Hulumtime MINBER

Dimensioni ekonomik dhe social i bamirësisë në Perandorinë Osmane: zekati dhe lypësia (kërkimi i lëmoshës)

Home » Dimensioni ekonomik dhe social i bamirësisë në Perandorinë Osmane: zekati dhe lypësia (kërkimi i lëmoshës)

Ideja për hartimin e këtij artikulli, me titull “Dimensioni ekonomik dhe social i bamirësisë në Perandorinë Osmane: zekati dhe lypësia”, lindi si rezultat i njohjes me studimet e historianit të njohur të ekonomisë osmane, Mehmet Genç,[1] dhe në veçanti me trajtimin që ai u ka bërë dy dukurive të rëndësishme të jetës ekonomike dhe shoqërore osmane, zekatit dhe fenomenit të lypësisë.

Në thelb, ky artikull synon të ndërthurë dhe të trajtojë në një kuadër të përbashkët problematikat e shtjelluara në dy punime të autorit në fjalë: “Lypësia në botën osmane” (Osmanlı Dünyasında Dilencilik)[2] dhe “Zbatimi i zekatit në Perandorinë Osmane nga këndvështrimi ekonomik” (İktisadî Açıdan Osmanlı’da Zekât Uygulamaları).[3] Bashkimi i këtyre dy tematikave synon të shqyrtojë marrëdhënien ndërmjet zekatit, si një detyrim fetar me funksion ekonomik dhe social, dhe lypësisë, si një dukuri e pranishme në realitetin shoqëror. Përmes kësaj qasjeje, artikulli synon të hedhë dritë mbi format e grumbullimit dhe shpërndarjes së zekatit, si dhe mbi mënyrën se si ato ndërthureshin me nevojat dhe problematikat sociale të shoqërisë osmane.

Qëndrimi i osmanëve ndaj lypësisë bënte pjesë në kuadrin e një konceptimi islam, i cili, nga njëra anë, e ngrinte ndihmën ndaj të varfërve dhe nevojtarëve në nivelin e detyrimit fetar, ndërsa në anën tjetër, nuk e shihte me sy të mirë kërkimin e lëmoshës nga të tjerët. Sipas Islamit, kërkimi i lëmoshës është i lejueshëm vetëm në raste domosdoshmërie “(الضرورة) os: zaruret, shq: domosdoshmëri”. Këtu, autori i është referuar Imam Gazalit, duke e krahasuar këtë domosdoshmëri me lejen që i jepet një njeriu për të pirë verë, i cili përballë rrezikut të vdekjes – nga një kafshatë që i ka ngecur në fyt – për shkak të mungesës së ujit, është i detyruar të pijë verë. Gazali shprehet se kufiri i lejueshmërisë fetare të lypjes është sa nevoja për ushqimin e një dite. Ai që e ka të siguruar ushqimin ditor, nuk e ka të lejueshme fetarisht të lypë.[4] Osmanët, nëpërmjet sistemit që ndërtuan, krijuan një strukturë e cila synonte që askush të mos binte në gjendje skamjeje të thellë. Nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm të ndihmës, të organizuar në kuadër të sistemit të vakëfeve, imareteve, karvansarajeve, haneve, i shtrinë këto shërbime në të gjithë territorin e perandorisë, deri në vendbanimet më të vogla. Në këtë mënyrë, u përpoqën të gjenin zgjidhje si për varfërinë e përkohshme, ashtu edhe për atë të vazhdueshme. Në rastet kur këto masa nuk mjaftonin, sidomos për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe ata që nuk ishin në gjendje të punonin e ndodheshin në kushte të pashpresa, shteti nuk linte pas dore as dhënien e pensioneve të drejtpërdrejta nga arka shtetërore. Këtë mund ta vërtetojmë përmes shembujve të shumtë të dokumentuar tashmë.[5]

Sa i përket zekatit, në Perandorinë Osmane, nuk ekzistonte ndonjë kategori të ardhurash me emrin zekat, e cila mblidhej nga shteti. Me sa dimë, ekzistonte vetëm një detyrim që në kanunname emërtohej si “zekat”, i cili merrej mbi kafshët (bagëtitë që kullosnin në kullota të hapura), i njohur si: sevâim zekâtı ose âdet-i ağnâm. Por në këtë rast nuk kishte as “nisab: pragu i detyrimit të zekatit”, as normë të përcaktuar sipas rregullave të zekatit. Sipas rregullave të zekatit, detyrimi fillon pas dyzet deleve, më pas, me rritjen e numrit të tyre, norma zvogëlohet. Kur numri arrin në katërqind dele, norma bie nga 2,5% në 1% dhe vazhdon kësisoj. Pra, zekati zbatohet si një taksë regresive (me normë zbritëse). Ndërsa sistemi osman ishte progresiv: sa më shumë të rritej numri i kafshëve, aq më shumë rritej edhe taksa. Edhe pse në kanunname kjo taksë emërtohej zekat, në praktikë ajo nuk zbatohej si zekat.

Në Perandorinë Osmane, në disa kanunname, taksa mbi bagëtitë quhej nominalisht “zekat”, por në praktikë, ajo ishte një taksë shtetërore e rregulluar nga administrata osmane dhe nuk llogaritej sipas rregullave klasike të nisabit të fikhut islam. Sepse nuk përmbusheshin të gjitha kushtet e përgjithshme për Zekatin e Bagëtive, si: 1- Kullotja e lirë: (kafshët duhet të kullosin në kullota natyrore falas për pjesën më të madhe të vitit. Nëse ushqehen në stallë me ushqim të blerë gjatë gjithë vitit ose për pjesën më të madhe të tij, sipas shumicës së juristëve klasikë nuk u llogaritet zekati i bagëtive në këtë formë, por llogaritet vlera e tyre tregtare si mallra tregtie). 2- Kalimi i një viti: (Kafshët duhet të jenë në pronësi të personit për një vit të plotë hënor). 3- Përdorimi: (kafshët e punës, ato që përdoren për të lëruar tokën, për të bartur ngarkesa ose për të nxjerrë ujë, zakonisht përjashtohen nga ky lloj zekati në fikhun klasik). Osmanët e integruan zekatin në taksën për bagëtinë, për të lehtësuar përllogaritjen, si në popullsitë e islamizuara ashtu edhe te ato të krishtera, duke zbatuar një formë progresiste taksimi mbi bagëtitë. Ata hoqën dorë nga zekati klasik dhe rregullat e tij të nisabit, sepse zbatimi i tij do të toleronte ose do të nxiste një strukturë të pabarabartë (ku krijohen shtresa të theksuara pasurie dhe varfërie), ndërsa synimi i tyre strategjik ishte krijimi i një rendi ekonomik të qëndrueshëm, të kontrolluar dhe të barabartë për masën e gjerë të popullsisë.[6]

I njëjti kriter zbatohej edhe në taksimin mbi tokën apo përllogaritjen e zekatit të prodhimeve bujqësore. P.sh: sa i përket yshrit 1/10 (öşür: një e dhjeta e prodhimeve bujqësore), një nga karakteristikat e tij kryesore është se zbatohet mbi tokat që janë pronë private. Kur këto toka jepen me qira, si qiramarrësi, ashtu edhe pronari paguajnë zekat sipas përqindjeve përkatëse. Praktika osmane ishte ndryshe, ata e quanin këtë detyrim edhe yshër, edhe haraç, por emërtimi nuk e ndryshonte natyrën e tij. Megjithatë, siç shprehet Shejhulislam Ebus-sud Efendiu, “këto toka nuk ishin as toka yshri, as toka haraçi, por toka shtetërore të vendit, të njohura si (arazi-i mîrîyye)”. Shteti kishte të drejtë të merrte të ardhura prej tyre nëpërmjet taksave dhe kontratave të qirasë. Ndoshta ky sistem i tokës nuk ishte shpikje e osmanëve, por ata e zbatuan gjerësisht në Anadoll dhe Rumeli. Pse e zbatuan këtë sistem? Ata nuk e shpjegojnë drejtpërdrejt, por, po të vëzhgojmë politikat që ndoqën, kuptojmë se në të vërtetë osmanët synonin ta eliminonin zekatin drejtpërdrejt si pagesë.

Osmanët dëshironin të ndërtonin një ekonomi në të cilën të gjithë të mund të jetonin pa hendeqe të mëdha ekonomike. Ata synonin ta shpërndanin tokën në mënyrë të barabartë, që të mos kishte pronarë të mëdhenj tokash dhe shumë njerëz pa tokë. Për më tepër, në kushtet e një popullsie të rrallë dhe të fuqisë së kufizuar punëtore, dëshironin që tokat të punoheshin në mënyrë sa më efikase. Me terminologjinë e ekonomistëve, synonin të siguronin punësimin e plotë të faktorëve të prodhimit. Për këtë qëllim, fshatarëve u ndanin sipërfaqe toke aq sa mund të punonin me fuqinë e tyre familjare. Ata e punonin tokën me pjesëtarët e familjes dhe paguanin taksë mbi prodhimin e përftuar. Këtë nuk e bënin për të marrë më shumë sesa zekati. Disa taksa ishin më të larta se zekati, ndërsa disa të tjera më të ulëta. Në sistemin e taksimit integroheshin edhe taksat zakonore (urfi), por, duhet theksuar se të gjitha taksat e osmanëve ishin në përputhje me sheriatin.

Ata dëshironin që toka të shpërndahej sa më barabar ndërmjet njerëzve dhe që fshatarët, të cilët e punonin atë, të paguanin një taksë relativisht të moderuar mbi prodhimin e realizuar. Nëse do të zbatohej zekati mbi tokën, duhej llogaritur nëse ishte pjellore apo jo, ujitej natyrshëm apo me pagesë, duhej të llogaritej kapitali dhe mundi njerëzor, etj. Osmanët integruan një formë taksimi i cili përmblidhte edhe sasinë e zekatit që duhej paguar edhe taksimin mbi prodhimin bujqësor, që nëse do t’i llogarisnim në varësi të kushteve që përmendëm më lart, varionte nga 5% deri në 10%.

Për të mbuluar diferencat nga përllogaritja e zekatit, te taksimi i haraçit, osmanët i rritën disi detyrimet për myslimanët, ndërsa i ulën për jomyslimanët, pra për pjesëtarët e ehli-dhimmes (ngaqë nuk paguanin zekat). Kur shqyrtojmë të gjitha taksat që merreshin mbi tokën, konstatojmë se ajo luhatej ndërmjet 12,5% dhe 20%, e cilësuar si taksë mbi tokën. Aty mblidhej edhe zekati, yshëri dhe haraçi. Në thelb, bëhej fjalë për një detyrim fiskal mbi tokën, duke u bazuar sipas kategorisë së tokës, prodhimit bujqësor dhe përkatësisë fetare të popullsisë. Në këtë sistem takismi ishte përllogaritur edhe Xhizja, që ishte taksa më e rëndësishme në popullsitë joislame.

Në rastin e xhizjes, osmanët merrnin sasi shumë më të ulëta sesa normat e përcaktuara nga ligji islam. Në shekullin XVI, në të gjithë perandorinë, ajo mblidhej në nivelin më të ulët, të quajtur “ednâ”. Për një kohë të gjatë mbeti shumë më poshtë kufijve të përcaktuar nga kalifët e parë, Ebu Bekri dhe Omeri. Vetëm pas Rrethimit të Dytë të Vjenës dhe pas dhjetë vjetësh luftërash të mëdha, osmanët vendosën për herë të parë t’i rrisnin këto detyrime duke arritur për herë të parë nivelin e nisabit të përcaktuar nga sheriati. Duke ua shpërndarë tokat fshatarëve, osmanët u krijonin lehtësira atyre t’i punonin e t’i mbillnin së bashku me familjet e tyre, duke marrë një taksë të integruar fetaro-zakonore nga 12,5% deri në 20% mbi prodhimin bujqësor, siguronin që pjesa tjetër e prodhimit tu mbetej fshatarëve.

Në administratat që kishin qeverisur këto territore përpara osmanëve nuk ekzistonte një praktikë e tillë. Aty merreshin shumë më tepër taksa, ndërsa popullsia gjendej në një pozitë pothuajse gjysmëskllavërore. Ajo paguante taksa shumë të larta dhe detyrime në formën e punës së detyruar. Fshatarët detyroheshin të punonin në tokat e zotërinjve të tyre. Osmanët i hoqën të gjitha këto praktika. Në çdo krahinë krijuan ekonomi familjare bujqësore, të përshtatura sipas kushteve lokale. Këtë arritën ta bënin falë interpretimit të tyre mbi pronësinë e tokës. Nëse toka do të ishte pronë private e fshatarëve ose e bejlerëve, një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur. Nëse një familje fshatare nuk e punonte tokën për tri vjet radhazi, asaj i hiqej e drejta e shfrytëzimit dhe toka i jepej një fshatari tjetër që kishte nevojë për të. Me fjalë të tjera, synimi ishte që shpërndarja e faktorëve të prodhimit ndërmjet prodhuesve të kontrollohej nga qendra. Ky ishte një proces jashtëzakonisht i madh, të cilin një shtet i periudhës para moderne vështirë se mund ta realizonte, por osmanët u përpoqën ta bënin. Në regjimin që krijuan, osmanët kontrollonin tokën dhe fuqinë punëtore. Duke i mbajtur këto dy elemente nën kontroll, një nga objektivat e tyre kryesorë ishte krijimi i një strukture sa më të barabartë në shoqëri. Në këtë aspekt, osmanët sollën një risi të rëndësishme në raport me traditën klasike islame. Kjo nuk ishte në kundërshtim me Islamin.

Ata përcaktuan normat e fitimit për tregtarët dhe zejtarët. Këto norma ishin afërsisht 3-4%, ndërsa 10% ishte kufiri maksimal. Pra, ata vendosën kufizime mbi fitimet. Kufizuan gjithashtu edhe fuqinë punëtore dhe kapitalin që mund të përdornin ndërmarrjet. Si rezultat, si në bujqësi, edhe në zejtari dhe tregti, krijuan një ekonomi ku mbizotëronin ndërmarrje me përmasa relativisht të ngjashme. Ekzistojnë studime mbi pasuritë që zejtarët dhe tregtarët linin pas vdekjes, të regjistruara në inventarët e trashëgimisë (tereke), si: vepra e Haim Gerberit mbi Bursën në shekullin XVII, si dhe një studimi André Raymondit për Kajron.

Krijimi dhe ruajtja e kësaj strukture barazimtare ishte jashtëzakonisht e vështirë. Në radhë të parë, njerëzit dëshironin të fitonin gjithnjë e më shumë. Nuk kënaqeshin me një fitim prej 10%. Prandaj, osmanët krijuan një mekanizëm mjaft të sofistikuar kontrolli. Organizimi i esnafëve u bë aq i ndërlikuar, saqë çdo zejtar ishte njëkohësisht blerës dhe shitës i disa zejtarëve të tjerë. Meqenëse fitimi mesatar ishte 10%, nëse dikush përpiqej ta rriste atë, të tjerët do të reagonin menjëherë. Në sajë të këtij rrjeti marrëdhëniesh, shteti i periudhës para moderne, i cili nuk kishte mundësi të ushtronte drejtpërdrejt kontroll të plotë, arrinte t’i mbikëqyrte fitimet në mënyrë automatike. Kur zejtarët dhe tregtarët nuk arrinin të merreshin vesh, i drejtoheshin kadiut. Ky i fundit, së bashku me një komision, përcaktonte me seriozitet dhe saktësi koston e prodhimit, duke i shtuar edhe normën e fitimit prej 10%. Nuk kishte mundësi t’i shmangeshin këtij përcaktimi.

Ekzistonte edhe një shtresë tjetër, e quajtur shtresa ushtarake (askerî zümre). Ajo përbënte rreth 1-2% të popullsisë së përgjithshme dhe përfaqësonte një shtresë të mesme-të lartë. Sistemi i saj ishte krejtësisht i ndryshëm. Sa më lart të ngjiteshe në hierarki, aq më shumë mund të rriteshin të ardhurat, madje, në përmasa jashtëzakonisht të mëdha, me të ardhura vjetore mbi 50.000 kurushë. Edhe në këtë rast shteti e kishte bllokuar krijimin e monopoleve apo grumbullimin e shumave marramendëse në një dorë, duke i kufizuar shpenzimet vetëm në lidhje me detyrën që kishin si dhe duke i orientuar ata drejt krijimit të vakëfeve. Në të kundërt shteti vinte dorë duke i konfiskuar dhe kalur në pasuri publike “bejtul-mal”. Thënë ndryshe, osmanët arritën të pakësonin numrin e atyre që jepnin dhe të atyre që merrnin zekat.

Meqenëse një pjesë e konsiderueshme e varfërisë buronte nga fëmijët e braktisur ose ata që nuk kishin kujdestarë, osmanët i kushtuan vëmendje të veçantë kësaj kategorie, por edhe të varfërve në përgjithësi. Nga literatura dimë se në Evropën bashkëkohëse me ta, përqindja e fëmijëve të lindur jashtë martese në raport me popullsinë e përgjithshme ishte mjaft e lartë. Edhe pse kjo përqindje ishte shumë e ulët te osmanët, shteti kujdesej për këta fëmijë. Familjet që merrnin përsipër kujdesin e tyre, u jepej një pension nga arka shtetërore. Këtë praktikë mund ta ndjekim përmes dokumenteve të shumta, që nga shek. XVI deri në fund të shek. XIX. Nga të njëjtat dokumente kuptohet se këto pagesa nuk ndërpriteshin derisa fëmija të rritej: në rastin e djemve, deri sa të siguronin një profesion, ndërsa për vajzat, deri në momentin e martesës. Edhe familjeve të varfra dhe nevojtare, në të cilat lindnin njëherësh më shumë se një fëmijë, si binjakë ose trinjakë, u caktohej në të njëjtën mënyrë një pension për çdo fëmijë. Këto ishin masat e rëndësishme që ndërmerreshin për të luftuar varfërinë, e cila përbënte një nga burimet kryesore të lypjes (kërkimit lëmoshë).[7]

Osmanët u përpoqën të eliminonin nevojën për ekzistencën e atyre që japin dhe të atyre që marrin zekat. Si të varfrit, ashtu edhe të pasurit e dinin se, nëse të pasurve do t’u jepej mundësia të zgjeronin në mënyrë të pakufizuar pasurinë e tyre, në këmbim do të krijohej një numër i madh të varfërish. Ne e dimë se çfarë ndodhi me kapitalizmin bashkëkohës të tyre. Në shek. XVIII, Stambolli ishte qyteti më i madh i Evropës, me një popullsi prej 600-700 mijë banorë, ndërsa Londra renditej e dyta, me rreth 500-550 mijë banorë, Parisi renditej i treti. Ne e njohim historinë e varfërisë në këto tri qytete. Në veprën e tij “Poverty: A History”, Bronislav Geremek shkruan se në shek.XVIII, në Angli dhe Francë, varfëria arrinte në 40% të popullsisë. Sipas tij, në Paris dhe Londër, një e dhjeta e popullsisë përbëhej nga lypës. Në Paris kishte 50.000 lypës, po aq edhe në Londër. Po në Stamboll? Sipas një regjistrimi të kryer në Stamboll në vitin 1736, kishte gjithsej vetëm 322 lypës, të gjithë jomyslimanë. Nga këta 322 persona, vetëm rreth 70 prej tyre u vlerësuan si aq të varfër sa të kishin nevojë të lypnin dhe, për këtë arsye, iu dha leja të kërkonin lëmoshë në kishat ditëve të diela.[8] Stambolli ishte më i populluar se Parisi dhe Londra, ku kishte nga 50.000 lypës, ndërsa në qytetet e Anadollit nuk kishte fare lypës. Mehemt Genç ka kryer një studim mbi qytetin e Tokatit dhe ka konstatuar se nuk kishte gjetur qoftë edhe një lypës të vetëm. Edhe udhëtarët që vizitonin Perandorinë Osmane shprehnin habinë e tyre, duke thënë se këtu nuk kishte lypës, ndërsa në Evropë ndesheshe me ta në çdo hap.[9] Udhëtari i njohur francez Joseph de Tournefort, i cili rreth vitit 1700 kishte vizituar Stambollin, ishujt e Egjeut dhe qytetet kryesore të Anadollit, shkruan në kujtimet e tij: “Turqia nuk ka as lypës dhe as njerëz që kërkojnë para, sepse nevojat e tyre plotësohen”.[10] Kështu, ai e paraqet qartë dallimin e thellë ndërmjet botës osmane dhe asaj perëndimore.

Megjithatë, në kushtet e një ekonomie paraindustriale, ku mundësitë ekonomike nuk e lejonin që mirëqenia të përhapej lehtësisht te të gjithë dhe ku ishte shumë e vështirë të parandalohej varfëria e përhapur, osmanët u përpoqën të ndërmerrnin masa edhe më të gjera se ato që përmendëm. Nëse varfëria përbënte njërën anë të medaljes së shoqërisë, ana tjetër ishte pasuria. Osmanët, duke kuptuar se këto dy dukuri nuk ishin krejtësisht të pavarura nga njëra-tjetra, menduan se për të kufizuar varfërinë duhej të kufizohej edhe pasuria (monopolet) dhe, për këtë arsye, zhvilluan disa rregullime të rëndësishme institucionale. Me qëllim që të pengonin diferencimin e madh ndërmjet familjeve dhe individëve në përfitimin e të ardhurave të krijuara në shoqëri, ata u përpoqën të siguronin një shpërndarje sa më të barabartë të faktorëve të prodhimit, të cilët përbënin burimin e këtyre të ardhurave, ndërmjet njësive prodhuese në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në bujqësi, shteti nuk ua kaloi individëve pronësinë e tokës, e cila përbënte burimin kryesor të prodhimit dhe të të ardhurave, por e mbajti nën kontrollin e vet. Nëpërmjet regjimit të tokës shtetërore, të njohur si “miri arazi”, synonte t’u siguronte familjeve fshatare sipërfaqe toke me madhësi pak a shumë të përafërt, duke parandaluar kështu krijimin, nga njëra anë, të pronarëve të mëdhenj të tokave dhe, nga ana tjetër, të masave të gjera të të varfërve pa tokë. Osmanët arritën ta ruanin në një masë të konsiderueshme këtë regjim deri në mesin e shekullit XIX.

Një sistem të ngjashëm u përpoqën të zbatonin edhe në qytete, në sektorët e zejtarive, industrisë dhe tregtisë. Ata krijuan një strukturë që nuk lejonte diferencime të mëdha ndërmjet ndërmarrjeve për sa u përket kapitalit, lëndës së parë dhe numrit të punëtorëve që ato përdornin. Këtë synuan ta realizonin si nëpërmjet kufizimit të fitimeve në rreth 10%, ashtu edhe duke ruajtur dhe mbështetur esnafet (korporatat zejtare), të cilat kujdeseshin për ruajtjen e barazisë ndërmjet anëtarëve të tyre. Nëpërmjet të gjitha këtyre rregullimeve, ata synonin të krijonin një sistem që do të kufizonte në një masë të konsiderueshme si pasurinë, ashtu edhe varfërinë në shoqëri. Megjithatë, në kushtet e një ekonomie paraindustriale, niveli i përgjithshëm i prodhimit nuk ishte i mjaftueshëm për t’u siguruar të gjithëve mirëqenie. Për këtë arsye, nuk ishte e lehtë të mbaheshin as varfëria, as pasuria brenda kufijve të caktuar. Meqenëse devijimet nga ky ekuilibër ishin të pashmangshme, me kalimin e kohës, shteti nuk ngurroi të ndërhynte përmes mekanizmave të ndryshëm institucionalë korrigjues. Ndërsa, në rastet kur masat për mbajtjen e varfërisë në nivele minimale nuk jepnin rezultatet e duhura, ai përpiqej ta përballonte këtë problem përmes vakëfeve, imareteve dhe ndihmave të drejtpërdrejta nga arka shtetërore.

Dimë se këto dallime në lidhje me lypësinë në botën osmane filluan të zhdukeshin gradualisht që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, kur shumë prej institucioneve të sistemit klasik osman nisën të pësonin ndryshime. Së bashku me varfërinë, edhe lypësia filloi të rritej në Turqi. Faktorët kryesorë të këtij ndryshimi mund të përmblidhen si më poshtë: Së pari, institucionet e sistemit klasik, të cilat synonin të frenonin si varfërinë, ashtu edhe përqendrimin e pasurisë, pësuan ndryshime gjithnjë e më të thella. Së dyti, Perandoria, ndërsa kufijtë e saj po tkurrreshin, u përball me një valë të jashtëzakonshme migrimi të brendshëm. Së treti, zejtarët që punonin në sektorin e prodhimit industrial në qytete, u varfëruan si pasojë e ngushtimit të kapaciteteve të tyre prodhuese përballë konkurrencës së jashtme. Kjo solli rritjen e numrit të të papunëve dhe të shtresave të varfra. P.sh: në Stamboll, deri në vitet 1830, vetëm në industrinë e tekstilit funksiononin rreth 5.000-6.000 tezgjahë, të cilët siguronin jetesën për 15.000-20.000 banorë. Ndërsa në vitet 1860, rreth 90% e këtyre tezgjahëve kishin ndërprerë veprimtarinë. Tkurrje të ngjashme u vunë re edhe në shumë sektorë të tjerë të prodhimit industrial. Papunësia e shkaktuar prej tyre u bë një faktor i rëndësishëm që ndikoi në shtimin e varfërisë dhe të lypësisë.[11]

Përgatiti: Qendra për Hulumtime, Minber

[1] Mehmet Genç (1934–2021),historian i njohur turk i historisë ekonomike osmane. Pas studimeve punoi pranë historianit Ömer L. Barkan dhe iu përkushtua kërkimit të historisë ekonomike osmane, duke u mbështetur veçanërisht në dokumentacionin arkivor osman. Vepra e tij më e njohur, Osmanlı İmparatorluğunda Devlet ve Ekonomi (Shteti dhe ekonomia në Perandorinë Osmane, 2000), përmbledh një pjesë të rëndësishme të studimeve të tij. Për kontributin e tij shkencor u nderua me disa çmime të rëndësishme.

[2] Mehmet Genç, “Osmanlı Dünyasında Dilencilik,” në Bir Kent Sorunu: Dilencilik – Sorunlar ve Çözüm Yolları: Tebliğler Kitabı (İstanbul: İstanbul Büyükşehir Belediyesi Zabıta Daire Başkanlığı, 2008), 13–16.

[3] Mehmet Genç, “İktisadî Açıdan Osmanlı’da Zekât Uygulamaları,” në Tarihte ve Günümüzde Zekât Uygulamaları: Milletlerarası Tartışmalı İlmî Toplantı, 03–04 Aralık 2016 (İstanbul: Ensar Neşriyat, 2017), 255–261.

[4] Imam Gazali, İhyâu Ulûmi’d-Dîn, përkth. Ahmet Serdaroğlu, vëll. 4, (Stamboll, 1985), 388–389.

[5] Mehmet Genç, “Osmanlı Dünyasında Dilencilik”, 13.

[6] Mehmet Genç, “İktisadî Açıdan Osmanlı’da Zekât Uygulamaları” , 255–261.

[7] Mehmet Genç, “Osmanlı Dünyasında Dilencilik”, 16.

[8] Arkivi Osman i Kryeministrisë (BOA), Cevdet Belediye, 7597.

[9] Gülgün Üçel-Aybet, Avrupalı Seyyahların Gözünden Osmanlı Dünyası ve İnsanları (1530–1699), Stamboll: İletişim, 2003, f. 343–356.

[10] Joseph de Tournefort, Seyahatname, red. Stefanos Yerasimos, përkth. Teoman Tunçdoğan, libri II, Stamboll: Kitap Yayınevi, 2005, f. 60.

[11] Mehmet Genç, “Osmanlı Dünyasında Dilencilik”, 16.

Artikuj të ngjashëm