni të tillë që në fazat e hershme të shtetit osman.[30] Më e njohura nga medresetë e hadithit të periudhës së hershme osmane, është ajo që ndërtoi Sulltan Murati IIEdirne në vitin 1425 (828 h). Kjo medrese përfaqëson një moment kyç në zhvillimin e sistemit të medreseve osmane. Edhe pse ndërtesa nuk ekziston më, dihet se myderrizi i parë ishte Fahredin Axhemi. Falë burimeve biografike (tabakat), është e mundur të gjurmohet lista e mësuesve të saj deri në shekullin XVIII. Sot, emri i darulhadithit vazhdon të jetojë përmes xhamisë, lagjes dhe rrugës me të njëjtin emër në Edirne.[31] Pas marrjes së Stambollit nga Sulltan Mehmeti II, në kompleksin e madh të ndërtuar prej tij “Fatih Külliyesi”, nuk është përfshirë ndonjë medrese hadithi.[32] Ka gjasa që kjo ka ndodhur për të mos e zbehur rëndësinë e darulhadithit të Edirnesë, të ndërtuar nga babai i tij, Murati II, e cila kishte status të lartë. Në atë kohë, mësuesit (myderrizët) e darulhadithit të Edirnesë dhe ata të medreseve Semanije në Stamboll kishin të njëjtin status dhe paguheshin nga 50 akçe në ditë.[33] Vetë Fatihu e caktoi Sinan Pashën, një dijetar i shquar që më pas u bë edhe mësuesi i tij, si myderriz në Edirne, ndërsa Sulltani Bajaziti II e rriti pagën ditore të atij posti në 100 akçe. Megjithatë, gjatë sundimit të Fatihut, janë ndërtuar edhe shumë medrese hadithi, si: Darulhadithi i Lutfullah ÇelebiutBursa (1471), Darulhadithi i Molla Guranitlagjen Vefa të Stambollit (1484). Gjithashtu, nga regjistri i Tokatit i vitit 1455, del në pah ekzistenca e Darulhadithit të Kadi Hasanit në Tokat, Darulhadithit të Mevlanazades, që i përkasin kësaj periudhe.[34]

Në kohën e Sulltan Bajazitit II, u ndërtua në Amasja, Darulhadithi i Abdullah Pashës më 1485, i cili ka mbijetuar deri më sot me strukturën dhe mbishkrimin e tij origjinal, ku përmendet qartë se është darulhadith (medrese hadithi). Është një ndërtesë e vogël me katër dhoma, e njohur edhe si Xhamia e Sofullarëve.[35] Në kohën e Sulltan Sulejmanit pati një rritje të ndjeshme të numrit të medreseve të hadithit. Gjatë sundimit të tij u ndërtuan disa darulhadithe në qytete të ndryshme, si në: Amasja Darulhadithi i Osman Çelebiut më 1526, në Stamboll darulhadithet e Defterdar Mehmed Çelebiut në Ejup më 1541, Sofu Mehmed Pashës pranë Konakut të Vilajetit para 1543, Mehmed Agës në Demirkapë para 1553, në kompleksin e Xhamisë së Sulejmanit, Darulhadithi Sulejmanije ndërtuar personalisht nga Sulltan Sulejmani më 1557, në lagjen Vefa Darulhadithi i Ket’hyda Hysrevi rreth 1565.[36]

Gjatë sundimit të Selimit II, tradita e ndërtimit të medreseve të hadithit vazhdoi. Në Birgi, hoxha i Selimit II, Ataullah Efendi, ndërtoi një medrese hadithi me shtatë dhoma për mësuesin e njohur Birgivi Mehmet Efendi.[37]Kozludere u ndërtua Darulhadithi i Pijale Mehmed Pashës (1573), një vepër e arkitektit Mimar Sinanit. Në Uskudar, pranë portit u ndërtua Darulhadithi i Shemsi Pashës (1580),  vepër e Sinanit dhe e cila sot funksionon si bibliotekë. Në Edirne, brenda kompleksit të Selimijes, vetë Sulltan Selimi II ndërtoi Darulhadithin e Selimijes (1574), i përshkruar nga Evlija Çelebiu si më i miri në qytet. Sot ajo është Muze i Arteve Turke dhe Islame.[38] Gjatë sundimit të Sulltan Muratit III, u ndërtuan disa medrese hadithi të nivelit të lartë, si p.sh., Uskudar darulhadithi Atik Valide, sot shkollë imam-hatip. Në Ejup darulhadithi Xhafer Aga, në lagjen Çarshamba darulhadithi Mehmet Aga. Në rrugën Divanjollu Darulhadithi i Sinan Pashës, pranë xhamisë së Sulltan Selimit u ndërtua Darulhadithi i Zekeria Efendiut.[39] Ky zhvillim tregon se medresetë e hadithit të njohura si “darulhadith” ishin një institucion arsimor tepër i rëndësishëm dhe me status të lartë në periudhën klasike osmane.

Gjatë periudhës osmane, ndërtimi i medreseve të hadithit vazhdoi në mënyrë të qëndrueshme edhe në shekujt XVII dhe XVIII, pavarësisht nga krizat e brendshme që po kalonte Perandoria. Mehmeti III ndërtoi një darulhadith në emër të babait të tij Murati III, e njohur si Hakanije. Sulltan Ahmedi I përfshiu një medrese hadithi në kompleksin e tij të famshëm në Stamboll. Gjatë sundimit të Mehmetit IV, u ndërtuan rreth 15 medrese hadithi. Gjatë sundimit të Ahmedit III, u ndërtuan disa medrese hadithi, si p.sh., Darulhadithi i Hasan Agës, Çorlu Ali Pashës, Nevshehirli Ibrahim Pashës, Darulhadithi i Mustafa Efendiut etj. Sulltan Mahmudi I ndërtoi një medrese hadithi në Ejup.[40] Edhe pse nuk ka të dhëna të detajuara për darulhadithet pas kësaj periudhe, ka gjasa që ndërtimet dhe përpjekjet për to të kenë vazhduar edhe në gjysmën e dytë të shekullit XVIII dhe në shekullin XIX. Medresetë e hadithit, si institucion i mësimit të hadithit në Perandorinë Osmane, njohën një lulëzim të madh veçanërisht në periudhat e Sulltan Sulejmanit dhe Mehmedit IV. Këto institucione ishin pjesë e komplekseve të mëdha fetare dhe arsimore, si dhe ishin të mbështetura shpesh nga sulltanët, vezirët dhe zyrtarët e lartë osmanë dhe të pajisura me shumë prona e vakëfe.

Për sa u përket librave të hadithit në medresetë e hadithit “Darulhadith”, nuk kemi shumë studime. Vlerësimet, sipas të cilave, janë mësuar veprat si Sahihu i Buhariut, Sahihu i Muslimit, Mesabihu’s-Sunne dhe Meshariku’l-Envar, janë nxjerrë nga vakëfnameja e Sulejmanijes ku renditen kualifikimet dhe përshkrimi i cilësive të myderrizëve lidhur me medresetë e hadithit. Në vakëfname bëhet e qartë se librat që do të studioheshin në medresetë darulhadith nuk përcaktoheshin nga vakëflënësi, por ishte në dorë të myderrizëve dhe dijetarëve.[41]

Gjatë sundimit osman, ashtu si në shumë pjesë të Anadollit, edhe në Ballkan u ndërtuan medrese të specializuara për mësimin e hadithit, të njohura si “Darulhadith”. Pas marrjes së Edirnesë në Ballkan, posaçërisht në Bullgari, përveç medreseve të përgjithshme që filluan të ndërtoheshin që në fund të shekullit XIV, u ngritën edhe institucione arsimore të fokusuara posaçërisht në shkencën e hadithit. Sipas disa burimeve, në shekullin XVII në Bullgari kishte rreth 98 medrese, ndërsa deri në shekullin XIX ky numër arriti në 142. Këto institucione arsimore u mbështetën financiarisht dhe administrativisht nga vakëfet, të cilat kujdeseshin për nevojat e tyre materiale dhe pedagogjike. Në kuadër të kësaj strukture arsimore, darulhadithet, përfaqësonin shkollat ku zhvillohej më intensivisht studimi i hadithit. Tri qytete të rëndësishme të Bullgarisë ku janë ngritur darulhadithe janë: Filibeja (Plovdivi), Plevna (Pleveni) dhe Hezargradi (Razgradi).[42] Pa frikë mund të themi se numri i medreseve të tilla në Greqi, Rumani, në vendet e ish-Jugosllavisë patjetër që ka qenë akoma më i madh.

Sipas Evlija Çelebiut, në Ballkanin e Perandorisë Osmane kanë ekzistuar me dhjetëra medrese hadithi (Darulhadith), që shumicën prej tyre i përmend në Sejahatnamen e tij. Sipas tij, në këtë kohë Beogradi kishte 270 shkolla fillore, 8 medrese, darulkurra dhe darulhadith. Ai thekson se medresetë ku mësohen dijet islame, në total janë tetë medrese, ku jepet mësim në fusha të ndryshme të dijes. Darulkurra (medrese për mësimin e Kuranit dhe texhvidit) edhe pse nuk ka medrese të tilla të ndërtuara me kube të mëdha dhe të larta, në tetë xhami të ndryshme gjenden shejhulkurra (mësues të lartë të Kuranit). Darulhadith (medrese për studimin e hadithit), në nëntë xhami të ndryshme jepet mësim në shkencën e hadithit që prej kohës së myftiut Abdurrahim Efendiu.[43] Edhe në Saraj-Bosna, hadithi mësohej në gjithsej 10 vende të posaçme. Fillimisht në Xhaminë e Sulltanit, në Ferhadije dhe Husrevije, në Koca Ali Pasha, në Xhaminë e Isai Beut, si dhe në shumë vende të tjera. Por nuk është ndërtuar ndonjë “Darulhadith”, institucion i veçantë me kupolë për mësimin e hadithit.[44]

Nëse do të afrohemi gjeografikisht në brendësi të trojeve shqiptare, ai përmend disa medrese hadithi që kanë ekzistuar në qytete të ndryshme shqiptare. Kur vjen fjala për Shkupin, që ishte një nga qendrat arsimore më të mëdha në trojet shqiptare Evlija Çelebiu thekson që medresetë më të njohurat janë: Medreseja e Xhamisë së Sulltan Muratit, Medreseja e Jahja Pashës, Medreseja e Is’hak Pashës, Medreseja e Isa Pashë, Medreseja e Mustafa Pashës, Medreseja e Karlëzades, Medreseja e Baba Lukmanit dhe disa të tjera. Ndërsa darulkurra (medrese të Kuranit), ka gjithsej nëntë vende ku ndodhen të tilla, por ato nuk janë të ndërtuara posaçërisht për këtë qëllim. Në të gjitha xhamitë e sulltanëve ka shejhulkurra (udhëheqës të lexuesve të Kuranit). Gjithashtu darulhadithe të posaçme nuk ka, por në çdo xhami, bamirësit caktojnë dijetarë të hadithit (muhaddith), dhe kështu mësohet shkenca e hadithit.[45]

Në Prishtinë, përveç medreseve të tjera, ai përmend edhe medresenë e hadithit, kësisoj, kur përshkruan qytetin, ndër të tjera thotë: Qyteti shtrihet në verilindje të Rrafshit të Kosovës. Në total, Prishtina ka 12 faltore, prej të cilave gjashtë janë xhami për falje. Ka gjithashtu disa medrese, shkollë hadithi, disa shkolla fillore etj”.[46] Gjirokastra, thotë ai, ka tri medrese që formojnë dijetarë, një ndër to është edhe medreseja e hadithit (Darulhadith).[47] Për Elbasanin thotë se në të ka medrese për përgatitjen e ulemasë, medrese të leximit të Kuranit (darulkurra), medrese të hadithit (darulhadith) si dhe shkolla për përgatitjen e hafizllarëve.[48] Te përshkrimi i Elbasanit, po t’i referohemi tekstit të transkriptuar, kuptohet që ka disa medrese të Kuranit apo të hadithit në këtë qytet, por ngaqë është e palexueshme, transkriptuesi e ka shënuar vetëm me pika.

Fenomeni i shkollave të hadithit ka qenë aq i përhapur, saqë Evlija Çelebiu në ato qytete që nuk ka gjetur medrese hadithi, është shprehur me habi se në to nuk gjenden medrese të kësaj kategorie. Si në rastin e Beratit ku thotë se në qytet gjenden pese medrese që përgatisin dijetarë, mirëpo medrese të hadithit (Darulhadith) dhe të kiraeteve (Darulkurra) nuk ka, në çdo xhami ka dijetarë që japin mësim dhe nxënësit janë të shumtë.[49] Gjithashtu, në rastin e Shkodrës, ku thotë se ka 7 medrese dhe secila xhami e madhe (ku falet xhumaja) ka medresenë e vet, por nuk ka shkolla të veçanta për lexim të Kuranit ose të hadithit.[50] Çelebiu përmend edhe një shkollë hadithi në Ohër, për të cilën thotë: Ka vetëm një shkollë për mësimdhënien e hadithit dhe të leximit të Kuranit, por as dijetarët e hadithit dhe as recituesit e Kuranit nuk janë shumë të njohur. Në recitim ndiqet vetëm leximi sipas transmetimit Hafs dhe për hadithin përdoret vetëm Sahihu i Buhariut.[51]

Si përfundim, mund të themi se gjatë periudhës osmane, krahas zhvillimit të përgjithshëm të arsimit islam në territoret shqiptare, një vend të rëndësishëm zinin medresetë e hadithit, të njohura si Darulhadith. Ky lloj institucioni arsimor i specializuar për mësimin dhe transmetimin e haditheve profetike u përhap veçanërisht pas konsolidimit të sundimit osman në qytete të rëndësishme ballkanike. Sipas burimeve osmane, në shekullin XVII numri i medreseve dhe institucioneve arsimore në qytetet ballkanike ishte shumë i lartë. Financimi i tyre bëhej përmes sistemit të vakëfeve, të cilët siguronin pavarësinë e sistemit arsimor, infrastrukturën dhe pagat e mësuesve. Siç edhe e pamë më lart, Evlija Çelebiu, në veprën e tij madhore Seyahatname, ofron një pasqyrë të gjerë për praninë e darulhaditheve në Ballkan. Në qytete të tilla, si: Shkupi, Prishtina dhe Elbasani, Çelebiu përmend ekzistencën e medreseve të veçanta të hadithit, krahas medreseve të tjera dhe shkollave të hafizëve. Në raste si Ohri apo Gjirokastra, darulhadithet janë të pakta, por të dokumentuara. Ndërkaq, në disa vende vërehet se edhe pse nuk ka ndërtesa të dedikuara për darulhadith, mësimi i hadithit zhvillohet në mënyrë të organizuar nëpër xhami. Ky zhvillim dëshmon se shkenca e hadithit zinte një vend të rëndësishëm në jetën akademike dhe fetare të myslimanëve në trojet shqiptare.

Punoi: Qendra për Hulumtime, Minber

[1] Nebi Bozkurt, “Darulhadis”, TDV İslam Ansiklopedisi, V. 8, İstanbul 1993, s. 527.

[2] Mehdin Çifçi, “Dârülhadis”, Türk Maarif Ansiklopedisi, ttps://turkmaarifansiklopedisi.org.tr (16.04.2025).

[3] Ebu’l-Hasan el-Huzai, Tahrixhu’d-Delalati’s-Sem’ije, Daru’l-Garb el-Islami, Bejrut 1419/1998, f. 93.

[4] Fuat Sezgin, “Dar el-Hadith”, The Encyclopaedia of Islam, V. 2, Leiden E. J. Brill 1986, s. 125.

[5] A. Önkal, N. Bozkurt, “Cami: Eğitm-öğretim ve kültür merkezi olarak mescit”, TDV İslam Ansiklopedisi, V. 7, İstanbul 1993, s. 50.

[6] Abdullah Aydınlı, “İmla”, TDV İslam Ansiklopedisi, V. 22, İstanbul 2000, s. 225.

[7] Philip K. Hitti, Historia e Arabëve: nga kohët më të hershme deri më sot, Logos-A, Shkup 2019, f. 397.

[8] Hatib el-Bagdadi, Tarih Bagdad, V. II, Daru’l-Kutub el-Ilmije, Bejrut 2003, f. 16-17.

[9] Fuat Sezgin, “Dar el-Hadith”, po aty, s. 125.

[10] Nebi Bozkurt, “Darulhadis”, po aty, s. 527.

[11] Nuejmi, Ed-Daris fi’t-Tarih el-Medaris, V. 1, Ed: Ammar M. Nehar, Vizaret eth-Thekafe, Damask 2014, f. 49.

[12] Ali Yardım, “Osmanlı Devrinde Darülhadisler”, Osmanlı Ansiklopedisi, Ed: Güler Eren, V. 8, Ankara 1999, s. 163.

[13] Nuejmi, Ed-Daris fi’t-Tarih el-Medaris, V. 1, po aty, f. 48.

[14] Nuejmi, Ed-Daris fi’t-Tarih el-Medaris, V. 1, po aty, f. 48.

[15] Ali Yardım, “Osmanlı Devrinde Darülhadisler”, po aty, s. 163.

[16] Nuejmi, Ed-Daris fi’t-Tarih el-Medaris, V. 1, po aty, f. 44.

[17] Ali Yardım, “Osmanlı Devrinde Darülhadisler”, po aty, s. 163.

[18] Zeinab Ahmed Ali Abu Ali, “The Shaykhunia Khanqah”, Humanity studies sector – Al Azhar, University- Issue Number 24, December 2019, pp. 290-370.

[19] Nebi Bozkurt, “Darulhadis”, s. 527. Për më shumë: Nuejmi, Ed-Daris fi’t-Tarih el-Medaris, V. 1, po aty, f. 43-50.

[20] Nagihan Emiroğlu, “Memlüklerde Hadis Ve Ulema”, İslam Tetkikleri Dergisi 10/1 (Mart 2020), s. 365-387.

[21] Mehdin Çifçi, “Dârülhadİs”, Türk Maarif Ansiklopedisi, po aty, (16.04.2025).

[22] Mahmud Kaya, “Abdüllatif el-Bağdadi”, TDV İslam Ansiklopedisi, C. 1, İstanbul 1988, s. 254-255.

[23] Dhehebi, Tarihu’l-Islam, V. 14, Dar Garb el-Islam, Bejrut 2003, f. 8.

[24] Nebi Bozkurt, “Darulhadis”, po aty, s. 527.

[25] Mehmet Önder, “Konya’da Bir Selçuklu Şaheseri Daha: İnceminare Darü’l-Hadisi (Nasıl Yıktırılmak İstendi, Nasıl Kurtarıldı)”, Kaynaklar, S. 3, Ankara 1984, s. 17-20.

[26] Ferruh Toruk, “Çankırı Darülhadisi”, Vakıf ve Kültür, C. V, [XIX. Vakıf Haftası Özel Sayısı] , Ankara 2002, s. 77-81.

[27] Ali Yardım, “Osmanlı Devrinde Darülhadisler”, po aty, s. 163.

[28] Sami Şahin, “Sivas Gök Medrese (Sahibiye Medresesi) ve Kitabelerindeki Rivayetlerin Hadis Değeri”, Cumhuriyet Üniversitesi İlahiyat Fakültesi Dergisi, C. X, S. 1, Sivas 2006, s. 145-163.

[29] Hüdavendigar Akmaydalı, “Erzurum Merkez Ahmediye Medresesi”, Rölöve ve Restorasyon Dergisi, S. 6, Ankara 1987, s. 15-24.

[30] Ali Yardım, “Osmanlı Devrinde Darülhadisler”, po aty, s. 166.

[31] Özkan Ertuğrul, “Darülhadis Külliyesi”, TDV İslam Ansiklopedis,C. 8, İstanbul 1993, s. 534-535.

[32] Semavi Eyice, “Fatih Camii ve Külliyesi”, TDV İslam Ansiklopedisi, C. 12, İstanbul 1995, s. 244-249.

[33] Mehmet İpşirli, “Medrese: Osmanlı Dönemi”, TDV İslam Ansiklopedisi, C. 28, Ankara 2003, s. 327-333.

[34] Ali Yardım, “Osmanlı Devrinde Darülhadisler”, po aty, s. 167.

[35] Osman Keskiner, “Amasya Darü’l-Hadisleri ve Kültürümüzdeki Yeri”, Uluslararası Katılımlı Sempozyum: Anadolu’da Hadis Geleneği ve Daru’l-Hadisler, 30 Nisan-1 Mayıs 2011, Samsun 2011, s. 423-427.

[36] Ali Yardım, “Osmanlı Devrinde Darülhadisler”, po aty, s. 167.

[37] Aksekili Ahmed Hamdi, “Birgi ve Birgi Medreseleri”, hzr: Samet Yıldız, İzmir Araştırmaları Dergisi = Journal of Izmir Studies, C. X, S. 21, İzmir 2024, s. 87-95.

[38] Zeynep Ahunbay, “Mimar Sinan’ın Eğitim Yapıları -Medreseler, Darülkurralar, Mektepler”, Mimarbaşı Koca Sinan Yaşadığı Çağ ve Eserleri, C. I, Ankara 1988, s. 239-309.

[39] Ali Yardım, “Osmanlı Devrinde Darülhadisler”, po aty, s. 167.

[40] Ali Yardım, “Osmanlı Devrinde Darülhadisler”, po aty, s. 168.

[41] Ahmet Koç, “Ömer Özdemir, “Kanûnî Vakfiyesi’ne Göre Süleymaniye Camii ve Görevlileri” . — Ankara, 2017.
Diyanet İlmi Dergi, C. LIII, S. 2, s. 119-147.

[42] Mustafa Canlı, Osmanlı Dönemi Bulgaristan’ında Kurulan Dârulhadislere Genel Bir Bakış Balkanlar ve İslâm, Balkanlarda İslâm Dini ve Kültürel Hayat, Milletlerarası Tartışmalı İlmî Toplantı, 03-04 Ekim 2019, C. II, İstanbul 2020, s. 491-504.

[43] Evliya Çelebi Günümüz Türkçesi Ile Seyahatname, Haz: Seyyit A. Kahraman, 5 Kitap, 2 Cilt, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul 2010, s. 510-512.

[44] Evliya Çelebi Günümüz Türkçesi Ile Seyahatname, po aty, s. 584.

[45] Evliya Çelebi Günümüz Türkçesi Ile Seyahatname, po aty, s. 768-769.

[46] Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Kosovo, Montenegro, Ohri), Ed: R. Dankoff and R. Elsie, Leiden 2000, f. 22.

[47] Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Kosovo, Montenegro, Ohri), po aty, f. 76.

[48] Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Kosovo, Montenegro, Ohri), po aty, f. 172.

[49] Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Kosovo, Montenegro, Ohri), po aty, f. 114.

[50] Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Kosovo, Montenegro, Ohri), po aty, f. 35.

[51] Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Kosovo, Montenegro, Ohri), po aty, f. 212.

Artikuj të ngjashëm

Moderniteti dhe etika

Moderniteti dhe etika Prof. dr. Neşet Toku Filozofia, e cila synon ta perceptojë qenien në tërësinë e saj, në përgjithësi ndahet në dy kategori: teorike…

Lexo më shumë »