Hulumtime MINBER

Hixhreti në shtypin islam shqiptar: Interpretimi historiko-fetar dhe funksioni i tij në diskursin e ringjalljes kombëtare

Home » Hixhreti në shtypin islam shqiptar: Interpretimi historiko-fetar dhe funksioni i tij në diskursin e ringjalljes kombëtare

Hafiz Ismet Dibra në “Zani i Naltë”, Nr. 9, Maj 1933, na sjell një rrëfim historik për fillimin e vitit hixhri dhe një tablo të gjallë ku historia shndërrohet në mesazh. Veçanërisht vihet re lidhja që autori krijon mes identitetit islam dhe atij shqiptar, duke e vendosur Hixhretin si një moment frymëzimi për rigjallërimin moral e shoqëror të kombit. Autori na çon pas në kohë, në një botë të lodhur nga padrejtësitë dhe errësira shpirtërore, për të treguar se si në këtë horizont të zymtë lind një dritë e re me misionin e Muhamedit (alejhis-selam).

Në aspektin historik, teksti përzien elemente faktike, si: persekutimi i muslimanëve, mbështetja e ensarëve, roli i Ebu Bekri, etj, me një stil retorik, tipik për publicistikën fetare të fillimshekullit XX, ku qëllimi nuk është vetëm informimi, por edhe mobilizimi shpirtëror dhe kombëtar. Përmes një gjuhe të fuqishme dhe emocionale, ai e paraqet Hixhretin nga Meka në Medinë, jo vetëm si një largim fizik, por si një kthesë vendimtare që ndan dy epoka: atë të errësirës me atë të dritës. Në thelb, artikulli synon të zgjojë vetëdijen e lexuesit të kohës, duke e lidhur këtë ngjarje madhore me nevojën për rigjallërim moral dhe identitar.

VJETI HIXHRI 1352[1]

Sod po gëzojmë ditën e parë të vitit 1352 të Hixhretit qi ka fillue me shpernguljen profetike. Perendija me madhni të vet e pruftë kët vit me të mira e begati morale e materjale për gjithësisht për tanësin Islame e veçanërisht per kombin Shqiptar nen hijen e Nalt-Madhnis së Tij.

Për të formuar nji ide mbi randësin e madhe të kësaj dite të lumnuëshme le t’i lëshojmë nji sy Historis së botës këtu e katermedhjetë shekuj para. Këtij veshtrimi i del para fare lakuriq, nji kohë e postatun e lodhun dhe e raskapitun, së cilës i janë thye krahët nga torturat tiranike të feodalëve. Le të udhtojmë dal nga dal kah e kaluemeja tue numrue tremedhjetë shekuj edhe nji gjymës e aty le të qendrojmë. Do të shofim se në orizontin e botës së mbulueme me mjergulla mundimesh e hidhrimesh lind nji dritë e vogel qi perpiqet me përhapë rrezet e veta e me shperda mjergullat e denduna qi mundonin botën. Këjo panoramë mendore me të arritun në gjymsën e dytë të shekullit në fjalë merr nji fytyrë ma të kandëshme. Drita e re shton rrezet e saja, rrit fushën e veprimit, edhe jeta e ngushtueme e njerzis fillon me marrë frymë ma lirisht. Po të ndjekim pastaj nji nga nji dhe me radhë shekujt pasardhës, shofim se, drita e lindun para katermëdhjet shekujsh përgjithson dhe shpërdan rrezet e saja mbi gjith siperfaqen e tokës, njerzija shpëton nga jeta e përbuzun dhe e poshtënueme.

Po të studjohet me kujdes Historija, do të kuptohet se, drita, qi mbylli kohët e errta të Historis së ligësive dhe çeli fazat e reja të lumtëris njerzore, asht drita e hyjnushme dhe fillimi i veprimit të kësaj dritë asht koha, në të cilen Profiti i ndershëm shperngulet nga Meqqeja dhe emigron në Medine.

Le të spiegohemi.

Hazreti Muhammed Mustafa-i (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) dekretohet nga Perëndija «Profit Universal i ngarkuem me misjonin e lartë » t’a mbështjellë në qarkun e «së vertetës» dhe të «drejtësis» botën e tronditun nga «Kaos»i i kohëvet të «Fetretit»[2] dhe t’a percjellë në dritë njerzin e mbytun në pellgjet t’errsinave. Ky «Udhëheqës i Madh» misjonin e tij të rândë e të shenjtë e fillon prej fisit e prej Kombit të vet. Mjerisht qi shumica e kombit të tij, me perjashtim të nji pakice shum të vogel qi mâ pastaj patën fatin e lumnueshëm të quhen «Flamurtarët e të Drejtës së Hyjnushme» të shtymë prej fanatizmit, paganizmit, injorancës, smirës e mënis së trashgueme, trajtuen nji ball kundershtar. Këjo opozitë e mallkueme nuk u kënaq me refuzimin dhe pengimin e dritës së amshueme por nuk kursyen as torturat mâ çnjerzore kundra Hazreti Muhaminedit, që kërkonte me i mësue njerzis «të drejtën e të vertetën» e kundra besnikëve të lavduem të Tij.

Situasioni muerr nji trajtë të çudiçme: Hazreti Muhhammedi Alejhisselam doli në shesh të burrave si zhvillues i dritës së vertetë; per armë, municion e materjal lufte kishte vetëm gjuhen e ambël, me të cilën predikonte e thirrte në lumtëri. Suita e Tij besnike ishte nji turmë e kulluar qi s’e kapercente dot shkallen e dhjetshave.

Kundra këtij komuniteti të vogël qendronin fiset e organizuem të Kureishitëve t’armatosun me materjal të persosun të kohës qi merrte gjith masat e liga për të munde me pengue «Zanin e Naltë». Njana anë perfaqsonte durimin, qendrimin, fuqin e jashtzakonshme per rrugë të Zotit; ana tjetër perfaqësonte injorancën, kam-nguljen, mënin dhe mundimet e panjerzishme kundra forcës qi kerkonte me iu sigurue interesin dhe permirsimin e tyne.

Mirsija e Hyjnueshme qi kishte vendosë me lumtrue njerzinë, po krijonte nji flakë konvertizimi në nji qendër të re jashta qarkut pagan qi pengonte zhvillimin e lumtëris Islame. Disa «Ensarë»[3], të cilëve i u kishte shkrepë në zemer «drita amshueme», pranuen fen «Islame.» Këta burra në Histori numrohen çelsat e dritës, djepi i misionit Islam, burrimi i drejtimit të ri. Këjo flakë konvertizimi qi shkrepi në «Medine» i dha shkak qi të shtohen mundimet kundra Hazreti Muhammedit Alejhisselam e shokëve të Tij të ndershëm; sepse ishte afrue koha qi të agonte mëngjezi i shum pritun e natyrisht nata aty para agimit shton t’errtit e saj me tânë fuqin qi ka!

Këto tortura të pamëshirshme i ndoq «lumtërija e botës», «mëngjezi i liris njerzore» qi filloj me ague. Kur «Drita Islame» po derdhte rrezet e saja në orizontin e Medines, politheizmi dhe paganizmi të tristuem filluen me perendue; errsina s’qendronte mâ para dritës qi agoi. Në ketë moment ndodhi «Emigrasioni Profetik» qi asht çelësi i triumfit t’Islamizmës, e cila e udhëheq njerzinë drejt të vertetës, të drejtës e lumtërisë. Hazreti Muhammedi bashkë me shokun e Tij, Hazreti Ebubeqrin, me gjith ndjekjet e Kurejshitëve niset për Medine. Banorët e Medines të lumtënuem qysh në amshim, e pritën me nderime madhështore Zotnin e të dy jetëve. Me të mbritunit në Medine të Hazreti Resulit perënduen për gjithmonë mjegullat e errta të zollumit e të mizorinave, qielli u kjarue me dritën e madhe qi solli «Dielli i Diturisë s’ Amshueme»

Këjo ngjarje e madhe dhe me rândësi të perbotëshme, në Historin Islame âsht rregjistrue nen emnin «Hixhreti Profetik» qi sod, më nji të muajit «Muharrem» fillon vitin 1352. Perëndija e pruftë me të mira Amin!. (Vijon….)

Hafiz Ismet Dibra

Përgatiti: Qendra për Hulumtime, Minber

[1] H. Ismet Dibra, “Vjeti Hixhri 1352” (Vijon),  Zani i Naltë, nr. 9, Maj 1933, f. 636.

[2] Koha pa profit midis Krishtit dhe Muhammedit Alejhimesse-lam në terminologjin Islame quhet «Fetrét».

[3] «Ensarë» quhen muslimanët e Medines qi e pritën me nderime Profitin kur bâni hixhret.

Artikuj të ngjashëm

Njeriu që individualizohet

  Shprehja “njeriu që individualizohet” nënkupton se në një periudhë më të hershme qenia njerëzore nuk ishte ende një qenie individualiste. Vallë, çfarë synohet me…

Lexo më shumë »