Hulumtime MINBER

Ovamir Anjum

Pjesa e 3-të

  • Teologjitë politike lindore

 Teologjia politike e periudhës abaside, dora-dorës, përthithi dhe reflektoi traditën imperialiste persiane, sipas së cilës, drejtësia ishte dhuratë e një monarku absolut dhe me pushtet të pakrahasueshëm. Kjo përfaqësonte një largim drastik nga periudha e mëparshme, në të cilën drejtësia buronte nga një negocim midis devotshmërisë së mbrujtur nga Kurani dhe traditës fisnore arabe relativisht egalitare (Marlow 2002). Me ngritjen e mbretërive në Persi dhe Azinë Qendrore, literatura për këshillim politik – ose pasqyra e princërve – mori rëndësi të madhe. Përplasja e shtetësisë persiane me organizimin hierarkik të fiseve nomade të Azisë Qendrore ishte më pak e dukshme sesa me egalitarizmin islamik të mëparshëm; ky i fundit ishte zbutur, por kurrë nuk u eliminua nga absolutizmi pers (Marlow 2010).

Variante të kësaj teologjie politike dhe të këtij arti udhëheqjeje u përhapën në të gjithë botën islame, duke ekzistuar vështirësisht përkrah diskursit të kalifatit i cili mbrohej nga ulematë sunitë (shih më poshtë). Kjo bashkëjetesë u lehtësua si nga kompromisi i ndërsjellë, ashtu edhe nga fakti që të dyja zhanret trajtonin shqetësime disi të ndryshme. Për dallim nga teoria e hershme klasike sunite, literatura politike e kësaj periudhe e përshkruan mbretin ose sulltanin si “zëvendësin e Zotit”, “hija e Zotit në tokë” dhe shpesh sugjeron pushtet absolut. Në fakt, i njëjti autor mund të shprehte dy pikëpamje diametralisht të kundërta në varësi të zhanrit, si p.sh., në rastin e Al-Mauardit (Anjum 2012: 261).

Pas pushtimit mongol, trashëgimia e Xhengis Kanit (v. 1221), si në terma të prejardhjes, ashtu edhe në teologjinë politike, dominoi pjesën më të madhe të botës islame lindore, përfshi Persinë dhe Indinë myslimane. Më shumë sesa teologjia politike kuranore apo transpozimi i saj në modelin klasik sunit, ishte prejardhja mbretërore (ʿAlid ose Xhingisid) dhe “përdorimi i ritualeve kozmike të derivuara nga shkencat “hermetike” të astrologjisë, letrizmit dhe alkimisë […] [që] mbështetën shenjtërinë e sundimtarit, pavarësisht tekstit të shenjtë islamik.” Në fakt, “titulli më i rëndësishëm mbretëror, pas mongolëve, të cilët kishin shkatërruar institucionin ‘scriptural’ të kalifatit, u bë një titull astrologjik, Zot i Lidhjes (Ṣāḥib Qirān).” (Moin 2017: 94)

Një gjë e tillë vërehej, sidomos, në Indinë Mogule nën Perandorin Akbar (mbretëroi 1556-1605), ku “mbretëria e shenjtë prevalonte mbi monoteizmin” (93). Figura e sundimtarit shenjtërohej nëpërmjet ritualeve të derivuara nga fe të ndryshme, të unifikuara nën rubrikën e një feje të re, dīn-i ilāhī, dhe të justifikuara nëpërmjet pritshmërive mileniariste të rajonit. Nëpërmjet rikthimit tek teologjia jo-monoteiste, Akbari promovonte ṣulḥ-i kull (paqen totale, ose paqen me të gjithë) midis feve, e cila kishte për qëllim ta reduktonte Islamin në nivelin e feve të tjera, teksa, nga ana tjetër, shenjtëronte sundimtarin si superior ndaj të gjitha feve. Kjo nuk nënkuptonte assesi një politikë pacifizmi ose mosdhune, ngase Akbari pushtonte dhe ndëshkonte pa pushim; thjesht nënkuptonte se ishte politika, dhe jo teologjia, ajo që nxiste luftën.

  • Krahasimi i teologjisë politike islame

 

  • Teologjitë politike hebraike dhe të krishtera

Teksti hebraik manifeston një ambivalencë të thellë lidhur me mbretërimin, e cila varion nga përnderimi për figura si Sauli, Davidi dhe Solomoni, të cilët ia detyrojnë autoritetin e tyre përzgjedhjes hyjnore dhe gëzojnë një marrëdhënie dhe komunikim të veçantë me Zotin, deri te dënimi i mbretërimit si një formë e idhujtarisë (sepse Zoti është mbreti i vetëm i vërtetë). Kurani dhe hadithi e artikulojnë vizionin e tyre për një qeverisje korrekte, në një bisedë të vetëdijshme me traditën hebraike, duke përdorur profetët izraelitë dhe pasuesit e tyre si modele referuese, por, sakaq, për sa i përket çështjes së mbretërimit, duket se largohen në dy aspekte: së pari, duke përqafuar autoritetin politik njerëzor dhe, së dyti, duke e rindërtuar mbretërimin si një zëvendësim të Profetit dhe jo si një rival të autoritetit hyjnor (seksioni 3).

Davidi dhe Solomoni janë mbretër-profetë, të cilët lipset imituar në virtytet e tyre, por autoriteti i tyre nuk mund të pretendohet nga asnjë joprofet, madje as mbretëria nuk është e lejuar në sheriat (ligjin islamik). Në një hadith, vetë Profeti Muhamed zgjedh të jetë skllav i Zotit (ʿabd) në vend se të jetë një mbret (malik) si Solomoni (Dumayjī 1987: 37-39).

Tekstet e shenjta islame (Kurani dhe hadithi) nuk japin të dhëna rreth përvojës së mëvonshme, relativisht laike të monarkisë hebraike. Kjo heshtje shtrihet edhe në dinastitë e mëvonshme hebraike (140 p.e.s.-92 e.s.), të cilat kombinuan mbretërinë biblike stërgjyshore me format helenistike dhe të cilat Kurani i dënon në mënyrë implicite për refuzimin e profecisë së Jezusit (Kuran 3: 55; 4: 155). Po ashtu, e njëjta heshtje shtrihet edhe ndaj përvojës perandorake të krishterë. Filoni i Aleksandrisë – filozofi i parë hebre dhe përkrahës i traditës abrahamike që pajtoi Zotin abrahamik me Shkakun e Parë të filozofëve grekë – i krahasoi mbretërit me Zotin. Sipas tij, mbretërit dhe Zoti përngjasojnë në domenin e virtyteve fisnike, duke e mbarsur kësisoj leksikun mbretëror me përshkrime që e paraqitnin Zotin si një mbret të fuqishëm (Bardill 2012: 341). Sakaq, rikujtojmë se Aristoteli dhe Platoni kishin rekomanduar se qeverisja duhej t’i jepej “njeriut më të mirë”, i cili, për shkak të sukseseve të tij, i përngjasonte Zotit. (Bardill 2012: 359).

Tema të ngjashme gjejmë edhe te mendimtarët e krishterë, si Eusebi, apologjeti i Perandorit Kostandin, i cili e çoi më tutje, duke e modeluar Kostandinin sipas shëmbëlltyrës së Zotit dhe duke argumentuar se “një mbret i mirë duhet të përpiqet të replikojë në tokë sundimin qiellor të Hyjnisë Supreme” (2012: 354). Megjithëse këto tema mungojnë në tekstet e shenjta islame, ato janë mjaft të zakonshme në tradita të ndryshme islamike.

 

  • Teologjia politike helenistike

 

Tradita filozofike e botës islame (falsafa), e ndikuar nga filozofia greke, ofroi alternativën më të plotë ndaj teologjisë politike kuranore. Kjo traditë racionaliste, vertikale, deduktive dhe absolutiste, pavarësisht nga origjina e huaj, mund të harmonizohej me teologjinë politike të përqendruar te sundimtari, si të teoricienëve të vonë umajadë ashtu edhe të abasidëve, si dhe kundërshtarëve të tyre imamitë. Ashtu siç në këtë traditë intelekti (ʿakl) konsiderohej si esencë e përjetshme dhe hyjnore, jashtë qenies njerëzore, ashtu edhe mbreti-filozof ose ligjvënësi ishte i jashtëm ndaj shoqërisë, por megjithatë i domosdoshëm për ta drejtuar atë.

Vetëm filozofët mund të kufizonin dhe përudhnin instinktet bazë të masave, të cilat, nëse liheshin të pakontrolluara, rrezikonin të zhdukeshin njëlloj si një trup pa tru (Fakhry 2005: 128; Anjum 2012). Ky sistem determinist, në të cilin filozofia dhe feja ishin të pazgjidhshme, ashtu si kozmologjia (qenia) dhe epistemologjia (njohja), ishte krejtësisht në kundërshtim me nocionin abrahamik të një Zoti që krijonte lirisht dhe i Cili u kishte dhuruar njerëzve arsyen si një instrument për mbijetesë dhe për përsiatje ndaj shenjave hyjnore (Oakley 2005).

 

  • Zhvillimet e vonshme klasike

 Në periudhën postmongole vërejmë disa mendimtarë myslimanë që e shtyjnë teologjinë politike klasike sunite drejt një perspektive më të përqendruar tek imami ose (për të përdorur terminologjinë e një historiani të Krishterimit mesjetar) në rënie, ndërsa të tjerë eksplorojnë prospektiva më prapakthyese ose të përqendruara tek umeti, duke u qëndruar besnikë premisave themelore të teologjisë politike sunite (Ullmann 1965).

 

  • Interpretimet regresive: Al-Ixhi

 Ndikimi i sundimit mongol, falsafas dhe shiizmit është i dukshëm në mendimin e teologut esharito-sunit, Adud al-Din al-Ixhi (v. 756/1355). Shkrimet e tij mbi kalifatin pranojnë qartazi disa nga premisat e interlokutorëve të tij shiitë. Sfida shiite ishte kjo: “Imamati është zëvendës i Zotit dhe i Profetit, andaj vlefshmëria e detyrës nuk mund të përcaktohet përmes vendimit të të tjerëve, d.m.th., zgjedhësve (ehl al-bayʿa); ngase, nëse do të ishte kështu, atëherë imami do të ishte kalifi i tyre, jo i Zotit dhe Profetit.”

Përkundër së drejtës së umetit për zgjedhjen e një prej të vetëve si përfaqësues, Al-Ixhi pranon premisën e mësipërme, duke u ndarë kësisoj nga paraardhësit e tij klasikë sunitë. Në vend të kësaj, ai argumenton se njëlloj si analogjia ligjore (kijasi) shpjegon dhe nuk krijon ligjin e Zotit, ashtu edhe bej’a thjesht nxjerr në pah dikë që është përzgjedhur nga Zoti (Kerr 1966: 34–35). Kësisoj, imami sunit zgjidhej drejtpërdrejt nga Zoti, ashtu si imami shiit. Zgjedhësit përfaqësojnë një instrument të sundimit të Zotit, jo vullnetin e umetit. Umeti është i parëndësishëm, nuk është më një instrument (ose në rastin më të mirë përafrim) i vullnetit të Zotit; vullneti i Zotit realizohet pavarësisht se kë zgjedhin zgjedhësit si kalif/imam. Duke komentuar këtë dialog, Malcolm Kerr vëren: “Ky është një refuzim vendimtar i teorisë së kontratës; ehl al-bayʿa konsiderohen thjesht funksionarë, jo palë interesi.” (1966: 34-35)

 

  • Interpretime prapakthyese: Ibn Tejmija

 Ibn Tejmija (v. 728/1328) përpiqet të rikuperojë qasjen e teologjisë së hershme sunite, e shpërfaqur në shkrimet e hanefiut Ebu Jusuf, malikiut El-Bakilani dhe hanbeliut Ebu Jalës, një qasje sipas së cilës imami është agjenti (wakīl) i umetit. Sipas fjalëve të E. I. J. Rosenthal, “nga ky qëndrim [i Ibn Tejmijes] është e qartë se qendra e gravitetit është zhvendosur nga kalifati dhe kalifi te bashkësia, jeta e të cilit duhet të rregullohet nga ligji hyjnor. Në të njëjtën kohë, ai kërkon bashkëpunim sa më të ngushtë midis imamit – autoritetit të nevojshëm – dhe bashkësisë.” (1958: 52)

Kjo zhvendosje domethënëse në domenin e teologjisë politike lindi si pasojë e një domosdoshmërie evidente që mund të përkapej nga kushdo që kishte një sens të mprehtë historie si Ibn Tejmija. Duke shkruar fill pas shkatërrimit të Bagdadit në vitin 656/1258 – dhe së bashku me të edhe shkatërrimit të prestigjit të Kalifatit Abasid – Ibn Tejmija, ndryshe nga teoricienët e mëparshëm sunitë, nuk e mbështeste autoritetin e rendit islamik në vazhdimësinë e kalifatit, institucionit që mund të krenohej përmes një zinxhiri të pandërprerë trashëgimie që nga periudha e Profetit.

Për Gazaliun, pa figurën e kalifit, rendi islamik do të shpërbëhej domosdoshmërisht; për Ibn Tejmijen, i cili shkroi pasi kishte ndodhur ajo shpërbërje e frikshme, parimi i legjitimitetit politik duhej të rindërtohej nga poshtë lart – duke nisur nga elementet binjake të umetit dhe ligjit hyjnor, sheriatit, si dhe nga parimet e para të natyrës njerëzore dhe shpalljes. Një gjë e tillë bëhet edhe më urgjente nga momenti kur kodi ushtarak (yāsā) i Xhingis Kanit (v. 1227) ishte shndërruar në rival të sheriatit (Anjum 2012: 26-30, 102-107).

Në këtë kontekst, kontributi më themelor i Ibn Tejmijes, në terma të teologjisë politike, ishte teorizimi i tij i bazuar te parimet e para të shpalljes. Në një interpretim të paprecedentë – i cili, pasi u pranua vizioni i tij i autoritetit politik, rezultoi të ishte shumë i qartë – Ibn Tejmija e bazoi të gjithë autoritetin politik në kryedetyrimin kuranor për të urdhëruar të mirën dhe për të ndaluar të keqen – një detyrim që, siç u theksua më parë, Kurani e shpall të jetë misioni përkufizues i të gjithë komunitetit. Njerëzit janë qenie politike, andaj çdo autoritet politik domosdoshmërisht urdhëron e ndalon dhe e bën këtë bazuar në një standard të së mirës. Meqenëse bashkësia islame sendërtohet si përgjigje ndaj zbulesës së Zotit, ndjekja e urdhëresave dhe ndalesave hyjnore në çështjet kolektive bëhet një kërkesë racionale, si dhe një kërkesë e shpalljes.

 

  • Kthesa empirike: Ibn Khalduni

 Bir i perëndimit islamik dhe i përvojës së tij të Rekonkuistës nga fuqitë e krishtera, Ibn Khalduni (v. 808/1406), pa dyshim një nga mendimtarët më të mëdhenj historikë të të gjitha kohërave, e zhvendosi vëmendjen nga teologjia drejt historisë. Duke hedhur poshtë si polemikat moralizuese ashtu edhe supozimet themelore të trashëgimisë helenistike të mbiidealizuar që gjendeshin në falsafa, ai u përpoq të shpjegonte ngritjen dhe rënien e dinastive dhe të shteteve, jo duke gjurmuar korrektësinë teologjike ose filozofike të tyre, por përmes fenomenit të vëzhgueshëm, solidaritetit grupor. Ngjarjet domethënëse paradigmatikisht me të cilat u angazhua Ibn Khalduni ishin luftërat civile të shekullit të parë të Islamit. Ai u përpoq të shpjegonte në një mënyrë inovative se si Islami kishte mundësuar që fiset arabe ndërluftuese ndërsjellas të bashkoheshin në një trup të vetëm besimtarësh. Pushteti politik, argumentonte ai, gjenerohet nga forca e solidaritetit grupor (ʿaṣabīya), duke ofruar më tepër një shpjegim sociologjik sesa teologjik për triumfin e Islamit.

Gërshetimi i teologjisë me shkencën shoqërore, veçanërisht evident në veprën e Ibn Khaldunit, nuk bëri gjë tjetër vetëm se zhvilloi një temë që ishte e pranishme midis teoricienëve sunitë që prej fillimit: devotshmëria fetare nuk është faktori i vetëm që përcakton arritjen dhe jetëgjatësinë e pushtetit politik. Kompetenca, drejtësia dhe mençuria në hartimin e politikave luajnë po ashtu një rol të rëndësishëm. Dijetarët sunitë prej kohësh kanë mbajtur qëndrimin, për shembull, se për postet politike, kompetenca duhet të ketë përparësi mbi devotshmërinë personale, duke supozuar kësisoj se “bota nuk është aq e magjepsur saqë devotshmëria e sundimtarit do të siguronte per se prosperitet dhe devotshmëri për të sunduarit.” (Anjum 2016b: 11)

 

  • Reformizmi i shekullit të tetëmbëdhjetë

 

  • Sinteza e fundit e madhe: Shah Uali Allah i Delhit

 Në vigjilje të përballjes islame me Perëndimin kolonial, një numër lëvizjesh reformiste dhe ripërtëritëse ishin në zhvillim e sipër. Një nga më të thellat në pikëpamje intelektuale ishte sinteza e ndërmarrë nga autoriteti i famshëm i Islamit të shekullit të tetëmbëdhjetë, juristi-sufiu dhe filozofi indian Shah Uali Allah (v. 1174/1762). Erudicioni i sintezës së tij demonstrohet nga mënyra se si ai mbron sunizmin kundër depërtimit të ideve shiite, duke përdorur në një mënyrë inovative, një analogji me eukaristinë. Ashtu sikurse Krishti kishte hyrë në trupat e dishepujve të tij përmes bukës që kishte ndarë me ta, Uali Allah argumentonte se Profeti veproi nëpërmjet gjymtyrëve të pasardhësve të tij të drejtudhëzuar, veçanërisht Ebu Bekrit dhe Umerit, fitoret e të cilëve, si pasojë, ishin në të vërtetë të Profetit (Zaman 2020: 318).

Epistemologjia e tij është po aq eklektike, për aq sa kombinon arsyetimin tekstual dhe ligjor me një depërtim të rrallë sociologjik dhe frymëzim mistik, gjë që i dha akses në “Këshillin e Lartë Engjëllor” (bazuar në një referencë kuranore lakonike, al-malaʾ al-aʿlā, Kuran 38: 69). Ai argumentoi, ashtu si juristët më eminentë para tij, se Zoti e ka shpallur ligjin e shenjtë (sheriatin) për të përmbushur interesa të përshqueshëm njerëzorë, por, sakaq bagazhi i tij epistemologjik i mundësoi të shkonte shumë më tej sesa juristët e mëparshëm.

Teologjia politike është në qendër të shqetësimeve të Uali Allahut, pasi, ashtu si Ibn Khalduni, ofron “shpjegime kuazi-sociologjike të funksionimit të shoqërive njerëzore, ngritjes dhe rënies së tyre” (Zaman 2020: 316). Sipas interpretimit të tij, profetët dhe pasardhësit e tyre, boshti kryesor i historisë njerëzore, i udhëheqin bashkësitë njerëzore duke ofruar ose reformuar ligjin dhe zakonet. Ashtu si autorët e traditës filozofike helenistike dhe indo-perse – ndryshe nga koncepti i traditës së hershme klasike, e cila e sheh sundimtarin si agjent komunitar (imām-as-wakīl) – bota shoqërore e Uali Allahut është e ndarë thellësisht midis njerëzve të thjeshtë, për të cilët arsyeja e vërtetë e vendimeve ligjore është dhe ndoshta duhet të jetë e paarritshme dhe elitës shpirtërore dhe intelektuale, për të cilët arsyeja ligjore mund të bëhet evidente.

Ashtu si filozofët, ai i justifikon veprimet e Profetit ose të një zëvendësi (kalifi) përmes një skematizimi racional në të cilin njerëzit e thjeshtë duhet të menaxhohen me mjeshtëri. Ndryshe nga tradita e hershme sunite, në të cilën sjellja e sundimtarit është subjekt i kontrollit vigjilent të dijetarit, për Uali Allahun statusi i një sundimtari e vendos atë mbi rregullat normale, aq sa ai është i justifikuar të këmbëngulë se një politikë që duket e gabuar, faktikisht është e saktë.

Duke qenë se shkroi pas shenjtërimit të pushtetit nga Perandori Akbar dhe shpikjes së një feje të re sinkretike, Uali Allahu përqafoi një vizion tërësisht regresiv të teologjisë politike. Përmes rravgimit të tij, ai shkoi përtej pranimit pragmatik të sundimit të një uzurpatori nga juristët e vonë klasikë, duke propozuar një teori pushteti që të kujton prirjet ekstremiste në propagandën maruanide (shih më sipër), e cila e shihte pushtetin si një shenjë të favorit të Zotit (Zaman 2020: 323). Pushteti gjithmonë është konsideruar i domosdoshëm për të garantuar rendin e duhur islam, por për Uali Allahun ai u shndërrua në justifikim per se (2020: 323, 325). Përmes një analogjie që do t’i kishte tmerruar autorët e hershëm klasikë sunitë, ai përdor astrologjinë për të ndërlidhur aventurierët e vonshëm myslimanë me Profetin Muhamed:

[H]oroskopi i Sulltan Mahmudit të Gaznit (mbretëroi 998-1030), i cili e kishte bastisur Indinë disa herë përmes bazës së tij – në atë që sot është Afganistani lindor-qendror – ishte identik me atë të Profetit për sa u përket kombinimeve planetare, të cilat i kishin mundësuar Mahmudit një karrierë të suksesshme si pushtues. (Zaman 2020: 326)

Shenjtëria e pushtetit në mendimin e Uali Allahut e shndërron teologjinë e tij politike në diçka të pazakontë për traditën sunite, për aq sa pushteti bëhet karakteristika kryesore që i jep një sundimtari autoritetin “për të vendosur mbi gjendjen e jashtëzakonshme” dhe për t’u dhënë fund mosmarrëveshjeve, fetare ose jo. Duke e forcuar skajshmërisht – madje, duke e valorizuar plotësisht – anën e politikës në peshoren balancuese të traditës sunite midis pushtetit dhe së vërtetës, Ualu Allahu i afrohet Carl Schmitt-it më shumë sesa çdo teoricien tjetër politik mysliman (Zaman 2020: 328)

 

  • Rigjallërimi puritan

Në ekstremin e kundërt të sintezës së madhe të Uali Allahut qëndronte, në shkallë të ndryshme, teologjia politike e rigjallërimit purist. Askush nuk pati më shumë sukses brenda kësaj tradite sesa Muhamed b. Abd al-Vehabi (v. 1206/1792). I prirur drejt një tendence aktivizmi dhe antiintelektualiste brenda traditës hanbelite dhe i lokalizuar jashtë ombrellës së pushtetit perandorak në rajonin vështirësisht të qeverisshëm të Arabisë qendrore, ai kërkoi të imitonte luftën e Profetit Muhamed – domethënë, një grusht monoteistësh të përkushtuar përballë një botë politeiste. I armatosur me një doktrinë të thjeshtë monoteiste intransigjente, ai i shihte myslimanët bashkëkohorë si pre të politeizmit dhe traditën e ulemave viktimë të logjikës greke.

Megjithëse pushteti, si ai i sulltanit osman në Stamboll, nuk kishte vlerë morale, kur një kryetar fisi i bashkohej misionit të tij, u elaborua një ndarje primitive në të cilën autoriteti i sundimtarit ishte i padiskutueshëm për sa kohë që ai mbështeste misionin. Sundimtari nuk i përngjasonte assesi Zotit dhe as nuk kërkohej prej tij ndonjë tog virtytesh specifike. Megjithatë, kushti ekstremisht tolerant sipas të cilit bindja ekzistonte për sa kohë që ai vazhdonte të ishte mysliman, pavarësisht nga ligësia e tij, mund të bëhej rrezikshëm absolutist.

Vehabizmi bashkëndante me lëvizjet simotra kritikën e tij ndaj fesë popullore, por, sakaq spikaste për qëndrimin e tij pa kompromis dhe suksesin e jashtëzakonshëm ushtarak. Në fakt, nuk ishte hera e parë në historinë islame që një lëvizje fetare jashtë fushëveprimit të një qendre të fuqishme akuzonte kundërshtarët e saj për mosrespektimin e monoteizmit korrekt dhe i luftonte ata si të pafe. Pavarësisht nga qasja gjithëpërfshirëse e Islamit sunit, së bashku me imperativin për të shmangur, për aq sa është e mundur, ekskomunikimin e myslimanëve, lëvizje të tilla janë shfaqur në çdo sekt dhe në çdo epokë, duke marrë forma që variojnë nga diskursi teologjik deri tek ai mesianik (Adang et al. 2016; Friedmann 2022).

Në kategorinë diskursive mund të rendisim lëvizjen Almohad të reformatorit nga Afrika e  Veriut, Ibn Tumart (vd. rreth vitit 1128 të erës sonë), e cila ndryshonte nga vehabizmi vetëm mbi faktin se në vend të hanbelizmit përqafoi vizionin monoteist eshari. Një tjetër lëvizje pothuajse bashkëkohore me vehabizmin ishte lëvizja e Usman Dan Fodios (vd. 1817) në Afrikën Perëndimore, e cila në mënyrë të ngjashme kërkoi të reformonte Islamin dhe të përjashtonte ata që ishin të pabindur, duke zhvilluar luftë kundër tyre. Për aq sa lëvizje të tilla e shihnin teologjinë si dominim total ndaj sekulares, ku fuqia e Zotit udhëhiqte drejtpërdrejt politikën, këto lëvizje mund t’i konceptojmë si një përmbysje të plotë të teologjisë politike shmitiane.

 

  • Kolonializmi dhe ajo që pasoi: teologjitë politike islame në një botë të fragmentuar

Moderniteti, i cili mbërriti në botën myslimane përmes qerres së kolonializmit, paraqiste sfida të mëdha, madje në dukje të pafundme. Në këtë kontekst, psika myslimane përndiqej nga një breshëri pyetjesh, siç demonstrohet në veprat letrare të filozofit dhe poetit indian Muhamed Ikbal, konkretisht në veprat e tij Shikwa (Ankesa) dhe Jawab-e Shikwa (Përgjigjja). Çfarë kishte shkuar keq? A ia kishte dhënë Zoti dominimin Perëndimit ngase ky i fundit kishte treguar superioritet moral? A e kishte zbuluar vërtet Perëndimi Arsyen, siç pretendonte ai – virtytin e dëshiruar dhe të inkurajuar nga Zoti në zbulesë, por të cilin tradita myslimane, pas ditëve të hershme të lavdisë, e kishte humbur?

Apo Zoti e kishte mandatuar Perëndimin materialist dhe të pafe, si një kamxhik për t’i zgjuar myslimanët nga gjumi dhe për të vënë në provë bindjen e tyre tek e vërteta, e cila ishte transmetuar e pakontaminuar? Kush duhej fajësuar: ulematë apatikë apo elita sunduese myslimane, e privuar nga besimi dhe e etur “për të adhuruar diellin që lind në Perëndim? A ishin ulematë dhe evliatë shkaktarët e disfatës apo ishin të fundit që rezistuan? Së fundmi, kur filloi ky degradim? A e kishin humbur myslimanët rrugën kohëve të fundit apo e kishin keqinterpretuar mesazhin e Zotit që prej fillimit?

Pavarësisht nga kreativiteti i qasjes sintetike dhe rryma rigjallëruese puriste moderne, duket se ato nuk janë distancuar shumë nga sfera e interpretimeve të së kaluarës. Megjithatë, duke filluar nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, termat e debatit filluan të ndryshonin dhe në skenë dolën teologji të reja politike. Në dy shekujt pasues, me shembjen direkte ose indirekte të institucioneve fetare, shoqërore dhe politike (Laurence 2021; Hallaq 2012; 2018), bota myslimane u detyrua të përballej me problemin e teologjisë politike me ngut të paprecedentë. Inteligjenca myslimane iu përqas sekularizmit përmes një sërë strategjish, që përfshinin autokritikën, asimilimin dhe imitimin, si dhe rezistencën, kritikën dhe rikonstruksionin. Një larmi marramendëse idesh u propozuan jo vetëm nga inteligjenca tradicionale, por edhe (veçanërisht) nga reformatorët dhe misionarët laikë.

Megjithatë, në këtë proces idetë perëndimore mund të kenë luajtur një rol më pak të rëndësishëm nga sa imagjinohet. Po aq shkatërruese ishin edhe ndryshimet epokale që ndodhën në kushtet materiale të shoqërive myslimane: nga njëra anë, rënia e perandorive të mëdha, përfshirë kalifatin, dhe zhdukja e institucioneve tradicionale, e nga ana tjetër, rritja e vazhdueshme e popullsisë globale myslimane, rritja e alfabetizimit dhe interkonieksioni i paprecedentë.

Këta faktorë i dhanë jetë një klase të mesme myslimane, e cila, e gjendur përballë revolucioneve të njëpasnjëshme teknologjike dhe politike, e ka transformuar natyrën e diskursit islamik duke i injektuar një larmi perspektivash.

Larmia e eksperimenteve moderne në domenin e teologjisë politike mund të klasifikohet në tri kategori: përqafimi i sekularizmit, refuzimi i sekularizmit dhe “reformimi” i sekularizmit. Megjithatë, duke pasur parasysh kontestimet e thella mbi vetë natyrën e sekularizmit ose, ndoshta, si pasojë e shpërhapjes kapilare të koncepteve dhe institucioneve sekulare, është më e udhës të bëhet dallimi midis mbështetësve të sekularizimit dhe atyre të islamizimit.

 

  • Sekularizuesit

Që nga agimi i modernitetit evropian, një numër intelektualësh kanë përkrahur sekularizimin. Intelektualët osmanë si Sajid Bej, të cilët kanë argumentuar brenda një kuadri reformist islamik, ishin ndër të parët që propozuan shfuqizimin e institucionit të kalifatit (Guida 2008). Ata pretendonin se kalifati ishte përligjur në Islamin e hershëm nëpërmjet zgjedhjeve konsultative, në një mënyrë të atillë që në epokën e tyre përfaqësohej më së miri nga kushtetutshmëria dhe demokracia. Sipas tyre, qeverisja islame e kishte humbur shpirtin e saj pas përfundimit të sundimit tridhjetëvjeçar të Kalifëve të Drejtë. Argumenti i tyre artikuloi tri pika të përbashkëta.

Së pari, e lartësuan Kalifatin e Drejtë në nivelin e një statusi të paimitueshëm. Së dyti, të gjithë kalifët dhe sundimtarët pasues i denigruan si me të meta. Së fundmi, të frymëzuar nga ato që i konsideronin si ide perëndimore superiore, si kushtetutshmëria dhe nacionalizmi, ata përvetësuan një lexim progresiv të historisë moderne. Këto ide u çuan më tej nga studiuesi dhe politikani egjiptian Ali Abd al-Razik, i formuar në Al-Azhar (v. 1966).

Ai teorizoi një Islam tërësisht të sekularizuar, bazuar mbi dy lëvizje konceptuale: një interpretim tërësisht sekular i historisë së hershme islame dhe një asimilim i pikëpamjes protestante për fenë, e universalizuar nga iluminizmi, si një element që përfshin besimin dhe devocionin, por të shkëputura nga komuniteti dhe shoqërizimi. Kjo i lejoi atij të argumentonte se mesazhi i Profetit kishte qenë fetar, jo politik (Rāziq 2012). Edhe Kalifët e Drejtë, duke filluar me xhihadin e sahabëve kundër fiseve rida nën Ebu Bekrin, kishin marrë vendime politike dhe jo fetare.

Në këtë kontekst, një hap i mëtejshëm u ndërmor nga intelektuali komunist sudanez, Mahmud Mohamed Taha (v. 1985), i cili u ekzekutua për apostazi nga diktatori sudanez Xhafar Nimeiri. Taha e pranoi se propozimi i Abd al-Razikut ishte i pabesueshëm për sa kohë që nuk arrinte të adresonte sfidën e paraqitur nga misioni i Profetit dhe nga shpallja kuranore në Medinë, e cila qartësisht përmbante urdhra politikë dhe ligjorë (Taha 1987: 117).

Duke e konceptuar Kuranin medinas si të privuar nga normat detyruese, Taha përqafoi idenë e progresit në kuptimin e saj më radikal: ashtu si historia njerëzore është një histori evolucioni nga format më të ulëta tek ato më të larta, “edhe Islami nuk mund të konsiderohet kurrë i përmbyllur; progresi në të është i përjetshëm” (2007: 179). Shpirti dhe qëllimi i fundmë i këtij progresi ishin marksistët: “Kur të arrihet një barazi absolute nëpërmjet hirit të Zotit dhe kur prodhimi të jetë i bollshëm, atëherë kemi për të realizuar komunizmin ose një ndarje të pasurisë në mënyrë të barabartë për të gjithë njerëzit.” (Taha 1987: 156; shih edhe Duran 1992: 15)

 

  • Islamizuesit e epokës koloniale

 

Termi “islamizues” na ndihmon të shmangim etiketat kontraverse dhe me konotacion negativ, si “Islami politik” dhe “islamistët”. Gjithashtu, shërben si një kategori e përgjithshme që përfshin një gamë të gjerë aktorësh, të cilët, pavarësisht nga idetë kontradiktore, janë përpjekur ta ruajnë Islamin në një mënyrë koherente. Përballë çarjes epokale në sferën politike, shkaktuar nga kolonializmi dhe, akoma më tepër, nga shkenca dhe teknologjia perëndimore, myslimanët ishin shpesh të detyruar të braktisnin zakonet e tyre tradicionale dhe të përzgjidhnin atë që ishte thelbësore në fenë e tyre nga ajo që nuk ishte (dhe prej këtej e disponueshme për sakrificë).

Midis ulemave osmanë, rezistenca islame ndaj perëndimorizimit u personifikua plotësisht te Musṭafa Ṣabriu (v. 1954), shejhul-islami i fundit osman. Duke qenë se shërbeu si bibliotekar i sulltanit të fundit rezistent osman, Abdylhamidi II (mbretëroi 1876-1909), ai pati një karrierë të trazuar politike dhe intelektuale, i detyruar të zhvendosej disa herë, derisa u vendos përfundimisht në Egjipt. Përmes shkrimeve dhe aktivizmit të tij, ai argumentoi se progresi material i premtuar nga perëndimorizimi, sinonim i sekularizimit, ishte i pavlerë nëse binte ndesh me parimet islame, andaj në këtë kontekst ai duhej kundërshtuar (Şeyhun 2014: 44-45).

Po sikur të ishte dekadenca e traditës islamike mesjetare ajo që kontribuonte në pamundësinë e myslimanëve për të ecur me të njëjtin ritëm me Perëndimin modern? Kjo ishte pikëpamja e reformatorëve si Muhamad Abduh (v. 1905) në Egjipt dhe Sajid Ahmad Kan (v. 1898) në Indi, të cilët u përpoqën të kritikonin traditën e konsoliduar dhe të riformësonin rrënjësisht arsimin mysliman. Për ta, dominimi perëndimor nuk ishte vetëm një provë nga Zoti, por edhe një thirrje zgjimi.

Sekularizuesit, siç e cekëm më parë, përdornin idealizimet tradicionale të kalifëve të hershëm dhe denigrimin sektar të sundimtarëve të mëvonshëm. Si kundërpërgjigje, islamizuesit e Azisë Jugore mund të mbështeteshin te projekti intelektual i Shah Uali Allahut, i cili autoritetin politik e kishte pozicionuar në qendër të Islamit dhe, kësodore, kishte frymëzuar lëvizje rigjallëruese të orientuara drejt veprimit, përfshirë atë të nipit të tij, Shah Muhamed Ismail (vd. 1831). Ismaili kritikonte historitë pesimiste të regresit pa mbarim, duke argumentuar se Kalifati i Drejtë është një ideal plotësisht i arritshëm për sundimin e ardhshëm mysliman. Ideali profetik i ngërthyer në shembullin e kalifëve të hershëm – të karakterizuar nga devotshmëria, karizma, elokuenca, zelli misionar dhe lidershipi – nuk ishte konceptuar si një gjendje përtej mundësive të rigjallëruesve dhe udhëheqësve të mëvonshëm (Tareen 2020: 107-109).

Më pak se një shekull më vonë, përballë dominimit kolonial britanik, eruditi mysliman antikolonialist, gazetari dhe më vonë politikani nacionalist dhe ministri i parë indian i Arsimit, Abul Kalam Azad (vd. 1958), udhëhoqi Lëvizjen e Kalifatit në mbështetje të Kalifatit Osman. Azadi e rikonceptoi kalifatin, duke e konsideruar si rrënjën e sheriatit, ndërkaq praktikat e detyrueshme, si lutja dhe agjërimi, i përngjasoi me degët e tij. Duke argumentuar në një mënyrë të ngjashme me Ebu Hamid el-Gazaliun, ai mendonte se themelet normative të fesë kushtëzoheshin nga ekzistenca e kalifatit. Sipas tij, nëse dikush nuk falej ose nuk agjëronte, kishte kryer mëkat, por nëse nuk i ofronte ndihmë një kalifi mysliman, atëherë ai ishte jomysliman:

“Mbrojtja e kalifatit është më e rëndësishme sesa një mijë namaze ose një mijë ditë agjërim. Pse? Sepse mosbindja ndaj kalifit është një mëkat aq i rëndë, saqë një person që nuk i bindet kalifit, pavarësisht nga namazi ose agjërimi i tij, vështirë se do të ndihmohet në perspektivën e shpëtimit përfundimtar.” (Abul Kalam Azad, cituar në Tareen 2023: 124-125)

Politikat antikoloniale të Azadit u kritikuan nga studiuesi dhe themeluesi i lëvizjes Barelui, Ahmad Raza Kan (vd. 1921). Duke e konsideruar Azadin si një sharlatan hinduist dhe sekularist, i cili nënvlerësonte ritualet dhe puritanizmin e jetës komunitare myslimane, Kan propozoi një teologji politike alternative, kuajetiste, sipas së cilës bashkësia myslimane mund ta mbronte stilin e saj të jetesës duke pranuar ata që janë në pushtet, d.m.th. britanikët. Në këtë teologji politike, ishte tradita e konsoliduar komunitare, me ritualet dhe hierarkitë e saj, ajo që duhej ruajtur. Kësisoj, sekti, dhe jo përkatësia gjithëpërfshirëse, ishte elementi themelor i bashkësisë së shpëtuar, andaj shoqërorja duhej pozicionuar mbi politiken. Për sa kohë që garantohej kjo, besnikëria politike mund të transferohet efektivisht – megjithëse, ndoshta jo plotësisht – nga kalifi ose sulltani mysliman te sundimtarët kolonialë jomyslimanë.

 

  • Islamizuesit postkolonialë

 

Ndonëse në fillesat e veta rezistenca ndaj kolonializmit perëndimor mori një formë islamike, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore lëvizjet antikoloniale kishin përqafuar retorikën nacionaliste. Kësisoj, në shumicën e shteteve kombëtare postkoloniale elitat në Lindjen e Mesme përshtatën modele nacionaliste laike, gjë që sinjalizonte një teologji politike laike. Shpërbërja e Kalifatit Osman krijoi një vakuum në teologjinë politike e cila u mbush nga lëvizjet shoqërore islame që synonin rikthimin e pavarësisë kulturore dhe intelektuale të myslimanëve. Shpesh të konsideruara gabimisht si reaksione ndaj modernitetit, këto lëvizje frymëzoheshin nga rryma të ndryshme të ringjalljes islamike të epokës parakoloniale dhe koloniale.

Në këtë kontekst, vazhdimësia e këtillë vërehet në predikimin dhe aktivitetin misionar të mësuesit karizmatik egjiptian, Hasan al-Bana (vd. 1949), themeluesit të Vëllazërisë Myslimane, projekti ripërtëritës i të cilit u ndërtua mbi tezat e mendimtarëve konservatorë të epokës osmane, si dhe reformistëve si Muḥammad Abduhu dhe Rashid Riḍa (vd. 1935), të kombinuara me formën populiste të urdhrave sufinj (Mohamed 2023). Në mënyrë të ngjashme, idetë e Shah Uali Allahut dhe Abul Kalam Azadit u zhvilluan nga Deobandi Islam, si dhe brenda Jamaat-el-Islamije të Sajid Abul A-la Maududit (vd. 1979). Fakti që Maududi ka qenë një nga intelektualët më me ndikim në mendimin ripërtëritës islamik, i detyrohet jo vetëm mprehtësisë së tij personale dhe sintezës fetare, e cila rezononte me klasën e mesme myslimane në rritje, por edhe trashëgimisë vitale të Islamit të Azisë Jugore nga i cili u frymëzua (Tareen 2020; Tareen 2023; Zaman 2020).

Maududi bashkëndan me Uali Allahun gatishmërinë për t’u angazhuar në mënyrë kritike me historinë e hershme islame në mënyrë që ta inkorporojë në projektin e tij të rigjallërimit islam (Ahmad 2017). Megjithatë, në vend të neoplatonizmit (të islamizuar) dhe kozmologjisë mistike të Uali Allahut, kuadri referues i Maududit bazohet empirikisht te realiteti kolonial, i motivuar nga detyra për të lokalizuar dhe kritikuar regresin e myslimanëve. Për dallim nga Uali Allahu, i interesuar për t’u angazhuar në polemikën shiite, Maududi kërkoi të shpjegonte dhe të përmbyste regresin. Bazuar te përvoja e hershme e historisë islame, ai deduktoi nëntë parimet e mëposhtme: sovraniteti hyjnor, drejtësia e paanshme, barazia e myslimanëve, qeverisja e përgjegjshme, konsultimi (shūrā), bindja ndaj autoritetit në mirësi, ndalimi i kërkimit të pushtetit, qëllimi hyjnor i shtetit, si dhe e drejta dhe detyra e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja (Maududi 2000).

Teoria e tij e historisë është kësisoj një version më i përpunuar i një tradite regresive, e cila sublimon Kalifatin e Drejtë dhe censuron të gjithë sundimin mysliman që prej umajadëve. Për më tepër, Maududi i konsideronte të gjitha tentativat e mëvonshme për ripërtëritje si të dështuara në rivendosjen e frymës së vërtetë konsultative, devocionale dhe të drejtë të kalifatit të hershëm. Mangësia në ripërtëritjet e kaluara ishte politike, ngase asnjëra prej tyre nuk ia doli plotësisht të ri vendoste virtytin politik të Islamit të hershëm. Megjithatë, kjo teologji politike nuk është pesimiste apo tragjike; përkundrazi, ajo udhëhiqet nga liria për të menduar përtej idesë së restaurimit të status quo-së parakoloniale – një liri që shpesh mungonte në mendimin e islamizuesve osmanë. Ky optimizëm i mundësoi Maududit të arsyetonte – siç ishin të gatshëm të bënin reformatorët modernë progresivë – përtej formave të trashëguara, por pa përqafuar “pashmangshmërinë hegjemone” të sekularizimit.

Më e rëndësishme sesa ky interpretim i guximshëm historik ishte teologjia politike e Maududit, e sendërtuar rreth idesë së mëkëmbësisë njerëzore (kalifatit), bazuar në një aludim (në rastin më të mirë) të vagullt, të versetit kuranor 2: 30. Në zemër të kësaj teologjie politike nuk ishte predispozicioni për t’ia lënë çështjet Zotit, por një këmbëngulje në përgjegjësinë njerëzore ndaj krijimit të Zotit nëpërmjet ligjeve të shpallura nga Zoti (mars 2019). Ky është një ndryshim delikat i theksit dhe jo një refuzim i traditës, gjë që i lejoi Maududit të vendoste në plan të parë veprimin njerëzor dhe përgjegjësinë morale, e kësisoj të shpjegonte ngritjen e Perëndimit si rezultat i një mandati të dhënë nga Zoti për njerëzit dhe jo si një shkelje e plotfuqishmërisë së Zotit. Korrektësia në adhurimin e Zotit kërkonte, pohon Maududi, përqafimin e sovranitetit të Zotit (ḥākimīya) dhe refuzimin e çdolloj rendi politik laik, qoftë jomysliman apo mysliman që sundon në emër të një ideologjie laike.

Tradita e islamizuesve arabë mori një trajtë të fuqishme te Sejid Kutubi (v. 1966), i cili sintetizoi tendencat antikoloniale dhe reformiste postosmane me reformizmin e Azisë Jugore që e mori nëpërmjet Maududit. Rezultati ishte një konceptualizim shumë origjinal i ligjit islamik – konceptualizim thelbësisht çlirimtar. Kutubi pohoi se e meta thelbësore e modernitetit laik ishte skllavëria e njerëzimit kundrejt ideologjive dhe institucioneve të krijuara nga njeriu; sakaq çlirimi i vërtetë mund të vijë vetëm nga nënshtrimi i plotë ndaj ligjit të përsosur të Zotit, i cili ishte në harmoni të plotë me natyrën njerëzore (mars 2019).

 

  • Teologjia e re politike shiite: vilayat-e faqih

 

Historikisht, që nga fillimi i okultacionit në shekullin e tretë/nëntë, strategjia politike e të Dymbëdhjetëve është përqendruar rreth idesë së rikthimit të imamit të fshehur, duke pranuar njëkohësisht ilegjitimitetin e të gjithë sundimtarëve. Kështu, të Dymbëdhjetët përqafuan një version më të ashpër dhe më doktrinar të një kompromisi që shumë ulema sunitë e kishin pranuar vetëm në terma pragmatikë. Ky qëndrim mijëvjeçar ndryshoi me Revolucionin Iranian të vitit 1979. Duke u mbështetur në një precedent të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kleriku kryesor shiit, Ajatollah Khomeini (v. 1989), zhvilloi doktrinën e vilayat-e faqih (në arabisht: wilāyat al-faqīh – patronazhi i juristit). Juristët dymbëdhjetësh, të cilët kishin përjetuar fuqizim politik nën sundimin safavid gjatë shekullit të dhjetë/gjashtëmbëdhjetë, filluan të teorizonin se disa nga funksionet e imamit të fshehur duhet të delegohen pjesërisht mbi ta.

Faktikisht, në shekullin e nëntëmbëdhjetë juristët kishin marrë disa nga funksionet e imamit. Përmes një lëvizje radikale, Khomeini i zgjeroi funksionet për të përfshirë sundimin politik – karakteristikën dalluese të imamëve të fshehur dhe të pagabueshëm – dhe argumentoi se edhe një jurist i vetëm (domethënë, ai vetë) mund ta ushtronte këtë përgjegjësi. Kjo u bë doktrina zyrtare e Republikës Islamike të Iranit. Në këtë kontekst, Khomeini pohonte se “jo vetëm që juristi kryesor kishte të drejtë të ushtronte sundim politik, por ai kishte edhe fuqinë të pezullonte disa nga urdhëresat dytësore të besimit, nëse besonte se një pezullim i tillë ishte thelbësor për të shpëtuar ‘Islamin’ nga shkatërrimi.” (Akhavi 2013: 209)

Pushteti i juristit-gardian, i cili përfaqëson autoritetin suprem në shtetin iranian, përfshinte kësisoj pushtetin për të pezulluar shtyllat kryesore të besimit, siç janë lutjet e përditshme dhe pelegrinazhi vjetor në Mekë. Khomeini përdori logjikën që e kanë aspiruar shumë autokratë sunitë, por të cilët rrallë kanë qenë në gjendje ta shfrytëzojnë: meqenëse shteti ishte mbrojtësi i vërtetë i Islamit, çdo gjë që e dëmton atë do të dëmtonte vetë Islamin, kësodore mbrojtja e shtetit u bë obligimi më i rëndësishëm i besimit.

 

  • Teologjia politike islame në epokën e globalizimit

 

Rizgjimi islamik (ṣaḥwa) që pasoi rënien e nacionalizmit arab në vitet 1970 dhe xhihadizmin antisovjetik (sponsorizuar nga SHBA-ja) në vitet 1980 çoi në një epokë pajtimi midis islamizuesve dhe elitave shtetërore myslimane. Ky muaj mjalti përfundoi me Luftën e Gjirit në vitet 1990-1991, pas së cilës elitat shtetërore kërkuan të vendosnin nën kontroll energjitë islamike të popullatave të tyre. Kjo periudhë u karakterizua nga ndryshime themelore në imagjinatën politike islame, përderisa reformatorët myslimanë kërkuan mënyra kreative, ndonëse jo gjithmonë bindëse, për të importuar konceptet moderne, si territorialiteti, liria, demokracia dhe kushtetutshmëria. Nga Maroku në Malajzi, reformistët dhe konservatorët – në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur – diskutonin mundësinë e kalimit nga singulariteti i “Dar’ul Islamit” i Islamit klasik, në sovranitetin territorial të shteteve moderne (Baker 2003; Anjum 2016a; 2016b; Aljunied 2018; Rock-Singer 2019).

 

  • Perspektiva të reja

 

Në përgjigje të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, SHBA ndërmori fushata ndëshkuese në Irak e Afganistan dhe në të njëjtën kohë sponsorizoi versione “të moderuara” të Islamit (p.sh. Benard 2004). E ashtuquajtura luftë kundër terrorizmit shkaktoi ndryshime tektonike në diskursin islamik dhe, sakaq, garantoi mbulim për shtetet anekënd botës, me qëllim disiplinimin dhe penalizimin e popullsive të tyre myslimane. Në këtë kontekst, premtimi (dhe më pas dështimi) i Pranverës Arabe në vitin 2011 dhe triumfi i regjimeve autoritare kundërrevolucionare në gjithë Lindjen e Mesme i intensifikuan më tej dëshirat myslimane për një rend botëror alternativ.

Ndërkaq, globalizimi favorizoi praninë myslimane në akademinë dhe sferën publike perëndimore, duke lehtësuar një ndërthurje produktive të studimeve shkencore dhe duke mundësuar vënien në pikëpyetje të narrativave triumfaliste të sekularizmit dhe liberalizmit (p.sh. Asad 2003). Në këtë kontekst, vlen të përmendet kritika provokuese dhe themelore e Wael Hallaq ndaj teologjisë politike moderne, e cila sfidon përputhshmërinë e Islamit me rendin botëror modern. Hallaq argumenton se në kontrast me modernitetin perëndimor, shoqëritë islame ishin thelbësisht morale dhe të favorshme për prosperitetin e njeriut (Hallaq 2012). Objektivi kryesor i Hallaq-ut është shteti modern, të cilin ai e sheh përmes lenteve të nocionit shmitian të teologjisë politike. Shteti modern është një entitet antropocentrik që pretendon për vete, si në deklarimin e sovranitetit popullor ashtu edhe në vetë strukturën e tij, sovranitetin, që në mendimin dhe historinë islame i ka përkitur vetëm Zotit. Për më tepër, ai “promovon një homo economicus, dëshira ekskluzive dhe përfundimtare e të cilit është fitimi material” (Hallaq 2012: 161).

Teksa hedhim vështrimin drejt së ardhmes, bota myslimane, e ndarë afërsisht në pesëdhjetë shtete-kombe, duket thellësisht e paqëndrueshme. Në të njëjtën kohë, hendeku midis masave myslimane dhe elitave të tyre, shpesh të mbështetura nga të huajt, thellohet gjithnjë e më tepër. Dora-dorës që dështimi i shtetit-komb në botën myslimane bëhet gjithnjë e më i dukshëm, ndërkohë që ekonomia neoliberale dhe kolapsi global mjedisor shkaktojnë gjithnjë e më shumë viktima, sistemi botëror, me sa duket, po shkon drejt deglobalizimit dhe nativizmit. Brenda këtij konteksti, ideja e një rikthimi në një botë myslimane të (ri)bashkuar, një lloj kalifati modern, bëhet gjithnjë e më e fortë midis myslimanëve në nivel global. Edhe pse sapo ka filluar të tërheqë vëmendjen e studiuesve – pavarësisht nga shtypja e çdo kryengritjeje në botën myslimane, çdo cikli të ri terrorizmi dhe lufte ndëshkuese, çdo shkelje të re ndaj një popullsie myslimane dhe çdo mur të ri të ngritur në Veriun Global, ideja e një bashkimi mbarislamik po fillon të bindë gjithnjë e më shumë njerëz. Cilado qoftë rruga që merr bota myslimane, ajo ka të ngjarë të rezonojë thellësisht me fuqinë mobilizuese dhe imagjinative të Islamit, me teologjitë politike islame të së kaluarës që mbeten jetësore për vizionet myslimane të së ardhmes.

Përktheu: Qendra për Hulumtime, Minber

Bibliography

·       Further reading

    • Anjum, Ovamir. 2012. Politics, Law, and Community in Islamic Thought: The Taymiyyan Moment. Cambridge: Cambridge University Press.
    • Asad, Talal. 2003. Formations of the Secular: Christianity, Islam, Modernity. Stanford, CA: Stanford University Press.
    • Böwering, Gerhard. 2013. Princeton Encyclopedia of Islamic Political Thought. Princeton/Oxford: Princeton University Press.
    • Cook, Michael. 2014. Ancient Religions, Modern Politics: The Islamic Case in Comparative Perspective. Princeton, NJ: Princeton University Press.
    • Quisay, Walaa. 2023. Neo-Traditionalism in Islam in the West: Orthodoxy, Spirituality and Politics. Edinburgh: Edinburgh University Press.
    • Tareen, SherAli. 2020. Defending Muḥammad in Modernity. Notre Dame: University of Notre Dame Press.
    • Zaman, Muhammad Qasim. 1997. Religion and Politics under the Early ʿAbbāsids: The Emergence of the Proto-Sunnī Elite. Leiden: Brill.

·       Works cited

    • Adang, Camilla, Hassan Ansari, Maribel Fierro, and Sabine Schmidtke (eds). 2016. Accusations of Unbelief in Islam: A Diachronic Study of Takfīr. Leiden: Brill.
    • Ahmad, Irfan. 2017. Religion as Critique: Islamic Critical Thinking from Mecca to the Marketplace. Chapel Hill, NC: University of North Carolina Press.
    • Akhavi, Shahrough. 2013. ‘Guardianship of the Jurist’, in Princeton Encyclopedia of Islamic Political Thought. Edited by Gerhard Böwering, Patricia Crone, Wadad Kadi, Devin J. Stewart, Muhammad Qasim Zaman, et al. Princeton/Oxford: Princeton University Press.
    • Aljunied, Khairudin. 2018. Hamka and Islam: Cosmopolitan Reform in the Malay World. Ithaca: Southeast Asia Program Publications/Cornell University Press.
    • Al-Sarhan, Saud. 2020. Political Quietism in Islam Sunnī and Shīʿī Practice and Thought. London: I.B. Tauris.
    • Anjum, Ovamir. 2012. Politics, Law, and Community in Islamic Thought: The Taymiyyan Moment. Cambridge: Cambridge University Press.
    • Anjum, Ovamir. 2016a. ‘Dhimmi Citizens: Non-Muslims in the Neë Islamist Discourse’, ReOrient 2, no. 1: 31-50.
    • Anjum, Ovamir. 2016b. ‘Political Metaphors and Concepts in the Writings of an Eleventh-Century Sunni Scholar, Abū Al-Maʿālī Al-Juwaynī (419-478/1028-1085)’, Journal of the Royal Asiatic Society 26, no. 1-2: 7-18.
    • Anjum, Ovamir. 2016c. ‘Salafis and Democracy: Doctrine and Context’, The Muslim World 106, no. 3: 448-473.
    • Anthony, Sean. 2012. The Caliph and the Heretic. Leiden: Brill.
    • Baker, R. W. 2003. Islam Without Fear: Egypt and the New Islamists. Cambridge, MA: Harvard University Press.
    • Baneth, D. Z. H. 1971. ‘What Did Muḥammad Mean When He Called His Religion `Islam’?: The Original Meaning of Aslama and Its Derivatives’, Israel Oriental Studies 1: 183-190.
    • Bardill, Jonathan. 2012. Constantin, the Divine Emperor of the Christian Golden Age. Cambridge: Cambridge University Press.
    • Benard, Cheryl. 2004. ‘Civil Democratic Islam: Partners, Resources, and Strategies’, RAND Corporation. https://www.rand.org/pubs/monograph_​reports/MR1716.html
    • Brown, Jonathan A. C. 2009. Hadith: Muhammad’s Legacy in the Medieval and Modern World. Oxford: Oneworld.
    • Cook, Michael. 2000. Commanding Right and Forbidding Evil in Islamic Thought. Cambridge: Cambridge University Press.
    • Cook, Michael. 2014. Ancient Religions, Modern Politics: The Islamic Case in Comparative Perspective. Princeton, NJ: Princeton University Press.
    • Crone, Patricia. 2000. ‘Ninth-Century Muslim Anarchists’, Past & Present 167: 3–28.
    • Crone, Patricia, and Martin Hinds. 1986. Religious Authority in the First Centuries of Islam. Cambridge: Cambridge University Press.
    • Dumayjī, ʿAbd Allāh al-. 1987. Al-Imāma Al-ʿuẓmā ʿind Ahl Al-Sunna Wa-Al-Jamāʿa. Dār Taiba.
    • Duran, Khalid. 1992. ‘An Alternative to Islamism: The Evolutionary Thought of Mahmud Taha’, Cross Currents 42, no. 4: 453-567.
    • Fakhry, Majid. 2005. A History of Islamic Philosophy. New York: Columbia University Press. 3rd edition.
    • Friedmann, Yohanan. 2022. Messianic Ideas and Movements in Sunni Islam. London: Oneworld Academic.
    • Gardet, L. 1965. ‘Dīn’, in Encyclopaedia of Islam (Second Edition). Volume 2. Edited by Bernard Lewis, Charles Pellat, and Joseph Schacht. Leiden: Brill, 293-296.
    • Gleave, Robert. 2005. ‘Shi’ism’, in A Companion to the History of the Middle East. Edited by Y. M. Choueiri. Oxford: Blackwell.
    • Guida, Michaelangelo. 2008. ‘Seyyid Bey and the Abolition of the Caliphate’, Middle Eastern Studies 44, no. 2: 275-289.
    • Hallaq, Wael. 1984. ‘Caliphs, Jurists, and the Saljūqs in the Political Thought of Juwayni’, MW 74, no. 1: 27–28.
    • Hallaq, Wael. 2012. The Impossible State: Islam, Politics, and Modernity’s Moral Predicament. New York: Columbia University Press.
    • Hallaq, Wael. 2018. Restating Orientalism: A Critique of Modern Knowledge. New York: Columbia University Press.
    • Hindī, ʿAlī Muttaqī al-. 1981. Kanz al-ʿummāl fī sunan al-aqwāl wa-al-afʿāl. Muʾassasa al-Risāla.
    • Hinds, Martin. 1972. ‘The Murder of the Caliph `Uthman’, International Journal of Middle East Studies 3, no. 4: 450–469.
    • Ibish, Yusuf. 1966. The Political Doctrine of Al-Bāqillānī. Beirut: American University of Beirut.
    • Izutsu, Toshihiko. 1965. The Concept of Belief in Islamic Theology: A Semantic Analysis of Iman and Islam. Tokyo: Keio Institute of Cultural and Linguistic Studies.
    • Jackson, Sherman. 2009. Islam and the Problem of Black Suffering. New York: Oxford University Press.
    • Judd, Steven. 1999. ‘Ghaylān al-Dimashqī: the Isolation of a Heretic in Islamic Historiography’, International Journal of Middle East Studies 31, no. 2: 161-184.
    • Kerr, Malcolm H. 1966. Islamic Reform: The Political and Legal Theories of Muhammad Abduh and Rashid Rida. Berkeley: University of California Press.
    • Khan, Naveeda. 2012. Muslim Becoming: Aspiration and Skepticism in Pakistan. Durham, NC: Duke University Press.
    • Kister, M. J. 1980. ‘Labbayka, Allāhumma, Labbayka… On a Monotheistic Aspect of a Jāhiliyya Practice’, Jerusalem Studies in Arabic and Islam 2: 33–57.
    • Lambton, A. K. S. 1981. State and Government in Medieval Islam; An Introduction to the Study of Islamic Political Theory: The Jurists. Oxford: Oxford University Press.
    • Laurence, Jonathan. 2021. Coping with Defeat: Sunni Islam, Roman Catholicism, and the Modern State. Princeton: Princeton University Press.
    • Makin, Al. 2013. ‘From Musaylima to the Kharijite Najdiyya’, Al-Jami’ah: Journal of Islamic Studies 51, no. 1: 33-60.
    • March, Andrew F. 2019. The Caliphate of Man. Cambridge, MA: Harvard University Press.
    • Marlow, Louise. 1995. ‘Kings, Prophets and the “Ulama” in Mediaeval Islamic Advice Literature’, Studia Islamica 81: 101-120.
    • Marlow, Louise. 2002. Hierarchy and Egalitarianism in Islamic Thought. Cambridge: Cambridge University Press.
    • Marlow, Louise. 2010. ‘Advice and Advice Literature’, in Encyclopaedia of Islam (Third Edition). Edited by G. Krämer, D. Matringe, J. Nawas, and E. Rowson. Leiden: Brill.
    • Mawdudi, Abul Aʿlā. 2000. Khilāfat-o-Mulūkiyyat (Caliphate and Kingship), 26th printing. Lahore: Idāra Tarjumān al-Qur’ān.
    • Mohamed, Mohamed Mosaad Abdelaziz. 2023. ‘The Roots of Political Islam in 19th Century Egypt’, Religions 14, no. 2: 232. https://doi.org/10.3390/rel14020232
    • Moin, A. Azfar. 2017. ‘Millennial Sovereignty, Total Religion, and Total Politics’, History and Theory 56, no. 1: 89-97.
    • Nawas, John A. 1996. ‘The Miḥna of 218 A.H./833 A.D. Revisited: An Empirical Study’, Journal of the American Oriental Society 116, no. 4: 698-708.
    • Oakley, Francis. 2005. Natural Law, Laws of Nature, Natural Rights. New York: Continuum.
    • Peters, Rudolph (trans). 1977. Jihad in Medieval and Modern Islam. Leiden: Brill.
    • Rāziq, ʿAlī Abdel. 2012. Islam and the Foundations of Political Power. Translated by Maryam Loutfi. Edinburgh: Edinburgh University Press.
    • Riḍā, al-Sharīf al-. 2004. Nahj al-balāgha. Edited by Muḥammad ʿAbduh. Cairo: Dār al-Ḥadīth.
    • Rock-Singer, Aaron. 2019. Practicing Islam in Egypt: Print Media and Islamic Revival. Cambridge: Cambridge University Press.
    • Rosenthal, E. I. J. 1958. Political Thought in Medieval Islam: An Introductory Outline. Cambridge: Cambridge University Press.
    • Ṣanʿānī, ʿAbd al-Razzāq al-. 1983. Al-Muṣannaf. 12 vols. Edited by Ḥabīb al-Raḥmān al- Aʿẓamī. India: al-Majlis al-ʿIlmī. 2nd edition.
    • Schmitt, Carl. 2006. Political Theology: Four Chapters on the Concept of Sovereignty. Edited and translated by George Schwab. Chicago: University of Chicago.
    • Scott, Peter, and William T. Cavanaugh (eds). 2004. The Blackwell Companion to Political Theology. Oxford: Blackwell.
    • Şeyhun, Ahmet. 2014. Islamist Thinkers in the Late Ottoman Empire and Early Turkish Republic. Leiden: Brill.
    • Shahin, Aram. 2009. Arabian Political Thought in the Great Century of Change. University of Chicago. Unpublished PhD thesis.
    • Ṭabarī, Ibn Jarīr al-. 1967. Taʾrı̄kh al-rusūl wa-al-mulūk. 11 vols. Edited by Muḥammad Abū al-Faḍl Ibrahīm. Miṣr: Dār al-Maʿārif.
    • Ṭabarī, Ibn Jarīr al-. 2001. Tafsīr al-Ṭabarī: jāmiʿ al-bayān fı̄ taʾwı̄l al-qurʾān. 24 vols. Muʾassasa al-Risāla.
    • Taha, Mahmoud Mohammed. 1987. The Second Message of Islam. Translated by Abdullahi Ahmed An-Na’im. Syracuse: Syracuse University Press.
    • Tareen, SherAli. 2020. Defending Muḥammad in Modernity. Notre Dame: University of Notre Dame Press.
    • Tareen, SherAli. 2023. Perilous Intimacies: Debating Hindu-Muslim Friendship After Empire. New York: Columbia University Press.
    • Ullmann, Walter. 1965. A History of Political Thought: The Middle Ages. Baltimore: Penguin Books.
    • Vaglieri, L. Veccia. 1965. ‘Ḥarūrā’, in Encyclopaedia of Islam (Second Edition). Volume 3. Edited by Bernard Leëis, Charles Pellat, and Joseph Schacht. Leiden: Brill, 235–236.
    • Van Ess, Josef. 2001. ‘Political Ideas in Early Islamic Religious Thought’, British Journal of Middle Eastern Studies 28, no. 2: 151-164.
    • Yılmaz, Hüseyin. 2018. Caliphate Redefined: The Mystical Turn in Ottoman Political Thought. Princeton, NJ: Princeton University Press.
    • Zaman, Muhammad Qasim. 1997. Religion and Politics under the Early ʿAbbāsids: The Emergence of the Proto-Sunnī Elite. Leiden: Brill.
    • Zaman, Muhammad Qasim. 2020. ‘Political Power, Religious Authority, and the Caliphate in Eighteenth-Century Indian Islamic Thought’, Journal of the Royal Asiatic Society 30, no. 2: 313-340.
    • Zamzamī, Suhayb al-. 1991. ‘Ḥadīth al-sulṭān ẓill Allāh fī al-arḍ ḥadīth mutawātir’, https://www.habous.gov.ma/daouat-alhaq/item/7368

 

Artikuj të ngjashëm