Hulumtime MINBER

Si i vizatuan muslimanët kufijtë e botës: Evropa në përshkrimet gjeo-historike të dijetarëve muslimanë

Home » Si i vizatuan muslimanët kufijtë e botës: Evropa në përshkrimet gjeo-historike të dijetarëve muslimanë

Raportet e para gjeografike për Evropën në arabisht janë shfaqur në shek. IX, kryesisht përkthime nga burimet greke, veçanërisht gjeografia e Ptolemeut. Muhamed bin Musa al-Hauarizmi është ndër të parët që përktheu gjoegrafinë e Ptolemeut, duke e pasuruar me komente e saktësime gjeografike.[1] Ai solli edhe përshkrimin e Evropës në të (për fat të keq pjesa më e madhe e emrave gjeografikë janë shtrembëruar në dorëshkrimet e mbijetuarara deri në atë pikë saqë disa prej tyre nuk dallohen).[2] Ndër gjeografët e parë musliman që ka shkruar për Evropën njihet edhe Ibn Hurdadhbe (v.912). Ai ishte një zyrtar i lartë në shërbimin e postës dhe përgjegjës për korrierët, shërbimet e transportit dhe inteligjencës. Në veprën e tij, pjesën më të madhe ia dedikon gjegrafisë së kalifatit islam por edhe vendeve të tjera që shërbimi postar ishte i lidhur me ta, si Bizanti, Evropa, Hazarët, etj. Sipas përshkrimeve klasike, bota e banuar është e ndarë në katër pjesë, Evropa, Libia (Afrika), Etiopia, Scythia. Ky klasifikim ndodh në pak tekste të hershme islamo-arabe, duke iu referuar burimeve greke, dhe shumë shpejt pothuajse zhduket nga termat e gjeografisë islame. Sipas tij Evropa “Urufa” përbëhet nga Andaluzia muslimane, tokat e sllavëve, romakëve, frankëve dhe nga Tangeria deri në kufirin me Egjiptin.[3] Andaluzia ngaqë ishte pjesë e trojeve islame Ibn Hurdadhbe është mjaft i mirë-informuar dhe jep informacion të hollsishëm. Për vendet jashtë kufirit islam thotë në veri të Andaluzisë shtrihet Roma, Burxhani, tokat e sllavëve dhe avarëve. Gjërat që vijnë nga andej janë skllevër me origjinë sllave, greke, franke dhe lombarde, lëkurë kastori e gëzofe, parfume, rrëshirë, etj. Në detin përtej tokës së sllavëve shtrihet qyteti i Tulia (Thule), atje nuk arrin as anije as varkë dhe asgjë nuk kthehet nga andej.[4] Ka disa tregëtarë hebrenj që flasin arabisht, persisht, greqisht, frëngjisht, sllavisht, ata udhëtojnë si në perëndim ashtu edhe në lindje, si nga toka ashtu edhe nga deti, nga Perëndimi ata sjellin skllevër, tutkall, rrëshirë, metale, etj.[5]

Pasazhe paralele për Evropën gjejmë edhe te dy gjeografë të tjerë msuliman të asaj kohe, Ibn Fakih (v. 903) dhe Ibn Ruste (v. 910). Ata gjithashtu i referohen të njëjtit burim por shtojnë edhe detaje të reja. Ibn Fakih ka të njëjtin pasazh për Evropën, ai mjaftohet duke thënë se në Evropë bën pjesë Andaluzia, Sakalibet (sllavët), Romakët dhe Frankët.[6] Ibn Ruste shton e thotë, në pjesën veriore të oqeanit janë dymbëdhjetë ishuj të quajtur Britanja, pas kësaj përfundon toka e banuar dhe askush nuk e din se çfarë ndodhet më tej.[7] Të gjithë autorët klasik muslimanë në veprat e tyre i referohen Romës, për të cilën sjellin histori mjaft të çuditshme. Kjo na e bën të qartë se deri në shek. X, lexuesit musliman kishin informacion të plotë dhe ishin të interesuar për gjeografinë rreth tyre. Edhe Ibn Ruste flet për Romën dhe e përshkruan atë me detaje. Nga Roma udhëtohet në det për tre muaj derisa arrin në tokat e mbretërisë së Burxhanëve, nga aty një muaj udhëtim nëpër male arrin në trojet e Frankëve, nga aty udhëtohet katër muaj derisa arrin në Britani. Britania është një qytet i madh në breg të oqeanit dhe sundohet nga shtatë mbretër, në hyrje të qytetit ndodhet një statujë nëse ndonjë i huaj synon të futet në qytet e kaplon gjumi derisa ta zënë rojet dhe të marrin vesh synimet e tij. Ata janë të krishterë dhe konsiderohen skaji i romakëve dhe pas tyre nuk ka vend të banuar.[8]

Një nga dijetarët dhe gjeografët më të mëdhenj të kësaj periudhe është Mes’udi (v. 956). Në shënimet e tij për Evropën hasim disa tregues të referencave greke të gjeografisë, të paisura me informacione shtesë, tepër interesante. Ai thotë, grekët dhe romakët e ndajnë tokën e banuar në tre pjesë, ato janë: Urufa (Evropa), Lubia (Libia, Afrika) dhe Asia, ka edhe klasifikime nga popuj të tjerë, dhe këto ndahen në shtatë klima (rajone). Përsa u përket njerëzve që banojnë në kuadratin verior, ata janë larg zenitit të diellit, ngaqë jetojnë në veri, si: sllavët, frankët, kombet fqinje me ta. Ngaqë klima e tyre është pa diell, i ftohti dhe lagështia mbizotërojnë në rajonet e tyre, atyre u mungon humori, janë me trupa të mëdhenj dhe natyrë të vrazhdë, të shthurur dhe gjuha e tyrë është e rëndë. Janë aq të bardhë sa duken si blu, sytë e tyre janë blu gjithashtu, flokët e kuqërremta dhe të drejta për shkak të lagështirës. Sa më në vëri të shkosh aq më të egër dhe më brutal janë, më sipër tyre bonojnë Jexhuxh-Maxhuxhët.[9] I njëjti autor, në “Muruxh edh-Dhehb” thotë “Frankët, sllavët, lombardët, spanjollët, jexhuxh-maxhuxhët, turqit, kazarët, bullgarët, alanët, galicianët, dhe popuj të tjerë që jetojnë në zonën e veriut (bricjapit), sipas të gjithë dijetarëve, ata janë pasardhës të Jafeth bin Nuh. Ndër këta popuj frankët janë më të guximshmit, më të organizuarit, me toka të gjera, me qytete të shumta dhe me bollëk, më të bindurit ndaj mbretit të tyre, vetëm se galicianët janë më të guximshëm, një prej tyre mund të përballojë dhjetë nga frenkët. Frenkët i binden vetëm një mbreti dhe nuk kanë asnjë mosmarrëveshje mes tyre. Emri i kryeqytetit të tyre është Bariza (Paris), një qytet i madh, rreth tij janë edhe 150 qytete të mëdha përveç fshatrave”.[10]

Në burimet gjeografike klasike islame, qofshin ata në arabisht apo persisht, është e mundur të ndërtosh një tabllo të Evropës së asaj kohë, ose thënë ndryshe siç dukej Evropa në sytë e muslimanëve. Në veri të trojeve të qytetëruara të Andaluzisë, ndodheshin popuj të pazhvilluar të quajtur, galicianë, baskë, në veri të Spanjës dhe Pirenejve. Në Itali, në veri të zonave që sundoheshin nga muslimanët (Siçilia), ishte territori i Romës i sunduar nga një prift-mbret, që njihej si Papë. Më në veri ishte territori i një mbretërie që njihen si Lombardë. Në lindje të Mesdheut, në veri të kufinjëve të Kalifatit është mbretëria e Rumëve, (Bizanti). Përtej saj tokat e Sllavëve, një racë e madhe e ndarë në shumë popuj, të cilët ishin mjaft të njohur nga tregtarët dhe udhëtarët muslimanë. Në perëndim të sllavëve ndërmjet Alpeve dhe Pirenejve është mbretëria e gjerë e Francës, ose vendi i Frnakëve. Më në veri të Frankëve, ishin një popull zjarradhurues “Norsman”, “maxhusë” emërtim që arabët e kishin transferuar nga persët për popujt e veriut. Në shkrimet islame nganjëherë shfaqen edhe emrat e viseve më e të largëta veriore, si: Britania, Irlanda dhe ndonjëherë Skandinavia.

Shpeshherë, autorët klasik musliman termin “Rum” një version i arabishtes i emrit “Romaio”, që do të thotë romak, e kanë përdorur për romakët, bizantinët dhe grekët, të gjithë bashkë. Më vonë këtë emërtim e përdornin edhe për Evropën qendrore dhe përndimore, duke e kthyer atë në ekuivaletin e krishtërimit. Dijetarët muslimanë termin “Rum”, më shumë ia kanë dedikuar Bizantit, shpesh herë në librat e historisë dhe gjeografisë islame për Bizantin hasim terma, si: bilad er-Rum, bahr er-Rum, për perandorin bizantin, si: adhim er-Rum, melik er-Rum, kajsar er-Rum, etj.[11] Për të krijuar një koncept ndarje midis Bizantit dhe Evropës, për evropianët perëndimorë dijetarët klasik islam filluan të përdorin emërtimet, si: latin, ifrenxh, ose frenxh, (forma arabe e emërtimit të frankëve). Muslimanët këtë emërtim ndoshta e kanë huazuar nga bizanti, për të bërë edhe dallimin ndërmjet Bizantit dhe sundimit të Karlit të Madh.[12] Ndërsa sundimet e tyre filluan ti emërtojnë si; memleket ifrenxh, frenxhistan, etj.

Nje term tjetër i përdorur nga dijetarët musliman në tekstet mesjetare për përcaktimin e popujve evropian është edhe “Benu Asfar”, që nënkupton bijtë e rracës së verdhë (gjermanik). Ky term është përdorur që nga arabët e hershëm paraislam për grekët dhe romakët në përgjithësi, më vonë u zgjerua për popullsinë autotktone të Spanjës dhe te evropianët në përgjithësi. Gjenealogët musliman këtë emërtim e nxjerrin nga një emër i përvetçëm Asfar nipi i Esaut birit të Is’hakut dhe babai i Rumilit, paraardhësi i romakëve.[13] Disa studiues e kanë spjeguar këtë term duke iu referuar ngjyrës së lëkurës së evropianëve, e parë si e verdhë, bjondë, në kontrast të plotë me ngjyrën kafe dhe të zezë të Azisë dhe Afrikës. Dijetarët musliman zakonisht nuk i referohen ngjyrës së lëkurës për përcaktimin e rracave, për ata nuk përbënte ndonjë problem, përkundrazi autorët muslimanë në shumë raste kur i referohen ngjyrës i referohen si të bardhët dhe jo të verdhët. Kështu që me shumë gjasa emërtimi i dedikohet origjinës gjenealogjike të tyre, Asfar si patronim i romakëve. Më vonë termi “benu asfar” filloi të përdoret edhe për sllavët dhe rusët, në kohën osmane “Benu’l-Asfar” ishin sllavët e Evropës qendrore dhe lindore por më shumë rusët, cari rus nganjëherë quhet “al-malik el-Asfar”.

Burimet e hershme të muslimanëve për Evropën kryesisht ishin greke, edhe pak nga sirianishtja dhe persishtja. Dihet që dijetarët musliman nuk i referohen punimeve perëndimorë, për të mos thënë që as nuk i njihnin fare. Gjatë mesjetës shënohet që vetëm një libër evropian është përkthyer në arabisht. Kjo na bëhet e njohur nga Mes’udi kur bën një rrëfim të shkurtër për mbretërit e frankëve nga Klovisi deri te Luigji IV, bazohet një një libër të shkruar nga një peshkop frenk për emirin e Kordobës Al-Hakim, në vitin 939. “Në Fustat të Egjiptit në vitin 336/947 hasa në një libër të shkruar nga Godmar, peshkop në qytetin e Gerona, një nga qytetet e frankëve, të cilin e kishte shkruar për sovranin e Andaluzisë El-Hakim bin Abdurrahman në vitin 328h. Sipas këtij libri i pari nga mbretërit e frankëve ishte Kludieh, ai ishte një pagan dhe gruaja e tij Gartala e konvertoi atë në krishtërim. Pas tij erdhi djali i tij Karla, pas tij djali i tij Tebin dhe djali i tij Karla. Ai sundoi për 26 vjet dhe ishte në kohën e El-Hakim, sovranit të Andaluzisë. Djemtë e tij u përçanë dhe luftuan kundër njëri-tjetrit deri në atë pikë saqë frankët po shkatërroheshin. Ludriku i biri i Karlit u bë sovran i tyre dhe sundoi për njëzet e tetë vjet e gjatë muaj. Ishte ai që përparoi deri në Tortosa dhe e rrethoi atë. Pas tij erdhi Karla dhe më pas i biri Ludriku, i cili i dërgoi dhurata Muhammed bin Abdurrahman bin el-Hakim, të cilit i drejtohet me epitetin El-Imam. Ai sundoi për 39 vjet e gjashtë muaj, pas tij sundoi djali i tij Ludrik për 6 vite. Në këtë kohë konti frank Nusa u ngrit kundër tij dhe e pushtoi mbretërinë e Frakëve dhe sundoi për 8 vite. Ishte ky ai që pagoi normanët për shtatë vjet me një kosto 700 ralt ari dhe 600 ralt argjendi në vit. Pas tij Karla i biri i Takvira sundoi për 4 vjet, pastaj një tjetër Karla qëndroi 31 vjet e tre muaj, pastaj Ludriku i biri i Karlës dhe ai ishte mbret i Frankëve në këtë kohë, pra në vitin 336 h. Ai sundon mbi ta tash e dhjetë vjet, sipas të dhënave që na kanë ardhur”. Nga gjashtëmbëdhjetë emrat në listë e Mesudit dhjetë të fundit nga Çarls Martel e deri te Lousi IV, mund të identifikohen me lehtësi. Gjashtë emrat e parë Klovis dhe gruaja e tij Klotildë, stërnipi i tij Dagobert, nuk paraqesin vështirësi në identifikim, ndërsa pjesa tjetër është e pamundur ti klasifikosh midis monarkëve Merovingiane dhe Karolingë. Ky pasazh emrash të mbretërve të Francës mund të ketë edhe gabime në identifikim apo rënditjen e tyre, interesant është fakti i ekzistencës së një liste të kësaj linje mbretërore.[14]

Historiografia klasike islame ka një masë të madhe shtjellimi dhe sofistikimi, ndoshta më të madhe se të gjitha shtetet e Evropës marrë së bashku në atë kohë. Megjithatë, është mbresëlënëse ta mendosh se pavarsisht konfrontimit të gjatë ndërmjet Islamit dhe botës së krishterë, përgjatë gjithë Mesdheut nga Spanja, në Siçili e deri në Levant, të ketë një mungesë të tillë interesi dhe kurioziteti në mesin e studiuesve muslimanë për atë që ndodh jashë kufijve të tyre në Evropë Veriore. Nga mijëvjeçari i parë i islamit kanë mbijetuar vetëm tre shkrime që i ofrojnë lexuesit ndonjë informacion për historinë e Evropës, lista e Mesudit është njëra prej tyre. Nëse historia e Evropës është neglizhuar pothuajse tërësisht, gjeografia e saj vazhdoi të merrte njëfarë vëmendje. Studiuesit muslimanë i kushtuan një vëmendje të madhe gjeografisë dhe prodhuan një literaturë të gjerë mbi këtë temë. Ata plotësuan dhe përshtatën veprat greke, i pasuruan me një sërë veprash kryesisht të udhëpërshkruesve dhe arritën të prodhojnë një formë traktatesh dhe fjalorësh gjeografikë sistematikë të gjeografisë me një rend alfabetik, të cilët përmbajnë edhe emra vendesh evropiane, me një vlerë të pazëvendësueshme edhe sot e kësaj dite.

Emri i madh i Romës, natyrisht ishte i njohur edhe për studiuesit e botës islame. Megjithatë lexuesit nganjëherë e ngatërronin me Bizantin, për të cilët emërtimi “rum” përdorej më shpesh. Shumë dijetarë ishin të vetëdijshëm për këtë dhe në veprat e tyre e cilësonin Romën në Itali, një rob lufte i njohur si Harun bin Jahja, ka kaluar pak kohë në Romë dhe rreth vitit 886 na sjell një përshkrim të qytetit të famshëm dhe kishat e tij. “Nga ky qytet me anije lundronim për tre muaj derisa arrijmë në tokën e mbretit të Burxhanit. Prej andej udhëtojmë nëpër male dhe lugina për një muaj derisa arrijmë në tokën e Frankëve, nga aty udhëtohet për katër muaj derisa arrijmë në qytetin e Baratinije. Ky është një qytet i madh në bregun e detit perëndimor dhe sundohet nga shtatë mbretër. Në portën e qytetit është një idhull dhe kur një i huaj përpiqet të hyjë, e zë gjumi dhe nuk mund të futet derisa banorët e qytetit ta kapin dhe zbulojnë qëllimin e tij. Ata janë të krishterë dhe tokat e tyre janë në fund të tokave të Rumëve, përtej tyre nuk ka asnjë vend të banuar”.[15] Është e qartë se Haruni nuk ka shkuar shumë përtej Romës, gjithashtu kuptohet se a i ka dëgjuar për Britaninë dhe Heptarkinë Anglo-Saksone, ai madje ai njeh edhe për proceduart e emigrimit anglo-sakson. Megjithatë, informacioni i tij është paksa i vjetëruar sepse heptarkia kishte pushuar së sunduari rreth tridhjetë vjet më parë. Pjesa më e madhe informacionit të Harunit për Romën padyshim që është nga koleksione të tregimeve të ndryshme, shembuj të cilët i gjejmë me shumicë në letërsinë mesjetare. Disa nga këto rrëfime u mblodhën nga Ibn Fakih dhe më vonë u cituan nga Jakut el-Hamevi, një nga gjeografët më të mëdhenj musliman.

Jakut el-Hamevi ka ndryshime të mëdha për disa nga tregimet që përsëriten, në fjalorin e gjeografik të tij, Roma paraqiteti si më poshtë: “Roma, e cila ndodhet në trojet e romakëve, është qendra e tyre. Disa thonë që ajo e ka marrë emrin nga Rumi bin Lanti bin Junan bin Jafeth bin Nuh, për këtë arsye edhe romakët e kanë marrë emrin roman nga qyteti i Romës. Ajo ndodhet 50 dit larg në Perëndim të Kostandinopojës dhe sot ndodhet në dorë të Frankëve. Në të qëndron edhe Papa, të cilit i binden frenkët, i cili ka pozitën e imamit për ta. Bindja ndaj tij është detyrim dhe rebelimi ndëshkohet rëndë. Në të janë grumbulluar dijetarët dhe filozofët dhe gjenden tregjet më të mëdha. Roma është nga mrekullitë e botës, në madhështi, popullsi dhe ndërtim”. Jakut el-Hamevi e sqaron përshkrimin e tij se e ka marrë nga dijetarët më të njohur dhe nga veprat e tyre. Ai e bën të qartë se shumica e informacionit të grumbulluar për Romën, është marrë nga përshkrimi i Ibn Fakih.[16] Irlanda, mexhusët nuk zotërojnë gjë tjetër në këtë rajon përveç këtij ishulli, ky ishull ndodhet në veri-perëndim të klimës së gjashtë, perimetri i të cilit është një mijë milje. Njerëzit e tyre veshin rroba të mexhusëve (vikingëve), pelerine me vlerë 100 dinarë. Ndërsa të parët e tyre veshin pelerina të stolisura me perla. Ata gjujanë të vegjlit e balenave nga muaji Shtator deri në Janar, më pas mishi i tyre bëhet i pakonsumueshëm.[17] Kazvini jep edhe një pasazh për mënyrën e peshkimit të tyre dhe sesi i largojnë balenat e mëdha që të mos u dëmtojnë varkat. Kazvini sjellë info edhe për skaje më të largëta të Veriut, ku thotë në qytetin Jura dita gjatë verës zgjat deri në katër muaj, dhe anasjelltas.[18]

Ai i referohet udhëpërshruesit të njohur andaluzian Ibrahim bin Jakub El-Israili (Tartushi), kur thotë se trojet e sakalibeve shtrihen nga Deti Mesdhe deri në Oqenin Atlantik në Veri. Mbi ta dominuan Gotët (kabail el-Xhof) dhe akoma vazhdojnë të jenë të përzier. Ata janë shumë fise, në të shkuarën kishin një mbret të përbashkët që quhej Mak’ha, i cili ishte nga fisi Veljenana, ky fis dominonte ndër ta. Pastaj u përçanë, u shpërbë shteti i tyre dhe çdo fis krijoi mbretëri më vete. Tani ndodhen nën katër mbretëri të mëdha, mbretia e Bullgarëve, mbretwria  Bovislava  (Bratislava) mbretwria e Pragës dhe Bovemia (Bohemia), mbretwria Krakov, mbreti Mashaka (Moska) dhe Xhof (Got) dhe mbreti Nakon në skajin perëndimor.[19] Përsa i përket mbretërisë Nakon e cila sot përkon me Poloninë, ajo kufizohet në Perëndim me Saksonët dhe një pjesë me Murama (Normanët), mbretëria e tij shquhet për çmime të lira, shumë kuaj dhe për prodhimin e armëve.[20] Ibrahim bin Jakub e vizitoi Evropën Lindore gjatë sundimit të mbretit Otto I dhe qëndroi për një kohë të gjatë aje, ndoshta është përshkrimi historik më i hershëm që i bëhet atyre viseve.

Tartushi flet edhe për distancat ndërmjet qyteteve duke i përshkrua me hollësi, ai thotë se, nga Praga pasi kalon 60 milje gjendet një urë druri 1 milje e gjatë, nga ura në kështjellën Nakon afërsisht 40 milje, kështjella quhet edhe Grad, që do të thotë kështjella e madhe. Përpara kështjellës Grad ndodhet një kështjellë e ndërtuar në një liqen me ujë të ëmbël, kështu i ndërtojnë sakalibet shumicën e kështjellave të tyre. Ata hapin themelet e tyre në moçale dhe zona ujore, në formë katrore ose rrethore, sipas dëshirës, pastaj hapësirën e mbushin me dheun e gërmuar. Pastaj muret i lartësojnë me dërrasa derisa të dëshirojnë, pastaj hapin një portë që e lidhin me urë. Nga kështjella Grad në Oqean 11 milje, ushtarët nuk mund të kalojnë në trojet e Nagon vetëm se me vështirësi të mëdha sepse terreni i tij është i vështirë dhe moçalor.[21]

Ndërsa trojet e Bovislav (Bratislava) distanca nga Praga deri në qytetin Krakov është 3 javë ecje, ajo është në kufi me trojet e turqve. Qyteti i Pragës është i ndërtuar mbi një lum me gurë dhe gëlqere dhe ajo është vendi më me shumë tregti. Shumica e tregëtisë vjen nga qyteti Krakov, tregtarët rus dhe sakalibe (sllav) të cilët sjellin mall nga vendet islame. Po ashtu vijnë nga viset turke dhe islame, tregtarë turq dhe hebrenj të cilët kur kthehen, marrin skllevër dhe mallra të ndryshme. Trojet e tyre janë vendet më të begata, gruri dhe elbi shiten me çmime shumë të lira. Aty prodhohen shala dhe frerë kuajsh, mburoja dhe armë. Në trojet e Bovemias enden pëlhura të lehta si rrjeta, me çmime shumë të lira. Gruri, elbi, skllevërit, kuajt, ari, argjendi dhe të gjitha sendet gjenden aty. Ajo që është e çuditshme është se banorët e Bovemias janë brun me flokë të zeza, ndërsa flokëbardhët ndër ta janë të rrallë. Rruga nga Mazi-Prag deri në Bovislav dhe nga aty në kështjellën Klavi 10 milje, nga aty në Nobi-Grad 2 milje, Novi-Grad është një kështjellë e ndërtuar me gurë dhe gëlqere mbi lumin Slava, që bashkohet me lumin Buda. Nga kështjella Novi Grad në lagjen e Hebrenjve që edhe ajo ndodhet mbi lumin Slava 30 milje, nga aty në kështjellën Burxhin që ndodhet mbi lumin Moldava 25 milje. Nga aty ka një zonë me pyje të dendura afërsisht 40 milje, pas zonës pyjore futesh në territoret e Pragës.

Ndërsa trojet e Mashaka (Moska), është mbretëria më e madhe, në të ushqimi është i bollshëm, mishi, mjalti, dhe prodhimet bujqësore. Njëqind prej ushtarëve të tyre vlejnë sa një mijë nga të tjerërt, atyre iu garantohet gjithçka, ushqimi, kuajt, armët, vjeshjet, etj. Në momentin që iu lind ndonjë fëmijë fillojnë dhe u llogariten furnizimet edhe për të. Në Lindje të Mashaka (Moskës) ndodhen rusët, ndërsa në perëndim Brusia, qendra Brusias ndodhet në breg të oqeanit, ata kanë një gjuhë të veçantë që nuk kuptohen nga fqinjët dhe janë të njohur për trimërinë e tyre. Në Perëndim të rusëve ndodhet qyteti i grave. Ato zotërojnë skllevër dhe robëresha, ato ngelen me barrë me skllevërit e tyre, dhe nëse iu lind mashkull e vrasin menjëherë. Ato kalërojnë kuaj dhe marrin pjesë në luftë dhe janë shumë të ashpra. Ibrahim bin Jakub thotë që ky qytet ekziston me të vërtetë, më ka treguar për të Hoto (Oto I), mbreti i rumëve (mbreti i gjermanëve).[22]Në Perëndim të këtij qyteti ndodhet një fis sllav që quhet Ubaba (Viltava), ato ndodhen në Perëndim të Mashaka (Moskës), ata kanë një qytet madhështorë në breg të oqeanit që ka 12 porta dhe një port detar, ankorimi në të është falas, ata janë në luftë me Mashaka (Moska) dhe njihen si luftëtarë të zot dhe nuk i binden asnjë mbreti, udhëheqësit e tyre janë të moshuarit e tyre.

Efrenxh, janë popull shumë i madh, zotërojnë shumë treva dhe janë të gjithë të krishterë, pretendojnë se paraardhësi i tyre ishte një person me emrin Fransis, e emërtojnë veten Frenk. Mbretëria e Frankëve është afër me Romën, dhe në veri të Andaluzisë, qendra e mbretit të tyre është Nevgeborda (Narbonë), një qytet madhështor. Ata zotërojnë më shumë se 150 qytete.[23] Në mbretërinë Efrenxh i ftohti është i vazhdueshëm me klimë të lagësht. Ajo është e pasur me lumenj, toka bujqësore dhe fruta të shumta, me pemë dhe me pyje. Në të ka shumë miniera argjendi dhe metale që prodhohen shpatat më të mira, shpatat e tyre janë më të mprehta se të Indisë. Ata janë të krishterë dhe sundohen nga një mbret i fuqishëm, ai zotëron tre qytete të mëdha në bregdet përballë zotërimeve islame. Ai i mbron shumë trojet nga sulmet e muslimanëve, ushtarët e tij janë trima dhe nuk kanë frikë dhe nuk tërhiqen nga lufta, vdekja është më e lehtë për ta se largimi nga fushëbeteja. Ata janë të pistë dhe të shthurur moralisht, nuk pastrohen dhe nuk lahen më shumë se një herë në vit me ujë të ftohtë, rrobat nuk i lajnë kurrë gjersa të grisen, dhe i rruajnë mjekrat e tyre.[24] Mes’udi ka shënuar se në të ndodhen 150 qytete dhe qendra e tyre është Parisi (Baris). Banorët janë frenk dhe të krishterë, luftëtarë të zot në tokë dhe dhe detë, janë të qëndrueshëm në fushëbetejë dhe nuk arratisen kurrë, jetojnë kryesisht me tregëti dhe zejtari.[25]

Nga konfliktet e vazhdueshme në Mesdhe dhe Rikonkuista në Andaluzi kishte bërë që kontaktet dhe informacionet e muslimanëve të Afrikës Veriore të ishin më të shumta dhe më të bollshme për Evropën. Një gjeograf i shek. 12, jep informacion të bollshëm për Andaluzinë, Venedikun, Amalfin, Pizën, Xhenovën, etj, të paisur me shënime rreth tregtarëve të tyre dhe produkteve që transportojnë. Për Xhenovën ai thotë se është një nga qytetet më të mëdha të romakëve dhe frankëve, banorët e tij janë Kurejshët e romanizuar. Ai sjellë një tezë që xhenovezët e kanë prejardhjen nga fisi arab i kristianizuar Gasan,[26] të cilët u arratisën nga Siria në kohën e Kalifit Omer. Informacion më të bollshëm rreth gjeografisë së Evropës na sjellë gjeografi i njohur El-Idrisi. Falë njohurive që ai kishte rreth veprave gjeografike të dijetarëve musliman, gjithashtu edhe falë mundësisë së shfrytëzimit të burimeve perëndimore, që nën sundimin Norman në Siçili ishin letësisht të arritshme për të, bënë që vepra e tij “Gjeografia”, të ishte përshkrimi më i saktë gjeografik për Evropën dhe më gjerë deri më atë kohë. Ai e fillon përshkrimin e tij në Britani, në Francë dhe Evropën Perëndimore, Skandinavinë, Gjermaninë, Evropën Lindore, etj. Ai jep detaje rreth rrugëkalimeve, qyteteve kryesore, ngushticave detare, hartave dhe formave fizike të këtyre trojeve.[27] Padyshim që kjo vepër konsiderohet si vepra më e arrirë në aspektin shkencor gjeografik dhe që ka shërbyer për shekuj me radhë si referencë kryesore si në Evropë ashtu edhe në Botën Islame.

Katib Çelebi dhe Parashikimi i Rrezikut Evropian për Perandorinë Osmane

Në vitin 1655 gjeografi dhe personaliteti polimatist i periudhës Osmane, Katib Çelebi, u nxit të shkruante një broshurë “Risale” mbi historinë e grekëve, romakëve dhe të krishterëve, “Irshadul-Hajara ila Tarihil-Junan ver-Rum ven-Nasara”, vepër e punuar dhe transkriptuar nga shumë studiues.[28] Në parathënien e tij ai rendit edhe arsyet e hartimit të kësaj broshure. Sipas tij, gjithçka kishin trashëguar osmanët nga trashëgimnia e veprave të historisë dhe gjeografisë islame rreth Evropës dhe popujve të saj ishin më afër legjendave dhe përrallave sesa realitetit. Tashmë të krishterët nuk ishin ata që ishin përshkruar në shek. VIII-XII nëpër veprat e gjeografëve dhe historianë muslimanë, pohon ai, ata janë bërë më të shumtë në numër dhe nuk ishin më të kufizuar në atë pjesë të botës (Evropë) që jetonin më parë. Megjithëse janë të përçarë në shumë sekte, përsëri ata janë një popull “milet”, janë shumuar shumë dhe kanë shkuar në shumë vende të botës, thekson ai. Ata me anijet e tyre lundrojnë në detërat e Lindjes dhe të Perëndimit duke zotëruar një numër të madhe vendesh dhe portesh. Ata nuk kishin mundur të shkelnin në Perandorinë Osmane por kishin fituar mbi Botën e Re dhe kishin nën kontroll portet e Indisë, kështu që ato po i afroheshin gjithnjë e më shumë zotërimeve Osmane. Përballë këtij kërcënimi, ishte e nevojshme për të siguruar informacion më të saktë rreth tyre që muslimanët të mos jenë plotësisht në injorancë në lidhje me aktivitetin e tyre. Sipas tij, ekziston rreziku që këta ti pushtojnë trojet islame dhe ti kthejnë ata në vende të kufrit dhe mosbesimit, siç kanë bërë me disa vende që dikur ishin vende muslimane tani janë kthyer në vende të mosbesimit (kufrit).[29] Për të grumbulluar këtë informacion, siç e thotë edhe vetë, Çelebi është bazuar në “Atlas Minor” botim francez, vepër të cilën edhe e ka përkthyer. Për shfrytëzimin e burimeve franceze dhe të termave latin, Katip Çelebi është e qartë se është ndihmuar edhe nga sekretari i tij me origjinë franceze, Shejh Muhammed Ihlasi.[30]

Në pjesën e parë të hyrjes së librit jep informacion të përgjithshëm rreth besimit të krishterë, si: llojet e Ungjijve, bazat e fesë, Pagëzimi, Triniteti, Mishërimi, Ekuristia, Rrëfimi, si dhe tri rrymat kryesore të krishtera, Jakobites (Monofizitët), Melkites dhe Nestorianët. Në pjesën e dytë të hyrjes bën një pasqyrë përmbledhëse të sistemeve qeverisëse evropiane dhe i klasifikon në dy grupe, si: laike “Riaseti–dunjevije” dhe fetare “Riaseti–dinije”. Ai paraqet edhe një sërë termash politik, si: perandor, mbret, dhe gradat e tjera në hierarkinë shtetërore dhe kishtare, si: papë, kardinal, patriark, etj. Ai i referohet sistemeve qeverisëse në Evropë, monarkive, aristokracive dhe demokracive. Sipas tij, Anglia dhe Hollanda manifestojnë sisteme demokratike qeverisëse, ndërsa Venediku qeveriset nga aristokracia. Në hyrje Katib Çelebi flet edhe për numrin e madh të gjuhëve që fliten në Evrpoë dhe për pakuptueshmërinë e madhe ndërmjet tyre. Pjesa tjetër e broshurës përbëhet nga nënkapituj që kanë të bëjnë me Papatin, Francën, Spanjën, Danimarkën, Transilvaninë, Hungarinë, Venedikun dhe Moldavinë.[31] Mesa duket këto janë vendet Evropiane për të cilat Çelebi mendonte se ishte e nevojshme grumbullimi i informacioneve rreth tyre.

Ka edhe pjesë informacioni rreth papëve, mënyrës se si zgjidhen dhe rolin që ka këshilli i kardinalëve. Ai ka grumbulluar informacion edhe rreth perandorëve romakë ku sjellë edhe një listë të gjatë të tyre, më pas flet për mbretërit e Francës si dhe klasifikimin e tyre. Më vonë hedh dritë mbi mbretërinë e Spanjës, Portugalisë, Danimarkës dhe për marrëveshjet që ka nënshkruar Perandoria Osmane me ta. Ai flet edhe për gjendjen në Hungari dhe Venedik, kësaj të fundit i kushton edhe më shumë vëmendje ku sjellë detaje për mënyrën sesi organizohen kuvendet e dozhëve, se si zgjidhen ata, bazat detare të tyre, formën e votimit në kuvendet e tyre me dy sfera, njëra e bardhë dhe tjetra e zezë, etj.[32]

Punoi: Qendra për Hulumtime, Minber

[1] Ihsan Fazlıoğlu, “Harizmi”, TDV İslam Ansiklopedisi, C. 16, İstanbul 1997, s. 224-227.

[2] Havarizmi, Kitab Surat el-Ardh, Mektebet Byblion, Xhebel Lubnan 2009, f. 66.

[3] Ibn Hurdadhbe, Kitab al-Masalik vel-Mamalik, Ed: M. J. de Goeje, Leiden 1889, f. 155.

[4] Ibn Hurdadhbe, po aty, f. 92-93.

[5] Ibn Hurdadhbe, po aty, f. 153.

[6] Ibn Fakih (Ebu Bekr b. Ahmed b. Muhamed el-Hamdhani), Kitab el-Buldan, Ed: M. J. de Goeje, Leiden 1885, f. 62.

[7] Ibn Ruste, (Ebu Ali Ahmed b. Umer), El-A’alak en-Nefise, Kitab el-Buldan, Ed: M. J. de Goeje, Leiden 1892, f. 85.

[8] Ibn Ruste, po aty, f. 129.

[9] Mes’udi, Et-Tenbih vel-Ishraf, Mektebet esh-Shark el-Islamie, Kairo 1938, f. 28.

[10] Mes’udi, Muruxh edh-Dheheb, V. 2, Mektebet el-Asrije, Bejrut 2005, f. 27-30.

[11] Casim Avcı, “Rum”, TDV İslam Ansiklopedisi, C. 35, İstanbul 2008, s. 222-225.

[12] Işın Demirkent, “Franklar”, TDV İslam Ansiklopedisi, C. 13, İstanbul 1996, s. 173-176.

[13] Casim Avcı, “Rum”, po aty, s. 222.

[14] Bernard Lewis, The Muslim Discovery of Europe, po aty, f. 150.

[15] Ibn Ruste, po aty, f. 130.

[16] El-Hamevi, Mu’xhem el-Buldan, V. 2, po aty, f. 113.

[17] Kazvini (Zekeria b. Muham el-Kasvini), Athar el-Bilad ve Ahbar el-Ibad, Bejrut, f. 577.

[18] Kazvini, po aty, f. 620.

[19] El-Bekri, el-Mesalik vel-Memalik, V. I, Dar el-Kutut el-Ilmije, Bejrut 2003, f. 251.

[20] Për përshtatjen e emrave i jemi referuar artikullit: “Rihlet el-Andalusi”, https://www.alaraby.co.uk

[21] El-Bekri, el-Mesalik vel-Memalik, V. I, po aty, f. 252.

[22] El-Bekri, el-Mesalik vel-Memalik, V. I, po aty, f. 254.

[23] El-Hamevi, Mu’xhem el-Buldan, V. I, po aty, f. 270.

[24] Kazvini, Athar el-bilad, po aty, f. 334.

[25] Kazvini, Athar el-bilad, po aty, f. 913.

[26] Bernard Lewis, po aty, f. 147.

[27] El-Idrisi, Geographia, 352-391. Pwr mw shumw: H. Bresc/A.Nef, La première géographie de l’Occident: Présentation, notes, index, chronologie et bibliographie,(Paris: GF Flammarion).

[28] Mehmet Aydın, “Kâtip Çelebinin İrşadu’l-Hayara Adlı Eseri”, 5-Milletlerarası Türkoloji Kongresi, Tebliğler III, Türk Tarihi C. I, 23-28 Eylül, İstanbul 1985, s. 95.

[29] Mehmet Aydın, po aty, s. 96. Për më shumë: B Lewis, The muslim discovery of Europe, London 2001, p. 135.

[30] V. L. Menage, Three ottoman treatises on Europe, Iran and Islam, Edinburg 1971, p. 421.

[31] Mehmet Aydın, “Katip Çelebinin….”, po aty, s. 98.

[32] Mehmet Aydın, “Katip Çelebinin….”, po aty, s. 100.

Artikuj të ngjashëm