Hulumtime MINBER

Hixhreti në Kuranin Famëlartë dhe në Sunetin Profetik

Home » Hixhreti në Kuranin Famëlartë dhe në Sunetin Profetik

Dr. Sekou Marafa Toure

Hixhreti konsiderohet një nga konceptet qëndrore në shpalljen islame. Ai është i lidhur me historinë e profetëve, me ndërtimin e bashkësive besimtare, me ruajtjen e fesë, me arritjen e stabilitetit dhe me mbrojtjen e të shtypurve. Prania e tij nuk kufizohet vetëm në një ngjarje të caktuar historike, përkundrazi, ai përmendet në Kuranin e shenjtë dhe në sunetin profetik si një praktikë e përsëritur në jetën e profetëve dhe pasuesve të tyre. Përmes shqyrtimit të teksteve kuranore dhe haditheve të sakta, del në pah se hixhreti është një koncept i përbërë, i cili shkon përtej thjesht zhvendosjes fizike, duke përfshirë dimensione imanore, morale, shoqërore dhe qytetërimore.

Koncepti i hixhretit në Kuran dhe sunet

Rrënja e fjalës “haxhere/هجر dhe derivatet e saj në Kuranin e shenjtë janë përmendur në kontekste të ndryshme, por hixhreti në kuptimin terminologjik dhe juridik, sipas teksteve të Kuranit dhe sunetit, shfaqet si kalimi nga një mjedis ku është e vështirë të shfaqet apo të ruhet feja, në një mjedis më të sigurt dhe më të qëndrueshëm. Një nga ajetet më të qarta në këtë drejtim është fjala e Allahut të Lartësuar:Kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që e kanë ngarkuar veten me faje, u thonë: “Ku ishit?” Ata përgjigjen: “Ishim të pafuqishëm në Tokë.” (Engjëjt) u thonë: “A nuk qe Toka e Allahut e gjerë që të mërgonit në të?” Këta janë ata (njerëz), vendbanimi i të cilëve është Xhehenemi; eh, sa i keq është ai vendbanim!” (Nisa: 97) Ky ajet tregon se hixhreti lidhet me aftësinë për të ruajtur fenë, dhe me daljen nga gjendja e dobësisë kur ekziston mundësia. Ndërsa në sunetin profetik, Profeti (a.s.) ka thënë: “Muhaxhir (migruesi i vërtetë) është ai që largohet nga ajo që e ka ndaluar Allahu.” (Buhariu) Ky hadith zbulon një dimension tjetër të hixhretit, atë shpirtëror dhe moral, ku koncepti i hixhretit zgjerohet përtej lëvizjes gjeografike.

Hixhreti si traditë e profetëve

Kurani tregon se hixhreti nuk është një veçori vetëm e Muhamedit (a.s.), por një traditë e përsëritur në historinë e shpalljeve hyjnore. Në lidhje me Ibrahimin (a.s.), Allahu (xh.sh.) thotë: “Unë do të mërgoj te Zoti im.” (Ankebut: 26.) Ndërsa në lidhje me Lutin (a.s.) përmendet një formë e ngjashme e largimit dhe mbrojtjes së besimit. “Luti i besoi atij dhe tha: “Unë do të mërgoj te Zoti im; me të vërtetë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Ankebut: 26)

Në lidhje me Musain (a.s.), Allahu (xh.sh.) thotë: “Musai doli prej qytetit i frikësuar, duke pritur se ç’do të ndodhte, tha: “O Zoti im, më shpëto prej popullit keqbërës.” (Kasas: 21) Dalja e beni israilëve nga Egjipti paraqet një model të hixhretit kolektiv, ku Allahu (xh.sh.) thotë: “Pastaj, Ne i shpallëm Musait: “Ti udhëto natën me robërit e Mi, por do të jeni të ndjekur.” (Shuara: 52) Këta shembuj tregojnë se hixhreti ka qenë një mjet për mbrojtjen e mesazhit hyjnor dhe për rindërtimin e bashkësisë së besimtarëve.

Shkaqet e hixhretit në Kuran dhe sunet

Edhe pse faktori fetar është një nga elementet më të rëndësishme mbi të cilat mbështetet shpallja hyjnore në trajtimin e hixhretit, ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që ndihmojnë në zgjerimin e konceptit të hixhretit, duke përfshirë edhe kuptimin e tij bashkëkohor, pra largimin nga vendlindja për të jetuar në një vend tjetër për një arsye të caktuar. Më poshtë janë shkaqet kryesore të hixhretit sipas parimeve të shpalljes hyjnore.

1- Ruajtja e fesë dhe besimit

Ky është shkaku më i pranishëm në tekstet fetare, siç u përmend më sipër. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, ata që besuan dhe ata që mërguan (bënë hixhret) e luftuan në rrugë të Allahut, pikërisht ata shpresojnë në mëshirën e Allahut. Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (Bekare: 218) Gjithashtu thotë: “Ata që, pasi vuajtën të shtypur, u shpërngulën për hir të Allahut (bënë hixhret), Ne do t’i vendosim në vendbanime të mira në këtë botë. Natyrisht, shpërblimi që i pret në botën tjetër (Xheneti), është edhe më i madh. Ah! Sikur ta dinin ata!” (Nahl: 41) Qëllimi këtu nuk është thjesht shpëtimi fizik, por ruajtja e fesë dhe zbatimi i riteve të saj.

2- Ikja nga përndjekja dhe dobësia

Allahu (xh.sh.) thotë: “Kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që e kanë ngarkuar veten me faje, u thonë: “Ku ishit?” Ata përgjigjen: “Ishim të pafuqishëm në Tokë.” (Engjëjt) u thonë: “A nuk qe Toka e Allahut e gjerë që të mërgonit në të?” (Nisa: 97) Ky ajet tregon se dobësia dhe shtypja mund të jenë një arsye legjitime për hixhret, kur ekziston mundësia për ta bërë atë.

3- Kërkimi i sigurisë

Allahu (xh.sh.) thotë për Musain (a.s.): “Doli prej saj i frikësuar dhe duke u ruajtur.” (Kasas: 21) Dhe pas mbërritjes në Medjen: “Teksa drejtohej nga Medjeni, ai tha: “Shpresoj se Zoti im do të më tregojë rrugën e drejtë!” (Kasas: 22) Pra, ky kalim ndodhi për të kërkuar siguri pas kërcënimit.

4- Kërkimi i furnizimit dhe stabilitetit

Kurani Famëlartë përmend lëvizjen e Jakubit dhe bijve të tij në Egjipt në kontekstin e urisë që goditi rajonin, siç përmendet në suren Jusuf, gjë që tregon se nevoja për jetesë dhe furnizim mund të jetë një shtytës i lëvizjes dhe migrimit njerëzor.

Format e hixhretit në Kuranin e shenjtë

  • Hixhreti individual, si hixhreti i Ibrahimit (a.s.) dhe hixhreti i Musait (a.s.) në Medjen.
  • Hixhreti familjar. Rasti i Ibrahimit (a.s.) dhe lutja e tij: O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë të shkretë, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. (Ibrahim: 37), si dhe fjala e Allahut (xh.sh.) për Musain (a.s.): Kur Musai e plotësoi afatin e caktuar dhe u nis me familjen e vet, vuri re nga larg një zjarr në anën e (malit të) Turit. I tha familjes së vet: “Pritni, sepse kam parë një zjarr. Ndoshta mund t’ju sjell prej tij ndonjë lajm ose një urë zjarri për t’u nxehur. (Kasas: 29)
  • Hixhreti kolektiv, si dalja e beni israilëve nga Egjipti, si dhe hixhreti i Profetit (a.s) dhe shokëve të tij nga Meka në Medinë.
  • Hixhreti shpirtëror (moral). Profeti (a.s.) ka thënë: “Mysliman është ai nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt myslimanët dhe muhaxhir është ai që largohet nga ajo që Allahu e ka ndaluar.” (Buhariu dhe Muslimi) Kjo nënkupton kalimin nga mëkati në bindje dhe nga kundërshtimi në përkushtim.

 

Tiparet e muhaxhirëve në Kuran

Kurani e lidh hixhretin si veprim me një sërë cilësish të besimit. Allahu i Lartësuar thotë: Vërtet, ata që besuan dhe mërguan (për hir të besimit), e më pas luftuan me pasurinë dhe jetën e tyre në rrugën e Allahut dhe ata që u dhanë strehim e i ndihmuan, janë miq e mbrojtës për njëri-tjetrin. (Enfal: 72) Gjithashtu, thotë: Një pjesë e plaçkës i takon edhe mërgimtarëve të varfër (muhaxhirëve), të cilët u përzunë nga vendlindja dhe pasuritë e tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë e Allahut dhe duke ndihmuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pikërisht ata janë besimtarët e sinqertë. (Hashr: 8) Këto ajete tregojnë se në optikën kuranore hixhreti është i lidhur ngushtë me besimin, sakrificën, durimin, xhihadin dhe kërkimin e kënaqësisë së Allahut.

Shpërblimi i muhaxhirëve në Kuran dhe sunet

Kurani famëlartë u ka dhënë muhaxhirëve një pozitë të veçantë. Allahu i Lartësuar thotë: Atyre që kanë mërguar për hir të Allahut e kanë rënë dëshmorë apo kanë vdekur, me siguri, Allahu do t’u japë shpërblim të mirë. Pa dyshim, Allahu është dhuruesi më i mirë. (Haxh: 58) Poashtu: Atyre që u shpërngulën, u dëbuan nga vatrat e tyre, u munduan në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, Unë do t’ua mbuloj veprat e këqija dhe do t’i shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, si shpërblim nga Allahu. Shpërblimi më i mirë është tek Allahu. (Ali Imran: 195) Në sahihun e Buhariut dhe në sahihun e Muslimit, Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk ka më hixhret pas çlirimit (të Mekës), por ka xhihad dhe nijet.” Qëllimi i këtij hadithi është se hixhreti i detyrueshëm nga Meka në Medinë përfundoi pas çlirimit të Mekës, por jo që parimi i hixhretit si veprim i lejuar dhe i vlefshëm të ketë marrë fund, kur ekzistojnë arsyet për të.

Si përfundim

Shqyrtimi i teksteve të Kuranit të shenjtë dhe sunetit profetik tregon se hixhreti është një koncept juridik dhe fetar i gjerë, i cili tejkalon kufijtë e zhvendosjes fizike dhe përfshin dimensione të shumta imanore, morale dhe shoqërore. Kurani e paraqet hixhretin si një ligj të përsëritur në jetën e profetëve dhe besimtarëve, si një mjet për ruajtjen e fesë, largimin nga shtypja, sigurimin e mbrojtjes dhe ndërtimin e bashkësisë besimtare. Gjithashtu, suneti profetik tregon se hixhreti ka një dimension të përhershëm etik dhe vleror, i cili qëndron në largimin nga mëkatet dhe përkushtimin ndaj urdhrave të Allahut të Lartësuar. Prandaj, në këndvështrimin islam, hixhreti nuk është thjesht një ngjarje historike e përfunduar, por një parim i vazhdueshëm që lidhet me përpjekjen e njeriut për të ruajtur fenë e tij, për të përmirësuar vetveten dhe për të realizuar misionin e tij si mëkëmbës në tokë.

Përktheu: Qendra për Hulumtime, Minber

Artikuj të ngjashëm

Recension nga Dr. Sadik Mehmeti

Dr. Sadik Mehmeti NJË VEPËR PËRFAQËSUESE MBI KONTRIBUTIN E DIJETARËVE SHQIPTARË NË SHKENCAT KURANORE (Ferid Piku, Kontributi i autorëve shqiptarë në fushën e shkencave kuranore…

Lexo më shumë »

Mbi themelin moral të fetarisë

Prof. Dr. Enver Uysal Fetë nuk kërkojnë nga besimtarët vetëm praktika fetare; ato rregullojnë edhe marrëdhëniet njerëzore. Morali mund të shihet si një “kompleksitet marrëdhëniesh”.…

Lexo më shumë »