Hulumtime MINBER

Përpjekjet e vazhdueshme të popullit të Shkodrës për ta mbajtur flakën e besimit ndezur

Home » Përpjekjet e vazhdueshme të popullit të Shkodrës për ta mbajtur flakën e besimit ndezur

Shkodra paraqitet si një prej qendrave më të rëndësishme të arsimit dhe kulturës islame në Shqipëri, ku tradita fetare ështe e lidhur ngushtë me identitetin qytetar. Për këtë fenomen, Prof. Ali Basha thotë: “….duhet pranuar publikisht se Shkodra, veç tjerash, ka pasur një traditë që i ka shërbyer shumë fesë islame. Disa nga familjet fisnike të saj e kishin për nder të kishin një pjesëtar të tyre hoxhë dhe me këtë mburreshin, si vazhdim i traditës. Shkodra nuk ua la mësimin e fesë islame vetëm djemve me prejardhje nga fshati, për “ta dërguar fenë në fshat”, por fenë islame e kanë pasë marrë në dorë me kohë familje qytetare, prandaj ajo shquhet për ndjenja relativisht më të forta fetare”.[1]

Në Shkodër funksiononin disa mejtepe dhe medrese, ndër të cilat përmenden mejtepet e Pazarit të Vjetër, si: Mejtepi Molla Ferhatit, Mejtepi Molla Halil Boriçit, Mejtepi Molla Mustafës, Mejtepi Molla Kamberit, Mejtepi Molla Abdylit, Mejtepi Molla Abdylit të Vogël, Mejtepi Molla Hysejn Shazit, Mejtepi Molla Sylës, Mejtepi Molla Jakupit, Mejtepi Haxhi Tahirit, Mejtepi Molla Mahmudit, etj. Edhe në lagjet e tjera të Shkodrës kishte një numër të konsiderueshëm mejtepesh.[2] Këto institucione nuk kufizoheshin vetëm në mësimin e Kuranit dhe njohurive fetare, por përfshinin edhe lëndë si matematika, filozofia, historia, gjeografia, etj, duke krijuar bazën për vazhdimin e studimeve në nivele më të larta. Medresetë shërbenin gjithashtu si mjedise ku formoheshin breza të rinjsh që më vonë do të merrnin role fetare dhe administrative në administratën e kohës. Më të famshmet ishin Medreseja e Qafës, e cila përbëhej nga 11 dhoma, një xhami (mesxhid) dhe një biblotekë. Kjo medrese funksionoi deri në vitin 1925. Një vend të veçantë zinte Medreseja e Pazarit, e cila përshkruhet si një qendër e vjetër e arsimit islam, e ndërtuar nga Kara Mahmud Pasha. Në të jepnin mësim dijetarët më të njohur të Shkodrës dhe një pjesë e nxënësve vijonin studimet e larta në Stamboll. Medreseja dispononte edhe një bibliotekë të pasur me vepra fetare, letrare dhe shkencore.[3]

Pas pavarësisë së Shqipërisë dhe me dobësimin e vakëfeve dhe rënien e sistemit të vjetër arsimor, u hap një medrese e re në Shkodër. Medreseja e Re, u hap në vitin shkollor 1926–1927, me Hafiz Ibrahim Kadukun si drejtor të parë. Programi i saj dëshmon për një përpjekje për ta zgjeruar arsimin fetar me dije të përgjithshme. Krahas Kuranit, besimit dhe moralit, mësoheshin gjuhë të huaja si arabishtja dhe frëngjishtja, si dhe gramatikë, drejtshkrim, histori, gjeografi, logjikë, aritmetikë, gjeometri, botanikë, fizikë e kimi. Programi përfshinte gjithashtu gjimnastikë, vizatim, punëdore, muzikë dhe higjienë.[4] Nga medreseja në fjalë nuk arriti të diplomohej asnjë student, sepse pas pak vitesh u hap Medreseja e Naltë në Tiranë dhe ajo e Shkodrës u suprimua. Gjatë kësaj kohe pati edhe një përplasje të madhe ndërmjet dijetarëve të Shkodrës “Ilmija e Shkodrës” dhe Komunitetit Mysliman të sapo krijuar në Tiranë. Hoxhallarët e Shkodrës donin të ruanin formën tradicionale qindra vjeçare të medreseve, ndërsa hoxhallarët e rinj i kritikonin duke thënë se ka ardhur koha për reforma drastike në programet mësimore të medreseve. Në këtë kuadër, kërkohej përdorimi i librave shqip dhe përshtatja e mësimit fetar me nevojat e kohës dhe të shoqërisë shqiptare. Medresetë e rretheve u mbyllën me miratimin e Statutit në Kongresin e III të KMSh më 1929.[5]

Shoqëritë bamirëse me orientim arsimor e kulturor

Përpjekjet e myslimanëve të Shkodrës për t’u organizuar në klube dhe shoqëri kulturoro-arsimore janë të hershme. Direkt pas pavarësisë, në vitin 1914, themelohet shoqëria “Mustafa Pasha”, me iniciativën e Taip Hilmia, Visho Bushati, Ali Borshi, Kol Krajani, Muhamet Reçi, etj. Kjo shoqëri i kushtoi rëndësi punës arsimore dhe filloi të hapte kurse kundër analfabetizmit. I veçantë ka qenë edhe flamuri kombëtar i kësaj shoqërie, i cili përdorej vetëm në rastin e festave kombëtare dhe bartej nga flamurtari Muhamet Reçi. Flamuri në fjalë ishte tepër i çmueshëm dhe i ishte dhuruar shoqërisë “Mustafa Pasha” nga populli i Shkodrës në sajë të ndihmave të tij bujare. Austriakët në vitin 1916, e mbyllën shoqërinë “Mustafa Pasha” dhe grabitën edhe flamurin e saj aq të kushtueshëm.[6]

Në vitin 1937 Kryemyftinia e Shkodrës mori inisiativën e themelimit të një dege kulturore pranë saj. Hapja e një dege kulturore në çdo prefekturë ishte paraparë në rregulloren e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Kryemyftiu i zonës, duke çmuar dobinë e madhe që do të kishte themelimi i një dege të tillë për përhapjen e kulturës ndër shtresat e rinisë shkodrane, nxori aprovimin për formimin e saj edhe në Shkodër.[7] Themeluesit kryesorë bënë mbledhjen e parë në shtëpinë e tregtarit Faik Ulqinaku. Të pranishmëm në atë mbledhje ishin edhe Teofik Hysa, Zenel Broja, Rexhep Juka, Shaqir Keraj, Ahmet Hoti, Hysen Buliqi, etj. Mbledhja vendosi krijimin e Degës dhe mënyrën e veprimit në bazë të një rregulloreje që do të hartohej njëherazi me statutin e shoqërisë. Selia u vendos në banesën e ish konsullatës Franceze. Në mbledhjen e dytë të zgjeruar, në rend dite ishte zgjedhja e këshillit të përhershëm që përbëhej nga Zenel Broja, një herësh edhe kryetar dege, Ahmet Hoti, Sait Bilali, Hysen Buliqi, Haki Kaduku e Faik Ulqinaku. Më pas u bë njoftimi publik për themelimin dhe qëllimet e saj. Kjo degë arriti të kishte deri në 2000 anëtarë, përveç anëtarëve të nderit.

Këshilli, në bazë të statutit që formuloi, vendosi formimin e katër degëve, si: dega teatrore me kryetar Xhemal Broja, dega sportive, dega muzikore me kryetar Shefqet Ademi, dega letrare dhe e botimeve me kryetar Haki Kaduku e Arif Gjyli. Gjithashtu u mor vendimi për botimin e një reviste mujore. Dega muzikore qe pajisur me të gjithë instrumentet e duhura për veprimtari muzikore. Dega teatrore pati vënë në skenë disa drama, si: dramën për Ali Pashë Tepelenën dhe dramën për Ali Pashë Maxharrin me dramaturg Xhemal Brojën. Më vonë, dramën “Për mbrojtjen e Ulqinit” të Asim Lohes dhe atë të K. Floqit “Ymer Agë Ulqini”. Të parët aktorë myslimanë që morën pjesë në këto dy shfaqje qenë, Adem Kastrati, Teofik Duka e Qazim Llazani. Dramat u luajtën në Shkodër. Duhet ditur se të ardhurat e kësaj dege kulturore derdheshin në arkën e saj e jo në atë të kryemyftinisë.

Për këtë veprimtari kulturore, në Prill të vitit 1938, revista Zani i Naltë botoi një shkrim nën titullin “Bravo! Djelmoshave Shkodranë”, ku vlerësonte nismën e të rinjve shkodranë për krijimin e “Degës Kulturore”, e cila synonte zhvillimin e artit, kulturës, edukimit kombëtar e fetar dhe jetës shoqërore. Në veçanti, lavdëron seksionin artistik të kësaj organizate për shfaqjen e dramës kombëtare “Shqipnia e Shqiptarëve” në Kinema Gloria të kryeqytetit. Shfaqja u prit shumë ngrohtë nga publiku, duke shkaktuar duartrokitje dhe emocione të forta, sidomos në skenat që paraqisnin mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë nga Mali i Zi, nën udhëheqjen e Ali Pashë Gucisë.[8]

Dega Kulturore e Komunitetit Mysliman më 30 Prill 1938 do të botonte një thirrje drejtuar myslimanëve të Shkodrës nën titullin “Një Thirrje – Elementit Mysliman të Shkodrës”, duke dëshmuar përpjekjet e një grupi intelektualësh dhe besimtarësh myslimanë për organizimin kulturor, arsimor dhe shoqëror të komunitetit.[9] Në themel të thirrjes qëndron ideja se zhvillimi i shoqërisë nuk mund të mbështetet vetëm në veprimtarinë e shtetit, por kërkon edhe iniciativa të organizuara nga vetë shoqëria. Në këtë kuadër, autorët argumentojnë se myslimanët e Shkodrës duhet të bashkohen në një organizatë të strukturuar, të mbështetur mbi solidaritetin vëllazëror dhe parimet e fesë islame. Organizata synonte të kontribuonte në përparimin e komunitetit duke ndërthurur arsimimin, edukimin fetar, kulturën dhe përgatitjen qytetare.

Programi i saj përfshinte disa drejtime kryesore. Së pari, kërkohej forcimi i ndjenjës së dashurisë për atdheun, ndërsa organizata deklaronte distancimin nga ndërhyrja politike. Së dyti, lufta kundër analfabetizmit dhe përhapja e dijes zinin një vend qendror, përmes organizimit të kurseve për të rriturit, botimit të broshurave, mbajtjes së konferencave me karakter shoqëror, ekonomik e fetar dhe përgatitjes së një reviste kulturore-shoqërore. Së treti, theksohej rëndësia e edukimit të brezit të ri dhe e formimit të myslimanit si një anëtar aktiv dhe i denjë i shoqërisë shqiptare. Kjo thirrje dëshmon gjithashtu se programi nuk mbeti vetëm në nivel deklarativ. Në vitin 1938, organizata kishte filluar transformimin e godinës së ish “Hotel Kontinental” duke e pajisur me mjetet e duhura për krijimin e një faltoreje të dytë, krijimin e një bibloteke me libra në gjuhë të ndryshme etj., konferenca publike, kurse të gjuhës shqipe e italishte, një degë e mësimeve fetare, dega e teatrit dhe e muzikës, ka aplikuar si dhe aktivitete të tjera. Në përfundim, thirrja u drejtohet myslimanëve të Shkodrës për mbështetje morale dhe materiale, përfshirë edhe kontribute në formën e sadakasë, me argumentin se suksesi i organizatës varej nga bashkëpunimi dhe solidariteti i komunitetit.

Në vitin 1942 një grup të rinjsh myslimanë formuan “Komitetin Bamirës Mysliman”, një shoqëri bamirësie me orientim arsimor-kulturor.  Kjo shoqëri, me fondet e saj, ndreqi e rindërtoi mejtepin e vjetër të Molla Medos. Shoqëria në fjalë udhëhiqej nga inisiatori i saj, Esat Myftia, nipi i të mirënjohurit Jusuf Efendi Tabaku.[10] Mbas rindërtimit të mejtepit të përmendur, grupi aktiv i asaj shoqërie themeloi një bibliotekë me libra të ndryshme në gjuhë shqipe, arabishte, turqishte, etj. Mbas këtyre përgatitjeve, shoqëria, po në këtë vit, hapi një medrese me një klasë përgatitore nën drejtimin e vetë Esat Myftisë. Medreseja fillimisht pati 50 nxënës, gjysma e të cilëve ishin nga rrethinat e Shkodrës, për këtë arsye medreseja kishte edhe konvikt në ambientet e brendshme të saj. Programi mësimor i saj i përgjigjej nivelit të shkollës gjysmë të mesëm por me perspektivën e kalimit në të mesme të plotë. Kjo shoqëri në kuadër të aktivitetit të grave pati hapur edhe një kurs rrobaqepsie. Për fat të keq, kjo shoqëri nuk pati jetë të gjatë, sepse në periudhën e lulëzimit të saj, në vitin 1947 u likuidua bashkë me të gjitha institucionet e tjera fetare.[11] Komiteti Bamirës Mysliman rikonstruktoi mejtepin e Molla Medos, në lagjen Zdralej te Xhamia Plakë, e ktheu në medrese si dhe e bëri shumë të përshtatshme për zhvillimin normalisht të mësimeve e të aktiviteteve të ndryshme. Në manifestimin e zjarrtë të organizuar në përurimin e medresesë, Hafiz Esat Myftia, në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast, tha: “Me formue një medrese, dmth me mbajtë në kambë ligjet e Zotit, ato ligje që bota sado që të marrë prej tij, s’pushon së buruemi”.

Medreseja e viteve 1944-1947 pati jehonë të madhe në komunitetin besimtar të kohës. Arsyet e hapjes së kësaj medreseje ishin të shumta, ndër të cilat veçohet mungesa e kuadrove fetarë, ku prej vitit 1929 në Shkodër nuk funksiononte asnjë medrese, përveç hoxhallarëve që jepnin “ixhazet” në mënyrë private. Lufta ishte bërë shkak për mos dërgimin e studentëve jashtë shtetit, ndërkaq, ekzistone një nevojë e madhe për krijimin e mendimit intelektual islam kundër lëvizjeve ateiste të kohës.[12] Përveç këtyre arsyeve, shfaqet domosdoshmëria e një shkolle të mesme fetare lokale, e barazvlerëshme me shkollat e tjera të mesme, me synim për të formuar njerëz me kulturë të përgjithshme e me dije të thella fetare, duke marrë parasysh aktualitetin, gjendjen e besimeve e marrëdhëniet e tyre me Shkodrën. Me hapjen dhe veprimtarinë e medresesë, një rol parësor dhe ndihmë konkrete dhanë kryemyftiu i Shkodrës, Hafiz Sabri Bushati, dhe z. Ismail Muça, në revistën “Kultura Islame” e në gazetën “Bashkimi”. Drejtimi i medresesë përbëhej nga kryesia e Komitetit Bamirës Mysliman Shqiptar. Drejtor nderi u caktua Haxhi Hafiz Muhamet Bekteshi, drejtor Hafiz Esat Myftia, ndërsa nëndrejtor Osman Met Osja. Mësues për lëndët fetare u emëruan: Hafiz Abdullah Neziri, Hafiz Xhevdet Zylja dhe Hafiz Sabri Bushati, ndërsa për lëndët e kulturës së përgjithshme, Eljaz Rraboshta, Ismail Anamali, Hysni Bushati, Sheuqet Kraja, Eljaz Bekteshi, Asim Rusi si dhe kujdestarë pranë konviktit Hafiz Riza Bebeziqi dhe Muhamet Kastrati. Medreseja ka përfshirë tre vite shkollore. Në vitin 1944-45, me një klasë përgatitore, në vitin 1945-46 me një klasë përgatitore e një klasë të parë, ndërsa në vitin shkollor 1946-47, një klasë përgatitore, një klasë të parë dhe një klasë të dytë. Lëndët fetare që zhvilloheshin në këtë medrese ishin: Kuran, Besim, Gjuhë amtare, Histori e Gjeografi, Arabisht, Histori e shenjtë, Ilati.[13] Lëndë të tjera, gjuhë shqipe, histori, gjeografi, matematikë, histori natyre, fizikë, kimi, edukatë morale e qytetare, higjenë, vizatim, bukurshkrim, edukatë fizike. Në këtë medrese morën lëndët e përgjithshme edhe një grup (rrethi) i Haxhi Hafiz Muhamet Bekteshit. Viti shkollor 1946-47 qe viti i fundit në këtë medrese, sepse me vendim të Kryesisë së Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës nr. 93/94, datë 22.9.1947, njoftohet mbyllja e saj.[14]

Më 15–18 tetor 1945, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Hafiz Musa Haxhi Aliu, zhvilloi një vizitë historike në Shkodër i shoqëruar nga Kryemyftiu i Tiranës, Muharrem Mullahi, si dhe nga autoritete fetare e drejtuese vendore. Gjatë këtij udhëtimi, ai inspektoi me imtësi ambientet e Komitetit Bamirës Mysliman dhe të Medresesë së re, përfshirë zyrat, klasat, konviktin, mensën dhe kopshtin, ku u prit ngrohtësisht me salavate e ilahi nga nxënësit dhe stafi mësimor. Pasi u ngashëryen nga fjalimi i një studenti dhe morën pjesë në një darkë nderi me këshilltarët e Komitetit më 17 tetor, udhëheqësit e delegacionit e cilësuan Medresenë si një shkollë me karakteristika moderne që ndërthur diturinë fetare me shkencën, duke u zotuar për mbështetje të plotë nga ana e KMSH-së, përpara se të niseshin për në Tiranë më 18 tetor me përshtypjet më të mira. Kjo vizitë bëri jehonë për kohën sidomos në Qarkun e Shkodrës, duke u konsideruar si vizita e parë e një autoriteti të lartë fetar shqiptar në atë qytet dhe iu kushtua një artikull i plotë në median e shkruar fetare të kohës.[15] Myftiu i Tiranës, Muharrem Mullahi mbajti një fjalim në këtë medrese ku ndër të tjera ai tha: “Na bindemi se ju do të keni pasë mjaft pengime e kundershtime, gjatë udhës së krijimit, por, mbasi vullneti i juej i çelnikët, e vendosmenija e juej dhanë prova kaq të mira dhe u banë mburojë vetëm e vetëm për realizimin e këtij fakti hyjnuer, ma s’fundi ardhi koha që të pushoni syresh. Besa, ndera e ndershmenija e juej para shoqi shojt e para ngarkesës së kësaj barre, nuk duhet të mbarojë, por le të jeni ma të shkathët, dhe tash le të ndiheni kryenaltë, mbasi do të keni dhe perkrahjen nga ana e Kryetarit të Komunitetit, Ju djelm, me të vertetë keni punu por, do të vazhdoni gjithnji, dhe bilé mâ tepër, tash qi pengesave do t’i epni grushtin e fundit të vdekjes. Instituti që keni formue, asht konform me qytetnimin e kulturen e sotshme, dhe në perpikmëni me edukaten e naltë Islame. Medreseja e juej ka plotsisht pamjen e nji shkolle me karakteristika moderne; këtu mësohet dituni fetare e dijeni moderne, shkencë. Aty ku ngrehet nji shkollë fetare, don të thotë të zgjidhish tendencat, të zgjanosh rrethin e arsyetimit si mbas nevojës, të suprimojsh nji gjygjë e të mbyllish nji burg”. Fjalimi i tij zgjati 45 minuta dhe në pragun e derës kur po ndahej me nxënësit ai shtoi: “Sot ky Institut, këjo shkollë Fetaro-kulturore, ka ngulë themelet në vend, dhe ndihma e Zotit Fuqiplotë garanton mbarë vajtjen e saj. Aj qi ka per të guxue të cenojë integritetin e sajë fetar, do të jetë mëkatar i pafalun, anmik i Islamit, dhe i të gjith neve”.[16] Kësaj medreseje edhe revista Kultura Islame i kushtoi një hapësirë të konsiderueshme në faqet e saj.

Nxansat e Medresesë së Shkodrës në provimet e fundit të vitit shkolluer 1944-1945[17]

Kundrejt çdo mundi dhe përpjekje Providenca Hyjnore derdhë mirësinat dhe begatitë e Saj të pashterëshme. Kundrejt çdo sakrifice e vetmohimi për qëllime të larta fetaro-shoqnore-kombëtare Mëshiruesi i njerëzimit ep shpërblimet e meritueshme. Kundrejt çdo nijeti dhe objekti të qveshun krejt nga interesi vehtjak Zoti ban të përftohen fryte të mëdha e të nji-pas njishme. E pra edhe grupi nisjator me vullnet të çelnikët për formimin e Komitetit Bamirës Mysliman të Shkodrës dy vjetë ma parë, tue punue nat’ e ditë dhe tue i u shtrue çdo llojë vuejtjeje; tue iu përgjegjë me fakte çdo kritike të pathemeltë e të paarsyeshme, arrijti të realizojë nji nga fazat ma të para t’objektivitetit të tij: “Krijimin e nji medreseje të rregulltë në Shkodër”.

Kjo Medrese, që synon me nxjerrë klerikë si imamë të përshtatshëm me kohën e sotshme, u hap me 27 Dhetuer në vitin e kaluem, prej ku filluen mësimet si klasë pregatitore për të parën, tue mbledhë nxansa qi kishin krye shkollën fillore prej mbrendë qytetit dhe prej katundeve të qarkut të Shkodrës. Mbrenda nji kohës së shkurtë numri i internatistëve arrijti në 22, të cilëve iu sigurue ushqimi, fjetja, drita, pastrimi, nga nji palë rrobe me pardesy uniformativ, kepucë, veshje nenteshme etj….: 6 gjymës-bursista, të cilëve iu sigurue nji hae në mesdite dhe veshje sikurë të parëve dhe 20 të jashtëm që mësojnë ditën.

Asht për t’u çuditë nga nji sukses i tillë, tue u pajisë me të gjitha komoditetet e nji instituti, thue se ka vjet’ e vjetë q’ekziston së funksionuemi kjo medrese. Nji të hueji i bajnë nji përshtypje të thellë në zemër këto hapa përparimtarë dhe mbetet i shtangët kundrejt kësaj paraqitjeje, por neve dijme kuj t’ia mbështesim këtë fuqi motorike qi ka vu në funksionim nji aparat ndriçues për krejt qytetin t’onë dhe shkëlqyes e simbolik për çdo qytet të shqipniës; asht energjija e pashterëshme depozitue nër zemrat bujare e altruistike të të gjithë atyne qi u sakrifikuen, dhe vazhdojnë të ndjekin të njajtën vijë, me çdo mjet e mënyrë për të muejtë me gjetë burimin e furnizimit të nxansave të kësaj Medreseje, si dhe krejt populli Mysliman i qytetit t’onë, i cili me gjestet e tij bujare në përgjithësi i dha kontributin sa me nji mjet aqë me nji tjetër simbas profesjonit qi ushtronte. Nuk munguen as katundet në këtë fushate bamirësie, nji nga të cilët, për t’u-da me gisht, asht Barbullushi, i cili formoi kujdestarët e mbledhjes së ndihmave në vendin e tij. Veçanërisht asht për t’u shënue ndihma mjekësore dhanë me rastin e vizitimeve gratis të nxansave të Medresesë nga Z.Z. Dr. Basri Qadhimi, Dr. Emin Bekteshi dhe Dr. Hasan Shehu; si dhe farmacist tue lëshue barna herë gratis, herë me zbritje të mëdhaja, Z. Dr. Ismail Muja. Njitazi si infermjerë për inxheksjone e shërbime të tjera Z.Z. Sabri Disdari dhe Shefik Osmani, të cilët punuen gratis për sa herë që qe nevoja e këtij instituti, për ç’ka Zoti i shpërbleftë çdo njenin sish për kontributin qi dha!

Me këtë artikull nuk asht e mundun të numrohen faktorët e bamirësinave dhanë për funksionimin e kësaj Medreseje; asht ekspozeja finale e Komitetit qi i përmbledhë që të gjitha këto, por gëzimi që ndij në shpirtë para kësaj situate me lëvizë vetë pendën dhe më shtynë t’u kujtoj lexuesave të ndershëm, në mënyrë qi të bahet shembull kojo ndërmarrje e shenjtë e fisnike. Krejt mundi i bamë prej nxansave gjatë këtij viti shkolluer po qet frytet e tij sod në provimet e fundit të kryesueme prej mësuesave të landës dhe komisjonit provues me Hirësinë e Tij Kryemyftiun e Zonës së këtushme në krye, i cili asht tue mbetë krejt i kënaqun për kujdesin e treguëm nga mësuesit në dhanejen e mësimeve si dhe në squtësinë, zellin e vullnetin e nxansave qi për mrekulli mbrenda nji kohës kaqë të shkurtë kanë mrrijtë m’u lavrue kaqë mirë. Të përqethej shtati kur filizi i njomë u përgjigjej me seriozitet, pa frigë, pa tronditje dhe me gjakë ftohtësië pyetjeve qi i baheshin nga mësuesat e tyne. Mendonja me vehte: kur për nji kohë kaqë të shkurtë kanë arrijtë të mësojnë kaqë, po vallë kur do të kenë fatin të kryejnë klasët e tjera?! Nuk ishte vetëm nji landë, në të cilën dalloheshin për zellë dhe vullnet, por nër të gjitha landët: Arebishte (Fetare) dhe shqipe (shkencore); që të gjitha i kishin mësue me përpikmëni.

Provimet filluen me 20 dhe mbaruen me 27 të k. m, ne fund të të cilave trupi mësimuer i bani nji propozim Këshillit të Komitetit për të ba nji piknik me nxanësit jashtë qytetit, propozim, të cilin e pëlqyen që të gjithë dhe vendosën t’a ndërmarrin me 28 të muejit vazhdues. Të gjitha masat dhe pajisjet për këtë shëti u morrën, kështu që në ditën e caktueme aty kah ora 5 e mëngjezit të gjithë nxansit, të shoqnuem prej trupit mësimuer, nji sasi këshilltarësh dhe disa antarëve të Komitetit, u nisën për në vendin e caktuem. Ky ishte i vetmi rast q’i bante nxanësit të shijojnë llojë-llojë bukurinash qi Zoti ka krijue në këtë botë; këtu i vejshin në zbatim nji seri mësimesh q’i kishin mësue gjatë vitit shkolluer. Asht për t’u shënue nji karakteristikë që i dallon mësuesat e kësaj Medreseje: shoqnimi i nxansave dhe të shtruemit e diskutimeve me ‘ta rreth çashtjeve të mësimit për t’i stërvitë nxanësit për jetën praktike dhe për t’i ba të shprehen lirisht në çdo rast që t’iu paraqitet. Në mbramje me plot gëzim e hare kthyen për në Medrese, ku filluen t’i përshkruejnë të gjitha përshtypjet në formë hartimi në kërkesë të mësuesit të gjuhës Shqipe.

Me 30 të muejit vazhdues u vendos t’u shpërndaheshin dëftesat nxansave, tue u pasë grishë çdo shtresë e popullit për të marrë pjesë në këtë ceremoni të vogël. Aty kah ora 6 mbas dite salla e Komitetit ishte mbushë prej popullit, në krye të të cilit qëndronte Kryemyftiu i Zonës së vendit, H. e Tij Hafiz Sabri Bushati me trupin e Ilmijes për rreth, si dhe prej autoriteteve qeveritare e kishte ndriçue këtë mbledhje Kryetar i Këshillit N. Çl. i Prefekturës, Z. Riza Dani. Po në këtë orë kryetar’ i Komitetit Bamirës Mysliman, Z. Esad Myftiu, mbajti dy fjalë të rastit dhe pastaj filluen të provohen të gjithë nxansit për të gjitha landët e mësimeve, provë e cila zgjati afër 1 orë.

Mbikqyrsija e Medreses kishte premtue dhurata për ata që do të kishin nota të mira dhe të para, tue caktue për të parin e klasës nji orë dore; për të dytin nji stilograf ari, për të tretin nji çantë lëkure dhe për të tjerët libra të klasifikueshëm. Mbasi u shqyrtuen nji nga nji notat e dëftesave të nxansave rezultoi i pari nxanësi Enver Barbullushi (prej kat. Barbullush), i cili fitoi nji orë dore; i dyti Sheuqet Kraja (prej Shkodre), që fitoi një pendë ari; i treti Izet Hoxha (prej Sukubine), që fitoi nji çantë lëkure.

Me kët rast vetë Kryemyftiu u shpërndau dëftesat me dhuratat nxansave, tue e përcjellë çdo njerin sish me urimet e tij të pranueme për të pasë sukses nër vitët e tjerë. Porsa mbaruen dëftesat së shpërndaëmi, nji nga nxanësit e klasës pregatitore, Sheuqet Kraja, n’emën të shokëve të tij, mbajti dy fjalë mbi mënyrë-pritjen e hapjes së Medreses me 27 Dhetuer 1944. Në mes të tjerave, falënderoi Komitetin Bamirës Mysliman q’ishte përkujdesë për furnizimin e tyne dhe së fundi falënderoi krejt popullin e Shkodrës që kishte dhanë kontributin e ‘tij për mbajtjen e këtij Instituti, tue lanë nji përshtypje të thellë nër ndigjuesit, mbasi nji djalë kaq i vogël të dijë të shprehet ma së miri ep shpresa të gjalla se me oratorinë e tij natyrale do t’i vlejë jo vetëm Fes s’onë të naltë, por edhe Atdheut të dashtun, Shqipnisë.

Në mbarim të të gjithave u ba nji dua Arebisht prej Z. Hafis Sheuqet Boriçit, i cili me stilin e tij të naltë gjuhsuer theksoi në mes të tjerave randësinë e mësimit të urdhnuem nga Islami, vleftën e atyne q’e ndihmojnë shvillimin e tij, etj. shprehje, të cilat më dhanë të kuptoj praktikisht se në Shkodër me të vërtetë ka ende hoxhallarë të pjekun dhe të mirë lavruem për degen fetare, ç’ka nuk ka shembëllin gjetiu në Shqipni, por n’anë tjetër na vjen shumë keq që kjo dituni e pashterreshme të mos mblidhet nër volume për ndriçimin e jetës së breznive t’ardhëshme. Jemi të bindun se, me kësi sakrificash, me metoda të tilla do të jemi në gjendje me ba nji trup hoxhallarësh të mirë, të pjekun, të mirë-lavruem, të zotët me ia spjegue çdo shtrese të popullit mësimet e Fesë s’onë të naltë Islame: me mënyra të tilla do të jemi në gjendje me plotësue me pa të meta vendet vakante qi janë sod prej majës së Shqipnisë e deri në fund, ku në mungesë të prisave fetarë, nji mysliman me emën nuk din t’i flasi dy fjalë mbi Fenë e tij! A ka ma mjerim ?! Kjo ka qenë arsyeja qi e ka shtye Kryesinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar t’urdhënojë hapje medresenash të ulta nër disa Prefektura e Nënprefektura, gja qi me të vërtetë mund të sigurojë nji ardhmëni me plot fryte për kah lama fetare. Na vjen shumë keq qi të mos jetë marrë nji masë e tillë para sa vjetësh, por këtu dallohet shpirti nisjator dhe mendja pllere e Eminencës së Tij Kryetarit të Komunitetit të soçëm, nën udhëheqjen e të cilët shpresojmë qi të bajmë hapa vigane drejt përmirësimit të gjendjes Vakëfnore dhe përparimit për kah fushata fetaro-kulturale.

Ditët kalojnë, koha nuk pret, nevoja vjen e shtohet dita ditës për hapje medresenash, që të prodhojnë Imamët e nevojitun. Nji çashtje kësi soji duhet të shpejtohet me gjithë se paraqitet e vështirë sa në teori aqë edhe në pratikë. Nji proverb arabishte thotë: “Ma la judrequ qul-luhu la jutrequ qul-lubu”, d. m. th. “Ç’ka nuk arrihet krejtësisht, nuk lehët fare”. Pra dhe neve duhet të përpiqemi me aqë sa kemi mundësi dhe se këtë përpjekje duhet t’a bajmë për hirin e Vullnetit qi na porosit Feja e jonë e naltë, parim të cilin e respektuen me stilin ma të lartë altruistik myslimanët e hershëm, të cilët sakrifikuen pasuni e çdo gja të shtrenjtë te tyne për themelimin e institucjoneve të tilla Islamike. Sod pra a kurrë asht dita e rasti ma i volitshëm për rimëkambjen e Fesë s’onë, për plotësimin e të metave në aparatin e prisave fetarë. Vetëm me përpjekje e sakrifica mund t’arrihet vend-synimi i jonë, qi asht për të mirën e Fesë dhe t’Atdheut. Me përtacësi nuk fitohet gja, përkundrazi bjerret; me çinteresime nuk paraqitemi ndjekësit e përpiktë t’Islamizmit; parasitizmës duhet t’i shkulen rranjët nga kjo fushë; asaj i ka kalue koha; sod kemi të bajmë me nji makinë plot energji, para të cilës çdo rranjë ase degë ngathtësie zhbihet. Islami asht nji Fe pune dhe përpjekje, të cilën e urdhënon nër qinda versetesh e tradita Profetike. Verseti: “Ve en lejse-lil insani il la ma se’a”, “Njeriu korr vetëm frytin e punës së vet”, asht nji dëshmi e kjartë mbi sa u fol sipri. A Profeti na thotë të ulemi në nji post e të numrojmë kokat e tesbihëve e për punë të tjera të mos kemi kujdese?! Jo, jo. Ai vetë bante për ditë çdo llojë pune dhe nga ana tjetër nuk e lente mbas dore edhe organizimi fetar; për çdo bisedë të tij përpjekja ishte esenca e baza e nji fryti të shëndoshë. Ashtu duhet të përpiqemi edhe neve në çdo fushë të aktivitetit njerëzuer.

Shkodër 30 Qershuer 1945 / Reporteri.

[1] Ali Basha, Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1912-1967), Tiranë 2011, f. 126.

[2] Smajl Bala, Institucionet islame dhe hoxhallarët e Shkodrës, Shkodër 2005, f. 50-55.

[3] Hamdi Bushati, Shkodra dhe Motet, V. II, Shkodër 2015, f. 88.

[4] Ali Basha, Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1912-1967), Tiranë 2011, f. 126.

[5] Ali Basha, Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1912-1967), Tiranë 2011, f. 127.

[6] Hamdi Bushati, f. 128.

[7] Hamdi Bushati, f. 133.

[8] Zani i Naltë, Viti XIII, Nr. 4, Prill 1938, f. 128.

[9] Zani i Naltë, Viti XIII, Nr. 7, Korrik 1938, f. 222.

[10] Smajl Bala, Institucionet islame dhe hoxhallarët e Shkodrës, Shkodër 2005, f. 92.

[11] Hamdi Bushata, f. 133.

[12] Smajl Bala, f. 92.

[13] A.Q.Sh, F. 482, (vitit 1944), D. 38, f. 5-20.

[14] Smajl Bala, f. 93.

[15] “Rreth vizitës së Kryetarit të K.M.Sh. Eminencës së tij H. Musa Haxhi Aliu”, Kultura Islame, Viti i VI, Nr. 10-11, Tetor-Nëntor 1945, f. 149.

[16] Kultura Islame, Nr. 10-11, Tetuer-Nanduer 1945, f. 149.

[17] “Nxënësit e Medresës së Shkodrës”, Kultura Islame, Viti i VI, Nr. 5-8, Maj-Gusht 1945, f. 85.

Artikuj të ngjashëm